Kuptimi i vërtetë i hadithit "Nuk ka profet pas meje"
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kuptimi i vërtetë i hadithit “Nuk ka profet pas meje”

Para së të fillojmë, pyetjen tjetër, le t’u tregojmë shikuesve tanë se çfarë padrejtësie kanë bërë kundërshtarët në këtë libër akuzash. Duke dhënë referencën e librit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në këtë faqe, pa mbaruar fjalia e kësaj faqe, që është e librit “Izalae Auham”, dhanë titullin e librit “Hamamatul Bushra” që është një libër tjetër. Pra, ata nuk ua treguan njerëzve versionin e plotë nga ajo që tha Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Pastaj edhe këtu për shembull, kjo është faqja e 503 e librit “Hekikatul Vehi” dhe pastaj dhanë faqen 406 të atij libri. Pra duke i shkëputur gjërat nga konteksti i tyre, kanë ngritura akuza të padrejta. Kështu mund të deformosh cilindo libër. Madje, disa komentues perëndimorë, duke paraqitur ajete të Kuranit jashtë kontekstit, i treguan botës një pamje të tmerrshme të Kuranit Famëlartë. Pra, të njëjtën gjë nëse, njerëzit e bëjnë me ndonjë libër tjetër, të cilitdo profeti, do të dalë i njëjti rezultat, që hoxhallarët nxjerrin nga librat e Mesihut të Premtuar a.s. Sidoqoftë, nëse shikuesit do t’i lexojnë vetë librat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ata do të marrin përgjigjet e të gjitha pyetjeve.

Pyetje:

Tani, do të doja të vija te pyetja e radhës: Nëse Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se pas Profetit Muhammed s.a.v. mund të vijë ndonjë profet, si mund të argumentohet? Një student  joahmedian na dërgoi këtë pyetje. Ai thotë se edhe sikur të pranojmë përkohësisht që me fjalët لا نبیَّ بعدی  “La nabia badi”, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e kishte kuptimin që pas tij në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë nuk mund të vijë ndonjë profet, por ekziston mundësia e profetizmit në të ardhmen, atëherë në qoftë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të kishte dashur të thoshte në gjuhën arabe që “pas meje në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë nuk mund të vijë asnjë lloj profeti” si duhet të shprehej ai?

Përgjigje:

Duhet të dimë që Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte “Efsahul arab uel exhem” D.m.th. që kur është krijuar bota dhe deri sa të vazhdojë ajo, ai ka pasur aftësinë më të lartë shprehëse ndër arabët dhe joarabët. Prandaj, nuk na takon neve që të guxojmë të përcaktojmë nga vetja për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se si ai duhet të fliste për të shprehur një gjë të caktuar. Një besimtar me takua, pra që ka frikë e devotshmëri ndaj Zotit dhe që ka dashuri dhe besnikëri të sinqertë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e ka për detyrë që nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë diçka, t’i ketë parasysh edhe thëniet e tij të tjera, për ta kuptuar sa më mirë thënien e tij. Sepse është rregulli logjik, që, për të kuptuar fjalët e një njeriu, duhet të studiojmë edhe shkrimet dhe veprat e tij të tjera. Atëherë mund ta kuptojmë atë më së miri. Nuk duhet t’i ngjisim nga vetja kuptimin që ne duam. Kjo ishte e para.

Së dyti, pyetësi na thotë të përcaktojmë fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe siç e thashë që këtë guxim nuk mund ta marrim ne, por ndonjë hoxhë tjetër do të mund të bënte. Ai mund të thotë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s., për të shprehur se në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë nuk mund të vijë asnjë lloj profeti pas tij, në arabisht ai mund të thoshte:

لن یکون بعدی نبیٌ  ابدا

Ose

لن یکون بعدی نبیٌ الی یوم القیامۃ

Ose

لیس بعدی نبیٌ مطلقا

Ose ndonjë fjali tjetër të këtij kuptimi.

Por, siç e thashë, për të kuptuar një fjali të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ne duhet të shikojmë edhe fjalët e tij të tjera që ka thënë. Por, për sa i përket kuptimit gjuhësor apo gramatikor të hadithit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që thotë لا نبیَّ بعدی, (d.m.th. nuk ka profet pas meje) do të përpiqem t’ju shpjegoj me fjalë të thjeshta. Pjesëza mohuese “la” (d.m.th. “nuk”) që është përdorur në këtë fjali është e dyllojshme. Domethënë, kur kjo “la” i paraprin ndonjë emri, i cili ka një fat’ha, (zanoren a) pra, të mos ketë dy fat’ha apo dy damma (zanoren u) apo dy kasra (zanoren i) dhe as të ketë një damma apo një kesra, ashtu siç është në hadithin konkrekt La nabijja, atëherë kjo “la” është e dyllojshme: e para quhet “la nefi xhins” dhe e dyta quhet “la nefi kemal”. “La nefi xhins” përdoret për mohimin e ekzistencës së të gjitha llojeve të asaj apo atij që vjen pas kësaj pjesëze. Pra, mohimi total i ekzistencës së diçkaje të caktuar. Ky mohim, në arabisht, quhet “nefi xhins”. Në Kuranin Famëlartë gjejmë shembuj të saj. Për shembull, Profeti Nuh a.s. kur thirri djalin e tij për t’u futur në varkë që të shpëtonte nga furtuna, ndërsa ai e mohonte dhe tha: “Nëse vjen përmbytje, do të gjej strehim mbi ndonjë mal”. Atëherë Hazret Nuhu a.s. i tha: لا عاصمَ الیوم “La asimal jeum”. Këtu është ajo la-ja mohuese totale dhe emri asima ka fat’ha dhe kuptimi i saj është “Sot nuk ka asnjë shpëtimtar”. D.m.th. është një mohim total dhe kjo do të thotë se askush apo asgjë përveç Zotit nuk mund të bëhet shpëtimtar. Ose një shembull tjetër është ajo që ne recitojmë në teshehud (apo në shehadetin) dhe themi  لا شریکَ لہ “La sherika lahu”. Edhe këtu në fjalën “sherika” kemi një fat’ha dhe kuptimi i saj është “Asnjë gjë, kategorikisht në asnjë mënyrë nuk mund të barazohet me Zotin”. Pra këta janë shembuj të pjesëzës “la” mohuese totale (nefi xhins).

E dyta është “la nefi kemal” dhe ajo përdoret atëherë kur jo që mohohet ekzistenca e një njeriu apo një gjëje të caktuar, por mohohet vetëm ekzistenca e saj në atë masë ose në atë nivel. Sjellim një shembull nga fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., hadith ky që gjendet në Buhari, ku ai thotë:

اذا ھلک قیصرُ فلا قیصرَ بعدہ

Pra, duke përmendur mbretin Caesar, Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. paralajmëron: “Kur ky Caesar do të vdesë, atëherë”  فلا قیصرَ بعدہ “nuk do të ketë asnjë Cezar tjetër”, gjë që do të thotë, nuk do të ketë asnjë Caesar aq madhor si ai. Këtë hadith pse e kuptojmë në këtë mënyrë? Sepse kanë qenë shumë mbretër të tjerë që janë quajtur Caesar, por, asnjëri prej tyre nuk ka pasur madhështi të tillë, që kishte ai Caesari i kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Sepse muslimanët e kishin thyer fuqinë e perandorisë romake, e cila me kalimin e kohës filloi të thyhej akoma më shumë, siç përmendet në histori.

Po ashtu dëgjojmë vjershën e famshme, në të cilën thuhet:

لا فتیٰ الَا علی لا سیفَ الّا ذوالفقار

“La fata il-la Ali, la saifa il-la dhulfihar”

Edhe këtu që thuhet “la fata”. Kjo fata nuk është ajo fateh që do të thotë fitore, por shkronjat janë f, t dhe j dhe kuptimi i saj është djalosh, trim, luftëtar. Dhe Kuptimi i strofës është: “S’ka ndonjë trim përveç Aliut dhe s’ka asnjë shpatë përveç shpatës dhulfihar”, pra përveç shpatës së Aliut. Dihet se kuptimi i kësaj strofe është luftëtar i vërtetë ishte Aliu dhe shpata e vërtetë ka qenë shpata e tij. Kjo quhet “la nefi kemal”, d.m.th. nuk mund të jetë dikush si ai.

Tani, nëse Hazret i Dërguari Allahut s.a.v.s. tha “La nabia badi”, (që nuk ka profet pas meje) atëherë duhet të shohim se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në këtë hadith, e ka përdorur pjesëzën mohuese si “la nefi kemal” apo “la nefi xhins”. Kur lexojmë hadithe të tjera të tij, na del qartë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s., këtu pjesëzën mohuese, e ka përdorur për nefi kemal, dhe kuptimi i tij është që në asnjë mënyrë nuk mund të vijë ndonjë profet më i mirë se sa ai, ose si ai, ose jashtë sheriatit të tij. Arsyeja e këtij komentimi është që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nëse në një vend thotë “Nuk ka profet pas meje”, atëherë në vende të tjera vazhdimisht paralajmëron për ardhjen e një të dërguari. Ka plotë hadithe të tilla.

Për shembull, ai thotë: لو عاش لکان صدیقا نبیا kur i ndërroi jetë djali, Ibrahimi, atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha këto fjalë: “Nëse ky do të jetonte do të bëhej profet i vërtetë”. Madje, duke vendosur dorën e tij mbi varrin e tij tha: “Për Zotin, ky ishte profet dhe i biri i profetit”.

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

ابو بکر افضل ھذہ الامۃ الا ان یکونَ نبیّ

Domethënë, “Ebu Bekri është më i miri i këtij umeti, me përjashtim nëse do të ketë ndonjë profet tjetër”.

Pastaj, duke komentuar ajetet e sures El-Xhuma, Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. paralajmëroi se do të vijë një burrë me origjinë perse, dhe ardhjen e atij njeriu e quajti si ardhja e vetë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përmendi edhe ardhjen e Hazret Isait dhe në një hadith, katër herë ka thënë se ai do të vijë si profet. (Sahih Muslimi)

Në një hadith tjetër tha: “Nuk ka asnjë profet midis meje dhe atij”. Pra, لیس بنی و بینہ نبیّ

Tani, si është kjo çështje? Në njërën anë Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë se “Nuk ka profet pas meje” dhe në anën tjetër, në mënyrë kaq të përsëritur dhe vazhdimisht paralajmëron që do të vijë dikush, i cili do të jetë edhe profet. E kemi për detyrë ta zgjidhim këtë kontradiktë, përndryshe ne do t’i veshim atij gjërat që provojnë se thëniet e tij, neudhubillah, janë kontradiktore. Pra, këtë kontradiktë mund ta zgjidhim vetëm nëse do ta kuptojmë hadithin e tij, ashtu siç e kanë kuptuar disa dijetarë të mëparshëm, të cilët pohuan që në asnjë mënyrë nuk mund të vijë ndonjë profet jashtë sheriatit të tij, duke u liruar nga ndjekja e modelit të tij, duke qenë jashtë umetit të tij dhe duke mohuar bekimet e tij të gjithanshme. Por, duke pranuar ndjekjen e tij, duke përfituar nga bekimet e tij dhe duke qenë brenda umetit të tij mund të vijë ndonjë profet. Këtë gjë kanë thënë shumë dijetarë të umetit musliman dhe ne kemi përsëritur shumë herë këtu thëniet e tyre. Për shembull Hazret Aisha, bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut, Hazret Maulana Ibne Arabi, Hazret Abdul Wahab Sharani, Muhamed Kasim Nanutvi, Abul Hasanaat Lakhanwi, Hafiz Mulla Ali, Hazret Waliullah Shah Dehlvi, Ahmad Serhandi, etj.

Nuk është vetëm kaq. Realisht pikërisht këtë besim e kanë edhe hoxhallarët, të cilët na akuzojnë se ne nuk e pranojmë hadithin që thotë “Nuk ka profet pas meje”. Ata në njërën anë e thonë këtë, ndërsa në anën tjetër besojnë në ardhjen e Hazret Isait. Ne e pyesim: Çfarë është kjo? Për të na kundërshtuar ne, ju sillni hadithin “Nuk ka profet pas meje” dhe vetë besoni në ardhjen e Hazret Isait. Ata thonë, jo jo. Kuptimi i këtij hadithi është që një profet i vjetër mund të vijë por profet i ri nuk mund të vijë. Pra, ata na akuzojnë që ne komentojmë hadithet, ndërsa ata vetë janë duke bërë komentim sipas qejfit të tyre, sipas mendjes së tyre, sepse rreth Hazret Isait Kurani shumë qartë pohon:  و رسولا الی بنی اسرائیل “Ai ishte profet për bijtë e izraelit”, ndërsa ata atë e bëjnë profet për umetin e të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Pyetja jonë për ta është shumë e thjeshtë: duke pasur bindjen se Profeti Isa a.s. do të kthehet kurdo qoftë, a nuk besojnë edhe ata që pas Profetit Muhammed s.a. muslimanët do të kenë nevojë për një profet?!

Pse e harrojnë atë hadith, që citonin nëpër minberet e tyre dhe vazhdojnë ta përmendin atë, që Hazret Musai a.s. kur mori vesh për madhështinë e umetit të Muhammedit s.a.v.s. atëherë shprehu dëshirën “O Zot më bëj mua profet të umetit të tij!”. Zoti iu përgjigj:  نبیُّھا منھا “Profeti i tij do të jetë prej tij”. Hazret Musai tha: “O Zot më bëj një ndjekës të atij umeti!” Zoti i tha: “Jo. Ti ke ardhur më herët dhe ai do të vijë më vonë”.

Por, kur vjen çështja e Hazret Isait, këta hoxhallarë e ngatërrojnë. Pra, e gjithë biseda përfundon te kjo çështje, që këta njerëz më së pari duhet të provojnë se Hazret Isai është i gjallë akoma. Ne e provojmë nga Kurani, nga hadithet dhe nga thëniet e dijetarëve të mëparshëm faktin që ai ka ndërruar jetë dhe që ai që do të vinte, duhet të vinte me misionin e tij dhe me tiparet e tij, gjithashtu ai duhet të vinte nga ky umet, e jo nga ndonjë umet tjetër. Mu ashtu siç kishte ndodhur në çështjen e ardhjes së Iljasit apo të Elias. Pra, paralajmërimi ishte që ai do të vinte përsëri. Por çfarë ndodhi? Hazret Jahja erdhi në vend të tij, me tiparet e tij e me misionin e tij. Këtë vendim e ka dhënë vetë Hazret Isai a.s. Ky parim mbahet edhe në këtë botë që për të marrë ndonjë vendim, merren parasysh se çfarë ndodhi në të kaluarën. Ne i përmbahemi vendimit të Hazret Isait dhe këta hoxhallarë i përmbahen vendimit të hebrenjve. Tani gjykoni vetë!

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp