بسم الله الرحمن الرحيم

In the name of Allah, Most Gracious, Most Merciful

Ahmadiyya Muslim Community
Albania

Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd

Parimet e interpretimit të ëndrrave

(Ky është transkriptimi i një sesioni pyetje-përgjigjesh të mbajtur nga Hazret Mirza Tahir Ahmedi, Kalifi i IV i Mesihut të Premtuar Allahu e mëshiroftë. Ky sesion u mbajt më 8 dhjetor të vitit 1995).

Pyetja:

Cilat janë parimet kryesore të interpretimit të ëndrrave?

Përgjigjja:

Së pari, interpretimi i ëndrrave është një dhunti prej Zotit të Lartësuar. Profeti Jusuf a.s. njihet si më famëmadhi për interpretimin e ëndrrave. Por, derisa Zoti nuk ia mësoi, ai nuk e kishte kuptuar as kuptimin e ëndrrës së vet. Babai i tij që gjithashtu ishte profet, e këshilloi atë që të mos ia tregonte ëndrrën të tjerëve, përndryshe ata do ta dëmtonin. Pra, dikur ishte gjendja në të cilën ai nuk e kuptonte ëndrrën që kishte parë vetë dhe, në një moment të caktuar, vjen koha kur Zoti pohon: “Ne ia kemi mësuar interpretimin e ëndrrave”.[1] Më pas jeta e tij ndryshon tërësisht.

Kështu që, ka shumë njerëz, të cilët Zoti i Lartësuar ua jep këtë si dhunti. Nganjëherë kjo ka të bëjë edhe me ndërtimin e trurit të njeriut, në ato raste kur kjo aftësi nuk vjen si dhuratë e veçantë prej Zotit apo si një bekim shpirtëror prej Tij. Ashtu siç çdo njeri ka aftësi të ndryshme, disa gjëra shkëlqejnë më shumë te disa njerëz. Edhe aftësia e të interpretuarit të ëndrrave është ndër dhuntitë që shkëlqejnë te disa njerëz më shumë e te disa më pak. Dikush krahët i ka të fortë, dikush këmbët, dikush trurin e ka të mprehtë e dikush diçka tjetër. Kështu që, ato pjesë të trurit që kanë lidhje me ëndrrat, kam vënë re që te disa njerëz janë shumë të mprehta. Njerëzit që më shkruajnë ëndrrat e tyre, disa prej tyre shkruajnë edhe interpretimet. Disa interpretime duken se janë krejtësisht pa lidhje, por disa njerëz i interpretojnë aq saktë, sa befasohesh. Pra, në këtë mënyrë kjo aftësi i vjen njeriut si një dije e veçantë prej Zotit të Lartësuar dhe kjo është si një dritë që është në trurin e njeriut. Prandaj, kjo nuk është diçka që mund t’ju vijë artificialisht. Përveç këtyre dy pikave, ata që dëshirojnë të zhvillojnë aftësinë e tyre të të interpretuarit të ëndrrave në mënyrë shkencore, duhet t’u përmbahen disa parimeve, që do t’ju tregoj në vijim:

Së pari, ka shumë ëndrra që prodhon vetë nefsi i njeriut, madje shumicës së njerëzve këto lloj ëndrrash u vijnë. Për këtë arsye, duhet të bëjmë një dallim midis ëndrrave të nefsit dhe ëndrrave të tjera. Njëri prej treguesve të këtij dallimi është vetë natyra e atij njeriu që sheh ëndrrën. Kur Zoti ju dërgon ndonjë ëndërr, befasoheni sesi shihni ato gjëra që nuk i kishit në asnjë skaj të mendjes. Psikologët mund të thonë se kjo nuk është ndonjë ëndërr prej Zotit, por ishin mendimet që gjendeshin në nënndërgjegjen tuaj, e cila jua ka shfaqur në këtë formë. Nganjëherë njeriu sheh ndonjë ëndërr krejtësisht të pazakontë, pasi edhe njeriu vetë nuk e njeh në mënyrë gjithëpërfshirëse nënndërgjegjen e tij. Kjo është e mundur. Por, po ashtu, është e mundur që Zoti i Lartësuar, duke përdorur informacionet e nënndërgjegjes suaj, t’ju japë ndonjë mesazh. Duke i njohur këto dy mundësi, duhet të dimë se si të bëjmë dallimin.

Hazret Mirza Tahir Ahmedi, Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar, Allahu i mëshiroftë

Hazret Mirza Tahir Ahmedi, Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar, Allahu e mëshiroftë.

Një gjë që duhet të kemi parasysh se ata që gënjejnë, edhe ëndrrat shpesh i shohin të rreme. Kurse ata që janë të drejtë e të sinqertë, as nuk thurin ëndrra të rreme, as ëndrrat e tyre nuk përbëhen prej brumit të gënjeshtrës. Kështu që, vetë pastërtia shpirtërore e njeriut dhe sinqeriteti i tij, ndikon në ëndrrat dhe në interpretimin e tyre. Nganjëherë ndodh që një njeri i drejtë të shohë një ëndërr aq të frikshme, saqë të kujtojë se do të shkatërrohet. Fillon të mendojë se çfarë po ndodh me të. Ndërsa, një interpretues kur ia dëgjon ëndrrën, bën interpretimin që e ngre akoma më shumë në status. Po ashtu ndodh që një njeri gënjeshtar sheh ëndrra të bukura e të lavdishme për veten dhe ëndërron që do të jetë i shpëtuar, banor i xhenetit, madje dikush deklaron të jetë Mesih, e dikush tjetër bën ndonjë deklaratë tjetër. Por, natyra e atij njeriu do t’ju dëshmojë ndryshe. Pastaj, duhet parë edhe mundësia e ndonjë sëmundjeje tek një person i tillë. Pra, nëse ka kontradiktë midis natyrës së njeriut dhe ëndrrës së tij, atëherë kjo në vetvete është një dëshmi që ëndrra e tij nuk është e vërtetë. Mesazhi i tij është i rremë. Në Afrikë disa njerëz kur sëmuren, pretendojnë të bëhen të dërguar prej Zotit. Dikur njëri kishte deklaruar që ishte Mesih. I thashë: A nuk e njeh jetën e Mesihut të Premtuar a.s. se me çfarë përulësie ai ka kaluar gjithë jetën?! Vazhdimisht merrte mesazhet prej Zotit, por nga përulësia i interpretonte duke mos e vlerësuar veten. Më në fund, ai u detyrua ta pranonte. Përveç kësaj, ai kishte plot aftësi të tjera mesaike që u bënë shenjë e vërtetësisë së tij. Shumë njerëz që lëngonin për vdekje janë shëruar nga lutjet e tij dhe gjithashtu ai solli një oqean dijesh prej Zotit. E pyeta atë afrikanin: Më tregoni se çfarë shenjash keni sjellë ju? Më tregoni vetëm një. Më tregoni ndonjë parashikim për të ardhmen. Më tregoni ndonjë bëmë tuajën lidhur me dijen, spiritualitetin. Çfarë keni bërë duke qenë Mesih në këtë botë? Ai mbeti i shtangur. Asnjë gjë nuk kishte ai. Kështu që, jo vetëm gënjeshtrat i sjellin ëndrra të rreme, por nganjëherë edhe sëmundja e shkakton këtë gjë tek njeriu. Një njeri që është i sëmurë psikik dhe njëkohësisht sheh ëndrra, të cilat ia tregojnë veten të lartë, në një kohë kur ai nuk ka asnjë shenjë dalluese, as nuk ka dijen e Kuranit, të haditheve, e as nuk posedon kuptimet e thella të fesë, por pretendon që është dërguar si reformator i kohës, atëherë ëndrrat e tij na bëjnë të nxjerrim vetëm dy përfundime: ose është i sëmurë, ose është gënjeshtar. Nuk mund të ketë ndonjë përfundim të tretë. Për të interpretuar ëndrrat, patjetër duhet të kemi parasysh karakterin e njeriut, sepse këto dy gjëra duhet të përputhen me njëra-tjetrën, vetëm atëherë interpretimi mund të jetë i saktë.

[...] Ndërsa ëndrra që tregon Zoti i Lartësuar, do të ketë disa kode të cilat nganjëherë, edhe ai që ka parë ëndrrën nuk i zbërthen dot. Ashtu siç edhe Profeti Jusuf a.s., me shumë thjeshtësi, e kishte pyetur të atin e vet: “O baba! Kam parë në ëndërr hënën dhe yjet duke më bërë sexhde”. Ndërkohë, natyra e Profetit Jusuf a.s. nuk pranonte një gjë të tillë, pra ai as nuk mund ta imagjinonte atë. Kur nuk e kuptoi kodin e ëndrrës, pyeti një njeri të ditur, dhe nuk është e thënë që ai që nuk e kupton ëndrrën e tij, patjetër të jetë një njeri i paditur. Disa herë edhe dijetarë të mëdhenj nuk arrijnë të kuptojnë tërësisht ëndrrën e tyre, sepse ajo nuk është krijimtaria e tyre, por u vjen prej Zotit. I tillë është edhe rasti i Hazret Imam Ebu Hanifasë r.a., që kishte parë veten e tij në ëndërr, duke gërmuar varrin e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe më pas disa nga eshtrat e Profetit s.a.v.s. i pëlqente dhe disa nuk i pëlqente dhe i mënjanonte ato. Kjo ëndërr atij i ra si një termet. U frikësua shumë nga kjo se nuk po e njihte më veten se çfarë njeriu ishte. I famshëm Ibni Sirini qe ai që ia interpretoi ëndrrën. I tha: Urime! Jeni jurist (fekih) i shkëlqyer. Zoti jua ka dhënë këtë dije. Gjatë jetës suaj, do të interpretoni thëniet e Profetit Muhammed s.a.v.s. ndërsa ato gjëra që janë quajtur si thëniet e tij, por nuk rezultojnë të tilla, do t’i mënjanoni. Sa i lartë ishte ky interpretim! Ndër interpretuesit, ndoshta Ibni Sirini është më i denjë për ju që t’i studioni interpretimet e tij. Kjo, nëse dëshironi të mësoni ndonjë mënyrë për interpretimin e ëndrrave. Të tjerat jua kam treguar më parë.

enderr

Edhe një gjë është me vlerë të përmend këtu. Interpretimi mban ndonjë shenjë me vete, e cila kur përmbushet, dëshmon që edhe ëndrra ishte e vërtetë, edhe interpretimi ishte i vërtetë. Realisht, mesazhi prej Zotit të Lartësuar nuk vjen pa pasur ndonjë shenjë me vete, herë të shprehur haptas e herë fshehtas. Për shembull, Hazret Jusufi a.s. kishte interpretuar ëndrrën e mbretit, interpretim i cili kishte lidhje me ngjarjet që do të zhvilloheshin gjatë shtatë a tetë viteve të ardhshme, ndërkohë që, gjatë kohës kur ishte parë ëndrra, nuk dukej asnjë shenjë. Ajo ëndërr i kishte ardhur mbretit, sepse ai ishte përgjegjës për popullin e tij, për kujdesin ndaj njerëzve të kombit të tij. Prandaj, Zoti i Lartësuar atij ia kishte shfaqur këtë ëndërr. Po t’ia tregonte dikujt tjetër, mbreti nuk do të merrte masa. Me një fjalë, gjithë mesazhi do të shkonte kot. Kështu që, gjërat që do të zhvillohen më vonë, gjatë shtatë apo tetë viteve, dëshmojnë që edhe ëndrra ishte e vërtetë, edhe interpretimi i saj ishte i vërtetë. Pra, edhe kjo është një mënyrë për të kuptuar ëndrrën. Nëse shihni ndonjë ëndërr dhe vetë shpejt e shpejt nxirrni ndonjë interpretim, i cili më vonë del i gabuar, këtë vetë do ta kuptoni. Por nëse ëndrra është e çuditshme, pra ajo nuk ka ndonjë lidhje me ëndërrshikuesit dhe është jashtë kapaciteteve të qenies së tij, atëherë edhe ky është një tregues që qartëson se ëndrra është e vërtetë.

Nëse doni të mësoni si interpretohen ëndrrat, e kam fjalën nëse doni të mësoni ashtu siç mësohen librat në shkollë, metoda më e mirë është ajo e Ibni Sirinit. Për çdo gjë, ai jep mundësi të ndryshme. Nëse keni parë në ëndërr dhëmbin, ai ju tregon që dhëmbi mund të ketë këto këto kuptime. Bie fjala, nëse keni nxjerrë dhëmbin dhe e keni mbajtur në dorë, ky është bekim. Nëse do ta hidhni atë, mund të humbisni dikë nga njerëzit tuaj të dashur, etj. etj. Përveç Ibni Sirinit, ka edhe një interpretues tjetër, shit (shia) Imam Bakiri r.a.. Interpretimet e tij janë përmbledhur në një libër, i cili titullohet “Ta’tirul enam” dhe që tregon se Zoti i Lartësuar i kishte dhuruar dhunti dhe njohuri të veçantë në këtë fushë. Mund ta lexoni edhe atë. Mund të studioni gjithashtu ëndrrat që janë ruajtur në librat e interpretimeve, të cilat janë bërë nga interpretuesit e mëdhenj. Ose mund të mësoni edhe nga interpretimet që u ka bërë Mesihu i Premtuar a.s. jo vetëm ëndrrave të tij, por edhe ëndrrave të të tjerëve. Ky studim është mjaft interesant. Por, siç ju tregova, të interpretuarit e vërtetë është një dhunti prej Zotit. Kemi një mik, z. Sejed Naim Shah, i cili jeton këtu në Londër. [...] Një herë Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar gjendej në shtëpinë e Meher Apasë. Po drekonin bashkë në shtëpi. Ishin vendosur disa sofra. Ishte kohë e vjetër dhe shtëpitë ishin prej dheu. Aty ishin Naimi, Vesimi  dhe vëllezër të tjerë. Duke ngrënë Naimi pyeti Hazurin (Kalifin e Dytë të Mesihut të Premtuar a.s.): “Hazur! Kam parë një ëndërr. A mund të ma tregoni interpretimin?” “Çfarë keni parë?” e pyeti Hazuri. Naimi iu përgjigj: “Kam parë sikur kisha kapur një peshk”. “Peshku ishte i vogël apo i madh?”, e pyeti Hazuri. “Ishte i vogël”, u përgjigj ai. Pastaj Hazuri i tha: “Mos keni dhënë ndonjë provim tani shpejt?” Ai tha “Po”. “Do të ngelësh” i tha Hazuri. Naimi u shtang. Çfarë ishte ëndrra dhe ç’pyetje i bëri! Çfarë lidhje ka kjo? Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar sqaroi: “Peshku i madh mund ta vjellë atë që ha, prandaj, ai simbolizon një vështirësi që kalohet. Ndërsa peshku i vogël nuk e nxjerr, prandaj edhe vështirësia nuk kalohet”. Përveç kësaj, peshku interpretohet edhe si bekim, por kjo varet nga rasti. Prandaj Hazret Kalifi i Dytë r.a. e pyeti paraprakisht atë, në mos kishte dhënë ndonjë provim. Pastaj i tha që do të ngelej, dhe me të vërtetë ai ngeli në provim, edhe pse ishte i gëzuar që kishte shkruar bukur. Kështu që, kjo është një dhunti që nuk mund të arrihet vetëm duke mësuar. Megjithatë, studimi i saj ju ndihmon sadopak. (Folëm për peshkun.) Peshku ka edhe kuptime të mira. Ai simbolizon edhe spiritualitetin. Për shembull, në Kuranin Famëlartë është përmendur një vizion (keshf) i Hazret Musait a.s., në të cilin ai parashikon se kur do të marrë fund spiritualiteti i krishterimit. Në vizionin e tij ai sheh që peshku i tyre u ikën kur ata afrohen te vendi ku bashkohen dy dete. Në këtë vizion peshku ishte ushqim shpirtëror dhe tregonte se dikur do të mbaronte ai ushqim. Duke qenë se të krishterët, pra, shumica prej tyre,  gjuanin peshq, simboli i ikjes së peshkut për të treguar gjendjen e tyre, ishte shumë i gjetur. Ky ishte një vizion. Por, edhe vizionet interpretohen siç interpretohen ëndrrat. Vizioni i tij tregonte: ju keni mbërritur te deti i Profetit Muhammed s.a. dhe deti juaj ka mbaruar. Prandaj, peshku juaj shpirtëror ju ka ikur. Mund ta vazhdoni udhëtimin, por pa ushqimin tuaj shpirtëror. Pra, të interpretuarit është një çështje shumë e gjerë, dhe njeriu vazhdimisht duhet t’i shohë gjerësisht të gjitha pikat e saj.

(Marrë nga e përjavshmja “Alfazl” 21-27 shkurt, 2005, Londër;

në gjuhën shqipe u botua për herë të parë në revistën “Vërtetësia”, nr. 7.)


[1]  Kurani Famëlartë 12:7