Xhelsa Salana e Gjermanisë 2015 : Shprehni dhuntitë e Allahut
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Xhelsa Salana e Gjermanisë 2015 : Shprehni dhuntitë e Allahut

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Mesihu i Premtuar as ka thënë:

“Të dini se njeriu në çdo kohë dhe në çdo situatë duhet t’i mbështetet lutjes, e pastaj të veprojë sipas urdhrit kuranor

وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ

d.m.th. shprehi dhuntitë e Zotit tënd. (ed-Duha 93:12)

Pra, njeriu duhet të shfaqë dhuntitë e Zotit ndaj tij, sepse kjo ia shton dashurinë e Zotit, dhe i ngjall një entuziazëm në besnikëri dhe bindje.”

Ne pothuaj çdo ditë dëshmojmë mirësitë dhe dhuntitë e Allahut, të cilat na tërheqin vëmendje ndaj Zotit dhe na shtojnë dashurinë ndaj Tij. Megjithatë, kur jam në udhëtim, shoh mirësitë e Zotit duke u shfaqur në mbushullim. Allahu i Lartësuar bekon programet tona, dhe kështu mesazhi i Islamit të vërtetë përcillet gjerësisht dhe njerëzve u bën përshtypje mbresëlënëse. Gjatë ditëve të fundit, kam vizituar Gjermaninë, dhe qëllimi kryesor i udhëtimit tim ishte pjesëmarrja në Xhelsa Salanën e Gjermanisë. Megjithatë, Zoti i Lartësuar na mundëson të realizojmë veprimtari me anë të cilave njerëzit marrin mesazhin e vërtetë të Islamit dhe mësimeve të tij. Ashtu sikurse ka nënvizuar Mesihu i Premtuar as se njeriu gjithmonë duhet t’i qëndrojë besnik lutjes dhe me të vërtetë ne kemi të pamundur që të hedhim qoftë një hap të vetëm, pa bërë lutje. Andaj, duhet të jemi të sinqertë dhe plotësisht të përkushtuar në lutjet tona. Mesihu i Premtuar as e ka vënë theksin në shprehjen dhe shfaqjen e këtyre mirësive. Ai thotë se kur Allahu i Lartësuar përmes mëshirës së Tij dhe atributeve të tjera, na bekon me dhunti të shumta, shumë herë më tepër sesa ishim përpjekur dhe ishim lutur, ne detyrohemi të kujtojmë këto dhunti dhe t’i diskutojmë ato. Kjo gjë ua ngjall besimtarëve dashurinë e sinqertë ndaj Allahut, dhe u mbush zemrat me frymëzim me besnikëri dhe nënshtrim, duke shtuar akoma më shumë mirësi dhe dhunti. Dhuntitë e Allahut të cilat na shoqëruan në Xhelsa Salanën e Gjermanisë dhe në aktivitete të tjera, përmes të cilave u përcjell gjerësisht mesazhi i vërtetë i Islamit deri në skajet e këtij vendi, na shtyjnë për t’i kujtuar këto favore dhe mirësi. Xhemati Musliman Ahmedia i Gjermanisë duhet të jetë veçanërisht mirënjohës, dhe duke i shprehur Zotit mirënjohje të thellë, ata duhet t’i nënshtrohen Atij akoma më shumë, që t’u shtohen dhuntitë e Tij.

Njeriu nuk mund të hyjë në zemrën e tjetrit, pa pasur mirësinë dhe dëshirën e Allahut. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, nëse mungon dëshira e Zotit, edhe mesazhi nuk sjell asnjë ndikim. Nganjëherë gojëtarë të flaktë dhe frymëzues nuk e ngjallin atë ndikim, që mund të ketë një fjali e thjeshtë dhe kuptimplotë. Ne e dëshmuam këtë në Xhelsa Salana, dhe e dëgjuam nga mysafirët e huaj në përshtypjet e tyre. Dëshiroj t’i ndaj me ju këto përshtypje në mënyrë të përmbledhur. Me mirësinë e Allahut, mysafirët e shumtë kishin ardhur në Gjermani nga Evropa Lindore si dhe nga vendet fqinje. Shumë prej tyre nuk janë muslimanë apo nuk janë anëtarë të xhematit, dhe vijnë për shkak të raporteve miqësore që ata kanë me anëtarë të xhematit, e pastaj marrin përshtypje aq mbresëlënëse nga shërbëtorët e Imamit të Kohës, që duke bërë bejt, ata bashkohen me këtë xhemat.

Edhe këtë vit, mysafirët nga Maqedonia, Bosnia, Kosova, Mali i Zi, Bulgaria, Shqipëria, Latvia, Rusia, Hungaria, Lituania, Kroacia dhe Sllovenia kishin marrë pjesë në Xhelsa Salana. Përpos këtyre vendeve, anëtarë të rinj dhe mysafirët jo-ahmedianë nga shtete të tjera Evropiane si Belgjika, Holanda, Franca, Suedia, Spanja dhe Italia kishin ardhur në Xhelsa. Po kështu ahmedianët dhe mysafirët jo-ahmedianë që jetojnë në Gjermani dhe janë me origjinë nga Turqia dhe vendet ruse kishin ardhur gjithashtu në numër të konsiderueshëm. Kisha takime me të gjithë ata dhe u përgjigja edhe pyetjeve të tyre. Po parashtroj përshtypjet e disave prej tyre.

Nga Shqipëria kishin mbërritur 16 veta, dhe 2 prej tyre u anëtarësuan duke parë programin e Xhelsës. Ervin Xhepa është anëtar i xhematit, i cili kishte marrë pjesë në xhela, bashkë me bashkëshorten e tij, e cila ende nuk e kishte pranuar xhematin. Këta të dy janë juristë me profesion. Alhamdulilah, duke marrë pjesë në Xhelsa dhe pastaj në takim me mua, ajo gjithashtu pranoi xhematin. Ajo u shpreh se përjetimet e xhelsës ishin të jashtëzakonshme, dhe gjatë xhelsës ajo dëshmoi dashurinë, përulësinë dhe përkushtimin vetëmohues, dhe të gjitha këto i kishin lënë përshtypje të thella. Ajo u shpreh se bashkëshorti im që është jurist me profesion, më kishte treguar mjaft për Xhematin, dhe bukuria e këtij xhemati ishte ngulitur fort në zemrën time, por sot me plot bindje e pranoj Xhematin Musliman Ahmedia. Ajo e prekur nga emocionet, përgjatë gjithë takimit ishte e përlotur. Ajo është shumë e re në moshë, dhe kjo tregon se edhe të rinjtë po interesohen për të njohur realitetin e Islamit.

Po kështu, një i ri Ibrahim Turshilla gjithashtu u shpreh se duke bërë bejt ai pranon Xhematin Musliman Ahmedia. Ai u shpreh se sigurisht jam i vonuar në këtë vendim, por jam ende në kohë. Unë jam plotësisht i bindur se vendimi im është i drejtë.

Një tjetër mysafir ahmedian nga Kosova, Agron Binakaj thotë se kisha ardhur edhe viteve të shkuara, por krahas vitit të kaluar, kam parë një shtrirje të gjerë në përmasa të jashtëzakonshme dhe ndryshime rrënjësore. Me të vërtetë, këto zgjerim dhe ndryshime vijnë përmes mirësisë së Allahut. Këto ndryshime duhet të nxisin administratën për të luajtur rolin e tyre në atë mënyrë që e bënë më mirënjohëse para Allahut.

Delegacioni që erdhi nga Maqedonia përbëhej nga 62 persona dhe 14 prej tyre ishin të besimit të krishterë ndërsa 27 ishin myslimanë jo ahmedianë. Ata kishin mbërritur pas një udhëtimi të gjatë prej dy mijë kilometrash që zgjati afro 36 orësh. Dy gazetarë nga dy kanale televizive ishin gjithashtu pjesëtarë të delegacionit. Ata xhiruan pamje nga Xhelsa dhe intervistuan pjesëmarrësit. Ata premtuan se do të transmetonin këto pamje në televizionin e tyre në formën e reportazhit.

Një mysafir nga Maqedonia u shpreh se ai po kthehej me kujtime të paharrueshme të Xhelsës. Organizimi i xhelsës në përmasa aq të mëdha, është i vështirë të realizohet qoftë edhe nga ndonjë organizatë tjetër. Madje jam i bindur se organizimi aq i suksesshëm i Xhelsës me standarde të tilla, nuk mund të arrihet as nga organet shtetërore.

Një tjetër mysafir nga Maqedonia tha se ishte hera e parë që takova njerëz aq të dëlirë dhe të devotshëm. Ajo që më impresionoi më së shumti, ishte mesazhi i Islamit që gjeta këtu. Motoja juaj, që gjendej andej këtej e varur nëpër mure, nuk është thjesht një slogan, por ju e keni përjetësuar në sjelljen dhe veprat tuaja. Të gjitha këto më kanë lënë përshtypje të thella.

Z. Toni ka qenë gjithashtu mysafir nga Maqedonia. Ai tha se duke qenë gazetar, kam pasur mundësi të marr pjesë në evenimente dhe organizime të ndryshme, por ky program dallohet nga gjithë të tjerat. Çdo gjë ishte organizuar me detaje dhe ishte ekzekutuar me disiplinë. Ajo që bëri më shumë përshtypje ishte fakti se para Zotit të gjithë janë të barabartë. Besimtarët këtu kishin mirëkuptim, tolerancë fetare dhe gjakftohtësi, dhe nuk kam parë asnjë mosmarrëveshje për shkak të fesë, kombësisë apo gjuhës. Duke qenë një jomysliman, këto gjëra më kanë bërë shumë përshtypje.

Po nga Maqedonia, një mysafir u shpreh se ai për herë të parë kishte marrë pjesë në Xhelsa Salana. Çdo gjë ishte e re për të, dhe ai nuk dinte se një xhemat i tillë ekziston në Islam. Ndihem shumë i mirë për sa i përket njohurisë që kam fituar këtu. Kam marrë mjaft informacion rreth xhematit Musliman Ahmedia si dhe kam parë edhe prova. Ndihem sikur jam pjesëtar i këtij xhemati. Pjesëmarrja e një numri aq të madh njerëzish, dhe përkujdesja deri në detaje për nevojat e tyre, është padyshim një arritje madhore.

Pastaj, kur u takua me mua, ky mysafir më premtoi se do të studionte rreth xhematit dhe rreth çështjeve që e dallojnë nga muslimanë të tjerë. Ai kishte shtruar pyetje rreth dallimeve që gjenden midis Xhematit Musliman Ahmedia dhe muslimanëve të tjerë. Pasi që mori përgjigje, ai tha se gjithçka që kam dëgjuar prej jush, më ka lënë përshtypje shumë të mira. Megjithatë, dua t’i shtroj një kërkesë xhematit që të dërgohen misionarë në ato vende, ku ende nuk është themeluar Xhemati, me qëllim që ata të qartësojnë besimet e xhematit. Në fakt këto nuk janë kërkesa të rralla, por unë shpesh marr kësisoj kërkesash.

Z. Dragan nga Maqedonia tha se për të ishte hera e parë që ishte njohur me muslimanët dhe kishte dëgjuar fjalime rreth mësimeve të fesë Islame. Muslimanët këtu na pritën me aq ngrohtësi sikur na njihnin prej kohësh.

Një mysafir nga Bosnia u shpreh se ai nuk ka pasur lidhje të ngushtë me xhematin, por takimi me Kalifin e Xhematit Musliman Ahmedia i kishte ngjallur një ndryshim rrënjësor, dhe respekti ndaj Xhematit dhe veçanërisht ndaj Kalifit të Mesihut të Premtuar as janë shtuar në zemrën e tij.

Një familje ruse kishte ardhur nga Suedia. Një mik i tyre familjar z. Ajtore gjithashtu kishte marrë pjesë familjarisht në Xhelsa Salana. Ata kishin pranuar xhematin në 2013 por akoma nuk ishin takuar me mua. Ai ishte shumë i emocionuar pas takimit, dhe vazhdimisht thoshte se nuk kishte menduar të takohej me Kalifin, për shkak të angazhimit tim, por prapëseprapë u krijua mundësia. Imami ynë nga Suedia ka shkruar se ndërsa vinim, për shkak të dhimbjes në njërën këmbë, ai më kërkonte të bënim pushim pas çdo dy orësh, që ta drejtonte këmbën dhe të shëtiste pak. Por, duke u kthyer, ai udhëtoi shtatëmbëdhjetë orë vazhdimisht, dhe nuk bëri asnjë ndalesë gjatë rrugës. Kur mbërriti në shtëpi, ata e pyetën se përse nuk u ndal asnjëherë gjatë gjithë rrugës? Ai u përgjigj se këto janë bekime të xhelsës. Nuk kam ndier asnjë dhimbje në këmbën time.

Znj. Josipa nga delegacioni kroat u shpreh se para se të vija këtu kisha lexuar librin e Kalifit “Kriza botërore dhe rruga drejt paqes”. Po kështu, kisha studiuar edhe fjalimet e Kalifit të mbajtura në Simpoziumin e Paqes në vitin 2014 dhe 2015 respektivisht. Kisha përshtypje se Udhëheqësi i Xhematit ka qëndrime shumë ekstreme në disa çështje, dhe ai duhet të ishte njeri i vrazhdë dhe i rreptë. Por, pas takimit me Kalifin, i hoqa këto përshtypje, dhe tani kam filluar të studioj më gjerësisht Xhematin Musliman Ahmedia.

Nga Hungaria kishte ardhur Z. Mezei. Ai ka shërbyer në polici në detyra të ndryshme. Aktualisht, ai është lidhur me një fond, që është krijuar në nder të një Ish-kryeministri hungarez, dhe nëpërmjet këtij fondi, bën aktivitete humanitare. Ai është i krishterë nga besimi, dhe shpreh përshtypjet e tij rreth xhelsës në këtë mënyrë: “Të gjithë të vegjlit apo të mëdhenjtë po përshëndeteshin, dhe takoheshin me dashuri dhe dhembshuri. Ndonëse, nuk po kuptoja gjuhën e tyre, por gjestet tregonin se ata po ndanin vetëm dashuri. Unë kam parë gjithë botën, por një gjë të tillë, nuk kam parë as në Lindje e as në Perëndim. Kjo xhelse më ka lënë përshtypje të paharrueshme, dhe sigurisht këtë do të ndaj edhe me miqtë e mi.

Nga Hungaria kishte ardhur Z. Gabor Peter, i cili është hebre. Misionari i Hungarisë shkruan se para se të vinte në Xhelsa, ai ka qenë mjaft i ashpër gjatë diskutimeve rreth fesë Islame dhe hebre. Por, pas takimit me mua, ai i tha se tani kam kuptuar se ju jo vetëm që besoni në sloganin “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”, por ju edhe e zbatoni në jetën e përditshme. Jam i gatshëm për t’i ofruar xhematit çfarëdolloj kontributi që i nevojitet. Pra, këto janë ndryshime reale që shfaqen me lejen e Zotit.

Në grupin nga Hungaria gjendej edhe Z. Ismaili. Me origjinë ai është nga Burkinafaso, por jeton në Hungari. Bashkëshortja e tij është hungareze, dhe ka dy vajza me të. Ai është anëtarësuar në xhemat, vetëm para pak kohësh, dhe tani kishte dëshirë të merrte pjesë në Xhelsa Salana me vajzat e tij. Bashkëshortja e tij, ishte pak skeptike për këtë organizim nga muslimanët, andaj bashkë me vajzat ajo e shoqëroi edhe gjyshen e tyre. Para se vinte këtu, gjyshja e tyre kishte parë disa video, p.sh. “Një komunitet, një udhëheqës”. Të gjitha këto i kishin lënë përshtypje mjaft të këndshme. Para se të mbërrinte në sallën kryesore ku do të mbahej tubimi, asaj iu kujtua se nuk kishte marrë shami me vete. Ajo u kërkoi shaminë grave të tjera dhe e mbuloi kokën. Ajo ishte shumë e emocionuar gjatë takimit dhe më tha se kjo është një botë krejtësisht tjetër, e tashmë të gjitha rezervimet e mia janë larguar.

Z. Sulejman ishte një mysafir nga Gjermania. Ai me origjinë vjen nga Republika Qendrore e Afrikës. Ai u shpreh se kur mora ftesën e Xhelsës, kujtova se do të jetë një mbledhje me pesëdhjetë apo njëqind pjesëmarrës, do të ketë disa kumtesa, diskutime dhe e pastaj ushqime, dhe në fund do të shpërndahen pjesëmarrësit drejt shtëpive të tyre. Por, kur erdha këtu, m’u ndryshua plotësisht mendimi im. Këtu njerëzit ishin në mijëra, dhe jam ende i magjepsur nga përjetimet dhe pamjet e Xhelsës. Gjithçka këtu ishte magjepse, dhe sidomos mënyra juaj e të predikuarit dhe të këshilluarit. Po të ndiqet kjo mënyrë në bisedat tona, vetëm njeriu pafat mund të mbetet i privuar prej tyre.

Z. Ragip Shaptafi sahibi kishte ardhur nga Mali i Zi. Ai tha se kam dëgjuar të gjitha fjalimet dhe kam parë me vëmendje organizimin e xhelsës. Për mua çdo gjë ka qenë mbresëlënëse. Ai gjithashtu shtoi se në Malin e Zi muslimanët në përgjithësi besojnë se Xhemati Musliman Ahmedia nuk e pranon Pejgamberin Muhammed sas, por po të vështrojë dikush nga afër, do të kuptojë lehtësisht se të gjitha këto janë gënjeshtrat absurde, të trilluar prej hoxhallarësh.

Një maroken që jeton në Belgjikë ishte gjithashtu mysafir në këtë xhelse. Ai tha se nuk mund të përshkruante emocionet e tij. Ishte një ndjesi shpirtërore që ai kishte përjetuar deri në thellësinë e shpirtit. Imazhin e vërtetë të Islamit, unë e kam gjetur këtu. Duke parë Kalifin e Kohës, dhe duke dëgjuar fjalët e tyre, kam ndryshuar plotësisht mendimin tim rreth Ahmedijatit. Allahu më mundësoftë ta bëj atë bejt, që më bën shërbëtor të besimit dhe përcjellës të mesazhit të Mesihut të Premtuar as anembanë botës.

Një mysafir gjerman Z. Heko Ferhenkel shkruan se: Për mua ka qenë rasti i parë që u prezantua me Xhematin Musliman Ahmedia. Fjalimet e Kalifit bazohen në të vërtetë, dhe nëse i gjithë njerëzimi fillon t’i zbatojë ato udhëzime, ne mund të arrijmë paqen në botë. Kam mësuar rreth Islamit, më shumë sesa prisja dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Një anëtar i ri Z. Han Li Anfan sahib kishte ardhur nga ishulli Komroz në Francë. Ai është anëtarësuar vetëm para tri javësh. Ai u shpreh se edhe pse isha musliman, nuk kisha arritur kënaqësinë dhe lumturinë shpirtërore, por dje duke falur namazin e xhumasë pas Kalifit të Mesihut të Premtuar, arrita ekstazën shpirtërore. Për të parën herë, sytë m’u përlotën gjatë namazit. Para se të bëhesha musliman ahmedian, isha i rrethuar nga problemet, por qëkur kam pranuar këtë xhemat, Zoti më ka lehtësuar të gjitha çështjet e mia, dhe pothuaj çdo ditë dëshmoj shenjat e Zotit.

Një student Z, Edgros shkruan se para se të vija këtu, me anë të internetit kisha krijuar një imazh mjaft negativ të Islamit përmes medias elektronike, ndërsa duke dëgjuar fjalimet e Kalifit dhe duke ndjekur programet e xhelsës, gjithçka po dukej surreale. Njerëzit ishin mjaft pozitiv në sjelljen e tyre, dhe po dëshmoj se mbartni Islamin e vërtetë. Të tillë janë përshtypjet e mjaft njerëzve.

Një avokat nga Lituania kishte marrë pjesë në Xhelsa. Ai ishte shumë i impresionuar dhe u shpreh se kishte dëgjuar të gjitha fjalimet e Kalifit. Të gjitha këto kanë qenë një përvojë e re për mua. Këtu kam mësuar mësime të vërteta të Islamit. Ju jam mirënjohës, dhe ju premtoj se si avokat do t’ju ndihmoj në të gjitha aktivitetet tuaja në Lituani dhe do t’ju mbështes sinqerisht.

Një mysafir nga Bosnia, lidhur me botëkuptimin e xhematit për një Zot të Gjallë, tha se është vetëm Xhemati Musliman Ahmedia që e deklaron dhe provon këtë se Zoti është i Gjallë edhe sot. Ai gjithashtu tha se Kalifi na ka argumentuar këtë me fjalë shumë të thjeshta dhe kuptimplota.

Një mysafir musliman që jetonte në një vend që gjendet në kufi midis Gjermanisë dhe Belgjikës u shpreh se derisa kam ardhur në Xhelsa, unë nuk e kam marrë seriozisht fenë apo Xhematin. Pjesëmarrja ime në xhelsa, dhe ndjesitë & emocionet e saj, më kanë ndryshuar rrënjësisht. Xhemati që nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje, më dha ditët më të mira të jetës sime, në formën e Xhelsa Salanës. Ai gjithashtu përmendi një ëndërr të gjatë.

Një anëtar i ri gjerman Z. Petrik u shpreh se unë sot jam anëtarësuar në Xhemat. Arsyeja pse e pranova xhematin, është fjalimi i Kalifit drejtuar audiencës gjermane në gjuhën angleze. Unë shoh një dashuri dhe besnikëri të sinqertë në xhematin Musliman Ahmedia ndaj Imamit të tyre. Zemra ime është mbushur me dashuri dhe dritë.

Z. Abdullahu është nga Siria. I ati i tij është ahmedian prej disa vjetësh. Ai ka jetuar në Rusi bashkë të atin, por tani për shkak të shkollimit, është vendosur në Holandë. Ndonëse ka pasur biseda të shumta rreth xhematit, ai ende nuk e kishte bërë bejt. Gjatë pjesëmarrjes në Xhelsa dhe para saj, pothuaj çdo ditë ai debatonte rreth xhematit, rreth vërtetësisë së Mesihut të Premtuar as me misionarin tonë. Kur ai nuk u bind në asnjë mënyrë, misionari i tha se ju duhet të luteni, edhe unë do të lutem për ju. Nëse luteni me sinqeritet, me ngashërim e mallëngjim, me siguri Allahu i Lartësuar do t’ju tregojë rrugën e drejtë. Në ditën e dytë të Xhelsës kisha një fjalim dhe takim me mysafirë joahmedianë. Atë ditë, ky i kërkoi misionarit vetëm një argument nga Kurani për vërtetësinë e Mesihut të Premtuar as. Misionari ynë i dha një argument, dhe shpjegoi disa profeci lidhur me progresin e Xhematit. Ai menjëherë tha se dua të bëj bejt, sepse Allahu i Lartësuar sapo më ka treguar një shenjë. Ai tha se natën ai ishte lutur me shumë ngashërim e përmallim, e pastaj kur ra në gjumë, në ëndërr iu shfaq fjala “Ahmedijat” i gdhendur me germa të mëdha mbi një mur. Ajo fjalë lëshonte një dritë të fuqishme. Ai gjithashtu u shpreh se kur Kalifi mbante fjalim, unë në zemër iu luta Zotit që të shfaqte ndonjë shenjë për mua, e pastaj menjëherë më lindi dëshira të qëndroja afër Kalifit. Nuk kishin kaluar vetëm disa çaste që rashë në dremitje dhe pashë veten duke qëndruar në krah të Kalifit. Kjo më mjaftonte për të kuptuar të vërtetën. Argumentin nga Kurani e kisha kërkuar vetëm për bindjen time, për ndryshe ajo ëndërr që kisha parë pas lutjes, më kishte sqaruar gjithçka. E kështu ai bëri bejt dhe pranoi Xhematin Musliman Ahmedia.

Një mysafir nga Algjeria shkruan se duke marrë pjesë në Xhelsa Salana çdo vit, ndiej një forcë në besimin tim, dhe shoh prova dhe dëshmi të pallogaritshme për mbështetjen e Zotit. Pavarësisht nga dallimet në gjuhë, kulturë dhe kombësi, gjithandej dëgjohen vetëm esselamu alejkum. Kjo më kujton tiparin e banorëve të Xhenetit, për të cilët Zoti ka thënë تحیتھم فیھا سلاما.

Një mysafir i krishterë kishte ardhur në Xhelsa nga Italia. Ai është Sekretar i Përgjithshëm i organizatës Religion for Peace, dhe ka mjaft ndikim në Vatikan. Ai është autor i shumë librave rreth teologjisë katolike. Ai gjithashtu kishte marrë përshtypje mjaft të këndshme, dhe kishte shkruar një artikull në revistën e tij që lexohet nga mijëra persona. Në këtë shkrim, ai u shpreh se më duhet të pranoj se Xhelsa Salana ishte e jashtëzakonshme. Kur shikoje sloganin “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd” në germa të mëdha, menjëherë të lindte pyetja, vallë a janë muslimanë këta? Nuk ka asnjë dyshim se këta janë muslimanë. E gjithë atmosfera e këtij tubimi ishte mbushur me dashuri dhe universalitet. Unë kam parë vetë se mijëra të rinj, të moshuar, fëmijë, gra dhe familje që u përkisnin popujve të ndryshëm, bashkërisht përfaqësonin denjësisht një xhemat të disiplinuar. Fakti që qindra persona shërbenin vullnetarisht pa asnjë pagesë, gjithashtu më bëri shumë përshtypje. Vullnetari që më merrte nga hoteli dhe shoqëronte deri në vendin e xhelsës, më tregoi se kishte marrë leje pa pagë për dy javë nga puna e tij që të shërbente si vullnetar. Më kanë lënë përshtypje të paharrueshme fjalimet e Kalifit, sepse ato udhëzonin për rrugën e drejtë, dhe mësonin vëllazëri, bashkim dhe harmoni të ndërsjellë.

Një mjek nga Siria gjithashtu kishte marrë pjesë në Xhelsa Salana. Ai u shpreh se nuk kisha parë një bashkësi muslimane aq të organizuar dhe të disiplinuar. Ne kemi vështirë të kujdesemi për gjashtë persona, kurse këtu janë mbledhur rreth 40 mijë persona, dhe nuk ka asnjë përplasje, shtyrje apo rrëmujë. Unë e nderoj Kalifin tuaj nga thellësia e zemrës. Unë kam lexuar edhe librin Brahini Ahmedia, dhe pasha Zotin, askush nuk ka shkruar një libër të tillë në mbrojtjen e Islamit në shek. XIX, as në vendet arabe apo jashtë tyre. Allahu ia çeltë zemrën, dhe e mundësoftë të pranojë Xhematin.

Me siguri, Xhelsa Salana u ka lënë njerëzve përshtypje të paharrueshme, dhe unë kam parashtruar vetëm disa prej tyre, edhe ato në mënyrë të përmbledhur. Disa mysafirë kishin vërejtje, që ata më kanë treguar me druajtje. Sigurisht, ata shprehin vlerësimet e tyre, por mysafirëve u vjen zor të bëjnë vërejtje për organizim. Gjatë takimit, ishin dy zonja të tilla, njëra nga Shqipëria, e cila bëri vërejtje se në pjesën e grave, ushqimet pra gjellë dhe bukë në sasi të mëdha po shkonin dëm. Pavarësisht arritjeve të shkëlqyera, administrata e Gjermanisë duhet të bëjë përpjekje veçanërisht duke u tërhequr vëmendje grave që të kujdesen për ushqimin.

Po kështu një mysafire nga Maqedonia ishte ankuar për akomodimin e tyre, se ishte mjaft larg nga vendi ku zhvillohet xhelsa Salana. Çdo ditë u duhej të bënin rrugë të gjatë, që u shkaktonte lodhje. Administrata e Gjermanisë duhet t’u sigurojë mysafirëve akomodim sa më afër.

Po kështu, edhe drejtori i Xhelsa Salanës gjithashtu kishte shënuar disa çështje. Sigurisht, përmirësimi vjen kur ne ushtrojmë vetëkontroll. Një çështje ishte hedhja e mbeturinave nga pjesëmarrësit. Njerëzit duhet të kujdesen për të, ndërsa administrata madje çdo pjesëmarrës duhet t’u tërheq vëmendje të tjerëve për higjienë. Disa pjesëmarrës kishin vërejtje për ushqimin. Në fakt, ushqimi kryesor në Xhelsa Salana është ai shpirtëror, që duhet të synojnë ahmedianët. Ata nuk duhet të bëjnë vërejtje lidhur me ushqimin, dhe të shprehin mirënjohje për gjithçka që u shtrohet dhe servilet.

Ka raste që disa përgjegjës tregohen të ashpër në disa çështje, gjë që i shqetëson të tjerët. Kështu që, nëse dikush është nevojtar, dhe nevoja e tij është e drejtë, atëherë duhet bërë përpjekje për t’ia plotësuar nevojë qoftë jashtë rregullores. Vullnetarët gjithmonë duhet të sillen me butësi dhe mirësjellje.

Pra në përgjithësi, organizimi i xhelsës kësaj here ka qenë mjaft i suksesshëm. Drejtor i Xhelsa Salanës dhe ekipi i tij kanë punuar shkëlqyeshëm në krahasim me vite të kaluara. Ju duhet të jeni të vëmendshëm ndaj disa mangësive të vogla, që sigurisht mbeten në organizime të këtyre përmasave. Insha,Allah edhe në të ardhmen do të kemi përmirësime të mëtejshme. Allahu i shpërbleftë të gjithë vullnetarët, të cilët kanë punuar me përkushtim të plotë. Ndonëse, numri i mysafirëve ishte më i madh sesa pritej, të gjithëve u siguruan shtretërit. Natën e parë, ka pasur pak vështirësi, kurse ditën tjetër kjo çështje u zgjidh mjaft mirë. Problemet e viteve të kaluara lidhur me sistemin e zërit, ishin rregulluar. Unë i falënderoj të gjithë vullnetarët. Faleminderit.

Përveç kësaj gjatë xhelsës, u përuruan edhe disa xhami. Dua të diskutoj edhe këtë përmbledhtas. U përurua një xhami në Achen. Një banor i Achenit që mori pjesë në këtë ceremoni, u shpreh se kishte dëgjuar Kalifin para dy-tre vjetësh në Parlamentin Evropian. Sot kisha ardhur veçanërisht që të bëja përqasje dhe krahasime, se Kalifi juaj flet për paqen vetëm kur gjendet në platforma të mëdha dhe u drejtohet personaliteteve të shquara, apo edhe në evenimente të vogla ku pjesëmarrësit janë njerëz të zakonshëm. Pra, kisha ardhur për të parë se a mos veproni me dyfytyrësi. Sot kam dëgjuar fjalimin e Kalifit, dhe mësimet dhe këshillat e tij ishin të njëjta që ai parashtroi në Parlamentin Evropian. Ai ka udhëzuar për të shfaqur dashuri, tolerancë, durim e vetëpërmbajtje dhe mirësi për njëri-tjetrin. Të gjitha këto më kanë lënë përshtypje mjaft pozitive. Aty gjendej edhe kryebashkiaku i qytetit i cili gjithashtu shprehu përshtypje të tij.

Në shtetin Hessen, në Hanau u përurua Xhamia Bejtul Uahid. Komisionari i krahinës, njëherazi deputeti i parlamentit federal shprehu përshtypje të tij. Ai tha se fjalimi i Kalifit ishte mbresëlënës. Ai u drejtua qytetarëve jomuslmanë dhe tregoi se të gjithë njerëzit janë krijesë të një Zoti, andaj duhet të përpjekje për të respektuar dinjitetin e njëri-tjetrit, dhe të zgjedhin problemet e tyre në mënyra paqësore. Ai gjithashtu kërkoi që ky fjalim duhet të ngarkohet në Internet ndërsa transkriptim i fjalimit të shtohet në uebfaqe.

Një deputete e parlamentit gjerman u shpreh se jam shumë e lumtur që gjendjem në përurimin e kësaj xhamie. Përpara kam qenë e pranishme edhe në përurimin e xhamisë në Pforzheim. Sot, kur njerëzit kanë mjaft pikëpyetje dhe rezervime rreth Islamit, kemi nevojë të bashkëpunojmë me mesazhin e paqes. Ndërtimi i xhamisë është argument i qartë se ne duam të bashkëjetojmë me paqe, harmoni, dashuri dhe vëllazëri, dhe kjo xhami është dëshmi se ky është atdheu i ahmedianëve.

Po kështu janë mjaft përshtypje të tjera. Një mysafir tha se e kishte shumë të vështirë të krijonte një mendim të mirë për Islamin, por duke dëgjuar rreth Islamit nga Kalifi, më duket Islami është feja e paqes dhe mëshirës, dhe ky botëkuptim i Islamit përputhet plotësisht edhe me Kuranin.

Një inxhinier, i cili kishte marrë pjesë në ndërtimin e xhamisë, u shpreh se jam plotësisht dakord me të gjitha fjalët e Kalifit. Kisha menduar se kjo ceremoni do t’i përngjajë ceremonisë së kishave, ku mbizotëron shkëlqimi dhe shfaqja e jashtme, ndërsa kjo ishte një ceremoni e thjeshtë por mjaft dinjitoze.

Media elektronike gjithashtu mbuloi mjaft mirë programet tona. Në total, u botuan 88 lajme në gazeta të ndryshme, ndërsa u transmetuan lajme në 8 kanale radioje dhe 4 kanale televizive. Nëpërmjet radios dhe televizionit, mesazhi i xhematit u përcjell te 106 apo 107 milion njerëz. Janë botuar afërsisht 36 lajme lidhur me Xhelsa Salana, ndërsa këto gazeta kanë tirazh afro 32 milionë kopje. Tre kanale radioje, që janë mjaft të njohura, dhanë lajme rreth xhelsës, po kështu 4 kanale televizive transmetuan lajme lidhur me programin e Xhelsës. Një gazetare nga gazeta më e madhe elektronike e Gjermanisë më intervistoi. Pritet që kjo intervistë të transmetohet në dy pjesë. Ky portal shikohet nga rreth 17.5 milion njerëz. Pra, kur do të botohet në dy pjesë, do të lexohet nga 34 milion njerëz.

Pastaj janë afërsisht pesëdhjetë lajme lidhur me përurimin e xhamive. Këto gazeta kanë një tirazh prej 62 milion kopjesh. Dy kanale radioje transmetuan lajme rreth xhamisë Bejtul Uahid në Hanao. Po kështu, kanali i njohur gjerman RTL më intervistoi në përurimin e xhamisë, dhe po atë ditë transmetoi një lajmë që zgjati 2 minuta e 30 sekonda.

Lajmi për xhaminë e Achenit u botua në tri gazeta. Këto gazeta lokale lexohen nga 116 mijë njerëz. Pastaj kishim ceremoninë e gurthemelit të një xhamie. Ky lajm u botua në gazeta lokale me një tirazh prej 6 milionë kopjesh.

Pastaj kishim përurimin e xhamisë në Festa. Gezetat botuan 4 lajme dhe ato lexohen nga 260 mijë njerëz. Një prej këtyre gazetave botoi edhe intervistën time. Kjo gazetë e përjavshme lexohet nga 1.5 milion njerëz, dhe që prej 1946 botohet çdo të enjte. Numri i kopjeve që shiten janë afërsisht 500 mijë. Ndërsa edicioni online shfletohet nga 5 milion njerëz. Gazetari që mori në intervistë është një ahmedian. Alhamdulilah, tani muslimanët ahmedianë kanë hyrë edhe në media, dhe mesazhi i vërtetë i Islamit po përcillet edhe në këtë mënyrë. Allahu ia shtoftë dijen dhe njohurinë dhe e bekoftë.

Kështu që Xhelsa Salana jo vetëm që u bë mjet për ngritjen tonë morale dhe shpirtërore, gjë u shpreh gjerësisht nga burra e gra në vende të ndryshme të botës, por u bë platformë edhe për t’u përcjellë jomyslimanëve mesazhin e vërtetë të Islamit. Disa persona pranuan xhematin. Mjaft persona që sipas organizatorëve ende nuk ishin të gatshëm për të pranuar xhematin, pas takimit tim dhe vetëm pas disa pyetjeve shprehën dëshirë për të pranuar xhematin. Pra, është e pamundur për njeriun që t’i shprehë mirënjohje dhe mirësi Zotit. Allahu u mundësoftë edhe xhematëve që të kujdesen për të ruajtur këto bekime e favore, dhe të integrojnë mirë anëtarësime të reja. Allahu i zgjeroftë bekimet e xhelsës. Allahu u mundësoftë të gjithë pjesëmarrësve të përfitojnë përjetësisht nga bekimet e xhelsës dhe u bëftë të gjithëve mirënjohës të sinqertë. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp