Krijimi i një lidhjeje të vërtetë robërie me Allahun
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Krijimi i një lidhjeje të vërtetë robërie me Allahun

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hytbenë e xhumasë së kaluar, duke iu referuar një citati të Mesihut të Premtuar a.s. ju kisha treguar se çfarë është lutja? Si arrihet kënaqësia dhe qetësia me anë të lutjes? Çfarë është filozofia e lutjes dhe si duhet bërë ajo? Domethënë cila është mënyra për të bërë lutje, që një besimtar duhet ta zbatojë?

Në fakt, ky shpirt dhe kjo filozofi e lutjes është treguar vetë në Kuranin Famëlartë, që, Mesihu i Premtuar a.s. duke fituar dijen prej Zotit na ka shpjeguar edhe neve. Lidhur me këtë ka edhe citate të tjera të Mesihut të Premtuar a.s., të cilat edhe pse janë të shkurtra, por tregojnë metoda dhe mënyra të tilla të lutjes, duke zbatuar të cilat, njeriu mund të gjejë afrimin e Zotit të Lartësuar dhe mund të bëhet njohës i mirë i realitetit të lutjes. Mesihu i Premtuar a.s., gjatë një mbledhje pyetje-përgjigjesh, thotë:

Për pranimin e lutjes duhet që edhe njeriu të sjellë një ndryshim të pastër në veten e tij. Nëse nuk largohet nga mëkatet dhe shkel kufijtë e vendosura prej Zotit, atëherë lutjet nuk do të kenë asnjë efekt.

Pastaj Mesihu i Premtuar a.s., në një vend tjetër, thotë:

Që të keni lidhje me Zotin, juve ju duhet një përqendrim. Ne vazhdimisht u themi anëtarëve të Xhematit tonë, që ta kenë këtë përqendrim, sepse derisa nuk shkëputeni nga bota dhe nuk ju ftohet dashuria ndaj saj në zemrën tuaj dhe shpirtrat tuaja nuk do të fitojnë një tërheqje dhe përqendrim të vetvetishëm ndaj Zotit të Lartësuar, deri atëherë nuk mund ta gëzoni qëndrueshmërinë.

Domethënë, një dëshirë e vetvetishme është ai që ia mundëson njeriut lidhjen me Zotin dhe e forcon atë. Prandaj, ne duhet të përpiqemi ta kemi atë dëshirë të vetvetishme dhe atë përqendrim te Zoti. Në fakt, edhe kjo dëshirë e  vetvetishëm vjen me bekimin e Allahut të Lartësuar, pra duke ia kërkuar Allahut.

Pastaj, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Lutjet që bëhen duke iu drejtuar sinqerisht Zotit, kanë një efekt të jashtëzakonshëm. Por, duhet të dini që pranimi bëhet prej Zotit të Lartësuar. Edhe lutjet kanë një kohë. Siç është koha e sabahut, që është një kohë e veçantë. Vlerën që ka koha e sabahut, nuk mund ta ketë ndonjë kohë tjetër. Në të njëjtën mënyrë, edhe për të bërë lutje, ka disa kohë, kur ato tërheqin pranimin dhe efektet.

Çdo punë, që njeriu bën në mëngjes kur çohet i freskët, sjellë rezultatet më të mira. Jo si ata njerëz të sotëm, që kalojnë gjithë natën ose deri vonë para internetit apo televizorit dhe merren me punë të kota. Kurse në mëngjes, ndiejnë se nuk u plotësohet gjumi. Nëse zgjohen në këtë gjendje për namazin e sabahut, çfarë namazi mund të falin? Çfarë bekimi do të kenë ata në punë të tjera të tyre. Çdo njeri, qoftë ai që merret me punët e kësaj bote, përpiqet të fillojë punën e tij duke qenë i freskët, në mënyrë që të ketë përqendrim në punën që bën, në mënyrë që puna e tij t’i sjellë rezultatet më të mira. Prandaj, Mesihu i Premtuar a.s. tha që edhe ju duhet të kërkoni që cilat janë oraret tuaja më të përshtatshme për të bërë lutje. Kur mund ta gjeni atë gjendje që ju mundëson pranimin e lutjes?

Në një vend tjetër Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Mëshira e Allahut është mbi atë njeri, që frikësohet edhe gjatë paqes, ashtu siç frikësohet kur atij i bie ndonjë bela. Ai që nuk e harron Zotin gjatë rehatisë, Zoti nuk e harron atë kur ai gjendet në vështirësi. Ndërsa, ai që kalon kohën e rehatisë duke bërë qejf dhe fillon të bëjë lutje kur e godet ndonjë vështirësi, atij nuk i pranohen lutjet. Kur zbret ndëshkimi i Zotit, atëherë mbyllet dera e pendesës. Prandaj, sa fatlum është ai që, para se të zbresë ndëshkimi i Zotit, angazhohet në lutje, jep sadaka dhe respekton porositë e Zotit dhe bën mirësi ndaj krijesave të Zotit, bën veprat e tij duke i zbukuruar sa më mirë. Këto janë shenjat e fatmirësisë. Pema njihet me frutat e saj, në të njëjtën mënyrë edhe dallimi midis fatlumit dhe fatligut bëhet i thjeshtë. Domethënë, veprat e mira të shpirtmirit janë si ajo frutë që është e ëmbël dhe e shijshme, duke e parë të cilin të gjithë të thonë se kjo pemë jep vetëm fruta të ëmbla. Ndërsa shpirtligu është ai fatkeq, veprat e të cilit nuk i përmbushin as detyrimet ndaj Zotit e as detyrimet ndaj robërve të Tij. E thënë ndryshe, ai është një pemë që ka frutë të hidhur dhe erëkeqe.

Këto ishin disa citime të Mesihut të Premtuar a.s. me qëllim ju paraqita, që ne të kuptojmë më thellë se çfarë do të thotë lidhje me Zotin, që ne të mësojmë metodat dhe mënyrat për të bërë lutje, që ne t’i kushtojmë vëmendje reformimit tonë, që ne të bëjmë dallimin midis së mirës dhe së keqes dhe të bëjmë sa më shumë vepra të mira, që ne të praktikojmë metodat e sakta për të bërë lutje e t’i kushtojmë rëndësi lutjes, që ne të bëhemi ndër ata njerëz që marrin edhe të mirat e kësaj bote, edhe të mirat e ahiretit, që ne të trashëgojmë bekimet e Allahut të Lartësuar edhe në punët personale, edhe në punët e Xhematit.

Pra, kjo është ajo temë e rëndësishme, që një musliman duhet ta kuptojë dhe duhet të veprojë sipas saj, pra ai musliman që ka pranuar të dashuruarin e vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s., që ka gjetur fatmirësinë për të bërë bejtin e Imam Mehdiut dhe të Mesihut të Premtuar. Ne patjetër duhet të bëjmë përpjekje për ta kuptuar këtë temë dhe për ta praktikuar, në mënyrë që të bëhet dallim midis besimtarëve të vërtetë dhe midis atyre që vetëm pretendojnë të jenë besimtarë. Pra, të dallohet se kush është besimtar i vërtetë dhe kush është ai që vetëm pretendon të jetë i tillë. Kurani Famëlartë, në shumë vende, ka hedhur dritë mbi temën e lutjes. Ne duhet të përpiqemi ta kuptojmë atë, dhe pikërisht për këtë arsye, siç e thashë edhe më herët, ne kemi nevojë ta shikojmë këtë nga këndvështrimi që na tregon Mesihu i Premtuar a.s., në mënyrë që ne ta kuptojmë filozofinë e lutjes dhe t’i kushtojmë rëndësi të praktikuarit të saj, që ne të bëhemi të tillë që bëjnë lutjet, të cilat sjellin rezultate, sepse pa këtë, jeta mbetet e pakuptimtë. Njerëzit kanë nevojë të bëjnë lutjet që sjellin rezultate për të përmirësuar jetën e tyre. Zotit nuk i nevojitet që ne ta adhurojmë Atë apo jo, t’i lutemi apo jo. Sipas porosisë së Zotit, jemi ne që kemi nevojë për lutjet, për lutjet frutdhënëse. Zotit nuk i duhen fare këto gjëra, sepse Ai është i Pavarur. Prandaj, Allahu i Lartësuar i tha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që njoftojë:

قل ما یعبؤا بکم ربی لولا دعاؤکم

Thuaj: Zoti im nuk ju përfill fare, nëse nuk bëni lutje. (Kurani Famëlartë 25:78)

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Adhurues i vërtetë mund të jetë vetëm ai që u sjell dobi të tjerëve, por ky ajet e shpjegon akoma më qartë duke thënë: Njoftoji të gjithë, nëse nuk do ta thërrisni Zotin, atëherë Zoti im nuk do t’ju përfillë fare. Me fjalë të tjera, mund të themi që Ai përfill vetëm adhuruesin e Tij, vetëm ata që luten, vetëm ata që e adhurojnë Atë.

Prandaj, nëse duam të kemi kontakt me Zotin, nëse duam që dëshirat tona të mira të përmbushen, nëse duam ta shohim armikun të dështuar, atëherë ne duhet t’i kushtojmë rëndësi për t’u bërë adhurues të vërtetë të Zotit.

Armiku, domethënë ai që ka armiqësi, inat e mëri në zemrën e tij për Mesihun e Premtuar a.s kaq shumë, saqë nuk njeh kufi. Sidomos në Paksitan dhe në disa zona të Indisë, po ashtu në disa vendet islamike të Afrikës që janë ndikuar prej këtyre vendeve që përmenda. Ata tashmë po shfaqin çdo poshtërsi dhe në këtë veprimtari të kryesuar nga hoxhallarët apo të ashtuquajturit dijetarë të Pakistanit, të cilët nuk lënë asnjë rast për të kryer veprimet më të poshtra dhe më të dënueshme ndaj personalitetit të Mesihut të Premtuar a.s., dhe që kërkojnë çdo mundësi për t’u çjerrë zemrat e ahmedianëve. Ndërsa ahmedianët mbajnë lidhje dashurie dhe besnikërie me personalitetin e Mesihut të Premtuar a.s., sepse ai është i dashuruari më i madh i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ky është faji i ahmedianëve. Lidhja dashurie dhe besnikërie e ahmedianëve me Mesihun e Premtuar a.s. ekziston për shkak se ai na mësoi sesi duhet të kemi dashuri të vërtetë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ne e duam Mesihun e Premtuar a.s., sepse ai na ka mësuar kuptimin e vërtetë të njëshmërisë së Zotit. Pra, ata që kalojnë kufijtë duke pasur armiqësi kundër Mesihut të Premtuar a.s., përballja e tyre është me të dashuruarin e vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s., me përcjellësin e zërit të Zotit të Vetëm, me atë rob të Zotit të Lartësuar, të cilin Zoti e përfill shumë. Siç Mesihu i Premtuar a.s. tha që Allahu i Lartësuar e përfill adhuruesin e Tij dhe në këtë kohë, nuk ka adhurues më të madh të Zotit sesa Mesihu i Premtuar a.s.. Edhe në të kaluarën kemi dëshmuar çdo disfatë të armiqve dhe e dëshmojmë edhe sot.

Në këtë kohë, shumë herë ka ndodhur edhe në Paksitan, që ata që shpifin dhe e shajnë Mesihun e Premtuar a.s., Zoti i Lartësuar shpesh i ka kapur në atë mënyrë që kanë mbetur mësim për të tjerët. Ata që kanë sy i shohin këto pamje edhe në Pakistan. Për shkak të arsyeve sigurie, nuk po i përmend emrat e vendeve ku kanë ndodhur këto ngjarje, pra, ku Zoti i Lartësuar i kapi ata që janë gjuhëhelm dhe shpifës ndaj Mesihut të Premtuar a.s..

Nga ana tjetër, në shumë vende të tjera, për shembull ato të Afrikës ku hoxhallarët tregojnë armiqësi ndaj Mesihut të Premtuar, kur njerëzit shohin pamje të tilla që zbulojnë poshtërimin e tyre, muslimanët e thjeshtë marrin mësim dhe vijnë drejt Xhematit Ahmedia. Në fakt, në shumë vende të Afrikës, Xhemati ynë është përhapur pikërisht nga këto ngjarje. Pra, duke zbuluar gjendjen e dijetarëve të tyre, ata arritën te Islami i vërtetë. Ata kanë guximin që kur e kuptojnë poshtërsinë e dijetarëve të tyre, marrin mësim dhe kërkojnë të vërtetën.

Gjithsesi, dua t’u them ahmedianëve që të mos shqetësohen fare nga veprimet e ulëta të kundërshtarëve të Xhematit. Ditët e fundit një ahmedian më shkroi që në Pakistan, në zonën e tij, kundërshtimi ndaj Mesihut të Premtuar a.s. është shtuar kaq shumë saqë armiku është gati të bëjë çdo veprim të ulët. “Duke shtrembëruar fotografinë e Mesihut të Premtuar, ose duke u sjellë në mënyrë tejet fyese me të, na çjerrin zemrat”, thotë ahmediani në letrën e tij. Pastaj thotë që, ato postera janë aq fyese, saqë disa joahmedianë dinjitozë, në muret e shtëpive të të cilëve, ishin afishuar ato, i hoqën dhe bënë thirrje që po kalohen të gjithë kufijtë. Ahmediani shkruan: Duke parë këto gjëra, nganjëherë na shpërthehen të qarat. Unë i shkrova që të veprojë me durim dhe lutje. Neve na është dhënë mësimi që, sa më shumë ata shtojnë sharje dhe dhunë, aq më shumë ne të fshihemi pas Zotit tonë të fshehur. Ne gjithmonë duhet ta kemi parasysh këtë mësim dhe të përpiqemi më shumë se përpara për të bërë lutje. Ky mësim na thotë që ta forcojmë lidhjen tonë me Zotin akoma më shumë, madje të asgjësohemi për hir të Tij. Për sa u përket njerëzve që merren me sharje dhe fyerje ndaj të dërguarve të Zotit, ata vetë e ftojnë vdekjen e tyre. Ata që i fyejnë të dërguarit e Allahut të Lartësuar, gjithmonë shkatërrohen. Prandaj, edhe këta njerëz, nëse nuk heqin dorë nga veprimet e tyre të ulëta, atëherë ashtu siç kishte pësuar Lekrami nga shpata e lutjes, me urdhrin e Zotit, ajo shpatë do të bjerë edhe mbi ata.

Prandaj, brengat tuaja, dhimbjet tuaja dhe të qarat tuaja, paraqitjani Zotit. Zoti i Lartësuar i bëftë keqbërësit mësim për të tjerët.

Këto pamje, Allahu i Lartësuar i tregon edhe sot  Xhematit të Mesihut të Premtuar a.s. Në njërën anë janë sharjet e kundërshtarëve dhe në anën tjetër kemi këto përparime. Padyshim që në vend, ka edhe njerëz dinjitoz, pra, ka edhe të tillë, siç ju tregova pak më parë, që i heqin postera të tilla nga muret e shtëpive të tyre, por shumica kanë një dinjitet të shurdhër. Hazret Kalifi i Tretë i Mesihut të Premtuar r.a. thoshte që ata kanë dinjitet, por një dinjitet të shurdhër, që nuk flet. Megjithatë, një shtresë intelektualësh, të cilët shkruajnë nëpër gazeta në gjuhën angleze, kanë filluar të flasin për këtë dhunë që ka kaluar çdo kufi. Sidoqoftë, për ta shpëtuar vendin, ne duhet ta bëjmë edhe këtë lutje që i ishte shpallur Mesihut të Premtuar a.s., në mënyrë që dhunuesit të marrin fund. Njerëzit dinjitoz të mund të mbrohen nga dhunuesit, dhe sidomos ahmedianët të dalin jashtë rrezikut të tyre. Pra, siç e thashë, ka nevojë që çdo ahmedian të jetojë duke vepruar më shumë se përpara me durim dhe lutje. Në qytete të ndryshme, në zona të ndryshme, të ligët kurdisin planet për t’i persekutuar ahmedianët, por Zoti ynë është planifikuesi më i mirë. Ai atyre do t’ua kthejë planet dhe po ua kthen madje. Është vetëm Ai që deri më tani na ka mbrojtur ne nga planet e tyre të llahtarshme. Prandaj, asnjëherë mos e lëshoni dorën e Zotit. E kam thënë edhe më herët, i kam tërhequr vëmendje Xhematit që nëse do të bëjmë veprat tona në përputhje me pëlqimin e Zotit të Lartësuar dhe bashkërisht të përulemi para Tij, atëherë një kohë të shkurtër mund vijë një revolucion, inshallah Tala. Duke treguar sesi duhet të bëjmë lutje me qëndrueshmëri, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Gjatë periudhës midis lutjes dhe përmbushjes së saj, nganjëherë, vijnë sprova pas sprovash. Madje, vijnë edhe sprova të tilla që ta këpusin kurrizin. Por, ai që mbetet i qëndrueshëm, që ka shpirt të pastër, edhe gjatë atyre sprovave dhe vështirësive ndien aromën e mirësive të Zotit dhe sheh me shikimin e besimit duke besuar se pas tyre, do të vijë ndihma. Një tjetër sekret në ardhjen e këtyre sprovave është që lutësit i ngjallet dëshira për t’u lutur akoma më shumë, sepse sa më shumë të shtohet shqetësimi dhe brenga, aq më shumë edhe shpirti pushtohet me ndjenja për lutje dhe realisht, këto janë mjete të pranimit të lutjes. Prandaj, asnjëherë nuk duhet të frikësoheni dhe nga padurimi dhe nxitimi nuk duhet ta paragjykoni Allahun tuaj. Asnjëherë nuk duhet të kujtoni që lutja juaj nuk do të pranohet ose nuk pranohet. Një mendim i tillë është i barabartë me mohimin e atributit të Zotit që pranon lutjet.

Prandaj, detyra jonë është që të krijojmë qëndrueshmëri në veten tonë. Ne duhet të bëjmë lutje në bazë të atyre kushteve, disa prej të cilave, i kam përmendur këtu, duke iu referuar fjalëve të Mesihut të Premtuar a.s. Ne gjithmonë duhet të kemi këtë bindje që fjala e Allahut të Lartësuar kurrsesi nuk mund të jetë e gabuar. Kur Allahu i Madhërishëm pohon:

اجیب دعوۃ الداع اذا دعان

Më thërrisni mua, Unë do t’ju përgjigjem, (Kurani Famëlartë 40:61) pra Ai thotë që nëse lutjen do ta bëni duke plotësuar kushtet e saj, Unë do t’jua pranoj. Pra, nuk ka vend që ne të dëshpërohemi. Po, kohën e pranimit të lutjes e përcakton Zoti. Nëse çdo sprovë që na vjen, na bën të përulemi akoma më shumë para Zotit, atëherë ne do ta shohim edhe pranimin e lutjes, inshallah t’ala.

Do t’ju paraqes edhe një citat tjetër të Mesihut të Premtuar a.s.  Ai thotë:

Mbani mend që asnjë njeri nuk mund të gjejë bekimin me anë të lutjes, derisa ai nuk tregon durim të skajshëm dhe derisa nuk angazhohet me qëndrueshmëri në lutje. Ai asnjëherë nuk duhet ta paragjykojë Zotin. Atë duhet ta kujtojë si të Plotfuqishmin për të gjitha krijimtaritë dhe për të realizuar të gjitha dëshirat. Lutësi të krijojë bindje dhe të vazhdojë të lutet me durim. Atëherë do të vijë koha që Zoti do t’ia dëgjojë lutjen dhe do t’i përgjigjet. Ata që aplikojnë këtë recetë, kurrsesi nuk mund të dalin fatkeq apo të privuar, madje padyshim do të kenë sukses në synimet e tyre. Fuqitë krijimtarie dhe forcat e Zotit janë të panumërta. Për përsosjen e njeriut, Ai ka caktuar rregullin që njeriu të durojë deri në fund. Prandaj, Ai nuk e ndryshon rregullin e Tij. Ai që dëshiron që Zoti të ndryshojë rregullin e Vet për hir të tij, në fjalë të tjera, ai guxon të tregojë mosrespekt ndaj Zotit. Përveç kësaj, duhet të mbani mend që disa njerëz vetë tregojnë padurim dhe duan që gjërat të realizohen përnjëherë. Por, unë them që nëse dikush tregohet i paduruar, çfarë dëmi mund t’i sjellë ai Zotit? Ai vetëm veten e dëmton. Le të bëjë padurim, deri ku mund të shkojë ai! Shikoni, Hazret Jusufi a.s., i biri i Hazret Jakubit a.s., kur u nda nga i ati për shkak të intrigave të vëllezërve, atëherë Hazret Jakubi ishte lutur për dyzet vjet për të. Nëse ai do të ishte i ngutshëm, nuk do të kishte asnjë rezultat. Ai kishte qëndruar i angazhuar në lutje për dyzet vjet dhe për aq kohë mbajti besimin në fuqinë e Zotit të Lartësuar. Më në fund, pas dyzet vjetësh, lutjet e tij e risollën Jusufin. Madje, gjatë kësaj periudhe, disa kritikues e qortonin duke thënë: “Kot e kujton ti Jusufin”, por ai vetëm këtë u thoshte: “Unë di disa gjëra për Zotin, që ju nuk i dini”. Padyshim që ai nuk kishte ndonjë haber për Jusufin, por tha:

انی لاجد ریح یوسف

Unë po ndiej aromën e Jusufit. (Kurani Famëlartë 12:95) Ai e dinte që periudha e lutjeve vetëm po zgjatej. Nëse Allahu i Lartësuar dëshiron të refuzojë ndonjë lutje, Ai e tregon shpejt. Zgjatja e periudhës së lutjeve në vetvete është një argument i pranimit të tyre. Sepse Bujari asnjëherë nuk e refuzon lypësin, pasi ta ketë mbajtur te dera për një kohë të gjatë. Madje këtë nuk e bën as ai që është më i koprraci, sepse edhe ai, nëse mban lypësin te dera për një kohë të gjatë, i jep qoftë ndonjë gjë të vogël. 

Allahu i Lartësuar na bëftë ndër ata që tërheqin mëshirën dhe faljen e Tij, na mbuloftë çdolloj lajthitjeje apo mangësie tonën dhe, na bëftë që të bëjmë lutjet tona me qëndrueshmëri, na bëftë që të numërohemi ndër të suksesshmit.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp