Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Bekimet e Kalifatit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përmbledhje

I Dërguari i Allahut s.a. kishte parathënë se Profetizmi do të mbetet në ju për aq sa e do Zoti i Madhërishëm. Pas tij do të vendoset Kalifati në rrugën e profetizmit, pra që do ta ndjekë rrugën e Profetit. Ai nuk do të ketë interesa vetjake, por do të jetë i angazhuar për ta çuar përpara misionin e Profetit. Por pas një kohe të caktuar, ky kalifat, që u quajt Kalifati i Drejtë, siç tha Profeti s.a., do të ndërpritej. Pas largimit të këtij bekimi, do të vendosej mbretëria, e cila do të shtrëngonte njerëzit dhe më pas do të vinte një mbretëri tjetër akoma më e dhunshme. Pastaj Allahu i Madhërishëm do të tregonte mëshirë dhe do të rivendosej kalifati në rrugën e profetizmit.

Në historinë e Islamit, shohim se mbretër të ndryshëm muslimanë e kanë quajtur veten kalifë. Ata thoshin se pozita e tyre ishte e njëjtë me pozitën që ka një kalif. Megjithatë, pjesa dërrmuese e muslimanëve i quan kalifë të drejtë vetëm katër kalifë të parë që erdhën pas të Dërguarit të Allahut s.a. Vetëm periudha e këtyre katër kalifëve njihet si periudha e kalifëve të drejtë. Ata ishin të udhëzuar dhe udhëzues, të cilët e udhëhoqën umetin ashtu siç e kishin parë të Dërguarin e Allahut s.a. duke udhëhequr, siç i porosiste Kurani Famëlartë. Kalifati i tyre nuk ishte mbretëri që merrnin me trashëgimi, por Zoti i Madhërishëm, përmes Xhematit të besimtarëve, i dha petkun e kalifatit. Përveç këtyre katër kalifëve, ata që erdhën më vonë, vendosën dhe e vijuan mbretërinë e trashëguar dhe kështu profecia e të Dërguarit të Allahut s.a. u përmbush fjalë për fjalë. Nëse dy pjesët e para të kësaj profecie u përmbushën fjalë për fjalë, edhe fjala e fundit e saj e thënë nga Udhëheqësi ynë Hazret Profeti Muhammed s.a., duhej përmbushur pagabueshëm. Në këtë kohë tepër materialiste dhe rënieje të muslimanëve, ishte e pazëvendësueshme që Zoti i Madhërishëm, i cili e ka dërguar Profetin Muhammed s.a. me një sheriat, që do të qëndrojë deri në kiamet, të shfaqte mëshirën e Tij dhe të vendoste edhe një herë kalifatin në rrugën e profetizmit. Ne ahmedianët besojmë fuqimisht se Allahu i Madhërishëm dërgoi mëshirën e Tij në përputhje me premtimin e Tij të bërë me Profetin Muhammed s.a., dhe duke përmbushur fjalën e Udhëheqësit tonë, ka vendosur kalifatin në rrugën e profetizmit nëpërmjet Mesihut të Premtuar dhe Imam Mehdiut. Prandaj, Mesihu i Premtuar është profet brenda umetit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ai gëzon pozitën për të qenë vula e kalifëve. Tashmë kalifati i Profetit Muhammed s.a. do të rrjedhë nëpërmjet shërbëtorit të tij të sinqertë dhe vulës së kalifëve. Prandaj, jemi fatlumë sepse bëjmë pjesë ndër ata që gëzuan këtë sihariq të Profetit Muhammed s.a.. Duke sqaruar ajetin e sures El-Xhuma që thotë “Ai do t’ua dërgojë edhe të tjerëve që ende nuk u janë bashkuar”[1], Profeti Muhammed s.a. i bashkoi të parët me të fundit. Jemi fatlumë që Zoti na bëri të bëjmë pjesë pikërisht në këtë grup. Jemi fatlumë që Zoti na bëri ta pranojmë atë të dashur të Profetit Muhammed s.a., për të cilin Profeti Muhammed s.a. kishte thënë se do ta sillte besimin edhe një herë nga ylli thurej-ja e ta rivendoste në tokë. Allahu i Madhërishëm na dha mundësi t’i përcjellim selam atij Imam Mehdiu, për të cilin na porositi Profeti Muhammed s.a.. Përveç kësaj, Allahu i Madhërishëm na dha mundësi ne ahmedianëve bejtbërës të bëjmë edhe bejtin e kalifatit që u nis pas Mesihut të Premtuar a.s..

Të gjitha këto bekime të Zotit të Madhërishëm i kërkojnë çdo ahmediani t’i tregohet mirënjohës Zotit dhe të sjellë ndryshimet në jetën e tij që duhet t’i kenë besimtarët e këtij të dërguari të Zotit të Madhërishëm. Vetëm atëherë mund ta përmbushim detyrimin e bejtit. Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu kishte si mision që ta sillte besimin nga thurej-ja e ta rivendoste në tokë dhe t’i mbushte zemrat e besimtarëve të tij me të. Çdo ahmedian pa dyshim është dëshmitar i faktit se ai e ka kryer me sukses këtë mision. Por kjo vendosje e besimit nuk ishte e kufizuar vetëm gjatë jetës së tij, ose vetëm gjatë disa dekadash. I Dërguari i Allahut s.a. pasi e bëri profecinë e rivendosjes kalifatit në rrugën e profetizmit, heshti. Kjo do të thoshte se ai besim do të vendosej e do të vijonte të përhapej në mbarë botën deri në ditën e kiametit. Kështu, gjithë ata që e konsiderojnë veten në bejtin e Mesihut të Premtuar a.s., e kanë për detyrë ta mbajnë këtë besim në zemër dhe të tregohen të qëndrueshëm në të. Ata e kanë për detyrë ta pasqyrojnë këtë besim e ta përhapin atë në çdo skaj të botës e të vendosin njëshmërinë e Zotit, duke qenë të lidhur fort me sistemin e kalifatit të nisur pas Mesihut të Premtuar a.s.. Për ta përmbushur pikërisht këtë detyrë, Zoti i Madhërishëm kishte dërguar Udhëheqësin tonë, Hazret Profetin Muhammed s.a., më pas kishte dërguar edhe shërbëtorin e tij të sinqertë Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Dhe edhe i Dërguari i Allahut s.a. kishte parashikuar vazhdimësinë e kalifatit, që të përmbushej po e njëjta detyrë. Për këtë arsye, Mesihu i Premtuar a.s., duke na dhënë si profeci lajmin trishtues të largimit të tij nga kjo botë, na dha edhe sihariqin duke thënë:

Përderisa praktika e Zotit kështu ka qenë që nga fillimi, që Ai të shfaqë dy fuqi të madhështisë së Tij, në mënyrë që t’u shkatërrojë dy gëzime të rreme kundërshtarëve, atëherë nuk është e mundur që edhe kësaj radhe Zoti ta ndryshojë këtë praktikë të vjetër… sepse është e domosdoshme për ju ta shihni edhe fuqinë e dytë të madhështisë së Tij. Ardhja e saj është më e mirë për ju, sepse ajo do të jetë e përhershme dhe nuk do të përfundojë deri në Ditën e Gjykimit.

Pra, Allahu i Madhërishëm e ka shfaqur fuqinë e dytë të madhështisë së Tij pas Mesihut të Premtuar a.s. me qëllim që ta vendosë besimin në tokë. Zoti i Madhërishëm nuk e do që kundërshtarët e fesë së Tij të gëzohen duke menduar se ajo u zhduk nga bota. Zoti i Madhërishëm nuk e do që shejtani ta trumbetojë gëzimin e tij. Zoti i Madhërishëm do t’i shkatërrojë gëzimet e rreme të kundërshtarëve dhe për ta vendosur besimin, Ai do ta mbajë të vendosur sistemin e kalifatit të nisur pas Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Por, Zoti i Madhërishëm i ka obliguar edhe ata që pretendojnë të qëndrojnë të lidhur me këtë kalifat, që të bëhen ndihmëtarë të kalifatit për ta vendosur besimin në botë dhe, duke marrë parasysh besëlidhjen që bënë, të marrin vendimin fuqimisht që do ta mbrojnë edhe besimin e vet dhe do të ndriçojnë edhe të tjerët me dritën e besimit. Ashtu siç ka thënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. se është praktika e hershme e Zotit të Madhërishëm që Ai të shfaqë dy fuqi të madhështisë së Tij. Ne të gjithë e dimë se kjo shfaqje e dytë e madhështisë së Tij është sistemi i kalifatit. Prandaj, sistemi i kalifatit ka një lidhje të ngushtë me përparimin e fesë dhe ai është një pjesë e rëndësishme e sheriatit të Islamit. Përparimi i fesë kurrsesi nuk mund të ndodhë pa kalifat. Uniteti i Xhematit kurrsesi nuk mund të qëndrojë pa kalifat. Me bekimin e Zotit, çdokush nga ne që është i lidhur me kalifatin e di shumë mirë faktin se vazhdimësia e kalifatit në Xhemat, është pjesë përbërëse e besimit. Këtë e dinin edhe ata të cilët iu përgjigjën me mohim ngatërrestarëve që ngritën krye pas vdekjes së Hazret Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar. Ata e dinin se pa qenë të lidhur me kalifatin, nuk do ta ruanin dot besimin e vet. Lavdia është e Allahut që falë sakrificave tyre, falë qëndrueshmërisë së tyre në besim, shumëkush nga ne sot, si pasardhës i tyre, gëzon bekimin e sistemit të kalifatit.

Në këtë kuadër, ai që është përpjekur më së shumti, ka qenë Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a.. Ata që ngritën akuza kundër tij, kishin thurur akuza të rënda, por ajo që buronte nga zemra e Hazret Kalifit të Dytë r.a. është e papërshkrueshme. Do të doja t’ju tregoj ndjenjat e tij me fjalët e vetë atij. Kjo është pjesë e historisë së Xhematit dhe për t’u mbrojtur nga ngatërresat, na duhet t’i referohemi edhe historisë. Edhe kjo është një mjet i forcimit dhe i qëndrueshmërisë së besimit tonë. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

E thirra Maulvi Muhammed Ali sahibin në shtëpinë ku ndërroi jetë Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. dhe i thashë: Mos shkaktoni asnjë grindje në lidhje me kalifatin duke thënë të jetë kështu apo të jetë ashtu. Kufizoni mendimet e tuaja për zgjedhjen e një kalifi i cili të mbrojë interesat e Xhematit, të përpiqet për përparimin e Islamit. … I thashë Maulvi sahibit: Për sa i përket çështjes personale, unë mund t’i sakrifikoj ndjenjat e mia për hir tuajin, por kur është pyetja për parimet, do të jem i detyruar. Parimet nuk mund të shkelen në asnjë mënyrë. Ne e kuptojmë kalifatin si një çështje të fesë dhe ekzistencën e tij e quamë të domosdoshme, por as ju nuk mund ta quani kalifatin të palejueshëm, sepse sapo ka ndërruar jetë ai kalif në dorën e të cilit ju e kishit bërë bejtin dhe pas vdekjes së tij nuk mund të pretendoni se keni fituar pavarësinë nga kalifati. Për gjashtë vjet me radhë keni qenë të lidhur me kalifatin duke bërë besëlidhje me të. Diçka që juve ju ishte lejuar për gjashtë vjet, nuk mund t’ju bëhet e ndaluar në të ardhmen. Aq më tepër, ajo të cilën na e porosit Allahu i Madhërishëm, kurrsesi nuk mund të na bëhet e ndaluar. E pra, ka një dallim midis jush dhe nesh: Nëse hiqni dorë nga kërkesa juaj, do t’ju mbetet ta pranoni atë që e keni pranuar deri më tani, por nëse ne do të heqim dorë nga kërkesa jonë, na duhet të heqim dorë nga ajo që është pjesë e besimit dhe bindjeve tona, kundër të cilave asnjëherë nuk kemi vepruar. Prandaj, drejtësia dhe sinqeriteti ju kërkon që ta ndiqni rrugën që keni ndjekur deri më sot dhe mos na detyroni ne të veprojmë kundër fesë dhe parimeve tona. Për sa i përket pyetjes se kush do të jetë më i dobishmi për përparimin e Xhematit dhe për ngritjen e fesë Islame, ne jemi gati të pranojmë si kalif atë, për të cilin ju do të bini dakord.

Hazret Kalifi i Dytë vijon: Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, shumica e anëtarëve të Xhematit dëshironte të vijonte sistemi i kalifatit, sepse ata e kishin përpara porosinë shumë të qartë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Kur kjo mbledhje u zgjat paksa dhe Maulvi Muhammed Ali sahibi vijoi të këmbulte, njerëzit përjashta filluar t’i binin derës më fort dhe bërtisnin: Merrni vendimin sa më shpejt dhe pranoni bejtin tonë. I thashë Maulvi sahibit: Dyshimet tuaja jua kam larguar. Tani pyetja juaj duhet të jetë se kush do të jetë kalifi, e jo nëse duhet të vijojë kalifati apo jo. Duke m’u përgjigjur Maulvi sahibi më tha: E di se kush do të jetë kalifi dhe prandaj ti po insiston kaq shumë. Por i thashë: Nuk e di fare se kush do të jetë kalifi. Unë do të bëj bejtin e atij të cilin ju do ta zgjidhni si kalif. Mbështetësit e kalifatit do të më dëgjojnë mua dhe nuk do të bëhet asnjë kundërshtim. Por Maulvi sahibi as nuk më dëgjoi e as nuk kishte për të më dëgjuar.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. vijon:

I thashë  Maulvi Sahibit: Për paragjykimet ndaj meje që ju i përhapni, sikur t’u tregoja zemrën time se cila është e vërteta! Unë po bëj sakrificën që kam mundësi ta bëj.

Pas kësaj bisede, kur detyrimisht e hapën derën, përjashta prisnin anëtarët e Xhematit. Maulvi Muhammed Ahsan Amrohi sahibi propozoi emrin e Hazret Mirza Bashurddin Mahmudit, pra të Kalifit Dytë dhe anëtarët e Xhematit e detyruan atë t’ua pranonte bejtin. Ai u tha: Unë nuk mbaj mend as fjalët e bejtit. Maulvi Ahsan Sahibi tha: Unë do t’i lexoj për ju.

Kështu, gjatë zgjedhjes së Kalifit të dytë, Zoti i Madhërishëm, duke përmbushur profecinë e Profetit Muhammed s.a., i bëri ngatërrestarët të dështonin dhe kalifati në rrugën e profetizmit pas Mesihut të Premtuar për herë të dytë erdhi në jetë. Ata që iu larguan kalifatit ishin dijetarë të mëdhenj, edhe të fesë edhe të shkencave të tjera. Ata ishin të shkolluar, me përvojë, madje edhe të pasur. Përveç kësaj, ata e kishin në kontroll gjithë thesarin e Xhematit. Megjithatë, humbën e dështuan, vijueshmërisht. Pas zgjedhjes së Kalifit të Dytë, Maulvi Muhammed Ali sahibi jo vetëm që u largua nga Kadijani, por me bashkëmendimtarët e tij nuk reshti së thururi planet për ta zhbërë sistemin e kalifatit, por gjithmonë disfata ka qenë në fatin e tyre. Kjo sepse premtimi i Zotit të Madhërishëm ishte për vazhdimësinë e kalifatit. Kur këta njerëz po largoheshin nga Kadijani duke mos pasur sukses në asnjë plan të tyre dhe duke marrë gjithçka nga thesari i Xhematit dhe duke treguar godinën e shkollës Talimul Islam, bërtisnin e thoshin: Brenda 10 vitesh këtë godinë do ta zaptojnë hindutë dhe të krishterët. Por, shikoni se me ç’madhështi Zoti i Madhërishëm përmbush premtimet e Tij dhe me ç’besnikëri përmbush fjalën e Profetit Muhammed s.a.. Ai jo vetëm që solli në jetë sihariqin që dha Hazret Mesihu i Premtuar a.s., por edhe sot e gjithë ditën po e realizon me një madhështi të re. Të larguarit parashikonin se brenda 10 vitesh Kadijanin do ta pushtonin hindutë dhe të krishterët, por jo vetëm që kaluan 10 vite, por dekada me radhë dhe sot bëhen 101 vjet. Kadijani vazhdoi të lulëzonte edhe në kohët më të vështira si ajo e ndarjes së Indisë dhe Pakistanit kur shumica e anëtarëve të Xhematit u detyruan të largoheshin nga atje dhe vetëm ca qindra burra kishin mbetur për mbrojtjen e tij. Tanimë atje po ndërtohen godina me parametra moderne. Ata parashikonin zaptimin e huaj mbi një shkollë, kurse tani në Kadijan po ndërtohen shkolla që kanë vlerë miliona rupi. Edhe përpjekjet në fushën e tabligut gjithashtu janë zgjeruar mjaft me bekimin e Zotit. Jo vetëm në Kadijan, tashmë në shumë vende të botës, kemi godina shumë katëshe që sigurojnë bindshëm dëshminë se Zoti i Madhërishëm e mbështet Xhemati Musliman Ahmedia të udhëhequr nga kalifati. Tani njerëzit e çdo feje të botës po merr mesazhin e Islamit të vërtetë prej Ahmediatit.

Kështu që, përditë po shohim pamje mbresëlënëse të mbështetjes së Zotit të Madhërishëm ndaj Kalifatit Ahmedia. Edhe Gjermania nuk ka mbetur jashtë atyre bekimeve që Zoti i Madhërishëm po ua siguron besimtarëve që janë të lidhur me Kalifatin Ahmedia. Vetëm para pak ditësh, dy organizata ndihmëse të Xhematit të Gjermanisë, konkretisht organizata e Ensarullahut (të moshuarve) dhe organizata Lexhna imail-lah (e grave ahmediane) bashkërisht kanë blerë një godinë 5-katshe që kushtoi 1.7 milion Euro. Thesari që kundërshtarët e Kalifatit Ahmedia kishin lënë në Kadijan nuk kishte asnjë lekë dhe ata ikën potershëm duke thënë se do ta shikonin se si do t’u ecte xhemati ahmedianëve. Pikërisht ata ahmedianë që qëndruan të lidhur me Kalifatin Ahmedia kanë përparuar kaq shumë saqë dy organizata ndihmëse të tyre të një shteti të vetëm blenë godinën 5-katëshe duke shpenzuar miliona rupi. Çfarë tjetër mund të quhet kjo, nëse nuk doni ta quani bekim dhe ndihmë të Zotit të Lartësuar me Kalifatin Ahmedia?! Kurse ata që u ndanë nga Kalifati Ahmedia, u shkatërruan rrënjësisht. Të sinqertët prej tyre, kur i thërrasin arsyes, vijojnë të futen në Xhematin Ahmedia të qëndruar nën flamurin e kalifatit.

Përveç kësaj, sot përhapja e mesazhit të Islamit në mbarë botën po bëhet vetëm përmes Kalifatit Ahmedia. Në kohën kur Islamit i bëhen sulme çnderuese, është vetëm Xhemati Ahmedia që po ia tregon botës fytyrën e bukur të Islamit. Kjo pikërisht është arsyeja që Zoti i Madhërishëm Vetë po e tregon vërtetësinë e Kalifatit Ahmedia në mbarë botën. Ka plot ngjarje befasuese që tregojnë se si Zoti i Madhërishëm drejton zemrat e njerëzve që ata të kuptojnë vërtetësinë e Ahmediatit dhe të shohin mbështetjen dhe ndihmën e Zotit me kalifatin. Pra, Zoti nuk zbulon vetëm vërtetësinë e Xhematit, por edhe mbështetjen dhe ndihmën e Tij ndaj kalifatit…

(Më pas Hazuri ka përmendur disa ngjarje rrëfime që tregojnë sesi njerëzit e pranuan Xhematin Musliman Ahmedia duke parë në ëndërr Kalifin e kohës pa e ditur më parë. Këto mund t’i dëgjoni në video.)

Një ngjarje tjetër që ndodhi gjatë këtij turneu, gjatë përurimit të xhamisë së Hanaut të Gjermanisë ku ndër të pranishmit ishin plot gjermanë, politikanë, biznesmenë, arsimtarë dhe profesionistë të tjerë burra e gra. Shumë prej tyre patën mundësinë të tregonin përshtypjet e tyre. Citoj një zonjë që tregoi mbresat e saj me këto fjalë:

Unë njoh shumë ahmedianë dhe mendoja se di shumë për Ahmediatin. Por pasi e dëgjova Kalifin tuaj, mbresat e mia kanë marrë një ngjyrë të re. Tani e kuptova realitetin e islamit që tashmë më është rrënjosur në zemër.

Pra, këto janë bekime të Zotit të Madhërishëm që janë të lidhur me kalifatin. Për sa më përket mua, jam një njeri i paaftë. Unë e di gjendjen time, nuk kam asnjë vlerë, por Allahu i Madhërishëm ka bërë premtimin se do ta mbështesë dhe do ta ndihmojë kalifatin dhe Allahu i Madhërishëm pa dyshim që i mban premtimet. Ai gjithmonë e ka mbështetur dhe ndihmuar kalifatin dhe edhe në të ardhmen do ta ndihmojë atë inshallah ta’ala.

Siç e tha edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që këtë fuqinë e dytë të Madhështisë së Tij e ka shfaqur Vetë Zoti dhe ne vazhdimisht po shohim mbështetjen e Tij me të. Kështu, ata që do të kenë besimin të fortë, do të vazhdojnë të shohin shenjat dhe ndihmën e Zotit. Prandaj, vazhdoni ta forconi besimin tuaj, pa reshtur. Forcojeni lidhjen tuaj me Kalifatin Ahmedia dhe kushtojini rëndësi detyrës që u përket atyre që do ta gëzonin bekimin e kalifatit. Në periudhën e parë të Islamit, muslimanët u privuan nga bekimi i kalifatit atëherë kur ata i dhanë përparësi anës materiale. Por, tani inshallah ta’ala (në dashtë Allahu i Madhërishëm), këtë bekim Allahu do ta vijojë, por prej tij do të privohen gjithë ata që nuk përmbushin premtimin për t’i dhënë përparësi besimit mbi botën. Ata që nuk do të përmbushin kushtet që ua kërkon Zoti i Madhërishëm në këmbim të bekimit të kalifatit, do të privohen nga ky bekim. Allahu i Madhërishëm ka premtuar se përmes kalifatit, vetëm atyre do t’ua kthejë frikën në paqe të cilët do ta përmbushin detyrimin e tyre që kanë ndaj Allahut. Detyrimi i parë ndaj Tij është ai që tregon ajeti “Ja’budunani” domethënë “ata do të më adhurojnë Mua”.[2] Pra, nëse doni të përfitoni nga bekimi i kalifatit, përmbusheni detyrën e adhurimit ndaj Allahut të Madhërishëm. Ruajini namazet tuaja të pesë vakteve dhe kushtojini rëndësi kryerjes së tyre në mënyrën sa më të mirë. Më pas, Ai tha: “La jushrikunabi sheia”, “ata nuk do të shoqërojnë askënd me Mua”.[3]

Në këtë botë, sidomos në këto vende të zhvilluara ku materializmi po pushton çdo kënd, ku preferencat e njerëzve janë vetëm gjërat materiale, disa nga besimtarët nganjëherë u japin përparësi preferencave materiale mbi porositë e Zotit të Madhërishëm. Për të fituar luksin e kësaj bote, përdorin gënjeshtra. Edhe ky është një lloj shirku. Njerëzit e tillë nuk mund të bekohen nga kalifati. Dikush nga Gjermania më shkroi se ai kishte një shok nën tabligh, i cili u bind në të gjitha çështjet e Xhematit dhe u bind edhe në vërtetësinë e Mesihut të Premtuar a.s.. Kur ahmediani në fjalë i tha të bënte hapin e bejtit e të anëtarësohej në Xhemat, ai tha se njihte shumë ahmedianë që ishin në rrethin e tij, të cilët vjedhin taksat e shtetit, gënjejnë dhe janë të përfshirë edhe në punë të tjera të papëlqyeshme. Ai tha se ai vetë nuk i bën punë të tilla. Tha: Unë paguaj edhe taksat, vozis taksi dhe nuk mbaj asgjë për vete në mënyrë të gënjeshtërt, e si do t’u bashkohem ahmedianëve të tillë? Jam më mirë se ata, edhe pse i besoj të gjitha bindjet tuaja. Tani, përfundimi i nxjerrë nga ky njeri është i gabuar, sepse ai do të jetë fajtor pse nuk e pranoi porosinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu i Madhërishëm do t’i kërkojë llogari atij se për sa kohë i ishte bërë e qartë e vërteta, pse e refuzoi porosinë e Zotit, vetëm duke parë disa njerëz që vepronin në mënyrë të padenjë. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt që sapo thashë, edhe ahmedianët e tillë që veprojnë në mënyrë të padenjë po bëjnë mëkatin e dyfishtë. Edhe vetë po mbeten të privuar nga bekimet e Allahut të Lartësuar dhe po i privojnë edhe të tjerët nga ato. Për të tillët Mesihu i Premtuar a.s. kishte thënë:

Janë njerëz që tregojnë përkatësinë e tyre me ne, vetëm që të na njollosin!

Kështu që, njerëzit që tentojnë ta njollosin emrin e Mesihut të Premtuar a.s., çfarë dobie do të kenë prej bekimeve të kalifatit që u nis pas tij. Njerëzit e tillë kanë nevojë të bëjnë një kontroll të tyre. Gjithashtu, dua t’u them edhe përgjegjësve që shërbejnë në Xhemat se ky bekim e bereqet që po shikoni në punën tuaj, ose kjo mundësi që Zoti po ju jep juve për t’i shërbyer, është vetëm e vetëm për shkak të lidhjes suaj me kalifatin. Puna e tij që u shkëput nga kalifati, nuk do të ketë asnjë qindarkë vlere. Nëse ndokush, duke parë rezultate të mira të punëve të tij, mendon se janë falë dijes, mendjes ose përpjekjeve të tija, ai vetëm ëndërron. Punët e fesë nuk do të kenë asnjë grimë bekimi nëse bëhen duke u ndarë nga kalifati. Siç ju kam treguar se ata që iu ndanë kalifatit, e panë rezultatin e tyre. Ditë për ditë ata po vijnë duke u pakësuar, qendra e tyre po vjen duke u shpërbërë, sistemi i tyre po bëhet gjithnjë e më e pambështetur. Prandaj, bekimet e Allahut të Madhërishëm dhe rezultatet e mbara që ju po i shikoni, janë për shkak të dashurisë dhe bindjes suaj ndaj kalifatit, sepse ky është sistemi i vendosur prej Allahut të Madhërishëm dhe për këtë arsye, çdo punë që bëhet për ta ngritur fenë e Tij, Ai e ka lidhur me kalifatin.

Pra, nëse ndonjë përgjegjës ushqen sadopak vetëpëlqim në zemrën e tij, duhet t’i kërkojë falje Zotit. Në përparimin e Xhematit Musliman Ahmedia nuk luan rol as dija e dijetarëve, as mendja e mendarëve e as zeja e zejtarëve. Në Xhemat, nëse dijetarët nga dija e tyre, nëse mendarët nga mendja e tyre dhe nëse profesionistët nga profesioni i tyre po shohin rezultate të jashtëzakonshme në përpjekjet e tyre, kjo është vetëm e vetëm falë bekimit të Zotit të Madhërishëm dhe lidhjes suaj me kalifatin, sepse Zoti jua ka premtuar këto rezultate dhe Ai po i mban premtimet. Dija, mendja dhe profesioni në punët e botës pa dyshim që hyjnë në punë, por anëtarëve të Xhematit për të pasur suksese të larta, sidomos në çështjet e Xhematit, u duhet t’i nënshtrohen kalifatit. Në të njëjtën mënyrë, edhe dijetarët e kanë për detyrë t’ua forcojnë lidhjen me kalifatin atyre që janë të anëtarësuar të rinj në Xhemat, qofshin të rinj apo fëmijë. Ata që nuk e kanë kuptuar ende rëndësinë e kalifatit, dijetarët duhet t’ua tregojnë. Po ashtu, edhe përgjegjësit e kanë këtë detyrë. Nganjëherë përgjegjës zgjidhen, marrin përgjegjësinë e tyre, por nuk dinë asgjë rreth fesë. Përgjegjësinë e tyre ata e kujtojnë sikur të jetë një punë e kësaj bote. Edhe mua kur disa njerëz më thonë: Kam këtë pozitë, kam atë pozitë, gjithmonë u them: mos thoni pozitë, por shërbim. Nëse juve ju është dhënë mundësia për t’i shërbyer fesë, zgjerojeni edhe dijen tuaj rreth fesë, shtojeni edhe sinqeritetin, forcojeni edhe besnikërinë, shtojeni edhe takuanë dhe forcojeni edhe lidhjen tuaj me kalifatin. Ka edhe përgjegjës të tillë, të cilët bëjnë çdo përpjekje për ta projektuar veten e tyre, rëndësinë e tyre, duke thënë se janë ata përgjegjës, kurse për kalifatin kujtojnë se u mjafton të festojnë një herë në vit ditën e kalifatit dhe kaq. Ju kam thënë edhe më përpara, duke iu referuar Hazret Kalifit të Dytë r.a., se rëndësia që duhet t’ia jepni kalifatit, nuk është duke dhënë akoma. Tani pasi që ju kam tërhequr vëmendjen keni filluar të mbani fjalime për rëndësinë e kalifatit, por ka nevojë që të ngulitni tek anëtarët e Xhematit që ata të dëgjojnë fjalët e Kalifit të kohës dhe të veprojnë sipas tyre, të forcojnë lidhjen e tyre me kalifatin. Ata që e kuptojnë këtë pikë, ndiejnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në veten e tyre.

Ditët e fundit, mbi 100 të rinjtë të grupmoshave të ndryshme, erdhën nga Kanadaja dhe mbi 200 nga Amerika dhe më takuan në Londër. Ndër ta ishin edhe të sapoanëtarësuar. Qëndruan tri ditë dhe pas kësaj periudhe, përshtypjet e tyre ishin befasuese. Ata shfaqnin një sinqeritet e besnikëri aq të çuditshme saqë befasoheshe duke i parë. Këto përshtypje ata i shprehën edhe pasi u kthyen në vendet e tyre, shprehën vullnetin dhe vendimin e tyre për ta ndryshuar veten, për të qenë më të përkushtuar në namazet dhe zotuan që do qëndrojnë vazhdimisht të lidhur me Xhematin, zotuan që do ta forcojnë lidhjen e tyre me kalifatin. Përpara këtij takimi ata nuk ishin në dijeni rreth lidhjes që duhet ta kishin me kalifatin dhe as nuk kishin përvojë. Është e vërtetë që me takime personale krijohet një lidhje e ndërsjellë midis anëtarëve dhe kalifit, por edhe dijetarët dhe përgjegjësit e Xhematit, në raste të ndryshme duhet ta nënvizojnë para anëtarëve rëndësinë e kalifatit. Në këtë mënyrë, do t’u forcohet besimi dhe ata do të fitojnë një gjallëri. Përgjegjësit në emër të kalifatit bëjnë përpjekje për të treguar rëndësinë e pozitës së tyre duke u thënë: jam përfaqësues i Kalifit –  ndër përgjegjësit e tillë ka edhe burra, ka edhe kryetare të grave, por këta nuk e ngulitën rëndësinë e kalifatit tek anëtarët siç duhet ta ngulitnin. Përgjegjësit e tillë, po të përpiqen për ta treguar rëndësinë e kalifatit dhe për ta forcuar lidhjen e anëtarëve me kalifatin, do të gëzojnë rëndësi edhe për vete. Pra, kjo është detyra e dijetarëve. Të gjithë duhet të bëhen krahët e Kalifit të kohës, qofshin misionarë, qofshin përgjegjës, qofshin të diturit e fesë. Veproni duke iu nënshtruar Kalifit të kohës dhe për këtë këshillojini edhe të tjerët. Është gabim të mendoni se ju mjafton t’u tërhiqni rëndësinë ndaj kalifatit vetëm një herë. Këshilla dhe rrëfimi i lidhjes ndaj kalifatit duhen përsëritur vazhdimisht. Në një fjalim të xhumasë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar misionarëve dhe dijetarëve të Xhematit u kishte dhënë një këshillë shumë të rëndësishme. Ai tha:

Çdo besimtar që ndiejnë dhimbje ndaj fesë dhe sinqeritet ndaj Xhematit, çdokush që e do që Xhemati i Zotit të Madhërishëm të shquhet anë e mbanë botës dhe Islami edhe një herë të gëzojë të njëjtin nder që kishte gëzuar në kohën e Profetit Muhammed s.a., çdokush që do që përpjekjet e Mesihut të Premtuar a.s. për këtë punë të mos shkojnë kot, e ka për detyrë të bashkëpunojë ditë e natë me Kalifin dhe të qëndrojë i angazhuar për ta përmirësuar Xhematin. Nëpër dasma në disa vende ka traditë që të ftuarve u hedhin ca karamele me fruta të thata dhe të ftuarit hapin krahët për t’i marrë ato. Edhe Kalifi kur u thotë diçka anëtarëve të Xhematit për edukimin e tyre, në këtë mënyrë ata duhet ta pranojnë fjalën e tij dhe ta përsërisin para anëtarëve të Xhematit aq shumë saqë edhe njeriu më i dobët nga mendja ta kuptojë atë dhe të fillojë të praktikojë fenë në mënyrë të mirë.

Allahu i bëftë anëtarët, dijetarët dhe përgjegjësit e Xhematit që ata jo vetëm të dëgjojnë fjalët e Kalifit, por edhe të veprojnë sipas tyre. Të mos bëhen si ata që mendojnë se e kanë kryer përgjegjësinë vetëm duke festuar ditën e kalifatit, duke treguar besnikërinë e tyre ndaj tij apo duke uruar për ditën e kalifatit. Allahu i Madhërishëm na bëftë që ne ta mirëmbajmë bekimin e kalifatit ashtu siç e do Ai.

 


[1] Kurani Famëlartë 62:4

[2] Kurani Famëlartë 24:56.

[3] Po aty.

Share via