بسم الله الرحمن الرحيم

In the name of Allah, Most Gracious, Most Merciful

Ahmadiyya Muslim Community
Albania

Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd

Xhelsa Salana e 5-të e Shqipërisë

Me mëshirën e Zotit të Lartësuar, Xhemati Musliman Ahmedia më 8 tetor 2012, zhvilloi xhelsën (tubimin vjetorë) e tij të pestë në Xhaminë Bejtul Evel, Tiranë. Për mbarëvajtjen e organizimit të këtij evenimenti që tashmë zhvillohet çdo vit në përputhje me traditat e xhematit, ishin ngritur dy struktura të posaçme si departamenti i Xhelsa Salanës dhe ai i vendit të tubimit. Z. Javaid Iqbal Nasir-i, misionari i Xhematit në Shqipëri u ngarkua me detyrën “përgjegjës i Xhelsa Salanës”, ndërsa z. Samad Ahmed Ghori-t, misionar i xhematit në Kosovë, iu besua detyra “përgjegjës për vendin e tubimit”. Për shqyrtimin e përgatitjeve të xhelsës, u zhvilluan mbledhjet me sekretarët e departamenteve përkatëse. Për të ftuar personat në këtë eveniment, anëtarët e xhematit, shpërndanë ftesa në rrethe të tyre shoqërore. Po kështu, ishte ngritur një departament posaçërisht për të regjistruar të dhënat e pjesëmarrësve në këtë ngjarje.

Si vitin e kaluar, edhe kësaj radhe u zhvillua Ekspozita e Kuranit. Ekspozita e përbërë nga më shumë se njëqind ilustrime të bukura dhe përshkrimet përkatëse, që ekspozonin mësimet dhe temat e Kuranit Famëlartë, u ngjalli interes të veçantë pjesëmarrësve. Përpos tyre, profecitë rreth ardhjes së Mesihut të Premtuar dhe vdekjes së Isait alejhiselam ishin gjithashtu pjesë të këtij manifestimi. Krahas këtyre ilustrimeve, u paraqitën edhe përkthimet e Kuranit Famëlartë, realizuar nga Xhemati Musliman Ahmedia në gjuhë të ndryshme të botës. Për të njohur audiencën me literaturën e pasur të xhematit, u prezantuan botimet e ndryshme në disa prej gjuhëve kryesore të botës. Këtu përfshiheshin edhe botimet në gjuhën shqipe. Në aktivitetin e sivjetshëm, përveç përfaqësimit të shteteve fqinje, si Kosova e Mali i Zi, mori pjesë edhe një delegacion nga Gjermania, kryesuar nga z. Abdullah Owe Wagishouser, Amiri (kryetar) i Xhematit Musliman Ahmedia të Gjermanisë dhe njëherazi i ftuar special i këtij evenimenti.

Numri i pjesëmarrësve ishte 205 persona, përfshirë 66 mysafirë nga Kosova. Ndër pjesëmarrësit 74 ishin femra. Si vjet pjesëmarrësit nga Kosova, erdhën në një autobus. Kur ata mbërritën në ambientin e Xhematit, i priti me entuziazëm personalisht Amiri (Kryetari) i Xhematit të Gjermanisë, ndërsa sloganet e tekbirit bënin jehonë të këndshme.

Xhelsa e sivjetshme dallohet nga vitet e kaluara, edhe për faktin që për herë të parë, të gjitha ushqimet u përgatitën vetë nga anëtarët dhe kështu duke jetësuar traditën e Mesihut të Premtuar alejhiselam për mysafirët e tij. Një ekip kryesuar nga anëtarët e Kosovës dhe përkrahur nga anëtarët e Shqipërisë, përmbushën suksesshëm detyrën e tyre. Allahu ua shpërbleftë. Amin

Dita e Xhelsës u nis me faljen e sabahut, ndjekur nga këshillat e çmuara të z. Abdullah Owe Wagishouser, Amir i Xhematit Musliman Ahmedia të Gjermanisë.

Në orën 09:45, u mbajt ceremonia e ngritja e flamujve të Xhematit dhe të Republikës së Shqipërisë. Në orën 10:00 u hap zyrtarisht seanca e Xhelsës nën kryesinë e z. Abdullah Owe Wagishouser, Amir i Xhematit të Gjermanisë. Z. Bekim Bici recitoi ajetet e fundit të suresë el-Heshr, ndërsa znj. Nagina Nasir këndoi një ilahije në nder të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Fjalën përshëndetëse e mbajti z. Samad Ahmed Ghori, misionar i Xhematit në Kosovë, mbi temën “Argumentet rreth Zotit në aspektin e pranimit të lutjeve”. Ai duke vënë theksin mbi rëndësinë e lutjes, argumentoi që ngjarjet nga jeta e të gjithë profetëve, jo vetëm që dëshmojnë për pranimin e lutjeve dhe ndihmën e fuqishme të Allahut, por janë gjithashtu argumente të pakontestueshme të ekzistencës së Zotit. Në mbështetjen e kësaj teze, ai përmendi ngjarjet e pranimit të lutjeve nga jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s, të Ibrahimit alejhiselam dhe të Mesihut të Premtuar alejhiselam. Në përfundim ai argumentoi, që besimtari nuk mund ta arrijë këtë shkallë, derisa ai nuk krijon një lidhje të gjallë me Krijuesin e Tij. Ai gjithashtu rrëfeu kushtet e pranimit të lutjes.

Pastaj z. Javaid Iqbal Nasiri mbajti fjalimin e tij rreth temës “Jeta e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në aspektin e mëshirës dhe faljes”. Duke iu përgjigjur akuzave të panumërta ndaj jetës së Profetit s.a.v.s. me argumente të qarta, z. Nasiri u ndal edhe në ngjarjet e zgjedhura të jetës së Profetit s.a.v.s që pasqyrojnë virtytet e tij si mëshirë, falje dhe dhembshuri. Gjatë fjalës së tij, ai gjithashtu përmendi porositë e Profetit Muhammed s.a.v.s. për umetin, rreth moraleve të shkëlqyera dhe mësimeve fisnike.

Pas një pushimi i të shkurtër, seanca vijoi me fjalën e z. Shahid Ahmad, president dhe misionar i Xhematit në Shqipëri, rreth “Sistemit të Kalifatit në Xhematin Musliman Ahmedia”. Duke iu referuar ajeteve të Kuranit, thënieve të të Dërguarit të Allahut dhe dijetarëve muslimanë, ai foli rreth rëndësisë dhe bekimeve të këtij sistemi hyjnor, që shërben për progresin dhe zhvillimin e umetit musliman. Duke shtjelluar imtësisht rivendosjen e kalifatit në Islam, ai përmendi përmbledhtas bekimet dhe mbështetjen e fuqishme të Zotit ndaj kalifëve gjatë një periudhe njëqindvjeçare të kalifatit.

Fjala e fundit e seancës së parë, u mbajt nga z. Bujar Ramaj rreth “Atdhedashurisë”. Duke u bazuar në ajetin 49:14 të Kuranit, ai u shpreh që Zoti i Madhërishëm ka krijuar njerëzit në popuj, ngjyra dhe raca të ndryshme me qëllim që ata të njohin njëri-tjetrin, ndërsa më i miri prej tyre është ai që është i virtytshëm dhe i druhet më së shumti Atij. Duke shtjelluar termin “atdhedashuri” ai tha që sipas Islamit, atdhedashuria nuk i përmbahet vetëm ndjenjave të dashurisë ndaj atdheut dhe popullit të një personi, por ajo gjithashtu i përgjigjet shfaqjes së dashurisë dhe dhembshurisë ndaj mbarë njerëzimit. Për këtë arsye, Kurani e cilëson devotshmërinë si kriteri i vetëm për nderin dhe dallimin e dikujt. Gjatë fjalës së tij, z. Ramaj u ndal edhe në parimet e arta dhe mësimet e shkëlqyera të Kuranit, që mund të kristalizojnë një shoqëri shembullore.

Në orën 12 programi u ndërpre për namazin e drekës. Pas faljes, u shtrua dreka për pjesëmarrësit. Seanca e dytë e xhelsës u hap me fjalën e z. Alban Zeqiraj, presidenti i xhematit në Kosovë. Ai foli rreth “Jetës së Hazret Umerit r.a.”. Duke përshkruar vetitë dalluese të karakterit të tij, ai perifrazoi edhe ngjarjen e tij të pranimit të Islamit. Ndonëse ishte mjaft i guximshëm e trim, ai përballoi sfilitje & vuajtje të mëdha në përhapjen e fesë Islame. Para se të pranonte Islamin, Umeri r.a. radhitej ndër kundërshtarët më të përbetuar të muslimanëve, ndërsa pasi që u shkri në dashurinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai u shqua si një prej sehabëve më besnikë dhe më të dashur të Profetit s.a.v.s. Z. Zeqiraj gjithashtu ceki disa ngjarje frymëzuese nga jeta e Hazret Umerit r.a.

Fjalën e fundit të kësaj seance e mbajti z. Artan Shllaku rreth temës “Dashuria e vërtetë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s”. Duke u bazuar në hytben e Hazret Mirza Masroor Ahmedit Kalifit IV a.t.b.a mbajtur më 21 shtator 2012, ai tregoi sesi duhet të jetë reagimi i denjë i një muslimani ahmedian, ndaj përpjekjeve të ligëta për të njollosur imazhin e pastër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Z. Shllaku u shpreh se liria e shprehjes nuk e lejon në asnjë mënyrë përdorimin e fjalëve fyese dhe ofenduese për udhëheqësit dhe prijësit fetarë, që të lëndohen ndjenjat e miliona besimtarëve. Folësi u ndal edhe te porositë e Islamit në lidhje me lirinë e shprehjes, të cilat jo vetëm që garantojnë paqen ndërfetare, por gjithashtu mbrojnë ndjenjat fetare të ndjekësve të çdo feje.

Në fund të Xhelsës, z. Abdullah Owe Wagishouser, Amiri (kryetar) i Xhematit Musliman Ahmedia të Gjermanisë mbajti fjalën përmbyllëse. Ai tregoi se progresi material në vendet perëndimore është shoqëruar me katandisjen e strukturës familjare. Pothuaj gjysma e martesave në Europë përfundojnë në ndarje. Nëse edhe muslimanët nuk i përmbahen kodit moral të Islamit dhe modelit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., atëherë as ata nuk do të kenë imunitet nga pasojat e këtij zhvillimi material. Amiri sahibi vuri theks të veçantë mbi rëndësinë e studimit të Kuranit dhe nevojën e lutjes dhe u shpreh që derisa njeriu nuk krijon një lidhje të gjallë me Krijuesin e tij, ai mund të shijojë ëmbëlsinë e besimit. Ai gjithashtu tha që ne nuk mund të realizojmë atë shoqëri modele dhe shembullore derisa nuk do të rrezatojmë mësimet e Islamit në sjelljen tonë. Duke u ndalur në lirinë e shprehjes në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s., ai u shpreh që modeli i lirisë fetare që garantoi Profeti s.a.v.s. në kohën e tij, mbetet i rrallë edhe në ditët e sotme. Ai argumentoi që të gjitha problemet dhe konfliktet në shoqëri, mund të gjejnë zgjidhje, nëse njerëzit u përmbahen mësimeve të feve të tyre. Paqja e vërtetë mund të vendoset në botë vetëm duke iu nënshtruar rrugës së profetëve, më i shkëlqyeshmi dhe më i përsosur prej të cilëve ka qenë Vulë e gjithë profetëve, Profeti Muhammed s.a.v.s., i cili solli ligje të përjetshme dhe jetëdhënëse për mbarë njerëzimin, megjithatë ai iu përmbajt urdhrit të Zotit që “nuk ka detyrim në çështjet fetare”. Sot, Xhemati Musliman Ahmedia është e vetmja bashkësi muslimane, e cila duke u bashkuar nën udhëheqjen e Kalifit të Mesihut të Premtuar alejhiselam, po i përgjigjet këtij mësimi dhe është angazhuar në atë xhihad madhështor, që synon të largojë ligësitë dhe dobësitë tona. Duke iu drejtuar të pranishmëve, ai këshilloi që duke qenë muslimanë europianë brez pas brezi, është detyra jonë e përbashkët që përmes sjelljes fisnike dhe lutjeve të sinqerta, të rrezatojmë dritën Islame në mbarë Europën. Islami nuk përkon vetëm me spiritualitetin apo lutjen, por ai gjithashtu përfaqëson logjikën dhe shkencën, e cila është provuar në shekujt e parë të Islamit, përmes kontributeve të vyeshme të muslimanëve në shkencë dhe filozofi. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe udhëhoqi një lutje solemne.

Allahu u mundësoftë të gjithë pjesëmarrësve që të përfitojnë nga të gjitha bekimet e kësaj xhelse. Allahu na mundësoftë që ta përcjellim mesazhin e Islam-Ahmediatit deri në skajet e botës. Amin!

DSC05517DSC05468 DSC05473 DSC05493 DSC05506 DSC05355 DSC05561 DSC05521 DSC05460 DSC05423 DSC05370 DSC05397