Nënshtrohuni Allahut dhe kërkojini mbrojtje
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Nënshtrohuni Allahut dhe kërkojini mbrojtje

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

وَقَالُوۡا لَنۡ یَّدْخُلَ الْجَنَّۃَ اِلَّا مَنۡ کَانَ ہُوۡدًا اَوْ نَصٰرٰی ؕ تِلْکَ اَمَانِیُّہُمْ ؕ قُلْ ہَاتُوۡا بُرْہَانَكُمْ  اِنۡ كُنۡتُمْ صٰدِقِیۡنَ  .بَلٰی ٭  مَنْ اَسْلَمَ وَجْہَہٗ  لِلہِ وَہُوَ مُحْسِنٌ فَلَہٗۤ اَجْرُہٗ عِنۡدَ رَبِّہٖ ۪ وَلَا خَوْفٌ عَلَیۡہِمْ وَلَا ہُمْ یَحْزَنُوۡنَ

Përkthimi i këtyre ajeteve është:

Ata thonë se askush, në asnjë mënyrë nuk do të hyjë në xhenet, përveç atij që është hebre apo i krishterë. Këto janë thjesht mendimet e tyre. Thuaju: Na sillni argumentin tuaj, nëse jeni duke thënë të vërtetën. Dëgjoni! E vërteta është që çdokush që i nënshtrohet Zotit dhe bën mirësi, shpërblimi i tij është i sigurt te Zoti i tij. Njerëzit e tillë as nuk do të kenë frikë, as nuk do të pikëllohen.

(Kurani i Madhërishëm 2:112-113)

Ditët e fundit, dikush më shkroi që qeveria e re e cila ka ardhur në Pakistan, do të bëjë të njëjtat gjëra me ahmedianët sikur kanë bërë qeveritë e kaluara, madje përmendi edhe emrin e një ministri, duke thënë se ai s’ka qenë i mirë ndaj ahmedianëve në të kaluarën, dhe duket sikur prapë do t’u vështirësohen gjërat ahmedianëve. Shkruesi ishte mjaft i shqetësuar në letrën e tij. Në fakt, Zoti e di më mirë se çfarë do të ndodhë, por një gjë është e qartë: derisa ekziston një ligj i tillë në Pakistan kundër ahmedianëve, i cili shkakton vetëm mizori, atëherë qoftë kjo qeveri apo ndonjë tjetër, nuk do të ketë ndonjë ndikim. Ajo që duhet të mendojmë është për një zgjidhje të përhershme për ahmedianët e Pakistanit. Edhe ahmedianët pakistanezë duhet të luten shumë për këtë gjë. Pastaj, po të kishim ndonjë interes nga qeveritë e kësaj bote, patjetër do ta kishim edhe këtë shqetësim, por ne mbështetemi vetëm tek Allahu i Lartësuar dhe padyshim që mbështetemi tek Ai, atëherë nuk ka nevojë të kemi shqetësime të tilla, që ka ardhur filan qeveria që do t’i sjellë dëm Xhematit. Po ashtu, nuk duhet të mendojmë që nëse vjen filan qeveria, do të na bëjë mirë. Derisa Zoti i Lartësuar është me ne, derisa lidhja jonë është me Zotin, nuk duhet të shqetësohemi për këto gjëra. Këto qeveri materiale, do të bëjnë atë që dëshirojnë. Dhe e bënë kundër Xhematit edhe në të kaluarën që nga koha kur u miratua ligji kundër nesh në Asamble, afërsisht para 38 vjetësh. Madje, kundërshtimi vijon që nga koha e Mesihut të Premtuar a.s. Edhe atëherë, nëse jo në nivelin qeveritar, disa autoritarë të qeverisë në bashkëpunim me kundërshtarët e Xhematit kurdisën intriga kundër Xhematit Ahmedia, kundër ahmedianëve.

Qoftë ajo qeveri që ka pikëpamje të kundërta me Xhematin apo ndonjë tjetër, ata i kanë përjashtuar ahmedianët, gjoja, nga feja Islame. Në fakt, ky është faktori kryesor i kundërshtimit, dhe pikërisht ky ka lënë të lirë hoxhën të bëjë gjithçka kundër ahmedianëve atje. Dhe, edhe gjatë kohës së qeverive të kaluara janë shkelur të gjitha kufijtë e dhunës, dhe kjo dhunë vetëm po shtohet.

Pra, ne nuk mbajmë shpresë për ndonjë mirësi nga këto qeveritë materialiste, as nuk duhet të mbajmë, e as nuk na nevojitet ndonjë certifikatë prej tyre për ne, për të qenë muslimanë. Muslimani i vërtetë është ai që është i tillë para Zotit. Muslimani është ai që deklaron se beson në njëshmërinë e Zotit të Lartësuar, beson në Profetin Muhammed s.a.v.s. si profeti i fundit me sheriat, si vula e të gjithë profetëve. Nga ky përkufizim, ahmedianët janë muslimanë, edhe me besim, edhe me praktikë, madje janë më muslimanë se të tjerët.

Pas deklaratës sonë, dhunën që po na ushtrojnë këta muslimanë të ashtuquajtur “kushtetues”, qeveritë, ministrat e tyre dhe autoritarë të tjerë, të gjithë këta vetëm po hyjnë në gjynah në sy të Zotit të Lartësuar, kurse ne na çojnë më shumë afër Zotit. Veprimet e tyre, padyshim duhet të na sjellin më afër Zotit. Çdo ahmedian duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Pikërisht arritja e këtij afrimi me Zotin, duhet të jetë synimi i çdo xhemati hyjnor. Kam përdorur fjalët “muslimanë kushtetues”. Dua të sqaroj pak për ata që nuk e dinë realitetin. Kushtetuta Pakistaneze thotë se ahmedianët nuk janë muslimanë sipas ligjit dhe kushtetutës pakistaneze. Është shumë ironike, madje qesharake që një shtet, duke pretenduar të jetë republikë, qeveria e tij vendos për fenë e qytetarëve. Ky ligj që ishte miratuar në vitin 1974, diktatori ushtarak që erdhi më vonë, e ka shtrënguar akoma më shumë. Nuk dua të hyj në hollësira këtu. Pra, sipas këtij vendimi kushtetues, ahmedianët, sipas ligjit, janë shpallur jomuslimanë, edhe pse, janë ahmedianët ata që paraqesin fytyrën e vërtetë të Islamit në të gjithë botën, kurse qytetarët e tjerë që nuk janë ahmedianë, sipas ligjit janë shpallur muslimanë, edhe pse disa, madje shumë nga grupimet që burojnë prej tyre, paraqesin një pamje të gabuar të Islamit, të cilat e njollosin Islamin. Shumë njerëz vazhdimisht më pyesin, madje edhe gjatë turneut tim në Amerikë e në Kanada, media në çdo vend, këtë pyetje më ka bërë, që e kam përmendur në një hytbe të kaluar. Ata më pyetën:

Islami që ju paraqisni është i mirë dhe i bukur dhe njëherësh pretendoni që ahmedianët do të sjellin revolucionin e Islamit në botë. Si do të bëhet kjo?

Unë gjithmonë u them: Kjo tashmë nuk ka nevojë të thuhet “do të ndodhë”, por kjo po ndodh. Çdo vit, mijëra muslimanë të sinqertë, duke e kuptuar këtë Islam të vërtetë, anëtarësohen në Xhematin Ahmedia, anëtarësohen në këtë Islam të vërtetë dhe inshallah ta’ala, ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje, derisa ta bindim botën që Islami është një fe plot paqe dhe Profeti Muhammed s.a.v.s. është ai i dërguar i paqes, që nuk e ka shembullin në botë. Bota ka shpëtim vetëm nën flamurin e tij. Përveç kësaj, unë u them edhe këtë: Askush nuk mund të gjykojë për fenë e dikujt tjetër, as kush nuk mund të vendosë që filani është i kësaj apo i asaj feje. Çdo njeri vetë vendos për fenë e tij. Disa qeveri ekstremiste, hoxhallarë ekstremistë le të na pandehin si jomuslimanë, por për ne ata nuk na vlejnë fare. Unë jam musliman, dhe me bekimin e Zotit të Madhërishëm, të gjithë ata që kanë pranuar Mesihun e Premtuar a.s. janë muslimanë, madje janë më muslimanë se ata që nuk e kanë pranuar Mesihun e Premtuar a.s.. Kështu e kupton çdo ahmedian.

Me veprimet e tyre të padenja, kundërshtarët asnjë fije nuk mund t’i sjellin dëm Ahmediatit. Ndërsa, nëse ndonjë qeveri apo ministër, apo shërbëtorët e tij bëjnë mizori kundër ahmedianëve, atëherë vetëm e njollosin veten dhe vendin e tyre në botë. Nëse i bëhet nami ndonjë qeverie, nuk na prishet ndonjë punë, por megjithatë, duke qenë pakistanezë ndihemi të turpëruar, por kur njolloset vendi, atëherë çdo ahmedian shqetësohet tej mase, sepse ne kemi dhënë sakrifica të mëdha për këtë komb. Ata jo vetëm që e njollosin vendin, duke bërë vrasje në emër të fesë, por gjithë këtë masakër e bëjnë në emër të Islamit, pra në emër të asaj feje, që është fe e paqes, vëllazërisë dhe dashurisë, dhe në këtë mënyrë, e njollosin edhe Islamin. Kurse Allahu i Madhërishëm thotë që duhet të bësh mirësi edhe me armikun dhe thekson që drejtësia duhet të jetë primare. Zoti urdhëron:

وَلَا یَجْرِمَنَّكُمْ شَنَاٰنُ قَوْمٍ عَلٰۤی اَلَّا تَعْدِلُوۡا ؕ اِعْدِلُوۡا ۟ ہُوَ اَقْرَبُ لِلتَّقْوٰی ۫ وَاتَّقُوا اللہَ

Armiqësia ndaj ndonjë populli kurrsesi nuk duhet t’ju nxisë që të bëni padrejtësi ndaj tij. Bëni drejtësi, sepse kjo është më afër takuasë, (druajtjes ndaj Zotit). Kijeni druajtje ndaj Zotit.

(Kurani Famëlartë 5:9)

Ky është mësimi i Islamit. Ne përpiqemi t’ua mbyllim gojën kundërshtarëve të Islamit, të cilët e akuzojnë Islamin. Këtë punë ne e bëjmë duke treguar mësimin e bukur të Islamit dhe duke thënë që muslimani i vërtetë gjithnjë ka parasysh druajtjen ndaj Zotit dhe pëlqimin e Tij. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndodhë që një musliman i vërtetë të flasë për padrejtësi dhe dhunë. Por, problemi këtu (në Pakistan) është që populli po ndjek ata njerëz, të cilët nuk kanë fare druajtje ndaj Zotit, dhe si të tillë, vetëm dhuna dhe padrejtësia mund të burojnë prej tyre. Diçka tjetër ata nuk mund të ndjellin.

Vetëm para dy ditësh, këtu në Angli, me rastin e qindvjetorit të Xhematit Musliman Ahmedia të Anglisë, ishte organizuar një ceremoni në Parlamentin Britanik, në të cilin morën pjesë 42 deputetë. Kishte marrë pjesë edhe i nderuari Zëvendëskryeministër i Britanisë. Po ashtu, kishin marrë pjesë 6 ministra, diplomatë të ndryshëm dhe intelektualë të tjerë. Edhe para tyre, duke përmendur mësimin e bukur të Islamit dhe modelin e shkëlqyer të Profetit Muhammed s.a.v.s., kam treguar se cili është Islami i vërtetë. Të gjithë pohonin se, fjalimet tuaja gjithmonë për këtë temë flasin, Xhemati Musliman Ahmedia gjithmonë flet për paqen dhe pajtueshmërinë, por, jemi vërtet të shqetësuar nga veprimet që bëjnë grupe të tjera muslimane. Disa politikanë flasin haptas, ndërsa disa të tjerë, për shkak të arsyeve të tyre politike, flasin nën zë. Sidoqoftë, kur unë flas duke iu referuar Kuranit Famëlartë dhe modelit të Profetit Muhammed s.a.v.s., atëherë ata e kuptojnë se cili është mësimi i vërtetë i Islamit. Disave u bën kaq shumë përshtypje saqë, edhe shprehin përshtypjet e tyre. Një diplomat i krishterë që ishte i pranishëm në ceremoninë që u zhvillua dy ditë më herët, më tha: Çdo fjalë që shqiptonit, duke iu referuar Kuranit dhe modelit të Profetit Muhammed s.a.v.s., më hynte drejt e në zemër. Ai vetë është i krishterë dhe kam edhe miqësi me të, sepse shpesh vjen në eventet tona, andaj i thashë: Këto gjëra nuk ju kam thënë vetëm që të mbeten në zemrën tuaj, por që t’i shpërndani edhe në rrethin tuaj shoqëror. Më tha që e bën këtë punë dhe do të vazhdojë ta bëjë.

Pra, edhe zemrat e jomuslimanëve ndikohen nga mësimi i bukur i Islamit, por ata hoxhallarë që janë zemërgurë, që e dinë këtë mesazh dhe dëgjojnë edhe prej nesh, në vend të ndikohen, bëhen edhe më shumë zemërgurë.

Për sa u takon neve, ne po bëjmë punën tonë, duke ua larguar keqkuptimet atyre që morën përshtypje të gabuara për Islamin. Kjo është detyra jonë që t’ia tregojmë botës bukurinë e Islamit, dhe inshalla ta’ala ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë detyre. Por, politikanët e vendeve islamike, po ashtu edhe disa njerëz të shquar, duke ndjekur hoxhallarët e vendeve të tyre, bëjnë mizori në emër të Islamit ndaj ahmedianëve. Kjo është punë e tyre dhe, ashtu siç ne do ta vijojmë punën tonë, le ta vijojnë edhe ata të  tyren. Ne nuk duhet të kemi aspak frikë nga kjo gjë. Siç ju thashë, ne as nuk mbajmë shpresë prej tyre, as nuk shohim drejt tyre. Nëse ata do të qeverisin me drejtësi, do t’i japin fund dhunës, atëherë, duke zbatuar porosinë e Allahut, do të shpërblehen prej Tij. Zoti ynë është me ne. Ai vazhdimisht na jep shpresë. Ai na mbron. Po të mos ishte kjo, siç ju kam treguar shumë herë, planet e tyre janë vërtet shumë të rrezikshme. Allahu i Lartësuar, sipas premtimit të Tij, do të na bekojë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër, inshallah. Por, edhe mizorët do të kapen, dhe patjetër që do të kapen, inshallah.

Prandaj, në vend të kemi shpresë nga ndonjë qeveri e botës, ne duhet të shohim vetëm drejt Zotit. Ka nevojë që ne t’i drejtohemi fytyrës së Tij dhe të ndjekim urdhrat e Tij. Të ashtuquajturit autoritarë të fesë mëtojnë që ata që nuk besojnë sipas pohimeve të tyre, janë të mallkuar dhe të përzënë nga Zoti dhe do të shkojnë në xhehenem dhe me deklarata të tilla u kanë dhënë liri të plotë nxënësve të tyre, që të ushtrojnë çfarëdolloj dhune kundër ahmedianëve. Pikërisht kjo po ndodh në Pakistan. Qeveria që vetëm pretendon se ligji është mbi gjithçka, jo vetëm që nuk merr asnjë mas kundër mizorëve, por bashkëpunon me ta në këtë mizori.

Vetëm dy ditë përpara, një ahmedian u martirizua në Keraçi. انا للہ و انا الیہ راجعون(Ne jemi të Zotit dhe tek Ai do të kthehemi). Një tjetër u sulmua në Xhehlam, aq sa u plagos rënd, i cili aktualisht është shtruar në spital. Zoti i dhëntë shëndet, mbrojtje dhe shërim.

Bashkë me dëshmorin që ra në Keraçi, u plagosën rënd edhe disa joahmedianë të gjorë që janë shokët e tij, të cilët gjendeshin në makinë bashkë me të. Zoti u dhëntë shëndet edhe atyre. Edhe ata janë shtruar në spital. Njëri prej tyre është në gjendje kritike. Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar thotë që këto gjëra nuk janë të reja. Edhe të ashtuquajturit autoritarë të feve të kaluara në këtë mënyrë u sollën. Por, Allahu i Lartësuar deklaron që çdokush që i nënshtrohet pëlqimit të Allahut dhe bën mirësi, shpërblimi i tij është te Zoti i tij.

Asnjë fetar, apo as ata që ushtrojnë dhunë në emër të fesë, apo ndonjë parlament apo ndokush tjetër nuk mund t’u lëshojnë njerëzve certifikata duke vlerësuar se do të shkojnë në xhenet apo në xhehenem. Çdo ahmedian, që ka bërë bejtin e Mesihut të Premtuar a.s., duke ndjekur porosinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s., patjetër i është nënshtruar Allahut, patjetër që është musliman, madje është musliman i fortë, që gëzon dashurinë e Allahut të Lartësuar. Për të qenë si musliman, atij nuk i nevojitet asfare miratimi apo vula e ndonjë parlamenti. Sipas këtij ajeti që recitova, ai që deklaron se ‘unë jam musliman’, tek Zoti i Lartësuar është musliman. Allahu thotë:

مَنْ اَسْلَمَ وَجْہَہٗ  لِلہِ

Çdokush që i përkushtohet tërësisht Allahut dhe deklaron se është musliman, ai është musliman. Këtu Allahu i Lartësuar nuk ka thënë që dikush tjetër duhet të thotë rreth tij nëse është musliman apo jo, por tha që çdokush vetë duhet t’i nënshtrohet Allahut dhe pastaj të deklarojë: Me vetëdije të plotë bëhem musliman dhe jam i gatshëm të pranoj të gjitha obligimet me të cilat ngarkohem për të qenë musliman. Më pas, Allahu tha që:

و ھو محسن

Ai duhet të jetë mirëbërës.

Pra, ai të bëjë të gjitha veprat, që ka urdhëruar Zoti, në mënyrën më të mirë. Kjo është përgjegjësia të cilën ai duhet ta ngrejë. Dhe kur është fjala për zbatimin e të gjitha porosive të Allahut, atëherë kjo do të thotë që ai të largohet nga çdo vepër e keqe. Nëse do të jetë kjo gjendja e tij, atëherë Allahu i Lartësuar do ta shohë me dashuri atë njeri. Pastaj, Allahu thotë që nëse do të bëheni të tillë, atëherë nuk duhet të keni as frikë as pikëllim. Veprat e mira mundësojnë faljen për gjynahet e mëparshme, ndërsa, vazhdimësia në këtë rrugë, mbrojtja nga veprat e këqija, dhënia e përparësisë ndaj besimit mbi botën, e shpëtojnë besimtarin edhe në të ardhmen dhe kështu e bëjnë atë të qetë nga frika apo pikëllimi.

Duke shpjeguar këtë ajet, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Në gjuhën arabe fjala islam do të thotë, të paguash paraprakisht për diçka, të angazhosh dikë në punën tënde, të kërkosh paqe apo kompromis, të heqësh dorë nga diçka rebele.

(Pra, këto katër gjëra janë: të paguash paraprakisht për diçka, të angazhosh dikë në punën tënde, të përpiqesh për pajtim dhe të largohesh nga çdo grindje)

Ndërsa, kuptimi terminologjik i fjalës islame është ai që përmendet në ajetin:

بَلٰی ٭  مَنْ اَسْلَمَ وَجْہَہٗ  لِلہِ وَہُوَ مُحْسِنٌ فَلَہٗۤ اَجْرُہٗ عِنۡدَ رَبِّہٖ ۪ وَلَا خَوْفٌ عَلَیۡہِمْ وَلَا ہُمْ یَحْزَنُوۡنَ

“Vërtet, ata që i nënshtrohen Allahut dhe janë mirëbërës, do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.”

(Kurani Famëlartë 2:113)

Domethënë, muslimani është ai që i dorëzohet tërësisht Allahut; e dedikon veten për t’i plotësuar pëlqimet dhe dëshirat e Tij dhe angazhohet për të bërë vepra të mira për hir të Tij, duke ia kushtuar vetëm Atij të gjitha aftësitë e tij. Shkurt, edhe me besim, edhe me praktikë, të bëhet vetëm i Zotit.

Të bëhesh i Zotit me besim do të thotë, ta kuptosh veten si një gjë që është krijuar për ta njohur Zotin, për t’iu bindur Atij dhe për të fituar dashurinë e pëlqimin e Tij. Kurse, të bëhesh i Zotit edhe me praktikë do të thotë, vetëm e vetëm për hir të Zotit të bësh vepra të mira që të rrjedhin nga aftësitë dhe mundësitë që të ka dhënë Ai. Këto vepra, duhet të bësh me kaq vullnet e dëshirë, saqë ta shohësh të Adhuruarin e vërtetë në pasqyrën e bindjes.

Kjo është ajo pozitë e lartë që duhet ta arrijmë, edhe me besim, edhe me praktikë. Nëse do të bëjmë reformën tonë, nëse ne e kemi të fortë besimin, nëse i kemi parasysh veprat tona, që a janë sipas pëlqimit të Zotit apo jo, ose a jemi duke i bërë ato sipas pëlqimit të Zotit apo jo, nëse ne u kushtojmë rëndësi lutjeve, atëherë ligjet botërore të njerëzve të kësaj bote, ose dhuna e ushtruar në sajë të ligjit ndaj nesh, nuk mund të na dëmtojë aspak. Në dukje, ajo mund të na dëmtojë, por te Allahu i Lartësuar ne do të jemi të pranuar.

Kurani Famëlartë na ka forcuar zemrat duke shpjeguar me shembuj të ndryshëm rreth atyre që bëjnë mizori. Magjistarët që kishin ardhur për t’u ballafaquar me Hazret Musain a.s., të cilët më vonë iu bindën Musait a.s., edhe ata, këtë ia thanë Faraonit:

فاقض ما انت قاضٍ

Bëje atë që ke për të bërë!

انما تقضی ھٰذہ الحیٰوۃ الدنیا

Ti mund të veprosh kundër nesh vetëm në jetën e kësaj bote. Pra, vetëm jetën e kësaj bote mund t’ua merrte ai.

Prandaj, edhe nëse një qeveri përgatitet për të ushtruar dhunë kundër besimtarëve, atëherë ajo duhet ta dijë edhe fundin e besimtarëve, edhe fundin e Faraonëve. Fitorja e fundit, me bekimin e Allahut të Lartësuar, gjithmonë është e besimtarëve dhe, edhe këtu do të jetë, inshallah ta’ala.

Pra, ne kemi për të treguar atë besim, që nuk u trembet njerëzve të kësaj bote. Nëse duhet të kemi ndonjë frikë dhe pikëllim, atëherë ajo duhet të jetë vetëm për hatrin sesi ta fitojmë pëlqimin e Allahut? Si të gjejmë afrimin me Të? Duke treguar standardin e atyre që deklarojnë për Islamin dhe besimin dhe bëjnë mirësi, Allahu i Lartësuar, në surenë En-Nisa, thotë:

ومن احسن دینا ممن اسلم وجھہ للہ و ھو محسن واتبع ملۃ ابراھیم حنیفا واتخذ اللہ ابراہیم خلیلا

Kush mund të jetë më i mirë se ai në besim, i cili ia përkushton gjithë vëmendjen Allahut, dhe ai është edhe mirëbërës dhe ndjek rrugën e Ibrahimit besnik. Allahu e kishte bërë Ibrahimin shok.

Pra, ka nevojë ta ndjekim miletin e Ibrahimit, nëse duam të bëhemi shokë të Allahut. Fjala milet ka kuptime të ndryshme. Një kuptim i saj është rruga, mënyra. Ajo ka edhe kuptimin e fesë. Një veçori që ia përmend Allahu Hazret Ibrahimit a.s. është:

وابراھیم الذی وفّی

Dhe Ibrahimi që u tregua besnik.

Mesihu i Premtuar a.s., lidhur me këtë, thotë:

Rruga për të gjetur afrimin me Allahun është që njeriu të tregohet besnik për hir të Tij. Shkaku i afrimit që kishte gjetur Hazret Ibrahimi a.s. ishte pikërisht ky, siç Allahu thotë:

وابراھیم الذی وفّی

Ibrahimi është ai që u tregua besnik.

Të tregohesh besnik ndaj Zotit dhe të kesh vërtetësi dhe sinqeritet ndaj Tij, kërkojnë një vdekje. Gjersa njeriu nuk bëhet i gatshëm për të hequr dorë nga kënaqësitë dhe krenaritë e kësaj bote, dhe nuk del përpara për të pranuar çdolloj fyerjeje, vështirësie dhe shtrëngimi për hir të Zotit, nuk mund të lindë kjo veti tek ai… Derisa ai nuk bëhet tërësisht i Zotit të Lartësuar dhe nuk bëhet i gatshëm për të duruar çdo vështirësi, besnikëria dhe sinqeriteti vështirë t’i afrohen atij… Zoti i Lartësuar kërkon vepra dhe Ai kënaqet vetëm nga veprat. Kurse veprat vijnë përmes rrugës së shqetësimit, por nëse njeriu angazhohet për të pranuar shqetësimet për Zotin, atëherë Zoti i Lartësuar nuk e vë në shqetësime. Të pastrosh zemrën nga gjithçka tjetër dhe ta mbushësh atë me dashurinë hyjnore, të ecësh sipas dëshirës së Zotit të Lartësuar, ta ndjekësh Atë, ashtu siç ndjek hija trupin, pra të mos kesh asnjë dallim midis dëshirës sate dhe të Zotit, të gjitha këto vijnë me anë të lutjes dhe pikërisht këto ishin veçori të Ibrahimit a.s.

Më tutje Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kuptimi i Islamit mund të realizohet në një njeri vetëm atëherë kur ai dedikohet për Zotin e për rrugën e Tij me gjithë qenien dhe me të gjitha fuqitë e tij, të jashtme e të brendshme; dhe amanetet që ai i mori nga Zoti i Madhërishëm t’ia kthejë përsëri Atij, Dhuruesit të vërtetë; dhe jo vetëm me besim, por edhe me praktikë ta pasqyrojë Islamin dhe thelbin e tij të përsosur. Kjo do të thotë se ai deklaron të jetë musliman, duhet të provojë se duart dhe këmbët e tij, zemra dhe truri i tij, mendja dhe intelekti i tij, mëshira dhe zemërimi i tij, dija dhe përdëllimi i tij, të gjitha fuqitë e tij fizike dhe shpirtërore, nderi dhe pasuria e tij, rehatia dhe kënaqësia e tij, çdo gjë që buron nga trupi i tij që nga koka deri te këmbët, së jashtmi apo së brendshmi, madje edhe qëllimet dhe dëshirat e tij të fshehta, të gjitha këto i binden Zotit në atë mënyrë, siç i binden njeriut gjymtyrët e tij. Pra, duhet të provohet se gjithçka që është e tij, nuk është e tija, por është bërë e Zotit të Madhërishëm dhe të gjitha fuqitë dhe aftësitë e tij janë në shërbim të Zotit, sikur ato të jenë organe hyjnore.

Kjo është, pra, ajo pozitë e lartë që çdo ahmedian duhet ta arrijë. E kur ne do të përpiqemi për ta arritur këtë pozitë, vetëm atëherë mund të deklarojmë të jemi muslimanë të vërtetë dhe vetëm atëherë mund të hyjmë në mbrojtjen e Allahut të Lartësuar. Zoti i Madhërishëm e bëftë Xhematin në përgjithësi, pra, shumicën e Xhematit ta ketë këtë pozitë, dhe ajo t’u përkushtojë lutjeve. Zoti na bëftë të kemi ngjyrën e Islamit të vërtetë dhe, duke tërhequr bekimet e Allahut të Madhërishëm, të hyjmë në grupin e atyre, për të cilët Allahu thotë:

بشری للمسلین

Qofshin gëzuar ata që i nënshtrohen sinqerisht Allahut për të ndjekur porositë e Islamit.

E kur na vjen gëzimi prej Zotit, atëherë do të shohim edhe përfundimin rrënjësor të armikut. Zoti bëftë që shumica nga ne t’u përkushtojnë lutjeve, madje çdo ahmedian t’u përkushtojë lutjeve dhe të krijojë një lidhje të veçantë me Zotin e Lartësuar dhe shpejt ne të shohim edhe fundin e kundërshtarëve.

Pas kësaj, siç ju tregova gjatë fjalimit që është martirizuar një ahmedian, do të përmend disa të dhëna rreth tij. Inshalla, pas namazit të xhumasë, do të udhëheq xhenazen e tij gaib.

Martiri quhet Çod’hri Hamid Sami sahib, ishte i biri i Çod’hri Abdus Sami Khadim sahibit. Jetonte në Gulshan-e-Ikbal të qytetit Keraçi. Ai u martirizua më 11 qershor. Ahmediati në fisin e tij, ka ardhur përmes gjyshit të tij, të nderuar Çod’hri Abdur Rahim sahibit, i cili ishte nga Gurdaspuri i Indisë.

Gjyshi i tij Çod’hri Abdur Rahim sahibi kishte bërë bejtin në vitin 1924, pas të cilit, atij iu desh të përballej me kundërshtim të ashpër nga ana e prindërve të tij. Pra, ky kundërshtim nuk është i ri. Ky vjen që nga fillimi. Si e ndëshkonte babai i tij për shkak se kishte pranuar Xhematin Ahmedia? Ai vendoste këmbëzat e krevatit në shputat e duarve të djalit dhe i lidhte me litar dhe vetë flinte në atë krevat, ndërkohë, djali detyrohej ta kalonte gjithë natën në këtë gjendje. Nga kjo torturë, atij i mbetën shenja në duart. Më në fund, në vitin 1929, ai mërgoi në Lahor. Edhe Hamid sahibi, pra dëshmori, lindi në Lahor. Në arsim ai ishte ekonomist i licencuar nga shteti, po ashtu edhe babai i tij kishte të njëjtin status. Ata kishin një firmë që drejtonin. Ai u martirizua në moshën 48 vjeçare. Me bekimin e Zotit, ai ishte edhe musi, pra kishte dedikuar një të dhjetën e të ardhurave të tij në rrugën e Zotit.

Pas faljes së ikindisë, afërsisht në orën 6:30, ai po kthehej me makinë nga zyra e tij, e cila ndodhet në Xhinah Road, në Keraçi. Ai kishte edhe ca shokë që nuk ishin ahmedianë. Akoma nuk kishte shkuar shumë larg zyrës, që disa sulmues të panjohur, që ishin me motorë, iu drejtuan me breshëri plumbash. 6 plumba ai kishite marrë vetëm në ballë, e disa të tjerë në fytyrën e në pjesë të tjera të trupit. Ai menjëherë ra dëshmor. انا للہ و انا الیہ راجعون(Ne jemi të Zotit dhe tek Ai do të kthehemi).

Dëshmori ishte edhe sekretari i financës së lagjes në Xhemat. Ishte shumë gazmor, dashamirës, me virtyte të larta. Kujdesej skajshmërisht për njerëzit me të cilët jetonte. Ishte shumë i butë ndaj bashkëshortes, fëmijëve dhe po ashtu edhe ndaj të tjerëve. Presidenti i Xhematit të lagjes së tij thotë:

Dëshmori ishte jashtë zakonisht i bindur për punët e Xhematit. I kisha thënë që ta paguante kontributet e tij që në muajin maj, dhe ai kështu kishte vepruar, madje kishte dhënë më shumë se sa kishte premtuar.  Ata ahmedianë që kërkonin punë, i ndihmonte shumë.

Ai ka lënë pas bashkëshorten, dy vajza, katërmbëdhjetë dhe shtatë vjeçe, dhe një djalë që është 9 vjeç. Allahu u dhëntë durim dhe kurajë dhe Vetë u bëftë Kujdestari dhe Ndihmëtari i tyre në çdo situatë të jetës së tyre. Përveç këtyre, ai ka vëllezër dhe motra, që jetojnë jashtë Pakistanit. Allahu ia ngrittë nivelet dëshmorit në xhenet.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp