Dashuri dhe vëllazëri
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Dashuri dhe vëllazëri

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshahudit, t’auidhit dhe të sures El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Rëndësia e Xhelsa Salanas së Kadijanit

Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, nga sot fillon Xhelsa Salana (Mbledhja Vjetore) e Kadijanit. Pas ndarjes (së Indisë e të Pakistanit), njerëzit mbase e konsiderojnë këtë Xhelse si të Indisë, por Kadijani është qyteza e Mesihut të Premtuar a.s., vendi që do të bëhej burimi i përhapjes së mesazhit të tij në mbarë botën. Kjo pozitë e tij jo vetëm që e bën atë qendër të përhapjes së dytë të Islamit, por edhe Xhelset e tij i bën ndërkombëtare. Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, sot atje ka pjesëmarrje prej 32 a 33 shteteve të botës. Pra, Kadijani ka rëndësinë e tij. Edhe Xhelset që zhvillohen atje, kanë rëndësinë e tyre. Edhe ahmedianët që banojnë në atë qytezë, kanë rëndësinë e tyre dhe po ashtu, pjesëmarrësit nga skajet e botës, të Xhelses së Kadijanit, kanë rëndësinë e tyre. Por, kjo rëndësi do të ketë ndonjë vlerë, atëherë kur banorët e tij përmbushin detyrën e rëndësisë së tij; kur pjesëmarrësit e Xhelses së tij, ditët e netët që kanë në dispozicion, t’i kalojnë për ta arritur synimin e Xhelsesë, të cilin e ka përcaktuar Imami i kohës, shërbëtori i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.. Në përgjithësi, atmosfera e çdo Xhelseje bën një ndikim të veçantë shpirtëror te pjesëmarrësit e saj, të cilin e tregojnë ata vetë. Por në Xhelsen e Kadijanit, për shkak të atmosferës së saj shpirtërore, shihet një ngjyrë tjetër akoma më e veçantë.  Ata që kanë marrë pjesë në Xhelset e Kadijanit e dinë këtë. Në fakt, çdo i sinqertë duhet ta ndiejë këtë ngjyrë, sepse në Kadijan, aroma e përhapur e kujtimeve të Mesihut të Premtuar, të Imam Mehdiut, pra të shërbëtorit të vërtetë të Profetit Muhammed s.a. na çon në një atmosferë të rrallë shpirtërore. Andaj, edhe këshillat që i merrni në këtë atmosferë, kanë një ngjyrë tjetër, kanë një ndikim tjetër. Prandaj, sot dua t’u tërheq vëmendjen gjithë pjesëmarrësve të kësaj Xhelse që jo vetëm të dëgjojnë fjalimet plot dije e edukimi që do të mbahen atje, por edhe t’i mbajnë gjithnjë parasysh e t’i lëvrojnë qëllimet që Mesihu i Premtuar a.s. ka përcaktuar me nismën e Xhelsa Salanës. Mendoj se përfaqësuesi im ua ka lexuar pjesëmarrësve gjatë hapjes së Xhelses, fjalët e Mesihut të Premtuar a.s., në të cilat ai i përmend këto qëllime.

Vëllazëria, një prej qëllimeve të themelimit të Xhelsa Salanës

Thashë “mendoj”, sepse nuk jam në dijeni se si ka qenë sesioni hapës i Xhelses, e çfarë fjalimi është mbajtur. Por, përgjithësisht fjalimi hapës i Xhelses e ka këtë temë. Sidoqoftë, çdokush nga pjesëmarrësit duhet t’i kalojë këto ditë duke marrë parasysh pritshmëritë e Mesihut të Premtuar a.s.. Siç ju thashë, pjesëmarrja është nga shumë vende të botës dhe një ndër qëllimet e Xhelses që kishte treguar Mesihu i Premtuar a.s. ishte edhe ky, që anëtarët e Xhematit të njihen me njëri-tjetrin gjatë ditëve të Xhelses dhe kështu të krijohen lidhje vëllazërie dhe sinqeriteti midis tyre.

Sot, aq shumë janë zgjeruar këto lidhje, saqë nuk mund t’ia gjeni shembullin në të kaluarën. Një banor i thjeshtë takohet me një ahmedian të Amerikës apo me ndonjë të Rusisë. Një arab takohet me një europian dhe pikërisht këto takime e bëjnë më të dukshme frymën e vëllazërisë, e cila është një cilësi e veçantë e besimtarëve dhe kështu duhet të jetë. Nëse dikush ka mëri ndaj dikujt, ai s’mund ta takojë atë me frymë vëllazërie. Nëse një i pasur nuk vëllazërohet me vëllanë e tij të varfër, duke larguar të gjitha ndasitë, daç e njeh apo nuk e njeh, daç ka marrëdhënie të mira me të apo të dobëta, daç ka dashuri ndaj tij apo ka mëri të vjetra, deri atëherë atij nuk mund t’i bëjnë asnjë dobi as fjalimet që mbahen në Xhalsa Salana e as atmosfera e Xhelsa Salanës. Edhe ardhja e një njeriu të tillë në Xhalsa do të shkojë kot. Atmosfera e Kadijanit edhe pse e mbushur me spiritualitet, atij do t’i ngjajë krejtësisht bosh. Prandaj, nëse doni të përfitoni maksimalisht nga qëllimet e Xhalsas, duhet ta keni parasysh edhe këtë qëllim të saj, që kishte përcaktuar Mesihu i Premtuar a.s. duke thënë se duhet të zhdukni dallimin e të qenët i pasur ose i varfër, të qenët i vogël ose i madh. Edhe sikur keni pasur mëri ndaj ndokujt, shuajeni atë në atë mënyrë, sikur ajo nuk kishte ekzistuar kurrë. Edhe banorët vendas të Kadijanit duhet të analizojnë zemrat e tyre. Zoti ua dha mundësinë e banimit në lagjen e Mesihut të Premtuar a.s.. Andaj, atmosferën e saj, duhet ta mbajnë ashtu siç e kishte pritur Mesihu i Premtuar a.s., për të cilën edhe e kishte edukuar Xhematin e tij. Ata duhet t’i jenë mirënjohës Zotit të Madhërishëm, i cili u dha mundësi edhe një herë për të marrë pjesë në Xhalsa Salanën e për të përfituar nga ajo.

Xhelsa Salan, mjet për ta analizuar vetëveten

Pra, çdo pjesëmarrës, në njërën anë, të krijojë lidhjen e vëllazërisë e dashurisë, në anën tjetër edhe çdo banor i Kadijanit të analizojë veten se sa është duke u përpjekur edhe ai për ta arritur këtë qëllim të Xhelses. Pikërisht kjo analizë do t’i bëjë ata që të ftohen karshi dëshirave të kësaj bote e të anojnë tërësisht nga ahireti; do t’i bëjë ata që të kenë frikë ndaj Zotit. Ata nuk do të shqetësohen për dëshirat e kësaj bote, por do të kenë parasysh porosinë e Kuranit ku thuhet:

وَ لْتَنۡظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍ

“Le të shohë çdo njeri se çfarë ka dërguar për të nesërmen”

(Kurani Famëlartë 59:19)

Njerëzit e tillë do të analizojnë se çfarë kanë dërguar për botën e ardhshme, duke kërkuar pëlqimin e Allahut të Madhërishëm dhe mirësitë e botës tjetër. Ata e dallojnë se a duhet të jetojnë me takua e pastërti, apo pa pasur frikë ndaj Zotit? T’i përmbahen premtimit të Bejtit (besëlidhjesë) apo ta mbajnë vetëm stemën e tij në kraharor për sy e faqe? Të krijojnë brenda vetes cilësitë e kënaqësisë së Zotit dhe butësisë apo të veprojnë me mizori e vrazhdësi? Të vendosin shembuj të përulësisë dhe modestisë apo të ecin nëpër tokë si kryeneçë e mendjemëdhenj? Të shpërndajnë perlat e vërtetësisë, apo të enden në errësirën e gënjeshtrave që t’i mbërthejë mospëlqimi i Allahut? Të përgatiten për ta çuar përpara misionin e Mesihut të Muhammedit s.a. apo të zhyten në llumin shkëlqimit verbues të botës materiale?

Pra, këto analiza konkrete do të na tregojnë se deri në ç’masë e kemi parasysh porosinë e Kuranit ku thotë: “Çfarë keni dërguar për të nesërmen?” Këto tri ditë të Xhelses sjellin një mundësi shumë të mirë për t’i bërë këto analiza e për t’i kthyer veprat tona në përputhje me pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, sepse njerëzit janë të prirë të pranojnë edhe ndikimet shpirtërore nga njëri-tjetri. Organizimi i namazit të tahaxhudit me xhemat gjithashtu bën ndikim të tijin në zemër. Vendet ku ka bërë sexhde dhe lutje Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu i tërheqin pjesëmarrësit e Xhalsas për të bërë lutje të përmallshme. Pra, fryn lirisht dhe pa bujë fryma e spiritualitet në atmosferë. Prandaj, përfitoni sa më shumë nga ky kamp treditor dhe të mos jetë asnjë ahmedian që të kthehet nga atje pa e arritur këtë synim, e as nuk duhet të mbetet ndonjë ahmedian banor i Kadijanit, që nuk i përdor këto tri ditë si mjet më të rëndësishëm të reformës së vet shpirtërore. Por, duhet të keni parasysh edhe një gjë tjetër. Çdo ndryshim të mbarë që keni sjellë ose që do të sillni në veten tuaj, të jetë i qëndrueshëm, të bëhet pjesë e pandashme e jetës suaj. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë, kur çdokush që është ulur atje, të bëjë një betim të palëkundur për ta realizuar këtë synim. Ka nevojë të merrni vendimin që fjalimet që do të dëgjoni atje, t’ju shtojnë jo vetëm dije të përkohshme, por t’ju shtojnë një dije që do të mbetet në jetët tuaj përjetësisht në formë veprash. Ka nevojë të merrni edhe vendimin që nuk duhet të bëheni si ata që thonë ndryshe dhe veprojnë ndryshe, por të jeni si ata që veprojnë në përputhje të plotë me atë që kanë mësuar. Ka nevojë që ta keni gjithnjë parasysh porosinë e Allahut të Madhërishëm, në të cilën Ai thotë:

یٰۤاَیُّہَا  الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا لِمَ تَقُوۡلُوۡنَ مَا لَا تَفْعَلُوۡنَ

“O ju që besuat! Përse thoni atë që nuk e bëni?!”

(Kurani Famëlartë 61:3)

Pra, kur do të kemi vëmendje rreth këtyre porosive, vetëm atëherë mund t’i përmbushim qëllimet e pjesëmarrjes në Xhalsa Salana, për t’i përmbushur të cilat Mesihu i Premtuar a.s. na kërkoi të bënim edhe bejtin; vetëm atëherë ne mund të marrim bekime të përhershme përmes Xhalsa Salanës; vetëm atëherë do t’i kushtojmë vëmendje reformës sonë; vetëm atëherë mund t’u tregojmë shembuj të mirë fëmijëve tanë; vetëm atëherë mund të bëhemi mjet i edukimit të fëmijëve tanë; vetëm atëherë do të kemi vëmendje për të përudhur në rrugën e drejtë edhe njerëzit që punojnë në varësitë tona; vetëm atëherë mund të përmbushim siç duhet detyrën e tabligut (të përhapjes së mesazhit).

Suksesi në tabligh është i varur me reformen tonë

Pra, kjo është një punë madhore, të cilën duhet ta kryejë gjithsecili nga ne. Por standardet e larta të kësaj pune mund të ngrihen atëherë, kur ne të bëhemi realist dhe në vend që të kemi sy ndaj arritjeve tona, të kemi sy ndaj dobësive tona; kur të jemi tejet të shqetësuar për të gjetur faljen e Zotit të Madhërishëm; kur të tregohemi të gatshëm për t’iu nënshtruar porosive të Zotit të Madhërishëm dhe të Profetit të Tij s.a.; kur do të rrëfejmë shembuj të tillë bindjeje, që nuk kanë përzierje hilesh, madje të ekzistojnë mure të pakalueshme para hileve dhe dredhive. Këto standarde do t’i arrijmë atëherë, kur do t’u japim përparësi mësimeve, dëshirave dhe pritshmërive të Mesihut të Premtuar a.s. mbi gjitha dëshirat tona; kur do të tregojmë shembuj të vërtetësisë e besnikërisë sipas pritshmërive të tij. Çfarë priste Mesihu i Premtuar a.s. nga ne? Në një vend, ai thotë:

Fjalën dhe veprën tuaj gjithmonë mbajeni drejt dhe njësoj, ashtu siç kanë vepruar sahabët e Profetit Muhammedit, paqja qoftë mbi gjithë ata. Edhe ju ndiqini hapat e tyre për të treguar shembuj të vërtetësisë dhe besnikërisë. Gjithmonë kijeni parasysh modelin e Hazret Ebu Bekrit r.a..

Modeli i shkëlqyer i Ebu Bekrit r.a

Kur shohim jetën e Ebu Bekrit, gjejmë shembuj të çuditshëm e madhor të vërtetësisë dhe besnikërisë. Kur i Dërguari i Allahut s.a. pohoi se ai kishte marrë shpalljen prej Zotit se ishte Profet, atëherë Ebu Bekri r.a., pa i kërkuar ndonjë sqarim, pohoi: Unë të pranoj si Profet të Zotit të Madhërishëm. Kur i Dërguari i Allahut s.a. tha: “Kam nevojë për kontribute për nevoja fetare dhe u kërkoj besimtarëve të japin pasurinë e tyre për ta mbështetur besimin”, atëherë Hazret Ebu Bekri r.a. solli gjithë pasurinë e tij që kishte në shtëpi dhe ia paraqiti të Dërguarit të Allahut s.a.. Kur i Dërguari i Allahut s.a. i njoftoi besimtarët me urdhrin e Allahut që për shkak të mizorive të mohuesve, ai është i urdhëruar të luftojë, t’i përgjigjet armikut me të njëjtën monedhë, pra, të ngrejë shpatë kundër armikut, atëherë edhe Hazret Ebu Bekri r.a. ngrehu shpatën e tij dhe erdhi tek ai duke thënë: jam gati të luftoj. Gjatë pajtimit të Hudejbiasë, kur i Dërguari i Allahut s.a. papritmas ndryshoi vendimin e tij dhe u kërkoi besimtarëve që nuk do të bënin luftë por pajtim, të gjithë u nxehen. Edhe sahabët e mëdhenj filluan të shqetësoheshin duke menduar se çfarë ishte duke ndodhur. Por, Hazret Ebu Bekri r.a. tha: Po, do ta bëjmë pajtimin.

Mesiu i Premtuar a.s. kërkon standarde të larta prej nesh

Këta janë shembu, të cilat Mesihu i Premtuar a.s. na kërkon edhe neve të tregojmë. Nëse do t’i kemi parasysh këto standarde, atëherë mund t’ua dalim pritshmërive të Mesihut të Premtuar a.s.. Ne vërtet shqetësohemi kur shohim se sa shumë Mesihut të Premtuar a.s. i kishte ardhur keq kur ai kishte parë në një Xhalse që njerëzit nuk i kishin përmbushur pritshmëritë e tij. Pra, sot nëse ne duam të bëhemi pjesë e qëllimit të ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s., atëherë duhet t’i përgjigjemi me pohim e gatishmëri çdo thirrjeje të tij dhe të sjellim një revolucion shpirtëror brenda vetes.

Modeli i shkëlqyer i sahabëve të Profetit të Shenjtë s.a.

Kemi nevojë për atë forcë dhe patos që sahabët r.a. kishin treguar në Betejën e Hunejnit. Pa pasur këtë patos, ne as nuk mund të ruhemi nga kotësitë, as nuk mund të ruhemi nga babëzitë e botës materiale, as nuk mund të bëjmë reformën e nefsit tonë, as nuk mund të kuptojmë shpirtin e pjesëmarrjes në Xhalsa, as nuk mund të kuptojmë qëllimin e ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s., e as nuk mund të krijojmë ndjenjën e duhur për t’i shërbyer Islamit. Çfarë kishte ndodhur në betejën e Hunejnit? Në gjithë historinë e gjeratëhershme të Islamit, beteja e Hunejnit ishte e para betejë, në të cilën ushtria muslimane ishte më e madhe sesa ushtria e armikut. Por në ushtrinë muslimane, shumica prej tyre ishin ata që nuk e dinin shpirtin e sakrificës. Kur katër mijë shigjetarë të armikut, me organizim të plotë, i qëlluan muslimanët me breshëri shigjetash, ata u çorientuan për shkak të disa zemërdobëtëve, po ashtu edhe për shkak të tërbimit të kafshëve të tyre. Ishte koha kur i Dërguari i Allahut s.a. kishte mbetur në fushëbetejë vetëm me dymbëdhjetë sahabë të tij. Megjithatë, ai nuk u tërhoq. Edhe pse sahabët e këshilluan të tërhiqej sa për ta mbledhur ushtrinë edhe një herë, ai u tha: “Profeti i Zotit nuk i kthen shpinë fushëbetejës!”. Ai thirri Abasin r.a., që kishte zë të lartë dhe e porositi: “Thirri me zë të lartë ensarët (muslimanët e Medinës) duke thënë:

“O Ensarë i Dërguari i Zotit ju thërret!”

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. ka dhënë një sqarim shumë të thellë se përse Profeti u kishte bërë thirrje vetëm ensarëve. Kishte shumë arsye. Njëra prej tyre ishte se përgjegjës për humbjen që bëhej ishin disa nga mekasit, të cilët ishin të afërmit e muhaxhirëve (të muslimanëve të Mekës). Prandaj, nëpërmjet kësaj thirrjeje, Profeti u bëri vërejtje muhaxhirëve, duke treguar se e gjithë kjo kishte ndodhur për shkak të njerëzve të tyre, të cilët ata i besonin dhe që i kishin të afërm e shumë përzemër. Sidoqoftë, u thirrën vetëm ensarët. Ensarët thonë: ne  po bënim çdo përpjekje për ta kthyer drejtimin e deveve dhe kuajve. Por kur dëgjuam thirrjen e Abasit, na erdhi si vetëtimë një forcë e re dhe një patos i ri. Atyre që iu bindën kafshët, menjëherë u gjendën në fushëbetejë, ndërsa ata të cilëve nuk iu bindën kafshët, morën mburojat dhe shpatat dhe u hodhën nga devetë e frikësuara dhe u therën qafat e tyre dhe vrapuan në këmbë për t’u gjendur shumë shpejt pranë Profetit s.a. e për t’i thënë atij: “Ja ku erdhëm o i Dërguari i Allahut!” Është ky ai shpirt i bindjes që duhet ta kemi sot edhe ne, që duhet ta përdorim sot edhe ne.

Thirrja e Mesiut të Premtuar për reformen e plotë të qenieve tona

Edhe sot, i dërguari i Zotit, i cili është i dashuruari i vërtetë i Profetit Muhammed s.a. na thërret që ne të bëjmë reformën tonë shpirtërore. Ai na bën thirrje duke thënë: Ejani në Xhlesa dhe përpiquni për t’i arritur qëllimet e saj! Kaloni ditët tuaja me takua, duke pasur dashuri ndaj Zotit! Merrini këto tri ditë si mjet për të gjetur afrimin me Zotin! Therini edhe ju qafat e kuajve të tërbuar të nefsit tuaj! Sot Imami dhe Reformatori i kohës, Profeti që erdhi në shërbim të Profetit Muhammed s.a. na thërret ne për të bërë reformën e veprave tona. Edhe ne duhet të mblidhemi rreth tij duke iu përgjigjur thirrjes së tij. Është detyra jonë të mblidhemi rreth tij. Neve nuk na bëhet thirrje për të bërë xhihad me shpatë. Neve na bëhet thirrje për të bërë xhihad me nefsin tonë, fitorja e të cilit do të bëhet shkak i ngritjes së flamurit të Islamit në të gjithë botën.

Pra, siç ju kam thënë edhe më herët, ka nevojë të vendosim standarde të reja të dashurisë e vëllazërisë. Ka nevojë t’u ngjitemi shkallëve të pastërtisë dhe takuas. Ka nevojë të kërkojmë rrugët e përulësisë dhe modestisë. Ka nevojë të provojmë me çdo vepër tonën, që e vërteta shkëlqen. Ka nevojë për të dhënë praktikisht shembuj të sakrifikimit të jetës, pasurisë, kohës dhe nderit për ta përhapur Islamin. Ka nevojë të mbajmë gjuhët tona të lagura me përmendjen e Allahut. Ka nevojë të përpiqemi, përmes adhurimit të niveleve të larta, për të arritur afrimin me Zotin. Kështu që, gjatë këtyre tri ditëve le të përfitojnë nga Xhelsa Salana e Kadijanit edhe pjesëmarrësit e saj, edhe pjesëmarrësit e Xhelsave të tjera të përfitojnë nga Xhelsat e tyre. Në fakt, gjatë këtyre ditëve po zhvillohen Xhelsa Salana edhe në Amerikë në pjesën West Coast, edhe në Mali, edhe në Niger, edhe në Nigeri, edhe në Senegal, edhe në Bregun e Fildishtës.

Disa fragmente të Mesihut të Premtuar a.s. rreth dashurisë, vëllazërisë dhe takuasë

Tani, do të doja t’ju citoja disa fragmente nga shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s., të cilat na tërheqin vëmendje mbi disa kërkesa që bën i Dërguari i Allahut s.a.. Ai thotë:

Kam thënë edhe më herët që anëtarët e Xhematit duhet të kenë bashkim e dashuri ndaj njëri-tjetrit. Zoti i Madhërishëm këtë mësim ua kishte dhënë muslimanëve: Bëhuni si një trup, përndryshe do t’ju ikë fuqia. Prandaj jeni porositur që edhe në namaz të qëndroni bashkë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të keni bashkim. Sepse në këtë mënyrë, ndjenjat kalojnë si vetëtimë nga njëri te tjetri. Nëse do të keni përçarje e jo bashskim, atëherë do të jeni fatkëqij. I Dërguari i Allahut s.a. tha: Kini dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe fshehurazi bëni dua për njëri tjetrin. Nëse një njeri bën lutje në mënyrë të fshehtë (dmth pa pasur ndonjë kërkesë për lutje nga tjetri), atëherë engjëlli lutet për të: “Ashtu u bëftë edhe për ty!” Sa madhore është kjo punë! Nëse nuk pranohet lutja e njeriut, lutja e engjëllit është e sigurt se do të pranohet. Dua t’ju këshilloj, mos kini përçarje midis njëri-tjetrit. Unë kam ardhur vetëm me dy çështje: (1) të pranoni njëshmërinë e Zotit, (2) të keni dashuri dhe dhembshuri ndaj njëri-tjetrit. Pra, të jepni shembullin, i cili të jete keramet (mrekulli) për të tjerët. Pikërisht ky ishte argumenti që u dëshmua te sahabët, paqja qoftë mbi gjithë ata:

كُنۡتُمْ اَعْدَآءً فَاَلَّفَ بَیۡنَ قُلُوۡبِكُمْ

[Ishit armiq, por Ai vuri dashuri në zemrat tuaja për njëri-tjetrin]

(Kurani Famëlartë 3:104)

Mbani mend! Bashkimi i zemrave është një mrekulli. Mbani mend! Nëse ka ndër ju edhe të atillë, që nuk e pëlqen për vëllanë e tij atë që e pëlqen për vete, ai nuk është në Xhematin tim. Ai është në vështirësi dhe sprovë. Fundi i tij nuk do të jetë i mbarë…. Mbani mend! Pastrimi i mërisë është shenjë e Mehdiut. A mendoni se nuk do të përmbushet kjo shenjë?! Patjetër që do të përmbushet. Pse nuk duroni? Kështu janë edhe disa sëmundje fizike, që nuk zhduken derisa t’i hiqni rrënjësisht. Me qenien time do të lindë një Xhemat i pastër, inshallah. Cila është arsyeja e armiqësisë së ndërsjellë? Është koprracia, mendjemadhësia, vetëpëlqimi dhe ndjenjat (e këqija). Unë do t’i largoj nga Xhemati gjithë ata që kanë këto vese. Ata që nuk janë të përmbajtur dhe nuk jetojnë me dashuri dhe vëllazëri të ndërsjellë, janë miq të përkohshëm. Nuk dua të futem unë në gjynah për shkak të tjetrit. Ai që duke qenë në Xhematin tim, nuk sillet sipas dëshirës sime, është si degë e thatë. Çfarë të bëjë kopshtari me të, veçse ta këpusë atë! Dega e thatë edhe pse thith ujë duke qëndruar me degë të gjelbra, nuk përfiton aspak nga ai. Madje, mundet që ajo ta thajë edhe degën tjetër. Prandaj, kini frikë! Ai që nuk mjekohet, nuk mbetet me mua.

Mesihu i Premtuar a.s., në një vend tjetër, thotë:

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

وَجَاعِلُ الَّذِیۡنَ اتَّبَعُوۡکَ فَوْقَ الَّذِیۡنَ کَفَرُوۡۤا اِلٰی یَوْمِ الْقِیٰمَۃِ

[(O Isa) Unë do t’i bëj ndjekësit e tu mbizotërues ndaj atyre që mohuan deri në ditën e kiametit.]

(Kurani Famëlartë 3:56)

Ky premtim shpresëdhënës i ishte bërë me të birin e Merjemes që kishte lindur në Nazaret. Por unë ju jap sihariq që edhe ai që ka ardhur me emrin e Mesihut, Zoti i dha lajm të gëzueshëm pikërisht në këto fjalë. Tani mendoni vetë! Ata që dëshirojnë të kenë pjesë në këtë premtim të lartë dhe në këtë sihariq madhështor duke qenë të lidhur me mua, a mund të jenë si ata të cilët i nxit nefsi për të këqijat dhe që ndjekin rrugët e pahijshmërisë dhe mosbindjes? Jo dhe kurrsesi jo! Ata që e vlerësojnë drejt këtë premtim të Allahut të Madhërishëm, nuk i marrin fjalët e mia si përralla e histori. Mbani mend dhe dëgjoni me zemër! Unë edhe një herë dua t’u them atyre që kanë lidhje me mua. Kjo lidhje nuk është ndonjë lidhje e thjeshtë, por është e jashtëzakonshme. E tillë që ndikimi i saj nuk mbetet vetëm deri tek unë, por shkon te Ai që edhe mua më lidhi me atë njeri të shenjtë e të përsosur, i cili solli shpirtin e vërtetësisë dhe sinqeritetit në këtë botë. Po të mbetej ndikimi i kësaj lidhjeje vetëm tek unë, nuk kisha aspak drojë a shqetësim, por ai nuk mbaron me kaq. Ai ndikim shkon deri tek i Dërguari i Allahut s.a., madje deri tek Qenia e Shenjtë e Zotit të Madhërishëm. Nëse kjo është situata, atëherë dëgjojeni me vëmendje të plotë! Nëse doni të merrni pjesë nga lajmi i gëzueshëm që sapo ju tregova, nëse doni që ky lajm të përmbushet me qeniet tuaja, nëse keni etje të sinqertë për të pasur një sukses kaq madhështor që ju të jeni mbizotërues ndaj mohuesve deri në Kiamet, atëherë kaq ju them: këtë sukses nuk mund ta gëzoni, gjersa të kaloni nga niveli qortues (nefsit leuamah që qorton për të keqen) deri në nivelin e të qenit kënaqur (të nefsit mutmeinah, që është i kënaqur me veten dhe Zotin e tij). Nuk ju them më shumë se kaq që ju keni lidhje me një njeri që është i caktuar prej Allahut. Prandaj, fjalët e tij dëgjojini me veshët e zemrës dhe bëhuni gati me gjithë shpirt për të vepruar sipas tyre, në mënyrë që të mos bëheni ndër ata, të cilët pasi të kenë pohuar një herë, bien në ndyrësinë e mohimit, duke blerë për vete ndëshkim të përhershëm. Anëtarët e Xhematit tim gjithmonë duhet ta kenë parasysh këtë këshillë që tregova. Gjithmonë mendoj vetëm një gjë. Në botë, vazhdimisht krijohen lidhje. Disa prej tyre krijohen për bukurinë, disa për fisin, disa për pasurinë e disa për forcën. Por Zoti i Nderuar nuk i merr parasysh këto kritere. Ai ka thënë shumë qartë:

اِنَّ  اَكْرَمَكُمْ عِنۡدَ اللہِ اَتْقٰكُمْ

Më i nderuari tek Allahu i Madhërishëm është ai që ka më shumë takua.

(Kurani Famëlartë 49:14)

Zoti do ta mbajë vetëm Xhematin e atyre që janë me takua, kurse tjetrin do ta shkatërrojë. Kjo është një pikë shumë delikate, saqë këtu nuk mund të qëndrojnë bashkë edhe i pastri edhe i papastri. Domosdo, ai me takua të qëndrojë dhe i ligu të shkatërrohet. Por, ngaqë këtë e di vetëm Zoti se cili është me takua në sytë e Tij, kjo është një pikë frikësuese. Fatlumë është ai që ka takua dhe fatkeq është ai që qëndron rrëzë mallkimit.

Allahu i Madhërishëm na mundësoftë gjithë ne, secilin nga ne, që të ndiejmë dhimbjen e Mesihut të Premtuar a.s. e t’i kushtojmë vëmendje reformës sonë. Duhet të dini që këto fjalë nuk ishin vetëm për pjesëmarrësit e Xhelsasë, por ishin për çdo ahmedian kudo që jeton në botë. Dua t’ju tërheq vëmendjen që gjatë këtyre ditëve, kur po zhvillohet Xhelsa Salana në qytezën e Mesihut të Muhammedit, të angazhoheni në mënyrë të veçantë në përmendjen e Allahut dhe në lutje. Të bëjnë lutje në mënyrë të veçantë pjesëmarrësit e Xhelsas së Kadijanit, edhe të Xhelsave të tjera që po zhvillohen në vende të ndryshme. Çdo ahmedian që jeton kudo në botë të lutet për gjithë ata ahmedianë që janë në burgje vetëm sepse e pranuan Mesihun e Muhammedit, Imamin e Kohës. Lutuni që Allahu i Madhërishëm ua largoftë vështirësitë. Lutuni sidomos për ahmedianët e Pakistanit, të Indonezisë dhe të vendeve të tjera të tilla. Zoti u krijoftë lehtësi edhe atyre, u mundësoftë liri edhe atyre. Kjo është një lutje shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për vëllazërinë. Fryma e vëllazërisë na kërkon që ne patjetër ta bëjmë këtë lutje. Allahu na e mundësoftë këtë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp