Jepini përparësi besimit mbi botën!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Perla urtësie nga Hazret Kalifi i Dytë r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

https://soundcloud.com/zeri-i-islamit/fsa20160408-al

(Pjesë e shkëputur)

Është e nevojshme që ne vazhdimisht të bëjmë analizë të vetvetes sonë, për t’i parë punët dhe vendimet tona a janë apo jo në përputhje me Kuranin dhe hadithet. Nëse në ndonjë rast nuk gjejmë udhëzim të qartë nga këto dy burime, duhet t’u referohemi thënieve dhe vendimeve të dijetarëve të hershëm. Duke e shtjelluar këtë temë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Njëherë, njerëzit pyetën Hazret Mesihun e Premtuar a.s. se si duhet të marrin vendime në çështjet e tyre dhe se ku duhet të bazohen. Ai iu përgjigj: ‘Qëndrimi ynë është që vendimin duhet ta marrim më së pari sipas Kuranit Famëlartë; nëse nuk gjejmë ndonjë udhëzim të qartë, ta kërkojmë në hadithe dhe nëse nuk gjejmë udhëzim të qartë as në hadithe, atëherë duhet të gjykojmë sipas gjykimit që ka bërë umeti dhe vendimin ta marrim në bazë të argumenteve që ka siguruar umeti’.

Këtu duhet shtuar se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë se syneti (praktika e Profetit s.a.s.) është mbi hadithet. Pra, nëse gjejmë ndonjë udhëzim në praktikën profetike, atij do t’i japim përparësi dhe pastaj vijnë hadithet.

Me praktikën profetike nënkuptojmë veprat që ka bërë i Dërguari i Allahut s.a.s. në mënyrë të përsëritur, të cilat i bënë edhe sahabët e tij, më pas tabeinët, më pas tabe-tabeinët dhe kështu ato kanë rrjedhur në të gjithë umetin e Profetit s.a.s..

Kështu, Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë se ne duhet të veprojmë ashtu siç na porosit Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij. Disa njerëzve, nganjëherë, u futet në kokë ndonjë vepër e mirë kaq shumë, saqë ata e teprojnë në atë mirësi të caktuar, duke e futur veten në vështirësi të madhe dhe duke bërë padrejtësi ndaj vetvetes. Po ashtu, ka edhe njerëz, madje pjesa dërrmuese i përkasin kësaj kategorie, të cilët nuk i marrin seriozisht porositë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe nuk u kushtojnë rëndësi atyre, ashtu siç duhej kushtuar. Këta janë dy kategori njerëzish, të cilët zgjedhin dy rrugët e skajshme, duke dalë kështu nga porositë e Zotit dhe të Dërguarit të Tij.

Mund të gjejmë shembuj të atyre njerëzve që i përkasin kategorisë së parë, pra, ata që e teprojnë në mirësi të caktuara. Hazret Kalifi i Dytë r.a. ka dhënë shembullin e një gruaje, e cila donte të bënte një vepër të mirë në mënyrë jo të drejtë, sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk kanë lejuar që ajo vepër të bëhej në atë mënyrë. Në këtë shembull, që do ta paraqes në vijim, kanë mësim edhe për ata që u japin rëndësi të tepruar ëndrrave të tyre, ndërkohë, pozita e tyre nuk është e tillë që të mund të thuhej se çdo ëndërr e tyre është e vërtetë dhe kuptimplote. Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Sot më erdhi një grua e moshuar që është banore e vjetër e Kadianit, por që ka një të metë në mendje. Ajo më tha se ka parë në ëndërr Hazret Mesihun e Premtuar a.s., i cili i tha se nëse do të agjërosh gjashtë muaj radhazi, Kalifi i Mesihut do të shërohet. (Kjo ngjarje i përket kohës, kur Hazret Kalifi i Dytë r.a. ishte i sëmurë). Por, ajo tha se ka pyetur dijetarë të xhematit dhe çdokush prej tyre i ka thënë se nuk lejohet të agjërosh për gjashtë muaj radhazi. Madje, tha se ka pyetur edhe Z. Beshir Ahmedin dhe edhe ai i tha të agjëronte vetëm çdo të hënë dhe të enjte. Pastaj tha se prapë e kishte parë në ëndërr Hazret Mesihun e Premtuar a.s., i cili i tha: “Pse nuk agjëron për gjashtë muaj radhazi, siç të kam porositur unë?”.

Asaj i thashë që ëndrra jote në pozitë nuk mund të jetë mbi shpalljet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kurse për shpalljet e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se nëse ndonjë prej tyre do të ishte në kundërshtim me Kuranin dhe synetin, ai do ta largonte tej e tutje, ashtu siç e heq njeriu pështymën e tij.

Pra, për sa kohë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. është kaq i kujdesshëm në interpretimin e shpalljeve të tij që ato të jenë në përputhje me Kuranin dhe synetin, edhe ne duhet t’i interpretojmë ëndrrat tona sipas porosisë së tij. I Dërguari i Allahut s.a.s. ka ndaluar të agjëroni për një kohë të gjatë në mënyrë të pandërprerë, prandaj, nëse shihni ndonjë ëndërr kundër kësaj porosie, ajo është prej shejtanit, edhe sikur ta shikoni Mesihun e Premtuar a.s. në ëndërr duke thënë një gjë të tillë. Ëndrra nëse është prej Zotit, ajo e vërteton të Dërguarin e Tij dhe asnjëherë nuk e kundërshton. Andaj, nëse ëndrra juaj bie ndesh me porositë e Kuranit dhe të Dërguarit të Tij, ajo nuk duhet vlerësuar, sepse asnjë ëndërr e tillë nuk mund të jetë e vërtetë.

Kështu që, nuk është e drejtë të bazoheni në ëndrrat tuaja për të bërë ndonjë vepër, qoftë një vepër të mirë, por që është përtej kapaciteteve tuaja. Një vepër e tillë do të jetë jo vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë, madje në disa raste, konsiderohet si mëkat. Po, njerëzit që janë të caktuar dhe të dërguar prej Zotit, Zoti ka një sjellje krejtësisht tjetër me ta. Ata nuk duhet të krahasohen me njerëz të zakonshëm. Disa njerëz mund të pyesin se përse atëherë ka agjëruar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. për gjashtë muaj me radhë?

Së pari, duhet të keni parasysh që Zoti atë do ta zgjidhte si profet. Së dyti, vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka dhënë shpjegim për këtë çështje. Në vijim do ta paraqes shpjegimin dhe këshillën e tij. Ai thotë:

Njëherë, pashë në ëndërr një njeri të shenjtë, të moshuar që kishte fytyrë të dëlirë dhe më tha se është praktikë profetike që të agjërosh disa ditë, për të marrë dritat hyjnore dhe, gjithashtu, më tha se edhe unë ta realizoja këtë praktikë. Andaj, e ndjeva të përshtatshme agjërimet për disa ditë rregullisht. Gjatë kësaj praktike jam njohur me disa çudira, që përbëheshin nga vizione (keshfë) tejet të qarta. Që prej asaj kohe, Allahu i Madhërishëm, më dërgoi vizione (keshfë) dhe shpallje në mënyrë të rrjedhshme.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu tregoi disa detaje sesi kanë ndodhur këto gjëra. Ai vijon:

Kështu që, nga agjërimet radhazi për një periudhë të caktuar, m’u shfaqen vizione nga më të ndryshmet. Por, nuk këshilloj çdonjëri që të veprojë në këtë mënyrë, sepse edhe unë nuk e kam bërë me pëlqimin tim. Ta dini se unë e futa veten në mundim për një periudhë prej tetë a nëntë muajsh, duke shijuar etjen dhe urinë, për shkak se kam pasur një keshf të qartë dhe se u njoftova prej Zotit të Madhërishëm që ta bëja një gjë të tillë. Pastaj, nuk e vazhdova më këtë metodë.

Kështu që, Zoti i Madhërishëm atij do t’i jepte një pozitë të lartë, prandaj i dha leje të bënte një gjë të tillë dhe pas asaj, kurrë nuk e ka bërë më, madje i porositi anëtarët e xhematit që të mos e praktikonin këtë metodë. Po, agjërimet në mënyrë të herëpashershme, ai i ka mbajtur.

Një akuzë që jo-ahmedianët e bëjnë kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. është që, duke krijuar një xhemat të ri, gjoja se ai ka shkaktuar përçarje. Pra, muslimanët e tjerë thonë se ai ka krijuar sektin e shtatëdhjetetretë dhe ka krijuar më shumë përçarje te ta, në vend që t’i bashkonte. Duhet ditur që kjo akuzë ngrihet sa herë që vijnë profetët. Të njëjtën akuzë e bënin edhe mekasit kundër Profetit Muhammed s.a.s. që ai ndau vëllanë nga vëllai, birin nga babai dhe krijoi përçarje dhe armiqësi midis tyre.

Por, e vërteta është që ata ishin të përçarë që para se të vinte Profeti s.a.s. dhe e njëjta ishte gjendja e muslimanëve në kohën kur ka ardhur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe vijon të jetë e tillë. Ata janë në gjendje kaotike. Allahu i Madhërishëm dërgon profetët e Tij që ta largojë çrregullimin dhe u jep mundësi njerëzve që të bashkohen në një dorë. Andaj, ata që besojnë, hyjnë në paqe, krijojnë një bashkim, dhe shpëtojnë nga çrregullsia, kurse kundërshtarët e tyre thellohen akoma më shumë në çrregullsi.

Sado të bashkohen kundërshtarët tanë për të na kundërshtuar, në mes vete ata janë të përçarë, zemrat e tyre janë të përçara dhe ata grinden me njëri-tjetrin. Derisa nuk do ta pranojnë Imamin e kohës, e njëjta gjendje do të vijojë të mbetet, daç na quajnë muslimanë apo jo-muslimanë. Kurse ne, jemi muslimanë të vërtetë edhe sipas përkufizimit që ka dhënë Allahu i Madhërishëm, edhe sipas përkufizimit që ka dhënë i Dërguari i Allahut s.a. dhe askush nuk mund të na ndalojë ta quajmë veten me këtë emër.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. tregon një pamje të trazirave që ekzistojnë midis muslimanëve dhe thotë:

Një miku im më tregoi se, njëherë, ai po falte namaz me xhemat në një xhami të sektit Ehli hadith henefi. Në tashahud, ai e ngriti gishtin. Sakaq, namazxhinjtë e prishën namazin e tyre dhe iu vërsulën duke e quajtur “Shkelës! Shkelës!” Kjo ndodhi për shkak se sipas atij sekti, ngritja e gishtit në tashahud është e ndaluar. Ata nuk menduan se sa e rëndë është prishja e namazit, sepse ata e kishin syrin vetëm te gishti i tij.

Pra, muslimanët ishin në këtë gjendje të çrregullt që përpara se të vinte Hazret Mesihu i Premtuar a.s., kurse Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi dhe bëri reformën. Kush është çrregullues, mjeku që bën incizion dhe e rregullon plagën apo ai që godet dhe shkakton plagë. Ka dy lloj njerëzish që shkaktojnë ndërhyrje në trup. Një, janë ata që godasin të tjerët duke i plagosur, dhe një tjetër janë mjekët, të cilët bëjnë ndërhyrje për të sjellë shërimin. Një njeri ka temperaturë. Mjeku i jep kininë, që është një ilaç shumë i hidhur. Askush nuk mund ta quajë mjekun mizor se pse ia prishi gojën të sëmurit. Një njeri është i plagosur. Nëse mjeku nuk ia pastron plagën me ilaçet që do t’ia djegin plagën, si mund të shërohet ai? Nëse i sëmuri nuk bëhet gati ta përjetojë këtë shije të hidhur, do të rrezikojë jetën e tij. Në kësi rastesh, mjeku si mund të quhet mizor?!

Dikush e pyeti Mesihun e Premtuar a.s. pikërisht për këtë përçarje dhe i tha se edhe ai e ka shtuar përçarjen. Ai iu përgjigj: Nëse keni edhe kosin, edhe qumështin dhe dëshironi ta ruani qumështin, a do ta mbani atë afër kosit? Ju do të merrni të gjitha masat që asnjë pikë e kosit të mos bie në qumësht.

Andaj, ishte e nevojshme që i dërguari i Zotit të krijonte xhematin e vet, duke i veçuar njerëzit e tyre nga të tjerët, të cilët ishin në kaos. Ashtu siç është e nevojshme që të jeni larg atij njeriu që ka një sëmundje ngjitëse, sepse në të kundërtën rrezikoni të sëmureni edhe ju, në të njëjtën mënyrë, praktika e Zotit është që Ai e veçon xhematin e të dërguarit të Tij nga ata që kanë sëmundje shpirtërore. Kjo është arsye që Allahu i Madhërishëm i ka porositur besimtarët që të bëjnë në mes vete namazet, martesat dhe xhenazet etj.

Shpesh gratë e kundërshtojnë këtë rregull. Prandaj, unë ato do t’i këshilloja që ashtu siç i shëndoshi rrezikohet nëse bashkëjeton me të sëmurin, të njëjtin rrezik do ta keni ju nëse do të përziheni me jo-ahmedianët. Gratë shpesh ankohen se si mund të shkëpusim lidhjet e gjakut. Sinqerisht ju them. Nëse bie tërmet, çdokush do të dëshironte të dilte i pari nga shtëpia, atëherë çfarë i pengon ata në çështjen e besimit? Realisht, këto janë justifikime që burojnë nga vetë qeniet e tyre. Nëse edhe prishjen e fesë do ta konsideronin një gjëmë, nuk do të mendonin kaq gjatë. Nëse do t’i vinte dikujt engjëlli i vdekjes dhe do t’i thoshte: “Porosia ishte t’i merrja shpirtin atij tjetrit nga shtëpia jote, por hajde se po ta marr ty!”, ai nuk do ta pranonte.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

“O ju që besuat! Shpëtoni veten dhe familjen tuaj nga zjarri!” (Kurani Famëlartë 66:7)

Tani, nëse një vajzë ahmediane do të martohet me një jo ahmedian, për shkak të bashkëshortit jo-ahmedian, ajo ose do të largohet nga Ahmediati, ose do të vdesë duke vuajtur.

Do të vdesë duke vuajtur sepse, zakonisht bashkëshorti dhe familja e tij nuk e pranon Xhematin dhe ajo detyrohet të pranojë shtrëngime nga më të ndryshmet. Raste të tilla ndodhin edhe sot.

Në këtë kuptim, ky është një lloj zjarri. Asnjë nënë nuk e hedh në zjarr vajzën e vet, por ka syresh që e hedh në këtë lloj zjarri, për shkak të disa lidhjeve të kësaj bote.

Kështu që, kundërshtarët na akuzojnë se ne krijojmë përçarje duke mos bërë martesat me jo-ahmedianët, por e vërteta është që ne nuk krijojmë përçarje në këtë mënyrë, por përpiqemi ta shpëtojnë vetveten, përpiqemi t’i japim përparësi besimit mbi botën. Këtë mund ta kuptojë ai që e kupton edhe arsyen se përse duhet t’i japë përparësi besimit mbi botën. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata djemtë ahmedianë, të cilët martohen me gratë jo-ahmediane, duke i lënë ato ahmediane. Ata duhet të kuptojnë se nëse e vlerësojnë Ahmediatin e tyre, nuk duhet të synojnë vetëm përmbushjen e dëshirave vetjake, përkundrazi, të zgjedhin vajzat ahmediane për bashkëshorte. Ata duhet t’i japin përparësi edukimit fetar të pasardhësve të tyre mbi dëshirat e kësaj bote.

Duhet ditur që breznitë nuk prishen vetëm kur vajzat tona shkojnë në shoqërinë e huaj, por edhe kur djemtë tanë marrin vajzat nga një shoqëri tjetër. Ahmediani duhet të jetë ahmedian jo për shkak të ndonjë trysnie shoqërore apo për shkak të ndonjë lidhjeje farefisnore, por të jetë i tillë duke kuptuar thelbin e besimit. Nëse djemtë ahmedianë do të martohen me vajzat e huaja, ku do të martohen vajzat ahmediane? Andaj, është e nevojshme që djemtë ta kuptojnë këtë çështje dhe të kenë kujdes. Nëse nuk do të kenë kujdes tani, kjo prirje do të vijojë të përhapet dhe pasardhësit e tyre nuk do të mbeten ahmedianë, përveç atij, të cilit Zoti i Madhërishëm do t’i bëjë ndonjë mirësi të veçantë.

Djemve që martohen me vajzat jo-ahmediane duke pasur ndonjë arsye të shëndoshë, shpesh u them se atyre u mbetet një detyrë e papërmbushur. Ata duhet të sjellin ndonjë djalë në Ahmediat, duke bërë tablig dhe ta bëjnë atë të përkushtuar ndaj Xhematit dhe ta martojnë atë me ndonjë vajzë ahmediane. Kjo jo vetëm që do t’ju mundësojë të bëni tablig më shumë, por do t’ju ndërgjegjësojë më shumë, që ju dhe pasardhësit tuaj duhet të martoheni brenda xhematit.

 Sidoqoftë, problemi i martesave të vajzave nuk ekziston vetëm tani, por ka qenë edhe më parë.

(Pjesën tjetër të këtij fjalimi, ju lutem, ndiqeni në videon/audion e postuar më sipër. Faleminderit)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp