Analiza e vetvetes, reformimi dhe suksesi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Analiza e vetvetes, reformimi dhe suksesi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

أشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك لـه، وأشهد أن محمّدًا عبده ورسوله. أما بعد فأعوذ بالله من الشيطان الرّجيم.
]بسْمِ الله الرَّحْمَن الرَّحيم* الْحَمْدُ لله رَبِّ الْعَالَمينَ * الرَّحْمَن الرَّحيم * مَالك يَوْم الدِّين * إيَّاكَ نَعْبُدُ وَإيَّاكَ نَسْتَعينُ * اهْدنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقيمَ * صِرَاط الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْر الْمَغْضُوب عَلَيْهمْ وَلا الضَّالِّينَ[، آمين.

Pas recitimit të suresë El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqmisht, tha:

Në hytben e fundit, duke folur për përgjegjësitë e misionarëve dhe të gjithë atyre që kanë dedikuar jetën e tyre, të amirëve e të përgjegjësve të tjerë kisha treguar se si ata duhet të luajnë rolin e tyre për t’i mbizotëruar pengesat që u dalin njerëzve gjatë reformës shpirtërore. Kisha folur se çfarë mjetesh u duhen misionarëve dhe përgjegjësve të tjerë për t’i praktikuar vetë në radhë të parë, e më pas për t’ua mësuar edhe anëtarëve të tjerë të Xhematit. Këtu dua të shtoj se ndër dijetarët dhe misionarët që ishin gjatë kohës së Hazret Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar, ishin edhe sahabë të Mesihut të Premtuar a.s. dhe natyrisht edhe të tjerët që qenë, ishin selitur nëpërmjet sahabëve të  Mesihut të Premtuar dhe si të tillë, niveli i lidhjes së tyre me Zotin, i besimit dhe bindjes së tyre ishte shumë i lartë. Ata nuk ishin të dobët në këtë pikë. Megjithatë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. u kujtonte këto gjëra: t’i ndryshonin përparësitë e tyre; t’i jepnin po aq rëndësi reformimit praktik që u jepnin bindjeve të tyre; të forcoheshin akoma më shumë në besimin në shenjat e Mesihut të Premtuar a.s., të ishin më shumë të bindur ndaj Kalifatit dhe sistemit të Xhematit. Por, shihet se sot ne nuk e arrijmë nivelin e tyre. Prandaj, kur them se misionarët dhe përgjegjësit ta aplikojnë reformën në radhë të parë mbi veten e tyre e pastaj t’ua tregojnë edhe anëtarëve të Xhematit, kjo ka rëndësi të madhe. Pra, ka shumë nevojë të mendoni se çfarë do të thotë aplikimi mbi veten e pastaj të vendosni modelin tuaj, sepse vetëm atëherë këshillat tuaja do të kenë ndikim të vërtetë.

Në fjalimin e kaluar fola për forcën e vullnetit dhe për plotësimin e forcës së dijes, por nuk ceka pikën e tretë, domethënë, si mund të largohet dobësia e forcës së veprimit, ose si mund të shtohet forca e veprimit. Sot do të them disa fjalë në lidhje me këtë.

Mbështetja për të shtuar forcën e veprimit

Siç ju thashë edhe në hytben e kaluar, që, për të shtuar forcën e veprimit, njeriu ka nevojë të marrë një derman apo ndihmë nga jashtë. Ose mund të thuhet se ai ka nevojë për mbështetjen e një njeriu tjetër. Kjo mbështetje për përmirësimin e forcës së veprimit është e dyllojshme: (1) mbikëqyrja dhe (2) imponimi.

Mbikëqyrja

Mbikëqyrja është që të vëzhgojmë në mos bëjë dikush ndonjë ligësi. Mbikëqyrje e tillë bëhet edhe në çështjet shoqërore. Në shtëpi prindërit vëzhgojnë fëmijët e tyre. Të njëjtën gjë bëjnë mësuesit nëpër shkolla. Po ashtu, e bëjnë edhe efektivat e shtetit, madje njoftojnë njerëzit që janë duke i vëzhguar. Në disa vende gjatë rrugës vendosin kamera duke dhënë edhe njoftimin që ka kamera survejimi. Pra, kjo është mbikëqyrje. Po ashtu, autoritarët e shtetit alarmojnë edhe prindërit, të cilët i shtrëngojnë fëmijët e tyre. U thonë nëse do t’u bëjnë keq, do t’ua marrin fëmijët. Ky lloj mbikëqyrjeje është shumë i përhapur këtu në vendet e zhvilluara, madje, sipas mendimit tim, nganjëherë edhe i tepruar. Aq shumë i kërcënojnë prindërit saqë ata nuk mund të marrin as masa të vogla për formimin fëmijëve të tyre dhe rrjedhimisht, fëmijët degradohen. Në lidhje me çështjet materiale, kjo mbikëqyrje nganjëherë shkakton edhe dëme. Përveç kësaj, ka zyra që mbikëqyrin bashkëshortët që burri dhe gruaja në mos kanë probleme me njëri-tjetrin. Vëzhgohen edhe të akuzuarit.

Sidoqoftë, ky vëzhgim ka qëllimin që të ndalë njerëzit nga padrejtësia dhe që ata të gjejnë rrugën e kompromisit. Kështu pra, mbikëqyrja në çdo shoqëri përdoret si mjet i reformës. Edhe feja na tërheq vëmendjen për ta përdorur këtë mjet. Realisht, njeriu qëndron larg nga shumë mëkate, sepse shoqëria luan rolin e mbikëqyrësit për të. Prindërit në rrethin e tyre. Në Xhemat, misionarët luajnë rol në rrethin e tyre. Në fakt, të gjithë përbërësit e sistemit të Xhematit duhet të luajnë rolin e tyre në këtë kuadër. Në këtë panoramë, kur çdo mbikëqyrës do të ketë parasysh edhe mësimin që jep Islami, që, do t’i kërkohet llogari çdo mbikëqyrësi se si ai ka kryer detyrën e mbikëqyrjes, atëherë reforma do të realizohet jo vetëm te ata mbi të cilët bëhet mbikëqyrja, por edhe ata që mbikëqyrin. Me një fjalë, mbikëqyrja është një mjet shumë efikas për të sjellë reformë.

Imponimi

Mjeti i dytë që është i nevojshëm për reformë është imponimi. Këtu dikush mund të pyesë se ne në njërën anë pohojmë se “nuk ka dhunë në çështjen e fesë” e në anën tjetër si mund ta propozojmë imponimin si mjet për të bërë reformën? Andaj, le të bëhet e qartë se ky imponim nuk bëhet në çështjen e pranimit apo refuzimit të fesë. Çdokush është i lirë që të ndjekë fenë a besimin që do apo të lërë besimin që nuk do. Islami haptas ia siguron këtë të drejtë njeriut. Këtu imponimi është vetëm për ata, të cilët e lidhin veten me besimin, por nuk i zbatojnë kushtet e tij. Pra, në njërën anë deklarojnë se janë pjesë të sistemit të Xhematit, por në anën tjetër nuk i zbatojnë kushtet e sistemit të tij. Kur ndodhë një gjë e tillë, Xhemati merr masa. Në këtë kuadër dhe në këtë kuptim përdoret imponimi si mjet. Kur dikush pranon të mbetet pjesë e sistemit, atëherë është i detyruar t’i zbatojë edhe kushtet e tij, përndryshe ndëshkohet, gjobitet ose i vihen kufizime të ndryshme. Të gjitha këto synojnë reformën e ta largojnë dobësinë që shfaqet në forcën e veprimit. Edhe në Xhemat, kur sistemi i Xhematit ndëshkon dikë, synimi kryesor është reforma. Nuk synohet poshtërimi apo dëmtimi i ndokujt. Ky lloj imponimi përdoret edhe në ligjet e shtetit. Njerëzit ndëshkohen për shkeljet e tyre, burgosen, gjobiten dhe disa herë edhe dënohen me vdekje. I gjithë qëllimi mbetet vendosja e paqes në shoqëri dhe dëmtuesit të mos vazhdojnë të sjellin dëme. Nganjëherë, edhe ai që i sjell dëm vetes së tij, ndëshkohet. Pra, ndëshkimet përdoren si mjet reforme. Nëse dikush dënohet me varje, ky imponim i bëhet sepse edhe ai ia mori jetën dikujt. Nëse vrasësit do të lihen të lirë, do të përhapet anarkia dhe do të shtohet numri i vrasësve. Për këtë arsye, ka dënim me vdekje për ata që vrasin dikë, sepse në këtë mënyrë të tjerët mësojnë dhe veprojnë me gjakftohtësi dhe tërhiqen nga synimi, nëse kanë, për të vrarë dikë. Me një fjalë, imponimi përdoret edhe nga ligjet e shteteve të botës.

Masat ndëshkuese në Xhemat janë të një natyre tjetër

Por imponimi apo ndëshkimet që bëhen në çështjet e botës nuk kanë asnjë lidhje me besimin. Ai që e lidh veten me besimin dhe shkel rregullat, përballet me imponime, gjobitje apo kufizime që kanë trajtë tjetër. Për shembull, në Xhematin tonë, kur merren masa ndëshkuese ndaj dikujt për shkak të sjellës së tij, nganjëherë vendoset që të mos pranohen kontributet financiare prej atij njeriu. Pra, me këtë lloj “imponimi” Xhemati i tërheq vërejtjen që ai ta bëjë reformën. Njerëzit e tillë, më pas pendohen dhe përpiqen që t’u falet ky “dënim” që ata të mos shkaktojnë mospëlqimin e Kalifit të kohës ose të mos tërheqin mospëlqimin e Allahut të Madhërishëm dhe dalëngadalë kthehen te besimi dhe forcohen; heqin dorë nga ligësitë dhe me gëzim fillojnë të realizojnë vepra të mira. Prandaj, gjithmonë mbani mend që është e nevojshme të përdorni mjete të ndryshme për t’i bërë njerëzit që të kenë shprehi realizimin e veprave të mira. Pa i përdorur këto mjete, nuk mund të ketë sukses në reformën praktike. Pra, është i nevojshëm përdorimi i këtyre mjeteve: domethënë, të krijohet besimi, të fitohet dija e saktë, të ketë mbikëqyrje dhe të merren edhe masa ndëshkuese kur ka nevojë. Dy të parat i kisha përmendur në hytben e kaluar për të treguar sesi mund të krijojmë forcën e veprimit.

Këto janë katër metoda, të cilat edhe Xhemati duhet t’i përdorë për reformën tek anëtarët e tij dhe çdokujt duhet t’i jepet ilaçi sipas problemit që ka. Për sa kohë që fesë nuk i mundësohet as qeverisja e as administrimi, duhet të përdoren të katra këto metoda për përmirësimin e njerëzve.

Ka nevojë që t’u tregoni se si mund të arrihet dashuria ndaj Allahut të Madhërishëm dhe se si Zoti sillet në mënyrë të veçantë me atë që gëzon dashurinë e tij.

Ju kam thënë edhe në hytben e kaluar që ilaçi i parë është që t’i reformoni njerëzit duke u dhënë forcën e besimit. Për këtë, duhen përmendur shenjat dhe shpalljet që ka marrë Mesihu i Premtuar a.s., kontakti i tij me Zotin, revolucioni që ka ardhur në jetën e atyre që e besuan. Siç ju thashë edhe në fjalimin e fundit që, në këtë kohë, kur shejtani po sulmon me të gjitha mjetet e tij, ka shumë nevojë të përmenden këto gjëra. Ky mësim u duhet dhënë njerëzve në mënyrë të herëpashershme. Ka nevojë që t’u tregoni se si mund të arrihet dashuria ndaj Allahut të Madhërishëm dhe se si Zoti sillet në mënyrë të veçantë me atë që gëzon dashurinë e tij. Si Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na e ka shpjeguar këtë temë. Ahmedianë të rinj që po anëtarësohen nga popujt e ndryshëm, edhe në Afrikë, edhe në vendet arabe, shumë prej tyre më shkruajnë sesi ata e pranuan Xhematin tonë; çfarë ndryshimesh erdhën në jetën e tyre pas leximit të literaturës së Mesihut të Premtuar a.s.; si besimi i tyre u shtua pasi u njohën me Xhematin. Me literaturën që kanë lexuar, atyre iu zgjidhën shumë nga keqkuptimet, bindjet, iu shtua dija dhe ata arritën ta shikonin besimin nga këndvështrimet e reja, por besimi i tyre u forcua duke kuptuar shenjat e Mesihut të Premtuar a.s., duke kuptuar shpalljet që ka marrë ai dhe duke kuptuar lidhjen e tij që ka pasur ai me Zotin e Madhërishëm. Veç kësaj, edhe Allahu i Madhërishëm u tregoi shenja të tjera dhe i bëri të përjetonin afrimin me Zotin.

Mbajeni Zotin të gjallë në zemrat tuaja

Duke folur në mënyrën e tij për rëndësinë e të kuptuarit të shenjave, shpalljeve që ka marrë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po ashtu të lidhjes së tij me Allahun,Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Nuk ka ndonjë gjë edhe nëse Hazret Isai do të mbetet i gjallë aty në qiell, sepse qëndrimi i tij i gjallë në qiell nuk është aq i dëmshëm saqë “vdekja” e Zotit të Madhërishëm në zemrat tona. Çfarë dobie do t’i sillni vetes duke provuar e forcuar vdekjen e Hazret Isait e ndërkohë duke e bërë Zotin “të vdesë” në zemrat e njerëzve, në vend që të përpiqeshit për “ta ringjallur” te ta?! Zoti i Madhërishëm padyshim është i Gjallë, i Qëndrueshëm (Haj dhe Kejjum) dhe i Pavdekshëm, por për disa njerëz, nga këndvështrimi i tyre, Ai edhe “vdes”.

Një ëndërr e çuditshme dhe kuptimi i saj

Hazret Kalifi i Dytë, duke treguar një ngjarje të mësuesit të Hazret Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar, i cili ishte nga qyteti Bhopal i Indisë, thotë:

Mësuesi i Kalifit të Parë një ditë kishte parë në ëndërr që, në një urë të qytetit Bhopal, dergjej një njeri i lebrosur. Përveç se e kishte zënë kjo sëmundje e keqe, ai ishte edhe i verbër, e kishte të thyer edhe hundën, gishtërinjtë dhe i gjithë trupi i tij ishte i qelbëzuar. Pranë tij gumëzhinin vetëm miza. Kjo pamje i ngjalli neveri në ëndërr. Megjithatë, iu afrua dhe e pyeti: “Kush je?” “Unë jam zoti”, ia ktheu i sëmuri. Ai u trondit skajshmërisht kur e dëgjoi përgjigjen dhe e pyeti: “Ti je Zoti?! Por, deri më tani gjithë profetët na kanë treguar se Zoti është qenia më e Bukur, aq sa askush nuk mund të matet në bukuri me të. Për këtë fytyrë ne e duam Zotin?” I sëmuri i tha: “Edhe profetët të vërtetën ju thonë. Në fakt, unë nuk jam Zoti i vërtetë, unë jam zoti i njerëzve të qytetit Bhopal, sepse unë kështu konsiderohem nga banorët e këtij qyteti. Pra, ata nuk kishin aspak vlerë për Zotin.

Pra, Zoti i Madhërishëm kurrë nuk vdes, por kur një njeri e harron Zotin, atëherë për të Ai është i vdekur. Dua ta sqaroj për të rinjtë tanë se çështja nuk është ashtu siç e keni dëgjuar në këtë rrëfim. Por e vërteta është që ajo pamje neveritëse, në fakt, ishte e atyre njerëzve që e harruan Zotin. Pra, kjo ishte si një pasqyrë ku shfaqej pamja e popullit. Pra, shpirtërisht ata ishin të lebrosur dhe si të tillë do të kishin edhe pasojat. Nuk do të thotë se Zoti, neudhubilah, të ishte mënjanuar dhe po rrinte i vetëm. Zoti nuk i largohet ndonjë populli. Nëse ai popull zhytet në mëkate, e ndëshkon. Në Kuranin Famëlartë, në shumë vende Zoti ka treguar këtë fenomen duke thënë se njerëzit e tillë e çojnë veten në xhehenem duke e harruar Zotin. Prandaj, me shembullin që dhashë të mos mendojë njeri që Zoti mund të bëhet edhe i pafuqishëm dhe historia mund të mbyllet në këtë mënyrë. Jo, aspak. Allahu i Madhërishëm është edhe ndëshkues dhe kur Ai u kërkon llogari njerëzve duke u zemëruar ndaj tyre, atëherë asnjeri nuk mund të qëndrojë para Tij. Ky është mesazhi i këtij tregimi dhe kjo nuk është ndonjë gjë parëndësi. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. vijon:

Dijetarët tanë duhet të përpiqen për ta gjallëruar Zotin e Madhërishëm në zemrat e njerëzve

Është e çuditshme që dijetarët tanë përpiqen për ta provuar vdekjen e Hazret Isait a.s., por nuk përpiqen për ta gjallëruar Zotin e Madhërishëm në zemrat e njerëzve. Ata nuk krijojnë atë shpirt te njerëzit, që ua mundëson të kuptuarit të sakët rreth Zotit të Madhërishëm. Synimi kryesor i përpjekjeve tona duhet të jetë që Zoti i Madhërishëm të mbetet i Gjallë te njerëzit dhe se ata të arrijnë të kenë kontakt me Të. Nëse kemi lidhje të gjallë me Zotin, atëherë le të bëjnë zhurmë sa të duan ata që përpiqen për ta provuar jetën e Hazret Isait, besimi ynë kurrë nuk mund të prishet, sepse në çdo hap, vetë Zoti do të kujdeset për ne. Pra, është shumë e vërtetë që duhet të kemi dije rreth çështjeve si vdekja e Hazret Isait a.s., kuptimi i vulës së profetizmit, etj., të cilat janë pjesë të bindjeve tona dhe po ashtu është e nevojshme qëndrimi me argumente mbi këto bindje e jo pa argumente, por për reformën praktike kemi nevojë të krijojmë lidhje me Zotin e Madhërishëm dhe për ta arritur këtë, ne duhet të përdorim mjetet që Mesihu i Premtuar a.s. na ka treguar në këtë kohë. Ne duhet t’i japim fund dualizmit që ekziston brenda nesh, midis fjalës dhe veprës sonë. Sa herë që u japim këshilla të tjerëve, duhet të analizojmë edhe për veten se deri ku veprojmë edhe ne sipas tyre.

Sot, me bekimin e Allahut të Madhërishëm,  në fakultet e Xhematit (xhamiat) në mbarë botën, ku përgatiten misionarët, kemi shumë të rinj që edukohen dhe shumë të tjerë regjistrohen çdo vit, sidomos në Pakistan. Ndër ta, një numër i konsiderueshëm është edhe i atyre që janë në uekf-e-neu [të cilët prindërit e tyre i kanë dedikuar para lindjes, duke ndjekur traditën e nënës së Merjemes].  Por, nganjëherë ndodh që rritja e numrit e ul nivelin e studentëve. Ndodh që ndonjë prej tyre nuk i përmbush dot kërkesat e nivelit shpirtëror që duhet ta ketë një misionar. Kur vërehen studentë të tillë, të cilët përfshihen në veprime jo të denja, atëherë ata përjashtohen nga fakulteti.

Misionarët të përgatiten shpirtërisht për epokën e përparimit të Xhematit

Prandaj, për epokën që do të vijë inshallah, që do të jetë epokë e përparimit të Xhematit, ata që synojnë të bëhen misionarë duhet të përgatiten shumë mirë. Nuk është ndonjë përgjegjësi e thjeshtë që do t’u besohet. Që tani ata duhet të krijojnë një kontakt me Zotin e Madhërishëm. Për këtë ata duhet të përpiqen më shumë se përpara. Gjithnjë t’i kenë parasysh shenjat që na tregoi Mesihu i Premtuar a.s. dhe mësimin e vërtetë që na ka shpjeguar ai. Ata nuk duhet të kufizojnë veten vetëm deri në studimin e çështjeve të jurisprudencës apo të bindjeve. Një dijetar nga Kadiani më shkroi duke thënë se mbledhjet që më përpara zhvilloheshin në Indi për t’iu përgjigjur kundërshtarëve, nuk zhvillohen më, dhe thotë se, ne u jepnim përgjigje të pakontestueshme dijetarëve që na kundërshtonin. Sipas tij, aq shumë ishin zhvilluar këto mbledhje, saqë kundërshtarët s’kishin më forcë për të na bërë ballë neve. Mirë. Është e vërtetë që duhet t’ua mbyllim gojën me argumente kundërshtarëve, por akoma më e rëndësishme dhe e nevojshme është kjo që misionarët tanë (muallimët dhe muballigët), duke kuptuar qëllimin e ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s., të përparojnë shpirtërisht aq shumë saqë secili prej tyre të bëhet një shenjë. Për këtë ata duhet të përpiqen shumë. Duke parë pikërisht modelin e tyre, njerëzit do të hyjnë në Xhemat dhe kjo ndodh disa herë. Por, më vjen keq për të thënë se ende nuk është arritur ky nivel. Për këtë arsye, në Indi, është dashur të heqim shumë muallimë (misionarë). Dukej se disa ishin pushtuar nga bota. Kështu që, edhe ky zotëri që më ka shkruar letrën, po ashtu, secili prej nesh të bëjë analizë se cilat janë përgjegjësitë e tij. Misionarët le të shohin se sa shumë ata janë përpjekur për të krijuar besimin në zemrat e njerëzve. Nuk duhet të mjaftohemi e të gëzohemi vetëm duke dhënë argumente të thata e duke i bërë hoxhallarët jo ahmedianë që të arratisen, madje ne duhet t’i tregojmë botës qenien e Zotit të Madhërishëm përmes shenjave dhe mrekullive të gjalla që mbajmë. Bindni zemrat e njerëzve përmes dëshmisë së gjallë që Allahu i Madhërishëm i ka dhënë Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

“Ja ku shkëlqeka dielli!”

Hazret Musleh Maudi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. dha një shembull, duke thënë:

Kur dielli shkëlqen mbi njerëzit, prapëseprapë nëse dikush prej tyre pyet dikë tjetër se çfarë argumenti ka për të provuar se dielli ka lindur dhe shkëlqen dhe tjetri fillon t’i japë argumente shkencore duke thënë se sot lindja e diellit ka qenë në kaq orë dhe perëndimi do të jetë në kaq orë etj., atëherë ky i fundit duhet të jetë tepër naiv. Sepse ai, në vend t’i jepte argumente të tilla, thjesht ta kapte për mjekre për t’ia ngritur kokën e t’i thoshte: “Ja ku shkëlqen dielli!”. Në këtë mënyrë duhet t’iu përgjigjej pyetjeve naivitetesh e t’i thoshte se vetë ekzistenca e diellit është argumenti i ekzistencës së tij. E pra, sot, edhe Zoti i Madhërishëm është duke bërë shfaqje para nesh. Tashmë edhe Ai ka dalë i zbuluar para botës me të gjitha atributet e Tij dhe përmes Mesihut të Premtuar a.s. Ai po na tregon bukurinë e Tij të plotë. Prandaj, predikuesit, në vend të bëhen naivë duke treguar argumente si ai që jepte argumente për ekzistencën e diellit, t’ia tregojnë njerëzve të vërtetën përmes shenjave të gjalla që u shfaqën në dorën e Mesihut të Premtuar a.s. dhe të japin dëshmi praktike të Zotit të Madhërishëm që kemi në çdo hap. Por, pengesa është vetëm kjo: ka nevojë që të kaloni jetën tuaj sipas pëlqimit të Zotit të Madhërishëm; ka nevojë të shtoni akoma më shumë forcën e veprimit të anëtarëve të Xhematit. Këto gjëra, vazhdimisht tregojuani fëmijëve, grave e burrave të Xhematit. Tregojuni se në ç’mënyrë Zoti ka shfaqur madhështinë e Tij nëpërmjet Mesihut të Premtuar a.s.! Shpjegojini se cilat janë mjetet për të arritur afrimin me Zotin e Madhërishëm! Si mund të gëzojnë dashurinë e Allahut të Madhërishëm? Pastaj do të shikoni se të rinjtë që janë të prirë për të imituar në çështjet materiale, si do të përulen para Zotit të Madhërishëm. Më pas, në Xhemat nuk do të kemi vetëm disa misionarë a dijetarë të cilët do t’i bëjnë hoxhallarë jo-ahmedianë të arratisen duke mos gjetur argumente, por këtë punë do ta bëjnë edhe të rinjtë, të rejat, madje edhe fëmijët ahmedianë. Gjithë nga ne do të bëhemi të tillë që mund ta tërheqim botën drejt vetes. Pra, gjëja më e rëndësishme është që ta bëjmë reformën në veprat tona, në gjendjen tonë; gjëja më e rëndësishme është që ne ta forcojmë lidhjen tonë me Mesihun e Premtuar a.s. e pastaj t’i bindemi Kalifatit në çdo thirrje. Kjo është ajo që do ta forcojë Xhematin dhe do t’ia lartësojë spiritualitetin. Xhemati duhet të arrijë të njihet me Kalifatin aq afër dhe aq saktësisht, saqë anëtarët të pranojnë me gjithë dëshirë çdo vendim të Kalifit të kohës dhe të mos ndiejnë në zemrat e tyre asnjë grimë hezitimi për të.

Një ndër detyrat e rëndësishme të misionarëve është që të formojnë te njerëzit botëkuptimin e saktë të Kalifatit. Edhe përgjegjësit e tjerë duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj pike…

Pra, atyre duhet t’u tregoni se të gjitha bekimet vijnë kur të jeni të lidhur me sistemin dhe kjo detyrë u përket sidomos misionarëve. Zoti, kur dëshiron të mallkojë ndonjë popull, Vetë do t’ia heqë sistemin. Kur këto gjëra do të diskutoni me individët, atëherë disa prej tyre që janë të prirë të rrëshqasin, mund të shpëtojnë. Në fakt, gjithkund ka një numër njerëzish, që kujtojnë se vetëm ata kanë mend. Të tillët flasin në hava kudo që shkojnë, thonë “kalifi nuk është Zoti dhe edhe ai mund të gabojë si çdo njeri”. Po, është e vërtetë kjo, por njerëzve të tillë dua t’u jap një përgjigje që ka dhënë Hazret Kalifi i Dytë, e cila, në fakt, vlen për çdo kohë. Ai thotë:

Nëse keni besim se Kalifati është një bekim prej Zotit, atëherë nuk mund të lindin këto mendime. Allahu i Madhërishëm thotë se vendimet që marrin Kalifët, Ai patjetër do t’i realizojë ato në këtë botë, siç (duke dhënë premtimin e Kalifatit) Ai thotë:

وَ لَیُمَکِّنَنَّ لَہُمْ دِیۡنَہُمُ الَّذِی ارْتَضٰی لَہُمْ

“Ai patjetër do t’ua forcojë besimin e tyre, të cilën e pëlqeu për ta”

(Kurani Famëlartë 24:56)

Pra, me fjalë të tjera Zoti thotë: besimi dhe parimet që Kalifët duan t’i vendosin, Unë betohem që do t’i vendos ato patjetër në botë.

Pra, gjithë anëtarët e Xhematit duhet të jenë të qartë në këtë pikë dhe është detyra e misionarëve dhe dijetarëve që t’i ngulitin këto gjëra në zemrat e tyre. Prandaj, kuptojeni përgjegjësinë tuaj dhe angazhohuni tërësisht për t’i treguar botës bekimet dhe mirësitë që vijnë përmes Mesihut të Premtuar a.s.. Keni nevojë të përmendni vazhdimisht shenjat e gjalla të Zotit; t’u tregoni njerëzve se cilat janë mjetet për të arritur pëlqimin e Zotit të Madhërishëm; t’u tregoni se bindja me çdo kusht ndaj Kalifit të kohës dhe nënshtrimi ndaj sistemit kanë rëndësi parësore. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këto çështje. Kur do të ndodhë kjo, atëherë, askush nuk do të ketë hezitime, madje numri i atyre që do t’i largojnë hezitimet do të jetë kaq shumë, saqë çdo sherr që do të lindë, gjen fundin e menjëhershëm. Atëherë do të shohim elemente përmirësimi brenda Xhematit në çdo aspekt. Ky ishte edhe qëllimi i ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s..

Xhemati do të ketë më shumë sukses me reformën praktike sesa me përhapjen e mesazhit (tablighun)

Pra, duhet të dini që ne patjetër që kemi nevojë të mësojmë argumentet e vdekjes së Hazret Isait dhe të kuptimit të vërtetë të Vulës së Profetit s.a., por kemi nevojë edhe për të përgjithësuar në Xhemat irfanin (njohjen e Zotit) dhe aftësinë e të vepruarit mirë. Me fjalë të tjera, vëmendjen që ne i kushtojmë frontit të jashtëm, po aq vëmendje, madje edhe më shumë, duhet t’i kushtojmë edhe frontit të brendshëm. Pastërtia jonë shpirtërore dhe reforma në të vepruarit tonë, inshallah ta’ala, do të sjellë një revolucion shumë më të gjerë sesa ai që mund të vijë përmes tabligut (përhapjes së mesazhit). Deklarata e Hazret Muslih Maudit, Kalifit të Dytë r.a. padyshim është shumë e rëndësishme, në të cilën ai thotë:

Nëse dijetarët e misionarët do të punojnë për të përmirësuar zemrat e njerëzve dhe do të përpiqen për të krijuar irfanin (njohjen e Zotit) dhe dashurinë ndaj Allahut të Madhërishëm te ta, atëherë njerëzit në miliona do të hyjnë në Xhematin Ahmedia. Këtë e thotë vetë Allahu i Madhërishëm në ajetet:

اِذَا  جَآءَ  نَصْرُ اللہِ وَ الْفَتْحُ ۙ﴿۲﴾  وَ رَاَیۡتَ النَّاسَ یَدْخُلُوۡنَ فِیۡ  دِیۡنِ اللہِ اَفْوَاجًا ﴿۳﴾ فَسَبِّحْ  بِحَمْدِ رَبِّکَ وَ اسْتَغْفِرْہُ 

[Kur do të vijë ndihma e Allahut dhe fitorja; dhe do të shohësh se njerëzit do të hyjnë në besimin e Allahut grupe-grupe; andaj madhëroje me lavdërim Zotin tënd dhe kërkoji falje].

(Kurani Famëlartë 110:2-3)

Domethënë, nëse do të përhapni fenë tuaj nëpërmjet metodës së tabligut (përhapjes së mesazhi), atëherë njerëzit mund të vijnë drejt jush tek e tek, por nëse do t’i kërkoni falje Zotit dhe do ta madhëroni e të arrini të largoni mëkatin nga Xhemati juaj, atëherë njerëzit grupe-grupe do të vijnë tek ju.

Përpiquni të bëheni zëvendës të Kalifit të kohës!

Edhe unë, atyre dijetarëve tanë që më shkruajnë duke pohuar se dikur ua mbyllnin gojën jo-ahmedianëve duke zhvilluar mbledhje të ndryshme, u them se vetëm me këso mbledhjesh nuk përmbushet synimi ynë, ashtu siç mund të përmbushet ai nëpërmjet reformës që do të sjellim në jetën tonë. Andaj, përqendrohuni te reforma praktike! Përpiquni të bëheni zëvendës të Kalifatit! Mundohuni të bëheni ndihmëtarë të Kalifit të kohës! Ne nuk mund të përfshihemi për vite të tëra vetëm në polemika shkencore. Nëse duam ta çojmë Xhematin drejt përparimit, dhe inshallah patjetër që do ta çojmë, atëherë kemi nevojë të ndjekim një rrugë tjetër, e cila, siç ju thashë, është ajo e reformës në të vepruarit tonë. Pra, kemi nevojë të përmirësojmë veprat tona. Kemi nevojë të ngremë nivelet e besnikërisë dhe sinqeritetit tonë. Kemi nevojë të pastrojmë rrugët e të ardhurave tona. Nuk mundet që duke qenë ahmedianë, të mashtroni Bashkinë e qytetit, për pak lekë ose ndihmë, e kështu ta ulni nivelin e vërtetësisë suaj. As nuk duhet të hyjni në gjyqe me pretendime të rreme për të fituar para. Madje, çdo punë që do të na besohet, duhet ta kryejmë me gjithë mundimin, përkushtimin dhe sinqeritetin. Nëse do të realizohet kjo, atëherë, bashkë me besimin, vetvetiu do të na hapen horizonte të reja të botës, inshallah. Është bekimi i Allahut të Madhërishëm që të tjerët kanë një përshtypje përgjithësisht të mirë për Xhematin tonë, por nëse ndokush prej nesh, do ta prishë standardin e tij të besnikërisë dhe sinqeritetit për përfitime të vogla, ai do ta njollosë edhe Xhematin.

Arma jonë kryesore për këtë detyrë është lutja

Kështu që, nëse nga njëra anë ka nevojë që misionarët të ndërgjegjësojnë anëtarët e Xhematit rreth këtyre çështjeve, atëherë nga ana tjetër çdo anëtar i Xhematit duhet të analizojë veten e vet e të sjellë reformë në veten e tij. Arma kryesore e kësaj detyre është lutja, të cilën gjithnjë duhet ta mbani me vete. Ndërsa, për ta përdorur mirë këtë armë dhe për të përfituar siç duhet nga ajo, ka nevojë të keni parasysh thënien e Allahut të Madhërishëm ku Ai thotë: “Përparoni në besim dhe bëni vepra të mira”. Nëse do të vazhdojë ky bashkëpunim i veprave dhe i lutjes dhe i lutjes dhe i veprave, vetëm atëherë mund të realizohet reforma e vërtetë. Allahu i Madhërishëm na e mundësoftë gjithë neve arritjen e saj.

Thirrje për lutje të shumta për situatën jashtëzakonisht të rëndë të disa vendeve muslimane

Në fund, dua t’ju tërheq vëmendjen edhe rreth problemit, i cili ka shqetësuar tej mase çdo besimtar të vërtetë dhe ai është gjendja e mjerueshme e vendeve muslimane. Sot umeti musliman kanë nevojë më shumë se kurrë për lutjet e besimtarëve të të dashuruarit të vërtetë të Profetit Muhammed s.a.. Është detyra jonë që të lutemi shumë për këtë çështje. Gjendja e Sirisë, sa vjen e degradohet. Edhe qeveria po kalon të gjitha kufijtë e dhunës, edhe grupet kundërshtare po bëjnë të njëjtën gjë. Pra, të dyja palët po bëjnë dhunë. Dhe në këtë zallamahi, fëmijët, gratë dhe pleqtë e pafajshëm po bëhen shënjestër të tyre. Pa marrë parasysh se është fajtor apo jo, ata kapin kë të gjejnë, i mbajnë të uritur për ditë të tëra dhe i dhunojnë. Kanë dalë imazhe të disa prej tyre. Të rrëqethet trupi kur i sheh dhe befasohesh: Vallë, si ka mundësi që muslimani po dhunon muslimanin në këtë mënyrë?! Veç kësaj, u japin të tjerëve mundësinë për ta kritikuar Islamin. Ditët e fundit jepeshin disa emisione, në të cilat intervistuan të rinj sirianë, që ishin 14 a 15 vjeç, të cilët kishin humbur prindërit e tyre. Ata as nuk kishin bukë për të ngrënë. Mundoheshin andej këtej për të gjetur ndonjë gjë. Kur gazetari i pyeti: “Çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni?” Njëri prej tyre buzëqeshi dhe tha: “Çfarë prisni tjetër nga ne veçse të bëhemi kriminelë, hajdutë, grabitës e terroristë, që të hakmerremi?!” Qeveria për të mbrojtur karrigen e saj dhe opozita për ta arritur të njëjtën gjë, po shkatërrojnë pasardhësit e tyre. Zoti ua dhëntë fundin e merituar mizorëve, e shpëtoftë popullin nga kthetrat e tyre dhe u dhëntë autoritarë të drejtë.

Edhe në Pakistan dhuna po kalon kufijtë e saj, sidomos për ahmedianët. U jepen shqetësime të mëdha edhe fizike, edhe psikike. Përgjithësisht i gjithë Pakistani po gjendet midis mokrrave të mullirit dhe duket se kjo gjendje do të përshkallëzohet. Grupet terroriste, që në fakt, janë pjellë e qeverive dhe për këtë arsye, ato nuk po mbizotërohen. Në këtë situatë, mbetet vetëm lutja, që mund t’i çojë mizorët në fundin e merituar. Ka nevojë për shumë lutje. Allahu e liroftë edhe Pakistanin nga mizorët.

Po ashtu, edhe vende të tjera muslimane, qoftë Egjipti, qoftë Libia apo ndonjë tjetër, përgjithësisht secili prej tyre gjendet në situatë të vështirë. Allahu u dhëntë mendtë njerëzve të këtyre vendeve dhe e mbrojttë Islamin nga përpjekjet e tyre që synojnë për ta njollosur atë. Çdokush që zgjedh rrugën e dhunës, Zoti e bëftë mësim për të tjerët duke e ndëshkuar dhe po ashtu, mbrojttë çdo ahmedian që jeton në këto vende.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp