Kërkoni pëlqimin e Allahut
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kërkoni pëlqimin e Allahut

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të suresë El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqmisht, tha:

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Zoti e ka krijuar njeriun që ai ta gjejë njohjen e Tij dhe afrimin me Të.

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الْاِنۡسَ  اِلَّا لِیَعْبُدُوۡنِ

[Unë kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të më adhurojnë Mua]

(Kurani Famëlartë 51:57)

Ai që nuk e merr parasysh këtë qëllim kryesor dhe natë e ditë mbetet i zhytur në shqetësime për ta fituar botën, sesi të blejë filan tokë,sesi të ndërtojë filan shtëpi, sesi të përvetësojë filan pasuri etj, çfarë trajtimi mund të presë prej Zotit, përveçse t’i japë një afat e pastaj t’ia marrë jetën. Njeriu duhet të ketë një mall në zemër për të gjetur afrimin me Zotin, për shkak të të cilit ai bëhet i çmueshëm para Zotit. Nëse zemra e tij nuk e ka këtë mall, por i dhimbset vetëm dynjaja dhe gjithçka tjetër që gjendet në të, atëherë, pas një afati të shkurtër, ai shkatërrohet.

Pastaj ai thotë:

Është për të ardhur keq që shumica e njerëzve që lindin, pas moshës së pjekurisë, në vend që ta kuptojnë detyrën e tyre e ta kenë parasysh qëllimin dhe synimin e jetës së tyre, jepen pas botës, duke braktisur Zotin e Madhërishëm. Ata dashurohen kaq shumë me pasuritë dhe nderimet e botës, saqë u mbetet shumë pak hisja e Zotit, madje as nuk mbetet fare në zemrat e shumicës prej tyre. Ata zhyten vetëm në botë dhe aty përfundojnë. As nuk e kanë haberin se ekziston edhe Zoti.

Pra, ky është ai kuptim i gjerë i thënies së Allahut të Madhërishëm në të cilën Ai thotë: “Unë kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të më adhurojnë Mua”, që adhurimi i vërtetë është pikërisht gjetja e pëlqimit të Allahut në çdo çështje; adhurimin e vërtetë mund ta bëni atëherë kur do të keni parasysh edhe porositë e Zotit të Madhërishëm. Edhe botën ta fitoni, por sipas parimeve të caktuara prej Zotit, e jo duke bërë mashtrime, dredhi ose duke thënë gënjeshtra. Pra, nuk duhet që të keni parasysh vetëm fitimin e botës, duke harruar fare Zotin e Madhërishëm. Detyra e adhurimit nuk mund të plotësohet vetëm duke falur namaze. Në hytben e kaluar kisha folur që nëse nuk do të jeni të vëmendshëm për të kryer obligime të tjera, atëherë edhe namazet nuk do t’ju sjellin ndonjë dobi. Për shembull, nëse njeriu nuk punon me drejtësi e vërtetësi në çdo punë, adhurimet që bën ai, dhe ardhja e tij në xhami, nuk e përfshijnë atë në adhuruesit e Zotit. Në të njëjtën mënyrë, edhe ligësi të tjera, siç janë, mëria, zilia, urrejtja etj. të gjitha këto i bëjnë të pavlefshme adhurimet. Adhuruesi i Zotit vetëm atëherë mund të quhet i tillë, kur në çdo çështje merr parasysh pëlqimin e Allahut të Madhërishëm dhe nuk u jep asnjë vlerë fitimeve të botës. Unë shpesh prek këtë temë për t’ju tërhequr vëmendjen rreth saj. Edhe sot do të flas pikërisht rreth saj, por duke përfituar nga një fjalim i xhumasë i Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar (ra). Do të marrë vetëm ngjarjet që ai tregon sepse vetëm në këtë mënyrë, mbase mund të përmblidhet. Në fakt, Hazret Kalifi i Dytë zhvillonte temën duke përmendur ngjarje të ndryshme, të cilat na japin edhe modele praktike të porosive apo këshillave që jepen. Por, para se ta vijoj këtë temë, dua t’ju lexoj edhe një fragment nga shkrimet e tij, i cili hedh dritë mbi pozitën e tij, në mënyrë që edhe brezi i ri të ketë njohuri rreth tij. Në Shura (mbledhjen e këshillit) të vitit 1936, ai tha:

Një kalifat është ai që Zoti i Madhërishëm i bën njerëzit që të zgjedhin kalifin e tyre, të cilin edhe Ai e pranon. Por ky kalifat nuk është i tillë. Pra, unë nuk jam kalif vetëm sepse pas vdekjes së Kalifit të Parë (ra), anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia u mblodhën dhe ranë në ujdi për kalifatin tim, por jam kalif edhe për shkak se para Kalifit të Parë, Mesihu i Premtuar (as), përmes shpalljes së Zotit të Madhërishëm, kishte parashikuar se unë do të bëhesha kalif. Andaj, unë nuk jam vetëm kalif, por kalif i premtuar. Unë nuk jam i dërguar, por zëri im është zëri i Zotit të Madhërishëm. Këtë Ai e ka treguar përmes Mesihut të Premtuar (as). Me një fjalë, pozita e këtij kalifati është midis profetizmit dhe kalifatit, andaj, kjo nuk është ndonjë kohë që Xhemati Ahmedia ta humbë e më pas të mund të pranohet te Zoti i Madhërishëm. Ashtu siç është e vërtetë që profeti nuk vjen çdo ditë, në të njëjtën mënyrë edhe kalifi i premtuar nuk vjen çdo ditë.

Realisht, jeta e tij në vetvete është një shenjë e vërtetësisë së Mesihut të Premtuar (as), sepse Zoti i Madhërishëm e kishte njoftuar Mesihun e Premtuar (as) për dijen dhe njohjen e Zotit që do të kishte ai. Për këtë arsye, duhet të përfitoni edhe personalisht nga dija dhe irfani i tij, duke studiuar librat e tij. Por, ngaqë librat e tij nuk janë përkthyer në çdo gjuhë, është e nevojshme që të sillet ndonjë pjesë në formë fjalimesh. Për këtë arsye, unë herë pas here sjell ndonjë gjë nga ato dhe jua paraqes juve. Para disa muajsh ju kisha lexuar një hytbe të tij të xhumasë. Në të njëjtën mënyrë, edhe sot do t’ju paraqes një tjetër hytbe, pjesërisht të përmbledhur e pjesërisht ashtu siç është ajo. Duke shpjeguar ajetin:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الْاِنۡسَ  اِلَّا لِیَعْبُدُوۡنِ

[Unë kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të më adhurojnë Mua],

(Kurani Famëlartë 51:57)

Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia thotë:

Ky është ai synim i lartë për të cilin u krijua njeriu. Por, filozofë të mëdhenj dhe studiues të ndryshëm ngrenë pyetjen: A u plotësua qëllimi i krijimit të njeriut? Zoti i Madhërishëm, a arriti të merrte atë shërbim prej njeriut, për të cilin Ai e krijoi atë? Njeriu, a e ka përmbushur në të vërtetë këtë qëllim? Përgjigjja e këtyre pyetjeve është jo. Më pas ata pyesin: Nëse ka një Krijues që ka krijuar njeriun, atëherë pse nuk u arrit suksesi në këtë synim? Për të dhënë përgjigjen e kësaj pyetjeje vijnë të dërguarit e Zotit të Madhërishëm. Ata përhapin një frymëzim të atillë të mirësisë, duke parë të cilin edhe armiqtë detyrohen të pohojnë se ky qëllim është arritur. S’ka dert edhe sikur na duhet të presim një mijë ditë, për ta gjetur atë ditë të vetme. Kohën e profetëve edhe Zoti i Madhërishëm e ka quajtur “Natë të Kadrit”. Ai thotë:

لَیۡلَۃُ  الْقَدْرِ ۬ۙ خَیۡرٌ مِّنْ  اَلْفِ شَہۡرٍ

“Nata e Kadrit është më e mira se një mijë muaj”.

(Kurani Famëlartë 97:4)

Domethënë, edhe sikur të flijohen njerëzit e tërë shekullit vetëm për atë natë, do të jetë e pakët karshi bekimit që bota e gëzon përmes profetëve….

(Duke dhënë shembullin e fitores praktike, ai thotë) Shembulli i thjeshtë i saj është vërtetësia. Si vepron ajo nga ana praktike? Ajo është diçka që e ndien edhe armiku. Ai nuk arrin ta shikojë besimin dhe sinqeritetin e zemrës, por vërtetësinë mund ta shohë. Në të vërtetë, vërtetësia bën ndikim të jashtëzakonshëm.

Edhe sot disa joahmedianë më shkruajnë, kur shohin atributin e vërtetësisë te ndonjë ahmedian, e lëvdojnë. Në të njëjtën mënyrë nganjëherë vijnë edhe shqetësime. Më shkruajnë se filanin e kemi besuar sepse ishte ahmedian, por ai na mashtroi në tregti. Mashtruesit e tillë mendojnë se në tregti ata janë të lirë dhe se çështja e tyre nuk duhet të përzihet me Xhematin, por ata bëhen shkas për ta dëmtuar emrin e Xhematit. Hazret Kalifi i Dytë tregon një ngjarje të Mesihut të Premtuar (as) e cila ka lidhje me një padi në gjykatë që ishte bërë për një pronë, pra, tokë të familjes së tij e cila gjendej ngjitur me shtëpinë e komshiut. Komshinjtë nga shumë kohë e përdornin atë tokë dhe e kishin quajtur të veten. Vëllai i madh i Mesihut të Premtuar (as) ngriti padi kundër tyre për ta rimarrë tokën e familjes së tij. Çfarë nuk bëjnë njerëzit për të fituar gjyqin, duke sajuar dëshmi sa më shumë. Edhe vëllai i Mesihut të Premtuar kishte mbledhur shumë dëshmi. Në gjykatë, pala kundërshtare i kërkoi gjykatësit – Mjaft janë sjellë dëshmi, ne duam të dëgjojmë vetëm vëllanë e tij të vogël (e kishin fjalën për Mesihun e Premtuar). Do ta pranojmë atë që thotë ai –. U thirr Mesihu i Premtuar (as) në gjykatë dhe u pyet: “A keni parë këta njerëz duke përdorur këtë tokë nga një kohë e gjatë?” Mesihu i Premtuar (as) tha “Po”. Gjykata dha vendimin në mbështetje të palës tjetër. Vëllai i tij i ishte zemëruar shumë, por ai tha se si mund ta mohonte të vërtetën?

Një herë tjetër, një padi ishte ngritur kundër Mesihut të Premtuar (as) se gjoja ai e kishte mashtruar qendrën postare. Sipas ligjit, nëse dikush dërgonte ndonjë paketë dhe fuste edhe një letër brenda, përbënte shkelje sepse konsiderohej se ai e kurseu paratë e tij duke mashtruar postën. Madje, kjo konsiderohej si vepër penale dhe autori edhe mund të dënohej me burg. Mesihu i Premtuar (as) i kishte dërguar një shtypshkronje një paketë që kishte material për botim. Bashkë me materialin kishte futur edhe një letër, e cila gjithashtu kishte lidhje me temën, pra, kishte udhëzime dhe sqarime për materialin dhe ai e kujtonte letrën si pjesë të dërgesës dhe nuk e kishte qëllimin për ta dëmtuar postën. Pronari i shtypshkronjës, i cili me shumë gjasa ishte i krishterë kishte bërë kallëzim në prokurori dhe në këtë mënyrë u ngrit padi kundër Mesihut të Premtuar (as). Avokati e sugjeroi Mesihun e Premtuar (as) duke thënë:

Duket shumë qartë që pala tjetër e bën gjithë këtë për shkak të kundërshtimit ndaj jush. Në raste të tilla dëshmitë nuk kanë ndonjë vlerë. Ju thjesht mohojeni faktin duke thënë se nuk keni futur ndonjë letër të tillë.

Mesihu i Premtuar (as) tha: Nuk ka mundësi. Nuk mund ta mohojë atë që kam bërë.

Gjatë seancës gjyqësore, kur gjyqtari e pyeti për vendosjen e letrës, ai tha: Po, e kam vënë letrën. Por nuk e kam vënë për ndonjë mashtrim, por duke menduar se edhe letra është pjesë e materialit.

Sinqeriteti dhe vërtetësia e tij bëri kaq shumë ndikim te gjyqtari, saqë ai pohoi që për një vepër të tillë, nuk mund të dënojmë një njeri të drejtë dhe me këtë e shpalli të pafajshëm.

Kalifi i Dytë (ra) shkruan: Në këtë mënyrë shumë ngjarje kanë ndodhur në jetën e tij. Aq shumë herë u provua sinqeriteti i Mesihut të Premtuar (as), saqë avokatët i jepnin respekt të madh. Në një çështje gjyqësore Mesihu i Premtuar (as) nuk e kishte marrë Shekh Ali Ahmed sahib për avokat. Ai i shkroi një letër duke thënë se i vinte shumë keq se përse nuk ishte marrë ai për avokat. Ai tha: “Më vjen keq jo që dua të përfitoj diçka nga ju duke marrë para, por vetëm se nuk gjeta mundësinë për t’ju shërbyer ju”. Sinqeriteti dhe vërtetësia është një veti e tillë që edhe armiqtë nuk mbeten pa u ndikuar. Avokati Shekh Ali Ahmed sahibi deri në fund të jetës së tij nuk u bë ahmedian, por dashuria e tij ndaj Mesihut të Premtuar (as) nuk ishte aspak e vogël nga ajo që mund të kenë ahmedianët. 

Vërtetësia është diçka që bën ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm te tanët, por edhe te të tjerët. Profetët vijnë në botë dhe vendosin pikërisht drejtësinë dhe vërtetësinë dhe japin një shembull të tillë, saqë shikuesi nuk mbetet pa u ndikuar. Me ardhjen e tij në botë, Profeti Muhammed ﷺ nuk shpiki pushka dhe topa, e as nuk solli makineri për zhvillimin e zejtarisë. Atëherë çfarë ishte ajo që ai i kishte dhënë botës, mbrojtja e së cilës ishte përgjegjësia e ndjekësve të tij? Ishte pikërisht shpirti i vërtetësisë dhe ishin virtytet e larta, sepse këto kishin humbur nga bota. Ai së pari i arriti vetë, pastaj këtë thesar ia dha edhe botës. Sahabët, fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve të tyre dhe gjithë pasardhësit e kishin për detyrë mbrojtjen e këtij thesari.

Kur Profetit Muhammedﷺ iu zbritën ajetet e para të Kuranit, ai u frikësua nga barra e rëndë me të cilën po ngarkohej prej Zotit të Lartësuar, sepse ishte i ngarkuar të përçonte mesazhin në të gjithë botën. Pas kësaj shpalljeje, i shqetësuar dhe i frikësuar, ai shkoi te Hatixhja r.a. Ai dridhej nga shqetësimi, andaj kur hyri në shtëpi i tha Hatixhes “Mbulomë! Mbulomë! Kur ajo e pyeti se çfarë i kishte ndodhur, Profeti Muhammed ﷺia rrëfeu gjithçka dhe tha:

“Si mund ta mbajë këtë barrë një njeri kaq i dobët si unë?” Hatixhja r.a. iu përgjigj:

کَلَّا وَاللہِ مَا یُخْزِیْکَ اللہُ أَبَداً

Pasha Allahun, Ai kurrë nuk do të të shkatërrojë. Më pas ajo i dha kurajë duke treguar se çfarë cilësish të larta kishte ai. Njëra prej tyre që tregoi ishte edhe kjo që Profeti i ripërtëriu virtytet që ishin zhdukur dhe pasurinë e humbur morale ai përsëri e kishte gjetur dhe ia kishte treguar njerëzimit. Hatixhja thotë se si mund të lejonte Zoti të shkatërrohej një njeri i tillë që kishte gjitha ato virtyte?! Realisht, qëllimi ardhjes së profetëve është pikërisht themelimi i kësaj drite shpirtërore dhe morale dhe edhe besimtarëve kjo përgjegjësi u jepet që ata të bëjnë çmos për ta ruajtur këtë amanet. Besimtarët, padyshim nga dashuria e madhe ndaj profetëve, i respektojnë. Por në të vërtetë, ajo që i bën profetët madhorë është pikërisht drita me të cilën ata vijnë dhe për t’ia përcjellë të cilën botës ata vijnë prej Zotit. Pra, është mesazhi ai që i bën profetët madhorë.

Ndjekësit e Profetit u bënë gati të flijoheshin për mbrojtjen e jetës së Profetit, atëherë çfarë nuk do të bënin ata për mbrojtjen e mesazhit që kishte sjellë Profeti. Sakrificat që kanë bërë sahabët e Profetit Muhammed s.a. për ta shpëtuar jetën e tij janë të jashtëzakonshme. Na drithërohet zemra e na rrëqethet trupi edhe sot kur i lexojmë ato ngjarje e kur shohim dashurinë e tyre ndaj Profetit. Në betejën e Uhudit, erdhi një kohë kur Profeti ngeli vetëm me një sahab, ndërkohë armiku qëllonte breshëri shigjetash drejt Profetit. Ai sahab ngriti dorën e tij për ta mbrojtur fytyrën e Profetitsa. Shigjetat, njëra pas tjetrës, ia shponin dorën, por ai nuk e lëvizi aspak. Nga ky vërshim i shigjetave, dora e tij u gjymtua përjetë dhe atij i mbeti vetëm një dorë. Pasi mbaroi beteja e Uhudit, dikush e pyeti: “A nuk ndieje dhimbje kur shigjetat ta përshkonin dorën? Nuk rënkove as për të thënë “ah”?” ai iu përgjigj: “Sigurisht që më dhembte. Edhe rënkimet i kisha te goja. Por nuk rënkoja që të mos më lëvizte dora dhe të mos e qëllonte ndonjë shigjetë fytyrën e të Dërguarit të Allahutsa”.Tani paramendojeni këtë sakrificë! Sot, sa zhurmë bën njeriu edhe sikur t’i plagoset vetëm gishti! Por ai sahab mori aq shumë shigjeta mbi dorën e tij, saqë ajo iu gjymtua përgjithmonë.

Po në betejën e Uhudit kemi një ngjarje tjetër. Kur armiku u tërhoq mbrapa, Profetisa kaloi në rrëzë të malit dhe caktoi disa sahabëra të shkonin në fushë dhe t’i shikonin të lënduarit. Në këtë kërkim, një sahab mbërriti te një ensar (musliman medinas). E pa që ai ishte në gjendje të rëndë. I ishin prerë këmbët dhe duart dhe ishte në grahmat e fundit. Kur sahabi shkoi pranë tij, ai tha se mezi po priste të gjente ndonjë njeri. Ngaqë ai ishte në momentet e fundit të jetës, sahabi e pyeti nëse donte t’u jepte ndonjë mesazh anëtarëve të familjes të tij. Sahabi duke vdekur, tha: “Po, dua që t’i përcjellësh një mesazh. Thuaju që unë po vdes, por po ju lë pas një amanet të shenjtë të Zotit të Lartësuar, të Dërguarin e Allahutsa. O vëllezër dhe farefisi im! Ai është i Dërguari i vërtetë i Zotit dhe shpresoj që ju nuk do të ngurroni për të dhënë jetën për mbrojtjen e tij dhe që porosinë time gjithnjë do ta keni parasysh”.

Mendoni pak! Zakonisht, para vdekjes, njeriut i lindin në zemër lloj-lloj porosish për t’ua dhënë familjarëve. Ai mendon për pasurinë që ua lë familjarëve. Por edhe në atë kohë, ai sahab mendonte vetëm për Profetin Muhammed s.a. Nuk i binte ndërmend as për bijtë e as për gruan e tij, as për paratë e as për pasurinë e tij. Atij i rrinte në zemër vetëm qenia e Profetitsa. Dhe edhe familjarëve u thotë që edhe ata ta ruanin jetën e Profetit në këtë mënyrë, duke u sakrifikuar në çdo mënyrë për hir të tij. Pra, njerëzit që bënë sakrifica kaq madhore për jetën e Profetit Muhammed ﷺ , imagjinoni se çfarë nuk mund të bënin ata për mbrojtjen e mesazhit që kishte sjellë ai?!

Çfarë kanë bërë ata për mesazhin që solli Profeti Muhammed ﷺ, le të shohim në një ngjarje tjetër.

Kur lajmi i vdekjes së Profeti mbërriti te sahabët, atyre sikur u ra një mal dhe ata nuk e besuan, madje kujtuan se nuk mund të jetë i vërtetë sepse disa hipokritë ende jetojnë dhe se Profeti nuk mund të shkonte kaq shpejt. Edhe Hazret Omeri kështu mendonte. Madje, ai nxori shpatën nga këllëfi dhe bërtiti:

Ai që thotë se i Dërguari i Allahut ka ndërruar jetë, unë do t’ia pres kokën. Hipokritët ende jetojnë në këtë botë, prandaj, i Dërguari i Allahut nuk mund të vdesë. Ai ka shkuar vetëm deri në qiell, do të kthehet sërish për t’i ndëshkuar hipokritët.

Sahabët thonë që edhe ata kishin marrë veten kur e panë Omerin kaq të bindur dhe pranonin se ai thoshte të vërtetën, se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk duhej të kishte ndërruar jetë dhe me siguri, kishin gabuar ata që mendonin të kundërtën. Sjellja e tyre edhe pse ishte nga dashuria ndaj Profetit, por e kundërshtonte mesazhin që kishte sjellë ai. Sepse Kurani Famëlartë qartas thotë:

Nëse ai do të vdesë apo do të vritet, mos do të ktheheni ju nga besimi juaj?

(Kurani Famëlartë 3:145)

Ebu Bekri r.a. nuk qe aty. Kishte shkuar jashtë. Kur u njoftua edhe ai, menjëherë erdhi dhe direkt hyri në shtëpi dhe shkoi te trupi i Profetit, e zbuloi çarçafin dhe e puthi në ballë, ndërkohë, i ranë lot nga dashuria ndaj tij. Duke iu drejtuar Profetit ﷺ, ai tha:

Vdekshin prindërit e mi për ju! Zoti i Lartësuar nuk do t’ju sjellë dy vdekje.

Domethënë, nuk mundet që në kohën kur Profetit ﷺi erdhi vdekja e kësaj bote, t’i vijë edhe një vdekje tjetër, e cila ishte devijimi i xhematit të tij, duke ndjekur besime dhe ide të gabuara. Me të thënë këto fjalë, ai doli nga shtëpia dhe duke çarë radhët e njerëzve, heshturazi vazhdoi drejt mimberit. Kur Ebu Bekri r.a. do të merrte fjalën në mimber, edhe Omerir.a. iu afrua dhe po me shpatë të zhveshur qëndroi pranë tij. Ai akoma thoshte se do t’ia priste kokën atij që do të thoshte se I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndërruar jetë. Ebu Bekri r.a. erdhi dhe i porositi njerëzit që të heshtin dhe i bërtiti edhe Omerit që të pushonte dhe më pas recitoi ajetin e Kuranit Famëlartë:

وَمَا مُحَمَّدٌ اِلَّا رَسُوۡلٌ ۚ قَدْ خَلَتْ مِنۡ قَبْلِہِ الرُّسُلُ ؕ اَفَا۠ئِنۡ مَّاتَ اَوْ قُتِلَ انۡقَلَبْتُمْ عَلٰۤی اَعْقَابِكُمْ

O njerëz, Muhammedi ishte vetëm një i dërguar i Allahut të Lartësuar. Para tij kanë kaluar shumë profetë dhe që të gjithë kanë vdekur. E, nëse ai do të vdesë apo do të vritet, mos do të ktheheni ju nga besimi juaj?

(Kurani Famëlartë 3:145)

Pas recitimit të këtij ajeti, Ebu Bekrira vazhdoi:

مَنْ کَانَ یَعْبُدُ اللہَ فَاِنَّ اللہَ حَیٌّ لَّا یَمُوْتُ

“O njerëz, ata që adhuronin Allahun, ta dinë se Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë!”

وَمَنْ کَانَ مِنْکُمْ یَعْبُدُ مُحَمَّدًا فَاِنَّ مُحَمَّدًا قَدْ مَاتَ

“Kurse ata që adhuronin Muhammedin nga ju, le ta dinë se Muhammedi ka vdekur!”

Omerira thotë:

“Në momentin kur Ebu Bekrira filloi ta recitonte ajetin, “Muhammediﷺ ishte vetëm një i dërguar”, filluan të më ktheheshin mendtë dhe m’u hapën sytë. Kur përfundoi së recituari Ebu Bekrira, atëherë kuptova që i Dërguari i Allahutﷺ me të vërtetë kishte ndërruar jetë. Po më dridheshin gjunjët dhe sakaq rashë përtokë”.

Shikoni pra se sa shumë e donte Ebu Bekri Profetin Muhammed ﷺ! Kur mori vesh se ai kishte ndërruar jetë, nuk u përmbajt dhe e puthi trupin e tij të bekuar, ndërkohë lotët i binin. Por nga ana tjetër, sa shumë e donte ai mesazhin që kishte sjellë Profeti Muhammed  ﷺ. Hazret Omeri r.a. bërtiste se do t’ia priste kokën atij që do të pohonte se i Dërguari i Allahut ka ndërruar jetë dhe shumë sahabë të tjerë i ishin bashkuar në këtë mendim. Por Ebu Bekri r.a. nuk u tremb, madje me shumë guxim pohon para tyre se çdokush që thotë se Profeti Muhammed është i gjallë, ai e beson si Zot, por le ta dijë që ai ka ndërruar jetë. Por Zoti, të cilin e adhuronte Profeti vetë, është i Gjallë. Ndikimi i vërtetësisë së mesazhit që kishte sjellë Profeti s.a.v.s. ishte kaq i fuqishëm saqë sahabët që mbanin shpata të zhveshura për të luftuar, menjëherë ulën kokën para kësaj vërtetësie dhe u bindën se ai me të vërtetë kishte ndërruar jetë.

Dashuria që Hazret Ebu Bekri r.a. kishte ndaj Profetit Muhammed s.a. shfaqet edhe nga një ngjarje tjetër. Para se të ndërronte jetë, i Dërguari i Allahut ﷺ kishte përgatitur një ushtri për të dërguar në Siri e për t’i ndëshkuar ata që bënin sherr atje. Ushtria ende nuk ishte nisur, që Profeti Muhammed ﷺ ndërroi jetë. Pas vdekjes së tij, Hazret Ebu Bekri r.a. u zgjodh Kalif. Shumica e sahabëve u mblodhën dhe menduan që ushtria që do të shkonte në Siri, të ndalej, sepse ishte përhapur frymë rebelimi në gjithë Arabinë. Kishte mbetur Meka, Medina dhe një fshat tjetër ku muslimanët falnin namaz me xhemat. Njerëzit e kishin lënë edhe faljen e namazit dhe kërkonin që nuk do të paguanin zekatin. Sahabët dërguan Omerin te Hazret Ebu Bekri r.a. që ai ta ndalte këtë ushtri, sepse po të shkonte ajo, në Medinë do të ngeleshin vetëm pleq dhe fëmijë, të cilët nuk mund t’u bënin ballë rebelëve. Por Hazret Ebu Bekri r.a. iu përgjigj:

A ka ndonjë fuqi djali i Ebu Kahafasë (dmth. Ebu Bekri r.a.) që ta ndal ushtrinë që nisi Profeti Muhammed s.a. Pasha Zotin! Rebelët edhe sikur të hyjnë në Medinë dhe qentë t’i zvarrisin kufomat e grave tona nëpër rrugë, prapëseprapë kjo ushtri do të shkojë patjetër.

Kjo tregon se sa shumë e donte Hazret Ebu Bekri Profetin s.a., por ngaqë ai ishte në pozitën e Sidikut, andaj e dinte që mësimi që kishte sjellë Profeti ishte akoma më madhor.

Pra, sahabët e tij e morën mësimin që u kishte ardhur prej Zotit të Madhërishëm dhe e mbajtën fort, derisa edhe armiqtë e pohuan se ai mësim nuk ka ndryshuar aspak. Të krishterët, hindu, hebrenjtë dhe ithtarët e të gjitha feve të tjera pohojnë se Kuranit nuk i ka ndryshuar asnjë germë.

Sot, disa pseudostudiues po bëjnë zhurmë për të provuar se Kurani ka ndryshuar në rrjedhat e kohës, por ata nuk do t’ia dalin, sepse Kurani është i njëjtë siç ka qenë para 1400 vitesh, gjatë kohës së Profetit s.a.. Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar vijon:

Allahu i Madhërishëm ka dërguar Mesihun e Premtuar a.s. që ai të vendoste edhe një herë virtytet e larta të Profetit dhe dashurinë ndaj tij në zemrat e njerëzve dhe të rimëkëmbte sheriatin që kishte sjellë i Dërguari i Allahut s.a. Ne duhet të kemi parasysh që edhe ne t’i mbrojmë këto gjëra, ashtu siç i kishin mbrojtur sahabët e Profetit Muhammed s.a. Duhet të ketë një dallim midis nesh dhe të tjerëve, që të dihet se ne e kemi mbajtur këtë amanet…. Gjatë kohës së Mesihut të Premtuar a.s. kishte xhemat të tillë, por pyetja është: a vazhdon e njëjta frymë edhe në brezat e ardhshëm? A mund të pranojë ndonjë i mençur që ai të gjejë një gjë të çmueshme, por fëmijët e tij ta mos e gëzojnë atë? Si mund të mendoni atëherë që ata të cilët ia dinë vlerën e mësimit të Mesihut të Premtuar a.s., të dëshirojnë që trashëgimtarët e tyre të përfitojnë nga pasuritë e tyre, por të mos përfitojnë nga mësimi i Mesihut të Premtuar a.s.?! Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë pohon:

وَمَا الْحَیٰوۃُ  الدُّنْیَاۤ  اِلَّا لَعِبٌ وَّ لَہۡوٌ

Jeta e kësaj bote është vetëm si lojë dhe argëtim.

(Kurani Famëlartë 6:33)

Pra, gjërat e kësaj bote janë vetëm për lojë, sikur të jetë lojë futboll, kriket apo hokej. A mund të pëlqente ndonjëri që shteti t’ia merrte tokën, shtëpinë dhe pasurinë dhe fëmijëve të tij t’ua linte vetëm një shkop dhe top. Allahu i Madhërishëm thotë se gjërat e kësaj bote janë vetëm si lojë e argëtim dhe raporti midis botës dhe besimit është i njëjtë që është midis diçkaje të vlefshme dhe lojës. Kush mund të pranojë që trashëgimtarët e tij të marrin vetëm mjetet e lojës e të mos kenë trashëgimi të vlefshme?! Por, a nuk ka njerëz midis nesh që praktikisht pranojnë një gjë të tillë? Kur fëmija e tyre gënjen, vjedh ose bën ndonjë ligësi tjetër, e mbështesin. Në këtë mënyrë, prindërit tentojnë ta mbështesin atë që bën krim. Të tillët janë fajtorë të dyfishtë: së pari, sepse i privuan fëmijët e tyre nga edukata e besimit. Po të kishte besimi ndonjë vlerë te ta, nuk do të kishte arsye që ata t’i privonin fëmijët nga ai. Ose nëse nuk arritën t’u japin edukatën fetare siç duhet, të paktën, kur ata gabonin, të mos dilnin në mbështetje të tyre. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

وَتَعَاوَنُوۡا عَلَی الْبِرِّ وَالتَّقْوٰی ۪ وَلَا تَعَاوَنُوۡا عَلَی الۡاِثْمِ وَالْعُدْوَانِ

Bashkëpunoni me njëri-tjetrin për mirësi dhe takua, por mos bashkëpunoni me njëri-tjetrin për ligësi dhe gjynahe.

(Kurani Famëlartë 5:3)

Pra, mëkatin e parë që bëjnë prindërit e tillë është jo zbatimi i porosisë së Allahut ku ai thotë:

یٰۤاَیُّہَا  الَّذِیۡنَ  اٰمَنُوۡا قُوۡۤا  اَنۡفُسَكُمْ وَ اَہۡلِیۡكُمْ  نَارًا

O besimtarët! Shpëtoni veten dhe familjet tuaja nga zjarri i xhehenemit.

(Kurani Famëlartë 66:7)

Por ata nuk e bënë këtë. Kurse mëkatin e dytë bënë duke shkelur porosinë që thotë: mos bashkëpunoni me njëri-tjetrin për ligësi dhe gjynahe.

[Hazuri tregoi ngjarje të ndryshme të sahabëve të Mesihut të Premtuar a.s., të cilat mund t’i dëgjoni në video. Më pas ai vazhdon citimin e Hazret Kalifit të Dytë r.a.]

Tani, duhet të shohim sesa njerëz kemi në Xhemat që përmbahen kur zemërohen. Shikoni Mesihun e Premtuar a.s. se ai nuk pranonte poshtërimin e armikut edhe pse duke treguar të vërtetën, por ka njerëz të cilët nuk ngurrojnë të shajnë, madje edhe të grinden me të tjerët.

Pra, Xhemati ynë duhet t’i krijojë virtytet e larta që na tregoi Mesihu i Premtuar me shembullin e tij dhe nga ana tjetër edhe duhet të krijojnë urrejtje të plotë në zemër me ligësinë. Mesihu i Premtua a.s. kishte të dyja këto cilësi, që tregojnë se besimtari i vërtetë është jashtëzakonisht i matur. Prifti Lekhram, që ditë për ditë shante Profetin Muhammed s.a., kur erdhi i tha selamalejkum Mesihut të Premtuar a.s., ai nuk ia ktheu selam atij, sepse Prifti në fjalë fliste keq për Profetin Muhammed s.a., por nga ana tjetër ishte kaq i mëshirshëm saqë nuk duroi dot poshtërimin e atij që fliste keq për të, siç u pa në ngjarjen që kam përmendur. Pra, edhe pse ai me të drejtë mund ta poshtëronte Maulvi Muhammed Hussejn Batalvin, por nuk e bëri një gjë të tillë.

Hazret Kalifi i Dytë thotë:

Mbani mend! Ai që nuk u mëson virtyte fëmijëve të tij, ai është armik jo vetëm i fëmijëve të tij, por edhe i Xhematit, edhe i Profetit Muhammed s.a. dhe edhe i Zotit. Unë shpesh herë ju jap këshilla të ndryshme në hytbet e mia.

Këtë e bën çdo Kalif, edhe unë. Por Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Derisa ju këshilloj në hytbetë e mia, shoh përmirësim sadopak qoftë. E, kur nuk ju jap këshilla, atëherë pas një farë kohe ndikimi i tyre zbehet.

Duke dhënë shembullin e një lodre që në anglisht quhet “Jack in the box”, Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Është një lodër që ka një kuti e në të cilën ka një palaço me sustë. Kur e mbyll kutinë palaçoja qëndron brenda dhe kur ia heq kapakun, ai del përjashta. Kjo është gjendja e atyre njerëzve, të cilët vazhdimisht duhet t’i këshillojmë e vazhdimisht duhet t’i këshillojmë, sepse sapo të heshtim, ata dalin përjashta. Por, Zoti nuk i dha askujt kaq shumë kohë që ai të këshillojë gjatë gjithë kohës. Prandaj, duhet që njeriu të bëhet besimtar, vetëm atëherë ai mund të vijojë rrugën e mëtejshme. Ky dyluftim do të vazhdojë derisa njeriu nuk bëhet besimtar.

Prandaj, kur ju këshilloj, dëgjojeni me vëmendje dhe praktikojeni aq shumë sa ajo të bëhet pjesë e jetës suaj. Ky është edhe sekreti i përparimit të Xhematit dhe pikërisht kjo është ajo që e bën njeriun rob të vërtetë…  Pra, ka nevojë që anëtarët e Xhematit të ndiejnë se Zoti i Madhërishëm i ka ngarkuar me përgjegjësi të madhe duke dërguar Mesihun e Premtuar a.s.. Njeriu edhe sikur të ketë dobësi sa malet, nëse ai ka vullnetin për t’i larguar ato, nuk është e vështirë për të. Hazret Isai a.s. ka një thënie të famshme. Ai thotë: “Nëse keni qoftë një grimë besimi në zemrën tuaj, mund t’i lëvizni edhe malet nga vendi i tyre”. Kuptimi i kësaj thënieje është pikërisht kjo që mëkatet le të jenë të mëdha sa malet, njeriu mund t’i asgjësojë ato, nëse ka qoftë një grimë besimi në zemrën e tij. Në momentin kur besimtari vendos fuqimisht që atë nuk mund ta pengojë asnjë pengesë, të gjitha pengesat i largohen nga rruga.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. vijon:

Sot dua t’u them miqve të mi që të edukojnë veten me virtyte, po ashtu edhe fëmijët e tyre, edhe të rinjtë e Xhematit tonë. Largojini të gjitha veset si gënjeshtra, vjedhja, mashtrimi, pabesia, dredhi, përgojimi, etj. derisa ata që krijojnë ndonjë kontakt me ju, të pohojnë që jeni njerëz të mirë. Mbajeni mend mirë! U deshën tre mijë vjet për të ardhur ky bekim që na erdhi përmes Mesihut të Premtuar a.s.. Nëse ne nuk do ta vlerësojmë këtë dhe ky bekim do të spostohet edhe për tre mijë vjet të tjera, atëherë gjithë brezat që do të lindin në mes, do të na mallkojnë. Andaj, përpiquni që t’ua jepni mirësitë tuaja edhe fëmijëve tuaj, më pas ata t’ua japin fëmijëve të tyre, e ata njerëzve që do të vijnë më vonë e kështu me radhë dhe ky amanet të vazhdojë të jetë i mbrojtur kaq gjatë saqë ne të fitojmë shpërblimin e Zotit për mijëra vjet. Sepse i Dërguari i Allahut s.a. ka thënë që nëse ndokush themelon një mirësi, ai do të shpërblehet derisa ajo mirësi vazhdon të mbetet e derisa njerëzit vazhdojnë të përfitojnë nga ajo. Themeluesi i mirësisë fiton shpërblimin e gjithë të shpërblyerve të tjerë që vijnë pas tij. Pra, ne edhe amanetin e kemi madhor, andaj edhe shpërblimin mund ta kemi madhor. Për këtë duhet të përpiqemi.

Allahu i Madhërishëm na mundësoftë përmbushjen e kësaj porosie siç duhet e ne ta mbajmë fort amanetin që kemi marrë nga paraardhësit tanë. Po ashtu, ata që e kanë pranuar këtë amanet vetë duke bërë bejt, Zoti i bëftë edhe ata që ta mbajnë fort e t’ua përcjellin të tjerëve dhe kështu ky detyrim të përmbushet siç duhet, brez pas brezi.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp