Perla urtësie nga Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar (r.a.)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Perla urtësie nga Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar (r.a.)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të shehadetit, teavudhit dhe të sures El-Fatiha, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar vijoi:

Në fjalimet dhe hytbet e tij, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar (r.a.) ka përmendur shumë nga thëniet e arta të Mesihut të Premtuar a.s., prej tyre edhe përralla mësimdhënëse që ai ka treguar. Në hytben e sotme, do t’ju tregoj disa prej tyre.

Në një hytbe të tij, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar (r.a.) thotë se Zoti i Madhërishëm i mbështet të dërguarit e tij dhe i ndihmon dhe, për të nxjerrë në dritë vërtetësinë e tyre, edhe nëse i duhet të ndëshkojë një masë njerëzish mëkatarë, nuk stepet. Ai thotë:

Kur kemi qenë fëmijë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na tregonte një përrallë në këtë kontekst. Kishim shumë dëshirë të dëgjonim përralla dhe atij i kërkonim. Ai na tregonte përralla që na ngulitnin në kokë mësime të ndryshme. Prej tyre është një që po më kujtohet tani. Këtë e kam dëgjuar nga goja e Mesihut të Premtuar a.s.. Ai na tregoi se përmbytja që erdhi gjatë kohës së Nuhut a.s., ka ardhur për shkak se njerëzit ishin bërë shumë të ligj e mëkatarë. Sa më shumë që ata nxitonin për të bërë mëkate, aq shumë zhvlerësoheshin në sytë e Zotit. Kishte një pemë në majë të një mali, në të cilën një zog kishte bërë folenë e vet. Në fole ndodhej zogu i vogël, kurse nëna e tij kishte dalë dhe nuk ishte kthyer më. Mbase kishte ngordhur diku ose i kishte ndodhur ndonjë gjë tjetër, por ajo nuk u kthye dot në fole. Në këtë kohë, zogu i vogël ndjeu etje dhe kërkoi ujë. Ai hapte sqepin e tij dhe përpëlitej nga etja, por nuk gjente ujë. Atëherë Zoti i Madhërishëm i porositi engjëjt të lëshonin shi kaq shumë, saqë uji të arrijë afër folesë së zogut që gjendej në majë të atij mali.
“Që uji të shkojë gjer aty, do të përmbytet e gjithë bota!” i thanë engjëjt Zotit.
“Nuk shqetësohem!” iu përgjigj Zoti, “sepse në këtë kohë, njerëzit e botës nuk vlejnë tek Unë sa vlen ky zogu i vogël”.

Kjo pa dyshim është një përrallë, por ka një mësim, që e gjithë bota e zbrazët nga sinqeriteti dhe vërtetësia, te Zoti i Madhërishëm, nuk ka vlerë as sa një zog i vogël. Sot kjo përrallë na mëson që të jemi të qëndrueshëm në vërtetësi dhe, gjithashtu, vazhdimisht të bëjmë analizën vetjake që ne që kemi pranuar Hazret Mesihun e Premtuar a.s., jemi betuar për t’i dhënë përparësi besimit mbi botën; për të larguar ligësitë nga vetja; për të vendosur mirësi dhe vlera. Por, me kalimin e kohës, nëse do të degradohemi, në vend që të përparojmë, do t’i largohemi synimit tonë primar. Atëherë, Zoti i Madhërishëm nuk do të shqetësohet asfare për ne.

Po ashtu, e dimë të gjithë se si është gjendja e botës sot. Në shumë vende të botës as qeveritë nuk po bëjnë detyrat e tyre dhe as popujt. Gjithandej shoshim trazirë dhe katrahurë. Edhe aty ku nuk shohim trazira ose ku trazirat nuk janë të mëdha, njerëzit janë dhënë pas kundërshtimit të porosive të Zotit dhe, jo vetëm që po largohen nga Ai, me guxim dhe me padenjësi flasin kundër Tij. Gjithashtu, njerëzit aq shumë po zhyten në fëlliqësi, saqë veprimet kundër natyrës njerëzore po gëzojnë mbështetjen e ligjit për t’u rrënjosur e për t’u përhapur dhe nëse dikush do t’u kundërvihet ose nuk i mbështet, shpallet fajtor. Tërmetet, përmbytjet, trazirat dhe një sërë katastrofash të tjera që po lëkundin fort botën, e kanë një arsye: njerëzit po kalojnë kufirin në mëkate. Këto fatkeqësi përbëjnë vetëm një alarm, që pa dyshim, po bëhet prej Zotit të Madhërishëm. Edhe në këtë aspekt, ahmedianët kanë një përgjegjësi të madhe që ta zgjojnë botën që, nëse ajo nuk do ta përmirësojë veten, Zoti i Madhërishëm i ka prerë katastrofa edhe më të mëdha. Zoti i dhëntë mend botës!

Një ndër fenomenet që shohim në botë, sidomos në botën e sotme, është që njerëzit luftojnë për të marrë të drejtën e tyre, pa marrë parasysh se çfarë humbjeje do të pësojë tjetri. Por, cili duhet të jetë mendimi i një muslimani të vërtetë në këtë aspekt? Një ngjarje e dy sahabëve të Profetit Muhammed s.a. hedh mjaftueshëm dritë mbi këtë çështje. Hazret Kalifi i Dytë thotë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e tregonte këtë ngjarje:

Njëherë, një sahab i solli sahabit tjetër kalin e vet për të shitur, duke i treguar një çmim shumë të ulët. Sahabi tjetër i tha: “Nuk mund ta marr kalin kaq lirë, sepse çmimi i tij duhet të ishte të paktën dyfish i vlerës që ti më ke treguar!” Ai gjithashtu shtoi: “Si duket, nuk dike çmimet e kuajve në treg”. Por shitësi këmbënguli dhe tha: “Për sa kohë që kali im nuk kushton më shumë se kaq, si mund të të marr një çmim të lartë?!” Debati i tyre arriti të qetësohej vetëm falë ndërhyrjes së një personi të tretë.
Ky ishte shpirti islam që treguan ata dy sahabë. Islami porosit njerëzit që në vend që të luftojnë për të drejtat e veta, duhet të përpiqen për të vendosur të drejtat e të tjerëve. Ditën kur do të vendoset kjo frymë, do të marrin fund të gjitha grevat në botë (në atë kohë vendi ishte i përfshirë në greva). Mirësia minimale ndaj tjetrit është që t’i jepet e drejta kur ai e kërkon. Është krejtësisht kundër islame që të kujtosh një gjë të caktuar si e jotja, vetëm sepse je mësuar me të ose e ke ndierë si të tillë prej kohësh, ndërkohë ajo në të vërtetë i përket dikujt tjetër.

Në botën e zhvilluar u është lëshuar shumë pe grevistëve, pa përcaktuar ndonjë kufi. Për shembull, këtu në Angli këto ditë unioni i mjekëve po bën grevë. Pacientët janë të shqetësuar. Për të fituar të drejtën e tyre, mjekët jo vetëm që i kanë privuar pacientët të kurohen, madje, në disa raste, kanë luajtur me jetën e tyre. Më kujtohet që herën e fundit kur kam qenë në Japoni, një prift i krishterë që është një njeri shumë i mirë, më pyeti që, sipas meje, cili është përkufizimi i paqes dhe se si mund të arrihet ajo. Ai më tha se deri tani nuk kishte gjetur përgjigje të kënaqshme për pyetjen e tij. I thashë, sipas Islamit, paqja vendoset atëherë kur të pëlqesh për tjetrin atë që e pëlqen për veten. Sepse, vetëm kështu do të mund të vendosim të drejtat e të tjerëve. Dhe kur do të ndodhë kjo, njerëzit do të bëhen paqe për njëri-tjetrin. Prifti më tha se ky përkufizim ia ka prekur zemrën dhe nuk e kishte dëgjuar më parë.

Pra, sot Islami është ajo fe që i jep zgjidhje reale çdo problemi, por këtë ne nuk mund t’ia tregojmë botës, pa e hedhur në veprim. Ne duhet të lëshojmë edhe të drejtën tonë, jo të lindë pyetja për të marrë gjërat padrejtësisht. Për hir të vendosjes së paqes, nëse na duhet të heqim dorë nga e drejta jonë, duhet ta bëjmë. Kur do të ndodhë kjo, dhe nëse ndodh nga të dyja palët, sepse edhe pala tjetër do të jetë e besimtarëve, atëherë do të vendoset paqja. Por, fatkeqësisht edhe në Xhematin tonë dalin raste kur vëllai i merr të drejtën vëllait tjetër ose të afërmve të tij. Nëse do të përmirësohemi në këtë aspekt, shumë nga problemet e brendshme do të na zgjidhen vetvetiu. Cili është modeli i Islamit për t’u dhënë fund grindjeve, e shohim tek sahabët e Profetit Muhammed s.a.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Në historinë islame thuhet se një herë Imam Hasani dhe Imam Husejni u fjalosën për një çështje. Edhe vëllezërit nganjëherë grinden dhe i tregojnë mospëlqim njëri-tjetrit. Imam Hasani ka pasur natyrë të qetë dhe të butë, kurse Imam Husejni ishte gjaknxehtë. Kështu, edhe në këtë fjalosje, Hazret Imam Husejni iu drejtua me nota të ashpra Imam Hasanit por, ky i fundit duroi. Kur po ndodhte kjo, aty ishin të pranishëm edhe disa sahabë të tjerë. Ditën tjetër Hazret Imam Hasani doli nxitimthi nga shtëpia.
Një sahab e pa dhe e pyeti:
“Nga po shkon?”
“Për t’i kërkuar falje Husejnit”, iu përgjigj ai.
Sahabi në fjalë tha:
“Unë vetë kam qenë dëshmitar i grindjes suaj dhe e di shumë mirë që Husejni t’u tregua i ashpër. I takon atij që të të kërkojë falje dhe jo ti atij”.
Hazret Hasani tha:
“Po, është e vërtetë dhe unë po shkoj t’i kërkoj falje pikërisht për arsye se ai më ishte treguar i ashpër. Një sahab më ka treguar se i Dërguari i Allahut s.a. ka thënë se kur dy njerëz grinden me njëri-tjetrin, ai që i kërkon falje i pari, do të hyjë në xhenet 500 vjet më përpara se sa tjetri. Nga kjo mendova që nëse Husejni do të më vijë e të më kërkojë falje, unë do të pësojë humbje në të dyja botët. Në këtë botë kam marrë qortimin e Husejnit dhe nuk do të gëzojë diçka as në botën tjetër”.

Pra, kështu duhet të jetë jeta jonë.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Kemi dëgjuar një tregim nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s., i cili ndoshta përmendet në “Makamat Hariri” ose në ndonjë libër tjetër. Ai na tregonte: na ishte njëherë një mysafir që shkoi në një hamam për t’u larë. Në të kaluarën, njerëzit ndërtonin hamame ku caktonin shërbëtorë që i pastronin, i lyenin dhe u bënin masazh atyre që vinin për t’u larë. Gjatë kohës kur shkoi ky mysafir në atë hamam, nuk ishte i pranishëm pronari dhe ishin vetëm shërbëtorët. Mysafiri hyri në ujë dhe, ngaqë koka është pjesa që mund ta lanin më lehtë, të gjithë shërbëtorët iu vërsulën kokës së tij. Njëri thoshte se koka më takon mua, dhe tjetri thoshte: jo, koka më takon mua. Ata u grindën kaq keq saqë u kacafytën me thika dhe mysafiri u plagos. Duke ndjekur zhurmën, erdhi policia dhe e çoi çështjen në gjykatë. Edhe atje, secili nga shërbëtorët ngulmonte: koka më takon mua dhe jo atij. Gjyqtari iu drejtua personit që do të lahej se si ishte çështja. Ai iu përgjigj: “Madhëri! Këta janë njerëz pa kokë dhe nuk habitem nga sjellja e tyre, por edhe ju ma keni bërë këtë pyetje?! Koka nuk është as e këtij dhe as e atij, por është e imja”.

Duke treguar këtë tregim, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte: “Grindjet e kësaj bote janë të kota. Nuk ka vend për të thënë “më takon mua” dhe “nuk të takon ty”. Robit asgjë nuk i takon. Në momentin, kur ai thotë: “jam abdullah (rob i Allahut)” do të thotë se atij nuk i takon asgjë. Një musliman i vërtetë mbetet rob i Allahut dhe nuk merret me grindjet se çfarë i takon atij dhe çfarë nuk i takon, sepse ai e di që gjithçka i takon Allahut.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. shton:

Lexoni Kuranin Famëlartë dhe shikoni se edhe Profetit Muhammed s.a. Zoti i drejtohet me fjalët “rob i Allahut”, siç për shembull, në ajetin:
kurani-72-20
“Kur u çua robi i Allahut…” (Kurani Famëlartë 72:20)

Kështu që, duke qenë shërbëtorë të Zotit, neve nuk na takon asgjë dhe gjithçka i takon Zotit të Madhërishëm. Me këtë të drejtë Kurani Famëlartë shprehimisht thotë për besimtarët: “Ne u kemi marrë jetën dhe pasurinë besimtarëve në këmbim të …” Njeriut dy gjëra i vijnë në trashëgimi. Të afërmit, miqtë dhe shokët dhe këto i përfshin “jeta” dhe së dyti, pronat dhe ato i përfshin “pasuria”. Zoti thotë se Ai ua ka marrë besimtarëve të dyja këto gjëra, edhe jetën, edhe pasurinë. Kjo do të thotë se nuk keni nevojë të grindeni dhe nuk keni të drejtë të thoni: “kjo më takon mua dhe ajo më takon mua”. Juve ju duhet vetëm të mundoheni maksimalisht për ta arritur synimin tuaj. Mos thoni se përse filani u zgjodh kryetar dhe përse filani jo. Disa njerëz grinden duke thënë se përse filani udhëheq namazin dhe filani jo, etj.

Këto fjalë nuk janë thjesht për t’u dëgjuar. Këto probleme mbase ekzistonin tek tuk në kohën e Hazret Kalifit të Dytë r.a., por edhe sot nuk mungojnë. Në kohën e Kalifit të Dytë ishin të pranishëm edhe sahabë të Mesihut të Premtuar a.s., të cilët, pa dyshim, jepnin kontributin e tyre për t’i rregulluar njerëzit e tillë, por ne që jetojmë në këtë kohë, po i largohemi kohës së Mesihut të Premtuar dhe do të vijojmë të largohemi, andaj, duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi kësaj pike dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm në sjelljet tona. Kemi nevojë ta kuptojmë më shumë se përpara thelbin e të qenit “rob i Allahut”. Kemi nevojë të heqim dorë nga egoja jonë dhe të përpiqemi për të arritur pëlqimin e Allahut të Madhërishëm. Probleme të tilla ngre krye gjatë zgjedhjeve. Kur në disa raste të caktuara, vendimi jepet kundër votës së shumicës, disa njerëz ngrenë pyetje dhe më shkruajnë. Ky vit në xhematin tonë është vit i zgjedhjeve. Për këtë arsye, kemi nevojë të ndreqim mendimet tona. Pasi të bëjmë detyrën e lutjes, duhet të përdorim denjësisht të drejtën e votës, pa marrë në konsideratë asnjë lidhje afrimiteti dhe miqësie, dhe më pas, të jemi të gatshëm të pranojmë çdo vendim që do të lëshohet. Të gjitha vendimmarrjet duhet të jenë të pastra nga interesat vetjake. Kështu duhet të veproni edhe në organizatat ndihmëse që ekzistojnë brenda Xhematit. Vetëm para dy ditësh, u zgjodh kryetare e grave e një vendi dhe unë mora një letër nga një grua e atij vendi, e cila më ankohej se pse u zgjodh filanja dhe jo filanja. Ajo është kështu, ajo është ashtu. Këto janë mendime prej injorance dhe ne duhet të ruhemi nga ato. Kushdo që caktohet si përgjegjës, derisa të ketë mandatin, duhet të bashkëpunoni me të me sinqeritet të plotë.

[…]

Duke treguar se nëse nuk keni vullnet, nuk mund të bëni asgjë dhe nëse keni vullnet, mund të bëni çdo punë të vështirë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Një ndër përrallat që kemi dëgjuar në fëmijëri është ajo e llambës së Aladinit. Aladini ishte një njeri i varfër dhe një ditë ai gjeti një llambë. Sa herë që ai e fërkonte llambën, i shfaqej një xhind dhe i thoshte “Urdhëro!”. Aladini i shprehte ndonjë dëshirë dhe xhindi menjëherë ia plotësonte. Për shembull, nëse Aladini i thoshte: “Dua të kem një kështjellë timen”, xhindi sakaq ia rregullonte një kështjellë. Gjatë fëmijërisë kur nuk kishim mend, ne kujtonim se me të vërtetë ka qenë një Aladin, i cili ka pasur një llambë të tillë. Kur u rritëm, e kuptuam që kjo ka qenë thjesht një përrallë. Por, tani që jemi plakur e kemi kuptuar se me të vërtetë ekzistuaka një llambë e tillë.

Pleqtë që janë të pranishëm këtu, me siguri janë befasuar se çfarë ka thënë këtë Hazret Kalifi i Dytë r.a.., por ndiqeni fjalën e tij:

Llamba e Aladinit me të vërtetë ekziston, por ajo nuk është një llambë vajguri, por është llambë vullneti. Ai të cilit Zoti i Madhërishëm ia dhuron këtë llambë, kur e fërkon me vullnetin e tij, atributi i Zotit vihet në lëvizje dhe thotë: “Bëhu!” dhe ajo fillon të bëhet. Kështu, duke ndjekur Zotin e Madhërishëm, duke zbatuar parimet që Ai ka caktuar, duke iu lutur Atij dhe duke i kërkuar ndihmë Atij, nëse njeriu për diçka të caktuar thotë: “Bëhu!”, ajo bëhet. Pra, kur kemi qenë fëmijë, ne besonim se llamba e Aladinit ekzistonte. Gjatë rinisë sonë na u lëkund ky besim, por tani që jemi plakur dhe kemi fituar një përvojë të gjatë, e kemi kuptuar se një llambë e tillë me të vërtetë ekziston, por në kuptimin metaforik. Llamba nuk është prej bakri, por prej vullneti të fortë. Kur përballemi me ndonjë punë, sado e vështirë qoftë ajo, e fërkojmë këtë llambë dhe ajo realizohet menjëherë.

Ky pra duhet të jetë mendimi i gjithsecilit prej nesh. Nuk duhet të ndalemi tek dëshirat, por duhet të vëmë në lëvizje të gjitha aftësitë që Zoti na ka dhuruar dhe duhet t’i kërkojmë ndihmë Atij dhe ta realizojmë dëshirën tonë. Disa njerëz nuk e arrijnë atë që dëshirojnë dhe ankohen për këtë. Por, dëshira e tyre nuk bëhet me zemër dhe ajo nuk shoqërohet me elementet që ju kam numëruar pak më parë, prandaj, nuk e realizojnë dot dëshirën e tyre. Njerëzit e tillë thjesht ëndërrojnë. Për shembull, vë re disa njerëz që më vijnë e më kërkojnë të lutem që ata të bëhen të rregullt në namazet e përditshme por pastaj edhe ankohen se nuk po e arrijnë dot. Të njëjtët, kur dëshirojnë punë të tjera, i realizojnë, por namazin nuk e realizojnë dot. Kjo tregon se namazin nuk e dëshirojnë me zemër dhe nuk i aktivizojnë të gjitha aftësitë e tyre që Zoti u ka dhuruar dhe nuk i kërkojnë ndihmë Allahut. Dëshira e njerëzve të tillë, realisht, është mosdëshira. Nuk është e mundur që njeriu të dojë namazin e të mos e realizojë atë. Për njerëzit e tillë, namazi është një punë dytësore, kurse punët e kësaj bote janë parësore. Njeriu shpesh ankohet për mosrealizimin e dëshirave, të cilat në fakt nuk janë dëshira, por thjesht ëndrra prej dembelie.

[…]

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

E kam dëgjuar Mesihun e Premtuar a.s., i cili thoshte se mbretërit kur janë të ftuar diku, edhe shërbëtorët e tyre shkojnë bashkë me ta. Edhe sot mund të keni vënë re që, ministrat dhe ambasadorët e vendeve të mëdha kur marrin pjesë në ndonjë ceremoni, i shoqëron edhe protokolli, pra, edhe sekretarët dhe rojet e tyre marrin pjesë në të. Nuk merret leje për ta. Mesihu i Premtuar a.s. thoshte që nëse ju do të keni lidhje me engjëjt, kudo që të shkojnë ata, edhe ju do të shkoni bashkë me ta. Nëse do të krijoni lidhje me Zotin e Madhërishëm, do të keni lidhje edhe me engjëjt e Tij dhe ju do të futeni në listën e sekretarëve të tyre. Nëse engjëjt do të futen në mendjet dhe zemrat e njerëzve, aty do të depërtoni edhe ju. Kështu që, kuptojeni këtë forcë madhështore që Zoti i Madhërishëm ka krijuar për ju. Forca juaj është e lidhur me spiritualitetin tuaj. Që ta ngjallni këtë forcë, juve ju duhet të krijoni lidhje me engjëjt, në mënyrë që të arrini të depërtoni deri në zemrat e njerëzve. Kur do të arrini të depërtoni deri në zemrat e njerëzve, do t’ju hiqen të gjitha perdet dhe kudo që do të shkojë drita e Zotit të Madhërishëm, atje do të mbërrini edhe ju.

[…]

Gjithmonë mbani mend! Besimtari i vërtetë është ai që kur bën një vepër të mirë, i kërkon Zotit ndihmë më me përulësi që të gëzojë mundësi të tjera për të bërë sërish vepra të mira, në mënyrë që lidhja e tij me Zotin të mos shkëputet dhe edhe fundi i tij të jetë i mbarë. Disa sahabë thoshin se kur e shikonin Profetin Muhammed s.a. duke iu lutur Zotit, u dukej sikur zihej ndonjë tenxhere në zjarr. Prandaj, edhe ju kushtojini vëmendje reformimit vetjak dhe përvetësoni dëlirësinë dhe druajtjen dhe mos kujtoni se po bëni punë të mira, sepse edhe në veprat më të mira, mund të lindë mosbesimi. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte: Pse ndodh vallë që në ditët e sotme, njerëzit shkojnë në haxh, por kur kthehen, janë më shumë egoistë dhe më shumë mëkatarë sesa që ishin përpara! Kjo ndodh sepse ata nuk e kuptojnë vlerën e haxhit dhe në vend që të përmirësohen shpirtërisht, kthehen thjesht me titullin e haxhit dhe për këtë mburren.

[…]

Prandaj, mos kujtoni se po bëni vepra të mira, sepse sado e mirë të jetë një vepër e caktuar, ajo mund të përfshihet në ligësi. Njeriu sado të pastër të ketë qëllimin, ekziston rreziku që atij t’i prishet besimi, sepse besimi nuk vjen nga përpjekjet e tij, por vjen falë mëshirës së Zotit të Madhërishëm. Ky është një parim thelbësor që nuk duhet ta harrojmë. Sado vepra mund të kemi bërë, nëse nuk na shoqëron mëshira dhe bekimi i Allahut, besimi ynë nuk mund të përsoset. Prandaj, gjithmonë kini sy tek mëshira e Allahut, te dera e Tij. Sepse një njeri që qëndron si lypës te dera e Allahut të Madhërishëm me besimin se po u largua nga atje, ai nuk ka më ndonjë derë tjetër të trokasë, patjetër do të tërheqë bekimin e Zotit. Prandaj, ju duhet të keni shikimin gjithmonë tek Allahu i Madhërishëm. Për sa kohë që do ta keni shikimin drejt Tij, do të jeni të mbrojtur. Njeriu sapo të largojë shikimin dhe vëmendjen nga Allahu dhe sapo të largohet nga pragu i Tij, le të ketë vepra të mira pafund dhe qëllim të mirë pamasë, do të ulet bashkë me djallin. Elementet që do t’ju mundësojnë fund të mbarë janë pendesa e qëndrueshme, istigfari i qëndrueshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme për të tërhequr bekimin dhe mëshirën e Zotit të Madhërishëm.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregonte një ngjarje. Njëherë ndodhi vjedhje në shtëpinë e Hazret Ebu Bekrit r.a., ose e Hazret Omerit r.a., nuk më kujtohet saktë. U vodh flori nga shtëpia e tij. Ai kishte një shërbëtor që bënte shumë zhurmë dhe thoshte: Sa njerëz të këqij ka kjo botë që nuk ngurrojnë të vjedhin as shtëpinë e Kalifit të Allahut?! Si s’kanë turp! Kështu ai mallkonte pa pushim vjedhësin. Kur u hetua kjo ngjarje, floriri u gjet te një hebre. Kur u mor në pyetje hebreu, ai tregoi që pikërisht shërbëtori ia kishte shitur, ai që bënte shumë zhurmë.

Kështu që, mallkimet nga goja dhe pretendimet e bindjes nuk vlejnë për asgjë. Madje, ai që pretendon për bindjen, nganjëherë del hipokriti më i madh. Kështu që, kjo është një çështje shumë shqetësuese dhe ne duhet të kemi shumë kujdes nga sjelljet e tilla.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar (r.a.), duke folur për armiqtë e Xhematit, thotë:

 Një armik i Xhematit një herë më kishte pohuar duke thënë: “Kemi vendosur që do ta shtypim tërësisht Ahmediatin!” Edhe unë mund t’i jepja ndonjë përgjigje të tillë duke thënë: “Provojeni po deshët!”. Por nuk i ktheva në këtë mënyrë. I thashë që kjo i takon Zotit të Madhërishëm që të na asgjësojë apo të na mbajë me fuqinë e Tij. Nëse Zoti dëshiron të na asgjësojë, nuk ka nevojë për përpjekjet tuaja, sepse shumë kollaj do të asgjësohemi. Por nëse Ai dëshiron të na mbajë, askush nuk mund të na dëmtojë. Është druajtja ndaj Zotit që e shpëton njeriun të japë deklarata egoiste, të cilat nuk kanë asnjë vlerë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregonte një ngjarje. Njëherë në Kadian ishte përhapur kolera shumë e fortë. Kur po bëhej xhenazja e një të vdekuri, një njeri tha: “Këta njerëz po vdesin vetë, sepse nuk heqin dorë nga të ushqyerit plot, edhe pse është përhapur kolera! Këto ditë unë ha vetëm nga një fletë buke, kurse këta të pangopurit përlajnë pjatat dhe vdesin nga kolera!” Ditën tjetër erdhi një xhenaze tjetër. “E kujt është?” pyeti dikush. Një i djegur iu përgjigj: “E atij që hante një fletë buke!” Kështu që, fjalët dhe deklaratat tona nuk kanë aspak dobi. Po, ne mund të pohojmë atë që ka pohuar Zoti i Madhërishëm dhe kjo nuk është kundër përulësisë. Allahu i Madhërishëm vetë e ka thënë:
kurani-058-022
Allahu ka vendosur: Unë dhe të dërguarit e Mi, patjetër do të triumfojnë! (Kurani Famëlartë 58:22)
Tani, nëse dikush pretendon të na shtypë e të na asgjësojë, i përgjigjem: Kur shoh fuqinë time personale, s’ka si të të përgjigjem, por nëse synon të asgjësosh Ahmediatin, kurrsesi nuk mund të kesh sukses. Ahmediati patjetër që do të triumfojë, inshaAllah! Kaq shumë ne besojmë në premtimet e Zotit të Madhërishëm, saqë nuk besojmë aq shumë as tek vetvetja. O sot, o nesër Ahmediati patjetër që ka për të ngadhënjyer. Nëse kjo nuk ndodh gjatë jetës sonë, do të ndodhë në jetën e pasardhësve tanë, por neve na duhet të bëhemi pjesë e këtij ngadhënjimi. Kemi nevojë të përqendrohemi në druajtjen ndaj Zotit, në mënyrë që fitorja të mbetet e sigurt brez pas brezi.

Duke treguar se si duhet të lutemi dhe si duhet t’ua dalim vështirësive në të cilat gjendet Ahmediati, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar (r.a.) thotë:

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte se shfaqja më e përkryer e dashurisë në botë është ajo që bëhet nga një nënë ndaj fëmijës së vet. Nganjëherë nënës nuk i vjen qumësht në gjirin e saj për foshnjën. Por kur fëmija i saj qan nga uria, asaj papritmas i vjen qumësht. Pra, ashtu siç të qarët e fëmijës e sjellin qumështin në gjirin e nënës, në të njëjtën mënyrë, Zoti i Madhërishëm e lidhi mëshirën e Vet me të qarët e robit. Kur robi qan, qumështi i mëshirës fillon të zbresë vetvetiu.

Prandaj, siç ju thashë, kemi nevojë të bëjmë përpjekje maksimale, jo përpjekjet hipokrite dhe pas kësaj, lutjet tona t’i çojmë në lartësinë maksimale që mundemi. Edhe Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. në kohën e tij i kishte bërë thirrje Xhematit që të agjërojnë për shtatë ditë dhe të bëjnë lutje intensive. Para pak vitesh, edhe unë ju kisha bërë thirrje të tillë që anëtarët e Xhematit të agjërojnë dhe ka anëtarë që vazhdojnë ta zbatojnë këtë porosi. Tani, edhe një herë duhet të fillojmë të agjërojmë, një herë në javë, dhe kështu 40 javë radhazi dhe, në një mënyrë të veçantë të bëjmë lutje, të falim nafile dhe të japim sadaka. Sepse në disa vende Xhemati po përballet me situata shumë të vështira. Kur bashkërisht do të lëshojmë klithmë para Zotit të Madhërishëm, siç fëmija tërheq qumështin me të qarët e tij, edhe neve do të na zbresë prej qiellit ndihma e Zotit tonë, inshaAllah ta’ala dhe pengesat dhe vështirësitë që kemi përpara, do të largohen, ashtu siç u larguan në të kaluarën. Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë se disa vështirësi janë të tilla që ne nuk i heqim dot. Për shembull, ne nuk mund t’ia mbyllim gojën dhe penën armikut, edhe pse ato dy pjellin atë që ne nuk e durojmë dot. Këto ditë kundërshtarët e Xhematit kanë filluar të përdorin një gjuhë të ndytë për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Në Pakistan, ata shfaqin gjëra të tilla edhe me anë të reklamave dhe banderolave. Kjo ndodhte edhe gjatë kohës së Kalifit të Dytë dhe Xhemati i njoftonte organet e shtetit. Atëherë qeveria ka qenë angleze, e cila bënte shurdhin dhe të njëjtën gjë e bën qeveria e sotme. Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë se nëse fjalë të tilla thuhen për ndonjë njeri tjetër, shteti ngrihet në këmbë, sikur të jetë përhapur zjarr në vend, por kur thuhen për Hazret Mesihun e Premtuar a.s., asnjë masë nuk merr kundër atyre që thonë. Madje, kemi informacion që zyrtarët e shtetit vetë u sigurojnë mbështetje kundërshtarëve të Xhematit që ata janë të lirë të thonë dhe të shkruajnë si të duan kundër Xhemait.

Kështu është sjellë gjithmonë bota me Xhematin. Por, çdo shtrëngim prej saj, me bekimin e Zotit të Madhërishëm, i ka sjellë përparime Xhematit. Në Pakistan, tashmë edhe ligji është kundër Xhematit. Pra, ligji vetë i përkrah kundërshtarët e ahmedianëve që ata të sillen si t’u teket, të thonë si t’u vijë qejfi dhe si të duan të nxjerrin fjalë të pahijshme kundër Mesihut të Premtuar a.s.. Kështu ahmedianët vihen në shënjestër të mizorisë. Edhe gjykatat pakistaneze janë të vendosura për të ndëshkuar sa më parë ahmedianët. E gjithë kjo duhet të na bëjë të qajmë shumë para Zotit të Madhërishëm. Sidomos ahmedianët e Pakistanit duhet t’i kushtojmë vëmendje më shumë se përpara. Përkuluni para Zotit me përkushtim të plotë! Falni nafile! Jepni sadaka! Agjëroni! Nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të nxisim mëshirën e Allahut të Madhërishëm përmes lutjeve tona.

Zoti u mundësoftë ahmedianëve të atyre vendeve ku bëhen mizori të tilla, që ata të bëjnë lutjet që arrijnë ta lëkundin Arshin! Po ashtu, të gjithë ahmedianët në përgjithësi, le t’u kushtojnë vëmendje lutjeve për përparimin e Xhematit dhe që Xhemati të jetë i mbrojtur nga mizoritë e armiqve! Allahu të gjithë ahmedianëve ua mundësoftë këtë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp