Kërkojini ndihmë Allahut përmes durimit dhe lutjes!

Hazret Mirza Masrur Ahmed (aba)

Hazret Mirza Masrur Ahmed (aba)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, kampion i paqes dhe lideri i grupit më të madh të muslimanëve në të gjithë botën që ndjekin një Imam.

Më shumë rreth autorit

(Pjesë të shkëputura nga kjo hutbe. Për hutben e plotë, ndiqeni videon)


O ju që besuat!Kërkojini ndihmë Allahut përmes durimit dhe namazit! Sigurisht, Allahu është me të duruarit!
(Kurani Famëlartë 2:154)

Njeriu gjatë jetës së tij përballet me vështirësi të shumta. Edhe individualisht ai kalon përmes vështirësive të kësaj bote. Has raste kur përveç durimit, ai nuk gjen asnjë zgjidhje tjetër. Gjen humbje të pasurisë, nganjëherë edhe të fëmijëve dhe edhe të mjeteve të tjera materiale.

Një njeri që jeton për botën shpesh vajton për vështirësitë e tij dhe ai këtë e quan durim. Në kohëra të tilla, ai shpreh ankesa, madje edhe fjalë mohuese ndaj Zotit të Madhërishëm. Ka të tjerë që duke mos duruar humbjet e kësaj bote, humbin mendjen.

Por ka edhe të tjerë, robër të Allahut të Madhërishëm që detyrohen të durojnë humbjet në pasuri, shqetësimet emocionale ose edhe lëndimet fizike, vetëm sepse ata pranojnë një profet dhe një të dërguar të Zotit, duke zbatuar porosinë e Tij. Me fjalë të tjera, edhe humbjet materiale të tyre janë për hir të Zotit. Edhe humbjet e jetës së tyre janë për hir të Zotit. Megjithatë, ata i tejkalojnë të gjitha këto humbje, pa shprehu asnjë ankesë. Po, i luten Zotit të Madhërishëm duke thënë:

O Zot! Ngaqë të gjitha këto shqetësime po na vijnë nga kundërshtarët vetëm sepse ne e kemi pranuar të dërguarin Tënd, na shto forcën që t’i durojmë! Eja Vetë që të na ndihmosh dhe na shpëto nga mizoritë e mizorëve! Na jep qëndrueshmëri në sprovën që po kalojmë për hir Tëndin!

Njerëzit e tjerë lexojnë ose i dëgjojnë historitë e profetëve. Muslimanët e tjerë i lexojnë këto histori në Kuranin e Shenjtë dhe i dëgjojnë nga dijetarët e tyre. Por muslimanët ahmedianë janë ata që për shkak se pranuan Mesihun e Muhammedit, shërbëtorin e vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s., të dërguarin që ka ardhur për periudhën e dytë të Islamit, praktikisht e përjetojnë këtë gjendje, e cila për të tjerët ndoshta mund të jetë ngjarje ose histori e së kaluarës.

Ka edhe disa sekte dhe grupe, të cilat mund të pohojnë se edhe ata përballen me vështirësi dhe kundërshtime për shkak të fesë. Por, të gjithë ata kur gjen mundësinë, edhe hakmerren nga kundërshtarët e tyre për mizoritë që u janë bërë. Por ahmedianët janë të vetmit që tregojnë shembullin e besimtarit, duke mos e marrë asnjëherë ligjin në dorë, duke i duruar mizoritë, duke u përulur vetëm përpara Allahut të Madhërishëm dhe duke i kërkuar ndihmë vetëm Atij.

Pra, ky është dallimi i madh mes muslimanëve ahmedianë dhe njerëzve të tjerë. Ne jemi dhe duhet të jemi ata, të cilët, para sprovave të kësaj bote dhe armiqësive të kundërshtarëve asnjëherë nuk e humbim durimin dhe asnjëherë nuk kthehemi nga besimi ynë, sepse kemi pranuar Mesihun e Premtuar.

Ne e dimë shumë mirë që dhimbjet tona na i largon vetëm Zoti i Madhërishëm. Gjatë vështirësive, nuk duhet t’u kërkojmë ndihmë njerëzve të kësaj bote, por vetëm Zotit të Plotfuqishëm dhe Sunduesit të gjithësisë. Vetëm Ai është që, pas durimit dhe lutjes sonë, do të na shpëtojë nga vështirësitë, inshaAllah. Ai kurrë nuk i kthen robërit duarbosh, të cilët përulen me sinqeritet para Tij. Ai i shpërblen ata që sakrifikohen për Të dhe për Xhematin e ngritur prej Tij.

Ne veprojmë sipas porosisë së Profetit Muhammed s.a.v.s., duke ia kuptuar thelbin, ku Profeti s.a.v.s. thotë:

Çështja e besimtarit është e çuditshme! E gjithë puna e tij është hair. Dhe kjo është vetëm me besimtarin. Kur i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon, thotë “Elhamdulil-lah!” dhe bie në sexhde para Allahut. Kjo i sjell hair! E kur e godet ndonjë fatkeqësi, ai duron. Edhe kjo i sjell hair.

Kur robi përballet me vështirësi dhe shqetësime të mëdha në rrugën e Allahut të Madhërishëm, duke i duruar dhe duke bërë dua, kjo patjetër i sjell hair. Madje, Allahu i Madhërishëm kaq shumë e bekon robin e Vet, saqë Ai nuk e lë robin pa e shpërblyer edhe për shqetësimet e vogla që has. Duke e treguar këtë realitet, I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:

Edhe lodhja, sëmundja dhe brenga që i vjen muslimanit, madje edhe një gjemb që i hyn, në këmbim të tyre, Zoti i Madhërishëm i fal disa mëkate.

Pra, ky është Zoti ynë Mëshirëbërës dhe Bujar që shpërblen besimtarin qoftë edhe për gjëra shumë të vogla. Ndaj, besimtari durimtar që përulet para Allahut të Madhërishëm ka vetëm lajme të mira prej Allahut të Madhërishëm.

Njëherë tjetër, duke na treguar rëndësinë e durimit dhe të lutjes dhe sjelljen e Allahut kundrejt tyre, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Asnjë pikë nuk e do Allahu i Madhërishëm më shumë se sa pikën e gjakut që derdhet në rrugën e Tij dhe pikën e lotit që bie në namazin nafil të natës për shkak të drojës ndaj Tij. Po ashtu, asnjë gllënjkë nuk e do Allahu i Madhërishëm më shumë se sa gllënjkën e brengës që njeriu e pi duke duruar, si dhe gllënjkën e zemërimit që njeriu e pi për ta mposhtur zemërimin.

Njeriu has shumë raste në jetën e tij, kur ai duron dhe përmbahet për hir të Zotit të Madhërishëm dhe në të gjitha ato raste, ai fiton pëlqimin e Tij.

Andaj, qoftë në çështjet personale kur hasim humbje, qoftë në çështjet e Xhematit, nëse ne duam pëlqimin e Allahut, duhet ta ndjekim porosinë e Profetit Muhammed s.a.v.s. që të përulemi para Zotit dhe të durojmë. Këto vlera do të na sjellin afrimin me Zotin. Në një hadith tjetër thuhet:

Zoti i Madhërishëm ka shumë sedër ndaj robërve të Tij të afërt, andaj, Ai e kap dhe e ndëshkon armikun që u shkakton vështirësi dhe humbje materiale robërve të Tij.

Kështu që, një gjë që e ka marrë Zoti i Madhërishëm në dorën e Tij, pse të shqetësohet besimtari për ta marrë atë në dorën e vet?! I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e tha vetëm këtë që, Zoti i Madhërishëm hakmerret me armiqtë e robërve të Tij, kur robërit e Tij durojnë dhe përulen para Tij, madje tha edhe më shumë se kaq:

Kur robit i bëhet mizori dhe ai duron, Zoti i Madhërishëm i fal nder.

Atij që i fal nder Zoti i Madhërishëm, çfarë nderi tjetër i duhet?! Andaj, për vështirësitë dhe shtrëngimet që kalon Xhemati Musliman Ahmedia këto ditë në vende të ndryshme të botës, detyra jonë është që t’i kërkojmë ndihmë Zotit të Madhërishëm përmes durimit dhe lutjes e të përulemi para Tij. Vetëm Ai zotëron të gjitha fuqitë për t’i kapur krerët e mohuesve dhe për të na shpëtuar nga ata dhe intrigat e tyre. Këtë e kemi parë edhe në historinë e Xhematit, që armiku, pavarësisht nga e gjithë fuqia dhe nga të gjitha mjetet e tij, ka dështuar, kurse Xhemati gjithmonë ka hedhur hapa përpara.

Për derisa edhe vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tij u përballën me vështirësi dhe vetëm pastaj korrën sukses, kush jemi ne që të kemi sukses pas u futur në vështirësi?!

Sidoqoftë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na kishte paratreguar për kundërshtimet duke thënë se po e pranuat Ahmediatin, do t’ju duhet të pranoni shtrëngime. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Edhe për Xhematin tonë do të ketë vështirësi njësoj siç muslimanët patën vështirësi në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Një njeri sapo të ketë hyrë në këtë Xhemat, për të vështirësia e parë do të jetë që shokët dhe të afërmit e tij e braktisin. Madje, nganjëherë edhe prindërit, vëllezërit dhe motrat i bëhen armiq. Nuk duan t’i thonë as “Selamalejkum” e as nuk falin xhenazen e tij.

Pra, ai përballet me shumë vështirësi të tilla. E di që disa njerëz kanë karakter të dobët dhe frikësohen nga vështirësitë e tilla. Por mbajeni mend! Është e nevojshme që të kaloni nga këto situata, sepse ju nuk jeni më lart se profetët dhe të dërguarit. Edhe ata patën vështirësi dhe shtrëngime. Këto gjëra u vijnë besimtarëve që ata të forcohen në besim dhe të gjejnë mundësi për të sjellë ndryshime të pastra në jetën e tyre.

Jini të angazhuar në lutje. Kështu që, është e domosdoshme që ju të ndiqni profetët dhe të dërguarit dhe të përvetësoni durimin. Nuk do t’ju bëhet dëm aspak. Shoku juaj që ju braktis sepse ju e keni pranuar të vërtetën, nuk është shok i sinqertë dhe për këtë arsye, nuk keni nevojë të shqetësoheni për të. Sepse në të kundërt ai duhet të ishte me ju. Ata që ju braktisin vetëm sepse keni hyrë në Xhematin e themeluar prej Zotit të Madhërishëm, nuk duhet të luftoni dhe të grindeni me ta, madje lutuni për ta në vetmi.

Për sa kohë që kemi argumentin, nuk na ka hije të zemërohemi kundër zemërimit të tjerëve. Gjithmonë duhet ta kemi parasysh këtë që thotë Hazret Mesihu i Premtuar a.s.:

Jam urdhëruar që t’ju them vazhdimisht të shmangeni nga çdo takim që synon çrregullim dhe grindje. Duroni edhe kur dëgjoni sharjet. Përgjigjuni së keqes me të mirë. Nëse dikush këmbëngul të shkaktojë çrregullim, largohuni nga një takim i tillë, duke iu përgjigjur butësisht. Shpesh dikush kundërshton ashpër dhe zgjedh mënyrën trazuese, që të provokojë njerëzit e tjerë, por kur gjen përgjigje të butë dhe jo sharje, edhe atij i vjen turp dhe fillon të reflektojë për veprimin e tij. Kështu ndodhi shumë herë që kundërshtarëve tanë që ishin të sinqertë, u erdhi turp.

Sinqerisht ju them të vërtetën, mos hiqni dorën nga durimi, sepse durimi është ajo armë që mund të bëjë sulme, që as topat nuk bëjnë dot. Durimi është ai që fiton zemrat. Mbajeni mend mirë! Brengosem shumë kur dëgjoj se filani që është nga Xhemati ynë është grindur me dikë. Kurrsesi nuk e pëlqej këtë gjë. Edhe Zoti i Madhërishëm nuk dëshiron që Xhemati që synon të bëhet shembull për të gjithë botën, të ndjekë një rrugë që nuk është rruga e takvasë.

Madje, dua t’ju them edhe më shumë. Kaq shumë e mbështet këtë çështje Zoti i Madhërishëm, saqë një njeri i Xhematit nëse nuk vepron me durim dhe vetëpërmbajtje, ai nuk është prej këtij Xhemati.

Gjëja më e madhe që mund të bëhet shkak i provokimit, është që dikush të thotë sharje të rënda në drejtim tim. Ju edhe këtë çështje, lërjani Zotit. Ju nuk mund ta gjykoni këtë. Mua më lini në dorë të Zotit. Kurse ju edhe nëse dëgjoni sharje të tilla, duroni dhe vetëpërmbahuni. Ku e dini ju se sa shumë sharje dëgjoj unë prej tyre? Shpesh më vijnë letra të mbushura me sharje. Më dërgojnë kartolina të hapura me sharje. Më vijnë letra pa paguar taksë postare, të cilat unë i marr duke ua paguar taksën dhe kur i lexoj, gjej një pirg sharjesh dhe fjalësh të ndyta. Unë besoj dhe e di që asnjë profeti të mëparshëm nuk i janë drejtuar kaq shumë sharje. Nuk besoj se edhe Ebu Xhehli të kishte këtë brumë sharjesh. Por, detyrohem t’i dëgjoj të gjitha këto. E kur unë duroj, edhe detyra juaj është që të duroni. Dega nuk mund të bëhet më e madhe sesa pema.

Shikoni se deri kur do të vijojnë të shajnë këta! Përfundimisht do të lodhen dhe këtu do të mbeten. Sharjet, sherret dhe intrigat e tyre kurrsesi nuk mund të më lodhin. Po të mos isha prej Zotit, sigurisht që do të trembesha nga sharjet e tyre. Por unë e di me siguri që Zoti më ka dërguar mua. Atëherë pse t’i përfill unë këto fjalë boshe. Nuk mund të ndodhë kjo.

Mendohuni. Kë e kanë dëmtuar këto sharje? Mua apo ata? Xhemati i tyre u pakësua, kurse i imi u shtua. Këto sharje, po të krijonin ndonjë pengesë, si mund të kisha sot më shumë se 200 mijë anëtarë në Xhematin tim.

Bëhet fjalë për kohën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kurse sot, pavarësisht nga sharjet, me bekimin e Zotit të Madhërishëm, Xhemati u vendos në 209 shtete të botës. Prej tyre kanë ardhur në xhemat. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Ata shpallën fetva tekfiri ndaj meje (e shpallën qafir), por ç’ndikoi vallë ajo fetva? Xhemati u shtua. Ky Xhemat, po të ishte ngritur me planin e njeriut, fetvaja në fjalë patjetër që do të bënte ndikimin e vet, por nuk ndikoi aspak. Fetva e kufrit do të ngrinte një pengesë të madhe në rrugën time, por ajo që është në dorën e Zotit, njeriu nuk ka fuqi ta rrëzojë.

Planifikuesit kundër meje vetëm zilinë do ta korrin. Unë ju them hapur. Kundërshtarët e mi tentojnë të zgjasin dorën kundër një lumi gjigant dhe që vjen furishëm dhe dëshirojnë ta bllokojnë atë me të. Dihet që lumi nuk mund të ndalet. Ata tentojnë ta ndalin Xhematin përmes sharjeve, por le ta dinë se kurrë nuk do të munden.

Si mund të jenë vallë të ndershëm ata që shajnë? Keqardhje për ata muslimanë që nuk e frenojnë dot gjuhën e tyre. Pasha Allahun! Sharjet e tilla nuk i kisha dëgjuar as nga rrugaçët, që i kam dëgjuar nga disa të ashtuquajtur muslimanë. Ata tregojnë vetveten në sharjet e tyre dhe pohojnë se janë të ndyrë dhe të pabindshëm. Zoti ua haptë sytë dhe i mëshiroftë!

Në një rast tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Këta më shajnë mua, por unë nuk vras mendjen për sharjet e tyre dhe as nuk pikëllohem për ta, sepse ata kanë provuar se kanë dalë të paaftë në këtë duel. Paaftësinë dhe boshllëkun e tyre ata nuk mund ta mbushin përveçse me sharje. Daç të nxjerrin fetva kufri ndaj meje, daç të ngrenë padi të rreme kundër meje, daç të sajojnë gjithfarë shpifjesh ndaj meje dhe daç të aktivizojnë të gjitha forcat e tyre për të më mundur dhe pastaj le të shikojnë se në krahun e kujt do të vijë Vendimi përfundimtar!

Po të shqetësohem për sharjet e tyre, si mund të realizoj detyrën kryesore që Zoti i Madhërishëm ma ka ngarkuar mua? Andaj, nga njëra anë unë nuk shqetësohem nga sharjet e tyre dhe nga ana tjetër, edhe Xhematit tim i porosis që edhe ata duhet t’i durojnë këto sharje. Kurrsesi mos përgjigjuni sharjes me sharje, sepse në të kundërt do të na largohet bekimi. Tregoni shembullin e durimit, të vetëpërmbajtjes dhe të virtyteve tuaja.

Mbajeni mend! Mendja dhe padurimi janë armiq të rrezikshëm me njëri-tjetrin. Euforia dhe zemërimi kur e pushtojnë njeriun, ai nuk mund ta ruajë mendjen. Por ai që duron dhe vetëpërmbahet, atij i jepet një dritë, e cila i ndriçon forcat e tij të mendjes. Ky ndriçim sjell një dritë të re. Kurse në gjendjen e zemërimit dhe të euforisë, mendja dhe zemra errësohen. Kjo errësirë sjell një errësirë tjetër.

Në një rast tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Njerëzit që e duan botën, mbështeten te mjetet, por Zoti i Madhërishëm është i Pavarur nga mjetet. Për të dashurit e Tij, Kur do Ai, mund të realizojë një punë edhe pa pasur mjetet. Dhe kur do Ai, krijon mjetet që janë të nevojshme që të realizohet një punë e caktuar. Dhe ndodh edhe e kundërta, që prish një punë të rregulluar të dikujt.

Andaj, pastroni veprat tuaja! Gjithnjë kujtojeni Allahun dhe mos u shkujdesni! Ashtu siç gjahu që vrapon, bëhet pre e gjahtarit sapo të tregohet i lodhur, në të njëjtën mënyrë, edhe ai që shkujdeset nga përkujtimi i Zotit të Madhërishëm, bëhet gjah i shejtanit.

Gjithmonë mbajeni gjallë pendesën dhe asnjëherë mos e lini të vdesë. Bëni sa më shumë istigfar. Sepse punojnë vetëm gjymtyrët që i mbani të aktivizuara, kurse gjymtyrën që e lini të çaktivizuar, bëhet e gjymtë përgjithmonë. Në të njëjtën mënyrë, edhe pendesën mbajeni gjallë, që ajo të mos ju gjymtohet.

Nëse pendesën nuk e bëni të sinqertë, ajo është si fara që hidhet në gur. Kurse pendesa e sinqertë është fara që mbillet në tokë të mirë, e cila do të sjellë frutat në kohën e vet.

Duke këshilluar disa njerëz që kishin ardhur në Kadian, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Këto ditë ka shumë vështirësi për të bërë pendesë. Kur të ktheheni nga këtu, do të detyroheni të dëgjoni shumë nga njerëzit, të cilët do të tallen me ju se demek keni bërë bejt me një të sëmurë, qafir, dexhall etj.. Kurrsesi mos u tregoni të papërmbajtur para njerëzve të tillë. Ne jemi ngritur prej Zotit pikërisht për durimin. Andaj, juve ju duhet të luteni për ta që Zoti i Madhërishëm i udhëzoftë edhe ata. Kur shikoni se ata në asnjë mënyrë nuk do t’ju dëgjojnë ju, shmanguni prej tyre.

Armët me të cilat ne do të triumfojmë janë istifari, pendesa, pasja e njohurive të besimit, marrja parasysh madhështinë e Zotit dhe falja e namazeve të pesëvakteve. Namazi është çelësi i pranimit të lutjes. Kur ta falni namazin, lutuni në të dhe mos u tregoni të shkujdesur. Ruhuni nga çdo ligësi, që i përket qoftë mospërmbushjes së detyrimeve ndaj Zotit, qoftë mospërmbushjes së detyrimeve ndaj njerëzve. 

Shpërndaje

Send this to a friend