OKB të luajë rolin e saj pa u ndikuar nga politika, padrejtësia dhe favorizimi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Lideri musliman: ‘OKB të luajë rolin e saj pa u ndikuar nga politika, padrejtësia dhe favorizimi’

islami ne kanada
  •  Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia mbajti fjalim historik në Parlamentin e Kanadasë
  • Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmed bëri thirrje për barazinë dhe drejtësinë.
  • Ai u mirëprit nga Kryeministri i Kanadasë z. Justin Trudeau dhe dhjetëra ministra, senatorë, deputetë të tjerë.
  • Shenjtëria e tij i dha “Çmimin Sir Zafrullah Khan për shërbimin publik” zonjës Louise Arbour.

islami ne kanada islami ne kanadaMë 17 tetor 2016, Kalifi i Pestë, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmed u mirëprit në Parlamentin Kombëtar të Kanadasë nga Kryeministri z. Justin Trudeau, ministra të tjerë të kabinetit dhe më shumë se 50 deputetë dhe senatorë të tjerë.

Gjatë pasdites, Shenjtëria e tij mbajti fjalim mbi temën

“Vlerat njerëzore, baza e një bote paqësore”

në sallën “Sir John A. Macdonald”, të Parlamentit, në Ottawa. Në audiencë ishin më shumë se 225 veta, duke përfshirë ministra të ndryshëm, mbi 50 deputetë, diplomatë dhe ambasadorë të 11 shteteve të ndryshme, përfaqësues të medies, akademikë, liderë të OJQ-ve të ndryshme, liderë fetarë dhe figura të shquara nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë.

islami ne kanadaNë fjalën e tij kryesore, Hazret Mirza Masrur Ahmed iu adresua çështjeve me rëndësi globale, duke përfshirë rrezikun e një lufte botërore, lirinë fetare, radikalizmin dhe ekstremizmin gjithnjë në rritje dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shenjtëria e tij u bëri thirrje qeverive të botës që të bëjnë drejtësinë dhe barazinë e vërtetë në të gjitha çështjet. Ai gjithashtu paraqiti mësimet Islame që u japin zgjidhje problemeve të sotme që ka bota.

islami ne kanada

Kalifi i Xhematit Ahmedia, duke udhëhequr namazin në ambientet e Parlamentit të Kanadasë

Duke folur për nevojën e bashkimit në shoqëri, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Pavarësisht nga dallimet e formimeve kulturore që u përkasim, unë besoj se këtu jemi mbledhur mbi bazën e humanizmit, andaj ka nevojë të bashkohemi. Të gjithë njerëzit dhe të gjitha organizatat bashkërisht duhet të angazhohemi për të përkrahur vlerat njerëzore dhe të bëjmë përpjekje maksimale për ta bërë botën ku jetojmë, një vend shumë më të mirë dhe më paqësor”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Nëse vlerat dhe të drejtat njerëzore nuk do të përkrahen në një shtet apo rajon, kjo do të ketë një efekt të zinxhirtë mbi pjesët e tjera të botës dhe keqbërje të tilla mund të përhapen më gjerë. Anasjelltas, nëse diku në botë ka mirësi, humanizëm dhe mirëqenie, ato do të ndikojnë pozitivisht edhe në shoqëri dhe te njerëzit e tjerë”.

islami ne kanada

Kalifi i Xhematit Ahmedia Hazret Mirza Masrur Ahmed me Kryeministrin e Kanadasë z. Justin Trudeau

islami ne kanadaDuke folur mbi konfliktin në rritje në botë, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Për shkak të formave moderne të komunikacionit dhe të transportit, ne të gjithë jemi afruar shumë dhe nuk jemi më të ndarë me kufijtë gjeografikë. Megjithatë, ka një paradoks të çuditshëm dhe tragjik që pavarësisht se jemi shumë më të lidhur se kurrë, në të vërtetë po largohemi çdo ditë nga njëri-tjetri. Është shumë për të ardhur keq dhe është shumë e dhimbshme që bota ka shpenzuar më shumë për të përhapur urrejtje, dhunë dhe padrejtësi, në vend që të bashkonte njerëzimin dhe të përhapte dashuri mes tyre”.

Shenjtëria e tij pranoi që frika ndaj Islamit është rritur në shumë vende të botës. Megjithatë, ai tha se frika ndaj fesë ishte tërësisht e panevojshme.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Më lejoni t’ju siguroj edhe një herë që Islami nuk është ai që ju zakonisht e shikoni ose dëgjoni siç portretizohet nga media. Sa u përket njohurive të mia rreth Islamit, unë di vetëm atë Islam, i cili bazohet në emërtimin e tij. Kuptimi i fjalës islam është paqe, dashuri dhe harmoni dhe të gjitha mësimet e tij janë të bazuara mbi këto vlera fisnike”.

islami ne kanada Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Fatkeqësisht, nuk mund të mohohet se ka disa grupe muslimanësh, besimet dhe veprat e të cilëve janë tërësisht kundër mësimeve të Islamit. Në shkelje të plotë të mësimeve themelore të Islamit, ata po bëjnë terrorizëm dhe dhunë të tmerrshme në emër të Islamit”.

Shenjtëria e tij tha se liria fetare universale është parakusht për çdo shoqëri të suksesshme dhe tolerante.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Kurani i Shenjtë pohon kategorikisht në vargun 257 të kapitullit 2, që ‘nuk ka imponim në fe’. Sa e qartë dhe e plotë është kjo deklaratë, që mbron lirinë e mendimit, lirinë e fesë dhe lirinë e ndërgjegjes! Andaj, besimi dhe mësimi im është që çdo njeri në cilindo fshat, qytet a shtet jeton, gëzon të drejtën e padiskutueshme për të zgjedhur dhe për të praktikuar fenë që dëshiron”.

islami ne kanadaShenjtëria e tij tha se është për të ardhur keq që qeveritë e vendeve islamike dhe gjithashtu edhe disa qeveri perëndimore janë përpjekur për të kufizuar të drejtat e fesë për disa komunitete që jetojnë në shtetet e tyre.

Shenjtëria e tij tha se çdo përpjekje për të frenuar lirinë fetare është e rrezikshme.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Çdo individ ka të drejtën që të predikojë e të përhapë mësimet e tij me mjete paqësore. Këto liri duhen garantuar si të drejta themelore të njeriut, andaj, bashkitë ose qeveritë nuk duhet të ndërhyjnë padrejtësisht në çështje të tilla”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Nuk është e urtë për një qeveri a parlament të vendosë kufizime mbi praktikat ose besimet themelore fetare të njerëzve. Për shembull, qeveritë nuk duhet të shqetësojnë veten se çfarë veshje duhet ta veshë një grua. Ato nuk duhet të lëshojnë dekrete duke përshkruar se si duhet të ngjajë një faltore. Nëse ato e tejkalojnë kufirin në këtë mënyrë, do të shkaktojnë shqetësim dhe frustrim te populli i tyre. Ankesa të tilla vijojnë të acarohen, nëse lihen pa trajtuar dhe përfundimisht cenojnë paqen e shoqërisë”.

Duke folur për rolin e qeverisë në bazë të mësimeve të Islamit, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Është detyrë e qeverisë dhe e deputetëve, si kujdestarë të vendit të tyre, që të qeverisin për t’u dhënë të drejtat qytetarëve, e jo për t’ua marrë”.

islami ne kanadaShenjtëria e tij tha se edhe pse liria fetare është një parim me rëndësi vitale, por kudo që shfaqet rreziku i ekstremizmit ose nxitjes së urrejtjes, është detyra e qeverive që të ndërhyjnë dhe të marrin masa të forta për të mbrojtur popullin e tyre.

Shenjtëria e tij gjithashtu foli për nevojën e vendosjes së drejtësisë, si në çështjet e brendshme, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Që të marrësh çelësat e qeverisë është një përgjegjësi madhore, për këtë arsye, shpesh shohim që krerët e shteteve bëjnë betime për t’i shërbyer vendit të tyre me besnikëri dhe drejtësi absolute. Me keqardhje, në shumicën e rasteve, betimet e tilla të nderuara, provohen si fjalë boshe”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Në disa vende ka diktatorë ose qeveri të padrejta, megjithatë, superfuqitë rrinë symbyllur ndaj dhunës së tyre, sepse ato qeveri i ndihmojnë dhe ua përmbushin interesat. Dhe ka edhe vende ku liderët ose qeveritë e tyre nuk u nënshtrohen superfuqive, andaj, këta të fundit mbështesin elemente rebele ose kërkojnë ndryshimin e regjimit. E vërteta është që nuk duket asnjë dallim në mënyrën e qeverisjes në vende të tilla. I vetmi dallim është që disa shtete bashkëpunojnë me superfuqitë, dhe disa të tjera jo”.

Shenjtëria e tij kritikoi disa qeveri që u shesin armë disa vendeve islamike,

“pa marrë në konsideratë pasojat e mundshme”.

Ai tha se armët e tilla shpesh përfundojnë në duart e gabuara dhe përdoren për të vrarë qytetarë të pafajshëm.

islami ne kanadaDuke cituar luftën e Arabisë Saudite kundër Jemenit si një shembull kryesor të padrejtësisë dhe duke hedhur dritë mbi pasojat e saj të mëdha, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Është e njohur që armët që po përdor Arabia Saudite në luftën kundër Jemenit, i ka blerë nga Perëndimi, në një luftë ku po vriten mijëra njerëz civilë të pafajshëm, duke përfshirë gratë dhe fëmijët dhe ku po bëhet shkatërrim masiv. Cili do të jetë rezultati përfundimtar i një tregtie të tillë të armëve? Banorët e Jemenit, të cilëve po u shkatërrohet jeta dhe e ardhmja, jo vetëm që do të kenë urrejtje për Arabinë Saudite dhe do të hakmerren me të, por do të kenë urrejtje edhe për furnizuesit e armëve të Arabisë Saudite dhe për Perëndimin në përgjithësi”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Të mbetur pa shpresë dhe pa perspektivë për të ardhmen, duke dëshmuar brutalitetin më të tmerrshëm, rinia e tyre do të priret nga radikalizmi dhe, në këtë mënyrë, do të fillojë një cikël i egër i terrorizmit dhe ekstremizmit. A vlejnë pasoja të tilla rrënuese e shkatërruese për pak milardë dollarë?!

Shenjtëria e tij tha se institucionet ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, kanë nevojë të sigurojnë paanësinë dhe barazinë midis shteteve anëtare.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Superfuqitë dhe institucionet ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, në çdo rrethanë, po të kishin vepruar me të vërtetë në bazë të parimeve të tyre themelore, nuk do të kishim parë flamën e terrorizmit që po infekton pjesë kaq të shumta të botës. Paqja dhe siguria e botës nuk do shkatërrohej dhe çrrënjosej në mënyrë të përsëritur. Dhe sigurisht, nuk do të kishim dëshmuar krizën kaq të madhe të refugjatëve, që sot po e huton dhe e frikëson Evropën dhe vende të tjera të zhvilluara”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të luajë rolin e saj në vendosjen e paqes në botë, pa u ndikuar nga politika, padrejtësia dhe favorizimi”.

Duke përfunduar fjalën e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Shpresoj dhe lutem, që Allahu i Madhërishëm i mundësoftë Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe qeverive të botës të veprojnë në atë mënyrë, që të mund të vendoset paqja e vërtetë dhe afatgjatë. Alternativa tjetër nuk mund të imagjinohet, sepse në qoftë se do të vijojmë siç jemi, bota vrapon çmendurisht drejt një katastrofe të madhe, në formë të një lufte tjetër botërore”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed shtoi:

“Zoti u dhëntë urtësi liderëve dhe politikëbërësve të botës, në mënyrë që bota që do ta lëmë pas për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm, të jetë ajo e paqes dhe e barazisë”.

Gjatë këtij eventi, Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed i dha çmimin “Sir Zafrullah Khan për shërbimin publik” znj. Louise Arbour, ish-Komisionere e Lartë për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara dhe ish-gjykatëse e Gjykatës Supreme të Kanadasë. Çmimi iu dha duke njohur shërbimet e saj të jashtëzakonshme në sektorin publik, gjatë karrierës së saj të gjatë e të shquar.

islami ne kanadaDuke e pranuar çmimin, znj. Louise Arbour tha:

“Jam thellësisht e nderuar duke e pranuar këtë çmim prestigjioz, që është emërtuar mbi juristin, avokatin, gjyqtarin dhe diplomatin e shquar dhe madhor. Jam veçanërisht e nderuar duke u lidhur me Sir Zafrullah Khanin, sepse ai ishte gjykatësi kryesor dhe president i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. … Unë gjithmonë kam qenë thellësisht e mbresuar duke parë se si Xhemati Musliman Ahmedia qëndron në pararojë të promovimit të kulturës së paqes dhe vijon të qëndrojë ashtu”.

Një sërë miqsh gjithashtu morën fjalën.

Ministri i Shkencës z. Kirsty Duncan, tha:

“Është një nder dhe privilegj për të qenë këtu sonte në Parliament Hill, për të mirëpritur Shenjtërinë e tij Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifin e Pestë dhe udhëheqësin e Xhematit Musliman Ahmedia. I gjithë Parliament Hill është bashkuar sot me Shenjtërinë e tij, për të festuar me Xhematin Musliman Ahmedia dhe për të treguar mbështetjen tonë të fortë. … Xhemati Musliman Ahmedia është shumë i dalluar këtu në Kanada dhe gjithmonë ka treguar ‘dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd’”.

Dr. James J. Zogby, zëvendëskryetar i Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare tha:

“Shenjtëria juaj Hazret Mirza Masrur Ahmed, si përfaqësues i Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, jam i nderuar të jem me ju sonte. Ajo që gjithmonë na bën përshtypje është se si Xhemati Musliman Ahmedia mbetet një kampion për të drejtat e të tjerëve që persekutohen, pavarësisht se jeni viktimë e shpeshtë e persekutimeve. Në një botë ku jotoleranca po rritet, Xhemati Musliman Ahmedia mbetet i fortë për të mbështetur tolerancën dhe dashamirësinë”.

Gjatë ditës, Shenjtëria e tij bëri takime me ministra të ndryshëm federalë të Qeverisë së Kanadasë, senatorë dhe deputetë të tjerë. Ai gjithashtu bëri takim me Kryeministrin z. Justin Trudeau.

Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia u prit zyrtarisht nga Kryetari i Parlamentit gjatë një seance të pyetjeve, në të cilën të gjithë deputetët e pranishëm, duke përfshirë Kryeministrin, i dhanë Shenjtërisë së tij ovacion në këmbë.

islami ne kanadaMë pas, deputetja znj. Judy Sgro lexoi deklaratën e anëtarëve në Dhomën e Përfaqësuesve, që pohon:

“Z. Kryetar! Sot paradite udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia mbërriti në Ottawa për një vizitë zyrtare në Parliament Hill.

Gjatë qëndrimit të tij me ne, ai do të takojë ministra të kabinetit, senatorë, deputetë të ndryshëm dhe kryeministrin, në përpjekje për të nënvizuar mesazhin e tij paqësor, dashuri për të gjithë dhe urrejtje për askënd.

Kjo punë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shenjtërisë së tij, për të nxjerrë në pah bukurinë dhe natyrën paqësore të besimit (Islamit) dhe për t’u bërë thirrje superfuqive që të çojnë përpara një agjendë për paqen, lirinë fetare dhe avancimin e të drejtave të njeriut në Kanada dhe në mbarë botën.

Unë përgëzoj Shenjtërinë e tij dhe anëtarët mbarëbotëror të Xhematit Ahmedia për punën e tyre, dhe zgjas dorën e miqësisë në emër të zgjedhësve të mi dhe të popullit të Kanadasë”.

Kjo ceremoni e veçantë u mbyll me një lutje, të drejtuar nga Hazret Mirza Masrur Ahmed. Pas darkës, deputetët dhe miq të tjerë të pranishëm patën mundësi ta takonin personalisht Shenjtërinë e tij.

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp