Perla të urtësisë nga Hazret Kalifi II i Mesihut të Premtuar r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Perla të urtësisë nga Hazret Kalifi II i Mesihut të Premtuar r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Sot do t’ju tregoj disa ngjarje të cilat Kalifi II r.a. ka rrëfyer rreth Mesihut të Premtuar alejhiselam. Këto ngjarje sillen rreth nderimit dhe respektit të Mesihut të Premtuar alejhiselam ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.s. Ai rrëfen se njëherë ndërsa Mesihu i Premtuar alejhiselam po priste për tren në stacionin e Lahorit, aty mbërriti edhe Pandit Lekrami dhe e përshëndeti. Meqë Pandit Lekrami gëzonte një status të veçantë në komunitetin Arja dhe ishte një prej figurave qendrore të kësaj bashkësie, andaj ata persona që e shoqëronin Mesihun e Premtuar alejhiselam u gëzuan shumë se Lekrami kishte ardhur për ta përshëndetur Mesihun e Premtuar as. Por, Mesihu i Premtuar nuk i kushtoi asnjë vëmendje. Duke kujtuar se ndoshta Mesihu i Premtuar a.s. nuk e kishte vërejtur se Pandit Lekrami e përshëndeste, shokët e tij i tërhoqën vëmendje, por ai u përgjigj me pasion të fuqishëm se “a nuk i vjen turp mua më përshëndet, ndërsa përbuzet e qesëndis me prijësin tim. Pra, ai nuk përfilli aspak se ka ardhur Lekrami. Për njerëz të zakonshëm, kjo është arritje e madhe, nëse rastisen për t’u takuar me njerëz të shquar, madje kushtojnë vëmendje të veçantë për njerëz të tillë, ndërsa nuk i marrin në konsideratë njerëz të thjeshtë.

Duke cekur këtë ngjarje në një rast tjetër, Hazret Kalifi II r.a. komentoi se fal respektit dhe nderimit që Lekrami gëzonte në komunitetin arija, shumëkush e konsideronte për nder takimin me të. Por ja, shikoni sedrën e Mesihut të Premtuar a.s., Lekrami i vjen vetë për ta takuar, ndërsa ai përgjigjet: Hiq dorë nga përbuzja e ofendimi ndaj Prijësit tim s.a.s, e pastaj eja të takohemi. Kjo ngjarja jo vetëm që tregon për sedrën e madhe që kishte Mesihu i Premtuar a.s. ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.s., por na mëson se ne nuk mund të fitojmë respekt e nder, duke i përshëndetur njerëzit e mëdhenj , por nevojitet që t’u kushtojmë të njëjtën vëmendje edhe njerëzve të varfër. Ajo që është esenciale është sedra dhe dinjiteti i njeriut. Nëse dikush përdor fjalë të pahijshme kundër të Dërguarit të Allahut s.a.s., atëherë pavarësisht statusit të lartë, që ai mund të gëzojë në shoqëri, ne nuk kemi asnjë nevojë të tregojmë vëmendje për të. Megjithatë kjo çështje të disa këndvështrime.

Kalifi II r.a. duke rrëfyer një ngjarje tjetër, ndalet te sjellja dhe dashuria e Mesihut të Premtuar a.s. ndaj fëmijëve të tij. Ai ishte aq i dashur dhe i kujdesshëm për fëmijët e tij, saqë askujt nuk i vinte ndërmend se ai edhe mund të zemërohet me ndonjërin prej tyre. Ai rrëfen se ishim të vegjël dhe mendonim se Mesihu i Premtuar kurrë nuk zemërohet. Dashuria e tij ndaj fëmijëve ishte aq e thellë se Molvi Abdul Karim sahibi r.a. rrëfen se njëherë Mesihu i Premtuar a.s. u ankua për dhimbje në brinjë. Atij iu bë pak masazh, por nuk pati asnjë rezultat, por kur u kontrollua mirë, u gjet një copë tullë nga xhepi i tij, që e shqetësonte vazhdimisht. Kur ne e pyetëm se si kishte përfunduar ajo copë tullë në xhepin e tij, ai u përgjigj se këtë më kishte dhënë Mahmudi (pra djali i tij) duke thënë se ta ruaja atë. Andaj e futa në xhep, që t’i jepja kur të më kërkonte. Molvi Abdul Karim sahibi ia kërkoi Mesihut të Premtuar atë copë, që të mbante me vete, por ai nuk e pranoi e mbajti me vete. Pra, e tillë ishte dashuria e tij ndaj fëmijëve. Kalifi II r.a. thotë se Mesihu i Premtuar a.s. ne të gjithë na donte, por vëllanë tonë të vogël Mirza Mubarak Ahmedin, e donte veçanërisht. Ne kujtonim se një dashuri e tillë, nuk i ngjallte askush tjetër, por prapëseprapë ajo arriti të krahasohej me dashurinë e të Dërguarit të Allahut s.a.s. Kur ky djalë i llastuar, për shkak të injorancës dhe mosdijes së fëmijërisë, shprehu disa fjalë të pahijshme për të Dërguarin e Allahut s.a.s., Mesihu i Premtuar a.s. e ndëshkoi fizikisht.

Njëherë, komuniteti Arija zhvilloi një konferencë madhore në Lahor, ku ishte ftuar edhe Mesihu i Premtuar a.s. për pjesëmarrje. Organizatorët e konferencës kishin premtuar se nuk do të lejohen fjalë të pahijshme apo ofenduese ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.s., por gjatë konferencës iu drejtohen sharjet e përbuzjet Profetit Muhammed s.a.s. Disa anëtarë të xhematit tonë gjithashtu kishin marrë pjesë në këtë konferencë. Kur Mesihu i Premtuar a.s. mësoi se në këtë konferencë ishte përbuzur e përqeshur figura e lartë e Profetit s.a.s., atëherë ai i tha Molvi Nurudin sahibit, të cilin e respektonte shumë, dhe i cili kishte marrë pjesë në këtë konferencë, sesi e duroi sedra e tij të qëndronte atje dhe përse nuk u largua nga konferenca. Mesihu i Premtuar a.s. ishte aq i zemëruar se dukej sikur do të mbetet i pakënaqur prej tij përgjithmonë. Molvi sahibi iu përgjigj se Hudur! Më falni për gabim. Mesihu i Premtuar a.s. i tha: A është gabim ky që të përbuzet i Dërguari i Allahut s.a.s dhe ju të qëndroni atje. Kalifi II r.a. gjithashtu shton se edhe unë isha bashkë me Hazret Molvi Nurudin r.a. në atë konferencë, dhe Mesihu i Premtuar a.s. më qortoi rëndë se përse kisha ndenjur atje.

Ata që akuzojnë se meazallah Mesihu i Premtuar a.s. e konsideronte veten më i lartë se i Dërguari i Allahut s.a.s., a mund të përballojnë kësisoj ndjenjash e pasionesh. Ah sikur këta vështrofshin dashurinë e tij të çiltër ndaj Muhammedit s.a.s.

Duke rrëfyer rreth debatit të famshëm që Mesihu i Premtuar a.s. bëri me priftin Abdullah At’hem, ai shkruan se ky debat që më vonë u botua me titullin “Xhengi Mukedes” (d.m.th. Lufta e shenjtë), u zhvillua kur ai kishte bërë deklaratë se është Mesih i Premtuar, dhe hoxhallarët gjithashtu kishin lëshuar fetven e mosbesimit të tij duke shpallur se ai është i denjë për vrasje. Xhemati nuk gëzonte as këtë paqe që kemi sot (pra ky shkrim është i vitit 1923). Gjendja e gjithë xhematit në atë kohë ngjasonte me gjendjen e atyre ahmedianëve që jetojnë në pakicë dhe përballojnë me kushte të ashpra. Në atë kohë, disa të krishterë u kishin bërë thirrje muslimanëve për debat, kurse ata iu lutën Mesihut të Premtuar a.s. që ai të ballafaqohej me këta të krishterë në mbrojtje të Islamit. Mesihu i Premtuar a.s. e pranoi këtë kërkesë aty për aty.  Edhe pse hoxhallarët muslimanë kishin nxjerrë vendim kundër tij për mosbesimin dhe vrasjen e tij, Mesihu i Premtuar a.s., për vendosjen e dinjitetit të Profetit s.a.s., për ngritjen e nderit të Islamit dhe për vendosjen e njëshmërisë së Zotit, pranon kërkesën e muslimanëve, dhe shkon jashtë Kadijanit për këtë debat. Pra, ishte pikërisht kjo sedër për besimin, që ai nuk mori në konsideratë asnjë nga këto shkaqe.

Ky ishte një debat i gjatë që zgjati 15 ditë. Në fund të këtij debati Mesihu i Premtuar a.s. bëri një lutje dhe përcaktoi një kriter për të gjetur të vërtetën. Ai gjithashtu njoftoi për një profeci. Mesihu i Premtuar a.s. duke parashtruar këtë profeci shkruan:

“Kur iu luta Zotit me mallëngjim të fortë dhe ngashërim të thellë që të gjykonte në këtë çështje. Ne jemi robër të përulur që nuk bëjmë dot asgjë pa vendimin Tënd. Atëherë, Ai dha këtë shenjë si sihariq se ajo palë, e cila po përdor gënjeshtra qëllimisht, dhe ka lënë Zotin e vërtetë, sipas ditëve të këtij debati, pra duke llogaritur një muaj për çdo ditë, do të bjerë në humnerë brenda 15 muajve, dhe do të poshtërohet rëndë, veçse të pendohet. Ndërsa, pala e sinqertë, që bazohet në realitet dhe i beson Zotit të Vërtetë, do të gëzojë lavdinë dhe do të nderohet. Ishte Mesihu i Premtuar a.s. që i besonte Zotit të Vërtetë, ndërsa të Krishterët e kishin marrë Jezusin në vend të Zotit dhe debatonin për këtë. Kalifi II r.a. tregon dy ngjarje lidhur me këtë debat. Ai thotë:

Profecia dhe paralajmërimi i Mesihut të Premtuar a.s. rreth Abdullah At’hemit kaluan afatin e 15 muajve dhe Et’hemi nuk pësoi asgjë. Atëherë njerëzit filluan të ngrinin zëra, duke aluduar se profecia e Mirza sahibit doli e rreme. Njëherë disa persona përbuzën këtë profeci në oborrin e Nevabit të Behavelpurit, dhe thanë se shiko Et’hemi është ende i gjallë. Në atë moment, aty gjendej edhe Khuaxha Ghulam Farid sahibi i Çaçra Sherifit, dhe mbreti ishte ndjekësi i tij. Gjatë bisedës, edhe mbreti mbështeti këtë bisedë se sigurisht kjo profeci kishte dalë e rreme. Duke dëgjuar këto fjalë, Ghulam Farim sahibi reagoi menjëherë me vrull dhe i tha se kush thotë se Et’hemi është i gjallë. Unë po e shoh kufomën. Duke dëgjuar këto fjalë, mbretin e zuri heshtja. Kalifi II r.a. komenton se disa njerëz edhe pse duken të gjallë, po me të vërtetë janë të vdekur, ndërsa disa duken të vdekur por janë të gjallë. Ai që jep shpirt, për hir të Zotit, fiton amshim dhe mbetet i gjallë. Po kështu, shumë njerëz që shtiren si të gjallë, për besimtarët që shohin nga syri shpirtëror duken si të pajetë. Thuhej për një njeri të dëlirë, se ai jetonte në varrezë. Dikush e pyeti: Pse jeton këtu midis të vdekurve, duke lënë të gjallët? Ai u përgjigj: Në qytet unë shoh vetëm të vdekurit, ndërsa këtu shoh njerëz të gjallë.

Pra nuk është puna e çdokujt të dallojë midis të vdekurve e të gjallëve shpirtërisht, por besimtari i sinqertë duhet të orvatet për ta fituar këtë aftësi. Sepse dallimi midis të gjallëve e të vdekurve fitohet përmes syrit shpirtëror.

Dua të shtoj se Abdullah Et’hemit jo vetëm që i kishte ardhur vdekja shpirtërore por edhe ajo natyrore dhe pikërisht sipas fjalëve të profecisë. Ndonëse, ai fitoi pak afat, por edhe ky afat kishte disa shkaqe, që Mesihu i Premtuar a.s. ka shpjeguar qartë.

Duke komentuar profecinë e Et’hemit, Kalifi II r.a. thotë:

“Besimtari duhet t’i mbështetet gjithnjë Zotit, sepse është Ai që ka në dorë gjithçka. Ne kemi për detyrë ta veprojmë, mendojmë dhe ta shprehim vetëm atë që na ka porositur Zoti. Kur Mesihu i Premtuar njoftoi për profecinë rreth Et’hemit, dhe përfundoi edhe afati brenda të cilit duhet të përmbushej profecia, unë isha vetëm 6-7 vjeç. Mbaj mend mjaft mirë atë vend, ku ndodhej libraria në Kadijan, pranë të cilit parkohej motoçikleta. Në dhomën perëndimore, Kalifi I r.a. jepte vazin e Kuranit dhe drejtonte klinikën e tij. Ndjerë pastë Molvi Kutbudin sahibi, në fund të jetës së tij gjithashtu ushtronte profesionin e mjekut në të. Ngjitur me këtë klinikë, ishte një magazinë ku mbaheshin librat dhe në kohën e Mesihut të Premtuar a.s. ajo shërbente edhe si shtypshkronjë. Librat që dilnin nga shtypi, vendoseshin atje. Megjithatë aty qëndronin edhe nxënësit e Kalifit I r.a. Atëherë vinin shumë pak njerëz në Kadijan, dhe ata që vinin mbeteshin nxënësit e Kalifi I r.a. Kjo ishte medreseja e asokohe, në të cilën Kalifi I r.a. jepte mësime. Nxënësit e tij shërbenin edhe në xhemat. Unë mbaj mend shumë mirë se isha shumë i vogël,  kur përfundoi afati i profecisë së At’hemit. Ndoshta bëhet fjalë për fundin e vitit 1894 apo fillimin e 1895. Isha afërsisht 5 vjeç e gjysmë apo gjashtë vjeç. Isha shumë i vogël, prandaj nuk kuptoja gjëra, por nga ngjarjet e kujtimet e mia, sot kuptoj se ditën kur do të përfundonte afati i profecisë së At’hemit, pra të përfundonin 15 muaj, dukej sikur kishte pllakosur një mynxyrë në Kadijan. Njerëzit po faleshin me të qarat dhe luteshin me dënesë për vdekjen e At’hemit. Pra, flas për kohën midis faljeve të Iqindisë dhe akshamit. Pastaj, erdhi koha e akshamit, dhe Mesihu i Premtuar a.s. udhëhoqi namazin. Pas faljes, ai qëndroi me anëtarë. Unë në atë moshë, nuk vija aq shpesh në xhami, por atë ditë kam ndenjur edhe unë në atë kuvend. Mesihu i Premtuar a.s. shprehu pakënaqësinë ndaj sjelljes së atyre besimtarëve, që luteshin me ngashërime e qanin me dënesë. Ai tha se kush mund të ketë më shumë sedër për fjalën e Tij sesa Zoti? Nëse Zoti i Madhërishëm na ka premtuar se ashtu do të ndodhë, atëherë duhet të jemi të bindur për këtë, por nëse ne e kemi keqkuptuar fjalën e Zotit, atëherë Ai nuk është i detyruar të vendosë sipas keqkuptimit tonë. Detyra jonë është se derisa kemi pranuar një person prej Zotit, atëherë duhet t’i besojmë. Fjala e Zotit, do të përmbushet patjetër.

Huzuri shton se sigurisht, ajo profeci u përmbush në mënyrë madhështore. Profecia u shtyj për shkak të pendimit të At’hemit, por përfundimisht ai u bë pre e saj.

Mesihu i Premtuar a.s. duke shpjeguar profecinë rreth At’hemit shkruan:

“Xhemati ynë duhet ta kuptojë mirë këtë çështje. Me të dëgjuar këtë profeci, ai menjëherë nxori gjuhën, dhe i kapi veshët me duar, u dridh i tëri dhe iu zverdh fytyra. Të gjithë të pranishmit dëshmuan pendimin e tij. Pastaj, e zuri frika dhe ai endej nga qyteti në qytet. Ai hoqi dorë nga kundërshtimi dhe nuk botoi më asnjë shkrim kundër Islamit. Kur i bëmë thirrje kundrejt një çmimi të konsiderueshëm që të bënte be, ai nuk e pranoi. E kështu, për shkak të fshehjes së një dëshmie të qartë, ai e gjeti vdekjen sipas fjalëve të profecisë.

Huzuri shton se ndonëse, At’hemi fitoi pak afat, por për shkak të mosshfaqjes së shenjës, i erdhi fundi. Nëse këto fakte t’i paraqesim ndonjë të krishteri të paanshëm, ai nuk ka çare tjetër, veçse t’i pranojë ato. Prandaj, është e detyrueshme të dimë çështje në këtë mënyrë, dhe të studiojmë edhe libra. Prandaj, është shumë i rëndësishëm të lexojmë librat e Mesihut të Premtuar a.s.

Pastaj Mesihu i Premtuar a.s. në një vend tjetër shkruan.

“Kjo profeci ishte e kushtëzuar. At’hemi ishte frikësuar dhe endej qytet në qytet. Nëse me të vërtetë i besonte Zotit, atëherë çfarë do të thotë kjo frikë? Por, përpos gjithë kësaj, kur ai e fshehu të vërtetën, dhe deshi të devijonte botën, sepse fshehja e së vërtetës mund të ngatërrojë persona të paditur, prandaj Zoti i Lartësuar sipas premtimit të Tij të vërtetë, e largoi nga kjo botë, brenda shtatë muajve, pas botimit të njoftimit të fundit. Fundit që i frikësohej dhe binte lartë e poshtë, përfundimisht e zuri. Unë nuk kuptoj se çfarë vështirësish mund të hasin njerëzit, në çështjen e At’hemit. Provat janë aq të fuqishme, por ata prapëseprapë këmbëngulin në mohim. Gjykatat lëshojnë vendimet e ekzekutimit, vetëm duke u bazuar mbi prova të qarta. Pra, shenja e At’hemit ishte shumë e madhe, dhe shpallja që e parashikonte qartësisht këtë ngatërresë, ishte botuar përpara në librin Brahin-e-Ahmedia.

Mesihu i Premtuar a.s. pastaj shkruan: Fjalët e profecisë shprehin qartësisht se “me kusht që të mos anohej nga e vërteta”. Këtu nuk përmendet se të bëhej musliman. Ai para kësaj, e kishte përdorur fjalën dexhall për të Dërguarin e Allahut s.a.s. dhe pikërisht kjo ishte arsyeja e debatit. Pastaj, kur i lexova fjalët e profecisë, ai sakaq i kapi veshët dhe tha, më falni, më falni! Unë nuk e quaj dexhall. Njerëzit nuk kuptojnë se vetëm me qenë i krishterë apo idhujtar nuk përbën shkak për ndëshkim në këtë botë. Për ndëshkim të tillë, është caktuar dita e kiametit. Ndëshkimi vjen gjithmonë pas arrogancës e paturpësisë. Po të mos tregohej arrogant Ebu Xhehli, nuk do të vihej në shënjestër të dënimit. Ndjekja e një doktrine të falsifikuar nuk përbën shkak për dënimin apo për profecinë. Profecitë bëhen, kur dikush shkel kufijtë e tepron në arrogancë. Le të jetë idhujtar fanatik, por derisa nuk shfaq arrogancën, nuk pëson asnjë dënim. Nëse Zoti t’i dënonte njerëzit në këtë botë, për arsye të tilla, atëherë çfarë do të bëhet në ditën e Kiametit? Vendstrehimi përfundimtar për mohuesit është kijameti, kur do të vendoset për fatin e tyre.

Gjatë këtij debati, misionarët të krishterë kurdisën një intrigë për të poshtëruar Mesihun e Premtuar a.s. Ata gjoja ngritën një kurth, që të turpëronin Mesihun e Premtuar a.s., por Allahu i Madhërishëm, ua ktheu intrigën e tyre, dhe ato i zuri ankth i paparë.

Këtu Kalifi II r.a. rrëfen se Kalifi I r.a. tregonte se gjatë përballjes me At’hemit, patëm një situatë të vështirë, që na hutoi mendje dhe na shastisi fare. Pra, kur të krishterët nuk gjetën asnjë rrugëdalje, dhe nuk funksionoi asnjë plan, atëherë duke marrë disa muslimanë, ata thurën një intrigë. Kështu që morën disa të verbër, të shurdhër, të gjymtuar, sakatë dhe të çalë, dhe para se të fillonte debati, i vendosën në një anë. Kur mbërriti Mesihu i Premtuar a.s., ata menjëherë nxorën ata të verbër, të shurdhër, sakatë dhe të çalë para tij, dhe thanë se këto çështje nuk zgjidhen me diskutime. Ne debatuam mjaft. Tani, ju pretendoni se jeni shëmbëlltyra e Jezusit, ndërsa Jezusi u falte shikimin të verbërve, të shurdhëve u falte dëgjimin dhe të çalëve ua shëronte paaftësinë e tyre. Ne për t’ju shpëtuar nga mundimi, kemi mbledhur disa të verbër, të shurdhër dhe njerëz të çalë. Nëse me të vërtetë, jeni shëmbëlltyra e Isait a.s., atëherë shërojini. Kalifi I r.a. tregonte se duke dëgjuar këto fjalë, ne ramë moralisht dhe e humbëm shpresën. Na zuri një brengë dhe edhe pse dinim se këto janë vetëm fjalë boshe, por u mërzitëm se sot do të gjejnë një arsye për t’u tallur. Por, kur pamë fytyrën e Mesihut të Premtuar a.s., aty nuk kishte asnjë gjurmë të neverisë apo të shqetësimit. Kur ata përfunduan së foluri, Mesihu i Premtuar a.s. iu drejtua dhe tha: i nderuar Prift! Mesihu, që unë besoj sipas mësimeve të Kuranit, dhe shëmbëlltyra e të cilit jam unë, nuk i shëronte të verbrit, të shurdhrit, sakatët apo të çalët. Ky është besimi juaj se Mesihu i shëronte të verbrit fizikisht, të shurdhrit fizikisht, e të çalët dhe të gjymtuarit fizikisht. Por, libri juaj Bibla gjithashtu thotë se nëse dikush nga ju ka besim aq sa një grimcë të vogël, dhe ju e urdhëroni malin që të lëvizë nga vendi, ai do të ndërrojë vendin, dhe mrekullitë që ka shfaqur Jezusi, do të tregoni edhe ju. Prandaj, kjo pyetje nuk mund të më drejtohet mua. Unë mund të tregoj vetëm ato mrekulli, që kanë treguar Prijësi im Muhammed Mustafa s.a.s. Nëse ju më kërkoni ato shenja, jam plotësisht i gatshëm për t’i treguar ato. Për sa u përket këtyre shenjave, atëherë Libri juaj ka qartësuar se çdo i krishterë që ka besim aq sa një grimcë e vogël, mund të tregojë shenja dhe mrekulli njësoj siç ka shfaqur Jezusi. Prandaj, keni bërë shumë mirësi, që na keni shpëtuar nga mundimi dhe keni grumbulluar këta njerëz të verbër, të shurdhër, të çalë dhe të gjymtuar. Nëse ju keni besim, qoftë i barabartë me një grimcë, atëherë shërojini.

Priftërinjtë u shastisën nga një përgjigje e tillë, dhe i tërhiqnin ata persona të gjymtuar prej andej. Pra, kështu Allahu u lartëson nderin robërve të Tij të dashur dhe u mëson përgjigje që habitin palën kundërshtuese.

Duke folur për një zotëri, që fillimisht e besonte shumë Mesihun e Premtuar a.s. por, më vonë e mohoi dhe doli kundër tij, Kalifi II rrëfen:

“Në qytetin Ludiana jetonte një zotëri me emrin Mir Abas Ali. Ai e donte shumë Mesihun e Premtuar a.s. Kur u zhvillua debat midis Mesihut të Premtuar a.s. dhe Molvi Muhammed Husejn Batalevi, atëherë Mesihu i Premtaur e dërgoi Mir Abas Aliun me një mesazh te Molvi Muhammed Husejn, dhe ky i fundit e priti me shumë respekt dhe nderim, dhe i tha: Ju jeni nga pasardhësit e Profetit s.a.s. Jemi të gatshëm të bëjmë bejt në dorën tuaj, por nga ardhka ky mugal. Nëse duhet të vinte ndonjë reformator, ai duhet të ishte sigurisht nga familja dhe pasardhësit e Muhammedit s.a.s. Pastaj, ai foli rreth sufizmit dhe figurave të kësaj rryme. Meqë Mir Abas Aliu kishte shumë besim te sufijtë, andaj hoxhallarët duke folur për mrekullitë dhe shenjat e dervishëve, thanë se nëse Mirza sahibi me të vërtetë është prej Zotit, atëherë le të tregojë ndonjë mrekulli. Edhe ne do ta pranojmë që sot, për shembull të kapë ndonjë gjarpër, apo diçka të ngjashme. Kjo bisedë i mbushi mendje Mirë Abas Aliut dhe ai, kur u kthye te Mesihu i Premtuar a.s. i kërkoi një mrekulli që të bindeshin gjithë hoxhallarët. Mesihu i Premtuar a.s. tregonte se kur dëgjova fjalën “mrekulli” nga Mir sahibi, e kuptova menjëherë se hoxhallarët e kishin mashtruar atë. Mesihu i Premtuar a.s. e shpjegoi mjaft, por ai nuk kuptoi asgjë, dhe përfundimisht i iku gjithë besim, besnikëri e dashuri ndaj Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi II r.a. duke trajtuar këtë çështje në një vend tjetër shkruan se: Mesihu i Premtuar a.s. ishte lajmëruar për Mir Abas Aliun se ai është njeri i dëlirë dhe i sinqertë, madje mori edhe një shpallje për këtë. Por, meqë ai nuk dinte për fundin e tij, prandaj, nuk arriti të kuptonte se një ditë ai do të ndërronte besimin. Megjithatë, Zoti e njoftoi më vonë. Pra, dija njerëzore është mjaft e cekët, dhe vetëm Zoti i Madhërishëm përfshin gjithçka, e askush nuk mund të arrijë dijen e Tij.

Mesihu i Premtuar a.s. kishte marrë shpallje prej Zotit për këtë Mir sahib, dhe atëherë ai me të vërtetë kishte një lidhje besnikërie me Mesihun e Premtuar a.s. Në një shpallje, ishin çmuar aftësitë e tij shpirtërore, por ai më vonë ndërroi besimin. Disa njerëz i ngritën një akuzë Mesihut të Premtuar a.s. se përse Mir Abas Aliu ndërroi besimin, ndërkohë vetë Zoti e kishte vlerësuar atë. Atëherë Mesihu i Premtuar a.s. u  përgjigj se sigurisht shpallja kishte lavdi për të, ndërsa fjalët e Zotit tregonin se ai kishte arritur disa veti shpirtërore, por kur ai i keqpërdori aftësitë e tij shpirtërore, iu shfaq mendjemadhësi dhe arrogancë, gjë që tërhoqi zemërimin e Zotit dhe shkaktoi largimin e tij.

Kalifi II r.a. komenton se lutja e sures Fatiha na tregon se hipokrizia dhe mosbesimi gjithmonë e kanë shoqëruar njeriun. Të dyja këto sëmundje e molepsin njeriun pasi që ai bashkohet me grupin “منعم الیہ” pra prej atyre të cilëve Zoti u ka bërë mirësi. Argumenti për këtë është se surja Fatiha përmend për hebrenjtë dhe të krishterët, ndërsa të dyja këto grupe kanë pësuar një gjendje të ulët, pas mirësisë dhe bekimeve të Zotit. Pra nëse grupi i bekuar dhe i favorizuar nuk njeh drejt pozitën e tij, atëherë për shkak të kësaj mendjemadhësie, Zoti e përfshin midis atyre që tërheqin zemërimin e Tij ose janë të humbur. Prandaj, duhet ta mbajmë këtë çështje gjithmonë parasysh, se kjo lutje që na ka mësuar Zoti i Lartësuar për t’u ruajtur nga ligësitë dhe rëniet, na tregon se duhet t’i lutemi Allahut që të mbetemi gjithmonë prej njerëzve të bekuar dhe të mos shfaqen kurrë pasojat e saj të këqija.

Duke theksuar se sinqeriteti dhe fisnikëria e dikujt nuk bazohen në dijen e jashtme, ai shkruan se:

“Po të bazoheshin epërsia dhe fisnikëria vetëm në dijen e jashtme, atëherë meazallah do të na duhej të përgënjeshtronim të gjithë të dërguarit e Allahut, sepse përballë tyre gjithmonë qëndrojnë dijetarët. Ata që iu kundërvunë Mesihut të Premtuar a.s. ishin pikërisht ata që për shkak të njohurive të tyre, e konsideronin dijetarë të mëdhenj. Madje Molvi Muhammed Husejn Betalvi për shkak të urrejtjes i drejtohej Mesihut të Premtuar duke i shtuar emrit të tij epitet “nëpunës”. Pra, për të treguar se ai është vetëm një nëpunës, që di të shkruajë diçka, por jo dijetar. Madje, ai gëzohej kur bënte këtë.

Në lidhje me sinqeritetin, Kalifi II r.a. tregon se njëherë ai futi një zarf në një kolipostë. Në fakt, rregullat e postës nuk e lejonin një gjë të tillë, por Mesihu i Premtuar a.s. nuk kishte dijeni për këtë. Drejtoria e Postës e paditi për këtë shkelje, madje caktoi një prokuror që ai të ndëshkohej patjetër. Pala paditëse këmbëngulte për ndëshkimin, që të merrnin mësim edhe të tjerët. Avokati i Mesihut të Premtuar a.s. e këshilloi duke thënë se shiko, kjo është çështje e zgjidhur. Koliposta nuk është hapur në praninë e dëshmitarëve, prandaj duhet të thoni se unë e kisha nisur zarfin veçmas. Këta vetëm nga inati e armiqësia, po akuzojnë se e kisha futur zarfin brenda kolipostës. Mesihu i Premtuar a.s. kur dëgjoi fjalët e avokatit, ai iu përgjigj se kjo do të jetë gënjeshtër. Avokati i tha: Por ju s’mund të shpëtoni ndryshe. Mesihu i Premtuar a.s. i tha: Sidoqoftë, unë kurrë s’mund të gënjej. Prandaj, kur në gjykatë ai u pyet se a kishte futur atë zarf në kolipostë, ai u përgjigj pa asnjë ngurrojë se po, e kisha futur unë. Por, unë nuk kisha dijeni për këtë rregull të postës. Atëherë prokuroria argumentoi gjerë e gjatë në mbrojtje të padisë dhe kërkoi dënimin maksimal që ky rast të shërbente si shembull edhe për të tjerët. Mesihu i Premtuar a.s. thotë se meqë fjalimi ishte në anglisht, prandaj unë nuk kuptoja asgjë, veçse kur në fund të çdo argumenti, gjykatësi e rrëzonte duke thënë “no-no” d.m.th. jo-jo. Përfundimisht, u mbaruan argumentet e prokurorisë dhe gjykatësi lëshoi urdhrin e lirimit dhe tha se derisa personi i paditur ka treguar vetëm të vërtetën, atëherë edhe unë e liroj nga të gjitha akuzat.

Huzuri shton se ndonëse këtë ngjarje e kemi dëgjuar dhe lexuar dhjetëra herë, madje vetëm unë e kam rrëfyer në shumë raste, por e lexojmë gjithmonë me ëndje. Ky është një shembull i thjeshtë i sinqeritetit, që Mesihu i Premtuar a.s. na ka lënë për ta ndjekur. Ata që shkojnë tatëpjetë, duke sakrifikuar nivelet e sinqeritetit për interesat e ulëta, duhet të reflektojnë rreth gjendjes së tyre. Në këto vende Perëndimore, njerëzit për të fituar azilin dhe për të marrë fitime financiare nga kompanitë e sigurimit përdorin lloj-lloj mënyrash, por muslimanët ahmedianë duhet të dinë se mënyra të tilla për fitime materiale, nuk janë të denjë për ta.

A janë të lejushme hajmalitë? Kalifi II r.a. shkruan se Mesihu i Premtuar a.s. shpesh tregonte për Ebu Hurejra r.a. se vetia e të kuptuarit tek ai ishte në një shkallë më të ulët në krahasim me sehabët e tjerë. Hoxhallarët bënë shumë zhurmë kundër kësaj thënie. Madje, edhe sot, pjesa dërrmuese e haditheve të cilët të krishterët nxjerrin në mbështetje të argumenteve të tyre, janë transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. Arsyeja është se ndonjëherë, ai pa marrë parasysh kontekstin e bisedës dhe pa i kuptuar mirë, transmetonte disa fragmente të bisedës, ndërsa sehabët e tjerë kur rrëfenin diçka nga i Dërguari i Allahut s.a.s. kuptonin edhe kontekstin e fjalës. Po kështu, janë disa rrëfime rreth Mesihut të Premtuar a.s., transmetuar nga personat që nuk kishin aftësi të mjaftueshme për të perceptuar prapavijat e një ngjarjeje, e prandaj nganjëherë botohen disa transmetime që sjellin kritika e reagime nga të tjerët. Kështu që, njëherë ishte botuar një transmetim që tregonte se kur kishte mbetur vetëm një ditë nga përfundimi i afatit të profecisë rreth At’hemit, atëherë Mesihu i Premtuar a.s. i kishte porositur disa persona t’i sillnin aq kokrra qiqër, pasi që i kishin fryrë pas leximit aq herë të filan sures së Kuranit. Kur ata i prunë Mesihut të Premtuar a.s. ato qiqra, atëherë ai i mori me vete dhe shkoi jashtë Kadijanit, dhe i hodhi në një pus të braktisur, dhe u kthye nxitimthi, pa kthyer kokën mbrapsht.

Kalifi II r.a. komenton se kur njerëzit e kritikuan këtë rrëfim, atëherë unë i pyeta personat që e kishin shënuar atë transmetim, se përse e kishin ruajtur atë rrëfim, derisa ai i kundërvihej plotësisht sjelljes së Mesihut të Premtuar a.s. Ky rrëfim tregonte se meazallah, edhe Mesihu i Premtuar a.s. është marrë me hajmalitë. Kur u studiua ky rrëfim, u zbulua se dikush kishte parë një ëndërr të tillë, dhe kur u paraqit kjo ëndërr para Mesihut të Premtuar a.s., atëherë ai porositi që ajo të plotësohej edhe fizikisht. Tani, zbatimi i një ëndrre fjalë për fjalë është tjetër gjë, ndërsa kryerja e atij veprimi qëllimisht është diçka krejtësisht tjetër. Nganjëherë ëndrra zbatohet në formën e saj fjalë për fjalë, që Zoti nëse do, të ndalojë shfaqjen e anës së saj të dëmshme. Interpretuesit e ëndrrave shkruajnë se një ëndërr, që paralajmëron për ndodhinë e diçkaje të pakëndshme, po të përmbushet fizikisht, atëherë ajo nuk ndodh, dhe Zoti e konsideron të mjaftueshme përmbushjen e saj verbalisht. Ne gjejmë shembull për këtë edhe në hadith. I Dërguari i Allahut s.a.s. kishte parashikuar se në duart e Suraka bin Malikut do të jenë byzylykët e mbretit Kisra. Ky vizion nëse në një anë paralajmëronte fitoren e Persisë, ndërsa në anën tjetër, parashikonte shfaqjen e disa mundimeve dhe fatkeqësive nga persianët pas fitores së Persisë, sepse floriri në ëndërr nënkupton fatkeqësi dhe hidhërim. Umeri r.a. duke kuptuar domethënien e kësaj ëndrre të Profetit Muhammed s.a.s. e thirri Surakën, dhe e detyroi t’i vishte ato, ndryshe do të hante rrahjet e kamxhikut. Ndonëse përdorimi i floririt si stoli është i ndaluar për burrat muslimanë, por Umeri r.a. e detyroi Surakën të vishte floririn, jo vetëm që të përmbushte fjalët e Profetit Muhammed s.a.s. por edhe për të shmangur anën negative të kësaj profecie. Pra, në këtë mënyrë Umeri r.a. u përpoq të sheshonte aspektin e hidhërimit dhe humbjes të këtij vizioni të Profetit s.a.s.

Pra, kështu nëse disa çështje parashtrohen pa treguar konstekstin apo prapavijën e tyre, ato shkaktojnë dyshime e ngatërresa. Njëherë Kalifi II r.a. gjatë një fjalimi të tij, u bëri thirrje anëtarëve që t’u shmangen mosmarrëveshjeve dhe konflikteve. Ky fjalim është mbajtur në vitin 1931. Ai tha se Xhemati tashmë është në moshën e pjekurisë, dhe ne duhet t’ia nënshtrojmë veprat tona besimit dhe dijes sonë fetare. Pastaj, ai njoftoi për largimin e dikujt prej sistemit të xhematit, pikërisht për shkak të arsyes së lartpërmendur.  Gjatë hytbes së dytë, dikush nga të pranishmit u çua dhe e pyeti Huzurin se si quhej personi, i cili është përjashtuar nga xhemati. Një tjetër person, që qëndronte pranë tij, i tha se nuk lejohet të flasim gjatë fjalimit. Kalifi II r.a. buzëqeshi pak e tha se njëherë Mesihu i Premtuar a.s. rrëfente ngjarjen e kontrollit të shtëpisë së tij pas vrasjes së Pandit Lekramit, nga kontrollori i policisë së Gurdaspurit. Kur kontrollori i i Policisë kalonte përmes një dere të ulët, ai u përplas me pjesën e sipërme të derës dhe u plagos keq. Ne i dhamë pak qumësht, por ai nuk deshi ta pinte atë, duke thënë se jam në shërbim tani, dhe kjo nuk përputhet me detyrën time. Atëherë, po ky zotëri që ngriti këtë pyetje, e kishte pyetur Mesihun e Premtuar a.s.: Huzur a i binte gjak atij polici? Mesihu i Premtuar a.s. buzëqeshi dhe tha se unë nuk ia kisha hequr kapelën atij polici që ta kontrolloj këtë.

Pra, kështu disa persona kanë shprehi të keqe që të flasin pa nevojë. Megjithatë, gjatë hytbes nuk lejohet që të bisedojmë me njëri-tjetrin. Madje edhe veprimi i personit tjetër, që e këshilloi për të heshtur, ishte gjithashtu i gabuar, sepse të folurit me zë është i ndaluar gjatë hytbes. Kalifi II r.a. gjithashtu tregoi një barcaletë, se njëherë një person hyri në xhami, por namazi kishte filluar. Ky person përshëndeti me një selam të zëshëm. Atëherë, njëri prej atyre që ishin në falje me xhemat, u përgjigj me të njëjtin ton “alejkum selam”. Një personi që i qëndronte pranë, i tha prapë me zë: Përse u përgjigje me zë? A nuk di ti se nuk lejohet të flitet me zë në namaz?

Sidoqoftë, duhet ditur se edhe hytbeja është pjesë e namazit, andaj është ndaluar rreptësisht biseda gjatë hytbes, përveç Imamit, i cili nëse e shikon të arsyeshme mund të flasë me zë. Ndërsa gjatë namazit, as Imamit nuk i lejohet të bëjë bisedë me dikë. Duhet të edukojmë edhe fëmijët tanë që tani në shtëpi, se ashtu siç është ndaluar biseda në namaz, po kështu ajo nuk lejohet gjatë hytbes së xhumasë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp