Kalifati
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Kalifati

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë e shkëputur nga kjo hutbe. Për hutben e plotë, ndiqeni videon)

Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira prej jush, se do t’i bëjë patjetër kalifë në tokë, ashtu siç i ka bërë kalifë ata që ishin para tyre. Ai do t’ua përforcojë fenë e tyre, të cilën e ka pëlqyer për ta dhe do t’ua shndërrojë frikën e tyre në siguri. Ata do të më adhurojnë Mua dhe nuk do të Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që tregohen mosmirënjohës edhe pas kësaj, pikërisht ata janë të pabindur.[1]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Të dashur miq! Përderisa praktika e Zotit kështu ka qenë që nga fillimi, që Ai të shfaqë dy fuqi të madhështisë së Tij, në mënyrë që t’u shkatërrojë dy gëzime të rreme kundërshtarëve, atëherë nuk është e mundur që edhe kësaj radhe Zoti ta ndryshojë këtë praktikë të vjetër. Kështu që, mos u pikëlloni e as mos t’ju lëshojnë zemrat tuaja nga ajo që po ju them, sepse është e domosdoshme për ju ta shihni edhe fuqinë e dytë të madhështisë së Tij. Ardhja e saj është më e mirë për ju, sepse ajo do të jetë e përhershme dhe nuk do të përfundojë deri në Ditën e Gjykimit. Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju. Kështu është premtuar nga Allahu edhe në “Berahine Ahmedia[2] dhe ky premtim nuk është për mua, por është për ju, siç thotë Allahu: Unë do ta bëj këtë Xhemat, që janë pasuesit e tu, mbizotërues mbi të gjithë të tjerët deri në Ditën e Gjykimit. Pra, është e pashmangshme dita kur ju do ta shihni largimin tim, në mënyrë që, pas asaj, t’ju vijë dita e premtimit të përhershëm. Zoti ynë është Ai që mban premtimet e Tij dhe është shumë Besnik dhe shumë i Vërtetë. Ai do t’ju tregojë të gjitha ato që ju ka premtuar. Edhe pse këto janë ditët e fundit të botës dhe shumë fatkeqësi pritet të ndodhin, megjithatë, është e domosdoshme që kjo botë të vazhdojë të ekzistojë, deri sa të përmbushen të gjitha ato gjëra, të cilat Allahu jua ka premtuar.

Unë erdha nga Allahu si një manifestim i Fuqisë së Tij dhe jam mishërim i Fuqisë së Allahut. Pas meje do të vijnë persona të tjerë, që do të jenë manifestim i dytë i Fuqisë së Tij. Andaj, ju të gjithë së bashku, angazhohuni në lutje dhe priteni manifestimin e dytë të fuqisë së Tij. Në çdo vend, çdo xhemat i besimtarëve të vërtetë të mblidhet dhe të lutet, që fuqia e dytë e Tij të zbresë nga qielli dhe që t’ju tregojë se Zoti juaj është kaq i Plotfuqishëm. Kujtoni se vdekja juaj është afër, sepse ju nuk dini se kur do t’ju vijë koha e saj.

 

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Është praktikë e Zotit, që kur ka krijuar njeriun në këtë tokë, që Ai i ndihmon profetët dhe të dërguarit e Tij duke u dhënë atyre fitore mbi të tjerët. Ai thotë:

کَتَبَ اللہُ  لَاَغْلِبَنَّ  اَنَا وَ رُسُلِیۡ[3]

[“Allahu ka vendosur që Ai dhe profetët e tij do të ngadhënjejnë”]

Këtu, ngadhënjim do të thotë plotësim i dëshirës[4] së profetëve dhe të dërguarve, pra që të përmbushet fjala e Zotit dhe askush të mos ketë mundësi të luftojë me Të. Nga ana tjetër, Zoti i Madhërishëm me shenja të forta nxjerr në dritë vërtetësinë e të dërguarve të Tij dhe të vërtetën që ata dëshirojnë ta përhapin në botë, u jep mundësi që ta mbjellin farën e saj me duart e tyre. Megjithatë, Ai nuk e lë atë farë të japë frytet e plota nga duart e tyre, por duke u dhënë vdekje në një moment të tillë që krijon përshtypje, sikur misioni i tyre dështoi, u jep mundësi kundërshtarëve t’i përqeshin e të tallen me ta. Dhe pasi të jenë ngopur së talluri, atëherë Allahu shfaq dorën e dytë të fuqisë së Tij dhe krijon ato mjete, përmes së cilave, misioni i tyre, që deri diku kishte mbetur i paplotësuar, të përsoset e të plotësohet deri në fund.

Me një fjalë, Zoti shfaq dy lloj fuqish: së pari, Ai e shfaq dorën e fuqisë së Tij përmes të Dërguarve të Tij dhe së dyti, pas vdekjes së të dërguarit, kur besimtarët përballen me vështirësi të mëdha, dhe armiku ndihet i fuqishëm, duke menduar se tani gjithçka ka përfunduar dhe është i bindur se tani ky Xhemat (bashkësi) do të zhduket nga faqja e dheut,  madje edhe vetë anëtarët e Xhematit fillojnë të frikësohen e të lëkunden, duke u ndier të dobët e të papërkrahur, madje disa të pafat prej tyre bëhen gati për t’u bërë renegatë[5], atëherë Allahu për të dytën herë e shfaq fuqinë e Tij madhështore dhe e merr Xhematin nën kujdesin e Tij, që ishte gati të rrëzohej. Ndaj, ai që duron deri në fund, e sheh këtë mrekulli të Zotit.

Kështu kishte ndodhur në kohën e Hazret Ebu Beker Sidikut r.z., kur vdekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u konsiderua e parakohshme, shumë beduinë injorantë e braktisën fenë, madje edhe es-habët r.z. e Profetit, të goditur nga pikëllimi i vdekjes së tij, u bënë si të çoroditur. Atëherë, Allahu e ngriti Ebu Bekër Sidikun r.z. dhe e shfaqi për të dytën herë fuqinë e Tij. Kështu, duke e përmbushur premtimin e Tij të dhënë në Kuranin Famëlartë, Zoti e shpëtoi Islamin, që dukej se po rrëzohej. Ai thotë:

وَ لَیُمَکِّنَنَّ لَہُمْ دِیۡنَہُمُ الَّذِی ارْتَضٰی لَہُمْ

وَ لَیُبَدِّلَنَّہُمۡ مِّنۡۢ بَعْدِ خَوْفِہِمْ اَمْنًا [6]

Pas frikës, prapë Ne do t’i vendosim fort ata.[7]

 


[1] Kurani Famëlartë 24:56.
[2] “Berahin-e-Ahmedia” është libri i parë Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Katër vëllimet e para të tij u botuan gjatë viteve 1880-1882. [Përkthyesi]
[3](Përkthim) “Allahu ka vendosur që Ai dhe profetët e tij do të ngadhënjejnë”. (Autori). (El-Muxhadilah 58:22) [Përkthyesi]
[4] Në origjinal fjala është huxhah, e cila fjalë për fjalë do të thotë argument. Këtu kuptimi i saj është dëshirë. [Përkthyesi]
[5] Këtu, renegat do të thotë ai që heq dorë nga bindjet e mëparshme fetare. [Përkthyesi]
[6] En-Nur 24:56.
[7] Përkthimi i plotë i këtij ajeti është: “dhe që Ai do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që Ai patjetër do t’u kthejë siguri pas frikës së tyre”. (En-Nur 24:56) [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp