Kërkimi i gabimeve dhe të ankuarit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Kërkimi i gabimeve dhe të ankuarit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përmbledhje

Pas recitimit të shehadetit dhe el-Fatihasë, Huzuri vazhdoi duke thënë se disa persona ngrenë akuza ndaj atyre që shërbejnë në administratën e Xhematit si dhe ndaj tyre që janë anëtarë të thjeshtë, duke i quajtur fajtor për disa sjellje që sipas tyre nuk përputhen me dispozitat e sheriatit. Madje ata kërkojnë hetime apo masa disiplinore ndaj tyre, me pretekst që këta po portretizojnë keq xhematin dhe po e njollosin emrin e tij.

Megjithatë, shumica prej këtyre ankuesve, nuk përmendin as emrat apo adresat e tyre, apo përdorin identitete fiktive. Sigurisht, nuk bëhet asnjë investigim apo masë vetëm duke u bazuar në letra të tilla. Por kur kalon pak kohë, vjen ankesa tjetër, duke tërhequr vërejtje për mosmarrjen e masave disiplinore, dhe duke e cilësuar si padrejtësi të madhe. Kjo sëmundje e shkresave anonime është përhapur gjerësisht në Pakistan e Indi. Rrallëherë më vijnë shkresa të tilla nga ahmedianë lokalë të vendeve të tjera, por pakistanezët që jetojnë jashtë, kanë këtë problem të ankesave anonime. Megjithatë, kjo nuk është ndonjë dukuri e re, sepse njerëzit e tillë kanë ekzistuar në çdo kohë. Ankesa të tilla janë ngritur edhe gjatë kohëve të Kalifëve të mëparshëm. Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu kishte mbajtur një fjalim lidhur me çështjen e të ankuarit. Është mjaft e rëndësishme që për t’u tërhequr vëmendje këtyre personave, kjo çështje të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qartë. Prandaj, duke përfituar nga fjalimi i tij, kam vendosur të shprehem rreth kësaj çështjeje.

Ata që ankohen, ndërkohë nuk duan të identifikohen, kanë hipokrizi, apo janë rrenacakë. Po të ishin të sinqertë e të guximshëm, nuk do t’i trembeshin askujt. Kur bëhet betimi, ata pohojnë se do të jenë gjithmonë të gatshëm për të sakrifikuar jetën, pasurinë, kohën dhe nderin, për hir të Islamit, por kur situata i kërkon për të mbrojtur nderin e xhematit, ata parapëlqejnë të mbeten anonim dhe fshehin emrat e tyre, me qëllim që t’u mos cenohet nderi i tyre. Pra, ai që shfaq dobësi që në hapin e parë, ka të ngjarë që edhe fjalët e tij të jenë të pabesueshme. Kurani Famëlartë na porosit për të kontrolluar çdo lajm që na mbërrin. Çdo njeri i arsyeshëm di mjaft mirë se hetimet nuk mund të nisen menjëherë vetëm duke u besuar fjalëve të dikujt, por është e domosdoshme, të merret në shqyrtim karakteri dhe besueshmëria e personit që ka bërë ankesë. Pra, investigimet për ndonjë çështje, fillimisht përqendrohen te personi që paraqet ankesë. Pra, verifikohet se personi në fjalë, a është i pastër nga dobësitë morale e shpirtërore, dhe a mos vallë ka bërë ndonjë vepër të lige? Në përgjithësi, vihet re se personat që bëjnë denoncime ndaj anëtarëve të tjerë, kanë interesat personale, dhe kanë frikë që të tjerët (ndaj të cilëve ata ngrenë akuza) do të kenë ndikim negativ për të arritur interesat e tyre. Prandaj, para se të nisen hetimet, duhet analizuar se ankuesi a është “Mumim” (besimtar) apo “fasik” (i lig).

Derisa nuk dimë asgjë rreth ankuesit, nuk mund të analizojmë karakterin e tij apo ta profilizojmë atë sipas kategorive të lartpërmendura. Mundet që çështja për të cilën po ankohet personi, me të vërtetë dëmton interesat e xhematit, atëherë bëhet një hetim sipas rrethanave. Ndërsa, nëse dihet se kush po ankohet, shqyrtohet vetë karakteri i tij apo të saj, e pastaj pranohet si ankesë. Kalifi II r.a. shtron si argument këtë ajet kuranor

يَاأَيُّهَاالَّذِينَآمَنُواإِنجَاءَكُمْفَاسِقٌبِنَبَإٍفَتَبَيَّنُوا

“O besimtarë! Nëse ju vjen ndonjë njeri i pandershëm me një lajm, atëherë shqyrtojeni atë mirë”. (el-Huxhurat 49:7)

Pra, nëse ankuesi nuk dëshiron të zbulojë identitetin e tij, atëherë ai vetë mbetet fajtor e gjynahqar dhe nuk është e drejtë të merret në konsideratë akuza e tij, për t’i marrë menjëherë masat disiplinore kundër personit së akuzuar.

Hazret Kalifi II r.a. ka thënë se fjala fasik nuk do të thotë vetëm i pamoralshëm apo i pandershëm, por sipas leksikut kjo fjalë nënkupton edhe të ngutshëm në vendimmarrje, i pabindur, ofendues, grindavec, i cili u kërkon të tjerëve gabime të vogla, e pastaj bën bujë me to duke i ekzagjeruar tej mase, e kërkon se ata duhen ndëshkuar ashpër, duke përjashtuar çdo mundësi të faljes. Njeri dredharak gjithashtu quhet fasik.

Hazret Kalifi II r.a. duke treguar rastin e një ahmediani të vjetër, rrëfen se ai ishte mjaft i sinqertë dhe i devotshëm, por kishte zakon që jepte gjykime sipas legjislaturës islame edhe për çështje fare të parëndësishme. I mjaftonte të gjente ndonjë arsye edhe pse fare të vogël, jepte gjykimin për mosbesimin e personit. Për shembull, gjatë namazit, duke recituar pjesën e teshehudit, nëse dikush ngrinte këmbën e djathtë, sipas tij, ai menjëherë dilte nga besimi. Meqë Kalifi II r.a. vuante nga artriti, dhe shpesh e zinte cerma, ai nuk i ngrinte dot gishtat e këmbës së djathtë. Po të ishte i gjallë ai Hafiz sahibi, ai me siguri, do të kishte lëshuar gjykimin për mosbesimin e tij. Persona të tillë e bëjnë këtë me pretekstin se ulja e gishtave është në kundërshtim me praktikën e Profetit Muhammed s.a.v.s... Prandaj, ky veprim tregon se ky njeri nuk beson në sunetin e Resulullahut s.a.v.s... Nëse nuk i bindet praktikës së Profetit s.a.v.s..., atëherë nuk i beson as Kuranit Famëlartë, dhe nëse nuk i beson Kuranit Famëlartë, atëherë nuk i beson as Allahut, dhe kështu mbeti qafir (mosbesimtar).

Pra, Kalifi II r.a. ka dhënë shembullin e këtyre personave që edhe pse mund të jenë të sinqertë e të dëlirë, por në rrethana të caktuara veprojnë me nxitim. Prandaj, personi që fsheh identitetin e tij është i dobët në besim. Madje, personi i tillë që nuk ngurron të gjykojë të tjerët me këndvështrimin e tij të cektë, përputhet plotësisht me të gjitha kuptimet dhe tiparet e fjalës fasik. Pra, le të jetë e qartë, për të gjithë ata që ankohen, se pa treguar emrat e tyre, ata i kundërvihen porosisë së Kuranit Famëlartë. Sipas Kuranit, në radhë të parë duhet kontrolluar shkalla e besueshmërisë së ankuesit. Nëse ndërmerren masat vetëm në bazë të këtyre letrave, pa bërë asnjë hetim, atëherë xhemati në vend të zhvillimit dhe përparimit do të bjerë në rënie e rrënim. Në këtë mënyrë, nuk do të bëhet asnjë hetim e investigim, as nga Kalifi e as nga sistemi i Xhematit, dhe masat do të merren thjesht në bazë të ankesës, duke rrezikuar ndjeshëm ecurinë e xhematit. Do të qohet çdokush dhe do të kërkojë drejtësi sipas kushteve të tij. Kalifi II r.a. sqaron se edhe nëse e njohim ankuesin si njeri i drejtë, i sinqertë dhe i përmbajtur, por pas padisë, ai patjetër duhet të jetë objekt hetimi. Pra, kjo do të thotë se vetëm akuza e dikujt nuk mund të merret si argument apo dëshmi për të gjykuar të akuzuarin. Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s... po udhëhiqte namazin, dhe gjatë këndimit të Kuranit, ai harroi disa fjalë. Aliu r.a. i cili ishte në xhemat, ia kujtoi fjalët, por Profeti s.a.v.s.. nuk e pëlqeu këtë. Hazret Kalifi II r.a. duke shpjeguar këtë hadith, ka thënë se mospëlqimi i Profetit s.a.v.s...tregon se njeriu duhet të jetë i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm për veprimet e veta, si dhe nuk duhet të merakoset për çështje të vogla. Ky hadith gjithashtu tregon se ishte detyra e atyre që mësonin Kuranin prej Profetit s.a.v.s..., që ta korrigjonin atë, dhe jo e Aliutr.a.

Lidhur me letrat anonime për ankesat, Kalifi II r.a. tregon se mundet që personi anonim është një person me gradë të lartë në xhemat, prandaj unë e këshilloj që të kujdeset për përgjegjësi të veta, dhe jo të fusë hundën në çështjet e të tjerëve. Ankuesi i cili ia kishte shkruar atë letër anonime Kalifit II r.a. kishte tentuar të demaskonte sjelljet jo-islame të disa anëtarëve, përfshirë edhe të grave të organizatën Lexhna. Në një anë, ai akuzon se këta persona po veprojnë duke shkelur Kuranin dhe mësimet e Profetit s.a.v.s..., ndërkohë, ai vetë nuk ka respektuar kushtet e ankimit, të parashtruara nga Islami.

Parimi kryesor që duhet respektuar është zbatimi i porosive të Kuranit Famëlartë dhe sunetit të Profetit Muhammed s.a.v.s... Sipas Kuranit, derisa dikush akuzohet publikisht, duhen paraqitur edhe provat, që të nisen hetimet. Por, derisa identiteti mbahet i fshehur, atëherë si mund të nisen hetimet. Pra, paditësi në këtë rast, po shkel porositë e Kuranit Famëlartë. Le të dihet, se mirësia qëndron në bindje dhe nënshtrim ndaj mësimeve të Kuranit Famëlartë dhe të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.., pavarësisht se si konsiderohet ai veprim në një shoqëri të caktuar. Nëse shoqëria nuk e vlerëson atë si veprim, por është plotësisht në përputhje me mësimet e Kuranit dhe praktikën e Profetit Muhammed s.a.v.s.., atëherë ajo nuk ka asnjë të metë. Disa persona, për shkak të natyrës së tyre, apo duke u ndikuar nga traditat vendore e shoqërore, tregojnë fanatizëm në disa çështje. Megjithatë, vërejtjet e tyre qofshin në çështjet fetare, nuk kanë asnjë peshë.

Për ta shtjelluar këtë çështje Kalifi II r.a. ka rrëfyer një shembull nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.. Njëherë Mesihu i Premtuar a.s. po shëtiste në stacion tok me bashkëshorten e tij. Asokohe, dispozitat rreth mbulesës, interpretoheshin dhe zbatoheshin në mënyrë rigoroze. Gratë nga familjet e pasura përcilleshin deri në stacion nëpër barela, që ishin të mbuluara mirë me perdet. Ato përcilleshin deri te vagonët në këtë mënyrë dhe pastaj kur hipnin në vagonë, u uleshin dritare që të mos i shihte asnjëri. Sigurisht, ky lloj “hixhabi” ishte mjaft i mundimshëm, dhe u kundërvihej dukshëm dispozitave të Islamit. Mesihu i Premtuar a.s. në çdo çështje u përmbahej mësimeve të Islamit. Bashkëshortja e tij kishte veshur ferexhe dhe po shëtiste me Mesihun e Premtuar a.s. në platformë. Molvi Abdul Karim sahibi dhe Hazret Molvi Nurudin  sahibi gjithashtu gjendeshin aty. Molvi Abdul Karim sahibi nga natyra ishte njeri i rreptë, dhe ai kujtoi se kjo sjellje nuk është e drejtë. Ai nuk kishte guxim t’i shprehej Mesihut të Premtuar a.s., prandaj vajti te Molvi Nurudin sahibi r.a. dhe i tha se nuk është mirë që bashkëshortja e Mesihut të Premtuar a.s. po shëtis me të. Nesër të gjitha gazetat do të buçasin me lajmin që Mirza sahibi po shëtiste në platformë me bashkëshorten e tij, dhe do të qarkullojnë pamflete e njoftime për këtë çështje. Ju lutem, shkoni dhe tregojani atij. Hazret Molvi Nurudin sahibi u përgjigj se unë nuk po shoh asgjë të keqe këtu. Nëse juve nuk ju pëlqen diçka, atëherë më mirë thuaji vetë. Molvi Abdul Karim sahibi shkoi te Mesihu i Premtuar a.s., dhe pas pak u kthye kokulur. Kur Hazret Molvi Nurudin sahibi r.a. e pyeti se çfarë i ishte përgjigjur Mesihu i Premtuar a.s. ai i tha: Kur i thashë se çfarë bo bëni kështu dhe se si do të reagojnë njerëzit, ai më tha: Çfarë do të thonë njerëzit? Vetëm kaq se Mirza sahibi po shëtiste me bashkëshorten e tij. Molvi sahibi ishte bërë pishman për këtë pyetje. Bashkëshortja e Mesihut të Premtuar a.s. ishte e mbuluar, dhe shëtitja e një çifti të martuar bashkërisht, nuk kishte asgjë të padrejtë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s.. gjithashtu dilte për shëtitje me bashkëshortet e tij. Njëherë ai kishte bërë garë me Aishen r.a. në praninë e të tjerëve. Herën e parë, Profeti s.a.v.s...kishte mbetur mbrapsht, dhe fitoi Aisheja r.a., ndërsa në garën e dytë ai e mundi Aishen r.a. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: تلک بتلک d.m.th. jemi në barazim. Pra, Profeti s.a.v.s. shëtitjet me bashkëshortet e tij, nuk i konsideronte të padrejta, dhe ajo që është e lejuar në Islam, nuk mund të konsiderohet shkelje apo e gabuar.

Kështu që nëse dikush kritikon tjetrin, atëherë kjo nënkupton se sipas paditësit, i padituri nuk respekton mësimet e Islamit. Duke treguar për akuzuesin në fjalë, Kalifi II r.a. ka treguar se, në letrën e tij, ai i quan disa persona të ulët në pozitë, e pastaj vijon me akuza personale dhe familjare, duke i quajtur të pandershëm disa persona, që u kam besuar detyra në xhemat. Ai bën edhe disa akuza të rënda, për të cilat sheriati kërkon katër dëshmitarë okularë si kusht paraprak për pranimin e akuzës. Pra, nëse dikush guxon të akuzojë dikë për marrëdhënie midis një mashkulli dhe femre, ai gjithashtu duhet të paraqesë katër dëshmitarë okularë.

Është e çuditshme se ndjenjat fetare i ngjallen atij personi, që vetë i kundërvihet Kuranit Famëlartë, dhe shpif lloj-lloj akuzash për të tjerët që i ndalon Kurani rreptësisht. Kurani Famëlartë jo vetëm që ndalon nga shpifjet por ka sanksionuar dënimin e 80 rrahjeve me kamxhik për shpifësit. Pra, derisa sheriati jep udhëzime të prera lidhur me këtë çështje, dhe personi që i shkel ato, madje akuzon tjetrin për veprime të ndaluara nga Kurani, padyshim është ai që i kundërvihet Kuranit. Kalifi II r.a. ka thënë: Shikoni pozitën e akuzuesit! Së pari, ai fshehu identitetin e tij, pastaj nuk paraqiti asnjë dëshmi a provë për të mbështetur akuzën e tij. As unë e as Mesihu i Premtuar a.s. nuk jemi të përjashtuar nga rregullat e sheriatit. Vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i detyruar t’u nënshtrohej dispozitave të sheriatit. Pra, ky njeri ka bërë disa akuza që janë të dënueshme sipas sheriatit, dhe sheriati për gjykimin e kësaj çështjeje, kërkon dëshmitarë. Por, zotëria kërkon që filanit t’i nënshtrohet masat ndëshkimore sepse ka shkelur sheriatin, por mua mos më kërkoni llogari.

Kalifi II r.a. tregon se kjo më sjell ndërmend një anekdotë nga fëmijëria ime, që ende më ngjall gëzim. Unë isha në klasën e pestë apo të gjashtë. Mësuesi ynë vepronte në këtë mënyrë që nxënësi i cili do t’u përgjigjej pyetjeve të tij brenda kohës së caktuar, kalonte në rreshtin e parë. Ne ishim në këmbë dhe mësuesi na bëri një pyetje. Një nxënës i dha përgjigje, por sa kishte mbaruar përgjigjen ai, një tjetër nxënës ndërhyri duke i thënë mësuesit se ajo përgjigje ishte e gabuar. Mësuesi i thirri nxënësit të parë që të lironte vendin për nxënësin e dytë. Duke liruar vendin, nxënësi i parë i tha mësuesit që fjalën “gabuar” nxënësi tjetër nuk e kishte shqiptuar tamam siç duhej. Pas kësaj, mësuesi përsëri i çoi ata në vendet e tyre të mëparshme.

Kalifi II r.a. tregon se i tillë është shembulli i atyre kritikëve që akuzojnë të tjerët për shkelje, por mënyra e të akuzuarit është pothuaj kriminale, dhe kështu në vend që t’i tregojnë fajin dikujt tjetër, e bëjnë veten me faj. E pastaj bëjnë zhurmë sikur askush nuk e ndëshkon keqbërësin, ndërsa paditësin e çojnë në altar. Në fakt edhe gjykatësit nuk kanë faj, sepse edhe ata u përgjigjen rregullave të sheriatit. Nuk është e drejtë nëse doni të nënshtroni të tjerët nën sundimin e Kuranit, por je veten tuaj. Prandaj, duke iu drejtuar këtyre kritikëve dhe paditësve unë u them “ایاز قدرِ خود بشناس” d.m.th. mbani mend pozitën dhe statusin tuaj. Ata që fshehin emrat e tyre, dhe akuzojnë të tjerët, nuk kanë asnjë vlerë. Kjo është arsyeja që në vend të provave e argumenteve, ata thjesht bëjnë shpifje se filani i përket filani fis, apo filani nuk ka asnjë status, filani është i atillë etj. Këto akuza janë të pabaza, dhe persona të tillë nuk kanë karakter të qëndrueshëm. Ne duhet të ndjekim porositë e Allahut. Ai është Zoti ynë, dhe Zoti i çdokujt, i Cili furnizon çdokënd dhe u siguron të gjithëve mjete të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Derisa për gjithçka, ne i drejtohemi Zotit, prandaj edhe për porositë dhe udhëzimet duhet t’i bindemi atij, e jo të dëgjojmë akuza të tilla.

Siç jam shprehur që këta ankues në një anë duan t’i ndëshkojnë të tjerët sipas sheriatit, ndërsa veten e përjashtojnë nga dispozitat e tij. Pra, njerëzit e tillë bëhet gjykatësit e vetë. Por, kurdo që zbulohet e keqja e tyre, ata do t’u nënshtrohen masave disiplinore sipas sheriatit.

Në disa raste, prania e dëshmitarëve është e domosdoshme,dhe nëse ata mungojnë, automatikisht bien edhe akuzat. Nganjëherë, dëgjojmë se filani kishte bërë dëshmi të rreme, dhe kështu i kishte shpëtuar dënimit. Njëherë në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, iu paraqit një çështje ku dy persona ishin përfshirë në grindje. Ai porositi njëri prej tyre të bënte be. Por, tjetri e akuzoi se ishte rrenacak, dhe nuk kishte problem të bënte betime të rrena. I Dërguari i Allahut s.a.v.s deklaroi se ai do të gjykojë këtë çështje vetëm sipas porosive të Zotit. Nëse ai do të jepte dëshmi të rreme, atëherë kjo çështje i takon Zotit, dhe Ai vetë do ta ndëshkojë atë.

Pra, duhet ta mbajmë parasysh këtë parim që assesi vendimi nuk jepet sipas pëlqimit të paditësit. Drejtësia jepet sipas ligjeve të Allahut. Aty ku kërkohen dy dëshmitarë, ata duhen paraqitur patjetër, dhe aty ku kërkohen katër, duhet paraqitur katër dëshmitarë, e pastaj të jepet gjykimi pasi që është hetuar çështja sipas rregullave.

Suksesi ynë varet nga fakti që ne të veprojmë me drejtësi në çështjet tona, duke iu bindur urdhrave të Zotit. Nuk duhet të jemi prej atyre që për shkak të egos dhe interesave personale, detyrojnë administratën apo Kalifin që të japin vendime sipas pëlqimit të tyre. Allahu u dhëntë mendtë e urtësi edhe këtyre personave që bëjnë akuza e kritika të tilla. Nëse dikush mendon se akuza e tij është e drejtë, atëherë le të denoncojnë bashkë me të gjitha dëshmitë dhe provat e nevojshme, duke shfaqur edhe identitetin e vetë, me qëllim që të përfshihen njëlloj në procedurën e hetimit.

Po kështu, kur njerëzit shikojnë se me të vërtetë ka probleme në administratën e Xhematit, ata duhet të dalin përpara me guxim, të denoncojnë gabimet me ndershmëri, dhe të bëhen gati për çdo pasojë. Allahu i dhëntë edhe administratës së Xhematit urtësi, largpamësi dhe guxim, që të gjithë ata që janë caktuar prej Kalifit për të hetuar çështje të tilla, të veprojnë me drejtësi, duke iu bindur urdhrave të Kuranit dhe sunetit. (Amin)

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp