Hazret Muhammedi, profet i paqes
Fjalimi i së premtes i Hazret Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar
i mbajtur më 10 mars të vitit 2006
Unë, edhe më parë kam folur disa herë lidhur me akuzat e ngritura nga ana e jomyslimanëve kundër Profetit të shenjtë s.a.v.s. që thonë se ai, naudhubillah (d.m.th. kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga kjo ide), e solli një fe që asgjë nuk mban më vete, përveç ashpërsisë, vrazhdësisë, vrasjes e shkatërrimit, dhe se në Islam nuk ka ndonjë koncept të tolerancës fetare, të vetëpërmbajtjes e të lirisë. Për këtë arsye, ndikimet e këtij mësimi janë bërë pjesë psikike e myslimanëve. Në këtë pikëpamje, unë edhe më parë kam folur disa herë se, fatkeqësisht, ka disa elementë dhe grupe në mesin e myslimanëve, që bëhen shkak për lindjen dhe krijimin e këtij koncepti. Fatkeqësisht, kjo ishte ideologjia e këtyre myslimanëve që i dha rast botës jomyslimane, veçanërisht në Perëndim, që të thotë mendime absurde, shumë të paturpshme e të neveritshme për Profetin tonë të dashur s.a.v.s. Sidoqoftë, ne jemi të vetëdijshëm se aktet e këtyre sekteve e grupeve janë tërësisht kundër mësimeve të Islamit e kundër rregullave të sjelljes. Mësimet e Islamit, në të vërtetë, janë aq të bukura e tërheqëse saqë asnjë person i paparagjykuar nuk mund të mbetet pa u ndikuar nga bukuria e tyre.
Mësimi i bukur i Islamit lidhur me sjellje të mira ndaj jomyslimanëve
Kurani i Shenjtë në mënyrë përsëritëse paraqet mësime të bukura të Islamit lidhur me sjellje të mira ndaj jomyslimanëve. Islami bën porosi që të ruhen të drejtat e tyre, që ndaj tyre të sillen me drejtësi e me paanësi, që t’u jepet liria fetare, dhe nuk duhet të shtrëngohen në çështje të fesë, etj. Ka shumë porosi lidhur me myslimanët e me jomyslimanët. Pa dyshim, në Kuran lejohet që të bëhet luftë në rrethana të veçanta; ajo lejohet vetëm në rast se armiku të sulmon e fillon luftën, prish marrëveshje, bën padrejtësi brutale ose bëhet tiran. Po edhe në këto rrethana dhe në këto situata, asnjë grup ose parti e ndonjë vendi nuk ka të drejtë të bëjë luftë, por kjo është detyra e një qeverie që të marrë vendim se si mund t’i jepet fund tiranisë. Kjo nuk është detyra e ndonjë organizate xhihadi që ta marrë përsipër këtë çështje.
Modeli shembullor e i shkëlqyer i sjelljeve të Profetit të shenjtë s.a.v.s. përkundër mizorive e padrejtësive të mosbesimtarëve të Mekës e të armiqve të Islamit
Edhe në kohën e Profetit të shenjtë s.a.v.s. janë krijuar rrethana të veçanta të luftërave, që i detyruan myslimanët të luftonin për mbrojtjen e tyre. Sidoqoftë, siç thashë, organizata xhihadi në këtë kohë, me parulla e aksione të tyre militante, pa ndonjë arsye e autoritet ligjor, iu dhanë rast e inkurajim të tjerëve, që ta sulmonin Profetin e shenjtë s.a.v.s. me sulme të paturpshme e të neveritshme, dhe vazhdojnë ta sulmojnë edhe sot. Ndërsa, Profeti i shenjtë s.a.v.s. ishte personifikim i mëshirës; një mirëbërës ndaj njerëzimit dhe një mbrojtës i madh i të drejtave njerëzore, që nuk e humbiste asnjë shans për t’i sjellë dobi edhe armikut, bile edhe në kohën e ndonjë beteje. Çdo hap i jetës së tij, çdo vepër e tij, në të vërtetë çdo moment i jetës së tij është një dëshmi e plotë, që e vërteton dhe e saktëson faktin se ai ishte personifikim i përkryer i mëshirës me një zemër që i tejkaloi të gjithë të tjerët, në plotësimin e kërkesave të mëshirës e të dhembshurisë. Ai veproi ashtu në kohën e paqes, gjatë luftërave, në vendin e tij e jashtë vendit, në punë të përditshme e në vlerësimin e marrëveshjeve të bëra me njerëzit e feve të tjera. Ai i vendosi standarde të larta të lirisë së ndërgjegjes dhe të tolerancës fetare. Ai kur hyri në Mekë si një ngadhënjimtar e pushtues i madh, por ai i fali njerëzit e pushtuar dhe ua dha lirinë e pakufizuar fetare. Kështu ai krijoi një shembull të shkëlqyer lidhur me këtë mësim të Kuranit të Shenjtë:
Nuk ka dhunë në çështjen e fesë. (El-Bekare, 2:257)
Besimi fetar është çështja e zemrës dhe e mendjes së çdo njeriu. Unë dëshiroj vetëm që ju ta pranoni fenë e vërtetë, e kështu do ta bëni jetën tuaj më mirë në këtë botë e në botën e Ahiretit, e do të siguroni falje për vete. Mirëpo, unë ju them troç se në çështje të fesë nuk ka shtrëngim. Vërtet, e tërë jeta e Profetit është e mbushur me ngjarje të tilla të tolerancës, të lirisë fetare e të ndërgjegjes. Disa prej atyre ngjarjeve unë do t’i përmend këtu. Periudha 13 vjeçare e vështirësive dhe e vuajtjeve në Mekë, pas deklaratës së tij, se është Profeti i Zotit, njihet prej të gjithëve. Profeti i shenjtë s.a.v.s. dhe es-habët e tij i duruan torturat e vuajtjet e mëdha. Banorët e Mekës i shtrinin ata në zallin përcëllues të mesditës dhe gurë të nxehtë u viheshin mbi gjokset e tyre. Ata u rrahën me kamxhik. Ata ua vrisnin gratë, duke i çjerrë këmbët e tyre. Ata u vranë e u bënë martirë. Edhe vetë Profeti i shenjtë u bë shenjë e sulmit të tyre. Një herë, kur ai falte namazin, dikush i vuri plancin e një deveje mbi shpinën e tij, e ai nuk mundi të çohej nga pesha e asaj. Gjatë vizitës së tij për në Taif, fëmijët e qëllonin me gurë, përdornin kundër tij një gjuhë banale e fjalë shumë të turpshme, kurse prijësit e tyre i inkurajonin e i nxisnin ata. Ai u plagos aq shumë sa që u zhyt në gjak, sa edhe këpucët e tij u mbushën me gjak. Po ashtu, në Sho’b Abi Talib, ai me familjen dhe me ithtarët e tij u rrethua për disa vjet. Ata nuk kanë pasur me vete as ushqim për të ngrënë e as ujë për të pirë. Edhe fëmijët vdisnin urie. Një sahabi (shok i Profetit s.a.v.s.) në errësirën e natës ndjeu diçka të butë nën këmbët e veta, të cilën ai e mori dhe e futi në gojë, duke menduar se është një gjë për të ngrënë. Kjo ishte gjendja e tyre e urisë dhe e shtrëngimit. Një gjendje mjaftë dëshpëruese. Më në fund, të shtrënguar e të detyruar nga këto rrethana, ata vendosën të migronim për në Medinë. Por armiku nuk i la ata të qetë edhe gjatë largimit edhe pasi arritën në Medinë, e sulmuan qytetin. Ata u përpoqën që t’i nxisnin çifutët e Medinës kundër tyre. Pra, në rrethana të tilla, për të cilat kam folur shkurtimisht, nëse krijohet situata e luftës, dhe i shtypuri ta ketë mundësinë t’ia kthejë përgjigjen tiranit, atëherë edhe ai në raste të tilla bën përpjekje që t’i japë përgjigje tiranit me dhunë. Thuhet se çdo gjë lejohet në luftë. Mirëpo, Profeti ynë s.a.v.s. vendosi standarde të larta të mëshirës e të zemërbutësisë edhe në këto situata. Kishte kaluar një kohë shumë e shkurtër, qëkurse ata dolën nga Meka, dhe plagët e vuajtjeve e të torturave akoma ishin të freskëta. Profeti i shenjtë s.a.v.s. e ndjente dhembjen e ithtarëve të vet më shumë se sa dhembjen e tij, prapëseprapë ai nuk i shkeli mësimet, principet e porositë islamike. Ai nuk i prishi cilësitë e veta dhe moralet e larta të qenësishme dhe që ishin pjesë e mësimeve të tij. Ju mund të shihni se çfarë bëjnë këto shtete Perëndimore kundër atyre me të cilët janë duke bërë luftë, dhe shikojeni, në krahasim të sjelljeve të tyre, modelin e bekuar e të shkëlqyer të Profetit të shenjtë s.a.v.s. Lidhur me këtë, ka një hadith që e ruan historinë e asaj kohe.
Në luftën e Bedrit, vendi ku trupat myslimanë zbritën, nuk ishte ndonjë vend i përshtatshëm. Hubab bin Munzeri e pyeti Profetin e shenjtë s.a.v.s., duke iu drejtuar atij:- O Profet i Allahut xh.sh., vendimin për zgjedhjen e këtij vendi a e more në bazë të shpalljes Hyjnore, apo e zgjodhe vetë nga pikëpamja strategjike? Profeti i shenjtë s.a.v.s. iu përgjigj:- E zgjodha këtë vend nga pikëpamja strategjike, meqë gjendet në një lartësi dhe mendoj se do të jetë i përshtatshëm. Ai i tha: Ky nuk është një vend i përshtatshëm. Më mirë të shkojmë te burimi i ujit e ta zëmë atë, duke bërë një rezervuar. Në këtë rast ne do të kemi mundësi të pimë ujë, ndërsa armiku jo. Duke dëgjuar këtë, ai tha:- Mirë, pajtohem me ju. Prandaj, ata u nisën në drejtim të ujit e zbritën atje. Pas një kohe të shkurtër, disa njerëz nga fisi Kurejsh erdhën që të merrnin ujë. Es-habët u munduan t’i pengonin ata që të merrnin ujë, mirëpo Profeti i shenjtë s.a.v.s. u tha:- Mos i pengoni, i lejoni të marrin ujë.
(Es-Siratun Nabëvijah, li ibni Hesham, f. 424, Gezvah Bedr El-Kubra, mashvarah, El-Habab Ala Rasulilahi s.a.v.s., Darul Kutub El-ilmijjah, Bejrut, botimi i parë, 2001)
Islami nuk është përhapur me tehun e shpatës, por me anë të sjelljeve, moraleve të larta, me anë të mësimeve të veta dhe me anë të lirisë së ndërgjegjes e të fesë
I tillë ishte standardi i lartë i karakterit të Profetit të shenjtë s.a.v.s., që ai e shfaqte edhe ndaj atyre armiqve, të cilët para pak kohe i kishin bllokuar furnizimin e ushqimit e të ujit për fëmijët myslimanë. Duke e lënë anash këtë, ai nuk i pengoi fare ata ushtarë armiq që kishin ardhur për të marrë ujë nga rezervuari që ishte nën kontrollin e tij, sepse një gjest i tillë ishte kundër normave të moralit. Akuza më e rëndë që ngrihet kundër Islamit është se ai është përhapur me tehun e shpatës. Njerëzit që kishin ardhur te çezma për të marrë ujë edhe mund të torturohishin që të mos merrnin ujë dhe mund të shtrëngoheshin që t’i pranonin disa kushte të besimtarëve. Paganët e Arabisë në shumë beteja kishin vepruar në këtë mënyrë. Mirëpo, Profeti i shenjtë s.a.v.s. nuk veproi kështu. Në këtë rast mund të thuhet se ai e mori këtë hap për shkak se pozita e myslimanëve ishte shumë e dobët e ata nuk kishin fare forca e fuqi, ndaj për t’iu shmangur luftës, ishte bërë ky lëshim mirënjohje. Mirëpo, kjo nuk është e vërtetë. Të gjithë myslimanët, bile edhe fëmijët, e dinin shumë mirë se paganët e Mekës ishin të etshëm për gjakun e myslimanëve, bile kur ata shihnin myslimanë, zemëroheshin aq shumë sa që u zbriste gjak në sytë e tyre. Prandaj, askush nuk ka pasur ndonjë mendim të tillë të vetëkënaqësisë, e veçanërisht kur është fjala për Profetin e shenjtë s.a.v.s. Gjithçka që ai bëri dhe sjelljet e mëshirës e të zemërgjerësisë që i shfaqi, ishte vetëm për shkak se ai kishte mëshirë për tërë njerëzimin, se ai vendosi në botë vlerat njerëzore, sepse ai, pa dyshim, kishte për detyrë që t’ia paraqiste botës atë mësim me anën e të cilit do të njiheshin vlerat morale e njerëzore islamike.
Aty ka një ndodhi të një armiku të Islamit që ishte dënuar me vdekje. Atij jo që ju fal jeta prej Profetit të shenjtë s.a.v.s., por i ishte dhënë liri që ta praktikonte fenë e vet, duke jetuar në mesin e myslimanëve. Këtë ngjarje e përmend këtu:
Ikramah, biri i Ebu Xhehlit, luftoi, si babai i vet, gjatë tërë jetës kundër Profetit të shenjtë s.a.v.s. Në kohën e fitores së Mekës, megjithëse Profeti i shenjtë s.a.v.s. kishte deklaruar amnisti të përgjithshme, sulmoi me anë të një trupi ushtarësh dhe shkaktoi gjakderdhje në Kaba (Qabe). Për shkak të këtyre krimeve të luftës, Ikramah ishte i dënuar me vdekje. Meqë, në atë kohë, askush nuk mund të qëndronte para myslimanëve, edhe ai, për të shpëtuar jetën, iku në drejtim të Jemenit. Gruaja e tij erdhi te Profeti i shenjtë s.a.v.s. dhe kërkoi falje për të, dhe Profeti i shenjtë s.a.v.s., duke shfaqur mëshirë dhe bujari e fali. Mandej, ajo shkoi mbas burrit të saj që t’i tregonte se Profeti i shenjtë s.a.v.s. e ka falur atë dhe pastaj ta merrte me vete. Ikramah nuk mund ta besonte se Profeti i shenjtë s.a.v.s. e ka falur, pavarësisht nga fakti se ai kishte bërë mizori e padrejtësi të mëdha, kishte vrarë shumë myslimanë dhe kishte luftuar deri në ditën fundit; si pra mund të falej ai? Sidoqoftë, gruaja e bindi disi atë dhe e solli prapë në Mekë. Kur Ikramah erdhi në oborrin e Profetit të shenjtë s.a.v.s. që të vërtetonte këtë lajm se, a në të vërtetë e kishte falur atë, duke bërë ndaj tij një mirënjohje aq të madhe. Profeti i shenjtë s.a.v.s. së pari u ngrit në shenjë respekti ndaj Ikramahut, sepse ishte prijësi i popullit armik, ndaj duhej të nderohej. Mandej, Ikramhut i tha se unë vërtetë të kam falur ty.
(Muatta Imam Malik, Kitabun Nikah, Nikahul mushriki idha aslamat zeuxhatuhu kablahu, hadithi 1156, Darul Fikr, Bejrut, botimi i tretë, 2002)
Ikramahu kërkoi një sqarim prej tij: A më fale edhe pse dua të qëndroj në fenë time? Kjo do të thotë se ai nuk e kishte pranuar fenë Islame dhe qëndronte në fenë e tij të idhujtarisë. Profeti i shenjtë s.a.v.s. i tha:- Po, unë të kam falur. Duke dëgjuar këtë, Ikramahu bërtiti me zë e duke iu drejtuar Profetit të shenjtë s.a.v.s. i tha:- O Muhammed, ti me të vërtetë je shumë i mëshirshëm, zemërhapur, i dhembshur dhe i sjellshëm ndaj farefisit tuaj. Pra, duke e parë mrekullinë e moralit të shkëlqyer e të mirënjohjeve të tij, Ikramahu e përqafoi fenë Islame.
(Es-Siratu Halabiah, vol. 3, f. 132, Bab dhikru magaziah s.a.v.s. fet’h makkah sharrafahallahu ta’ala, Darul Kutub El-Ilmijjah, Bejrut, botimi i parë, 2002)
Po, në këtë mënyrë, është përhapur Islami; me sjellje shembullore e me lirinë e ndërgjegjes e të fesë. Pra, kjo ishte shigjeta e sjelljeve të shkëlqyera dhe e lirisë së fesë që e mposhti personin si Ikramahu! Profeti i shenjtë s.a.v.s. të burgosurve dhe skllevërve u kishte dhënë leje e liri të plotë fetare, ndërsa përhapja e mesazhit të Islamit ishte në bazë të porosisë Hyjnore që të përhapeshin mësimet e Islamit ndër ata që nuk dinin gjë për to. Dhe qëllimi kryesor ishte që njerëzit t’i afroheshin Zotit, dhe po ashtu kjo propagandë bëhej në favor të tyre.
Një ngjarje e një të burgosuri shënohet si vijon:
Seid bin Abi Seidi rrëfen se ai dëgjoi Abu Hurejrahun r.a. duke thënë se kur Profeti i shenjtë s.a.v.s. dërgoi një ekspeditë në drejtim të Nexhdit, që zunë një njeri nga fisi Banu Hanifah, i quajtur Thumama bin Athal. Ata e sollën me vete dhe e lidhën më një shtyllë të xhamisë. Atëherë Profeti i Shenjtë s.a.v.s. doli para tij dhe i tha:- Ç’mendon ti, o Thumama, si do të sillemi me ty? -Kam mendim të mirë, tha ai. Nëse do të më vrasësh, ke vrarë njeriun e gjakut; po nëse më fal, atëherë do të falësh një njeri që do të jetë mirënjohës. Nëse ti dëshiron pasuri, merr sa të duash (populli i tij mund të jepte shumë pasuri për hir të tij). E lanë ashtu deri sa agoi dita e re. Profeti i shenjtë s.a.v.s. doli para tij e i tha:- Ç’mendon ti, o Thumama? -Ashtu siç të thashë dje, dha përgjigje ai. Mandej, e lanë ashtu. Prapë në ditën e tretë, Profeti i shenjtë s.a.v.s. doli përsëri para tij dhe i tha:- Ç’mendon ti, o Thumama? -Unë të thashë çfarë desha unë. Nëse do të më falësh, do të falësh një njeri që do ta çmojë mirënjohjen tënde, tha ai. Profeti i shenjtë s.a.v.s. dha urdhër që ai të lirohej. Prandaj, ata e liruan. Ai shkoi në kopshtin e hurmave afër xhamisë dhe u la, pastaj hyri prapë në xhami dhe tha shehadetin:
Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut xh.sh.,
dhe tha:- O Muhammed, pasha Zotin, nuk ka pasur ndonjë fytyrë në tokë që e kam urryer më tepër se fytyrën tënde, kurse tani fytyra jote është bërë për mua fytyra më e dashur; pasha Zotin, nuk ka pasur fe që e kam urryer më shumë se fenë tënde, por tani feja jote është bërë për mua feja më e dashur; pasha Zotin, nuk ka pasur në sy të mi qytet më të urryer se qyteti yt, mirëpo tani qyteti yt është bërë për mua qyteti më i dashur. Kalorësit e tu më zunë, kur unë desha të shkoja për në Umra. Ç’thua, o Profeti i shenjtë s.a.v.s.? Ai e përgëzoi dhe e uroi se e përqafoi fenë Islame, dhe e porositi që të shkonte për Umra. Kur arriti në Mekë, dikush i tha: Ti je bërë sabi (pafe). Ai iu përgjigj:- Jo, pasha Zotin, por, përkundrazi, e përqafova Muhammedin, të Dërguarin e Allahut. Ju, pasha Zotin, nuk do të merrni asnjë kokërr gruri në Jamama, derisa nuk jep leje Profeti i shenjtë s.a.v.s.
(Sahih Buhari, Kitabul Maghazi, Bab vefdi bani hanifah, ve hadith Thama bin Ethal,, hadithi 4372, Darul Kutub El-Arabi, Bejrut, botimi i parë, 2004)
Në një hadith tjetër rrëfehet se kur ai shkoi për në Umra, mosbesimtarët e Mekës u përpoqën ta rrihnin ose e rrahën, ai tha se ju nuk do të merrni asnjë kokërr gruri, derisa nuk jep leje Profeti i shenjtë s.a.v.s. Pra, ai shkoi te populli i tij dhe eksporti i drithit u ndërpre. Situata u keqësua mjaft. Mandej, Abu Sufjani shkoi te Profeti i shenjtë s.a.v.s. me kërkesë që të lejohet eksporti i grurit, sepse njerëzia filloi të vdiste urie; dhe kërkoi mëshirë për popullin e vet. Profeti i shenjtë s.a.v.s. nuk tha që ju do ta merrni drithin vetëm atëherë kur të pranoni Islamin. Por, përkundrazi, ai i dërgoi një mesazh Thumamait që të mos e ndalojë eksportimin e drithit, sepse ky është një akt tiranie. Kjo është padrejtësi. Fëmijët, të rinjtë, pleqtë e të sëmurët kanë nevojë për ushqim dhe duhet t’u sigurohet.
(Es-Siratun Nabëvijah, li Ibni Hesham, f. 888, uthira Thumama bin Ethal El-henfi ve Islamuhu, Darul Kutub El-ilmijjah, Bejrut, botimi i parë, 2001)
Tani, shihni se Thumamait nuk i ishte thënë se ti tani je nën kontrollin tonë, pranoje Islamin. Përkundrazi, ai ishte sjellë shumë mirë gjatë atyre tri ditëve, e mandej standarde më të larta të sjelljes janë shfaqur ndaj tij kur e liruan atë. Po ashtu, në anën tjetër, edhe Thumamah kishte largpamësi e urtësi sa që menjëherë pas lirimit, e dorëzoi veten në robërinë e Profetit të shenjtë s.a.v.s., duke thënë se në këtë robëri është mirësia ime materiale e shpirtërore.
Po ashtu, Profeti i shenjtë s.a.v.s. nuk e detyroi një skllav çifut duke i thënë: ti je skllavi im dhe je nën kontrollin tim, ndaj vepro ashtu siç të them unë. Kur ai u sëmurë shumë rëndë, dhe Profeti i shenjtë s.a.v.s. vërejti se jeta e tij ishte në rrezik, ai u shqetësua dhe kishte merak që ai, jetën të përfundonte në rrugën e drejtë, që ai të falej prej Zotit.. Ai nuk donte që skllavi të ndahej nga kjo botë, pa e pranuar Sheriatin e fundit të Zotit. Prandaj, Profeti i shenjtë s.a.v.s. shkoi t’i bënte vizitë dhe duke qëndruar pranë shtratit të tij, me fjalë e me ton shumë mallëngjyes i tha:- Pranoje Islamin!
Hazret Anesi r.a. rrëfen:
Profeti i shenjtë s.a.v.s. kishte një djalosh çifut që i shërbente atij. Ai u sëmurë, dhe Profeti i shenjtë s.a.v.s. shkoi t’i bënte atij vizitë. Duke qëndrua pranë kokës së tij, ai i tha:- Pranoje Islamin! Djaloshi shikoi babain e tij që i rrinte pranë shtratit, që i tha të birit:- Bindu dhe pranoje Abul Kasimin (d.m.th. Profet Muhammedin s.a.v.s.), e kështu djaloshi e përqafoi fenë Islame.
(Sahih Buhari, Kitabul Xhenaiz, Bab idha eslama es-sabijju famata, hadithi 1356, Darul Kutub El-Garbi, Bejrut, botimi i parë, 2004)
Pra, ai e përqafoi fenë Islame, për shkak se i kishte parë vetë sjelljet e mira e të mëshirshme të Profetit të shenjtë s.a.v.s., kur ishte në robërinë e tij. Ai me siguri do të kishte menduar se Islami është një fe e vërtetë dhe se vetëm aty ka shpëtim të vërtetë. Ai kurrë nuk do të ketë menduar se një personifikim i dashurisë e i zemërgjerësisë, siç ishte Profeti i shenjtë s.a.v.s., do të mund të mendonte keq për të. Pa dyshim, ai ishte i vërtetë dhe gjithnjë i thërriste të tjerët në drejtim të së vërtetës e në drejtim të veprave të mira, dhe i këshillonte të tjerët në mënyrën më të mirë. E tillë ishte ajo liri që e krijoi ai, dhe në botë nuk ka ndonjë shembull të tillë të kësaj lirie.
Profeti i shenjtë s.a.v.s. e pëlqente lirinë e ndërgjegjes, të fesë e të jetës, dhe e urrente skllavërinë edhe para se të bëhej Profet i Zotit. Kur pas martesës, Hazret Hadixheja ia dorëzoi Profetit të shenjtë s.a.v.s. tërë pasurinë dhe skllevërit e saj, ai asaj i tha:- Nëse ti ma dorëzon tërë pasurinë tënde, atëherë gjithçka do të jetë në dorën time dhe unë do të veproj ashtu siç do ta vendos vetë. Ajo iu përgjigj:- Për këtë arsye unë vendosa të të dhuroj ty. Profeti i shenjtë s.a.v.s. aty për aty tha:- Unë i liroj skllevërit. Ajo i tha:- Unë t’i dhashë ty, bëje siç ta merr mendja, e asgjë nuk është më në dispozicionin tim. Pra, Profeti i shenjtë s.a.v.s. menjëherë i mblodhi të gjithë skllevërit e saj dhe u tha:- Sot ju të gjithë jeni të lirë. Përveç kësaj, ai ndau një pjesë të madhe të pasurisë së saj në mesin e të varfërve e nevojtarëve.
Një ndër skllevërit që ai e liroi ishte edhe Zejdi. Ky sa më dukej ishte më i mençur e më i shkathët se të gjithë skllevërit e tjerë. Edhe pse i ishte dhënë liria, dhe i ishte hequr vula e skllavërisë, prapëseprapë ai vendosi që të mbetej përgjithmonë skllav tek Profeti i shenjtë s.a.v.s. Prandaj, ai Profetit të shenjtë s.a.v.s. i tha:- Shumë mirë, ju më liruat, por unë nuk dëshiroj të lirohem. Unë do të qëndroj me ju si skllavi juaj. Prandaj, ai qëndroi bashkë me Profetin s.a.v.s., dhe dashuria e lidhshmëria e tyre reciproke vazhdoi të rritej. Zejdi që me origjinë rridhte nga një familje e pasur, ishte rrëmbyer në fëmijëri e mandej ishte shitur e ishte blerë nga banditët. Ai ishte shitur disa herë e më në fund arriti këtu. Prindërit e farefisi i tij e kërkonin gjithandej dhe mësuan se djali i tyre është në Mekë. Ata erdhën në Mekë, dhe duke e kërkuar atë mësuan se djali gjendej tek Profeti i shenjtë s.a.v.s. Ata ia ofruan Profetit të shenjtë s.a.v.s. një sasi të madhe të hollash, që të lirohej djali i tyre, duke i thënë se nëna e tij ishte në një gjendje shumë të rëndë mjerimi e pikëllimi. Profeti i shenjtë s.a.v.s. atyre u tha:- Unë e pata liruar Zejdin dhe ai është i lirë të shkojë kudo, dhe se unë nuk dëshiroj t’i marr të hollat. Prindërit e tij i thanë:- O Zejd, eja të shkojmë! Mirëpo, Zejdi iu përgjigj:- Unë ju kam takuar juve dhe kjo mjafton, dhe kur të kem rast do të takohem edhe me nënën time. Tani për tani, unë nuk mund të vij me ju. Unë jam skllav i Profetit të shenjtë s.a.v.s. dhe nuk mendoj që të ndahem prej tij. Unë e dua Profetin s.a.v.s. më shumë se sa mund të dojë ndokush nënën e babën e vet. Prindërit e farefiset e Zedit e lutën atë me këmbëngulje, por ai refuzoi të shkonte me ta. Duke e parë dashurinë e Zedit, Profeti i shenjtë s.a.v.s. tha:- Zedi ishte i lirë edhe më përpara, por sot ai është djali im. Prindërit e Zedit u kthyen në vendin e tyre, kurse Zedi mbeti te Profeti i shenjtë s.a.v.s.
(Përmbledhur nga “Dibaça Tefsirul Kuran”, f. 112, Nazarat Isha’at Rabvah, Ziaul Islam Press, Rabvah)
Pas Pejgamberllëkut, vlerat e Profetit të shenjtë s.a.v.s. të lirisë u zbukuruan edhe më shumë. Përveç natyrës së tij të qenësishme, tani kishte filluar të merrte porosi Hyjnore lidhur me të drejtat e skllevërve, dhe nëse dikush nuk do të mund t’i plotësonte, atëherë ai detyrohej t’i lironte ata.
Një hadith na dëshmon se një herë një sahabi (shoku i Profetit) e rrihte skllavin e tij. Kur Profeti i shenjtë s.a.v.s. e vuri re këtë, ai shprehu keqardhjen e zemërimin e tij. Duke parë zemërimin e Profetit të shenjtë s.a.v.s., ai sahabi e liroi skllavin. Atëherë, Profeti i shenjtë s.a.v.s. tha:- Po të mos e liroje atë, do të meritoje ndëshkimin e Allahut xh.sh.
(Sahih Muslim, Kitabul Iman, Bab suhbatil Mamalik, hadithi 4200, 4201, Darul Fikr, Bejrut, 2004)
Pra, shihni, kjo është liri! Një shembull i lirisë së ndërgjegjes që ka të bëjë me njerëzit e feve të ndryshme, të cilën e kishte praktikuar Profeti i shenjtë s.a.v.s. në Medinë, ku sundonte ai.
Në një hadith, Abu Hurejrah rrëfen se një herë dy persona grindeshin. Njeri prej tyre ishte mysliman, kurse tjetri çifut. Myslimani i tha:- Unë betohem në emër të asaj Qenieje që e zgjodhi Muhammedin mbi të gjitha botët dhe që i dhuroi epërsi mbi të gjithë. Çifuti tha:- Unë betohem në emër të asaj Qenieje që i dhuroi epërsi Musait mbi të gjitha botët dhe e zgjodhi atë. Me të dëgjuar këtë, myslimani ia flakëroi atij një shuplakë. Çifuti u ankua te Profeti i shenjtë s.a.v.s. Ai së pari kërkoi sqarim prej atij myslimani e mandej i tha:
Mos më jepni epërsi ndaj Musait.
(Sahih Buhari, Kitbul Khusumat, Bab ma jedhkuru fil eshkhas vel khusumah bejnal muslim vel jehud, hadithi 2411, Darul Kitab El-Arabi, Bejrut, botimi i parë, 2004)
Ky ishte standardi i lirisë – i lirisë së ndërgjegjes e i fesë, në qeverinë e tij. Pas migrimit në Medinë, Profeti i shenjtë s.a.v.s. hyri në një marrëveshje me çifutët e me fiset e tjera, me qëllim që të arrihej paqe. Me që myslimanët ishin shumicë, qoftë për nga numri ose për shkak të atyre njerëzve që iu bashkuan myslimanëve, edhe pse nuk ishin myslimanë, drejtimi i qeverisë ishte në duart e Profetit të shenjtë s.a.v.s. Mirëpo, kjo nuk do të thoshte se popujt e tjerë dhe ndjenjat e tyre nuk respektoheshin. Me gjithë dëshminë e Kuranit se ai është Profeti më i zgjedhur prej të gjithë Profetëve, ai nuk pranoi që t’i jepej epërsi ndaj Profetëve të tjerë, që atmosfera të mos prishej. Pasi e dëgjoi ankesën e atij çifuti, ai duke e qortuar myslimanin, i tha:- Mos i përzieni Profetët në grindjet tuaja; po nëse sipas mendimit tuaj unë jam Profeti më i zgjedhur prej të gjithëve, edhe Allahu xh.sh. jep dëshmi për këtë, prapëseprapë të keni të qartë se nuk duhet që në qeverinë tonë të lëndohet dikush, për shkak të asaj se është thënë diçka për Profetin e tij. Unë nuk do ta lejoj këtë. Nëse doni që të respektohem, atëherë i respektoni të gjithë Profetët e tjerë. Pra, këto ishin standarde të drejtësisë e të lirisë së ndërgjegjes e të shprehurit të Profetit të shenjtë s.a.v.s. të cilat ai i vendosi që të tregohej një kujdes ndaj ndjenjave të vetes gjithashtu edhe ndaj ndjenjave të të tjerëve. Bile, në shumë raste, ai tregonte më shumë kujdes ndaj ndjenjave të të tjerëve.
Shembulli i shkëlqyer praktik i Profetit të shenjtë s.a.v.s. lidhur me vendosjen e vlerave njerëzore e tolerancës fetare
Shfaqet edhe me një shembull tjetër nga jeta e Profetit të shenjtë s.a.v.s., lidhur me vendosjen e vlerave dhe sjelljeve njerëzore.
Abdur Rahman bin Abi Lejla rrëfen se Sahl bin Hunejfi dhe Kejs bin Sa’di ishin të ulur në vendin e quajtur Kadsia, kur pranë tyre kaloi një xhenaze. Ata të dy u ngritën në këmbë. Kur atyre u tha se kjo është xhenaze e një dhimmiu (jomyslimani), ata të dy thanë:- Një herë kaloi një xhenaze pranë Profetit të shenjtë s.a.v.s., ai u ngrit në këmbë për ta nderuar atë. Atëherë i thanë: Kjo është xhenaze e një çifuti. Duke dëgjuar këtë, Profeti i shenjtë s.a.v.s. tha:
A nuk ishte edhe ai njeri!
(Sahih Buhari, Kitabul Xhenaiz, Bab man kama lixhenazati jehudi,hadithi 1312, Darul Kitab El-Arabi, Bejrut, botimi i parë, 2004)
Ashtu duhet shfaqur nderi e respekti ndaj feve të ndryshme e gjithashtu ndaj njerëzve. Sjellje të tilla dhe shembuj të tillë krijojnë një atmosferë të tolerancës fetare, të dashurisë e të paqes. Jo si veprimet e njerëzve të sotëm, të dhënë pas interesave materiale që nuk krijojnë asgjë veçse atmosferë të urrejtjes.
Në një hadith tjetër thuhet se, në kohën e fitores së Khejberit, myslimanët i gjetën disa kopje të Tevratit. Çifutët shkuan te Profeti i shenjtë s.a.v.s. dhe e lutën atë, që Libri i tyre i shenjtë t’u kthehej atyre. Profeti i shenjtë s.a.v.s. menjëherë i urdhëroi es-habët e tij që çifutëve t’ua kthenin Librat e tyre.
(Es-Siratul Halabijah, vol. 3, f. 62, Bab dhikri magazijah s.a.v.s., Gazvah Khaiber, Darul Kutub El-Ilmijjah, Bejrut, botimi i parë, 2002)
Edhe pse çifutët dënoheshin për shkak të krimeve të tyre, prapëseprapë Profeti i shenjtë s.a.v.s. nuk lejoi që të silleshin ndaj armikut në mënyrë që të lëndohej për shkak të ndjenjave fetare.
Këto janë disa ngjarje individuale që i kam përmendur. Unë edhe më parë kam përmendur se ishte bërë një marrëveshje në Medinë. Ndaj dëshiroj t’i përmend disa kushte të asaj marrëveshjeje, që arritën tek ne me anë të disa haditheve, e që shpjegojnë se si Profeti i shenjtë s.a.v.s. bëri përpjekje për të krijuar një atmosferë të tolerancës në atë shoqëri; dhe çfarë dëshironte ai për të vendosur paqe, me qëllim që të vendosej paqe e dinjiteti njerëzor në shoqëri. Ja disa kushte të asaj marrëveshjeje:
- Myslimanët e çifutët do të jetonin me simpati, mirësjellje, sinqeritet e me dashuri reciproke, dhe nuk do të bënin padrejtësi e mizori ndaj njëri-tjetrit. (Megjithëse çifutët nuk e respektonin këtë kusht dhe vepronin kudër tij, prapëseprapë Profeti i shenjtë s.a.v.s. sillej me ta me butësi e me zemërgjerësi, derisa erdhi koha kur padrejtësitë e tyre i kishin kaluar kufijtë, dhe atëherë ishin marrë disa aksione kundër tyre).
- Kushti i dytë ishte se çdo popull do të kishte lirinë e fesë. Megjithëse myslimanët ishin në shumicë, prapëseprapë ithtarët e feve të tjera ishin të lirë ta praktikonin fenë e tyre
- Kushti i tretë ishte se jeta e pasuria e të gjithë banorëve do të ruheshin e do të respektoheshin, përveçse kur dikush kryente ndonjë padrejtësi ose krim (dhe këtu nuk ka pasur ndonjë dallim. Do të silleshin të gjithë njësoj, pa marrë parasysh nëse fajtori është mysliman apo jomysliman. Për sa i përket sigurimit të pasurisë, ajo ishte detyra e të gjithëve, e banorëve dhe e qeverisë).
- Të gjitha mosmarrëveshjet e grindjet do të paraqiteshin te Profeti i shenjtë s.a.v.s. dhe do të gjykoheshin sipas direktivave të Zotit. (Direktiva e Zotit do të thotë se gjykimi do të bëhet sipas Sheriatit të çdo populli. Mirëpo, çdo çështje do të parashtrohej te Profeti i shenjtë s.a.v.s., sepse ai ishte prijësi kryesor në atë kohë. Tani, disa të krishterë e ngrinin akuzën sikur ishte bërë padrejtësi e mizori në disa gjykime në çështje të çifutëve, kur ato gjykime ishin bërë sipas Sheriatit të tyre, ashtu sikurse ata kishin kërkuar vetë, sipas marrëveshjes).
- Asnjë palë nuk do të dilte për luftë pa marrë leje nga Profeti i shenjtë s.a.v.s. Pra, duke jetuar nën pushtetin e tij, çdokush do t’i bindej qeverisë. (Tani, shihni se ç’parashikon ky kusht? Ky është udhërrëfyes për këto organizata xhihadi. Ju nuk mund të bëni xhihad pa marrë leje nga qeveria e atij vendi ku jetoni, përveçse kur të hyni në ushtrinë e atij vendi, e mandej kur shteti bën luftë, ju keni të drejtë të merrni pjesë në të).
- Nëse ndonjë popull do t’i sulmonte myslimanët ose çifutët, atëherë këta të dy do të ngreheshin kundër atij populli. (Kjo do të thotë se këta të dy do të ndihmonin njëri-tjetrin, dhe nëse në rast pajtimi me armikun do të fitonin ndonjë dobi, atëherë ajo dobi do të ndahej barabartë në mes të atyre të dyve).
- Çifutët nuk do t’u jepnin ndonjë ndihmë, përkrahje a strehim Kurejshve të Mekës. (Sepse ata i dëbuan myslimanët nga Meka. Myslimanët gjetën strehim në Medinë, prandaj ata që jetonin nën këtë qeveri nuk duhej të nënshkruanin ndonjë marrëveshje me ta e as nuk duhej marrë ndonjë ndihmë prej tyre).
- Çdo popull do ta bartte vetë ekonominë e tij. Sipas kësaj marrëveshjeje, asnjë fajtor, tiran a njeri i padrejtë nuk do të përjashtohej nga dënimi, pa ndonjë diskriminim, qoftë ai mysliman apo çifut.
(Përmbledhur nga “Sirat Khatamunnabijin s.a.v.s.” autori Mirza Bashir Ahmad, f. 279, Islam International Publications Ltd., Islamabad, Tilford, UK, 2003)
Kjo ishte liria dhe toleranca absolute fetare kur e shohim se si Profeti i shenjtë s.a.v.s. e lejoi delegacionin e të krishterëve nga Nexhrani që të adhuronin në xhaminë e Profetit të shenjtë s.a.v.s. Ata adhuronin duke iu drejtuar lindjes. Es-habët e Profetit të shenjtë s.a.v.s. ishin të mendimit se nuk duhej t’u lejohej që të vepronin në këtë mënyrë, mirëpo Profeti i shenjtë s.a.v.s. tha:- S’prish punë.
Një evident tjetër, lidhur me këtë liri, ishte ajo letër imuniteti që Profeti i shenjtë s.a.v.s. ia dha popullit të Nexhranit, ku ishte shkruar se ai i nënshkruari do t’i ruajë kufijtë e të krishterëve (të Nexhranit) me anë të forcave ushtarake myslimane. Përveç kësaj, kjo do të ishte detyra e myslimanëve që t’i ruanin Kishat, vendet e adhurimit e hanet e tyre, pa marrë parasysh se ku gjenden, në qytete, male, në vende të largëta ose nëpër pyje. Ata do të kishin liri të plotë të adhuronin sipas fesë së tyre, dhe kjo gjithashtu ishte detyra e myslimanëve që ta ruanin lirinë e tyre fetare. Profeti i shenjtë s.a.v.s. gjithashtu deklaroi se meqë këta janë banorët e një shteti islamik, andaj është detyra e myslimanëve që t’i ruajnë. Marrëveshja flet qartë se myslimanët nuk do të kishin të drejtë t’i fusnin të krishterët në ekspeditat e tyre luftarake, pa pëlqimin e dëshirën e tyre. Priftërinjtë e tyre dhe prijësit fetarë nuk do të largoheshin nga posti i tyre, dhe do të vazhdonin t’i kryenin detyrat e ngarkuara. Nuk do të kishin pengesë në adhurimin e tyre. Vendet e tyre të adhurimit nuk do të përdoreshin në asnjë mënyrë për qëllime të tjera publike. Kjo do të thotë se ato nuk do të shndërroheshin në hane e në bujtina e as nuk do të përdoreshin për ndonjë qëllim tjetër pa lejen e tyre. Nuk do të merrej xhizja (taksë) prej dijetarëve fetarë e prej priftërinjve, kudo që ishin ata. Nëse një mysliman do të kishte gruan e krishterë, ajo do të kishte liri të plotë që të adhuronte sipas fesë së saj. Secili do të kishte liri të plotë që të shkonte te dijetarët e tij për të marrë këshilla. Për sa i përket riparimit të Kishave, nëse të krishterët kërkonin ndihmë financiare e morale, myslimanët duhej t’u jepnin ndihmë, sepse kjo nuk do të ishte borxh e as mirënjohje, por një ndihmë e tillë do ishte një formë që do ta përforconte këtë marrëveshje. Pra, duhej të kryenin aktivitete të tilla shoqërore për përforcimin e marrëdhënieve të mira reciproke e për t’i dhënë ndihmë njeri-tjetrit.
(Përmbledhur nga “Zadel Ma’ad, fi hadji khairil ibad”, hissa III, f. 187-188, vefd Nexhran, përkthim në gjuhën urdu nga Sejjed Rais Ahmad Xhafarri, Akademia Nafis, Keraçi, 1990)
Pra, këto ishin standarde të lirisë fetare e tolerancës së Profetit të shenjtë s.a.v.s. Me gjithë këtë realitet, ta akuzosh Profetin e shenjtë s.a.v.s. se e përhapi Islamin me dhunë e me tehun e shpatës, është në të vërtetë një padrejtësi e madhe.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:
Në një kohë kur populli i Librit dhe idhujtarët e Mekës ishin bërë njerëz më të shthurur e të pamoralshëm, duke kryer vepra të paturpshme mendonin se bënin bamirësi të mëdha. Ata nuk frenoheshin së bëri krime, dhe bënin kundërvajtje. Allahu xh.sh. i mbrojti të papërkrahurit e të shtypurit nga duart e tyre, duke ia dhuruar Profetit të shenjtë s.a.v.s. drejtimin e qeverisë. Meqë toka e Arabisë ishte e shfrenuar, dhe njerëzit nuk ishin nën sundimin e ndonjë mbreti, andaj çdo grup jetonte i shfrenuar dhe pa norma morale, pasi nuk kishte ndonjë ligj. Meqë nuk kishte ndonjë ligj, njerëzit ditë për ditë bënin më shumë krime. Pra, Allahu xh.sh. duke e mëshirua atë vend, e dërgoi Profetin e shenjtë s.a.v.s. jo vetëm si një Profet, por e bëri edhe Mbret të atij vendi, dhe e përsosi Kuranin si një kod ligjesh që i përfshinte në vete të gjitha direktivat lidhur me çështjet financiare, kriminale e ligjore. Prandaj, Profeti i shenjtë s.a.v.s., në kapacitet të vet, ishte Mbret dhe njerëzit e të gjitha feve i drejtoheshin atij për të gjitha çështjet e tyre për gjykim. Është vërtetuar nga Kurani se njëherë i ishte paraqitur Profetit të shenjtë s.a.v.s. një grindje në mes të një myslimani e të një çifuti. Pas hulumtimeve, Profeti i shenjtë s.a.v.s. deklaroi se çifuti kishte të drejtë dhe dha gjykim kundër myslimanit.
Pra, disa persona injorantë që nuk e lexojnë Kuranin me vëmendje të plotë, e konsiderojnë çdo aspekt nën sferën e pejgambërllëkut të Profetit të shenjtë s.a.v.s., kurse ndëshkimet e dënimet e tilla jepeshin në pozitën e Kalifit (mbretit).” (Kjo do të thotë se ajo ishte detyra e qeverisë.)
Pas Hazret Musait a.s., Izraelitë kishin Profetë të veçuar nga Mbretërit. Mbretërit bënin paqe dhe vendosnin rendin publik me anë të proceseve politike. Sidoqoftë, në kohën e Profetit të shenjtë s.a.v.s., të dyja këto pozita i ishin dhuruar atij nga Zoti. Përveç personave kriminelë, si ishin sjellë të tjerët është mjaftë e qartë nga ky ajet:
Dhe thuaju atyre të cilëve u ishte dhënë Libri dhe analfabetëve: A e keni pranuar Islamin? Nëse e përqafuan Islamin, atëherë ata, me të vërtetë, janë të përudhur. Por nëse ata kthehen mbrapa, ti ke për detyrë vetëm t’ua përcjellësh mesazhin.[1]
Ky ajet nuk do të thotë se kjo gjithashtu është detyra juaj që të luftoni me ta. Është e qartë nga ky ajet se urdhri i luftës ishte vetëm kundër njerëzve kriminelë që i vrisnin myslimanët ose krijonin çrregullime në vend dhe bënin vjedhje e plaçkitje. Luftëra të tilla ishin zhvilluar nën drejtimin e një mbreti, e jo nën drejtimin e një profeti. Siç Allahu xh.sh. deklaron:
Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë, por mos e teproni. Vërtet, Allahu nuk i do ata që e teprojnë.[2]
(“Çeshmae Marifet” “Ruhani Khazain”, vol. 23, f. 242-243)
Pra, si ishte e mundur që ai Profet s.a.v.s., të cilit i ishte zbritur një Sheriat i tillë, të vepronte kundër dekreteve Hyjnore?! Pa dyshim, ai deklaroi një amnisti të përgjithshme në kohën e fitores së Mekës, pa e kushtëzuar këtë amnisti me pranimin e Islamit. Një shembull të këtillë amnistie e kemi parë më herët. Amnistia kishte forma të ndryshme por asnjë formë nuk ishte e kushtëzuar me pranimin e Islamit, se nëse do ta pranoni Islamin, ju do të keni amnisti, përndryshe jo. Ishte një amnisti e hapur për të gjithë ata që hynin në vende të ndryshme të përcaktuara për amnisti, që tuboheshin nën flamuj të ndryshëm, që hynin në Qabe e që hynin në shtëpi të caktuara për këtë amnisti. Ky ishte një shembull aq i lartë e madhështor sa që nuk mund ta gjejmë askund shoqin e tij. Vërtet, ishte një deklaratë e pakushtëzuar e bërë me këto fjalë:
Sot nuk ka qortim kundër jush
Mijëra e mijëra salavate dhe bekime qofshin mbi këtë Profet të shenjtë s.a.v.s. që i krijoi këta shembuj të shkëlqyer dhe që na këshilloi të veprojmë në këtë mënyrë. Allahu xh.sh. na faltë mundësi që t’i ndjekim mësimet e tij. Amin!
[1] (Ale Imran, 3:21)
[2] (El-Bakara, 2:191)
- Paraqitje
- Allahu i Madhërishëm
- Kurani i Shenjtë
- Profeti Muhammed (sav)
- Kalifati
- Pesë shtyllat e Islamit
- Gjashtë shtyllat e besimit
- Xhihadi dhe terrorizmi
- Islami dhe ekonomia
- Statusi i gruas në Islam
- Pse besoj në fenë Islame?
- Përgjigjja e Islamit ndaj çështjeve bashkëkohore
- Virtytet e muslimanit
- Historia e Islamit



