بسم الله الرحمن الرحيم

In the name of Allah, Most Gracious, Most Merciful

Ahmadiyya Muslim Community
Albania

Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd

Kalifi i Islamit mban një fjalim historik në Parlamentin Europian

Hazret Mirza Masroor Ahmedi bën thirrje për paqe përmes bashkimit

Më 4 dhjetor të vitit 2012, Kryetari botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Kalifi i Pestë Mirza Masroor Ahmedi mbajti një fjalim historik në Parlamentin Europian, në Bruksel, para një audience prej më shumë se 350 miqsh, që përfaqësonin 30 shtete të botës.


Eveneminti u organizua nga grupi i sapoformuar “Europian Parliament Friends of Ahmadiyya Muslims”, kryetari dhe zëvendëskryetari i të cilit dolën në skenë për të mirëpritur Hazret Mirza Masoor Ahmedin. Presidenti i Parlamentit Europian, z. Martin Schulz, gjithashtu ishte i pranishëm për ta takuar Shkëlqesinë e tij.

Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, duke mbajtur fjalim për mësimet e Islamit në Parlamentin Europian

Në fjalimin e tij tridhjetë e pesë minutash, Hazret Mirza Masroor Ahmedi i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ruajë bashkimin e tij; foli për çështjen e rritjes së emigrantëve në vendet Perëndimore; këshilloi për barazi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe tregoi gjerësisht për mësimet kyçe të Islamit për të sjellë paqen globale.

Hazret Mirza Masroor Ahmedi tha që, në botën moderne, shumë njerëz e shohin Islamin si një fe që nxit dhunën dhe ekstremizmin dhe e fajësojnë për shumë nga konfliktet që po ndodhin në pjesë të ndryshme të botës. Ai tha që akuza të tilla janë krejtësisht të padrejta, për sa kohë që “vetë kuptimi i fjalës islam është paqe dhe siguri”.

Kalifi foli rreth shqetësimit të përhapur mbi rritjen e nivelit të emigracionit në vendet Perëndimore. Duke bërë një analizë të detajuar, Shkëlqesia e tij tha që çështja në fjalë po përhap “ankth dhe nervozizëm”. Ai fajësoi të dytë, edhe imigrantët, edhe njerëzit indigjenë për situatën, pasi shumë nga imigrantët provokuan vendasit duke refuzuar të integroheshin, ndërsa shtresa të caktuara të shoqërisë vendase gjithashtu, u treguan jo tolerant ndaj të huajve. Ai tha që pasojat e një ndarjeje të tillë, mund të shkojnë shumë larg dhe ai u bëri thirrje të gjitha partive që të bashkëpunojnë për t’i zgjidhur çështjet.

Hazret Mirza Masroor Ahmedi tha:

“Qeveritë duhet të bëjnë politika që vendosin dhe mbrojnë respektin e ndërsjellë, nëpërmjet të cilave të shpallet i paligjshëm cenimi i ndjenjave të të tjerëve apo dëmtimi i tyre, në çfarëdo mënyre. Për sa u takon imigrantëve, ata duhet të hyjnë me një gatishmëri për t’u integruar me njerëzit vendase, ndërsa vendasit gjithashtu, duhet të jenë të gatshëm për të hapur zemrat e tyre dhe për të shfaqur tolerancë”.

Rreth Bashkimit Europian, Hazret Mirza Masroor Ahmedi tha:

“Formimi i Bashkimit Europian ka qenë një arritje madhore në vendet Europiane, derisa ai ka qenë një mjet për bashkimin e këtij kontinenti. Prandaj, ju duhet të bëni të gjitha përpjekjet e mundshme për ta ruajtur këtë bashkim… Mbani mend, që forca e Europës qëndron në unitetin e saj si një. Uniteti i till jo vetëm që do t’ju ndihmojë këtu në Europë, por ai do të jetë mjet i mbajtjes së forcës dhe influencës së saj edhe në arenën globale”.

Kalifi gjithashtu foli për nevojën që bashkëpunimi të mos jetë vetëm brenda Europës, por në mbarë botën. Ai tha:

“Nëse flas nga perspektiva islame, ne duhet të përpiqemi maksimalisht për të bashkuar gjithë botën. Bota duhet të bashkohet në aspektin e monedhës, duhet të bashkohet në aspektin e tregut. Edhe në aspektin e lirisë së lëvizjes dhe mërgimit, duhet të krijohen politika të unifikuara dhe praktike, që bota të bashkohet”.

Kalifi tha që në botën moderne, vendet nuk mund të qëndrojnë më të izoluara, madje, edhe superfuqitë e botës, si Shtetet e Bashkuara, janë të varura nga tregu dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai tha që shtetet e zhvilluara nuk duhet të shfrytëzojnë shtetet e dobëta, madje duhet të kontribuojnë në zhvillimin dhe në suksesin e tyre.

Hazret Mirza Masroor Ahmedi gjithashtu foli rreth konflikteve të botës arabe dhe Lindjes së Mesme. Ai tha që ndërsa Perëndimi ka shprehur hapur zemërimin dhe shqetësimin e tij për situatën në Siri dhe Libi, nuk duket po aq i interesuar për fatin e popullit palestinez.

Hazret Mirza Masroor Ahmedi tha:

“Ky standard i dyfishtë po shkakton hidhërim dhe zemërim në zemrat e njerëzve të vendeve muslimane, kundër superfuqive të botës. Ky zemërim dhe armiqësi është shumë i rrezikshëm dhe mund të shpërthejë dhe të plaset në çdo kohë…

Le të jetë e qartë që unë nuk flas në mbështetje apo favor të ndonjë shteti të veçantë. Ajo që dëshiroj t’ju them është që të gjitha format e mizorisë, kudo që ekzistojnë, duhet të zhduken dhe të ndalohen, pa marrë parasysh se ato bëhen nga populli i Palestinës, apo nga populli i Izraelit apo nga populli i ndonjë vendi tjetër”.

Kalifi i Muslimanëve ahmedianë Hazret Mirza Masroor Ahmadi duke u takuar me z. Martin Schulz, Presidentin e Parlamentit Europian

Kalifi gjithashtu kritikoi parimin e Veto-së në institucionet ndërkombëtare. Ai tha që historia e votimit të anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara tregon që, në disa raste, forca Veto është keqpërdorur për të ndihmuar mizori, në vend të përdorej për ta ndaluar atë.

Hazret Mirza Masroor Ahmedi mbylli fjalimin e tij duke bërë thirrje për drejtësinë dhe barazinë. Ai tha:

“Gjithmonë mbani mend, që paqja mund të vendoset vetëm duke ndihmuar edhe të shtypurin edhe shtypësin në një mënyrë që duhet të jetë krejtësisht e paanshme, e lirë nga interesat vetjake dhe e pastër nga çdo armiqësi. Paqja ndërtohet duke u dhënë të gjitha palëve një platform dhe një fushëveprim të barabartë”.

Para se të fillonte fjalimi kryesor, disa eurodeputetë morën fjalën dhe shprehën admirimin e tyre për Islamin paqësor, siç paraqitet nga Xhemati Musliman Ahmedia.

Eurpdeputeti dr. Charles Tannock, Kryetar i grupit “Europian Parliament Friends of Ahmadiyya Muslims” tha: “Muslimanët ahmedianë janë një shembull i shumëpritur i tolerancës në botë”. Ai dënoi persekutimet ndaj muslimanëve ahmedianë që bëhen në Pakistan dhe tha: “Motoja e ahmedianëve Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd, është një kundërhelm i pëlqyer ndaj xhihadistëve ekstremistë”.

Eurodeputeti Tunne Kelam, zëvendëskryetar i grupit “Europian Parliament Friends of Ahmadiyya Muslims” tha që ai mori pjesë në këtë eveniment, pasi ky ishte një mundësi “për t’iu bashkuar një aspirate për paqe”. Ai lavdëroi Xhematin Musliman Ahmedia “për të hedhur poshtë të gjitha mizoritë dhe terrorizmin”, dhe premtoi për mbështetjen e Xhematit globalisht.

Baroneshja dhe eurodeputetja Sarah Ludford, zëvendëskryetare e grupit “Europian Parliament Friends of Ahmadiyya Muslims” foli për marrëdhëniet e saj afatgjata me Xhematin Musliman Ahmedia në Britaninë e Madhe. Ajo tha që motoja e Xhematit “është një inspirim që na nevojitet pashmangshmërisht në botën moderne”.

Eurodeputeti Claude Moraes zëvendëskryetar i grupit “Europian Parliament Friends of Ahmadiyya Muslims” tha që ky eveniment “ka tërhequr pjesëmarrjen më të madhe sesa atë që bëhet në ndonjë mbledhje tjetër të Parlamentit Europian”.

Eurodeputetja Jean Lambert, kryetare e Parlamentit Europian për Delegaten e Azisë së Jugut, tha që ajo do të vazhdojë të insistojë qeverinë pakistaneze për të kërkuar të drejtat e votimit për muslimanët ahmedianë. Ajo tha që është shumë e nevojshme që të gjitha partitë të kenë të drejtën e votës së lirë, pa asnjë diskriminim.

Presidenti i Xhematit Musliman Ahmedia të Anglisë, Rafiq Hayat, gjithashtu mori fjalën për të shprehur kënaqësinë e tij për ngritjen e grupit “Europian Parliament Friends of Ahmadiyya Muslims”.

Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia duke udhëhequr një lutje të heshtur në Parlamentin Europian.

Ky eveniment historik u mbyll në orën 4:35 pasdite, me një lutje të heshtur, të udhëhequr nga Hazret Mirza Masroor Ahmedi.

Video e fjalimit historik në Parlamentin Europian me përkthim në shqip