Udhëheqësi botëror i Xhematit Ahmedia dënon sulmet terroriste në Evropë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia dënon sulmet terroriste në Evropë dhe bën thirrje për paqen

  • Hazret Mirza Masrur Ahmed komentoi trazirat e vendeve muslimane dhe situatën politike të Turqisë
  • Ai përkrah deklaratën e Papës Françesku se mizoritë e kohës së sotme nuk janë një luftë fetare

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmed u bëri thirrje vendeve islamike t’u rikthehen mësimeve të vërteta të Islamit, që janë të paqes.

Në predikimin e tij të së premtes, të mbajtur më 29 korrik 2016, në xhaminë Bejtul-Futuh të Londrës, Shenjtëria e tij pohoi se bota po përballet me një kohë tepër të pasigurt dhe sfiduese. Ndërsa për sulmet terroriste që janë bërë ditët e fundit në Evropë, ai tha se janë krejtësisht kundër mësimeve të Islamit.

Në fjalimin e tij, ai gjithashtu trajtoi tentativën e bërë për grusht shteti në Turqi, si dhe situatën e brishtë me të cilën po përballet vendet e tjera muslimane.

Për situatën e krijuar në Turqi, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

Tentativa për grusht shteti që u bë në Turqi ditët e fundit, padyshim që nuk mund të përligjet në asnjë mënyrë me mësimet islame, por edhe masat që ka marrë dhe po i merr qeveria, gjithashtu janë mizore. Po ndiqen penalisht edhe ata kundërshtarë të qeverisë, të cilët nuk janë pjesë e puçit. Vetë përvoja e tyre tregon se veprimet e tilla herët ose vonë e kanë një reaksion, megjithatë, ata po vijojnë mizoritë e tyre.

Duke folur për rritjen e paqëndrueshmërisë në botën muslimane, ai tha:

Fuqia e vendeve islamike po dobësohet çdo ditë e më shumë. Shkaku kryesor i kësaj rënieje është që krerët dhe të ashtuquajturit dijetarë të këtyre vendeve nuk i kanë parasysh mësimet e vërteta të Islamit, madje ata po i drejton kombet e tyre drejt një rruge shkatërrimtare.

Shenjtëria e tij vijoi:

Shohim kaos dhe trazirë në çdo vend musliman, për arsye se liderët u japin përparësi vetëm interesave të tyre vetjake mbi interesat e popujve dhe të kombeve të tyre.

Shenjtëria e tij gjithashtu tha se nga trazirat në vendet muslimane po përfitojnë ata që e kundërshtojnë Islamin, andaj, në vend që të shkatërrojnë njëri-tjetrin, muslimanët duhet të bashkohen për paqen.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

Bota muslimane dhe krerët e saj nuk kanë marrë mësim nga e kaluara e afërt. Ata e kanë parë çfarë ndodhi në Irak, Libi, Siri etj., që, si këto vende janë shpërbërë dhe se si u është shkatërruar e ardhmja. Liderët muslimanë duhet të reflektojnë sa më shpejt për këta shembuj dhe të pyesin veten: Kush përfiton nga trazirat dhe kaosi i botës muslimane?

Duke folur për sulmet e fundit terroriste në Evropë, Shenjtëria e tij tha se sulmet e tilla janë një devijim total nga mësimet e Islamit. Për shembull, ai tha, në Francë, vrasja e priftit Atë Jacques Hamel ishte “një veprim i neveritshëm dhe krejtësisht kundër mësimeve të Islamit”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

Në vendet perëndimore, organizatat terroriste janë të zënë për të njollosur Islamin, duke vrarë njerëz të pafajshëm me sulme jashtëzakonisht mizore e barbare. … Terroristët nuk kanë asnjë njohuri rreth Islamit, sepse përndryshe, do të dinin shumë mirë që Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) ka ndaluar rreptësishtë të qëllosh njerëzit e pafajshëm, fëmijët, gratë dhe pleqtë dhe, gjithashtu, ka porositur që klerikët fetarë dhe faltoret, pra, priftërinjtë dhe kishat, të mos cenohen në asnjë mënyrë.

Ai vijoi duke thënë:

E vetmja gjë që terroristët po bëjnë, është që i shkelin tërësisht mësimet e Kuranit të Shenjtë dhe ato të Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të). Le të jetë e qartë se ata nuk po e praktikojnë Islamin, përkundrazi, duket sikur kanë sajuar një fe të tyre, të mbushur me helm e vrer.

Duke shpjeguar kuptimin e fjalës “islam”, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

Zoti i Madhërishëm fenë tonë e ka quajtur “Islam”, që, fjalë për fjalë do të thotë paqe. Andaj, vetë emri i kësaj feje dënon të gjitha format e terrorizmit, të ekstremizmit dhe të imponimit. Madje, Islami është një pishtar i paqes, i lirisë, i dashurisë dhe i sigurisë për mbarë njerëzimin.

Shenjtëria e tij gjithashtu përkrahu komentet e Papa Françeskut, në të cilat, Papa tha: “bota është në prag të luftës, por kjo nuk është një luftë fetare”. Hazret Mirza Masrur Ahmed tha se Papa ka të drejtë në përcaktimet e tij kur thotë se luftërat e kësaj kohe nuk udhëhiqen nga feja, por nga lakmia dhe dëshira për të pasur pasuri dhe pushtet.

Në fund të fjalimit të tij, duke iu drejtuar muslimanëve ahmedianë, Shenjtëria e tij tha se muslimanët ahmedianë kanë përgjegjësi të madhe të luftojnë terrorizmin, duke përhapur mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit, si me sjelljen personale, ashtu edhe duke përdorur median dhe platformat e tjera të përshtatshme.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

Shpërndani paqen në të gjitha shtresat e shoqërisë. Përhapni dashurinë tek i gjithë njerëzimi. Sillni njerëzit drejt Zotit të Madhërishëm dhe Profeti i Shenjtë i Islamit, duke ua fituar zemrat me anë të dashurisë, të mëshirës dhe të dhembshurisë.

Shenjtëria e tij gjithashtu i porositi muslimanët ahmedianë se është shumë e nevojshme që ata të luten shumë për paqen në botë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp