Bekimet e Allahut: vizita në Gjermani
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Bekimet e Allahut: vizita në Gjermani

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Mesihu i Premtuar a.s., në një vjershë të tij thotë:

Si të të falënderoj o Mirëbërës
Ku të gjej fjalë, që të bëj këtë gjë

Është e pamundur të falënderojmë Allahun e Madhërishëm për bekimet dhe favoret e Tij. Çdo udhëtim që bëj, sjell një mori bekimesh dhe favoresh të Zotit. Ditët e fundit u zhvillua Xhalsa Salana e Gjermanisë dhe unë mora pjesë në të. Përveç Xhalsasë, aty kemi parë shumë bekime dhe favore të Zotit të Lartësuar, aq sa besimi ynë forcohet gjithnjë e më shumë se premtimet që Zoti i bëri Mesihut të Premtuar a.s. po përmbushen çdo ditë në një formë të re. Amir sahibi i Xhematit të Gjermanisë më tha që gjithçka që kemi parë është përtej imagjinatës së tij dhe të kolegëve të tij. Shtetasit gjermanë dhe media gjermane ka treguar një interes të madh në Xhemat sivjet, të cilin nuk e kishim parë në vitet e kaluara. Atje u zhvilluan ceremonitë e përurimit të xhamive, në të cilat, banorët vendas, autoritarët shtetërorë, shtresa e intelektualëve, madje edhe përfaqësuesit e kishave të ndryshme kanë treguar një interes shumë më të madh sesa vitet e kaluara. Pastaj, vijoi Xhalsa Salana. Edhe në të kemi dëshmuar bekimet e mëdha të Zotit të Lartësuar më shumë se përpara. Realisht, mendja njerëzore nuk mund ta kufizojë bekimdhënien e Zotit. Edhe pse Xhemati vendas dhe organizatorët prisnin se do të kishin përmirësime në Xhalsa këtë vit dhe se prisnin një numër më të madh njerëzish, por nuk dinin se Zoti i Madhërishëm do ta bekonte Xhematin përtej pritshmërisë të tyre.

Sot, siç e kam praktikë, së pari do të flas shkurtimisht rreth bekimeve të Zotit, duke treguar zhvillimet e turneut tim, së dyti, dua të falënderoj edhe vullnetarët e Xhalsasë. Po ashtu do të hedh dritë pak edhe mbi çështjet e organizimit. Ky turne ka qenë shumë i shkurtër, gjithsej për dhjetë ditë dhe ndërkohë, ishte organizuar vënia e gurthemelit të dy xhamive dhe përurimi i dy xhamive që kishin mbaruar së ndërtuari. Me bekimin e Allahut, këto ceremoni u zhvilluan me mjaft sukses. Gjetëm mundësi për të përhapur mesazhin e Islamit, për të larguar rezervat që banorët vendas kishin ndaj xhamive.

U vu gurthemeli i xhamisë së Morfelden-it, e cila u quajt xhamia Subhan. U përurua një xhami tjetër në Flors’heim, që quhet xhamia Bejtul Ata (Shtëpia e Dhuruesit), e cila është blerë si një ndërtesë e gatshme dhe që më vonë me përpjekjet e anëtarëve të Xhematit u shndërrua në xhami. Me bekimin e Zotit të Lartësuar anëtarët e Xhematit kanë kushtuar shtatë mijë orë kohë duke bërë aksione vullnetare për ta shndërruar atë në xhami. Pastaj, u përurua edhe një xhami tjetër që quhet xhamia Bejtur Rahim (Shtëpia e Mëshirëplotit) në Neuweid, po ashtu, u vu gurthemeli i një xhamie të katërt që u quajt xhamia Bejtul Hamid (Shtëpia e Lavdishmit), e cila ndodhet në Fulda të Gjermanisë.

Në të gjitha këto ceremoni ishin ftuar miq të ndryshëm ndër të cilët ishin edhe kryebashkiakë, oficerë, politikanë, liderë fetarë që kishin ardhur nga vende të ndryshme.

Në përurimin e xhamisë Bejtul Ata, kishte marrë pjesë Sekretari i Shtetit federal Hesse, i cili në fjalën e tij e uroi Xhematin për përurimin e xhamisë. Ai gjithashtu tha se kishte marrë pjesë edhe në përurimin e fakultetit të teologjisë së Xhematit të Gjermanisë, që ishte zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar, po ashtu përmendi edhe përurimin e xhamisë Nur. Duke folur për virtytet e ahmedianëve, ai gjithashtu preku mësimet e Xhematit, të Islamit dhe tha që respekton jashtëzakonisht shumë Xhematin tonë dhe e falënderon për bashkëpunimin me të. Ai tha: Unë gjithashtu ju falënderoj për organizimin e programeve të tilla, falë të cilave njerëzit kuptuan realitetin e bukur të fesë Islame, një realitet që ju keni treguar me veprat tuaja duke bërë ecje për bamirësi (Charity Walk), pastrimin e rrugëve, edukimin e fëmijëve, aksionet vullnetare etj,.

Ka plot komente të tilla që bënë personalitete të ndryshme, ndërsa, unë kam zgjedhur vetëm disa prej tyre. Në përurimin e xhamisë Bejtul Ata, kishin marrë pjesë afërsisht 270 miq gjermanë, ndër të cilët ishin katër kryebashkiakë të rretheve të ndryshme, një sekretar i shtetit federal, zëvendëskryetari i një partie politike, deputetë të Parlamentit kombëtar, priftërinj ose përfaqësues të tyre, shefi i policisë, përfaqësues të bashkisë së qytetit,intelektualë dhe njerëz të tjerë me profesione të ndryshme.

Kurse në ceremoninë e vënies së gurthemelit të xhamisë Bejtul Hamid, kishte marrë pjesë konsulli i parë i qytetit, i cili në fjalën e tij tha:

Xhemati Musliman Ahmedia, me praninë e tij prej shumë dekadash në qytetin Fulda, është bërë edhe pjesë e historisë së këtij qytetit. Unë personalisht i njoh mirë veprimtaritë tuaja konstruktive që bëni për shoqërinë tonë. Përveç kësaj, angazhimi juaj për ndërtimin e një xhamie në këtë qytet, është një dëshmi tjetër që ju jeni të lidhur me çështjet e këtij qytetit… Kemi një shprehje në gjuhën tonë: njeriu vlerësohet me vepra, sesa me fjalë. Ne kemi dëshmuar prej jush jo vetëm fjalë të mira, por edhe vepra shumë të mira. Mund të themi në mënyrë kategorike që Xhemati Ahmedia jo vetëm pranon ligjet e këtij vendi, por edhe i respekton ato…

Një mysafir vendas që është në moshën 81 vjeçare, pasi dëgjoi fjalimin tim, u shpreh:

Fjalët për përparimin e Islamit që Kalifi juaj ka treguar, mbase unë nuk do t’i shoh në jetën time, por ju do të shikoni që bota do ta pranojë mesazhin e themeluesit të Xhematit tuaj, për të cilin kam lexuar edhe në internet. Jam i bindur që Islami i vërtetë do të përhapet prej tij.

Zotëria kishte ardhur përsëri ditën tjetër në qendrën e Xhematit dhe tha se ka kuptuar nga zemra vërtetësinë e fesë sonë dhe i kërkoi Xhematit t’ia mësonte namazin, sepse donte t’i lutej Zotit.

Në fund të programit, kryetari i bashkisë së rrethit erdhi te presidenti i Xhematit të atij vendi dhe i tha:

Kemi dëshirë që Imami juaj të vizitojë zyrat e bashkisë sonë. Ne e kemi ndjekur fjalimin e tij, të cilin, shumë nga politikanët e kanë vlerësuar si një fjalim të ndritur duke thënë se ka lënë mbresë në zemrat e tyre.

Presidenti i Xhematit tonë të atij vendi më tha që pas programit të Xhematit, vazhdimisht po vijnë njerëz për ta vizituar xhaminë. Në çdo vend ku ndërtojmë xhami, hapen rrugë të reja të përhapjes së Xhematit. Presidenti i Xhematit më tha se brenda dy ditësh e kishin vizituar xhaminë e re më shumë se 500 njerëz dhe shumica prej tyre ishin të interesuar për të ditur mësimet e Islamit. Madje, thotë, disa njerëz shprehnin kaq shumë dashuri saqë dukeshin sikur të ishin anëtarë të Xhematit, e jo njerëz të huaj.

Një grua, duke treguar përshtypjet e saj, shkruan:

Jam shumë e gëzuar duke parë Imamin tuaj dhe duke dëgjuar fjalimin e tij. Ai tregon tolerancë të madhe edhe ndaj fesë së krishtere. Shpesh kam dëgjuar thirrjen tuaj: dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd. Realisht, ka shumë gjëra që na bashkojnë, e jo që na ndajnë. Kur njeriu mendon thellë rreth feve të ndryshme, kupton që më shumë ka gjëra të përbashkëta sesa kundërshtime.

Më bëri shumë përshtypje që këtu vazhdimisht përdoren fjalë si dashuria dhe dashamirësia. Unë vetë jam një protestant aktiv dhe edhe për ne fjala dashuri është shumë e rëndësishme, por nuk më kujtohet që ta kem dëgjuar këtë fjalë kaq shumë herë në kishë. Kjo më bëri mjaft përshtypje. Nuk e dija shumë për Xhematin Musliman Ahmedia, por tek ju kam gjetur vetëm dashuri, që nuk gjendet gjithkund. Nuk kam nevojë ta fsheh këtë gjë, pasi të gjithë e dinë, se njerëzit në Gjermani kanë shumë rezerva ndaj fesë Islame, sepse edhe media kështu e ka paraqitur. Shumica prej tyre nuk njohin personalisht muslimanët. Mendoj që njerëzit mund ta kuptojnë realitetin e të tjerëve vetëm duke i njohur personalisht.

Përveç kësaj, atje më intervistuan përfaqësues të televizioneve dhe të gazetave të ndryshme. Kryesisht ata më pyetën rreth mësimeve të vërteta të fesë Islame, rreth nevojës së ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s., rreth nevojës së ndërtimit të xhamive dhe rolit të tyre. Në këtë mënyrë, gjithsej tridhjetë gazeta, tri radio dhe pesë televizione kanë mbuluar programin tonë. Është hera e parë në historinë e Xhematit të Gjermanisë që lajmi i tij është dhënë edhe në televizionin kombëtar. Kanale të tjera të Gjermanisë si ZDF kanë mbuluar ceremoninë e vënies së gurthemelit të xhamisë në Fulda dhe më datën 27 qershor e ka dhënë këtë lajm për rreth tre minuta.

Nëpërmjet medias së shtypit, mesazhi i Xhematit mendohet të ketë arritur deri te 1.2 milion njerëz. Dhe siç ju tregova, nëpërmjet televizionit kombëtar mesazhi i Xhematit bashkë me fotografinë time është përhapur anembanë Gjermanisë. Televizioni SAT3 international, i cili është një televizion që shihet në Gjermani, Austri e Zvicër, ka dhënë lajmin e Xhalsa Salanës. Pra, përmes këtij kanali televiziv, në tri shtete është përhapur mesazhi i Xhematit, dhe këtë, të paktën Xhemati i Gjermanisë as nuk e imagjinon dot të ndodhte.

Gjatë përurimit të xhamisë Bejtul Ata, e cila, siç e tregova ka qenë një ndërtesë, saktësisht një market, të cilin Xhemati e ka blerë dhe anëtarët e Xhematit e kthyen në xhami. Duke cituar fjalimin tim, gazeta Main Spitze shkruan:

Kalifi i Mesihut të Premtuar në fjalën e tij tha që në këtë vend, kur ky ka qenë një market, gjithçka blihej me para dhe çdo gjë ishte materiale, kurse tani që është bërë xhami gjithçka do të jetë falas dhe çdo gjë është shpirtërore.

Kjo ishte një pjesë e lajmit që dha gazeta Main Spitze. Përveç kësaj, gazeta në fjalë ka përmendur edhe sistemin e kontributeve në Xhemat.

Në Gjermani, Xhematit Musliman Ahmedia i është dhënë edhe statusi që Xhemati mund të hapë shkolla të tij, gjithashtu mund të bëjë edhe programe të tjera. Madje, ashtu si Kisha, edhe Xhemati mund të mbledhë një taks prej njerëzve. Duke iu referuar kësaj, në fjalimin tim thashë që anëtarët e Xhematit japin kontribute dhe i japin me gëzim. Edhe kjo xhami është bërë me sakrificat e Xhematit, andaj, ne nuk duam të mbledhim asnjë taks, as nuk duam ndonjë ndihmë nga shteti. Askush të mos detyrojë njerëzit për të paguar një taks për këtë çështje. Ahmedianët tanë, me bekimin e Allahut të Lartësuar vetë bëjnë sakrifica për Xhematin, për ndërtimin e xhamive, për të fituar pëlqimin e Allahut të Madhërishëm.

Një mysafir thotë:

Dashurinë që kanë ahmedianët ndaj Kalifit të tyre, shembullin e saj nuk mund të gjejmë në lidhjet e kësaj bote. Habitesh kur i shikon se me çfarë dashurie ata presin Kalifin e tyre, kur ai kalon pranë tyre.

Pra, edhe të tjerët e shohin me vëmendje lidhjen e Kalifatit me Xhematin. Shumë nga mysafirët e huaj, e përmendën këtë fakt. Shumica e komenteve janë të ngjashme, pra ndjenjat dhe përshtypjet e tyre janë të njëjta dhe prandaj, nuk po i përmend ato.

Gazetat sidomos më cituan duke thënë se Kalifi i Xhematit thotë se mësimi i Islamit është që të respektohet çdo fe dhe kjo xhami do ta përmbushë këtë mësim. Këtë lajm e kanë theksuar shumica e gazetave, duke dhënë dhjetëra foto të xhamisë së Xhematit në webfaqet e tyre.

Këto ishin disa të dhëna për sa i përket përhapjes së mesazhit të Xhematit përmes xhamive. Pastaj vijoi edhe Xhalsa Salana (Tubimi vjetor) i Xhematit të Gjermanisë, në të cilin kishin marrë pjesë ahmedianë të rinj dhe njerëz të tjerë që akoma nuk janë bërë ahmedianë nga Malta, Estonia, Islanda, Lituania, Hungaria, Latvia, Rusia, Taxhekistani, Kirgistani, Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia. Në këto delegacione ishin edhe jomuslimanë, edhe dashamirës dhe edhe anëtarë të Xhematit Musliman Ahmedia. Nga Bullgaria kishte ardhur një delegacion i madh që përbëhej prej 80 vetash. Nga Maqedonia kishin ardhur 53 veta, ndër të cilët 15 ishin të krishterë, 10 musliman joahmedianë, ndërsa 22 ahmedianë. Këta kishin ardhur me autobus duke bërë mijëra kilometra rrugë. Çdokush prej tyre pohonte se ishte thellësisht i prekur nga atmosfera shpirtërore e Xhalsasë. Ahmedianët padyshim që haptas thoshin se Xhalsa u kishte ndryshuar jetën, ndërsa të huajt thoshin se kurrë nuk kishin parë pamje të tilla ngrohtësie.

Me bekimin e Allahut, Xhalsa Salana e Gjermanisë, tashmë është bërë si një Xhalsa qendrore për vendet e Europës Lindore dhe për ato vende, nga të cilat njerëzit lirisht mund të vijnë në Gjermani. Në këtë mënyrë po zgjerohen gjithnjë e më shumë rrugët e përhapjes së Xhematit. Si çdoherë, në përgjithësi edhe këtë vit, njerëzit kanë shprehur habinë e tyre sesi vullnetarët nga fëmijët e vegjël që u shërbejnë mysafirëve me ujë, e deri tek të moshuarit që kujdesen për rehatinë e tyre dhe e gjithë kjo me një disiplinë spektakolare. Shpesh njerëzve u bën përshtypje kjo pamje, gjë që ata e tregojnë haptas. Madje, disa prej tyre thanë se kjo është vetëm një mrekulli.

Ka qenë një mysafire e krishterë nga Maqedonia, e cila është profesore e gjuhës anleze. Duke treguar përshtypjet e saj, ajo tha:

Kam ardhur për herë të parë në Xhalsa. Pashë që çdo gjë po funksionon me një sistem dhe disiplinë. Nga fëmijët e vegjël deri te njerëzit e moshuar, të gjithë janë duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe kjo më bën të kuptoj që Xhemati juaj gjendet në një pozitë shumë të lartë. Vetëm duke dëgjuar fjalimet e Kalifit të Xhematit, kuptova se çfarë është Islami në të vërtetë dhe kuptova që Islami do të thotë dashuri, respekt dhe paqe për të gjithë. Xhalsa Salana na ka ndryshuar thellësisht dhe këtë ndryshim po e ndiem.

Pra, Xhalsa Salana bën efekt jo vetëm mbi ahmedianët, por me bekimin e Zotit, edhe mbi të krishterët.

Një tjetër mysafir nga Maqedonia ka qenë një mjek, Dr. Orhani, i cili kishte ardhur bashkë me delegacionin. Ai thotë:

Me profesion jam doktor dhe u kam shërbyer të plagosurve gjatë tri luftërave të fundit që ndodhën në Ballkan. U kam shërbyer pa bërë dallim race apo kombi. Edhe në këtë Xhalsa kam parë njerëz me raca të ndryshme, që nuk bënin asnjë dallim midis tyre. Kur dëgjova fjalimet e Kalifit, u binda që kam ardhur në vendin e duhur dhe që unë duhet ta pranoj këtë ndryshim dhe përfundimisht vendosa të bëja bejtin për t’u bërë pjesë e këtij Xhemati.

Në ditën e fundit të Xhalsasë, zotëria e pranoi Xhematin Musliman Ahmedia. Ai vijon:

Kam qenë edhe në Haxh. Në ato vende kam parë një politikë që ishte kundër Islamit. Kam parë që fjalët dhe veprat e tyre nuk përputheshin. Nuk mund të më qetësohej zemra me ta. Kurse reformën që po bën Xhemati kjo është e duhura. Xhemati nuk përjashton askënd nga Islami, madje e forcon akoma më shumë në besim. Tashmë e kam pranuar Ahmediatin dhe kjo është rruga e drejtë për mua. Për mua ishte befasuese që edhe pse janë mbledhur një mori njerëzish, por nuk shihej asnjë polic. Kjo dëshmon që edhe shteti është i bindur që këta njerëz nuk mund të bëjnë ndonjë dëm… Disa gjëra që ka spikatur Kalifi i kohës, nuk i kam dëgjuar prej ndonjë hoxhe tjetër. E gjithë kjo ishte kaq e qartë për mua, saqë tani jam krenar që jam pjesë e një Xhemati që ka një kalif. Kur mora mesazhin që ekziston Kalifati, e kuptova që kjo është rruga ime, sepse ne kemi nevojë për udhëzim prej një kalifi.

Një tjetër djalë, po nga Maqedonia kishte marrë pjesë, që quhet Bajram, i cili tregoi që vetëm para pak muajsh e kishte pranuar Xhematin Ahmedia. Edhe më përpara ka qenë musliman, madje i përket një familjeje fanatike. Ai tha që pasi e kishte pranuar Xhematin, u përball me një kundërshtim të ashpër që ushtrohej nga gjyshi i tij që ishte edhe hoxhë. Ai u detyrua të largohej nga shtëpia për gjashtë muaj me radhë, megjithatë, u tregua i qëndrueshëm në besimin e tij. Në Xhalsa kishte ardhur me bashkëshorten, e cila gjithashtu e pranoi Xhematin duke parë Xhalsanë. Gjatë takimit ai më kërkoi leje të këndonte një ilahi në gjuhën maqedonase, të cilën e kishin shkruar disa prej mysafirëve të Maqedonisë. I thashë: “Me kënaqësi”. Bashkë me një kor, ai e këndoi me aq melodi, saqë krijoi një atmosferë drithëruese. Shpresoj që kanali MTA do ta japë këtë program, inshallah. Edhe zërin e kishte shumë të ëmbël, edhe ai, edhe fëmijët që ishin në kor, dhe mbi të gjithë, ata e lëvdonin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe tregonin mesazhin e ardhjes së Imam Mehdiut në ilahinë e tyre. Më thanë se ata u kishin kërkuar edhe organizatorëve ta këndonin gjatë Xhalsasë, por nuk iu është dhënë leja. Këtu dua t’u them organizatorëve të Xhalsasë së Gjermanisë që nëse ka njerëz që dëshirojnë të këndojnë ilahi në gjuhën e tyre, le t’i lejojnë. Në Xhalsa, ngaqë pjesëmarrësit janë të kombeve të ndryshme dhe flasin gjuhë të ndryshme, atëherë edhe ilahitë duhen kënduar në gjuhë të ndryshme. Edhe nga salla e grave, më erdhën ankesa që recituesve në gjuhën gjermane u ishte dhënë shumë pak kohë për të kënduar. Më shumë ishin recituar në gjuhën urdu. Ju duhet të keni parasysh edhe ndjenjat e tyre.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp