Sakrificat financiare të ahmedianëve për hir të Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Sakrificat financiare të ahmedianëve për hir të Zotit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Përmbajtje e fjalimit të xhumasë të mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar

لَنۡ تَنَالُوا الْبِرَّ حَتّٰی تُنۡفِقُوۡا مِمَّا تُحِبُّوۡنَ

Ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë, derisa nuk jepni nga to gjëra që i doni. Çdo gjë që jepni, Allahu është i Dijshëm për të.[1]

Çdo besimtar dëshiron të bëjë mirësi e të arrijë afrimin me Zotin e Lartësuar. Zoti i Lartësuar, në këtë ajet, u ka tërhequr vëmendje besimtarëve që, nëse duan të bëjnë mirësi e të arrijnë pëlqimin e Tij, ata kanë nevojë të bëjnë sakrifica. Pra, për të fituar pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, duhet të bëni sakrifica. Sakrifikoni atë që ju e keni më të përzemërt. Sakrifikoni atë, nga e cila keni dobi. Sakrifikoni atë, që ju mundëson rehati e lehtësime. Sakrifikoni atë që, në dukje, ju premton të rregullojë të ardhmen e pasardhësve tuaj. Këto sakrifica, pa dyshim, nuk janë të vogla. Njeriu gjithmonë e pëlqen pasurinë. Këtë e ka përmendur edhe Zoti i Madhërishëm, që, ari, argjendi, prona, bagëtitë, arat, kopshtet etj. të gjitha këto njeriu i do shumë dhe krenohet me anë të tyre. Në botën e sotme materialiste, kur teknologjia i ka bashkuar njerëzit që jetojnë në vende të ndryshme, sistemi materialist u ka shtuar njerëzve edhe dëshirat pamasë. Pavarësisht nga pasja apo mospasja e pasurisë së mjaftueshme, babëzia dhe kërkesa e njerëzve për të qenë të pasur dhe për të pasur çdo gjë që dëshirojnë, janë në maksimum. Njerëzit orvaten gjer në maksimum për të pasur çdo lehtësi, për të plotësuar çdo dëshirë dhe për të shijuar çdo luks. Kjo etje është shumë e madhe sidomos në vendet e zhvilluara. Po të destabilizohen këto vende, ose, larg qoftë, po të hyjnë në gjendje lufte, nuk e imagjinojmë dot situatën, me të cilën do të përballen njerëzit e këtyre vendeve. Ky thjesht ishte një përfytyrim. Ajo që është evidente këtu, është dashuria për pasurinë dhe, në emër të jetesës, dëshira për të pasur çdo prodhim të fundit. Media, tregu dhe globalizmi ka bërë që edhe njerëzit e vendeve të varfra ose ata të vendeve më pak të zhvilluara kanë njohje të plotë për luksin e vendeve të pasura. Kjo nuk u mjaftua vetëm deri te njohje, por edhe ata, të paktën ata që kanë një jetë të nivelit mesatar, duan të kenë të njëjtin luks.

Shkurt, materializmi është në kulm. Në këtë situatë, thirrje që të japësh në rrugën e Zotit atë që të pëlqen më së shumti, të sakrifikosh dëshirat e tua dhe rehatinë tënde, në mënyrë që të arrish mirësinë e vërtetë, do të dukej shumë e çuditshme për një njeri të kësaj bote. Ai patjetër do t’ju thotë se këto janë përralla. Njerëzit e kësaj bote thonë: Shpenzoni për të varfrit dhe ndihmojini ata, bëni punë humanitare! Por, të thuash: Jepni atë që është më e dashura për ju, kufizoni dëshirat tuaja dhe sakrifikoni për hir të Zotit dhe për hir të dëshirave të tjerëve!, kjo për ta është qesharake për njerëzit e botës. Por, ata nuk e dinë se edhe në këtë kohë, ka njerëz, që kuptojnë thelbin e këtij ajeti dhe përpiqen ta praktikojnë atë. Ata nuk e dinë se edhe në këtë kohë, ka njerëz, që përpiqen maksimalisht për të arritur “mirësinë e vërtetë” (“el-birr”), që do të thotë, ata përpiqen të bëjnë një mirësi, që, për të tjerët është një sakrificë e skajshme; një mirësi që i mban vepruesit e saj të shqetësuar, derisa nuk bëjnë një punë të mirë për të tjerët; një mirësi që i dallon si njerëz të cilët sakrifikojnë pasurinë, jetën dhe kohën e tyre për të përhapur besimin; një mirësi që i rrit ata në bindje e nënshtrim; një mirësi që ua shton druajtjen e tyre ndaj Zotit. Për vepruesit e kësaj mirësie, gjëja më e shtrenjtë është vetëm bindja ndaj porosive të Zotit. Një pjesë e madhe e botës nuk është në dijeni për këta njerëz. Këta njerëz janë ata, të cilët, duke iu bashkuar të dashuruarit dhe shërbëtorit të sinqertë të Profetit Muhammed s.a.,  e kanë kuptuar thelbin e mirësisë së vërtetë. Këta janë njerëz, të cilët fituan dritë prej sahabëve të Profetit Muhammed s.a., të cilët u ngritën prej tij në formë minaresh të ndritura dhe të cilët sakrifikonin në një formë të habitshme.

Përmendet në një hadith: Kur zbriti ajeti “Ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë, derisa nuk jepni nga to gjëra që i doni”, Hazret Ebu Talha Ensari, u motivua menjëherë. Ai ishte një musliman medinas, i pasur njëherësh dhe kishte kopshte hurmash. Më i miri prej kopshteve të tij ishte ai që e quante “Bejruha”, të cilin Hazret Ebu Talha e donte shumë. Profeti Muhammed s.a. shpesh kalonte nga ai kopsht, sepse ai ishte shumë afër xhamisë së tij. Kështu që, kur zbriti ajeti në fjalë, Hazret Ebu Talha shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a. dhe i tha: “Prona ime që është më e dashura për mua është kopshti “Bejruha” dhe atë po e jap në rrugën e Allahut”.

Këta ishin njerëz që u quajtën yje të shndritshme, të cilët përcaktuan rrugët e mirësive. Duke dhënë shembujt e sahabëve të Profetit Muhammed s.a., Imami i kohës vazhdimisht na tërhoqi vëmendjen për të bërë sakrifica, njësoj si ata. Ai na ka shpjeguar thelbin e sakrificës në dritën e mësimeve të Kuranit. Ai na ka dhënë intelektin për të kuptuar siç duhet mirësitë, sakrificat dhe nivelet e tyre. Ai na ka mësuar të hedhim hapa drejt lartësimeve, drejt mirësive të mëdha, që kishin bërë dikur edhe sahabët e Profetit Muhammed s.a.. Ai na tha shprehimisht se për të pranuar Mesihun e Premtuar, neve na duhet të ngremë edhe një herë shembujt e sahabëve. Në një vend, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Askush nuk mund të pretendojë të bëjë mirësi, duke dhënë vetëm gjëra pavlerë. Dera e mirësisë është e ngushtë. Prandaj, mbajeni mend! Askush nuk mund të hyjë në këtë derë, duke dhënë gjëra pavlerë, sepse fjala e Zotit thotë:

لَنۡ تَنَالُوا الْبِرَّ حَتّٰی تُنۡفِقُوۡا مِمَّا تُحِبُّوۡنَ

domethënë, derisa nuk do jepni gjënë më të shtrenjtë, më të dashur, nuk mund të gëzoni statusin e të qenët i dashur për Zotin. Si mund të korrni sukses e si mund të ngadhënjeni, nëse nuk doni të përballoni vështirësitë e nëse nuk doni të bëni mirësinë e vërtetë?! Po sahabët e Profetit Muhammed s.a., a arritën pozitën e tyre, kështu falas, pa bërë asgjë?! Njerëzit sa shumë telashe heqin e sa shumë shpenzime bëjnë për të arritur grada të botës materiale? Pasi bëjnë të gjitha ato mundime, arrijnë ndonjë pozitë të vogël, e cila, prapëseprapë, nuk u jep as lumturinë e vërtetë, as kënaqësinë e zemrës. Por, pozita e sahabëve të Profetit Muhammed s.a., që u jepte kënaqësinë e zemrës dhe pëlqimin e Zotit Bujar, a mund të ishte arritur pa bërë asgjë?! E vërteta është që njeriu kurrsesi nuk mund të arrijë pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, derisa ai nuk tregohet i gatshëm për të hequr vështirësitë kalimtare. Zoti nuk mund të mashtrohet. Të bekuar janë ata që nuk shqetësohen nga shqetësimet që u vijnë gjatë arritjes së pëlqimit të Zotit, sepse lumturia e vërtetë, drita dhe qetësia e amshueshme do t’i jepen besimtarit, pasi t’i kalojë vështirësitë kalimtare.

Gjatë një mbledhjeje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. këshilloi anëtarët e xhematit me këto fjalë:

Njeriu, në këtë botë, e do shumë paranë dhe pasurinë. Prandaj, edhe në interpretimin e ëndrrave thuhet se kur njeriu sheh se po i jep dikujt zemrën e tij, do të thotë që i jep paratë e tij. Po për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm, për të gjetur drojën dhe besimin e vërtetë, tha: لَنۡ تَنَالُوا الْبِرَّ حَتّٰی تُنۡفِقُوۡا مِمَّا تُحِبُّوۡنَ  “Ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë, derisa nuk jepni gjënë më të shtrenjtë që keni”. Të ndihmosh njerëzimin, krijesat e Zotit, dhe të kesh dhembshuri ndaj tyre, kërkon që të shpenzosh paratë e tua për ta. Dhembshuria ndaj njerëzimit, gjithashtu, është pjesë e besimit, madje, besimi nuk mund të rrënjoset e nuk mund të përsoset pa të. Njeriu derisa nuk sakrifikohet për të tjerët, nuk mund t’u sjellë dobi. Sakrifica është e nevojshme, nëse dëshiron të kesh dhembshuri ndaj tjetrit dhe pikërisht ky është mësimi që jep ajeti: “Ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë, derisa të jepni atë që ju pëlqen”. Shkurt, shpenzimi në rrugën e Allahut është mjet për të arritur fatmirësinë dhe druajtjen ndaj Zotit. Niveli i sakrificës që ka pasur Hazret Ebu Bekri r.a. ishte që ai solli gjithçka që kishte në shtëpi, duke iu përgjigjur thirrjes së Profetit Muhammed s.a..

Edhe xhemati që solli Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk e shpërfilli thirrjen e Imamit të tij, madje, vendosi standarde të larta të sakrificës. Këtë e përmendi edhe vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në mbledhjet e tij. Njëherë ai tha:

Shoh se në xhematin tonë ka qindra njerëz që nuk kanë as rroba të mjaftueshme në trup, që nuk kanë asnjë pronë, por befasohem kur shoh sinqeritetin, besnikërinë dhe dashurinë e tyre të pakufishme.

Njëherë tjetër ai tha:

Ndryshimi dhe përparimi që shikoni në xhematin tonë, nuk mund ta shikoni askund në këtë kohë.

Njerëzit që përfituan drejtpërdrejt nga shoqërimi me Imamin e kohës, e ngritën këtë standard dhe fituan edhe pëlqimin e tij, por a u mbajt edhe më vonë ky standard i sakrificës, i sinqeritet dhe i besnikërisë? Patjetër që po. Siç ju thashë, xhemati i Mesihut të Premtuar a.s., edhe sot ka njerëz, burra, gra e fëmijë, të cilët kanë një standard shumë të lartë të sinqeritetit dhe të besnikërisë. Këta njerëz nuk janë të kufizuar as në numër e as në ndonjë vend të caktuar, por janë me mijëra dhe janë të përhapur në mbarë botën. Këta janë ata që e kuptojnë thelbin e porosisë së Allahut, ku Ai thotë: “Ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë, derisa nuk jepni gjënë më të shtrenjtë që keni”; janë njerëz që vazhdimisht përparojnë në sakrifica. Ahmedianë të tillë nuk janë vetëm anëtarë të vjetër, por edhe të sapoanëtarësuar, madje ka edhe të tillë, që ndoshta kanë vetëm disa muaj që kanë pranuar Ahmediatin. Preferencat e tyre përpara se të bëheshin ahmedianë kanë qenë të tjera, por pasi e pranuan Ahmediatin, ata janë gati të sakrifikojnë paratë e tyre të shtrenjta, vetëm për hir të besimit. Ky është ai revolucion që solli në këtë kohë Hazret Mesihu Premtuar a.s.. Ai ua ndryshoi preferencat njerëzve. Fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. janë po aq të vërteta edhe sot e kësaj dite, që, “befasohesh duke i parë ata!”.

Sot do t’ju përmend si shembuj vetëm disa prej sakrifikuesve. Siç tha Hazret Mesihu i Premtuar a.s., edhe këta, nuk kanë as rroba të mjaftueshme në trup, por janë shumë të përparuar në sinqeritet e besnikëri. Më së pari do të përmend një zonjë, e cila është edhe e verbër.

Misionari ynë nga Siera Leone shkruan:

Xhemati ynë në Membaro ka një grua të verbër, e cila kishte bërë premtimin për dy mijë leone (monedhë vendi) për arkën e “Tehrik-e-Xhedid”. Kur erdhi afati për ta përmbushur premtimin, ajo i tha sekretarit të xhematit që ishte e shqetësuar se si do ta jepte kontributin që kishte premtuar dhe se edhe tani nuk kishte asgjë për të dhënë. Por, nuk u dorëzua dhe i tha sekretarit: “Ejani prapë, do ta jap kontributin tim, sepse e kam premtuar”. Ajo i kërkoi borxh një komshiu, që ishte një grua jo-ahmediane, e cila e refuzoi duke thënë: “Nuk ke mundësi të ma kthesh borxhin, sepse je e verbër dhe nuk ke të ardhura”. Zonja në fjalë u shqetësua shumë dhe filloi të lutej. Gjatë kësaj kohe, aty kaloi një njeri i panjohur. E thirri dhe i tha: “Kam një mbulesë, a do ta marrësh për dy mijë leone?” Por, mbulesa ka qenë e shtrenjtë dhe kishte vlerë afërsisht dhjetë mijë leone. Qytetari u habit nga ky pazar dhe e pyeti se përse po e shiste kaq lirë. – “Për të dhënë kontributin tim në Tehrik-e-Xhedid” – , iu përgjigj ajo. Qytetari ia bleu mbulesën me dy mijë leone. Ai ishte zemërmirë. Më vonë, ia ktheu edhe mbulesën duke thënë: “E ke dhuratë nga ana ime”.

Ky, pra, ishte sinqeriteti i një gruaje të verbër, analfabet, që jeton diku në një humbëtirë të Afrikës. Pa dyshim, ky sinqeritet është një dhuratë e Zotit. Do t’ju tregoj edhe disa ngjarje të tjera.

Misionari i Raxhastanit të Indisë shkruan:

Vizitova xhematin tonë në një vend të quajtur Bholabali. Takova një ahmedian, i cili është 65 vjeç dhe është edhe i sëmurë. Nuk ka të ardhura. Shteti i mundëson punë krahu për njëqind ditë në vit. E shoqja mban familjen. Edhe shtëpinë e kanë si kasolle. Kur i thashë se për besimtarët është obliguar të kontribuojnë në rrugën e Zotit, qoftë duke dhënë një qindarkë në mënyrë simbolike, ai më dha plot 1500 rupi si kontribut. I befasuar nga kjo, e pyeta se përse më dha kaq shumë para, ndërkohë që gjendja e tij financiare nuk qe mirë. Madje, i thashë: “Mbaje diçka për vete nga kjo shumë”. Por ai u përlot dhe m’u përgjigj: Këto para i kisha mbledhur për Zotin e Madhërishëm, ndaj, këto i përkasin vetëm Atij, ndërsa ju lutuni për mua që Zoti të më japë shëndet, në mënyrë që herën tjetër të kontribuoj akoma më shumë në rrugën e Zotit.

Dëgjoni edhe një ngjarje të tillë, që rrezaton fort besnikërinë dhe sinqeritetin e ahmedianit. Kjo ngjarje pa dyshim ka për të shkundur të pasurit. Amir sahibi i xhematit të Beninit më shkruan:

I dërgova presidentit të xhematit të Kotono-së listën e premtuesve të kontributit të “Tehrik-e-Xhedid-it”. Ndër tjerë, në të ishte edhe emri i një ahmediani të hershëm. Presidenti i xhematit shkoi tek ai dhe i tërhoqi vëmendjen për kontributin. Të nesërmen ai erdhi në shtëpinë e xhematit dhe i tha presidentit – “A keni parë dikë që nuk ka ngrënë bukë nga një javë? I jam lutur Zotit tërë natën që të më mundësojë të jap kontributin e “Tehrik-e-Xhedidit”, sepse nuk kisha asnjë lekë. Mbase Zoti po më sprovon”. Pasi tha këto fjalë, ai dha një kontribut shumë modest në arkën e “Tehrik-e-Xhedidit dhe tha: – “Kaq kam mundësinë për momentin”. Kushedi se edhe ato lekë i kishte marrë borxh dikujt, sepse nuk kishte as bukë për të ngrënë. Duke parë situatën e tij, unë vetë i dhashë ca para dhe i thashë – “Më mirë mbaji këto për bukë”. Ai i mori, por më ktheu 10 franga CF (monedhë vendi) dhe tha: “Kam për të papaguar edhe kontributin e obligueshëm (Çanda a’am), prandaj, merri këto nga ana ime”.

Ky është sinqeriteti dhe besnikëria e ahmedianëve për të cilët, edhe sot e gjithë ditën përmbushen fjalët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. “nuk kanë rroba të mjaftueshme në trup, por janë shumë të përparuar në sinqeritet”.

Zëvendëssekretari i financës së Kadijanit shkruan:

Në qytetin Kodijatur, ditën e xhumasë u mbajt hytbe për rëndësinë e “Tehrik-e-Xhedidit” dhe u përmendën disa ngjarje të të sinqertëve, sesi ata iu përgjigjën thirrjes së Hazret Kalifit të Dytë r.a. për të bërë sakrifica. Pas faljes së xhumasë, një zonjë që është edhe kryetare e grave ahmediane aty, shkoi në shtëpi dhe u kthye përsëri dhe solli një byzylyk floriri që kishte mjaft peshë dhe tha: – Ky është kontributi im në “Tehrik-e-Xhedid”!

Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, ka plot gra në xhemat, në mbarë botën, që nuk ngurrojnë të japin edhe stolitë e tyre të shtrenjta. Ky shpirt te gratë ahmediane shihet në vende të ndryshme të botës. Realisht, sakrifikimi i një gjëje të shtrenjtë, siç janë stolitë, në botën e sotme, është vetëm karakteristikë e grave ahmediane.

Sekretari i “Tehrik-e-Xhedidit” i Gjermanisë shkruan:

Zhvilluam një seminar rreth “Tehrik-e-Xhedidit” në Hanau. Menjëherë pas mbarimit të seminarit, një zotëri erdhi në zyrë dhe solli stolitë e bashkëshortes së vet dhe tha se, pas seminarit, ishin duke u kthyer për në shtëpi, ndërkohë ai i tha bashkëshortes se kishte dhënë premtimin e tij për “Tehrik-e-Xhedidin” dhe e pyeti nëse edhe ajo kishte bërë të njëjtën gjë apo jo. Ajo i tha se donte të paguante siç porosit Kurani Famëlartë në ajetin “Ju kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë e vërtetë, derisa nuk jepni nga to gjëra që i doni”, andaj, kishte sjellë stolitë që kishte bërë për martesë që t’i jepte si kontribut në arkën e “Tehrik-e-Xhedidit”.

Amir sahibi i Lahorit shkruan:

Një zonjë kishte bërë premtim të madh për “Tehrik-e-Xhedidin”. Ajo ishte e pasur. Megjithatë, kur asaj iu tha të jepte më shumë sesa që kishte premtuar, që xhemati vendas të arrinte objektivin, ajo u çua, shkoi në shtëpi dhe shumë shpejt u kthye me një kuti stolish dhe tha: – “Të gjitha këto kam për t’i dhënë në rrugën e Zotit”. Më pas nxori byzylykët më të rënda që kishte dhe i dha për arkën e “Tehrik-e-Xhedidit”.

Shikoni pra, një grua i përket Jugut të Indisë, vjen nga një komb tjetër, flet një gjuhë tjetër, një grua është nga Pakistani dhe një tjetër nga Gjermania, por shpirtin dhe dëshirën e sakrificës e kanë njësoj. Kjo është njëshmëria e Xhematit dhe ky është standardi i sakrificës që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka krijuar në xhematin e tij. Këto janë bekime të Zotit të Madhërishëm, të cilat Ai u bën ahmedianëve.

(Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, përmendi edhe ngjarje të tjera mbresëlënëse, të cilat mund t’i dëgjoni në videon e postuar.)

Ju njoftoj fillimin e vitit të ri të “Tehrik-e-Xhedidit” dhe me këtë rast do t’ju jap dhe një raport të shkurtër të vitit të kaluar. Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, me datën 31 tetor, u mbyll viti i 81 i arkës “Tehrik-e-Xhedid” dhe kemi hyrë në vitin e 82 të saj. Sipas të dhënave që kam marrë deri më tani, anëtarët e Xhematit në të gjithë botën kanë kontribuar 9.217.800 paundë (britanikë). Elhamdulillah! Në krahasim me vitin e kaluar, xhemati ka kontribuar 747.000 £ më shumë.

Pavarësisht nga situata tejet e brishtë me të cilën po përballen ahmedianët e Pakistanit, ata e kanë ruajtur standardin e tyre të sakrificës. Pra, Pakistani zuri vendin e parë. Pas tij, 10 vendet e tjera me radhë janë:

1) Gjermania (pavarësisht nga sakrificat e tyre të tjera, sidomos të ndërtimit të xhamive)
2) Britania e Madhe
3) ShBA
4) Kanada
5) Australia
6) India
7) Një vend arab
8) Indonezia
9) Një vend arab
10) Gana.

Gana që ka qenë shumë mbrapa, ka përparuar shumë dhe ka zënë vendin e dhjetë, kurse Zvicra që ishte në vendin e dhjetë më përpara, ka kaluar në vendin 11. Si vjet, Gana ka përparuar më së shumti, për sa i përket vlerës në monedhën vendase, kështu që, ahmedianët e Ganës ka kontribuar 60% më shumë sesa vitin e kaluar. Australia është në vendin e dytë, më pas vjen një vend arab, pastaj Kanadaja e të tjera.

Sipas kontributeve për frymë vendet e para kanë zënë dy vende arabe, të cilat i ndoqi Zvicra. Deri vjet, Zvicra ka qenë në vendin e parë, por tani, me bekimin e Zotit të Madhërishëm, ahmedianët e vendeve arabe po përparojnë shumë. Vendin e katërt e mori ShBA. (5) Australia, (6) Britania e Madhe, (7) Gjermania, (8) Norvegjia. Edhe Norvegjia ka bërë përparime. Pastaj, në xhematet e vogla vlen të përmenden Singapuri, Finlanda, Japonia dhe katër vende të Lindjes së Mesme.

Xhematet afrikane që kanë kontribuar shumë janë Gana, Nigeria, Mauritius, Burkina Faso, Tanzania, Gambia dhe Benini.

Unë gjithmonë theksoj të rritni numrin e kontribuuesve. Përfshini të gjithë anëtarët e xhematit, edhe sikur të japin diçka simbolike. Xhemateve u ishin dhënë edhe porosi për të arritur numrin e tyre të caktuar. Kështu që, në vitin që sapo e lamë pas, me bekimin e Zotit të Madhërishëm, numri i anëtarëve që kanë kontribuuar në arkën e “Tehrik-e-Xhedid” ka qenë 1.311.000 dhe ka pasur një rritje prej 100 mijë kontribuuesve.

Australia ka bërë mjaft përparime në këtë drejtim dhe tashmë 94% e anëtarëve të saj kontribuojnë në “Tehrik-e-Xhedidin”. Edhe Kanadaja ka bërë përparime dhe ka sjellë 91%. India gjithashtu ka bërë shumë punë në këtë drejtim, por kam përshtypje, ende nuk ka ardhur raporti i tyre përfundimtar. Le të ma dërgojnë, nëse nuk më kanë dërguar ende. Përveç këtyre vendeve, edhe në vendet afrikane është bërë mjaft punë në këtë drejtim. Mali ka punuar shumë sivjet. Po ashtu, Burkina Faso, Congo-Brazzaville, Guinea Conakry, Cameroon, Ghana, Senegal dhe Afrika e Jugut kanë sjellë më shumë kontribuues në krahasim me vitin e kaluar.

“Gjenarata e parë” e “Tehrik-e-Xhedidit” që quhet “Dafter evuel” ka pasur gjithsej 5927 kontribuues. 85 prej tyre po paguajnë vetë, që janë të gjallë akoma, ndërsa në emër të 5842-ve kanë paguar të afërmit e tyre.

Tri xhematet e para të mëdha të Pakistanit janë:

Lahore, Rabwah dhe Keraçi.

Vlen të përmendim xhematet si: Islamabad, Multan, Quetta, Peshawar, Hyderabad, Mirpur Khas, Dera Ghazi Khan, Bahawalpur, Bahawalnagar dhe Jhang.

10 provincat e para të Pakistanit janë si më poshtë:

Sialkot, Faisalabad, Sargodha, Umerkot, Gujranwala, Gujrat, Toba Tek Singh, Mirpur Azad Kashmir, Okara, Nankana Sahib dhe Sanghar.

10 xhematet e para të Gjermanisë janë:

Noewied, Rodermarg, Florshiem, Koln, Mehdi Abad … dhe Koblenz. Ndërsa 10 zonat e para të Gjermanisë janë: Hamburg, Frankfurt, Grosgrau, Damstad, Wiesbaden, Manheim, Morfelden, Ditsenbach etj.

10 xhematet e para të ShBA-ve janë: Silicon Valley, Detroit, Los Angeles, Seattle, Central Virginia, York dhe Harrisburg.

5 zonat e para të Britanisë së Madhe janë: Londra A, Londra B, Midlands, North East dhe South.

Për nga kontributi për frymë, zonat e mëposhtme të Anglisë kanë përparuar: Islamabad, Midlands, South West, North East dhe Scotland.

10 xhematet e para të Britanisë së Madhe janë: Xhamia Fazl, Raynes Park, Worcester Park, New Malden, Gillingham, Birmingham South, Thornton Heath, Wimbledon Park, Bradford dhe Glasgow.

Ndër xhematet e vogla të Anglisë vlen të përmend: Leamington Spa, Wolverhampton, Spen Valley, Coventry dhe Newcastle.

5 xhematet e Anglisë me vlerë të përmenden: Devon dhe Cornwell, Leamington Spa, Spen Valley, Swansea dhe Wolverhampton.

Xhematet e para të Kanadasë janë: Calgary, Peace Village, Toronto, Vaughan dhe Vancouver.

Për sa i përket mbledhjes së kontributeve në Kanada, vlen për përmendim: Edmonton, Durham, Saskatoon South, Milton, George Town dhe Ottawa West.

10 xhematet e para të Australisë janë: Castle Hill, Melbourne South, Brisbane Logan, Brisbane South, Canberra, Adelaide South, Hampton, Black Town, Mount Druitt dhe Marsden Park.

10 xhematet e para të mëdha të Indisë janë: Karulai, Hyderabad, Calicut, Qadian, Pathapiriyam, Kannur Town, Pangadi, Calcutta, Bangalore, dhe Solo të Tamil Nadu-t.

10 shtetet e para të Indisë ku ahmedianët kanë kontribuuar më shumë janë: Kerala, Tamil Nadu, Karnataka, Andhra Pradesh, Jammu Kashmir, Orissa, Punjab, Bengal, Delhi dhe Maharashtra.

Allahu i Madhërishëm ua shtoftë pamasë pasurinë dhe frymën gjithë kontribuuesve të “Tehrik-e-Xhedidit” dhe i shtoftë akoma më shumë edhe në sinqeritet e besnikëri.

 


[1] Kurani Famëlartë 3:93.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp