Terbijeti - Edukimi shpirtëror
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Terbijeti – Edukimi shpirtëror

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Tarbijat – Edukimi shpirtëror

Ky është viti i zgjedhjeve në xhemat

Para pak kohe, në një hytbe të së xhumasë, ju kam treguar se ky vit është viti i zgjedhjeve në Xhemat. Deri më tani, zgjedhjet janë bërë në shumicën e vendeve, edhe në rangun kombëtar, edhe në atë lokal dhe përgjegjësit e rinj kanë marrë detyrat e tyre. Në disa vende emirët, presidentët dhe përgjegjësit e tjerë janë zgjedhur të rinj, por ka edhe shumë vende, ku janë rizgjedhur ata që kanë qenë më parë.

Të porsazgjedhurit nga njëra anë duhet ta falënderojnë Allahun e Madhërishëm, që Ai i zgjodhi ata për t’i shërbyer xhematit dhe, nga ana tjetër, Atij duhet t’i kërkojnë me përulësi ndihmë që Zoti i Madhërishëm t’i mundësojë ta përmbushin përgjegjësinë që u është besuar.

Gjithashtu, edhe ata që janë rizgjedhur duhet ta falënderojnë Zotin e Lartësuar që Ai u dha mundësi shërbimi për herë të dytë dhe po ashtu, t’i luten përulësisht Atij që t’ua mundësojë përmbushjen e kësaj detyre në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’ua anashkalojë e t’ua falë lajthitjet, përtimet dhe shkujdesjet që ata kanë bërë gjatë mandatit të kaluar dhe t’i bekojë ata duke mundësuar që ato të mos përsëriten.

Shërbimi i Xhematit nuk është ndonjë shërbim i thjeshtë

Duhet të dini se shërbimi i Xhematit nuk është ndonjë shërbim i thjeshtë dhe si i tillë, nuk duhet ta merrni atë në mënyrë sipërfaqësore. Secili nga ne, qoftë përgjegjës ai, qoftë ahmedian i thjeshtë, kemi bërë betim që do t’i japim përparësi besimit mbi botën. Kur një njeri pranon t’i shërbejë besimit ose caktohet për një detyrë të tillë, ai ka përgjegjësi më shumë se sa të tjerët që ta përmbushë betimin e tij dhe ai duhet të mbajë mend se këtë betim ai e ka bërë me Zotin e Madhërishëm.

Përmbushja e betimeve është detyrim për besimtarët

Allahu i Madhërishëm, në shumë ajete të Kuranit Famëlartë, ka porositur për përmbushjen e betimeve.  Prandaj, gjithmonë ta keni parasysh se këto përgjegjësi janë amanete tek ju dhe ju duhet t’i përmbushni përgjegjësitë dhe betimet. Duke treguar shenjën e njerëzve të sinqertë dhe të atyre që ndjekin rrugën e takvasë, Zoti i Madhërishëm, në një ajet, thotë:

Ata i përmbushin premtimet kur premtojnë. (Kurani Famëlartë 2:178)

Ky duhet të jetë një tipar dallues, sidomos i atyre që kanë në përgjegjësi ndonjë detyrë të xhematit. Pra, le të qëndrojnë gjithnjë mbi të vërtetën, të ngrenë shkallën e tyre të takvasë dhe të kryejnë detyrat e tyre. Në sinqeritetin e tyre nëse do të ketë lëkundje, sado të vogël qoftë, nëse niveli i tyre i takvasë nuk është shembull për një anëtar të thjeshtë të xhematit, ata nuk janë duke përmbushur detyrën e tyre me përkushtimin e duhur. Ndaj, më së pari, emirët e presidentët le të vendosin shembullin e tyre edhe përpara amilasë (këshillit) të tyre, edhe përpara anëtarëve të tjerë të xhematit.

Nëse sektori i terbijetit (edukimit) do të bëhet aktiv, shumë nga sektorët e tjerë do të funksionojnë vetvetiu

Sekretarët e terbijetit (edukimit) janë të ngarkuar me detyrën e edukimit të anëtarëve. Kjo detyrë mund të realizohet vetëm atëherë kur të vendosen shembuj. Ai që këshillon të tjerët, duhet të jetë edhe shembull për ta. Andaj, edhe sekretarët e edukimit le të japin shembullin e tyre përpara anëtarëve të xhematit, për sa kohë që atyre u është besuar përgjegjësia e edukimit të xhematit.

Shumë herë kam thënë se nëse sektori i terbijetit (edukimit) do të bëhet aktiv, shumë nga sektorët e tjerë do të funksionojnë vetvetiu. Sa më i lartë të jetë niveli i edukimit të anëtarëve të xhematit, aq më e lehtë do të bëhet detyra e sektorëve të ndryshëm të xhematit, siç janë sektori i financës, sektori i çështjeve të brendshme, sektori i tabligut (thirrjes), sektori i jurisprudencës etj. Shpesh në mbledhjet e amilave (të këshillit) në vende të ndryshme u them që detyrën e edukimit duhet ta filloni nga shtëpia juaj dhe nuk duhet të jetë vetëm shtëpia e sekretarit të tarbijatit, por shtëpia e secilit anëtar të amilas. Këshilli ose amila është më shumë përgjegjës se kushdo tjetër që ta bëjë detyrën e edukimit ndaj vetvetes. Çfarëdo programi të hartojnë emiri dhe presidenti i xhematit dhe sekretari i terbijetit, më së pari ata duhet të kontrollojnë nëse anëtarët e amilas e zbatojnë atë apo jo. Duhet të analizojnë edhe çështjet themelore të vendosura nga Vetë Zoti i Madhërishëm, të cilat përbëjnë edhe qëllimin e krijimit të njeriut, që anëtarët e amilas i përmbushin apo jo. Nëse jo, atëherë nuk e kanë takvanë.

Adhurimi si detyrë primare dhe përgjegjësia e përgjegjësve në xhemat

Ndër detyrimet ndaj Zotit të Madhërishëm më kryesori është ai i ibadetit (adhurimit). Meshkujt janë të urdhëruar ta përmbushin këtë detyrë me faljen e namazit me xhemat. Ndaj, emirët, presidentët dhe përgjegjësit e tjerë le t’i ruajnë namazet e tyre e të përpiqen maksimalisht për t’i ngritur dhe për t’i falur ato me xhemat. Kjo në njërën anë do të mbushë xhamitë dhe qendrat tona të namazit me namazxhinj dhe, në anën tjetër, përgjegjësit do të fitojnë edhe bekimet e Zotit të Madhërishëm dhe atyre do t’u hapen rrugët. Ata nuk do të mbeten njerëz me fjalë boshe, por edhe me vepra. Andaj, përgjegjësit më së pari le të analizojnë veten e tyre se sa janë të njëjtë në fjalë e në vepra.

“O ju që besuat! Përse thoni atë që vetë nuk e bëni?!”

Allahu i Madhërishëm thotë:

sistemi i xhematit - edukimi“O ju që besuat! Përse thoni atë që vetë nuk e bëni?!” (Kurani Famëlartë 61:3)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Ky ajet tregon se njerëzit që flasin dhe nuk veprojnë ekzistonin në botë, ekzistojnë edhe tani dhe do të vijojnë të ekzistojnë. Dëgjojeni dhe mbajeni mend këtë që po ju them! Nëse njeriu nuk flet me sinqeritetin e zemrës dhe nuk ka forcë veprimi, ai nuk mund të sjellë ndikim.

Më pas, tha:

Mbani mend! Vetëm fjalët dhe retorika boshe nuk hyjnë në punë, derisa nuk bëni edhe vepra. Çdo gjë pa vepra nuk ka asnjë vlerë tek Allahu.

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na e ka shpjeguar mjaft mirë porosinë e Zotit të Madhërishëm duke thënë se nuk duhet të kemi kontradiktë në fjalët dhe në veprat tona. Përgjegjësit në radhë të parë duhet ta kenë parasysh dhe duhet ta zbatojnë këtë porosi.

Aty ku shtëpitë e anëtarëve janë larg nga njëra tjetra, ose ata që nuk gëzojnë ndonjë xhami apo qendër të namazit, duhet të organizojnë faljen e namazit në ndonjë shtëpi, dhe kjo nuk është e vështirë. Ka shumë ahmedianë që kështu veprojnë. Madje ka edhe nga ata të cilët zyrtarisht nuk kanë ndonjë përgjegjësi, që nuk janë anëtarë të ndonjë amile, por ata organizojnë namazin me xhemat në shtëpitë e tyre, duke tubuar ahmedianët që jetojnë rreth e përqark. Kështu që, mund të bëhet gjithçka, nëse do të keni vullnet.

Çdo përgjegjës i xhematit duhet të ketë vullnet e ndërgjegje për të falur namazin me xhemat

Çdo përgjegjës i xhematit duhet të ketë vullnet e ndërgjegje për të falur namazin me xhemat, përndryshe, ai nuk do të mund ta përmbushë amanetin e tij, për të cilin Kurani Famëlartë vazhdimisht na porosit. Andaj, përgjegjësit le ta kenë parasysh gjithmonë se shenja kryesore e besimtarëve të vërtetë që ka treguar Allahu i Madhërishëm është që ata i ruajnë amanetet dhe premtimet e tyre në atë mënyrë, saqë shqetësohen në mos bëjnë ndonjë pakujdesi a shkelje. Kjo nuk është diçka e vogël. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

sistemi i xhematit - edukimiPër çdo premtim do të kërkohet llogari. (Kurani Famëlartë )

Adhurimi është gjëja më themelore dhe është qëllimi i krijimit të njeriut dhe si i tillë, e kemi për detyrë ta kryejmë atë. Sidomos përgjegjësit, por edhe çdo besimtar i vërtetë, nuk duhet të bëjnë asnjë pakujdesi në këtë pikë.

Përveç kësaj, ka edhe disa çështje të tjera, të cilat përgjegjësit në mënyrë të veçantë duhet t’i kenë parasysh. Këto çështje kanë lidhje me përmbushjen e detyrimeve ndaj njerëzve, me sjelljen e përgjegjësve ndaj anëtarëve të xhematit dhe po ashtu me detyrat e tyre me të cilat ata janë ngarkuar.

“Prijësi i popullit është shërbëtori i tij”

Askujt nuk i besohet ndonjë përgjegjësi apo shërbim për ta bërë atë oficer. Madje, Islami ka sjellë një koncept krejtësisht tjetër të përgjegjësisë, të cilin Profeti Muhammed s.a.v.s. e ka sqaruar duke thënë:

Prijësi i popullit është shërbëtori i tij.

Andaj, përgjegjësi duhet ta përmbushë amanetin dhe detyrimin që ka ndaj njerëzve dhe duhet të qëndrojë si shërbëtor i popullit. Kjo vjen atëherë, kur ai ka frymën e sakrificës, të jetë i përulur dhe kur shkalla e durimit të tij është më e lartë sesa e të tjerëve. Nganjëherë përgjegjësit detyrohen të dëgjojnë edhe qortime nga të tjerët. Le t’i dëgjojnë. Çdo përgjegjës vetë mund të bëjë kontroll të vetvetes se sa e ka ai forcën e durimit dhe sa e thellë është përulësia e tij.

Përgjegjësit t’u japin përparësi të tjerëve mbi veten e tyre

Nganjëherë më vijnë çështjet e përgjegjësve që nuk kanë aspak durimin, me të cilët kur të tjerët sillen keq, edhe ata u kthejnë përgjigje në të njëjtën mënyrë. Keqsjellja e një njeriu të rëndomtë nuk bën ndonjë efekt. Maksimumi njerëzit do të thonë se ai ka sjellje shumë të keqe, ai është i lig etj. Por, kur një përgjegjës flet fjalë të rënda përpara njerëzve, vihet në pikëpyetje dinjiteti i tij dhe njëherësh edhe anëtarët e xhematit pësojnë nga ai. Standardi që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dëshironte ta kishte xhemati i tij është shumë i lartë. Sipas tij, nëse do të ketë qoftë një shembull të keq, kudo qoftë, njolloset emri i xhematit. Hasim shembuj të tillë. Nganjëherë disa njerëz grinden edhe në xhami. Këto gjëra u japin përshtypje shumë të keqe fëmijëve dhe të rinjve të xhematit. Çfarë dëshiron Allahu i Madhërishëm nga ne dhe çfarë standardi të sakrificës Ai kërkon prej nesh? Për këtë thotë në një ajet:

sistemi i xhematit - edukimiBesimtarët janë ata që vëllezërve të tyre besimtarë u japin përparësi mbi veten e tyre. (Kurani Famëlartë 59:10)

Këtë shembull e dhanë ensarët për hir të vëllezërve të tyre muhaxhirë. Ky është shembulli edhe për ne. Por ky është një shembull shumë i lartë, sepse ka edhe nga ata që nuk i japin tjetrit as të drejtën që i takon. Nganjëherë përgjegjësve u vijnë disa çështje të caktuara të njerëzve të caktuar që ata të përpilojnë një raport të tyre e t’ia dërgojnë qendrës ose, nganjëherë, vetë qendra u kërkon të japin raport për njerëz të caktuar. Vihet re që nganjëherë raporti përpilohet me shumë pakujdesi, sepse përgjegjësit nuk e hulumtojnë çështjen siç duhet ose e zvarritin kaq shumë saqë, nëse çështja ka të bëjë për të ndihmuar dikë, ai dëmtohet ose vihet në vështirësi, në rast se nuk i vjen ndihma në kohën e duhur. Disa përgjegjës e arsyetojnë këtë me angazhimet e tyre të tjera. Disa nuk kanë asnjë arsye dhe u mungon vetëm vëmendja. Nëse do të ishte fjala për çështjet e tyre personale ose për çështjet e të afërmve të tyre, preferencat e tyre mund të ishin ndryshe.

Pra, ndjenja e të shërbyerit e të sakrifikuarit mund të jetë e sinqertë atëherë kur të shqetësoheni për të ndihmuar të tjerët. Kur do të bëni sakrifica në këtë mënyrë, pra, duke parë shqetësimet e të tjerëve si të vetat, atëherë do të rritet edhe standardi i sakrificës në xhemat. Njerëzit nuk do të kenë më mendime për t’u marrë të drejtat të tjerëve, përkundrazi, do të përhapet fryma e sakrificës. Ne të tjerëve u themi se paqja në botë nuk mund të vendoset deri sa në çdo nivel nuk do të përhapet fryma e sakrificës në vend që të t’u marrin të drejtat të tjerëve. Nëse vetë ne nuk e kemi këtë standard, atëherë bëjmë një punë që nuk i pëlqen Zotit të Madhërishëm.

Përulësia – një tipar i rëndësishëm i përgjegjësve

Një tjetër tipar që përgjegjësit duhet ta kenë në veçanti, është përulësia. Duke treguar shenjat e robërve të të Gjithëmëshirshmit, Zoti i Madhërishëm thotë:

sistemi i xhematit - edukimiAta ecin me përulësi në tokë. (Kurani Famëlartë 25:64)

Përgjegjësit tanë duhet të jenë shembuj të përkryer edhe në këtë pikë. Sa më të madhe të ketë përgjegjësi dikush, aq më shumë përulësi dhe ndjenjë shërbimi duhet të ketë ai, në marrëdhëniet dhe takimet e tij me të tjerët. Kjo pikërisht është madhështia e tij. Njerëzit e shohin dhe e analizojnë sjelljen e përgjegjësve. Disa më shkruajnë edhe mua duke thënë se “filan përgjegjës ka pasur këtë sjellje, por sot jam shumë i gëzuar që ai jo vetëm që më përshëndeti, por edhe më pyeti për shëndetin dhe më ka takuar me shumë mirësjellje dhe më bëri shumë përshtypje ndikimi i tij”. Shumica e anëtarëve të xhematit është e tillë që ata bëhen të gatshëm për bërë çdo sakrifica vetëm duke parë butësinë, mëshirën dhe mirësjelljen e përgjegjësve.

Nëse ndonjë përgjegjës mendon se detyra e tij e lejon të krenohet me të në çfarëdo formë qoftë, le ta dijë se kjo e largon atë nga Zoti i Madhërishëm. E kur njeriu largohet nga Zoti, nuk i bekohet as puna. Detyra e besimit kryhet vetëm për të fituar pëlqimin e Zotit të Madhërishëm. E nëse dikush nuk e ka pëlqimin e Zotit, në vend që t’i sjellë dobi, ai i sjell dëm xhematit.

Prandaj, përgjegjësit gjithmonë duhet të bëjnë kontroll të tyre në këtë aspekt, që a kanë përulësi ata ose jo, dhe nëse po, deri në çfarë shkalle e kanë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:

Sa më shumë që dikush përulet, aq më shumë Zoti i Lartësuar e ngre atë në pozitë.

Prandaj, çdo përgjegjës duhet ta mbajë mend që, nëse Zoti i Madhërishëm i ka dhënë mundësi shërbimi ndaj xhematit, është tërësisht mirësia e Zotit kjo dhe ai, në shenjë falënderimi ndaj Zotit, vetëm duhet të shtohet akoma më shumë në përulësi. Nëse nuk ndodh kjo, nuk realizohet detyra e falënderimit.

Disa herë vihet re që, disa njerëz, në situata të zakonshme, tregojnë shumë përulësi, takojnë me korrektesë me njerëzit e tjerë, por kur kanë ndonjë konflikt me ndonjë nëpunës ose me ndonjë njeri të thjeshtë, atyre menjëherë u ngrihet nervi autoritar, i cili i bën që të sillen me mburrje me nëpunësit. Pra, përulësia nuk është ajo që shfaqet vetëm për sa kohë që të tjerët ju shërbejnë pa kundërshtim dhe ju thonë vetëm – si urdhëroni. Një përulësi e tillë është artificiale. Gjendja juaj e vërtetë është ajo kur do të keni konflikt mendimesh me të tjerët, ose kur nëpunësi juaj ju thotë diçka kundër dëshirës suaj dhe ju t’i përmbaheni drejtësisë e ta analizoni deri në fund fjalën e tij përpara se të merrni ndonjë vendim. Kjo përulësi kërkon edhe kurajë të gjerë dhe pikërisht kjo quhet përulësi e vërtetë. Përgjegjësit gjithmonë duhet ta kenë parasysh porosinë e Zotit të Madhërishëm:

sistemi i xhematit - edukimiMos i fry nofullat (nga inati) me njerëzit dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi! (Kurani Famëlartë 31:19)

Konflikt mendimesh dhe përgjegjësia e përgjegjësve

Sapo fola për konflikt mendimesh. Në lidhje me këtë, dua t’ju them edhe një gjë tjetër. Padyshim që rregullorja lejon emirin që në disa çështje, ai të vendosë sipas mendimit të vet, duke refuzuar mendimin e amilasë, megjithatë, përpjekja e emirit gjithmonë duhet të jetë të ecë së bashku me anëtarët e tjerë dhe vendimet t’i marrë me mendimin e shumicës. Në disa vende emirët e përdorin këtë të drejtë më shumë sesa duhet. Ata le ta dinë se këtë të drejtë ta përdorin në raste ekstreme, pra atëherë kur vërehet se kështu është mirë për xhematin dhe për këtë duhet t’i njoftojë anëtarët e amilasë. Në këtë situatë, emirët duhet t’i kërkojnë ndihmë Zotit të Madhërishëm me anë të lutjes dhe nuk duhet të mbështeten vetëm te vetja e tyre.

Gjithashtu, të jeni të qartë se këtë të drejtë nuk e kanë presidentët e xhemateve, pra, ata nuk kanë të drejtë të marrin vendimin sipas mendimit të tyre, duke refuzuar mendimin e amilasë.

Përgjegjësve u duhet ta lexojnë e ta studiojnë rregulloren që të kuptojnë mirë përgjegjësinë përkatëse. Nëse do të veproni sipas rregullores, nuk do të lindin çështje që shkaktojnë shqetësime brenda amilasë ose tek anëtarët e xhematit.

Mirësjellja me ata që punojnë nën drejtimin tuaj

Një tjetër tipar i përgjegjësve është që ata duhet të sillen me mirësi me nëpunësit e tyre. Shumica e punëve të xhematit kryhen vullnetarisht. Anëtarët e xhematit japin kohë për t’i shërbyer xhematit, sepse kërkojnë pëlqimin e Zotit të Madhërishëm dhe sepse ata kanë lidhje e dashuri me xhematin. Ndaj, edhe përgjegjësit duhet të kujdesen për ndjenjat e vullnetarëve që shërbejnë nën urdhrat e tyre dhe duhet të sillen me mirësi me ta. Kjo pikërisht është edhe porosia e Zotit të Madhërishëm. Ata duhet të bëjnë përpjekje që punonjësit që janë nën drejtimin e tyre të aftësohen, në mënyrë që xhemati gjithmonë të ketë vullnetarë të aftë për punët e tij.

Punët e xhematit i drejton Zoti i Madhërishëm dhe po Ai ia mundëson vullnetarët e denjë

Punët e xhematit i drejton Zoti i Madhërishëm, nuk ka asnjë pikë dyshimi në këtë, por përgjegjësit eprorë që kanë përvojë pune, duhet të përgatitin edhe radhët e tjerë të vullnetarëve, dhe ata do të fitojnë sevap edhe për këtë shërbim. Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, as unë e as Kalifët paraardhës kemi pasur ndonjëherë shqetësim që si do të realizohen punët e xhematit. Është premtimi i Allahut të Madhërishëm me Hazret Mesihun e Premtuar a.s. që Ai gjithmonë do t’i mundësojë xhematit vullnetarë të sinqertë.

Gjatë kohës së Hazret Kalifit të Tretë, një përgjegjës mendonte që sistemi financiar i xhematit funksionon mirë për shkak të urtësisë dhe përpjekjes së tij. Kur Hazret Kalifi i Tretë e mori vesh këtë gjë, ai e largoi atë nga detyra dhe në vend të tij caktoi një njeri që nuk dinte as abetaren e financës. Ngaqë kjo është punë e Zotit të Madhërishëm dhe ngaqë Zoti ka sjellje të veçantë me Kalifin e kohës, me përgjegjësin e ri që nuk kishte asnjë lidhje me financën, xhemati ka pasur kaq shumë bekime në punët e tij, që as nuk e kishin imagjinuar më parë.

Kështu që, është Zoti i Madhërishëm që po u jep mundësi përgjegjësve; është Zoti i Madhërishëm që u jep mundësi nëpunësve të xhematit; është Zoti i Madhërishëm që u jep mundësi të dedikuarve që ata, duke i shërbyer fesë së Tij, të fitojnë bekimet e Tij. Realisht, është Zoti i Madhërishëm që po e bën gjithë këtë punë, sepse ky është premtimi i Tij. Andaj, askush nuk duhet të mendojë se është përvoja dhe dija e tij që i drejton ose mund t’i drejtojë punët e xhematit. Punët e xhematit i drejton bekimi i Zotit të Madhërishëm. Ne kemi shumë dobësi dhe paaftësi, të cilat, po t’i kishim në punët e kësaj bote, kurrë nuk do të mund të shikonim këtë rezultat të mbarë. Pra, Allahu i Madhërishëm na i mbulon gabimet dhe Vetë me engjëjt e Tij e ndihmon xhematin.

Në punët e tabligut (thirrjes), për shembull, edhe këtu në vendet perëndimore, Zoti i Madhërishëm na mundësoi punëtorë të rinj që janë rritur këtu, të cilët vetë nuk kanë bërë ndonjë shkollë të fesë, por arrijnë t’ua mbyllin gojën kundërshtarëve të Ahmediatit me përgjigjet e tyre të pamposhtme. Habiteni kur i shihni ata. Ka shumë të rinj të tillë në xhemat, të cilët me argumentet e tyre i bëjnë kundërshtarët të mos kenë asnjë rrugë tjetër, përveç rrugës së arratisë. Prandaj, përgjegjësit të jenë të bindur se kjo mundësi shërbimi u ka ardhur si bekim i Zotit, e jo për shkak të përvojës, aftësisë ose intelektit të tyre.

Buzëqeshja dhe butësia në sjellje me të tjerët – tipar i përgjegjësve

Një tjetër tipar që duhet ta kenë përgjegjësit është buzëqeshja dhe butësia në sjellje me të tjerët. Allahu i Madhërishëm thotë:

sistemi i xhematit - edukimiFlisni me fjalë të mira me njerëzit dhe silluni butësisht me ta. (Kurani Famëlartë 2:84)

Edhe ky është një prej virtyteve themelore, të cilin më së shumti duhet ta kenë përgjegjësit. Kur bisedojnë me ata që punojnë nën drejtimin e tyre dhe kur bisedojnë edhe me njerëzit e tjerë, përgjegjësit të kenë parasysh që të shfaqin hijshëm virtytet e tyre.

Biseda me fjalë të rrepta, nganjëherë bëhet e nevojshme për shkak të disa çështjeve drejtuese, megjithatë, kjo nevojë është një hap ekstrem. Nëse këshilloni tjetrin me butësi dhe përgjegjësit të krijojnë besim tek njerëzit që ata janë dashamirës të tyre, atëherë 99% të anëtarëve të xhematit janë të tillë që i kuptojnë dhe tregohen të gatshëm për bashkëpunimin, sepse ata kanë lidhje të sinqertë me xhematin. Por, kushti kryesor dhe i rëndësishëm është që, në radhë të parë, duhet krijuar besimi te ta që përgjegjësit janë dashamirës të tyre.

Flisni me butësi me njerëzit. Mos kapni dikë menjëherë për gabimin e tij, që ai të mos gjejë kohë të mjaftueshme për ta arsyetuar veprimin e tij. Po, për ata që e kanë zakon dhe që përpiqen të krijojnë ngatërresa në çdo gjë, nevojitet edhe rreptësia. Por, për këtë, së pari duhet të bëni hulumtim të plotë dhe, gjithashtu, kjo rreptësi nuk duhet të jetë për inate personale, por të jetë për të sjellë përmirësim.

Krijoni lehtësi për njerëzit dhe jo vështirësi

Njëherë, duke këshilluar organizatorët e Jemenit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i këshilloi:

Krijoni lehtësi për njerëzit dhe jo vështirësi. Përhapni dashuri dhe gëzime, dhe jo urrejtje.

Zbatimi i kësaj këshille sjell hijeshi në marrëdhëniet midis përgjegjësve dhe anëtarëve të xhematit dhe, gjithashtu, sjell frymë kujdesi dhe dashamirësie tek anëtarët e xhematit edhe për njëri-tjetrin.

Pra, përgjegjësit, sidomos emirët, presidentët, sektorët e terbijetit dhe organet drejtuese kanë një përgjegjësi shumë të madhe që të mendojnë për të krijuar lehtësi për njerëzit, por të kenë parasysh edhe kushtin që këto gjëra t’i bëjnë duke qenë brenda porosive të Zotit të Madhërishëm. Jo si njerëzit e botës materiale, të cilët i harrojnë porositë e Zotit, demek, për të krijuar lehtësi. Ne edhe duhet t’i përmbushim betimet dhe amanetet tona, edhe duhet të përmbushim detyrimet që kemi ndaj njerëzve, por duke qëndruar brenda rrethit të sheriatit dhe duke i dhënë përparësi pëlqimit të Zotit të Madhërishëm.

çdo përgjegjës duhet të lexojë librin e rregullores

Siç ju thashë, çdo përgjegjës duhet të lexojë librin e rregullores dhe të njohë me punët e sektorit të tij. Secili përgjegjës duhet të dijë kufijtë e tij. Nganjëherë përgjegjësit nuk i dinë kufijtë e tyre. Bëjnë një punë të caktuar, ndërkohë ajo i përket sektorit të një përgjegjësi tjetër. Ose nganjëherë dy sektorë të caktuar ndërhyjnë te njëri-tjetri, duke mos e respektuar vijën e hollë kufitare që i ndan në mes, dhe pa arsye krijohen keqkuptime.

Ditët e fundit kisha mbledhje me amilan (këshillin) e xhematit të Anglisë. Edhe aty kam vënë re që hapen debate të panevojshme vetëm për shkak se nuk kuptojnë se ku ndahen dy sektorë të caktuar. Po ta lexojnë rregulloren, nuk do të humbin kohë në mënyrë të tillë. Për shembull, departamenti i tabligut (i thirrjes) bën edhe strategji për tablig, edhe zgjeron kontaktet, sepse duke zgjeruar kontakte, përhapet mesazhi. Në të njëjtën mënyrë, edhe departamenti i punëve të jashtme ka për detyrë të zgjerojë kontakte dhe të përhapë përpjekje për njohjen e xhematit. Të dyja departamentet kanë programe të ndryshme. Njëri do ta bëjë këtë punë për hir të tabligut, e tjetri për marrëdhënie me publikun. Qëllimi i tyre i përbashkët është që të njohin njerëzit me xhematin, t’i udhëzojnë drejt besimit, ta sjellin botën drejt Zotit, në mënyrë që të gjithë njerëzit ta përmirësojnë botën dhe ahiretin e tyre dhe të kushtojnë vëmendje për të vendosur paqe. Nuk kemi asnjë qëllim për të marrë lëvdata nga bota, por qëllimi kryesor është ta fitojmë pëlqimin e Zotit. Nëse sektorët do të bashkëpunojnë, rezultati mund të jetë i shumëfishtë.

Buxheti për çdo sektor miratohet në shura dhe ai duhet t’i jepet sektorit që i takon

Veç kësaj, nga shumë vende vijnë ankesa që sektorëve të ndryshëm nuk u përcaktohet qartë buxheti i tyre. Buxheti për çdo sektor miratohet në shura dhe ai duhet t’i jepet sektorit që i takon. Sekretari duhet të ketë qasje në shpenzimin e buxhetit të sektorit përkatës. Po, është e nevojshme që sekretari të paraqesë plan programin vjetor në amila dhe shpenzimi të bëhet në bazë të atij programi. Gjithashtu, puna e tij të analizohet në çdo mbledhje të amilasë. Nëse lind nevoja për ndryshimin apo përmirësimin e plan-programit, edhe kjo duhet të shqyrtohet

Përgjegjësit kryesorë e kanë për detyrë t’i zbatojnë sa më shpejt udhëzimet e qendrës

Emirët, presidentët dhe sekretarët e xhematit kanë edhe një detyrë tjetër të rëndësishme dhe ajo është që t’i zbatojnë sa më shpjet dhe në mënyrë të plotë udhëzimet që u vijnë nga qendra dhe t’i njoftojnë edhe anëtarët e xhematit t’i zbatojnë ato.

Për disa xhemate vijnë ankesa që ato nuk i zbatojnë plotësisht udhëzimet e qendrës. Nëse ndonjë xhemat ka rezerva ndaj ndonjë udhëzimi të qendrës, për shkak të situatës së vendit etj, ata duhet ta kontaktojnë qendrën sa më shpejt e t’i bëjnë kërkesë për ndryshim. Kjo detyrë i takon emirit ose presidentit të xhematit. Por, nuk është absolutisht e drejtë që, duke e gjykuar vetë udhëzimin e qendrës, ta anashkaloni e të mos zbatoni dhe as të mos e informoni qendrën. Një veprim i tillë i cilitdo emiri a presidenti do të vlerësohet si shmangie nga qendra dhe qendra mund të marrë masa për të.

Testamentbërësit të bëjnë vetë raportin e tyre

Dua të them dy fjalë edhe rreth vasijatbërësve (testamentbërësve). Së pari testamentbërësit duhet ta mbajnë mend që, vetë testamentbërësi e ka për detyrë të paguajë rregullisht çandat (kontributet)  e tij dhe të hartojë raportin e llogarisë së tij të Vasijatit (Testamentit). Por, kjo detyrë i takon edhe zyrës qendrore dhe sekretarëve përkatëse, që ata të përditësojnë llogaritjet e çdo testamentbërësi dhe, kur ka nevojë, t’i dërgojnë një raport, duke treguar se cila është gjendja e kontributeve të tij.

Është detyra e xhematit kombëtar t’i aktivizojë sekretarët e xhemateve lokale dhe të sigurojë se çdo testamentbërës është në kontakt. Nganjëherë vërehet që kërkohet një raport për një njeri të caktuar në një çështje të caktuar dhe ai njeri është testamentbërës. Në raport thuhet se ai nuk ka paguar kontributet e Testamentit nga kaq kohë. Kur qendra pyet se nëse nuk ka paguar kontributet e Testamentit prej kaq shumë kohe, si është e mundur që Testamenti i tij është ende në fuqi. Kur hulumtohet, del që testamentbërësi nuk ka asnjë faj, sepse ai ka paguar rregullisht kontributet, por zyra përkatëse nuk ia ka mbajtur shënimet rregullisht. Një raport i tillë më kot e shqetëson testamentbërësin dhe, së dyti, krijon përshtypje të gabuar për sistemin e xhematit.

Tashmë kemi mjetet e fuqishme të llogaritjeve. Kemi kompjutera, kemi çdo gjë, ndaj, nuk duhet të ndodhin gabime të tilla. Sekretarët e Testamentit dhe sekretarët e financës së çdo xhemati kombëtar të aktivizojnë sekretarët e tyre lokalë. Edhe emirët e xhemateve kanë detyrimin që ta këtë kontrollojnë këtë çështje herë pas here. Detyra e emirëve nuk përfundon vetëm deri te mbledhja e kontributeve dhe dërgimi i raporteve të tyre, por detyra e tyre është edhe të sigurojnë besueshmërinë e sistemit të xhematit dhe të krijojnë kontakt të fortë midis sistemit qendror dhe atij lokal të xhematit.

Detyra e misionarëve

Dua t’u them diçka edhe misionarëve. Në disa vende misionarët nuk bëjnë mbledhjen e tyre rregullisht. Kryemisionari ka përgjegjësinë që të organizojë mbledhjen e tyre rregullisht, në të cilën, të shqyrtohet veprimtaria e xhematit edhe në kuadrin e terbijetit (edukimit), edhe në kuadrin e tabligut (thirrjes). Nëse dikush ka bërë një punë të mirë, të diskutohet rreth saj dhe të bëhet përpjekje që edhe të tjerët të përfitojnë nga ajo.

Gjithashtu, misionarët të japin raport edhe për udhëzimet që u dërgohen sekretarëve të xhematit dhe për udhëzimet që u dërgohen xhemateve në rangun kombëtar. Të ndjekin edhe veprimtarinë në xhematet e tyre në lidhje me çdo udhëzim që u vjen dhe aty ku sekretarët nuk janë aktivë, sidomos në sektorin e tabligut, të terbijetit dhe të sakrificës financiare, ata t’ua tërheqin vëmendjen.

Allahu i bëftë të gjithë përgjegjësit që, gjatë mandatin tre-vjetor që Zoti i Madhërishëm u ka mundësuar, të përmbushin përgjegjësitë e tyre me të gjitha aftësitë e tyre dhe të bëhen shembuj me çdo fjalë dhe vepër të tyre!

Pas namazit do të udhëheqë një xhenaze gaib që është e znj. Sahibzadi Tahira Sidika, bashkëshorja e Sahibzada Mirza Munir Ahmed sahibit. Ajo ndërroi jetë më datën 13 korrik 2016, në orën 6 të mbrëmjes. Ajo lindi në shtëpinë e Hazret Navab Abdullah Khan sahibit dhe të Navab Amatul-Hafiz Begem sahibës. Ajo ishte mbesa e Hazret Navab Muhammed Ali Khan sahibit si dhe e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Gjithashtu, ishte reja e Hazret Mirza Beshir Ahmed sahibit. Me bekimin e Zotit, ajo kishte bërë Testamentin dhe ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare.

(Ju lutemi, ndiqeni videon për të ditur më me hollësi rreth kësaj xhenazeje)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp