Progresi i Ahmediatit gjatë vitit 2013, sakrifica financiare dhe Uekf-e-Xhedidi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Progresi i Ahmediatit gjatë vitit 2013, sakrifica financiare dhe Uekf-e-Xhedidi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshahudit, t’auidhit dhe të sures El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Më së pari dua t’ju uroj një vit të bekuar juve dhe gjithë ahmedianëve kudo që jetojnë në botë. Edhe mua po më vijnë urimet nga organet e Xhematit, nga Xhemate të ndryshme nga individë të ndryshëm. Gjithëve qoftë ky një vit i bekuar. Ju uroj me duan që Zoti i Madhërishëm na e bëftë këtë vit të mbushur me bekimet, mirësitë dhe favoret e Tij më shumë se përpara. Kjo është dhe duhet të jetë lutje e çdo ahmediani, sepse vetëm urime tradicionale bëjnë ata që janë dhënë pas botës materiale. Por, edhe urimet tona edhe lutjet tona do të jenë të kota, nëse ne nuk do t’i aktivizojmë aftësitë që Zoti na dha për t’i mbledhur bekimet e Tij; nëse nuk përpiqemi për të vepruar sipas porosive të Tij. Nuk mjafton vetëm falja jonë, namazi ynë nafil gjatë natës së Vitit të Ri, derisa bashkë me faljen e nafileve, nuk ndërgjegjësohemi për t’u përpjekur gjithnjë për ta vazhduar faljen e nafileve; derisa nuk e përmirësojmë standardin tonë të adhurimeve për të tërhequr bekimet e Zotit; derisa nuk përpiqemi në jetën tonë për të bërë çdo punë vetëm për të fituar pëlqimin e Zotit. Nëse kemi filluar vitin e ri para dy ditësh me këtë frymë dhe i urojmë njëri-tjetrit me këtë ndjenjë, ne patjetër do të mbledhim bekime, mëshirë dhe mirësi të shumta të Zotit të Madhërishëm. Allahu bëftë që çdokush nga ne ta ketë këtë mendim, e nëse dikush nuk e ka, Zoti ia mundësoftë. Pikërisht ky mendim na bënë edhe mirënjohës ndaj Zotit për bekimet e Tij të mëparshme; na bën që të përulemi para Tij për favoret dhe mirësitë e Tij të mëdha, të cilat Ai na bëri vetëm e vetëm duke na mëshiruar. Në fakt, përulja jonë duke qenë të sinqertë është pikërisht edhe qëllimi i krijimit tonë, që Zoti i Madhërishëm Vetë na tregoi. Ky është ai shpirt që duhet të veprojë mbrapa urimeve tona.

Kur bëjmë një analizë të vitit të kaluar, pra të 2013-së, edhe pse Xhemati ka pasur vështirësi, shohim bekime të pafundme të Zotit që Ai i bëri Xhematit tonë. Nëse duam që këto bekime të vijojnë, atëherë edhe ne duhet të punojmë me përulësi, dashuri dhe me lutje. Në veçanti u them përgjegjësve ose atyre që kanë ndonjë post në Xhemat. Më së pari ata duhet të përvetësojnë përulësinë, modestinë e të punojnë me lutje. Disa njerëz gëzohen vetëm duke marrë poste në Xhemat. Edhe pse pohojnë se Zoti u jep mundësi t’i shërbejnë Xhematit, por duhet të dinë se detyrën e këtij shërbimi ata mund ta përmbushin atëherë, kur as në imagjinatën e tyre më të largët të mos ekzistojë dëshira për të gëzuar ndonjë post, madje të ketë dëshirë vetëm t’i shërbejnë besimit, pra shërbimin ndaj besimit ta konsiderojnë si bekim të Zotit. Ata nuk duhet të lejojnë që në zemrat e tyre të lindë egoizmi, vetëpëlqimi apo mburrja. Ata që gjithmonë punojnë me përulësi, edhe Zoti ua bekon punët pafundësisht, edhe bashkëpunëtorët e tyre punojnë me sinqeritet të plotë duke i shërbyer Xhematit, edhe anëtarët e Xhematit i presin me zemër e me shpirt. Allahu bëftë që gjithë përgjegjësit ose ata që shërbejnë në Xhemat të krijojnë përulësi, modesti, sinqeritet në veten e tyre e të punojnë me lutje më shumë se përpara. Kur do të ndodhë kjo, vetëm atëherë ata mund të bëhen ndihmëtarë të fuqishëm të Kalifit të kohës.

Dua t’u them edhe anëtarëve të Xhematit që edhe ata besnikërisht t’u japin përparësi punëve të Xhematit mbi çdo punë tjetër, në mënyrë që ne gjithmonë të shohim pamjet e ndihmës së Zotit të Madhërishëm. Siç e di çdo ahmedian që detyra jonë është ta vijojmë misionin e Mesihut të Premtuar a.s.; ta vijojmë detyrën e tij që ai ka marrë për të përhapur Islamin në mbarë botën; të mbledhim muslimanët e shpërndarë; ta sjellim botën nën flamurin e njëshmërisë së Zotit. Me bekimin e Zotit, Xhemati Musliman Ahmedia po i bën këto detyra. Xhemati po ndërton shtëpi misioni, xhami, bën përhapjen e mesazhit, botimin e literaturës dhe përhapjen e saj, përgatitjen e misionarëve, dërgimin e tyre në vende të ndryshme etj.

Siç ju tregova se sipas fjalës së Zotit, qëllimi i krijimit tonë është adhurimi ndaj Zotit. Namazi është i detyruar për çdo musliman dhe burrat muslimanë janë të obliguar të falin namzet me xhemat në xhami. Një ndër bekimet e panumërta që Zoti i Madhërishëm i bëri Xhematit tonë është edhe ndërtimi dhe popullimi i xhamive në vende të ndryshme të botës. Xhamitë janë ndërtuar edhe në Europë, edhe në Australi, edhe në vendet e Lindjes së Largët, por në këtë kuadër më shumë punë është bërë në Afrikë e në Indi.

Do t’ju jap një përmbledhje të shkurtër të kësaj. Gjatë vitit 2013, me bekimin e Allahut të Madhërishëm, Xhemati ka ndërtuar 136 xhami të mirëfillta. Në Indi janë ndërtuar edhe xhami të përkohshme me dhoma apo salla që kanë çati prej druri ose llamarine. Kjo për shkak të nevojës së ngutshme që ekziston në ato vende. Të tilla xhami janë ndërtuar 22. Përveç këtyre, Xhemati gëzoi 258 xhami të reja. Xhemati i gëzoi do të thotë se, në shumë vende, përmes përhapjes së mesazhit të Xhematit, bashkë me njerëz të ndryshëm e kanë pranuar Xhematin edhe imamët e tyre dhe bashkë me imamët edhe xhamitë e tyre erdhën në Xhemat.

Siç ju tregova që më shumë punë është bërë në Afrikë dhe në Indi. Për 158 xhami që fola pak më herët, 102 prej tyre janë ndërtuar në Afrikë. Përveç kësaj, po në Afrikë 41 xhami të tjera janë nën ndërtim. Edhe në vende të tjera janë ndërtuar dhe po ndërtohen xhami.

Në të njëjtën mënyrë vijon edhe ndërtimi i shtëpive të misionit. Gjatë vitit të kaluar janë ndërtuar 121 shtëpi misioni, 77 prej të cilave janë ndërtuar në Afrikë, ndërsa 5 në Indi. Edhe India është një vend shumë i madh, ndërsa Afrika është kontinent më vete. Në Afrikë, Xhemati ynë po përhapet më shumë në 7-8 vende të pjesës lindore e perëndimore. Elhamdulillah, po bëhet mjaft punë atje.

Siç ju thashë që detyra jonë është ta përhapim mesazhin e Islamit në mbarë botën e ta shpërndajmë mësimin e bukur të Islamit, në mënyrë që bota ta njohë atë. Misionarët tanë, me bekimin e Allahut të Madhërishëm, janë të angazhuar në përmbushjen e kësaj detyre. Përveç tyre, edhe nëpërmjet turneve që unë bëj, krijohen mundësi për ta përhapur deri diku mesazhin e Xhematit dhe mësimin e Islamit, në vende të ndryshme. Misionarët më pas e vijojnë këtë punë. Prej tyre ka edhe të tillë që vazhdimisht shkruajnë artikuj në gazeta kombëtare. Disa prej tyre shkruajnë duke iu referuar edhe fjalimeve të mia, duke treguar mësimet e bukura të Islamit. Në këtë mënyrë pra, me bekimin e Allahut të Madhërishëm, po përhapet mesazhi. Gjatë vitit të kaluar, kjo punë është zgjeruar jashtëzakonisht shumë. Unë edhe më herët kam treguar për ndikimet e turneve të mi. Në turneun tim që kam bërë në Amerikë, mesazhi i Xhematit ka shkuar deri te më shumë se 12 milionë njerëz. Në turneun e Kanadasë, kisha vizituar dy vende dhe përmes këtyre vizitave, mesazhi i Xhematit ka shkuar deri te 8.5 milionë njerëz. Pra, në këto dy vende mesazhi i Xhematit është përhapur deri te 20 milionë njerëz. Në këtë mënyrë, Zoti i Madhërishëm e bekoi Xhematin pafundësisht. Janë çelur rrugë të reja të përhapjes së mesazhit të Ahmediatit përmes këtyre vizitave, të cilat i kanë zgjeruar më tej edhe misionarët. Misionarët aktivë kanë një zell për ta vijuar këtë punë dhe me bekimin e Zotit të Madhërishëm, ata gëzojnë suksese të mëdha. Po kështu, janë bërë dy vizita në Gjermani. Janë vënë gurthemelet për xhami të reja dhe unë mora pjesë edhe në Xhelasa Salanën e Gjermanisë. Mbulimi që iu bënë gazeta, radio, televizione të ndryshme, nuk u kufizua vetëm brenda Gjermanisë, por u përhap edhe në Austri e Zvicër. Në vizitat e Gjermanisë mesazhi i Xhematit është përhapur deri te 4 milionë njerëz.

Më pas vizitova vendet e tjera si Singapori, Australia, Zelanda e Re, Japonia. Edhe atje mesazhi i Xhematit është përhapur gjerësisht dhe siç ju kam treguar më herët që deri në 30 milionë njerëz e kanë marrë mesazhin e Xhematit.

Pra, e gjithë kjo u bë falë bekimit të Allahut të Lartësuar dhe që nuk mund të bëhej asnjëherë me përpjekje njerëzore. Sa për të ditur se çfarë mund të bëjnë përpjekjet tona, ju tregoj një ngjarje. Sekretari i punëve të jashtme të Xhematit të Australisë, gjatë vizitës sime, kishte organizuar një intervistë që do ta merrte gazetar i një gazete të provincës ku gjendej Xhemati. Gazetari i kishte premtuar të vinte, por në kohën e caktuar kërkoi falje për pamundësinë për të ardhur. Pra, përpjekjet tona dështuan, por menjëherë Xhemati kontaktoi një gazetë tjetër, e cila nuk ishte provinciale, por kombëtare. Gazetari i saj sikur të ishte në pritje për telefonatën e Xhematit. Brenda 15 minutash ai erdhi dhe mori intervistën time. kjo padyshim ishte bërë e mundur falë bekimit të Zotit të Madhërishëm, përndryshe anëtarët e Xhematit nuk prisnin që ndonjë gazetë kombëtare e Australisë të interesohej për Xhematin. Më pas ajo intervistë edhe u botua në atë gazetë. Edhe në historinë e Gjermanisë, për herë të parë lajmi i Xhematit u transmetua në një televizion kombëtar. Lajmet e Xhematit u transmetuar në televizionet kombëtare dhe ndërkombëtare edhe të Australisë, të cilat janë transmetuar në 46 vende të botës. Lajmi i Xhematit u transmetua edhe në televizionin kombëtar të Zelandës së Re. Mesazhi i Xhematit u transmetua në televizionin kombëtar të fisit Mauri.

Një gazetë japoneze që ka tirazhin 20 milionë kopje, botoi intervistën time dhe jo vetëm kaq. Më pas e njëjta gazetë intervistoi edhe Misionarin e Xhematit dhe e botoi për herë të dytë edhe intervistën time, në të cilën u isha përgjigjur pyetjeve të ndryshme rreth Islamit. Ajo gjithashtu botoi lajme edhe për xhaminë tonë që po ndërtohet në Japoni. Me bekimin e Zotit, kemi gjetur një vend të gjerë e të përshtatshëm, ku ka qenë e ndërtuar një sallë, pozicioni i së cilës rastësisht është në drejtimin e Kibles. Për këtë arsye, nuk do të kemi shumë punë për ta riformuar godinën ekzistuese. Pra, me ndërtimin e kësaj xhamie, mesazhi i Isalm-Ahmediatit po përhapet edhe në Japoni. Kjo xhami dhe kjo vizitë e imja nuk shkaktuan vetëm një njohje të përkohshme të Xhematit, por interesimi i tyre është rritur dhe për këtë arsye, siç ju tregova që, edhe misionari i Xhematit u mor në intervistë. Pra, kemi bekime të pafundme të Zotit të Madhërishëm.

Gjatë vizitave të mia, nëpërmjet stacioneve radio dhe televizioni, mesazhi i Xhematit është përhapur deri në 182 milionë e 600 mijë njerëz. Po ashtu, gjatë vitit që kaloi, nëpërmjet gazetave, zëri i Xhematit ka shkuar deri te më shumë se 160 milionë njerëz. Kjo padyshim është mirësia dhe bekimi i Zotit të Madhërishëm që organizoi kaq gjerësisht përhapjen e mesazhit të Ahmediatit, të Islamit të vërtetë.

Punët që po bëhen në Afrikë në këtë kuadër janë shtesë. Edhe atje, miliona njerëz dëgjuan mesazhin e Islamit nëpërmjet medias. Për shembull, televizioni shtetëror i Ganës, Ghana Broadcasting Corporation, ka filluar të japë programe të kanalit tonë, pra të MTA-së. Televizioni në fjalë transmetoi programet e Xhelsa Salanës së 2013. Këto emisione, përmes satelitit shikohen edhe në vendet fqinj.

Në mënyra të jashtëzakonshme Zoti i Madhërishëm po na hap rrugë të reja të përhapjes së mesazhit të Islamit të vërtetë. Në pritje të ndryshme që janë organizuar vitin e kaluar, në të cilat kam mbajtur fjalime, morën pjesë një sërë figurash politike dhe të sferave të ndryshme, që u njohën me mësimin e vërtetë të Islamit. Për ta kjo ishte befasi. Pra, ata nuk e njihnin këtë pamje të bukur të Islamit. Pra, cilin bekim të Zotit ta numërojmë e cilin ta lëmë?! E megjithatë, disa njerëz me mendime hipokrizie, edhe pse të tillët janë shumë pak, përhapin fjalë duke thënë se kjo pritje ishte organizuar falë filanit, ajo pritje ishte organizuar nga kaq shumë shpenzime etj. etj. Ata le ta dinë se aspak s’ka nevojë për ndonjë njeri për të përhapur mesazhin e këtij Xhemati, sepse kjo punë po bëhet me mirësinë e Zotit të Madhërishëm dhe as nuk bëhet shpenzime siç thonë ata. Anëtarët e Xhematit duhet të kenë kujdes nga njerëzit e tillë që përhapin thashetheme të tilla, sepse ata tentojnë ta bëjnë këtë punë me shumë dinakëri. Si mund të bëhej vallë një përhapje kaq e gjerë e mesazhit tonë me përpjekje të ndonjë njeriu?! Kjo u realizua vetëm e vetëm falë bekimit të Zotit të Madhërishëm. Nëse nuk do ta donte Ai, nuk mund të bëhej kjo, edhe sikur të përpiqeshim më shumë sesa që kemi bërë. Madje, disa herë ka ndodhur që personalitete të larta, për t’i takuar të cilët, njerëzve u duhet të bëjnë shumë përpjekje, kanë shprehur dëshirë për të më takuar dhe unë për shkak të ndonjë angazhimi tjetër, disa herë edhe i refuzova. E më pas ata kërkuan dhe insistuan t’u jepej mundësia. Anëtarët e Xhematit janë dëshmitarë të këtyre fakteve. Prandaj, nëse dikush mendon se mesazhi i Xhematit përhapet për shkak të ndonjë njeriu, apo për shkak të takimit me ndonjë njeri, ai gabon krejtësisht. Është vetëm bekimi i Zotit që Ai po na bën dhe pikërisht ky ishte edhe premtimi i Tij me Mesihun e Premtuar a.s., në të cilin Ai tha: “Unë do ta çoj mesazhin tënd deri në skajet e botës”. Vetë Zoti në të vërtetë e çon mesazhin, e jo njeriu. Çdo ahmedian duhet të mbajë në mend se ne as nuk kemi punë me ndonjë lider apo njeri të kësaj bote, as nuk na duhet ndihma e tij. Mbështetja jonë është te Zoti i Madhërishëm. Ai është Kujdestari ynë. Ai është Ndihmëtari ynë, i cili na tregon pamje të jashtëzakonshme të përparimit të Xhematit.

Ky përparim i ka shqetësuar jashtë mase hoxhallarët dhe liderë të tjerë në Afrikë. Ata nuk gëzohen nga fakti se njerëzit po bashkohen nën flamurin e Profetit Muhammed s.a., por shqetësohen se përse njerëzit po bëhen muslimanë të vërtetë përmes Xhematit Musliman Ahmedia. Fakti që muslimanët po largohen nga bindja e të ashtuquajturit xhihad të tyre, i shqetëson shumë. Ata duan të përhapin “islamin” e tyre të vrazhdë e të dhunshëm, mirëpo Xhemati po sjell Islamin e vërtetë që është larg dhunës dhe trazimit. Kjo nuk i lë rehat këta të ashtuquajturit dijetarë.

[Hazuri ka treguar ngjarje të ndryshme besimnxitëse në kuadër të kësaj, të cilat mund t’i dëgjoni në video. Më pas Hazuri vijoi]

Sidoqoftë, sa më shumë që Xhemati ynë po përparon, sa më shumë që na zbresin bekimet e Zotit të Madhërishëm, aq më shumë po shtohen edhe kundërshtime dhe ato do të shtohen. Ne nuk shqetësohemi nga ato, e as që duhet shqetësohemi. Në fatin e tyre është shkruar vetëm disfata dhe dështimi. Nëse duhet të shqetësohemi për ndonjë gjë, ajo është që si duhet ta forcojmë besimin tonë më shumë se përpara, që të tërheqim bekimet e Zotit të Madhërishëm më shumë përpara. Ne duhet të përpiqemi më shumë se përpara për ta përmbushur misionin e Mesihut të Premtuar a.s.. Ne duhet të bëjmë lutje më shumë se përpara. Mbusheni pra këtë viti me lutje. Aq shumë koncentrohuni në istigfar e në selavate, që Zoti i Madhërishëm gjithmonë të na shohë me shikimin e mëshirës së Tij e të shtojë edhe prurjen e bekimeve të Tij drejt nesh, që Zoti i Madhërishëm çdo intrigë të armikut t’ia kthejë armikut, që Zoti i Madhërishëm të flakë në ajër çdo armik e çdo armiqësi, që Zoti i Madhërishëm të na dërgojë bekimet e Tij mbi ne më shumë se përpara. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Zoti ka lënë fuqi të mëdha në lutje. Përmes shpalljeve të Tij të përsëritura, Zoti i Madhërishëm këtë ma tha se gjithçka që do të ndodhë,  do të ndodhë vetëm me anë të lutjes. Arma jonë është duaja dhe lutja dhe përveç saj nuk kemi ndonjë armë tjetër.

Pra, këtë armë ne duhet ta përdorim edhe sot. Allahu na mundësoftë ne që ta përdorim atë siç duhet.

[Hazuri ka treguar ngjarje të ndryshme të sakrificës financiare nga anëtarët e Xhematit, të cilat janë besimnxitëse për ne dhe që mund t’i dëgjoni në video. Duke treguar një ngjarje, Hazuri tha]

Inspektori i Uekf-e-Xhedidit të Asnurit të Kashmirit thotë se në Xhematin e tij ka një anëtar, tek i cili sa herë të shkojë, ai tregon ndonjë mirësi të Zotit dhe jep kontribut nga ana e tij. Këtë herë ai tha se ai pati mundësi t’u mësonte shumë të rinjve të varfër zanatin e tij, të cilët, tashmë jo vetëm që ushtrojnë zanatin, madje konkurrojnë me të. Ai thotë “Le të konkurrojnë me mua në tregti e Zoti u dhëntë bereqet në tregtinë e tyre, por ata duhet të konkurrojnë me mua edhe në dhënien e kontributeve në Xhemat. Thotë se unë kam kaq shumë bereqet saqë malli im kur shkon në treg, Allahu vetë e bekon.

Pra, ka ngjarje të panumërta të sakrificave financiare nga ana e burrave dhe grave ahmediane. Ahmedianët e vendeve të varfra edhe pse përfitojnë nga kontributet e ahmedianëve të vendeve pasura, por edhe ata vetë kontribuojnë jashtëzakonisht shumë. Po përpiqen maksimalisht të ngrihen në këmbët e tyre, gjë që është e dukshme edhe në këto ngjarje që ju tregova. Ahmedianët i bëjnë gjithë këto përpjekje për sakrificat financiare me shpirtin që është mësuar në Kuranin Famëlartë në lidhje me këtë, të cilin, ua ka treguar Mesihu i Premtuar a.s.. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Njeriu e do shumë paranë në këtë botë. Prandaj është shkruar edhe në Tabirur Ruja (Librin e komentimit të ëndrrave) që nëse ndokush sheh në ëndërr që ai nxjerr zemrën e tij dhe ia jep dikujt, do të thotë i jep paratë. Dhe po për këtë arsye, edhe Kurani Famëlartë atë e ka lënë si kusht për të gjetur takuanë dhe besimin e vërtetë duke thënë:

لَنۡ تَنَالُوا الْبِرَّ حَتّٰی تُنۡفِقُوۡا مِمَّا تُحِبُّوۡنَ

“Ju kurrsesi nuk mund ta gjeni mirësinë e vërtetë, derisa nuk e shpenzoni atë që e doni më së shumti”.

(Kurani Famëlartë 3:93)

Dashamirësia ndaj krijesave të Zotit dhe kërkimi i pëlqimit të Zotit kërkojnë të shpenzosh mjaftueshëm pasurinë tënde. Dashamirësia ndaj njerëzve, të cilët janë krijesat e Zotit, është gjysma e besimit, pa të cilën besimi nuk mund të forcohet dhe nuk mund të përsoset. Derisa njeriu nuk sakrifikohet për tjetrin, si mund t’i sjellë atij ndonjë dobi?! Sakrifikimi për dobinë e tjetrit është një gjë e domosdoshme dhe për këtë është dhënë mësim në ajetin që thotë: “Ju kurrsesi nuk mund ta gjeni mirësinë e vërtetë, derisa nuk e shpenzoni atë që e doni më së shumti”. Prandaj, edhe shpenzimi i pasurisë në rrugën e Zotit është një kriter dhe standard i rëndësishëm i takuasë. Ky standard, në jetën e Ebu Bekrit ishte ai që kur iu bë thirrje nga i Dërguari i Allahut s.a. për kontribut, ai i kishte sjellë gjithçka që kishte në shtëpi.

Zoti u dhëntë pafundësisht bereqet në jetët e në pasuritë gjithë sakrificëbërësve dhe gjithë atyre që e kuptojnë këtë shpirt të sakrifikimit.

Do të doja t’ju tregoja edhe raportin vjetor të arkës së Uekf-e-Xhedidit për vitin e kaluar. Viti i kaluar i kësaj arke ka qenë viti i 66-të. Me 2014-n shpall vitin e ri të saj, që do të jetë viti i 67-të. Gjatë vitit të kaluar, anëtarët e Xhematit kanë kontribuuar ₤5,484,000 paund britanikë në këtë arkë, që janë ₤466,000 më shumë se që ishte kontribuuar në vitin e mëparshëm. Këtë vit, Xhemati i Britanisë së Madhe zuri vendin e parë. Kjo do të thotë se ai zuri vendin e parë në garën ku përfshihet edhe Xhemati i Pakistanit. Më përpara ju tregoja vendet e para pas Pakistanit. Por, sivjet Xhemati i Anglisë e kaloi edhe Pakistanin dhe pas tij vijnë me radhë vendet (2) Pakistani, (3) Amerika e më pas vijnë Gjermania, Kanadaja, India, Australia, Indonezia një vend i Lindjes së Mesme dhe Belgjika.

Me bekimin e Zotit, Xhemati i Anglisë ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë. Zoti u dhëntë bereqet gjithë kontribuuesve në pasuritë e në jetët e tyre. Ndërsa Amerika dhe Gjermania tashmë kanë mbetur shumë mbrapa. Poqë se duan ta parakalojnë Anglinë, ato duhet të mundohen shumë. Por, edhe Anglisë i duhet të mundohet shumë për ta mbajtur këtë pozicion deri në vitin e ardhshëm, sepse ajo ka bërë një hedhje shumë të gjatë.

Disa njerëz, ndoshta mund të më këshillojnë që t’u bëj thirrje ahmedianëve imigrantë pakistanezë që ata t’i ndihmojnë vëllezërit e tyre të Pakistanit në kontribut, në mënyrë që ata sërish të zënë vendin e parë. Sepse edhe gjatë kohës së Kalifit të Katërt Pakistani kishte kaluar në vendin e dytë dhe ai kishte bërë një thirrje të tillë dhe Xhemati i Pakistanit kishte arritur ta merrte sërish vendin e tij të parë. Por unë nuk do ta bëj këtë thirrje. Le të mbetet pozita e çdokujt ajo që i ka dhuruar Zoti i Madhërishëm. Le të përpiqen të gjitha Xhematet për veten e tyre. Megjithatë, Pakistani ka një status të lartë, sepse, duhet të keni parasysh se ka rënë skajshmërisht vlera e rupisë pakistaneze, prapëseprapë Xhemati i Pakistanit ka sakrifikuar aq shumë saqë arrti ta zinte këtë pozitë dhe, së dyti, ahmedianët e Pakistanit po përndiqen aq shumë saqë u janë prishur tregtitë. Pra, edhe pse ekzistojnë këto vështirësi, ata kanë sakrifikuar kaq shumë. Zoti u dhëntë bereqet gjithë kontribuuesve në pasuritë e në jetët e tyre, ua largoftë vështirësitë dhe u krijoftë lehtësi. Me ndjenjën që kontribuojnë ahmedianët e Pakistanit sapo të përmirësohen, nuk është larg që ta rimarrin vendin e tyre përsëri, pa pasur ndonjë ndihmë nga jashtë. Megjithatë, duhet thënë se Zoti ia bekoftë Xhematit të Anglisë hedhjen e gjatë që ka bërë këtë vit. Jam i bindur që Sekretari i Uekf-e-Xhedidit të Anglisë, po ashtu edhe Amir sahibi kanë shumë punë me lutje e përpjekje për ta ruajtur këtë pozitë deri në vitin tjetër.

Tani do t’ju tregoj edhe emrat e xhemateve të mëdha sipas kontributit për person: Një xhemat i Lindjes së Mesme [₤93], Amerika [₤83], Zvicra [₤61], Belgjika [₤47], Britania e Madhe [₤45]. Në Xhematin e Britanisë së Madhe, si duket është rritur numri i kontribuuesve, prandaj i ka parakaluar të tjerët. Pastaj vijnë Australia [₤39], Franca [₤38], Kanadaja [₤32], Japonia [₤30], Singapori, Gjermania dhe Norvegjia [₤29].

Numri total i kontribuuesve në Uekf-e-Xhedid në vitin që kaloi është 1,044,720. Shumica prej tyre janë ahmedianë të sapoanëtarësuar të Afrikës, po ashtu edhe fëmijët. Por, nga viti i ardhshëm, u them xhemateve të Afrikës që të më dërgojnë edhe listën e kontribuuesve, edhe sikur të paguajë dikush 10 pencë, në mënyrë që të di se sa kontribuues ka secili vend.

Për sa i përket shtimit të numrit të kontribuuesve këto xhemate janë sipas radhës: Burkina Faso, Benini Sierra Leone, Gambia, Nigeri, Bregu i Fildishtës, dhe Tanzania. Për sa u përket kontributeve, në Afrikë janë këto xhemate: Nigeria, Ghana dhe Mauritiusi.

Tri xhematet e para të Pakistanit janë: Lahori, Rabwah, and Keraçi.

Rrethet (distriktet) e para për kontribuuesit e rritur në Pakistan janë: Sialkot, Ravalpindi, Islamabad, Faisalabad, Sargodha, Guxhranvala, Gujrat, Multan, Naroval and Haiderabad.

Tri xhematet e para të Pakistanit për kontribuuesit e mitur janë: Lahori, Keraçi dhe Rabwah. Ndërsa distriktet janë: Sialkot, Rawalpindi, Islamabad, Faisalabad, Gujranwala, Sargodha, Gujrat, Narowal, Multan and Nankana Sahib.

Dhjetë xhematet e para të Anglisë për nga kontributet janë: Birmingham West, Gillingham, Raynes Park, Masjid Fazal, Worcester Park, Hounslow North, Wimbledon, Bradford South, Balham, New Malden.

Pozicionet sipas rajonit janë: Middlesexi në vendin e parë, pastaj Londra, Midlandi.

Xhematet e vogla të Anglisë që janë në vendet para janë: Aspen valley, Bramley, Lewisham, Devon, Cornwall dhe Northampton.

Dhjetë xhematet e para të Amerikës për nga kontributet janë: Los Angeles, Inland Empire, Silicon Valley, Detroit, Seattle, L A East, Central Jersey, Silver Spring, Central Virginia, Dallas dhe Boston.

Pesë xhematet e para të Gjermanisë janë: Hamburgu, Frankfurti, Gross Grau, Darmstad dhe Wiesbaden.

Dhjetë xhematet e para të Gjermanisë për nga kontributet në tërësi janë: Rödermark, Nida, Friedburg, Mainz, Folda, Nouis,… Koblenz… Koln.

Xhematet e mëdha të Kandasë që kontribuuan më shumë janë: Calgary, Peace Village, Vaughan dhe Vancouver.

Xhematet e vogla të Kandasë që kontribuuan më shumë janë: Edmonton, Durham, Ottawa, Saskatoon South, Milton.

Distriktet e para të Indisë për nga kontributet janë: Kerala, Jammu Kashmir, Andhra Pardesh, Tamil Nadu, West Bengal, Orissa, Karnatak, Qadian Punjab, Maharashtra, New Delhi, Uttar Pardesh.

Xhematet e para të Indisë për nga kontributet janë: Keralai, Calicut, Kannur Town, Hyderabad, Qadian, Kolkata, Chenai, Payangari, Bangalore, Rishi Nagar, Pathapiriyam,… Kerang.

Zoti i begatoftë pafundësisht gjithë sakrificëbërësit.

Pas namazit të xhumasë do të udhëheq një xhenaze gaib që është e të nderuarit Jusuf Letif sahibit që ishte nga Bostoni i Amerikës. Ai ndërroi jetë më 23 dhjetor të vitit 2013 në moshën 93 vjeçare.

اِنَّا لِلہِ وَ اِنَّاۤ اِلَیۡہِ رٰجِعُوۡنَ  (Ne jemi të Zotit dhe tek Ai do të kthehemi)

Jusuf Letif sahibi lindi më 9 tetor të vitit 1920 në Tennessee të ShBA-ve. Xhematin Ahmedia e kishte pranuar në vitin 1948, pasi kishte lexuar librat e Mesihut të Premtuar a.s. dhe të Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar r.a.. Shpesh thoshte se ishte detyra ime që ta pranoja Xhematin, të cilën nëse nuk do ta bëja, do të quhesha mohues i së vërtetës para Zotit të Madhërishëm. Ai kishte mbaruar doktoratën për edukim dhe kishte shërbyer si profesor në universitete të ndryshme. Është autor i disa librave, ndër të cilët është edhe një autobiografi. Për shkak të famës që kishte, lajmi i vdekjes së tij menjëherë u përhap në gjithë Amerikën, madje në të gjithë botën. Presidenti Bill Clinton kur e kishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë, ai kishte shkuar me veshje islamike si ato të pakistanezve, pra me shelvar-kemiz, edhe pse ishte afriko-amerikan. Ai mori çmimin më të madh, i cili, në profesionin e tij, është i barabartë me çmimin Nobel. Ngaqë ishte ahmedian, kurrë nuk bëri kompromis kundër besimit dhe fesë. Ka lënë një korpus të gjerë intelektual për muzikën. Por, kurrë nuk merrte pjesë në festime apo ceremoni ku shërbehej pije alkoolike. Ai kishte bërë edhe haxhin, edhe umranë. Kontribuonte jashtëzakonisht shumë në sakrificat financiare. Sekretari i financës së qytetit të tij thotë se sa herë që i vinte çeku i rrogës, më së pari jepte kontributet e tij të zakonshme të Xhematit dhe shpesh thoshte se unë edhe sot besoj në vërtetësinë e Xhematit Musliman Ahmedia që kjo është rruga e Profetit Muhammed s.a., ashtu siç besoja ditën kur kam bërë bejt dhe jam anëtarësuar në Xhemat. Dhe thoshte: Kam bindje të plotë që duke e ndjekur këtë rrugë, gjithë familja ime do ta gjejë shpëtimin. Ai besonte dhe përhapte që Ahmediati mëson për të forcuar vëllazëri në gjithë njerëzimin. Ai kishte vizituar edhe Kadijanin e Rabvanë. Ka qenë edhe në Xhalsa Salanën e Anglisë të vitit të kaluar. Ishte i sëmurë dhe përdorte karrocë. Ai pati rastin ta takonte edhe Kalifin e Tretë, edhe Kalifin e Katërtë të Mesihut të Premtuar. Rregullisht vinte në Xhemat për namazin e xhumasë. Ishte shumë i butë në natyrë dhe me çdokënd sillej me dashuri e butësi, jo vetëm me ahmedianët, por edhe me miqtë e tij joahmedianë. Ai pati rastin t’i shërbejë Xhematit për një kohë të gjatë me poste të ndryshme. Kishte zell të madh për ta përhapur mesazhin e Xhematit. Shpesh shpërndante literaturën e Xhematit në fqinjët, njerëzit farefis dhe shokët. Gjithmonë mbante broshura në xhep. Aq shumë e donte këtë punë saqë i merrte broshura në udhëtimet e tij dhe kur shkonte në avion ua jepte edhe pasagjerëve të tjerë. Me shpenzimet e tij kishte botuar librin “Filozofia e mësimeve të Islamit” për të verbrit dhe po ashtu libra të tjerë për fëmijë. Ai kishte bërë edhe vasijat (kishte bërë dedikimin që 1/10 e të ardhurave të tij t’i shkojë Xhematit). Ai la pas bashkëshorten, të nderuar Ajesha Letifin dhe një djalë Jusuf Letifin. Allahu të gjithëve u dhëntë durim dhe kurajë dhe i mundësoftë edhe ata që të ndjekin mirësitë e të ndjerit.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp