3. Durimi dhe vetëpërmbajtja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
durimi vetepermbajtja

Vetia e tretë është durimi dhe vetëpërmbajtja. Që në vegjëli duhet të edukojmë fëmijët se nëse dikush u thotë ndonjë fjalë të rëndë ose kanë pësuar ndonjë humbje, nuk ka nevojë të shqetësohen, përkundrazi, të kenë vetëpërmbajtje të lartë. Por, edhe këtë mësim të vetëpërmbajtjes nuk mund t’ua jepni thjesht me fjalë, por me vepra. Disa fëmijë nganjëherë shkaktojnë ndonjë humbje; thyejnë ndonjë enë në shtëpi, rrëzojnë bojën e shkrimit, rrëzojnë gotën e ujit gjatë bukës etj., për gjëra të vogla si këto, kam vënë re që disa prindër skuqen nga zemërimi dhe u vërsulen fëmijëve, i shajnë, u heqin shuplaka dhe i ndëshkojnë në mënyra të ndryshme. Madje, në popujt ose në vendet ku shtresa e të pasurve mbajnë shërbëtorët, ka syresh që me ta sillen akoma më keq. Pra, një popull që sillet keq me shërbëtorët, ose me fëmijët në shtëpi, nuk mund të ketë kurajë të fortë.

Mesihu i Premtuar a.s. i edukoi fëmijët e tij, jo thjesht me fjalë, por duke treguar virtyte të larta. I biri i tij, Hazret Kalifi i Dytë r.a., kur ende ishte fëmijë, thjesht duke lozur i kishte vënë flakë dorëshkrimit të një vepre të tij shumë të vyer, që ishte gati për botim. Të gjithë njerëzit e shtëpisë i zuri frika se çfarë do të ndodhte dhe se si do të ndëshkohej fëmija, por kur Mesihu i Premtuar a.s. e mori vesh, tha:

“S’ka problem. Zoti do të më japë mundësi të tjera”.

Tek fëmijët vetëpërmbajtjen mund ta gdhendni me modelin tuaj. Prindërit që vetë nuk janë të kalitur me durim e vetëpërmbajtje, as fëmijëve nuk mund t’ua japin atë. Edhe butësia në fjalë ka lidhje të ngushtë me durimin. Njerëzit me kurajë të shkurtër gjithnjë bëhen edhe fjalëvrazhdë, kurse ata që kanë kurajë të lartë, jo vetëm që frenojnë gjuhën, por edhe e shkëlqejnë atë.

Vetëm të jeni fjalëmbël nuk mjafton, derisa nuk e forconi edhe durimin njëkohësisht. Durimi i fortë do t’i duhet shumë xhematit në të ardhmen. Dobitë e tij të jashtëzakonshme do t’i shohim edhe përbrenda xhematit, por edhe jashtë tij. Megjithatë, vetëpërmbajtje e thellë nuk do të thotë që të durojmë çdo humbje dhe të mos merakosemi fare për humbjet. Ky është dallimi që dua t’ju shpjegoj me hollësi. Duke e kuptuar këtë, t’i krahasoni këto dy gjëra që sapo thashë.

Humbja është e dëmshme. Nëse fëmijët priren të shkaktojnë humbje, duhet t’u mësojmë, t’u japim mend e t’u ngulitim në kokë që çdo gjë që ka krijuar Zoti i Madhërishëm është për dobinë tonë, prandaj, duhet të kemi merak të mos humbim asnjë gjë të vogël. Nuk duhet të humbim ujin duke marrë abdes. Nuk duhet të humbim ujin duke pastruar fytyrën dhe duart. Nuk duhet të humbim ujin duke larë enët. Nuk duhet të humbim ujin duke larë rrobat. Qoftë shembullin e ujit nëse merrni, do të shihni se populli ynë dhe disa popuj të tjerë të përparuar sa shumë e shpërdorin ujin. Kam parë që disa njerëz lëshojnë çezmën dhe qëndrojnë para saj pa u merakosur fare se sa ujë të ngrohtë apo të ftohtë po e derdhin kot, edhe pse atyre u duhej shumë pak. Realisht, uji është një bekim i madh i Zotit të Madhërishëm, të cilin duhet ta vlerësojmë. Pavarësisht nga fakti se çfarë humbjeje ekonomike pësojmë nga keqpërdorimi i ujit ose çfarë humbjeje pëson shteti nga ai, duhet të dimë se nënvlerësimi i një bekimi quhet mosmirënjohje.

Pra, me vetëpërmbajtje në asnjë mënyrë nuk do të thotë se t’i edukojmë fëmijët të mos merakosen për humbjet. Të dyja këto duhet të ecin paralelisht. Pasja e vetëpërmbajtjes do të thotë nëse dikush rastësisht shkakton ndonjë humbje, duhet ta duroni e t’i thoni – nuk ka problem, ndodhin këto gjëra. Ata që mësohen me kurajë të lartë, kur rriten bëhen të aftë të përballojnë edhe humbje të mëdha. Disa herë katastrofat natyrore bien në atë mënyrë që brenda pak çastesh shkatërrojnë ara të tëra. Ata që nuk mësohen me kurajë në gjëra të vogla, në raste të tilla zënë të flasin keq edhe për Zotin. Mosdurimi ka një lidhje të ngushtë me egoizmin, i cili, çdo gjë i tregon njeriut më poshtë se vetja e tij. Atij i duket e mbarë për aq kohë sa i sjellë dobi, por sapo t’i vijë dëm, sado i vogël qoftë, ai e humbë kurajën. Njeriu që sillet i padurueshëm me njerëzit e tjerë, pra me robërit e Zotit, përfundimisht i tillë do të tregohet edhe me Zotin. Prandaj Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. na mësoi këtë sekret:

virtyte“Ai që nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon as Zotin”. (Kenzul-Ummal, hadithi nr. 6440)

Pra, ai që nuk mëson të falënderojë robin, si mund ta falënderojë Zotin? Këtë filozofi të thellë e shohim në jetën tonë të përditshme. Pikërisht kjo aplikohet edhe mbi durimin. Kurse në rastin e fëmijëve, kjo nuk është ndonjë gjë e vogël, por do të sjellë rezultate shumë të mëdha kur të rriten.

Durimi për humbjen që njeriu nuk e eviton dot, quhet kurajë. Por prirja për të pritur çdo humbje me qetësi nuk është kurajë, por budallallëk, injorancë dhe në disa raste edhe mosmirënjohje. Prandaj, kur t’u mësoni fëmijëve durimin dhe kurajën, mësojini edhe të vlerësojnë çdo gjë që kanë.

Mos prishni bekimet e Zotit!

Siç ju thashë pak më parë, edhe këtu në Angli, kam parë që njerëzit në përgjithësi nuk e vrasin mendjen për humbjen e ujit dhe të (sistemit të) ngrohjes. Edhe pakistanezët që mërguan dhe tashmë banojnë këtu, ndezin kaloriferët pa arsye. Ndezin zjarr pa arsye. Madje edhe sobën e lënë të ndezur pa marrë parasysh se ka ndonjë tenxhere apo jo mbi të. Ka gra që nuk merakosen. Ujin e derdhin pandërprerë dhe pa arsye, ndërkohë mund të plotësojnë nevojat duke përdorur një sasi shumë më të vogël sesa ajo që harxhojnë. Njerëzit nëse do t’i kushtojnë vëmendje kësaj pike, padyshim që do t’i bëjnë dobi gjithë popullit, kjo dihet. Por, ajo që është themelore, është se vetia për të konsumuar çdo gjë aq sa duhet, ndihmon çdo njeri për të ndërtuar moralet e tij dhe, përmes saj, çdo njeri do të kontribuojë shumë edhe në edukimin e fëmijëve.

Për rrymën elektrike, për shembull, kam parë që njerëzit i lënë dritat të ndezura kot nëpër dhoma. Ndezin dritat, ndezin radio apo televizor dhe largohen nga dhoma. Të gjitha këto rrinë të ndezura në dhoma boshe. Shumë herë u them edhe fëmijëve të mi:

“Mos kemi xhindë në shtëpi, sepse pashë në dhomë se televizori dhe dritat ishin të ndezura! Paskemi ndonjë krijesë të padukshme në shtëpi që vjen dhe na i ndez këto gjëra! Të paktën njeriut nuk i ka hije që t’i prishë bekimet e Zotit kështu më kot”.

Pra, vazhdimisht duhet t’i edukojmë fëmijët, por me durim e jo me keqsjellje. Të dyja vetitë duhet t’ua mësoni paralelisht: t’ua mësoni edhe durimin, edhe prirjen për t’i shmangur humbjet. Nuk duhet t’i shkaktoni asnjë lloj humbjeje kombit tuaj dhe kjo do t’ju bëjë dobi në radhë të parë vetë juve dhe familjes suaj dhe, fëmijët tuaj kur të rriten, do të shohin rezultate madhore. Tregtarët që nuk vrasin mendjen për humbjet e vogla, nga ana e tyre tregojnë se gjoja nuk u ndodh gjë nëse humbin këtë apo atë gjë dhe kujtojnë se do të fitojnë prapë. Ky është naivitet. Tregtari i mirë është ai që edhe humbjen më të vogël nuk e anashkalon. Pra, të kesh kurajë dhe durim nuk do të thotë t’u bësh sehir humbjeve dhe të mos veprosh për t’i shmangur ato.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp