Pesë shtyllat e Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pesë shtyllat e Islamit

Pesë shtyllat e Islamit janë:

  1. Shehadeti
  2. Namazi
  3. Agjërimi
  4. Zekati
  5. Haxhi

Le t’i shohim këto shtylla më në detaje.

Për të qenë musliman, duhet të dini, të besoni e të zbatoni tërësisht e sinqerisht pesë shtyllat themelore në të cilat bazohet Islami. Hazret Ibni Umeri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, Profeti Muhammed s.a. ka thënë: Islami është i bazuar në pesë shtyllat e mëposhtme:

1. Shehadeti

Shehadeti është shtylla e parë e fesë Islame. Shehadeti do të thotë të dëshmosh besim në njëjësinë e Allahut dhe në profetizmin e Muhammedit s.a.v.s. Në arabisht fjalët e shehadetit janë:

لا إله إلا الله محمد رسول اللہ
Lā ilāhe il-lall-llāh Muhammedur resūlull-llāh
“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut; Muhammedi është i Dërguar i Allahut.”

Shehadeti ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë pohohet besimi absolut në njëjësinë e Allahut (në teuhid) ndërsa në pjesën tjetër dëshmohet që Muhammedi s.a.v.s. është një njeri dhe i Dërguar i Allahut.
Besimi në njëjësinë e Allahut është parimi thelbësor i Islamit. Të gjitha parimet e tjera varen nga kjo dëshmi. Prandaj pohimi e dëshmimi i tij është çelës për fenë Islame. Derisa një njeri nuk e përmend këtë, ai nuk mund të konsiderohet musliman. Prandaj kur dikush dëshiron të pranojë fenë Islame, ai duhet të recitojë fjalët e shehadetit me sinqeritet. Një musliman beson se Allahu është Zoti Një, i Vetëm, Krijues, Sundues dhe i Plotfuqishëm. Askush nuk i ngjan në qenien, fuqitë dhe atributet e Tij. Ai as nuk ka lindur dikë e as dikush nuk e ka lindur Atë dhe askush nuk është i barabartë me Të. Ai është i Përjetshëm, i Vetëmjaftueshëm dhe i Gjithmonshëm me fuqitë e Tij. Pra, pjesa e parë e shehadetit i kërkon myslimanit të besojë fuqimisht në Zotin Një dhe në të gjitha atributet e Tij e të mos bëj të barazueshëm askënd me Të.

Pjesa tjetër e shehadetit është të dëshmosh se Muhammedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është rob dhe i Dërguar i Allahut. Të gjitha cilësitë, virtytet e atributet më të larta të profetëve gjejnë kulmin e tyre në personifikimin e Profetit Muhammed s.a.v.s. Megjithatë ai ishte vetëm një njeri dhe nuk kishte fuqi apo cilësi mbinjerëzore. Ky besim i mbron muslimanët nga shirku, pra nga barazimi i të tjerëve me Allahun. Kështu pjesa tjetër e shehadetit përforcon dhe plotëson pjesën e parë të shehadetit, se Allahu është qenie e vetme Supreme që nuk ka asnjë partner dhe Muhammedi s.a.v.s është i Dërguari i Allahut që duhet ndjekur në të gjitha çështjet e besimit. Gjithashtu, Muhammedi s.a.v.s. është vulë e të gjithë profetëve, sepse tek ai erdhi sheriati i fundit i Allahu, që është Kurani Famëlartë. Mënyrën se si e kaloi jetën e tij dhe si i ndikoi ndjekësit e tij, në të menduarit dhe të vepruarit të tyre, përmes një modeli dhe sjelljeje të përsosur, në fenë Islame quhet suneti i të Dërguarit s.a.v.s.. Pra, kështu pjesa e dytë i kërkon besimtarit musliman që t’i nënshtrohet Profetit Muhammed s.a.v.s në të gjitha porositë, modelet dhe sjelljet e tij, dhe kjo dispozitë është po aq e rëndësishme sa besimi në njëjësinë e Allahut s.v.t..

Ky shehadet i kërkon besimtarit që t’i nënshtrohet plotësisht dëshirës, pëlqimit dhe kënaqësisë së Allahut dhe ta ndjek modelin e shkëlqyer të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Për këtë arsye ai që betohet me shehadetin quhet musliman, i cili fjalë për fjalë në gjuhën arabe do të thotë i bundur dhe i nënshtruar.

2. Namazi

Adhurimi është qëllimi kryesor i krijimit të njeriut

Qëllimi i krijimit të njeriut, sipas fesë Islame, është që ai duhet ta adhurojë Allahun. Në Kuranin Famëlartë, Zoti thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الْاِنۡسَ  اِلَّا لِیَعْبُدُوۡنِ

Unë kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të Më adhurojnë Mua.

(Edh-Daharijat 51:57)

Adhurimi (ibadeti) do të thotë bindje e plotë para urdhrave të Allahut. Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s., ka sjellë mesazhin e Allahut dhe ka shpjeguar të gjitha porositë lidhur me fenë Islame.

Rëndësia e namazit

Krahas të gjitha obligimeve fetare, Islami i jep rëndësi të madhe faljes së namazeve. Çdo musliman është i obliguar të falet pesë herë në ditë. Përveç namazeve të obligueshme, ka edhe disa lloje të tjera të namazit që janë vullnetare.

Feja Islame i mëson muslimanit që të marrë parasysh anën shpirtërore ashtu siç ai orvatet për të gjetur mjetet e mbijetesës në botën materiale. Nëse era, ushqimi e uji janë gjërat jetike për trupin e njeriut, atëherë edhe namazi është i pazëvendësueshëm për shpirtin e tij. Por namazi që falet vetëm si një ritual, nuk sjell dobi. Namazi i vërtetë është ai që bëhet me gjithë shpirt e zemër. Kurani Famëlartë thotë:

Me të vërtetë namazi të ndalon nga shthurja dhe nga çdo vepër e keqe. Sigurisht, përmendja e Allahut është më e madhe. Allahu di gjithçka që ju bëni”.

(El-Ankabut 29:46)

Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka  porositur muslimanët të kujdesen për namazet e tyre. Ai tha se namazi është shtylla e besimit. Madje tha se në Ditën e Gjykimit, njeriut më së pari do t’i kërkohet llogari pikërisht për namaz. Një herë, duke shpjeguar rëndësinë e namazit, ai tha:

Nëse një njeri ka një lumë të pastër pranë shtëpisë së tij dhe ai lahet pesë herë në ditë në të, nuk mund të mbetet papastërti në trupin e tij. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush fal namazin pesë vakte, edhe ai shpirtërisht nuk mund të mbetet i papastër.

(Buhariu, Mavakitus Salat)

Hazret Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Namazi është obligim për çdo musliman. Në hadith thuhet se një popull erdhi një herë tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili ishte bërë musliman. Njerëzit e tij e pyetën: O i Dërguar i Allahut, lirona nga obligimi i namazit, sepse jemi tregtarë dhe për shkak të bagëtive rrobat tona nuk mbeten të pastra dhe ne nuk gjejmë kohë për ta kryer këtë obligim. Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. u përgjigj: Nëse hiqet namazi, çfarë do të mbetet? Feja pa namaz nuk mund të jetë. Çfarë është namazi? Ai është paraqitja e përulësisë dhe dobësive tona para Zotit dhe kërkimi i ndihmës prej Tij. Në namaz, njeriu herë qëndron në këmbë me duar të lidhura, duke pranuar madhështinë e Zotit dhe duke u treguar i gatshëm për t’iu bindur Atij dhe herë bie në sexhde duke treguar përulësinë dhe dobësinë e tij të skajshme dhe duke i kërkuar vetëm Atij ndihmë dhe mbështetje. Herë si një lypës që lavdëron atë të cilit i lyp, edhe në namaz duke treguar madhështinë dhe fuqinë e Zotit, njeriu përpiqet ta kapë mëshirën e Zotit dhe t’i lypë Atij. Pra, nëse këto gjëra mungojnë në një fe, atëherë çfarë do t’i mbetet pastaj. Njeriu gjithmonë është nevojtar t’i kërkojë pëlqimin dhe bekimin Zotit

(Melfuzat, vëll 5, f. 243)

Kohët e namazeve

Për secilin prej pesë namazeve të obligueshme ka një kohë të caktuar, e cila përcaktohet sipas pozicionit të diellit:

Namazi i sabahut (faxhr): Koha e namazit të sabahut fillon me agimin dhe mbaron pak para lindjes së diellit.

Namazi i drekës (zuhr): Koha e namazi i drekës fillon kur dielli e kalon zenitin e tij dhe fillon të bjerë poshtë.

Namazi i ikindisë (asr): Koha e ikindisë është kur dielli fillon të përparojë në drejtim të perëndimit, të cilën ne e quajmë pasdite, por jo shumë vonë. Koha e këtij namazi mbaron pak para perëndimit të diellit, pra, kur zbehet drita e diellit. Nuk është ndaluar që namazi i ikindisë të falet në kohën e fundit të ditës, mirëpo preferohet që të falet para se të zbehet drita e diellit, kur dielli ende është larg perëndimit.

Namazi i akshamit (magrib): Koha e akshamit fillon fill pas perëndimit të diellit dhe vazhdon deri së të errësohet.

Namazi i jaciës (isha): Koha e namazit të jacisë fillon kur muzgun e pason errësira e natës. Sipas dijetarëve, koha e tij mbaron afër mes natës, por është e pëlqyeshme që jacia të falet në fillim të kohës së saj.

Kohët kur nuk falet ndonjë namaz

Duhet mbajtur mend se ndalohet të falet namazi në tri kohë: (1) kur dielli është duke lindur, (2) kur ai është duke perënduar dhe (3) kur dielli është në zenitin e tij. Po ashtu, nuk lejohet të falet ndonjë namaz nafil pas namazit të ikindisë, deri në perëndim të diellit.

Kushtet e namazit

Ka disa kushte që duhet të plotësohen para se të falim ndonjë namaz, të cilat janë:

Abdesi ose pastërtia është kushti kryesor i namazit. Namazi është për pastrimin shpirtëror, gjë që nuk arrihet nëse trupi do të lihet i papastër. Ndërsa nëse dikush ka bërë marrëdhënie me gruan, ose i është bërë derdhje në gjumë, ai duhet të lahet para se të falet. Nëse nuk ka ujë për abdes apo për larje, atëherë mund të bëhettejemumi.

Para se të falemi Namaz, ne duhet  të bëjmë nijet në fillim të Namazit. Pra, duhet të dimë se cilin namaz jemi duke falur.

Namazi duhet të falet në kohën e tij të caktuar. Megjithatë, duhet mbajtur mend se nëse dikush, për shkak të arsyeve të jashtëzakonshme, nuk ka arritur të falet në kohën e caktuar, ai duhet të falet menjëherë kur i del koha.

Vendi ku falet namazi, gjithashtu duhet të jetë i pastër.

Trupi duhet të jetë i mbuluar.

Duhet të jemi në drejtim të Kiblës (të Qabesë) kur falemi.

Llojet e namazeve sipas rëndësisë së tyre

Sipas rëndësisë së tyre, ka katër lloje namazesh:

  • Fard
  • Vaxhib
  • Sunet
  • Nafil

Tabela e rekateve të namazeve të pesë vakteve

SabahuDrekaIkindiaAkshamiJacia
Sunetet para fardit Të obligueshme24
Jo të obligueshme44
Fard24434
Sunetet pas fardit222
Vitr3

3. Agjërimi

Në Islam, ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor, gjatë të cilit muslimanët anë e mbanë botës agjërojnë prej agimit deri në perëndimin e diellit. Allahu i Lartësuar duke treguar vlerën e këtij muaji, thotë:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ

Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). [el-Bekare 2:187]

Fjala “ramazan” buron nga fjala الرمض që do të thotë zheg apo vapë përvëluese. Sipas Ibni Deridit, kur u emërtuan muajt në gjuhët arkaike, ata i emërtuan sipas kohëve në të cilat ato binin, andaj ky muaj u quajt ramazan, sepse kishte qëlluar në kulmin e verës.

Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur të vijë muaji i Ramazanit , hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit e shejtanët lidhen me zinxhirë.” [Buhariu 1079, 1800]

“Ai i cili agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe sinqeritet, i falen mëkatet e mëparshme”. [Buhariu]

AGJËRIMI

Agjërimi është e dyta ndër shtyllat e islamit. Me anë të agjërimit, njeriu synon brumosjen, formimin dhe reformimin e qenies dhe mbrujtjen e aftësisë së vetëpërmbajtjes. Agjërimi etimologjikisht do të thotë për t’u ndalur nga diçka, apo për t’u përmbajtur prej diçkaje, ndërsa terminoligjikisht do të thotë për t’u ndalur nga të ngrënit, të pirit dhe marrëdhëniet bashkëshortore, për hir të adhurimit të Zotit, prej agimit deri në perëndimin e diellit.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).                                                                                                               [El-Bekrrah 2:184]

وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ ۖ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْلِ ۚ

d.m.th. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. [el-bekare 2:188]

Në fenë Islame, çdo besimtar qoftë mashkull apo femër, që është në moshë madhore dhe është i shëndoshë mendërisht e fizikisht, dhe jo i sëmurë apo udhëtar, duhet të agjërojë rreshtazi gjatë muajit të ramazanit. Ata që nuk mund të agjërojnë nga mungesa e fuqisë, ata që janë udhëtarë apo të sëmurë, nuk e kanë detyrim agjërimin. Megjithatë udhëtarët dhe të sëmurit duhet të agjërojnë në ditë të tjera.

Ndalimi nga të gjitha llojet e ushqimeve dhe pijeve dhe përmbajtja nga dëshirat epshore, është një simbol i fuqishëm për t’iu shmangur të gjitha të këqijave.

AGJËRIMI NË FE TË LASHTA

Agjërimi është një adhurim i tillë, që ka ekzistuar së lashti edhe në fe të mëparshme. Në Kuran përmendet:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.                                                                                                                [El-Bekareh 2:184]

Ne gjejmë që pothuajse në çdo fe ekziston rituali i agjërimit, që ndonëse dallohet dukshëm në formë, në thelb përmban elemente themelore të përbashkëta. Për shembull një ndër fetë më të vjetra të lindjes, hinduizmi , i kërkon ndjekësit e tij, që të agjërojnë (agjërim = vrata) për të fituar bekimet shpirtërore. Disa nga vrata të njohura janë Ekadashi (11-ta e çdo muaji hënor), Pradosha dhe Purnima (kur hëna është e plotë). Agjërimi gjatë festave fetare, është gjithashtu një praktikë e njohur.

Në taoizëm, bigu është një lloj agjërimi, gjatë të cilit njeriu u shmanget drithërave. Bigu është lidhur ngushtë me xianin, i cili sipas filozofisë tao shënjon shkallën në të cilën njeriu fiton përjetësinë shpirtërore.

Në Dhjatën e Vjetër gjejmë që Musai (Moisiu) kishte agjëruar dyzet ditë dhe dyzet net, dy herë rreshtazi. Fillimisht ai kishte agjëruar para se të merrte pllakat e besëlidhjes prej Zotit. Kur zbriti nga mali, ai gjeti popullin e tij duke adhuruar viçin prej metali, atëherë nga zemërimi ai flaki dhe copëtoi pllakat dhe agjëroi dyzet ditë dhe dyzet net, si në herën e parë. [Ligji i përtërirë 9: 9-18]

Mbreti David agjëroi kur u sëmur djali i tij nga Bath-Sheba. [2 Samuelit 12:16-22] Madje Davidi përdorte agjërimin për të përulur shpirtin e tij. [Psalmeve 35:13] Populli i Ninives, për t’i kërkuar falje Zotit dhe për t’iu shmangur dënimit prej Tij. [Jona 3:5-7]

Ndërsa sipas Dhjatës së Re Jezusi (Isai), kur qe në shkretëtirë, agjëroi dyzet ditë e dyzet net. [Mateu 4:2, Luka 4:2] Gjatë predikimit në mal, Jezusi e përmendi agjërimin ndër veprat e besimtarit. [Mateu 6:16]

Një ndër tiparet dalluese të agjërimit në Islam është ngrënia e syfyrit.

عَنْ عَمْرِو بْنِ الْعَاصِ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ فَصْلُ مَا بَيْنَ صِيَامِنَا وَصِيَامِ أَهْلِ الْكِتَابِ أَكْلَةُ السَّحَرِ

D.m.th. Amr bin Aas r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që dallimi midis agjërimeve tona dhe agjërimeve të popullit të librit është ngrënia e syfyrit. [Muslimi, Libri i agjërimit, nr. 1836, 1096]

[Syfyri do të thotë koha para imsakut. Por gjithashtu ushqimi që hahet në këtë kohë quhet syfyr.]

Pra, agjërimi si një mjet për zhvillimin shpirtëror është i përbashkët në të gjitha fetë e mëdha.

QËLLIMI I AGJËRIMIT

Agjërimi është një mjet për pastrimin dhe edukimin shpirtëror.  Njeriu nëse heq dorë nga disa prej kënaqësive të tij për hir të Zotit, ai gjithashtu mëson që t’u përmbahet veprave fisnike dhe virtyteve të larta, duke iu shmangur çdo gjëje të ndaluar dhe të ndyrë.

Duke obliguar agjërimin, Allahu argumenton dobitë e tij duke arsyetuar që “të mund të ruheni”. Fjala اتقاء do të thotë për t’u mbrojtur, për t’u fortifikuar dhe për të arritur fitoren. Pra, agjërimi synon që besimtari t’i nënshtrohet mbrojtjes së Zotit, të fitojë mirësi dhe dobi, ndërsa ruhet nga e keqja. Agjërimi gjithashtu shërben si një mjet për pranimin e lutjeve.  Njeriu duke përjetuar urinë e etjen, vetëdijsohet e ndërgjegjësohet ndaj vuajtjes dhe mjerimit të njerëzve të tjerë. Ai duke ndier vuajtjen, bëhet gati që të ndihmojë të tjerët me një shpirt vetëmohues dhe altruist. Kjo gjë jo vetëm që shëron plagët e shoqërisë, madje ushqen popullin me virtytin e sakrificës. Agjërimi mbrun njeriun me durim e vetëpërmbajtje, që ai t’u bëj ballë trimërisht vështirësive dhe sprovave të jetës dhe të mos dorëzohet para tyre. Ramazani i mundëson njeriut aftësi për të kapërcyer çdo mundim në adhurimin e Zotit si dhe në obligimet e tjera fetare.

Njeriu gjatë agjërimit, kur u reshtet veprimeve të kota, atëherë i gjallërohen vetitë shpirtërore. Duke mprehur shikimin e tij shpirtëror, ai tashmë shkoq mirë sjelljen dhe të metat e tij, dhe mundohet t’i zëvendësojë ato me cilësi të larta. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

 الصِّيَامُ جُنَّةٌ وَهُوَ حِصْنٌ مِنْ حُصُونِ الْمُؤْمِنِ ، وَكُلُّ عَمِلَ لِصَاحِبِهِ إِلا الصِّيَام ۔ يقول الله: الصيام لي و أنا أجزي به

 d.m.th. agjërimi është mburojë dhe një fortesë për besimtar. Çdo vepër e njeriut i përket atij. Allahu thotë: Agjërimi është për Mua dhe Unë jam shpërblimi i tij. [El-Mu’xhamul Kabir, nr. 7608, Sahih el-Xhami’ us-Sujuti nr. 3881]

Agjërimi i jep njeriut mësimin e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes në sjelljen e tij. Kur besimtari kalon tridhjetë ditë të ramazanit, duke u përpjekur të heqë dorë nga veset e tij, duke u zgjuar herët për të adhuruar Zotin, duke studiuar Kuranin, ndërsa kohën e lirë kalon në përmendjen e Zotit dhe në meditim, u reshtet punëve të padobishme, angazhohet në veprat bamirëse, pra kur del nga muaji i ramazanit, ai tashmë është një ushtar i kalitur, i pajisur me virtyte të larta, që shfaq vetitë më fisnike të njeriut.

Një tjetër vlerë e agjërimit është që gjatë ramazanit besimtarët stërviten për të hequr dorë nga të drejtat e tyre të ligjshme. Nëse gjatë 11 muajve, besimtari përpiqet t’u reshtet gjërave të ndaluara, në ramazan, ai largohet edhe nga gjëra të lejuara. Shumë probleme dhe konflikte në botë, mund të zgjidheshin lehtësisht nëse njeriu nuk do të këmbëngulte për të drejtën e tij. Njeriu tregohet i gatshëm për t’u futur në konflikt të përgjakshëm, por nuk tërhiqet nga e drejta e tij. Qindra mijëra njerëz, për të kërkuar të drejtën e tyre rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e mbarë vendit, ndërsa po të vepronin me largpamësi, do të bëheshin faktorë të rëndësishëm në paqen kombëtare.

Pra përmes agjërimit, njeriu jo vetëm që realizon edukimin e pastrimin shpirtëror dhe lartësimin e vetëdijes së tij, por ai gjithashtu fiton dobitë fizike, morale dhe shoqërore.  Njeriut i zhvillohet aftësia e komunikimit me Zotin dhe i tregohen ëndrra të vërteta. Nëse ushqimi e fuqizon organizmin trupor të njeriut, agjërimi i mpreh dhe hollon aftësitë shpirtërore të njeriut.  Prandaj Allahu thotë:

وَأَنْ تَصُومُوا خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ

d.m.th. nëse agjëroni, është më mirë për ju, në qoftë se e dini.  [el-Bekare 2:185]

Agjërimi ka edhe dobi fizike e shëndetësore. Trupi i njeriut duke duruar vështirësitë dhe mundimet, përforcon aftësinë e vetëpërmbajtjes dhe të durimit. Madje, dobitë e agjërimit në shëndetin e njeriut nga mosngrënia e ushqimit janë botërisht të pranuara. Sipas mjekëve që merren me terapitë metabolike, trupi i njeriut përmban toksina mjedisore si dhe disa substanca të tjera të dëmshme, që mund të hiqen duke agjëruar apo duke detoksifikuar trupin. Sipas tyre agjërimi mundëson që trupi të përqendrojë energjinë për t’u pastruar dhe për t’u shëruar vetvetiu. Agjërimi gjithashtu kontribuon edhe në sistemin e imunitetit për punë më efikase, duke lejuar më shumë oksigjen dhe rruaza të bardha në trup, që djegin më shumë dhjamë dhe si rezultat i japin trupit energji dhe përmirësojnë një sërë funksionesh shëruese. Sipas disa studiuesve, nëse personi që vuan nga kanceri agjëron, atëherë ky ndihmon në tharjen e tumorit duke shkaktuar vdekjen e qelizës. Agjërimi gjithashtu rekomandohet për ripërtëritjen e trupit, humbjen e peshës dhe për mbajtjen e peshës normale, jetëgjatësinë, kthjellimin mendor, vetëdijen dhe vetëvlerësimin. Agjërimi gjithashtu ndihmon në lënien e veseve si duhani, kafeina apo alkooli etj.

Nëse njeriu agjëron në mënyrë të përmbajtur, atëherë ai ndikon dukshëm në shëndetin e tij. Pra, agjërimi është garantues për shëndetin e njeriut, ndërsa në aspektin shpirtëror ai është një burim për të fituar devotshmërinë. Agjërimi i mundëson njeriut mirësjelljen, fisnikërinë, ndershmërinë dhe edukimin brendësor. I zhvillohen vetitë e vetëpërmbajtjes dhe guximit. Bëhet më i ndjeshëm për mjerimet dhe vështirësitë e të varfërve dhe inkurajohet që t’i ndihmojë ata. Pra, agjërimi luan një rol të rëndësishëm në kultivimin e sakrificës, vetëmohimit dhe altruizmit dhe kështu nxit shoqërinë për fshirjen e dallimeve ekonomike dhe etnike.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Ai që nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprat që burojnë prej saj, Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga të ngrënit dhe të pirit.” [Buhariu]

Pra, nëse njeriut i mungon vullneti për të arritur qëllimin esencial, që është edukimi shpirtëror, atëherë ç’dobi mund t’i sjellë agjërimi i tij.

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ ، قَالَ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” لَيْسَ الصِّيَامُ مِنَ الْأَكْلِ وَالشُّرْبِ فَقَطْ ، إِنَّمَا الصِّيَامُ مِنَ اللَّغْوِ وَالرَّفَثِ ، فَإِنْ سَابَّكَ أَحَدٌ وَجَهِلَ عَلَيْكَ فَقُلْ : إِنِّي صَائِمٌ “

Hazret Ebu Hurejra r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Agjërimi nuk është vetëm (ndalimi) nga të ngrënit dhe të pirit. Agjërimi (i vërtetë) është (shmangia) prej gjërave të padobishme dhe imorale. Nëse dikush të shan apo të provokon, atëherë thuaji: unë jam agjërueshëm.”

[Mota Abdullah bin Veheb, nr. 282]

4. Zekati

Zekati është një nga pesë shtyllat e Islamit – të tjerat janë: pohim se “nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij”; namaz (falje); agjërim gjatë muajit të Ramazanit; dhe pelegrinazh në Shtëpinë e Allahut në Mekë. Për shembull, Kurani i Shenjtë porosit:

Fal namazin dhe paguaj zekatin dhe bindu të Dërguarit që ty të mund të të tregohet mëshirë. (En-Nur 25:57)

Fjala arabe “zekat”, fjalë për fjalë do të thotë “të pastrosh diçka”, dhe në kontekstin e një taksimi të detyrueshëm do të thotë që teprica e pasurisë pas heqjes së zekatit e ka bërë atë të pastër dhe të ligjshme për besimtarët.

Është taksuar normalisht 2.5% mbi asetet e disponueshme mbi pragjet specifike, qe ka mbetur në duart e pronarëve përtej një viti. Ndonëse është folur shumë për normën apo përqindjen e kësaj “takse”, ne nuk gjejmë referencë për ndonjë përqindje të caktuar në Kuranin e Shenjtë. Në lidhje me këtë, unë kërkoj të mos jem dakord me këndvështrimin dogmatik të dijetarëve mesjetarë. Unë besoj se çështja e përqindjes mbetet e lakueshme dhe do të përcaktohet sipas gjendjes së ekonomisë në një vend të veçantë.

Zekati, duke qenë një taksë e veçantë, e vënë mbi kapitalin përtej pragjeve të caktuara, ajo mund të përdoret vetëm për kategori të caktuara të shpenzimeve. Këto janë shprehur qartë në ajetin që pason të Kuranit të Shenjtë:

Lëmoshat janë vetëm për të varfrit dhe nevojtarët dhe për ata të punësuar në lidhje me mbledhjen dhe shpërndarjen e tyre dhe për ata zemrat e të cilëve duhet të ngushëllohen dhe për lirimin e skllevërve, dhe për ata të ngarkuar me borxh dhe për ata që përpiqen në rrugën e e Allahut dhe për udhëtarët. Kjo është një urdhëresë nga Allahu. Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urtë. (Et-Teube 9 :60)

Ministria e Financave është ngarkuar me administrimin e kësaj urdhërese. Në historinë e hershme të Islamit, Hadret Abu Bakr dhe Umar, dy Kalifët e parë, ishin të njohur për sigurimin personalisht të pagesës së shpejtë të lëmoshave në atë që u bë e njohur si shteti i ndihmës së parë sociale. Ky sistem kishte funksionuar me sukses të madh për shekuj gjatë periudhës Abaside.

Siç është shpjeguar gjithmonë, forca e motivit të interesit është zëvendësuar nga forca lëvizëse e zekatit. Kur ne këqyrim këtë sistem në funksionim, dalin në dritë shumë ndryshime midis rendit ekonomik Islamik dhe sistemeve ekonomike të tjera. Fillojnë të shfaqen tiparet e një ekonomie krejtësisht të ndryshme.

Asnjë shumë parash të pa përdorura, të pavarura nga qenia e madhe apo e vogël, nuk mund të mbijetojë për një kohë të gjatë pa u shtuar më shpejt se norma në të cilën është taksuar. Kjo është saktësisht sesi zekati vë në lëvizje ekonominë në një shtet të vërtetë Islamik.

Përfytyroni një situatë ku një individ me një shumë të vogël të kapitalit, nuk është në gjendje të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregti, dhe nuk ka banka për ta kredituar me interes mbi depozitën e tij. Sidoqoftë, nëse depozita është e madhe në mënyrë të mjaftueshme të jetë e taksueshme si zekat, ka mbledhës të të ardhurave që trokasin në derën e tij çdo vit për përqindjen e kapitalit të tij, zekati nuk është përtej një pragu të caktuar. Individë të tillë kanë vetëm dy alternativa: ose të përdorin personalisht paratë e tyre me fitim, ose të bashkojnë burimet e tyre për të krijuar ndërmarrje të mëdha apo të vogla.

Kjo do të nxisë shoqëri me kapital të përbashkët, ortakëri, formimin e kompanive të vogla apo aksionerë publik në kompani më të mëdha mbi një fitim të caktuar dhe bazë humbje. Të tilla kompani nuk do t’i detyrohen asgjë ndonjë instituti financiar të cilit ata duhet t’ia kthejnë borxhet me interes. Në mënyrë hipotetike, kur ju krahasoni fatin e kompanive të tilla me atë të homologeve të tyre në ekonomitë kapitaliste, ato do të përballen me platforma plotësisht të ndryshme gjatë periudhave të provës dhe krizës. Në rastin e tregtisë dhe industrisë, përballimi i një recesioni në një ekonomi kapitaliste, ngadalësimi në prodhim për arsye të kërkesës së zvogëluar mund të shtyjnë ato në kufijtë e likuidimit. Interesi që ata duhet të paguajnë për t’u shërbyer borxheve të tyre, do të vazhdojë të ngrihet në mënyrë të pamëshirshme deri sa nuk do të ketë më mundësi që kompani të tilla të vazhdojnë të ekzistojnë.

Nga ana tjetër, nëse një ekonomi është drejtuar mbi parime Islamike, ngadalësimi në mundësitë e biznesit dhe tregtisë do ta çojnë tregtinë dhe industrinë në një gjendje letargjie. Ja se si natyra siguron mbijetesën e më të përshtatshmit në kohën e streseve ekstreme dhe fatkeqësive. Kur sasia e energjisë zvogëlohet, prodhimi duhet të ulet që energjia të mos bjerë poshtë nivelit kritik të nevojshëm për të mbijetuar. Duke qenë se këtu nuk ka presion të pamëshirshëm të shërbimit të borxhit në një sistem financiar Islamik, kjo mund të përballojë shumë më tepër presion dhe sfida gjatë një recesioni.

(Marrë nga  “Islam’s Response to Contemporary Issues” (“Përgjigjja e  Islamit ndaj çështjeve bashkëkohore”),
Hazret Mirza Tahir Ahmad,  f. 175-177, Angli, 2007)

5. Haxhi

5.1. Filozofia e haxhit

5.1.1. Një adhurim plotë me dashuri

Shkuarja në Mekë, në ditët e caktuara, për ta vizituar Qabenë, që ndryshe quhet Shtëpia e Zotit, quhet Haxh. Haxhi është njëra ndër pesë shtyllat e fesë Islame dhe është obligim për çdo musliman që ka mundësi ta bëjë.  Për Qabenë, Kurani Famëlartë thotë:

“Sigurisht, shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Mekë, e bekuar dhe udhëzuese për mbarë njerëzimin. Në të ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit. Dhe kush hyn në të, është i sigurt. Njerëzit që kanë mundësi të përballojë rrugën, duhet ta vizitojnë këtë shtëpi për hir të Zotit. E kush mohon, atëherë Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ale Imran 3:97-98)

islami haxhiHaxhi është një adhurim me plot dashuri. Kur një njeri do shumë dikë, dashuria e tij e detyron të bëjë lloj-lloj përpjekjesh për ta kënaqur atë që do. Njeriu i tillë veten e fut në vështirësi, i sillet shtëpisë së tij si i çmendur, madje fillon të dojë e të puth çdo gjë që i përket personit që do. Të gjitha këto gjeste i bën vetëm që ta kënaqë atë dhe të fitojë pëlqimin dhe shikimin e tij të dashur.

Pa dyshim, i Dashuri i vërtetë i një besimtari është vetë Allahu i Mëshirshëm. Pikërisht për ta shuar etjen e tij të dashurisë ndaj Zotit, feja Islame ka vënë një mundësi për të, që gjatë Haxhit ta adhurojë Zotin me një dashuri të veçantë. Ndaj, besimtari vishet me dy çarçafë të paqepur dhe me kokë të pambuluar e flokë të pakrehura viziton Shtëpinë e Allahut duke thënë:

“Erdha o Zot, Erdha te Ti” ose “Të përgjigjem o Zot të përgjigjem”
(Leb-bejk Leb-bejk). 

Atje, ai puth gurin e zi dhe sillet rreth Qabesë si gjeste dashurie.

“Hazret Abis bin Rabia r.a. tregon se ai ka parë Hazret Umerin r.a. duke puthur gurin e zi dhe njekohësisht duke thënë: “E di që je vetëm një gur, as nuk mund të më sjellësh dobi e as dëm. Po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahuts.a.v.s. duke të puthur ty, as unë nuk do të të puthja”. (Buhariu, Kitabul Haxh, Bab ma dhakera fil hexhril esued)


Lutjet e Haxhit dhe të Umrasë

(Klikoni linkun e mësipërm për të mësuar lutjet e Haxhit dhe të Umrasë)


Hazret Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Nga dashuria e madhe, shpirti i njeriut çdo çast qëndron te pragu i të dashurit të tij dhe e puth atë. Në të njëjtën mënyrë, Qabeja është një simbol për të dashuruarit e vërtetë që edhe fizikisht ta shprehin dashurinë ndaj Zotit të tyre. Zoti u thotë: Kjo është shtëpia Ime dhe guri i zi është gur i pragut Tim. Ky urdhër i haxhit është dhënë në mënyrë që njeriu edhe fizikisht ta shprehë dashurinë e tij ndaj Zotit. Prandaj, haxhinjtë fizikisht sillen rreth Qabesë duke vënë veten në një gjendje që tregon përhumbjen e tyre pas Zotit. Kështu, ata nuk zbukurohen, qethen, i sillen Qabesë sikur të jenë të tërhequr pas Shtëpisë së Tij, puthin gurin e zi duke e menduar atë si gur i pragut të Tij.

Këto gjeste fizike e ndezin më shumë zjarrin shpirtëror të dashurisë ndaj Zotit. Kur trupi i sillet Qabesë dhe e puth gurin e pragut të Zotit, atëherë edhe shpirti i bashkohet trupit në këto gjeste, dhe në këtë adhurim nuk ka aspak shirk. Njeriu nganjëherë puth edhe letrën e mikut të tij të dashur. Asnjë musliman nuk e adhuron Qabenë e as nuk i lutet gurit të zi, por ato i konsideron vetëm shenja fizike dhe kaq. Ashtu siç bëjmë sexhde në tokë, që nuk janë për tokën, në të njëjtën mënyrë e puthim edhe gurin e zi, edhe pse puthja nuk është për të. Guri është gur, që askujt nuk mund t’i sjellë as dobi e as dëm. Por i Dashuri i Vërtetë e ka lënë si shenjë të pragut të Tij”. (“Ruhani Khezain”, vëll. 23, “Çeshmae Marifet” f. 100)

5.1.2. Bashkimi i muslimanëve

Përveç dashurisë ndaj Zotit, Qabeja gjithashtu simbolizon bashkimin dhe qendërzimin e muslimanëve. Kurani Famëlartë thotë:

“Për çdo popull ne kemi caktuar një vendtherje, që ta përkujtojnë emrin e Allahut”. (El-Haxh 22:35)

Haxhi si adhurim është shëmbëlltyra e atij vendi, ku të gjithë muslimanët e botës të bashkohen për ta përkujtuar Zotin, për ta falendëruar Atë e për t’iu lutur Atij me dhimbje e përgjërim për problemet që i rrethojnë. Gjithashtu, me këtë rast, të bashkohen muslimanët që jetojnë kudo në botë e të bëjnë hapa për zhvillimin e përparimin e përgjithshëm të tyre.

5.2. Si dhe kur bëhet haxhi?

5.2.1. Koha e Haxhit

Për haxhin, ka muaj të caktuar, të cilët quhen muajt e haxhit (Esh’hurul Haxh). Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë:

Haxhi është në muaj të caktuar. Kush vendos të bëjë haxhin, duhet të largohet nga epshet, grindjet dhe sharjet gjatë haxhit. (El-Bekare 2:198)

Muajt e haxhit janë sheual,  dhulka’dah dhe dhulhaxhah

Praktikisht haxhi bëhet vetëm në muajin dhulhaxhah, por tre muaj janë përcaktuar për haxh, sepse duhet të bësh edhe parapërgatitje për të. Më së pari duhet të bësh nijetin e haxhit, që fillon me pastrimin shpirtëror, ihramin etj. të cilat përfundojnë deri më 13 dhulhaxhah.

5.2.2. Për kë obligohet haxhi?

Haxhi është i obliguar për muslimanin që është në moshën e pjekurisë dhe të ketë mundësitë financiare për ta bërë udhëtimin e haxhit si dhe për t’u kujdesur edhe për shtëpinë gjatë atyre ditëve. Një kusht tjetër për haxhin është edhe siguria e rrugës.

5.2.3. Çfarë është  Ihrami ?

Kur njerëzit mbërrijnë në Mikat për të filluar haxhin e tyre, ata më së pari marrin abdes ose lahen. Përdorin aromë. Veshin dy çarçafë të paqepur: me njërin e lidhin mesin dhe pjesën poshtme të trupit dhe me tjetrin mbulojnë kraharorin. Kokën e mbajnë të pambuluar. Kjo porosi është për meshkuj. Ndërsa femrat mund të bëjnë haxh me veshjet e tyre të zakonshme.

5.2.4. Pjesët kryesore të haxhit

Haxhi ka tri pjesë kryesore:

Ihrami që gjithashtu nënkupton edhe nijetin

Qëndrimi në Arafat më 9 dhulhaxhah. Haxhi nuk mund të kryhet nëse nuk mund të arrish në Arafat në datën e caktuar.

Tavaf ifada, d.m.th. të bësh tavafin e Qabesë pas qëndrimit në Arafat. Pra, ky tavaf bëhet më datën 10 dhulhaxhah ose më vonë.

5.2.4. Në haxh përfshihen këto veprime:

  • Pas Ihramit, haxhinjtë falin dy nafile dhe me nijetin e haxhit të recitojnë telbija, që ka këto fjalë:

Lab-bejka allahuma lab-bejka. Lab-bejka la sherika laka lab-bejka. In-nal hamda uen-ni’mata laka uel mulka laka la sherika laka.

Domethënë: Erdha te Ti o Zoti im erdha. S’ka të barazueshëm me Ty. Unë erdha te Ti. Vetëm Ty të takon lavdia dhe sundimi. S’ka të barazueshëm me Ty.

  • Pas ihramit, haxhinjtë shpesh duhet ta recitojnë telbijanë dhe gjatë gjithë kohës të përqëndrohen vetëm në përkujtimin e Zotit dhe në dërgimin e salavateve të Dërguarit të Allahuts.a.v.s.
  • Kur t’i afrohen Mekës dhe ta shohin Qabenë, atëherë duke përsëritur telbijanë me gjithë sinqeritet dhe dhimbje, të bëjnë edhe lutje për dëshirat e tyre. Sepse ai është një moment i veçantë për pranimin e lutjeve.
  • Kur haxhinjtë hyjnë në Xhaminë e Shenjtë, shkojnë afër gurit të zi dhe e puthin atë. Nëse nuk arrijnë ta puthin, atëherë ta prekin ose të paktën nga larg me një shenjë të dorës, ta puthin atë. Ky quhet Istilam. Nuk është mirë të ngushtojnë apo të shtyjnë të tjerët për të arritur deri te guri i zi.
  • Pas istilamit haxhinjtë fillojnë tevafin e Qabesë. Duke filluar nga e djathta e gurit të zi, të sillen shtat herë rreth Qabesë. Çdo herë kur i afrohen gurit të zi, ta bëjnë istilamin. Pas shtat rrotullimeve, haxhinjtë falin dy nafile te vendi i Ibrahimit.
  • Pas tevafit, vijnë në Safa dhe, duke qëndruar në drejtim të Qabesë e duke ngritur duart, bëjnë lutje, thonë telbija e i dërgojnë selavate të Dërguarit të Allahuts.a.v.s.. Pastaj shkojnë në Marva dhe edhe atje bëjnë të njëjtën gjë. Kjo konsiderohet një ecje midis kodrave të Safasë dhe Marvas. Pastaj nga Marva, shkojnë prapë te Safa për ta plotësuar ecjen e dytë dhe kështu bëjnë shtat ecje, që do të përfundojnë në Marva. Këto shtat ecje quhen Sa’i. Pas saisë, haxhinjtë janë të lirë për atë ditë.
  • Më 8 dhulhaxha duhet të shkojnë në Mina, ku të falin namazet e drekës, ikindisë, akshamit dhe të jacisë. Ata gjithashtu falin edhe namazin e sabahut të datës 9.
  • Atë ditë, në mëngjes, haxhinjtë nisen për në Arafat, që ndodhet afërsisht 15 km larg në juglindje të Mekës. Nga dreka deri në aksham qëndrojnë në fushën e Arafatit. Kjo është një pjesë e rëndësishme e haxhit. Nëse për ndonjë arsye, nuk realizohet kjo pjesë, atëherë haxhi nuk mund quhet i kryer. Arafati është ajo fushë e bekuar, ku Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. kishte mbajtur fjalimin lamtumirës.
  • Pas perëndimit të diellit, haxhinjtë shkojnë nga Arafati në Muzdalfa ku falin namazet e akshamit dhe të jacisë dhe natën atje e kalojnë. Në Kuranin Famëlartë, Muzdalfa është quajtur monumenti i shenjtë (El-Mash’eral Haram)
  • Me 10 dhulhaxha, haxhinjtë mbërrijnë në Mina. Kjo do të jetë dita më e angazhuar e tyre. Në Mina, ata së pari u hedhin gurë të vegjël tri shtyllave të caktuara, që është një akt simbolik për ta goditur shejtanin. Ky quhet ramji el-xhimar.
  • Po me datën 10 dhulhaxha, haxhinjtë bëjnë kurban. Me 10 dhulhaxha, besimtarët muslimanë festojnë Kurban Bajramin në të gjithë botën. Por haxhinjtë atë ditë nuk falin faljen e bajramit.
  • Pas bërjes së Kurbanit, ata qethen, pas së cilës ata mund ta heqin Ihramin dhe të veshin rroba të tyre të zakonshme. Duhet sqaruar se gratë nuk duhet të qethin kokën tërësisht, por u mjafton të presin vetëm disa flokë me gërshërë.
  • Ata vijnë nga Mina në Qabe dhe i bëjnë tevaf Shtëpisë së Allahut. Edhe ky tevaf është një pjesë kryesore e haxhit, i cili quhet tevaf zijara ose tevaf ifada. Pas këtij tevafi, haxhinjve u lejohen të gjitha ato gjëra, që ishin të ndaluara për shkak të ihramit apo haxhit.
  • Para se të përfundojë dita e 10 dhulhaxha, haxhinjtë bëjnë edhe një ecje (sa’i) midis kodrave Safa dhe Marvah.
  • Pas tevafit, haxhinjtë përsëri kthehen në Mina ku do të qëndrojnë deri më datën 12 ose 13 të muajit dhulhaxha. Gjatë këtyre dy ose tri ditëve, ata përsëri bëjnë ceremoninë e hedhjes së gurëve.
  • Në Mina janë tri xhumrah:  xhumratul ula, xhumratul vusta dhe xhumratul ukba, që më përpara kanë qenë në formë shkëmbinjsh të vegjël, por tani janë si shtyllat. Më 11 dhulhaxha, pasdreke, haxhinjtë u hedhin gurë këtyre xhumrave radhazi. Çdonjërës i hedhin nga shtatë gurë. Ky quhet ramji. Edhe më 12 dhulhaxha, haxhinjtë bëjnë ramjin në të njëjtën mënyrë, pastaj ata janë të lejuar të qëndrojnë edhe në 13 dhulhaxha, po për të bërë ramjin ose, siç thotë Kurani Famëlartë:

“Ai që ngutet dhe rri vetëm dy ditë (në Mina), nuk bën gjynah, gjithashtu edhe ai që rri më shumë nuk bën gjynah”. (El-Bekare 2:204)

  • Pasi të lirohen nga ramji, më 12 dhulhaxha (për ata që kanë qëndruar vetëm dy ditë në Mina) ose më 13 dhulhaxha, haxhinjtë kthehen prapë në Mekë për t’i bërë tevaf Qabesë, tevaf ky për ata që nuk janë banorë të Mekës dhe dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre. Ky tevaf quhet tevafus sedrr ose tevaful vida’, d.m.th. tevaf lamtumirës.

Edhe pse nuk janë pjesë të haxhit, haxhinjtë pinë ujin e Zemzemit dhe shkojnë në qytetin Medinë për ta vizituar Xhaminë dhe varrin e bekuar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Siç e thamë lart që haxhi kryhet vetëm në ditët e caktuara, ndërsa Umra mund të bëhet në çdo kohë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp