Shpërndani mesazhin e vërtetë të Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Shpërndani mesazhin e vërtetë të Islamit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë e shkëputur nga fjalimi)

Këto ditë, situata politike e botës po përkeqësohet me shpejtësi dhe për këtë arsye, fatkeqësisht, po krijohen disa grupime midis muslimanëve. Krerët e vendeve muslimane nuk arrijnë të kuptojnë se forcat kundra-islame po tentojnë t’i rrethojnë ata.

Mizoritë që po bëhen në emër të xhihadit dhe në emër të Islamit, nuk kanë asnjë lidhje, qoftë të largët, me islamin. Po ashtu, mizoritë që po bëjnë qeveritë ndaj popujve të tyre, as ato nuk kanë asnjë lidhje me mësimet e Islamit. Ato veprojnë në kundërshtim me mësimeve të Islamit. Ku është shkruar në Islam që të vrasësh njerëzit e pafajshëm? Vrasjet po bëhen në emër të Islamit jo vetëm të jo-muslimanëve, por edhe të muslimanëve, madje masivisht. Ndër këta të pafajshmit, ka fëmijë, pleq, dhe gra.

Fuqia e vendeve islamike po dobësohet çdo ditë e më shumë për shkak të krerëve të tyre

Fuqia e vendeve islamike po dobësohet çdo ditë e më shumë dhe pikërisht këtë e duan forcat kundra-islame, që shtetet islamike të mos fuqizohen kurrë, edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin e sigurisë dhe të paqes. Ndërsa krerët e vendeve islamike as nuk i kuptojnë mësimet e Islamit e as nuk duan t’ia dinë për to. Njëherësh, janë edhe mohues të Imamit dhe të udhëzuesit që ka dërguar Zoti i Madhërishëm në këtë kohë, mu sipas premtimit të Tij dhe sipas profecive të Profetit Muhammed s.a.v.s., që ai t’i rifreskonte edhe një herë mësimet e vërteta të Islamit. Rrjedhimisht, shohim që krerët e vendeve islamike po përdhosin parimet e paqes dhe të drejtësisë, edhe pse Islami është flamurtari më i fuqishëm i vendosjes së paqes dhe të drejtësisë dhe i porosit fuqimisht që vendosja e tyre ështl detyra e tyre parësore.

Çoroditjet dhe ngatërresat që janë të pranishme në çdo vend islamik dhe nga ato përfiton tjetërkush që ka interes. Kjo po ndodh për shkak se qeveritë në vend që të punojnë për dobinë dhe mirëqenien e popullit, u japin përparësi vetëm interesave të veta. Muslimanët po vrasin muslimanë të tjerë. Edhe krerët kanë humbur durimin.

Rreth situatës së krijuar në Turqi

Tentativa për grusht shteti që u bë në Turqi ditët e fundit, padyshim që nuk mund të përligjet në asnjë mënyrë me mësimet islame, por edhe masat që ka marrë dhe po i merr qeveria, gjithashtu janë mizore. Po ndiqen penalisht edhe ata kundërshtarë të qeverisë, të cilët nuk janë pjesë e puçit. Këta kanë edhe përvojën se veprimet e tilla e kanë një reaksion, shpjet ose vonë, megjithatë, po vijojnë mizoritë e tyre. Kështu që, patjetër që do të ketë një reaksion, dhe forcat kundra-islame do t’i fryjnë zjarrit dhe do të përfitojnë nga situata.

Superfuqitë shesin armët e tyre dhe hiqen si dashamirës të të dyja palëve. Bota muslimane dhe krerët e saj nuk kanë marrë mësim nga e kaluara e afërt. Ata e kanë parë çfarë ndodhi në Irak, Libi, Siri etj., si këto vende janë shpërbërë dhe se si u është shkatërruar e ardhmja. Liderët muslimanë duhet të reflektojnë sa më shpejt për këta shembuj dhe të pyesin veten: Kush përfiton nga trazirat dhe kaosi i botës muslimane?  Për sa kohë që krerët nuk punojnë me mend, do të thotë se nuk po veprojnë sipas mësimeve të Kuranit Famëlartë, sepse kjo është porosia e tij dhe kjo është kërkesa për të qenë muslimanë. Muslimanët duhet të vrasin mendjen se përçarja dhe shqetësimi i vendeve të tyre, kujt po i bëjnë dobi. Mjerisht, këtë nuk po e kuptojnë ata. Andaj, ka nevojë që të lutemi shumë për vendet islamike gjatë këtyre ditëve. Zoti u dhëntë mend!

Organizatat terroriste punojnë për të njollosur Islamin në vendet perëndimore

Nga ana tjetër, në vendet Perëndimore, organizatat terroriste janë të zënë për të njollosur Islamin, duke vrarë njerëz të pafajshëm me sulme jashtëzakonisht mizore e barbare. Nuk është jashtë logjikës që janë forcat kundra-islame ato që i bëjnë terroristët të ndërmarrin veprime të tilla, në mënyrë që ta njollosin Islamin dhe, gjithashtu, me pretekstin për të shpëtuar botën nga terrorizmi dhe për të vendosur paqen, ato të gjejnë mundësi të instalojnë bazat e tyre në ato vende.

Sepse, të ashtuquajturit muslimanë që bëjnë sulme terroriste, po të jenë të informuar për mësimet islame, do të dinin shumë mirë që Islami në asnjë mënyrë nuk i mëson të vrasin njerëz të pafajshëm.

A thuhet, vallë, diku në Islam që të vrasësh udhëtarët, fëmijët, pleqtë dhe të sëmurët nëpër aeroporte e stacione treni, ose të vrasësh priftërinjtë dhe njerëzit e tjerë nëpër kisha?! Profeti Muhammed s.a.v.s. edhe ushtrinë që dërgonte në kohë lufte, shprehimisht i jepte udhëzimin duke thënë: Mos vrisni gratë, fëmijët, pleqtë, priftërinjtë dhe klerikët! Vrasja është shumë e largët, Profeti i porosiste: Mos dëmtoni askënd që nuk ngre armë kundër jush dhe që nuk merr pjesë në luftën kundër muslimanëve!

Mësimet bazë të Islamit synojnë të vendosin paqe në shoqëri

Pra, veprimet e tilla nuk kanë vend as në mësimet e Kuranit, as në mësimet e Profetit s.a.v.s. dhe ato as nuk vërtetohen nga Kalifët e drejtë ose nga sahabët e tjerë të Profetit, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Zoti i Madhërishëm besimit tonë ia ka vënë emrin Islam. Edhe vetë ky emër e hedh poshtë terrorizmin, dhunën dhe mizorinë dhe jep mesazhin e paqes dhe të pajtimit. Kuptimi i Islamit është të jesh në paqe e të sigurosh paqe për të tjerët.

Gjithashtu, Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

Allahu thërret drejt shtëpisë së paqes dhe të sigurisë. (Kurani Famëlartë 10:26)

Muslimani i vërtetë kur fal namazin, beson se kjo është një mëshirë dhe mirësi e Allahut që e bëri besimtar, por mizorët që bëjnë akte terroriste nuk besojnë as në Kuran, as nuk veprojnë sipas tij dhe as nuk falen në këtë mënyrë. Ata kanë krijuar një besim dhe sheriat të ri. Përmes namazit, muslimani i vërtetë që lutet për paqen dhe sigurinë për vete, shmanget edhe nga sherret, pabinshmëria dhe ligësitë. Zoti i Madhërishëm thotë:

Namazi të ndalon nga veprimet e këqija dhe të papëlqyeshme. (Kurani Famëlartë 29:46)

Gjithashtu, Islami porosit: Bëni zakon të përshëndetni me “selam” dhe përhapni paqe!

Përshëndetja juaj duke thënë “Selam!”  nuk është e kufizuar vetëm me muslimanët, ndonëse, në vendet si në Pakistan, ulematë kanë kaluar ligje që këtë përshëndetje mund ta thonë vetëm muslimanët kurse jo-muslimanët, sidomos ahmedianët, nuk kanë të drejtë t’i thonë dikujt “Selam!”. E kanë monopolizuar edhe përshëndetjen islame. Në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. të gjithëve pa dallim u thoshin “Selam!”

Këto janë veçori bazë të Islamit që kryekëput synojnë të vendosin paqe në shoqëri. Nëse thelloheni më shumë dhe i analizoni mësimet e Islamit, në çfarëdo aspekt qoftë, ju rezulton se Islami është fe e paqes dhe e pajtueshmërisë dhe jo e terrorizmit. Nëse doni të fitoni zemrat e njerëzve dhe nëse doni ta përhapni Islamin në botë, këto mund t’i bëni vetëm me anë të mësimeve të bukura të Islamit dhe jo me anë të mësimeve të ekstremistëve dhe të të ashtuquajturve dijetarë.

Mësimet e vërteta të Islamit dhe drejtësinë mund t’i përhapë denjësisht vetëm ai që vjen prej Zotit me këtë detyrë

Por, këtë rrugë mund ta tregojë vetëm ai, të cilin Zoti i Madhërishëm e ka dërguar si Imam të kohës. Drejtësinë mund ta bëjë vetëm ai, të cilin Zoti i Madhërishëm ka dërguar të bëjë drejtësi, duke e quajtur “Hakem” dhe “Adl”. Mësimet e vërteta të Islamit vetëm ai mund t’i përhapë denjësisht, të cilin Zoti i Madhërishëm e vendos në pozitën e duhur.

Ne ahmedianët jemi fatlumë që kemi pranuar Imamin e kohës, Mesihun e Premtuar, Imam Mehdiun dhe jemi shpëtuar nga përfshirja në mizoritë që po bëhen në botë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Islami i ka ndarë mësimet e tij në dy pjesë: (1) detyrimet ndaj Zotit dhe (2) detyrimet ndaj robërve. Detyrimi ndaj Zotit është që ta besosh obligim nënshtrimin ndaj Tij dhe detyrimi ndaj robërve është që të kesh dhembshuri ndaj krijesave të Zotit. Nuk është e drejtë të dëmtosh dikë për arsye se ai i takon një feje tjetër. Dhembshuria dhe dashamirësia ndaj njerëzve është gjë tjetër dhe kundërshtimi i një feje tjetër është diçka tjetër.

Ata muslimanë që kanë keqkuptuar xhihadin dhe që e keqpërdorin atë, kanë quajtur të drejtë për vete që t’u marrin mohuesve pasurinë e tyre padrejtësisht. Madje, edhe për mua ata kanë lëshuar fetva duke thënë – Rrëmbejani pasurinë!

Kjo fetva e dijetarëve jo-ahmedianë vazhdon të jetë në fuqi deri më sot. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Madje, ata shkojnë gjer aty që i marrin edhe gratë e mohuesve. Kurse Islami është i pastër nga mësimet e tilla të fëlliqura. Islami është një fe e pastër dhe e kulluar. Mund ta kuptojmë Islamin me një shembull: babai u kërkon fëmijëve të drejtat e të qenit baba dhe, njëherësh, kërkon që fëmijët të kenë dhembshuri ndaj njëri-tjetrit dhe asnjëherë të mos luftojnë me njëri-tjetrin. Edhe Islami nga njëra anë kërkon që të mos shoqërosh askënd me Zotin e Madhërishëm dhe, nga ana tjetër, kërkon që të gjithë njerëzit të kenë dashuri dhe unitet midis njëri-tjetrit.

Pra, ky është mësimi, me të cilin, muslimanët edhe njëherë mund të vendosin madhështinë e Islamit në botë. Njihuni me detyrimin ndaj Zotit dhe, po ashtu, njihuni me detyrimin që keni ndaj njëri-tjetrit. Përpiquni të krijoni dashuri ndaj njëri-tjetrit në zemrat e njerëzve, pa marrë parasysh dallimet fetare. Në vend që të vrisni mizorisht njerëzit e pafajshëm, rrëmbeni zemrat e njerëzve me anë të mësimeve të paqes dhe të pajtimit të Islamit dhe më pas ata njerëz sillini nën urdhrin e Profetit Muhammed s.a.v.s.

(Për pjesën tjetër të fjalimit, ju lutemi, ndiqeni videon)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp