Ndërtimi i xhamive dhe qëndrueshmëria në adhurimin e Allahut
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Ndërtimi i xhamive dhe qëndrueshmëria në adhurimin e Allahut

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

فِیۡ  بُیُوۡتٍ اَذِنَ اللہُ  اَنۡ تُرْفَعَ وَ یُذْکَرَ فِیۡہَا اسْمُہٗ ۙ یُسَبِّحُ لَہٗ  فِیۡہَا بِالْغُدُوِّ وَ الْاٰصَالِ  رِجَالٌ ۙ لَّا تُلْہِیۡہِمْ تِجَارَۃٌ  وَّ لَا بَیۡعٌ عَنۡ ذِكْرِ اللہِ وَ اِقَامِ الصَّلٰوۃِ  وَ اِیۡتَآءِ الزَّکٰوۃِ ۪ۙ یَخَافُوۡنَ یَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِیۡہِ الْقُلُوۡبُ وَ الْاَبْصَارُ   لِیَجْزِیَہُمُ اللہُ  اَحْسَنَ مَا عَمِلُوۡا وَ یَزِیۡدَہُمۡ مِّنۡ فَضْلِہٖ ؕ وَ اللہُ یَرْزُقُ مَنۡ یَّشَآءُ  بِغَیۡرِ حِسَابٍ

Në shtëpitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen, në të cilat përmendet emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, burra, të cilët nuk i pengon as tregtia e as shitblerja nga përmendja e Allahut, nga falja e namazit dhe nga dhënia e zeqatit. Ata frikësohen nga dita, kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. Që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’u japë më shumë nga bekimi i Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.

(Kurani Famëlartë 24:37-39)

Sot, Allahu i Madhërishëm i mundësoi Xhematit Musliman Ahmedia të Zelandës së Re ndërtimin e xhamisë së tyre të re. Allahu e bekoftë këtë xhami në çdo mënyrë për Xhematin. Xhemati i Zelandës së Re është një xhemat i vogël. Gjithsej janë 400 persona duke përfshirë të mëdhenjtë e të vegjlit. Por, me bekimin e Allahut, xhaminë e kanë ndërtuar vërtet të mirë e të bukur. Ka hapësirë më shumë sesa që xhemati vendas ka nevojë sot. Zoti e bëftë që së shpejti ajo të bëhet e ngushtë. Shumë nga anëtarët vullnetarisht kanë punuar ditë e natë me përkushtim të madh për ndërtimin e saj dhe kështu, siç është edhe tradita jonë, janë kursyer shumë shpenzime.

Ndërtimi i gjithë xhamisë, pra ku përfshihet edhe salla dhe dhoma të tjera, ka kushtuar rreth 3.5 milionë dollarë të Zelandës së Re. 3.1 milionë dollarë prej tyre janë harxhuar vetëm për xhaminë dhe shuma tjetër është harxhuar për kuzhinën dhe për gjëra të tjera. Për shkak se numri i anëtarëve të Xhematit këtu është i vogël, xhemati vendas nuk arriti ta mblidhte gjithë shumën në një kohë të shkurtër. Ose më saktë, premtimet që ishin bërë nga anëtarët nuk janë mbledhur të gjitha ende. Andaj, ata u detyruan të merrnin hua (nga Xhemati qendror). Por shpresohet që edhe kjo hua së shpejti do të shlyhet nga xhemati vendas. Ngaqë kishin kaluar plotë 25 vjet që Xhemati ishte themeluar këtu, anëtarët kishin dëshirë të madhe, dhe shpresoj se kështu është në realitet, që këtë vit t’i paraqisnin Zotit të Madhërishëm një dhuratë në formën e kësaj xhamie. Prandaj, mbani mend, ju ia keni paraqitur Zotit këtë dhuratë me përkushtim të madh, e ajo nuk duhet të mbetet një dhuratë prej borxheve, madje të jeni të vëmendshëm që huan ta shlyeni sa më parë, në mënyrë që të dilni të sinqertë në këtë dhuratëdhënie. Xhemati qendror jua ka dhënë këtë hua duke shpresuar që anëtarët e xhematit vendas do ta ndërtojnë xhaminë me sakrificat e tyre, edhe sikur këto sakrifica të jepen me vonesë, në mënyrë që ata të fitojnë pëlqimin e Allahut të Madhërishëm.

I Dërguari i Allahutsa ka thënë:

Ai që ndërton një shtëpi të Allahut në këtë botë, Zoti ndërton një shtëpi në xhenet për të.

Pra, kush mund të jetë ai që nuk dëshiron të ketë një shtëpi në xhenetin e Allahut të Madhërishëm?! Padyshim, asnjë ahmedian, as edhe një herë nuk mund të imagjinojë që ai nuk e do pëlqimin e Allahut, ose të mos ketë dëshirë për të pasur një shtëpi në xhenet në formë shpërblimi prej Allahut të Lartësuar. Është vetia e Xhematit Musliman Ahmedia që dallohet gjithkund që anëtarët e tij marrin pjesë me zell e me patos në sakrificat financiare. Në fakt, Mesihu i Premtuaras ishte ai që brumosi sahabët e tij me këtë ndjenjë sakrifikuese, në mënyrë që mesazhi i Islamit të mund të përhapej anembanë botës. Duke parë ndjenjën sakrifikuese të anëtarëve edhe ai vetë kishte shprehur që devotshmëria dhe dashuria e tyre ishin të paimagjinueshme. Kjo gjendje vazhdon të mbetet njësoj. Edhe pse kanë kaluar 100 vjet, por anëtarët e Xhematit sakrifikohen në të njëjtën mënyrë edhe sot. Pavarësisht nga fakti që ata u përkasin vendeve të ndryshme, që të gjithë janë përpara në besnikëri e devotshmëri.

Në Xhematin e Zelandës së Re mbi 60% janë ata që kanë ardhur nga ishujt Fixhi dhe afërsisht 23% janë muhaxhirë nga Pakistani dhe pjesa tjetër përbëhet nga popuj të ndryshëm. Pra, edhe pse ky xhemat është i vogël, por njerëzit janë të etniteteve të ndryshme, e megjithatë, secili prej tyre dëshiron të garojë me njëri-tjetrin në devotshmëri dhe besnikëri. Por duhet të mbani mend, për një besimtar të vërtetë nuk është e mjaftueshme sakrifica e përkohshme, qoftë ajo e kohës ose e pasurisë, por ai duhet të bëjë vepra të mira me qëndrueshmëri të plotë, duke ndjekur gjithmonë rrugën e takuasë dhe duke kujtuar gjithmonë qëllimin e lindjes së tij. Pikërisht kjo është edhe statusi i lartë i një besimtari. Pra, ka nevojë që ne gjithnjë ta kemi parasysh qëllimin e ardhjes sonë, të cilin vetë Zoti i Lartësuar na ka treguar. Lidhur me këtë Mesihu i Premtuaras thotë:

Njerëzit, nga mosdija ose nga vullneti i tyre i vogël, përcaktojnë vetë synime të ndryshme të jetës së tyre dhe duke ndjekur vetëm dëshirat materiale, stepen në një pikë, por ai synim që ka përcaktuar Zoti i Madhërishëm në Fjalën e Tij të pastër është ky:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الْاِنۡسَ  اِلَّا لِیَعْبُدُوۡنِ

(Kurani Famëlartë 51:57)

“Unë kam krijuar xhindët dhe njerëzit që ata të më njohin Mua e të më adhurojnë Mua”. Pra, sipas këtij ajeti, synimi i vërtetë i jetës së njeriut është adhurimi i Zotit të Madhërishëm, njohja e Tij dhe që njeriu të bëhet vetëm i Atij.

Duhet të kemi parasysh që duke hyrë në Xhematin e Mesihut të Premtuaras nuk synojmë të bëjmë sakrifica me një ndjenjë të përkohshme, por synimi ynë është që ta adhurojmë Zotin e Lartësuar me qëndrueshmëri. Standardet e adhurimet mund t’i arrijmë atëherë kur do ta njohim Zotin e Madhërishëm. Kur ta dimë se Zotit i takon të gjitha fuqitë, i cili dëgjon dhe shikon çdo fjalë dhe çdo vepër që bëjmë dhe jo vetëm që shikon së jashtmi, por shikimi i tij depërton deri në thellësinë e zemrës sonë. Pra, Ai e di edhe nijetin tonë. E, kur të jemi në këtë gjendje, atëherë mund të themi se po përpiqemi që të bëhemi të Zotit të Lartësuar. Domethënë, asnjë vepër të mos bëhet vetëm për dëshirat e kësaj bote, por çdo përpjekje dhe çdo vepër të realizohet për të fituar pëlqimin e Allahut. Edhe adhurimet, të mos bëjmë vetëm atëherë kur jemi në nevojë, kur na godet ndonjë vështirësi, kur nuk plotësohen nevojat tona të kësaj bote, por adhurimet që bëjmë të jenë ashtu të gjalla edhe gjatë qetësisë dhe rehatisë.  Problemet e kësaj bote, mosmarrëveshjet dhe tregtitë të mos na largojnë nga adhurimi i Allahut. Kjo xhami të mos mbetet vetëm si një ndërtesë. Madhësia dhe bukuria e kësaj xhamie të mos na kujtojë vetëm faktin se kaq kohë kemi sakrifikuar për ndërtimin e saj, ose kaq aksione kemi bërë, kaq para kemi kursyer, kaq para kemi kontribuuar. Madje, kjo xhami të na kujtojë se ndërtimi i xhamisë në këtë botë sjell shpërblimin prej Zotit, i cili vjen në formë shtëpie në xhenet. Edhe ajo shtëpi do të ndërtohet atëherë kur, kur do të plotësohet edhe përgjegjësia që vjen pas ndërtimit të xhamisë. Përgjegjësia pas ndërtimit të xhamisë është ajo që përmendet pikërisht në ajetet që kam recituar në fillim. Allahu i Lartësuar thotë:

لَّا تُلْہِیۡہِمْ تِجَارَۃٌ  وَّ لَا بَیۡعٌ

“Besimtarët e vërtetë të Allahut janë ata që nuk i pengojnë as tregtia, as shitblerja”. Po, nga çfarë nuk i pengojnë?

عَنۡ ذِكْرِ اللہِ

 “nga përmendja e Allahut, nga falja e namazit dhe nga dhënia e zeqatit”.

Pra, ne ahmedianët duhet të bëhemi besimtarë të vërtetë, që i kanë këto cilësi. Këtu edhe më përpara ekzistonte një qendër për namaz, megjithatë, qendra për namaz dhe xhamia ka dallim. Qendra për namaz mund të jetë vetëm një sallë, ndërsa xhamia me kupolën dhe minaren e saj krijon një lloj shenjtërie. Në turneun tim të mëparshëm kur ju kisha porositur që të ndërtoni një xhami, qëllimi im ishte që minarja dhe kupola e saj vazhdimisht t’ju kujtonin se pas sakrificave financiare që keni bërë, keni edhe për të përmbushur detyrimet e xhamisë dhe, së dyti, që kupola dhe minarja e saj të tërhiqnin vëmendjen e njerëzve përreth, duke hapur kështu rrugë të reja të tabligut (përhapjes së mesazhit). Njerëzit do të kenë më shumë dëshirë për të ditur të vërtetën rreth Islamit. Ata do të vijnë deri këtu në kërkim të saj, ose edhe thjesht si kureshtarë për të ditur se si janë muslimanët e kësaj xhamie etj. Deri tani këtë e kam parë që me ndërtimin e xhamisë, me bekimin e Allahut, Xhemati Musliman Ahmedia zgjeron njohjen e tij me përmasa të mëdha dhe pas kësaj njohjeje, edhe anëtarët kushtojnë rëndësi për obligimin që kanë ndaj xhamisë. Në fakt, kështu duhet të ndodhë, që anëtarët e Xhematit ta përmbushin detyrën e tyre. Çfarë është detyra juaj ndaj xhamisë? Detyra e parë është pikërisht kjo, që tregtitë tuaja, shitblerjet tuaja, angazhimet tuaja nuk duhet t’ju largojnë nga përmendja e Allahut, madje edhe ato duhet t’ju nxisin për t’u falur më shumë se përpara. Kur dëgjoni thirrjen “Hajja ales-salah” “Ejani për faljen”, atëherë harrojeni tregtinë dhe shitblerjen dhe vraponi drejt xhamisë.

Në këtë kohë dikush edhe mund të arsyetojë që nuk dëgjon thirrjen e ezanit për shkak se jeton larg xhamisë. Por tani çdokush prej jush keni celularë ose telefona në xhep. Mund të përdorni programin e Azanit i cili do t’ju njoftojë në kohë për çdo namaz. Ata që jetojnë afër xhamisë duhet të vijnë dhe të falen këtu. Ndërsa ata që nuk kanë mundësi, le të falen te puna ose në shtëpitë e tyre. Edhe në këtë mënyrë do të bëheni shkak i përhapjes së Islamit. Njerëzit duke parë virtytet tuaja dhe duke parë përkushtimin tuaj ndaj namazit do të bëhen kureshtarë për të ditur rreth jush. Në këtë mënyrë jeni duke përhapur mesazhin e Islamit. Pra, një vepër e mirë sjellë vepra të tjera të mira dhe kështu do të fitoni pëlqimin e Allahut. Këtë revolucion kishte sjellë Profeti Muhammed i Dërguari i Allahutsa te sahabët e tij dhe në ajetet që kam recituar në fillim, është përmendur pikërisht shembulli i tyre. Në këtë kohë, edhe Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiuas ka ardhur si i dashuruar i vërtetë i Profetit Muhammedsa për ta risjellë pikërisht këtë revolucion në jetët tona. Siç ju tregova, me bekimin e Allahut, Xhemati ynë është i pashembullt në sakrificat financiare, por anëtarët e Xhematit ende nuk tregojnë atë përkushtim në namazet që duhej treguar. Ka nevojë të punojmë shumë në këtë drejtim. Pikërisht ky është edhe qëllimi i ndërtimit të xhamisë. Muslimanët ahmedianët duhet të interesohen më shumë për ahiretin sesa për këtë botë. Në përgjithësi, njerëzit kur plaken atëherë tërhiqen pas Zotit duke kujtuar që fundi i tyre të jetë i mbarë. Por, besimtarët e vërtetë këtë gjendje e sjellin edhe në moshën e rinisë, edhe gjatë rehatisë. Kjo ishte gjendja e sahabëve të Profetit Muhammedsa dhe këtë donte ta sillte edhe Mesihu i Premtuaras. Ai thotë:

Zemra ime gjithmonë mbetet e pikëlluar thellë nga dëshira që Zoti i Madhërishëm edhe Xhematit tonë t’i dhurojë bekimet që u ka dhuruar sahabëve. Anëtarët e xhematit të kenë atë vërtetësi, çiltërsi, devotshmëri dhe bindje, që kishin sahabët. Ata të mos kenë frikë nga askush përveç Zotit. Të jenë njerëz me takua, sepse Zoti i do vetëm ata që kanë takua, siç thotë: ان اللہ مع المتقین “Me të vërtetë, Allahu është me njerëzit që kanë takua”.

Në një vend tjetër Mesihu i Premtuaras thotë:

Mbani mend! Robërit e përsosur janë vetëm ata, rreth të cilëve Allahu i Madhërishëm thotë:

لَّا تُلْہِیۡہِمْ تِجَارَۃٌ  وَّ لَا بَیۡعٌ عَنۡ ذِكْرِ اللہِ

Kur zemra krijon lidhje dhe dashuri të vërtetë me Zotin e Madhërishëm, ajo asnjëherë nuk mund t’i ndahet. Këtë mund ta kuptojmë nga një shembull. Nëse dikush e ka të sëmurë fëmijën, ai gjithnjë mbetet në shqetësim ndaj fëmijës, edhe sikur të jetë në punë, ose të ketë shkuar te ndokush për vizitë. Në të njëjtën mënyrë, ata që krijojnë lidhje të vërtetë me Allahun, në asnjë mënyrë nuk mund ta harrojnë Atë.

Në një vend tjetër, Mesihu i Premtuaras thotë:

Bota dhe besimi nuk mund të bashkohen në një vend. (Kjo është shumë e vërtetë, por ai gjithashtu thotë) Por mbajeni mend edhe këtë, ne nuk themi se bujku të lërë bujqësinë, tregtari të mos bëjë tregtinë e tij, nëpunësi të heqë dorë nga puna e tij, industrialisti të braktisë industrinë e tij, e kështu njerëzit të mos bëjnë asnjë punë, sikur të mos kishin duar dhe këmbë. Por, ne themi (atë që thotë Kurani)

لَّا تُلْہِیۡہِمْ تِجَارَۃٌ  وَّ لَا بَیۡعٌ عَنۡ ذِكْرِ اللہِ

nuk i pengon ata as tregtia e as shitblerja nga përmendja e Allahut

Me një fjalë, “dora të jetë në punë, kurse zemra te Miku”. Tregtari në tregtinë e tij, bujku në bujqësinë e tij, mbreti gjatë qeverisjes së tij dhe çdokush në punë e tij ta synojë Zotin e të ketë parasysh madhështinë dhe sundimin e Tij dhe duke pasur në konsideratë porositë dhe ndalimet e Tij, le të bëjë çfarë të dojë. Pra, do të thotë se gjithmonë të keni parasysh se nga çfarë ju ka ndaluar Zoti dhe për çfarë ju ka lejuar Ai. E, kur do ta keni këtë gjendje, do të keni edhe një metodë pune. Ky është kuptimi i fjalëve të Mesihut të Premtuaras, në të cilat ai thotë: “le të bëjë çfarë të dojë”. Sepse në këtë gjendje, ju nuk do të keni ndonjë rrugë tjetër, përveç rrugës së pëlqimit të Allahut të Madhërishëm. Mesihu i Premtuaras vijon: Kije frikën nga Allahu dhe bëj çfarë të duash. Në cilin vend Islami ju mëson që të rrini papunë si të sakatuar dhe në vend t’u shërbeni të tjerëve, të bëheni barrë në kurriz të dikujt tjetër?! Në asnjë mënyrë nuk ju thotë kështu. Madje, dembelia është mëkat. Për çfarë mund t’i shërbejë një dembel Zotit dhe fesë së Tij?! Si do t’i ushqejë ai gruan dhe fëmijët e tij?! Andaj, mbani mend! Dëshira e Zotit kurrsesi nuk është që ju të hiqni dorë tërësisht nga bota, por dëshira e Tij është:

قَدْ  اَفْلَحَ  مَنۡ  زَکّٰىہَا

Që do të thotë se ju bëni tregti, merruni me bujqësi, hyni në punë ose në ndonjë profesion, pra, bëni çfarë të doni, por mbrojeni nefsin nga mosbindja ndaj Allahut të Madhërishëm. Vetëm ata korrin sukses, që pastrojnë nefsin e tyre. Pastrimin e nefsit duhet ta bëni në mënyrë të tillë që, këto punë nuk duhet t’jua marrin mendjen nga Zoti i Madhërishëm. Po të bëheni të tillë, atëherë edhe bota juaj do të jetë në përputhje me besimin tuaj. Në këtë mënyrë, nëse nijeti është i pastër, nëse zotoheni për të vepruar sipas porosive të Allahut të Madhërishëm, punët tuaja materiale, tregtia juaj të gjitha bëhen punë të besimit… Njeriu nuk ka lindur për ta fituar botën. Ai duhet ta pastrojë zemrën dhe çdo çast duhet të jetë i shqetësuar sesi ta kënaqë Zotin e Madhërishëm, atëherë bota bëhet e lejuar për të. انما الاعمال بالنیات “Veprat varen nga qëllimet”.

Pra, kjo është ajo gjendje që duhet ta ketë çdo ahmedian. Kur zotoheni duke thënë “besimit do t’i japim përparësi mbi botën”, atëherë edhe bota jonë do ta ndjekë besimin tonë. Ne nuk do të bëjmë asnjë punë që nuk përputhet me pëlqimin dhe dëshirën e Allahut të Madhërishëm. Lum ata që jetojnë me këtë mendim. Nëse nuk e kemi këtë gjendje, atëherë as lidhja jonë me Mesihun e Premtuaras e as ndërtimi i xhamive nuk do të na sjellin ndonjë dobi. Siç e dini, këto ditë po zhvillohet edhe Xhalsa Salana juaj. Edhe kjo Xhalsa nuk mund t’ju sjellë ndonjë dobi, sepse Mesihu i Premtuaras e ka shprehur qartë se Xhalsa nuk është ndonjë panair material. Pra, edhe ardhja në këtë Xhalsa duhet ta synojë vetëm pëlqimin e Allahut, shtimin e dijes dhe pasurimin shpirtëror.

Pra, mbajeni mend atë që ju thashë. Me ndërtimin e kësaj xhamie duhet të keni ndryshime të pastra në jetët tuaja. Atëherë, juve do t’ju hapen edhe rrugë të reja të tabligut, inshallah ta’ala. Njerëzit duke parë veprat tuaja, do të tërhiqen pas Islamit. Andaj, për hir të Zotit, përshtatini veprat tuaja me pëlqimin e Allahut.

Lidhur me tabligun (përhapjen e mesazhit) dua t’u tërheq vëmendje të veçantë organizatave të Xhematit dhe përgjegjësve të tjerë. Mos mjaftohuni vetëm me mënyrat tuaja tradicionale për të bërë tablig, duke kujtuar se jeni duke bërë të duhurën, por kërkoni rrugë të reja për të. Përpiquni të njoftoni njerëzit sa më shumë rreth Islamit. Edhe përkthimi i Kuranit që është bërë rishtas në gjuhën muri, e ka bërë Xhematin të njihej. Edhe televizioni, edhe radio që janë në gjuhën muri, e mbuluan mjaft mirë këtë lajm. Para dy ditësh eventi i përurimit të xhamisë gjithashtu e përhapi mesazhin e Xhematit. Pra, të gjitha këto organizime, të cilat, në fakt Zoti i Madhërishëm na i bëri, nëse do t’i shfrytëzojmë për të përhapur besimin e Tij, atëherë do ta fitojmë pëlqimin e Tij. Andaj, sot kur zotoheni për të përmbushur detyrimet tuaja të adhurimit ndaj Allahut, zotohuni edhe për të sjellë virtyte të larta në veten tuaj, duke vepruar sipas porosive të Allahut dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin me dashuri, vëllazëri dhe dhembshuri. Dhe po ashtu, zotohuni për të përhapur mesazhin e Islamit te njerëzit që jetojnë në këtë zonë. Përpiquni t’i largoni akuzat dhe keqkuptimet që janë ngritur kundër Islamit. Edhe sikur të jeni të pakët në numër, nëse do të keni vullnet të hekurt, nëse do të keni një plan program efikas, mund të bëni shumë gjëra. Allahu na e mundësoftë ne gjithëve këtë.

Ahmedianët që jetojnë në vende të ndryshme të botës, që na ndjekin përmes kanalit MTA, janë kureshtarë të dinë edhe rreth kësaj xhamie të bukur që keni ndërtuar. Edhe ata duan të dëgjojnë disa detaje të xhamisë, prandaj, do të tregoj shkurtimisht disa të dhëna. Ju kam treguar pak më parë që ndërtimi i xhamisë ka kushtuar 3.1 milionë dollarë të Zelandës së Re dhe xhamia quhet “Mesxhid Bejtul Mukit”. Po këtë emër e kishte qendra e namazit që ishte në vend të saj. Vendndodhja e saj është mjaft e volitshme. Stacioni i trenit dhe dy autostrada të qytetit gjenden shumë afër nga këtu. I gjithë trualli është rreth 7100 m2 që ishte blerë në vitin 1999, ku kishte një sallë prej 256 m2. Në vitin 2002 u ndërtua një sallë tjetër 112 m2 që ishte për gra. Sipër sallës ka një shtëpi për misionarin. Pikërisht këto dy salla përdoreshin për namaz deri më tani. Në vitin 2006, kur kisha ardhur këtu, ju kisha porositur për të ndërtuar një xhami. Punimet filluan në korrik të vitit 2012, që përfunduan në gusht të këtij viti. Xhamia është dy katshe. Kati i parë është për gra. Salla e xhamisë është 239 m2. Ka edhe një studio poshtë, një sallë konference dhe po ashtu ka abdes’hane. Lartësia e minares së xhamisë është 18 metra e gjysmë dhe duket edhe nga jashtë. Shpresoj që MTA-ja ka treguar pamjen e saj në televizor. Ndërsa kupola e saj është 8 metra lart. Sipas llogaritjes së komunës, në dy salla mund të falen 600 veta, por këto llogaritje janë shumë të rezervuara dhe mendoj se rreth 700 veta mund të falen këtu. Po ashtu edhe në ndërtesën e vjetër ka hapësirë për 300 veta dhe, në këtë mënyrë, 1000 veta mund të falen njëkohësisht këtu. Për parkim ka hapësirë për 107 vetura. Këtu ka edhe një kuzhinë e cila ka kushtuar 350 mijë dollarë të Zelandës së Re.

Me bekimin e Allahut, siç ju thashë, anëtarët e Xhematit sipas traditës së tyre, morën pjesë më shumë se njëri-tjetri në sakrifica. Gratë dhuruan stolitë e tyre, kurse fëmijët sollën paratë që kishin mbledhur për vete nëpër kumbara (kuti kursimi). Erdhën dy raste në fund muaji, kur Xhemati nuk kishte para në llogarinë e tij, ndërkohë pronari i firmës ndërtimore duhej paguar. Atëherë, Amila (Këshilli) kombëtare dhe organizatat e Xhematit (që janë ndarë sipas gjinisë dhe grupmoshave) dhe anëtarë të tjerë menjëherë mblodhën edhe 100 mijë dollarë dhe një herë tjetër edhe më shumë. Disa anëtarë, me bekimin e Allahut të Madhërishëm kanë kontribuuar edhe më shumë se 100 mijë dollarë. Përveç këtyre, çdokush sipas mundësive të tij ka sakrifikuar. Xhemati gjeti rastin të paraqesë sakrifica të jashtëzakonshme. Siç ju tregova, Xhemati është i vogël këtu, por ka bërë shpenzime të mëdha. Zoti i shpërbleftë të gjithë, edhe ata që sakrifikuan financiarisht, edhe ata që sakrifikuan kohën e tyre dhe i shtoftë të gjithë pa llogari, në pasuri e në jetë, ua shtoftë sinqeritetin dhe besnikërinë, i mbajttë gjithmonë të lidhur edhe pasardhësit e tyre me Ahmediatin dhe vazhdimisht i shtoftë në besim e në bindje. Ata të bëhen përmbushës së detyrës së namazit, plotësues së detyrimit që kanë ndaj xhamisë e të mbushin edhe shtëpitë e tyre me përmendjen e Allahut, të jenë të mbushur me ndjenjën për të përmbushur detyrimet ndaj robërve të Zotit, t’i kushtojnë rëndësi edhe përhapjes së mesazhit të Islamit. Siç ju tregova që këto ditë po vijon Xhalsa Salana juaj. Kushtojuni rëndësi të veçantë lutjeve gjatë kësaj kohe. Lutuni që Zoti të na mundësojë gjithë ne që të sjellim ndryshime të pastra në veten tonë, të kemi frikë ndaj Allahut më shumë se përpara dhe ne gjithmonë t’i ruajmë ndryshimet e pastra që do të sjellim gjatë këtyre ditëve. Lutuni që të gjithë ne të trashëgojmë lutjet që ka bërë Mesihu i Premtuaras për pjesëmarrësit e Xhalsa Salanës.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp