Esenca e faljes - Komentim i Kuranit Famëlartë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Esenca e faljes

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të shehadetit, teavudhit dhe të sures El-Fatiha, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar vijoi:

 

042-041

Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me të keqen që është bërë. Ai që fal dhe sjell përmirësim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Pa dyshim, Ai nuk i do të padrejtët.[1]

Mësimi i Islamit në lidhje me ndëshkimin apo faljen e keqbërësit, gabimtarit, gjithnjë synon përmirësimin, qoftë ky gabim i vogël apo i madh; qoftë gabimtari a keqbërësi armik apo dikush tjetër. Islami sigurisht që ka konceptin e ndëshkimit, por njëkohësisht porosit edhe për faljen dhe tolerancën. Edhe ky ajet, siç e keni dëgjuar, jep të njëjtën porosi. Ai thotë: ndëshkoni keqbërësin ose dëmtuesin, por edhe ndëshkimi që i jepet duhet të synojë përmirësimin e tij. Për sa kohë që synoni përmirësimin, do t’ju duhet të shqyrtoni përpara se ta ndëshkoni se a do ta arrini synimin tuaj apo jo. Pas shqyrtimit të gjendjes së gabimtarit, nëse shikoni se përmirësimi i tij qëndron në falje, faleni dhe, nëse shikoni se përmirësimi i tij qëndron në ndëshkim, atëherë ndëshkojeni. Zoti thotë se edhe kjo falje juaja do t’ju mundësojë shpërblim të madh prej Tij. Në fund të ajetit, duke thënë: “Sigurisht, Ai nuk i do të padrejtët”, Ai na bëri të qartë se nëse do të tejkalojmë masën e ndëshkimit, do të jemi të padrejtë para Tij. Kështu që, ky është parimi që na tregoi Kurani Famëlartë, për sa i përket çështjes së faljes dhe të ndëshkimit, parim i cili mbulon çështjet edhe të jetës sonë të përditshme, edhe të qeverisjes së një vendi, edhe ato ndërkombëtare. Pra, ky është një themel i përmirësimit të mbarë shoqërisë. Sipas Islamit, ndëshkimi i një keqbërësi duhet të synojë vetëm përmirësimin dhe ngritjen morale. Ai thotë të mos ngulni këmbë vetëm te ndëshkimi, madje, nëse shikoni se përmirësimi i keqbërësit qëndron në falje, faleni dhe nëse përmirësimi është në ndëshkim, atëherë ndëshkojeni. Dhe gjatë ndëshkimit duhet të keni parasysh se ndëshkimi duhet të jetë aq sa ishte krimi. Nëse do ta kaloni masën, atëherë jeni të padrejtë, dhe Zoti nuk i do të padrejtët.

Kështu që, Islami ka dhënë një mësim të ndërmjetëm dhe jo të skajshëm, siç kanë dhënë fetë e mëparshme. Praktikën më të mirë të këtij mësimi e shohim në jetën e Profetit Muhammed s.a.. Kur ai pa që keqbërësi ka bërë përmirësimin, e fali, edhe në rastet kur keqbërësi ka qenë armik dhe mizor i skajshëm. Vallë, çfarë mizorish të mëdha i janë bërë atij, familjes së tij dhe sahabëve të tij! Por sa herë që armiku i kërkoi falje dhe e premtoi që do të kalonte jetën sipas porosive të Zotit dhe të dërguarit të Tij, e fali, duke harruar çdo gjë që ai kishte bërë në të kaluarën. Në një hadith përmendet që një njeri mizor i quajtur Habar Ibni Esvad sulmoi me ushtë të bijën e Profetit, Zejnebin, kur ajo po mërgonte nga Meka. Gjatë kësaj kohe ajo ishte edhe shtatzënë. Ajo jo vetëm që u plagos nga sulmi, i dështoi edhe barra dhe pas pak ditësh, plagët ia morën jetën edhe asaj. Për shkak të këtij krimi, për Habarin ishte lëshuar dënimi me vdekje. Në kohën kur Profeti s.a. e triumfoi Mekën, Habari u arratis. Por, më vonë, kur Profeti s.a. u kthye në Medinë, ai mbërriti në Medinë për ta takuar atë dhe i tha se ishte arratisur nga frika se mos do ta vriste dhe ishte i vetëdijshëm se kishte bërë krime të mëdha dhe i ishte lëshuar edhe dënimi me vdekje. Ai shtoi: “Por, kur mora vesh për mëshirën dhe faljen tuaj, erdha tek ju”. Ai kishte bërë krime të mëdha dhe ishte nxjerrë edhe dekreti për dënimin e tij me vdekje, megjithatë, për shkak të faljes së madhe të Profetit Muhammed s.a., ai mori guximin të shkonte tek ai, t’i dilte përpara dhe t’i thoshte:

O i Dërguari i Allahut! Kemi qenë të zhytur në injorancë dhe shirk dhe përmes teje kemi gjetur udhën e drejtë dhe shpëtuam nga shkatërrimi. Unë pranoj të gjitha krimet e mia dhe ju kërkoj që të më falni!

Hazret Profeti Muhammed s.a. e fali edhe vrasësin e së bijës dhe i tha:

Shko o Habar! Zoti të ka bërë mirësi që të mundësoi ta pranoje Islamin dhe të bëje pendesë të sinqertë!

Një tjetër dëshmi që gjejmë në histori është e një poeti, që quhej Kab Ibni Zuhejr. Ai thurte vargje të pahijshme ndaj grave muslimane, duke u sulmuar nderin. Edhe për të kishte dalë dekreti i dënimit. Profeti s.a. e triumfoi Mekën. Vëllezërit e Kabit e njoftuan për këtë dhe e këshilluan t’i kërkonte falje Profetit s.a.. Kështu, ai shkoi në Medinë dhe bujti një natë te një miku i tij. Për namazin e sabahut mbërriti në xhaminë e Profetit s.a. dhe e fali bashkë me të. Më pas, pa iu prezantuar, e pyeti:

O i Dërguari i Allahut! Kab Ibni Zuhejri erdhi i penduar dhe ju kërkon falje. A do ta lejoni të paraqitet?

I Dërguari i Allahut s.a. nuk e njihte me fytyrë ose ndoshta ai kishte ardhur i mbuluar dhe, për këtë arsye, edhe sahabët nuk e dalluan dot. Sidoqoftë, askush nuk e njohu atje. I Dërguari i Allahut s.a. iu përgjigj:

Po, le të vijë!

Unë jam Kab Ibni Zuhejri, iu përgjigj ai.

Sapo e tha këtë, u ngrit një ensar dhe u bë gati ta vriste, sepse për të kishte dalë dekreti i dënimit me vdekje, për shkak të krimeve të mëdha që kishte bërë. Por, i Dërguari i Allahut s.a. si mëshirë e përkryer i tha ensariut:

Lëre të lirë, sepse ai ka ardhur për të kërkuar falje.

Më pas, ai i këndoi një vjershë Profetit Muhammed s.a. dhe Profeti s.a. i dha si shpërblim çarçafin e tij të bukur.

Ky pra ishte një armik për të cilin kishte dalë vendimi i dënimit me vdekje, i cili erdhi te Profeti s.a. dhe jo vetëm që e shpëtoi veten, mori edhe shpërblim. Kështu ka plot ngjarje që shohim në jetën e Profetit Muhammed s.a. ku për hir të përmirësimit, i Dërguari i Allahut s.a. fali armiqtë e vet, armiqtë e të afërmve të vet dhe armiqtë e Islamit. Por, aty ku ishte i nevojshëm ndëshkimi, i ndëshkoi. Pra, synimi i kësaj porosie gjithmonë është përmirësimi dhe jo hakmarrja.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në mjaft vende e ka shpjeguar këtë ajet, i cili është ajeti 41 i sures Esh-shura. Na rezulton se në 13 libra të tij, ai e ka shpjeguar ajetin në fjalë, por mund të jenë edhe më shumë. Dhe në këta libra, më shumë se 20 herë gjejmë shpjegime të ndryshme të tij. Gjithashtu, ai e ka komentuar këtë ajet edhe në mjaft fjalime të tij. Në “Filozofinë e mësimeve të Islamit”, duke treguar filozofinë e ndëshkimit dhe të faljes, ai thotë:

“Dëmshpërblimi i veprës së keqe është aq sa është dëmi i saj, por, nëse dikush ia fal gabimin, duke gjykuar se fajtori mund të përmirësohet nga falja, pra duke parë se nuk bëhet ndonjë sherr dhe falja është tamam ajo që duhet bërë, atëherë ai do ta gjejë shpërblimin e faljes së tij.
Ky ajet tregon që mësimi Kuranor për ne nuk është që në çdo rast, pa arsye, të tolerojmë të keqen dhe të mos dënohen të ligjtë dhe mizorët, por është që ne ta shqyrtojmë situatën për të parë nëse ajo na bën thirrje për falje apo për dënim. Pra, duhet të zgjedhim alternativën që me të vërtetë shkon në favor të fajtorit dhe njerëzve të tjerë. Disa herë fajtori edhe pendohet nëse i falet faji , por mundet që nga falja ai merr më shumë guxim për ta përsëritur gabimin. Kështu që, Zoti i Lartësuar thotë që nuk duhet të formoni shprehi që gjithmonë të falni verbërisht. Por, duhet ta shqyrtoni mirë situatën për të parë se ku qëndron mirësia e vërtetë: në falje apo në ndëshkim, pastaj të veproni sipas asaj që është më e përshtatshmja dhe më e duhura. Kur studiojmë shoqëri të ndryshme njerëzore, gjejmë se ka disa njerëz që janë të prirë për hasmëri, madje mbajnë në zemër hasmëri të gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre. Po ashtu, disa njerëz e teprojnë faljen dhe shmangien tej mase, nganjëherë duke kaluar edhe kufijtë e paturpësisë dhe praktikojnë shmangie dhe anashkalim të tillë që janë krejtësisht kundër dinjitetit, sedrës dhe dëlirësisë, madje ato e njollosin ndershmërinë në atë mënyrë, saqë u vjen trup edhe njerëzve të tjerë. Pikërisht për shkak të të këqijave të tilla, Kurani Famëlartë ka vënë kushtin e përshtatshmërisë për realizimin e çdo virtyti dhe nuk ka pranuar asnjë virtyt që realizohet pa të”.   

Pra, ky është principi i mësimit të Islamit në lidhje me ndëshkimet, i cili të porosit që të gjesh mirësinë dhe përmirësimin. Herë falja bëhet mirësi, sepse ajo e sjell përmirësimin dhe herë po falja bëhet ligësi, sepse pikërisht ajo i shton guxim atij që ka bërë krimin. Po ashtu, herë ndëshkimi bëhet mirësi, madje edhe për të ndëshkuarin, sepse i del si pengesë në rrugën e tij për të bërë krime të tjera dhe kështu i shpëton jetën. Në rastet kur i Dërguari i Allahut s.a. fali kriminelët, nga të cilat dy shembuj ju kam përmendur, shohim që ata sollën ndryshim rrënjësor në jetën e tyre. Ata që ishin kriminelë dhe armiq të Islamit, pasi morën faljen, u bënë ndihmës të tij. Sipas Islamit, duhet bërë ajo që është më e mira për gabimtarin. Pra, Islami është një fe kaq e përsosur, që tregon bindshëm rëndësinë e mësimeve të tij në çdo kohë. Ata që pretendojnë të jenë flamurtarë të të drejtave të njeriut sot në botë, kanë marrë një rrugë të skajshme. Në emër të simpatisë ndaj njerëzve, edhe kriminelëve u jepet kaq shumë mbështetje, saqë ata e humbin ndërgjegjen e tyre që kanë bërë krime. Vrasësit me pagesë apo kriminelë të tjerë mburren me krimet e tyre, aq saqë për ta jeta e të tjerëve nuk ka asnjë vlerë. Të tillët natyrisht që duhet të dënohen me vdekje, përveçse nëse familjet e të vrarëve vetë i falin. Por në Perëndim, në emër të të drejtave të njeriut, dënimi me vdekje nuk aplikohet. Shtetet kanë ndryshuar ligjet e tyre për ta hequr këtë dënim, por nga ana tjetër, nuk përmirësohen as njerëzit që bëjnë krime, madje shtohen në mizori çdo ditë e më shumë. Në skajin tjetër gjenden vendet islamike, ku kryengritësit kur e rrëzojnë krerët e qeverive të tyre, në vend që të bëjnë gjyq të mirëfilltë kundër tyre e t’u japin dënimin që u takon – nëse vërtet e meritojnë dënimin -, i vrasin në mënyrë makabre. Kur vendasit dhunojnë liderët e tyre, zakonisht ata kanë mbështetje nga disa forca dhe gjithçka bëhet nën komandën e tyre.

Islami nuk lejon që njerëzit të anojnë nga skajet, për sa u përket ndëshkimeve. Zoti i Madhërishëm gjithashtu porosit që në ndëshkim nuk duhet bërë dallim midis të pasurve dhe të varfërve dhe se duhen hartuar disa parime e rregulla për të. Në jetën e Profetit Muhammed s.a., në periudhën medinase, shohim modelin e tij sesi ai qeverisi Medinën dhe edhe Kalifët e drejtë pas tij.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. cek edhe një pikë tjetër. Ai thotë se nuk duhet parë vetëm se çfarë është e mirë për të dënuarin, por nganjëherë duhet parë edhe të mirën e shoqërisë. Nganjëherë na duhet të sakrifikojmë një gjë të vogël për diçka të madhe, për kauzën e mbarë shoqërisë. Prandaj, duke dhënë dënimin, duhet të kemi parasysh se çfarë ndikimi do të sjellë ai dënim i caktuar në shoqërinë në përgjithësi. Nganjëherë falja bën ndikim negativ në shoqëri dhe njerëzit fillojnë të thonë: “shiko se si një kriminel kaq i madh, është lënë i lirë”. Aty ata që kanë prirje për të bërë sherr, gjejnë mbështetje dhe vijojnë të bëjnë sherr, sepse e dinë që i pret falja. Kjo sjellje pa dyshim i bënë më të fortë e më të guximshëm kriminelët. Po ashtu, shqetësimi dhe ankthi rritet te të pafajshmit. Shoqëria në përgjithësi ndien shqetësim dhe edhe njerëzit kërkojnë metodat e tyre për ta larguar këtë shqetësim. Shpesh mbajnë mjetet vetëmbrojtëse, por në vendet ku ligji nuk funksionon ose është i dobët, njerëzit përfundojnë edhe në vetëgjyqësi. Një situatë e tillë fatkeqësisht ka kapluar pjesën dërrmuese të vendeve islamike, pavarësisht nga mësimi i shkëlqyer i Kuranit që ata e kanë përpara. Sjellja jo e drejtë e faljes dhe e ndëshkimit ka luajtur rolin e vet për të krijuar kriminelë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Një aspekt shumë i rëndësishëm që duhet mbajtur parasysh gjatë faljes apo ndëshkimit është se çfarë ndikimi do t’i bëjnë ato shoqërisë. Nëse faljet kanë filluar t’u japin guxim kriminelëve, aty ka nevojë për ndëshkime.

Në një vend tjetër, duke krahasuar mësimin e Islamit me atë të Teuratit dhe të Ungjillit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Ungjilli thotë që nuk duhet të luftosh të keqen. Ky mësim qëndron në një skaj dhe, përveç disa rasteve të veçanta, njeriu nuk e praktikon dot. Në skajin tjetër qëndron mësimi i Teuratit dhe edhe ai mbulon vetëm një aspekt duke thënë: Jetë për jetë; sy për sy; vesh për vesh dhe dhëmbë për dhëmbë. Aty nuk përmendet falja aspak. E vërteta është që këta libra u përkisnin kohërave të veçanta dhe popujve të veçantë. Por sa i bukur është mësimi që na paraqiti Kurani Famëlartë, i cili gjendet larg dy skajeve dhe është edhe në përputhje me natyrën njerëzore. Për shembull, Kurani Famëlartë thotë:

Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me të keqen që është bërë. Por ai që fal, duke synuar përmirësimin, shpërblimi i tij është tek Allahu.[2]

Shikoni se sa i pastër është ky mësim, që nuk i përket asnjërit skaj. Lejohet ndëshkimi, por njëherësh ju nxit që ta falni, duke thënë se shpërblimin e saj do ta gjeni tek Allahu i Madhërishëm. Pas atyre dy modeleve të lartpërmendura, ky është modeli i tretë që i ka paraqitur Kurani Famëlartë botës. Një njeri i sinqertë është i obliguar t’i krahasojë ato dhe të gjykojë se cilin prej këtyre mësimeve e pranon natyra njerëzore dhe cilin e përzë.

Pra, është mësimi i Islamit ai që paraqet zgjidhjen e problemeve të botës në çdo kohë, qoftë në lidhje me ndëshkimet apo në lidhje me ndonjë çështje tjetër.

Islami thotë që kur të falni dikë një herë, nuk duhet të keni më urrejtje dhe mëri ndaj tij. Disa njerëz ushqejnë urrejtje të trashëguara prej brezash, saqë nuk harrojnë se çfarë i kishte bërë gjyshit të tij gjyshi i filanit dhe nuk e falin. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se nuk është aspak shenjë e besimtarit që ai të ushqejë urrejtjet e vjetra. Cili ishte modeli i Profetit Muhammed s.a. në lidhje me këtë? Hinda, gruaja e Ebu Sufjanit, në betejën e Uhudit dhunoi kufomën e xhaxhait të Profetit s.a. duke i shkulur veshët, hundën dhe organet e tjera dhe duka i kafshuar mëlçinë. Ajo tejkaloi çdo kufi të mizorisë dhe të barbarisë. Megjithatë, në kohën kur Profeti s.a. e triumfoi Mekën, ajo erdhi e mbuluar tek ai dhe u ul bashkë me besimtaret e tjera. Nuk vinte dot e zbuluar, sepse edhe asaj i kishte dalë vendimi i dënimit me vdekje për shkak të krimeve që kishte bërë. Ajo bëri edhe bejtin përpara Profetit s.a. dhe u bë muslimane. Gjatë këtij takimi, i bëri disa pyetje Profetit s.a.. Profeti ia njohu zërin dhe e pyeti:

“Mos je Hinda, gruaja e Ebu Sufjanit?”

“Po”, iu përgjigj ajo, “por tashmë jam bërë muslimane me zemër të plotë”.

Duke thënë këtë, ajo i kërkoi Profetit s.a. që ta falte për krimet e mëparshme. Profeti s.a. e fali. Kjo gjë i ndikoi kaq shumë saqë ajo u bë edhe më e sinqertë. U kthye në shtëpi, bëri zgarë dy qingje dhe ia solli Profetit s.a. dhe i tha:

Nuk kam shumë bagëti këto ditë, prandaj, pranojeni këtë dhuratë modeste nga ana ime.

Profeti Muhammed s.a. bëri lutje për të:

“O Allah! Jep bereqet në bagëtinë Hindas!”

Falë lutjes së tij, ajo pati kaq shumë bereqet në bagëtitë saqë nuk kishte mundësi t’i mbante të gjitha.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Në njërën anë ka njerëz që nuk janë mësuar fare me faljen dhe në anë tjetër ka të tillë që janë bërë të paturpshëm në emër të faljes.

Pra, nuk duhet të kalojmë edhe masën e faljes. Nëse dikush sulmon nderin e vajzës apo të motrës së dikujt, duhet bërë çdo gjë brenda ligjit dhe fajtori nuk duhet falur. Andaj, duhet të përpiqeni të kuptoni se ku mbaron caku i faljes dhe ku fillon ai i paturpësisë, megjithatë, kushti është që asnjëherë nuk duhet ta merrni ligjin në dorë.

Siç ju thashë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në vende të ndryshme ka folur rreth kësaj teme. Do t’ju paraqes edhe disa citate të tjera të tij, të cilat në shikim të parë ju bëjnë përshtypje se janë përsëritur, por çdo herë ai ka sjellë ndonjë aspekt të ri rreth temës në fjalë. Në një vend ai thotë:

Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me të keqen që është bërë. Ai që fal, me qëllim që të sjellë përmirësim dhe jo përkeqësim,  Zoti është i kënaqur me të dhe do t’ia japë shpërblimin e tij. Kështu që, sipas Kuranit, nuk është i pëlqyer ndëshkimi në çdo rast dhe as falja nuk është e pëlqyer në çdo rast. Që të dyja duhet t’i bëni atje ku duhet. Natyra e ndëshkimit dhe e faljes nuk duhet të jetë e shthurur, por e gërshetuar me nevojën dhe rastin. Ky pikërisht është kuptimi që na jep Kurani. … Zoti e pëlqen njeriun që ka qëllim të mirë dhe që me anë të veprës së tij synon përmirësimin. Një i paturpshëm me faljen e tij nuk e kënaq Zotin dhe as ai që synon të hakmerret. Pra, në të dyja rastet, njeriu nuk duhet të prekë kufirin e paturpësisë.

Pra, në këtë mënyrë duhet të gjykojë njeriu. Edhe përgjegjësit në xhemat këtë mësim duhet ta aplikojnë. Përgjithësisht e aplikojnë. Megjithatë, nganjëherë kur më vijnë çështjet me rekomandimin e ndëshkimit, nuk them se vjen era e hakmarrjes, por rekomanduesit anojnë nga ashpërsia dhe ka edhe raste kur anojnë nga falja më shumë se sa duhet. Kjo sjell prishje të tjera. Prandaj, as ndëshkimi nuk është i pëlqyer dhe as falja, pëlqimi i Zotit është i pëlqyer dhe ai vjen atëherë, kur synohet përmirësimi. Për këtë arsye, përgjegjësit përkatës, qofshin ata të Umur-e-Amas apo të Kadaut, çdo çështje duhet të shqyrtojnë me thellësinë e duhur, përpara se të japin rekomandimin e tyre. Ky është ai sistem i vërtetë të cilin, në radhë të parë, ne duhet ta krijojmë brenda xhematit tonë. Ata që synojnë pëlqimin e Zotit, pa dyshim që do t’u duhet t’i kërkojnë edhe ndihmë Allahut përmes lutjeve. Kështu që, çdo vendim nga përgjegjësit, duhet të merret pas lutjes dhe shqyrtimit të thellë dhe më pas t’ia dërgojnë Kalifit të kohës, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e atij që gjykohet, po ashtu të sigurohet edhe sistemi i xhematit dhe në mënyrë që asnjë vendim në xhemat të mos bëhet shkak i nxitjes së shqetësimit tek anëtarët.

Në librin e tij “Nesim-e-Davet”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. komenton në lidhje me këtë ajet, koment të cilin duhet ta lexojnë edhe jo-muslimanët për të kuptuar realitetin e mësimeve të Islamit. Ai thotë:

Nëse dikush ju dëmton, për shembull ju thyen dhëmbin apo syrin, ndëshkimi i tij është po aq sa dëmi që ju ka shkaktuar. Por, nëse shikoni se falja juaj do ta përmirësojë fajtorin, për shembull, ai të heqë dorë nga dhuna, atëherë ajo është më e mira dhe ajo do t’ju sigurojë shpërblim prej Zotit. Shikoni pra, ky ajet është i baraspeshuar në të dy krahët, duke e kushtëzuar faljen dhe ndëshkimin me nevojën, e cila është të gjykohet sipas rastit. Sipas këtij ligji plot urtie funksion sistemi i gjithësisë. Këtë duhet ta ndjekim edhe ne, që të zbatojmë edhe ngrohtësinë, edhe ftohtësinë. Kjo është mençuri. Siç mund të vini re, për shembull, ne nuk bëhemi striktë për të ngrënë të njëjtin ushqim për ditë, por hamë ushqime të ndryshme, të ftohta e të ngrohta, siç na kërkon koha.

Gjatë verës preferencat tona për ushqimet ndryshojnë nga ato gjatë dimrit, Edhe mjekët na tërheqin vëmendje që të kemi një dietë të balancuar. Përveç kësaj, edhe Zoti i Madhërishëm i ka krijuar ushqimet në bazë të stinëve. Ky është ligji i natyrës dhe duhet zbatuar edhe këtu. Hazret Mesihu i Prmetuar a.s. vijon:

Në të njëjtën mënyrë, gjatë dimrit vishemi ndryshe, ndërsa gjatë verës ndryshe, duke iu përshtatur kohës. Në të njëjtën mënyrë, edhe gjendja jonë morale kërkon ndryshime.

Meqë ra fjala për veshjet, do të doja të shtoja se gjatë verës këtu (në Perëndim) njerëzit, sidomos femrat, vishen shumë pak, për të mos thënë aspak, kurse gjatë dimrit veshin pallto, mbajnë edhe kapuç dhe shall dhe veshja e tyre duket shumë e përshtatshme, por nëse gratë muslimane, nëse mbulojnë kokën edhe gjatë verës, njerëzit i paragjykojnë dhe thonë se Islami po ua heq të drejtat, madje e kanë zmadhuar kaq shumë këtë çështje, saqë shteti ka ndërhyrë në të, duke sanksionuar ligje kundër mbulesës muslimane. Edhe kjo ndërhyrje nuk synon përmirësimin, por bën vetëm padrejtësinë. Ditët e fundit, Kryeministri dha një deklaratë që qeveria po mendon për të nxjerrë ligj që gratë që punojnë në vendet publike, të mos mbajnë mbulesën, përndryshe do të hiqen nga vendi i punës. Kështu, ligjet e qeverive të kësaj bote kanë kaluar në një ekstrem dhe kjo pikërisht shkakton çrregullim dhe shton ankth te njerëzit. Islami thotë se mos vendosni ligje që ua shtojnë ankthin njerëzve, por hartoni ligjet që janë në dobi të shoqërisë dhe ato pastaj sjellin edhe pëlqimin e Zotit. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

 Në të njëjtën mënyrë, edhe gjendja jonë morale kërkon ndryshime. Në një moment të caktuar, duhet të tregojmë fuqinë tonë dhe aty butësia dhe falja e prishin punën dhe në një moment të caktuar duhet të jemi të butë dhe të përulur, kur shfaqja e fuqisë duket vetëm kafshëri. Kështu që, çdo gjë duhet të jetë sipas vendit dhe kohës. Ai që nuk i merr parasysh nevojat e kohës është shtazë dhe jo njeri dhe është i egër dhe jo i civilizuar.

Duke treguar urtinë e këtij mësimi, Mesihu i Premtuar a.s. ka dhënë shembullin e ushqimit, siç e keni dëgjuar. Njeriu nuk përdor një ushqim të caktuar çdo herë. Specialistët e ushqimeve u japin të sëmurëve një listë të gjatë, duke treguar se çfarë ushqimesh duhet të konsumojnë, sepse sipas tyre, ajo përmbajtje është ilaç për ta. Mesihu i Premtuar a.s. thekson se pikërisht ky ligj funksionon edhe për gjendjen tonë morale. Ai thotë se në një rast të caktuar butësia dhe falja e prishin punën dhe në një tjetër ashpërsia e prish punën. Këtë ligj duhet ta aplikojë njeriu edhe në çështjet e tjera. Falja dhe ndëshkimi duhet të synojnë përmirësimin e autorit të krimit a të gabimit dhe vendimi duhet të jetë në përputhje me natyrën njerëzore dhe ky pikërisht e dallon njeriun nga shtazët. Në një vend tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kurani Famëlartë nuk e ka lejuar faljen dhe tolerancën vend e pavend, sepse kjo e prish moralin e njeriut dhe shoqëria e tij shthuret. Ai ka porositur faljen që sjell përmirësim.

Kjo, pra, është një çështje shumë e rëndësishme. Nëse falja dhe toleranca bëhet vend e pavend, do të prishet sistemi i shoqërisë, duke e bërë njeriun të dalë nga kufijtë. Për këtë arsye, ata që marrin dënime për të sjellë përmirësime në veten e tyre, duhet t’i kushtojnë vëmendje përmirësimit dhe t’i kërkojnë falje Zotit. Në xhemat ndëshkimi asnjëherë nuk jepet me frymën e hakmarrjes, siç ju kam thënë edhe më përpara, por jepet me synimin e përmirësimit. Ky duhet të jetë qëllimi i masave dhe ky është. Gabojnë edhe përgjegjësit, por edhe njerëzit. Nëse çdo njeri do të bëjë një analizë në jetën e tij të përditshme se si ai mendon për tjetrin dhe si për veten, kjo do ta bëjë shoqërinë më të bukur. Kryesorja është që në çdo çast duhet të mendojmë se si mund të arrihet pëlqimi i Zotit të Madhërishëm. Kur do të ndodhë kjo, atëherë mund të vijë përmirësimi. Në një vend tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me të keqen që është bërë. Por nëse dikush e fal gabimin dhe falja e tij synon përmirësim tek gabimtari, ai ka shpërblimin e tij tek Allahu i Madhërishëm. Nëse do të falni vjedhësin, nesër ai do të bëhet grabitës, për këtë arsye, ai duhet të ndëshkohet. Por nëse keni dy shërbyes dhe njëri prej tyre është i tillë që qoftë një shikim mospëlqyes do ta turpërojë atë dhe ai do ta përmirësojë vetën e tij, ai nuk duhet ndëshkuar rëndë. Por një tjetër që qëllimisht bën sherr, nëse do ta falni, ai do të prishet akoma më shumë. Ai mund të përmirësohet vetëm nga ndëshkimi. Më thoni, pra, cili mësim është i përshtatshëm, i Kuranit Famëlartë apo i Ungjillit? Çfarë na kërkon ligji i natyrës? Ai na kërkon të kemi parasysh nevojën e kohës. Mësimi që falja të synojë përmirësimin e njeriut, është i pashoq dhe njeriut të civilizuar do t’i duhet ta zbatojë këtë mësim përfundimisht. Po ky mësim ia shton njeriut forcën e gjykimit, të menduarit dhe të largpamësisë.

Por, bota e sotme akuzon se Islami e kufizon njeriun, duke e ndaluar të mendojë e të thellohet. Ndërsa Mesihu i Premtuar a.s. thotë se merrni si shembull vetëm këtë porosi dhe do të kuptoni se sa shumë ju rritet largpamësia, ju shtohet forca e të menduarit e të gjykuarit. Ai vijon:

Nëse shikoni se ka dobi në falje, faleni, por nëse autori i gabimit është i lig dhe sherrxhi, atëherë veproni sipas asaj që thotë Kurani:
“Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me të keqen që është bërë”.
Edhe në çështjet e tjera Islami ka mësime të pastra, të cilat, në çdo kohë, janë të qarta si drita e diellit.

Kështu që, duhet t’i kemi parasysh këto dy pika dhe t’i kemi parasysh që të sjellim përmirësimin, të ndalojmë të këqijat, të përhapim frymë paqeje dhe sigurie në shoqëri dhe më e rëndësishmja, që të arrijmë pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, sepse Ai nuk i do të padrejtët. Allahu i Madhërishëm na bëftë t’i kuptojmë porositë e Kuranit e t’i zbatojmë ato.

Pas namazeve do të udhëheq një xhenaze gaib, e cila është e Z. Bilal Mahmud, të birit të Mumtaz Ahmedit Sindi që është nga lagjja Darul-Jemen Gerbi e Rabvasë. Bilal Mahmud sahibi është martirizuar gjatë natës së 11 janarit të vitit 2016. In-na lil-lahi ue in-na ilejhi raxhiun (Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi). Teksa po kthehej në shtëpi gjatë natës, erdhën disa njerëz të panjohur me motorë dhe e qëlluan me armë zjarri. Sipas të dhënave, ai po kthehej afërsisht në orën 9 të darkës nga dyqani i tij, që ndodhet në Tregun Bilal dhe kur ishte në një kthesë, motoristët e panjohur e qëlluan dhe morën rrugën e arratisë. Bilal sahibi mori 5 plumba në trup, dy prej të cilëve në kokën e tij. Ai u dërgua në spitalin Fazl-e-Omer për të marrë ndihmën e shpejtë dhe më pas u dërgua në Spitalin Alaid të Faislabadit, ku mjekët ende nuk kishin filluar operacionin që t’i nxirrnin plumbat nga trupi i tij, që ai ndërroi jetë. In-na lil-lahi ue in-na ilejhi raxhiun.

Bilal sahibi lindi në vitin 1989 në Got Bilal Nagar, që është afër rrethit Mirpurkhas. Ai bënte pjesë edhe në grupin e bekuar të “Uakf-e-nau”[3]. Shkollën e mesme e kreu në vitin 2003. Pastaj, i ndërroi jetë babai dhe më pas familja e tij u vendos në Rabvah. Në 2008-ën e ripërtëriu dedikimin dhe filloi të shërbente në zyrën e Vasijatit të Sadr Enxhumanit Ahmedia, ku do të shërbente deri në vdekje. Përveç shërbimit në xhemat, ai kishte një dyqan të vogël, ku punonte pasditeve. Në lagjen e tij ai shërbeu në pozicione të ndryshme të xhematit dhe këto ditë ishte edhe sekretar i Vasijatit në lagje. I ndjeri u martua në prill të vitit 2015. Bashkëshortja e tij është shtatzënë në këtë kohë. Allahu i Madhërishëm e bekoftë atë si dhe fëmijën e ardhshëm! Bilal sahibi ishte shumë njeri i dëlirë, i sinqertë, i dhembshur dhe i shoqërueshëm. Punën e tij e bënte me seriozitet dhe me bindje ndaj përgjegjësve. Kishte lidhje të fortë me Kalifatin. Me çdokënd sillej me respekt dhe dashuri. Ai ishte shumë i dashur në fisin e tij. Ishte shumë i lidhur me të ëmën dhe motrat e tij. Ai la pas bashkëshorten, Znj. Mubashira Bilal, nënën, Znj. Mubarika Mumtaz, një vëlla dhe dy motra. Sekretarët e Mexhlis Karperdazit, edhe ai që është aktual, edhe paraardhësi i tij, kanë përmendur njëzëri që Bilal sahibi jo vetëm që ishte shumë i zgjuar, por edhe shumë punëtor. Sipas tyre, asnjëherë nuk ndodhi që ai të ishte treguar përtac apo të kishte bërë ndonjë shkelje. Gjithmonë shërbente i buzëqeshur. Në zyrë vinte me përpikëri dhe çdo punë që i jepej, e bënte shumë shpejt. Pak janë shërbyes të tillë të cilët gjithmonë të jenë të buzëqeshur, të kenë punë vetëm me punën e tyre, të jenë edhe të bindur, siç ishte Bilal sahibi. Punët e xhematit i bënte me pasion. Nesir sahibi, i cili është sekretari aktual i Mexhlis Karperdazit, shkruan që dëshmori kishte lidhje kaq të fortë me Kalifatin, saqë ne e shikonim me lakmi.

Allahu ia ngrittë nivelet në xhenet dhe familjarëve të tij u dhëntë durim dhe kurajë!


[1] Kurani Famëlartë 42:41.

[2] Kurani Famëlartë 42:41.

[3] “Uakf-e-Nau” në Xhematin Musliman Ahmedia janë ata fëmijë (djem e vajza), të cilët janë dedikuar nga prindërit e tyre që para lindjes së tyre. Pas lindjes së tyre, prindërit i rrisin dhe i edukojnë dhe ata arrijnë moshën e pjekurisë, e ripërtërijnë dedikimin, duke shprehur edhe vullnetin e tyre për ta vijuar dedikimin që kanë bërë prindërit dhe më pas i shërbejnë Xhematit, siç i porosit Kalifi i kohës. Një dedikim i tillë përmendet në Kuranin Famëlartë, që nëna e Merjemes, gjatë shtatzënisë, ia përkushtoi fëmijën e vet Zotit të Madhërishëm. [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp