Rrëfimi i një hallexhiu – Si i pranohet lutja?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
rrëfimi

Ai ishte në një hall të vërtetë. Mjekët i kishin prerë kohën për jetë jo më gjatë se tre muaj. Po mbetej i pashpresë dhe nuk dinte çfarë të bënte. As nuk mundej t’i shpëtonte ankthit që e gërryente se ai shumë shpejt do të largohej nga kjo botë. Vendosi të shkonte në xhaminë e madhe, e përulësisht  t’i bënte kërkesë Zotit për t’ia zgjatur jetën. Një gjë ishte e qartë për të: të gjitha jetët janë në dorën e Zotit.

Ishte namazi i sabahut i një dite pranvere, kur ai iu bashkua xhematit dhe fali namazin. Sapo falja kishte mbaruar, ai pa imamin që ia kishte mësyrë derës për të dalë nga xhamia. Brofi nga vendi, e ndaloi imamin që po ecte dhe i dha një letër prej vetëm disa fjalësh, që tregonin se ai ishte hallexhi, e që  nuk i kishte mbetur shumë ditë për të jetuar, andaj kërkonte lutje. Imami i hodhi një sy shënimit për disa çaste dhe u kthye përsëri te podiumi. Ai e njoftoi xhematin që, ndër ta është një vëlla që është shumë i shqetësuar dhe kërkon lutjet e tyre. – “Le të bëjmë së bashku një lutje për të”, u tha imami dhe ngriti duart, dhe kështu e bënë gjithë të tjerët. Të gjithë po i luteshin Zotit, në heshtje. Edhe ai që vuante nga ankthi, filloi të lutej bashkë me ta, për jetën e vet.

Ai thotë që në momentin kur kishte filluar të lutej për veten, një ndjenjë qetësie dhe kënaqësie i përshkoi në gjithë trupin e tij, sikur lutjet po pranoheshin. Kurrë nuk e kishte përjetuar një gjë të tillë. Ai ndiente që shqetësimi i largohej. Zoti ia kishte dëgjuar lutjet dhe ai do të bëhej mirë. Ai kishte mbaruar lutjet për vete, por imami ende vazhdonte të lutej, sikur që edhe xhemati pas tij . Pa dyshim, që xhemati nuk do të ndërpriste lutjen, gjersa Imami nuk do të thoshte “Amin”.

Hallexhiu filloi ta shikonte imamin dhe nisi të mendonte për të se pse vallë ai po e zgjaste kaq shumë lutjen. Nuk e njihte personalisht.

Një gjë e kishte të qartë, se sa  shumë e vështirë është për një person të lutet sinqerisht për njeri tjetër, sidomos kur asnjë lidhje nuk ekziston midis tyre. Ai e dinte shumë mirë që të lutesh me dhembshuri të thellë për dikë, të duhet të krijosh një lidhje a miqësi të fortë me të, në mënyrë që të dalin ndjenja të vërteta dhembshurie, që shkaktojnë lutje prej zemre.

Ai kurrë nuk kishte dëgjuar për këtë imam, as nuk kishte biseduar ndonjëherë me të. Ai gjithashtu ishte i sigurt që as imami nuk ia dinte as emrin, as vendin e atij për të cilin po lutej.  Mendimet filluan t’i vërshonin: Çfarë njeriu është ky imam? Si mund të ketë ai dashuri, dhembshuri dhe mëshirë ndaj dikujt që as nuk e njeh? Për çfarë po lutet ai akoma? E në çfarë fjalësh, vallë? A thua se po mundohet skajshmërisht për t’u siguruar që lutjet e tij të mos kthehen pa marrë përgjigje prej Zotit? Hallexhiu thotë që kaloi edhe pak kohë, derisa ai vetë ishte i lodhur, por imami ende po e vazhdonte lutjen, duke qëndruar aty në podium.

Ai tashmë ishte zhytur në mendime për imamin dhe, atij filluan t’i lindnin ndjenja dhembshurie dhe dashurie në zemër për imamin, aq shumë, saqë ai filloi të lutej për të. Ai tashmë kishte mbaruar së luturi për veten e vet dhe i kërkonte Zotit që ta bekonte imamin akoma më shumë. Ai u lut që Zoti t’i ngrinte nivelet e tij shpirtërore. U lut që spiritualitetin e tij ndaj Zotit dhe dhembshurinë e tij ndaj njerëzve të tjerë t’i trashëgonin edhe pasardhësit e tij. Ai u lut që Zoti t’i jepte çdo të mirë.

Më në fund imami tha “Amin” dhe lutja mbaroi. Njeriu që para pak kohe ishte i stresuar tej mase, tani ishte qetësuar dhe kishte njëlloj sigurie që lutjet që ishin bërë për të, ishin pranuar. Ai ishte i sigurt për këtë.

Këtë histori ai e kishte rrëfyer pas shtatë vitesh, ç’ka do të thotë që ai patjetër kishte jetuar shtatë vjet, pas atyre tre muajve që i kishin dhënë mjekët. Sipas rrëfimit të tij, ai e kishte ndërprerë edhe mjekimin. Unë nuk e njoh personalisht këtë njeri, as nuk e di se për sa vite të tjera kishte jetuar. Por, e di këtë histori sepse imami ishte im atë dhe personi i shqetësuar e kishte botuar rrëfimin e tij në një revistë, pasi im atë ndërroi jetë.

Me siguri, ai ishte një mëngjes jashtëzakonisht i këndshëm i asaj pranvere, kur të pranishmit për namaz ishin lutur për një njeri që nuk e njihnin, pikërisht në kohën kur drita e diellit ishte gati të shpërndahej. Dashuria e tyre ishte e vërtetë dhe plot sinqeritet ndaj njerëzve të tjerë. Kjo është vetëm një pikë nga oqeani i pafundmë i dashurisë që Zoti ka ndaj krijesave të Tij. Mrekulli të tilla të lutjeve ndodhin gjithkund në botë, dhe kanë vazhduar të ndodhin që kur krijesat erdhën në jetë.

Për mua kjo është e mrekullueshme që Zoti të ketë një dashuri kaq të madhe për krijesat e Tij. Akoma më e mrekullueshme është fakti që Ai i brumosi njerëzit me këtë dashuri dhe dhembshuri ndaj njeri-tjetrit. Ne dimë, ndiejmë dhe jemi tërësisht të vetëdijshëm që ne mund të duam njëri-tjetrin, ne mund të kemi mëshirë dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Dashuria e Zotit zbret në tokë sidomos atëherë kur Ai na sheh duke shprehur dhembshuri, dashuri dhe mëshirë ndaj njeri-tjetrit, sepse ky është një pasqyrim i vogël i Dashurisë së Tij për ne. Kur Krijuesi nga lart sheh krijesat e Tij duke shprehur dashuri dhe dhembshuri të vërtetë ndaj njeri-tjetrit, kjo padyshim e gëzon Atë, atëherë ndodhin mrekulli.

Pretendimet për dashurinë ndaj Zotit, ndaj Krijuesit, pa pasur dhembshuri dhe dashuri ndaj krijesave të Tij, janë boshe.

Ne mund ta përjetojmë edhe sot të njëjtën gjë që ndodhi në pranverën e vitit 1961. Xhemati, imami dhe një njeri tejet i stresuar ishin lutur për njëri-tjetrin me ndjenja kaq dhembshurie, saqë ato e tërhoqën pranimin e lutjeve të tyre prej Zotit. Jeta e një njeriu ishte zgjatur atë ditë… dhe ne dëshmuan edhe një histori bindëse, edhe një pikë nga oqeani i dashurisë së Zotit. Lavdi Zotit!

(Marrë nga: Revista “The Muslim Sunrise“, pranvera 2013, f. 46-47; E shqipëroi: Samad Ghori)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp