بسم الله الرحمن الرحيم

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Xhemati Musliman Ahmedia
Albania

Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd

Si e pranova Xhematin Musliman Ahmedia? – Dijetari arab Hani Tahir

I nderuari Hani Tahir është një ndër dijetarët arabë të Xhematit Musliman Ahmedia, i cili u anëtarësua në vitin 1999 dhe ia përkushtoi jetën fesë Islame. Ndër shumë përpjekjet e tij të çmuara në shërbim të Xhematit Ahmedia, është edhe pjesëmarrja e tij e vazhdueshme në emisionin live “El-Hiwar El-Mubashar” (“Biseda e drejtpërdrejtë”), emision ky që bëri jehonë të madhe nëpër vendet arabe. Këtu po paraqesim një përmbledhje të asaj që ka rrëfyer zotëri Hani Tahir sesi ai u anëtarësua në Xhematin Ahmedia. Tani, ai shërben si misionar i Xhematit Musliman Ahmedia. (Redaksia e revistës “Vërtetësia”)

hani_tahir

Hani Tahir

Jam nga një lagje e Palestinës quhet Kefr Sur, e cila gjendet 10 km në jug të qytetit Tulkerm, që është në pjesën perëndimore të zonës së pushtuar gjatë vitit 1967. Kam lindur dy vjet pas okupimit të lagjes sime nga izraelitët (21 vjet pas pushtimit të Palestinës nga ata), domethënë, në vitin 1969. Baballarët e mi e kujtonin me mall tokën e tyre që kanë pasur para 1948-së dhe që u pushtua nga izraelitët. Pastaj në 1967-ën kur okupimi u zgjerua dhe erdhi deri te lagjja jonë, atëherë prindërit e mi u shqetësuan shumë. Unë jam rritur në ato shqetësime. Në shtëpinë time, sa herë që ndodhte ndonjë e papritur, ndonjë humbje ose problem, sado i vogël të ishte, nëna ime bënte vetëm një lutje: O Zot, shkatërroi çifutët. Për shkak të këtyre gjërave, unë e kisha të ngulitur në mendje që vendi ynë është i pushtuar nga mizorët dhe se ai duhet të bëhet i pavarur nga ata. Për shkak të shoqërisë së tillë, gjatë gjithë kohës mendoja se patjetër duhet të lirohemi nga pushtimi çifut. Pikërisht këto ndjenja, disa xhemate fetare në vend, i kanë shfrytëzuar për të përhapur ideologjitë e tyre të veçanta. Sidoqoftë, po me këto ndjenja, në moshën 16 vjeçare u anëtarësova në xhematin “Vëllazëria Muslimanë” (Ihuanul Muslimin).

Në Shkollën e Mesme, duke pasur mesataren 96%, zura vendin e parë në të gjithë provincën dhe fitova bursë në Universitetin e Bagdadit, për të vazhduar inxhinierinë elektronike, të cilën e përfundova në vitin 1991. Pas një viti u regjistrova për të studiuar degën e historisë në universitetin e “El-Nexhah” që ndodhet në Nablus të Palestinës. Por për shkak të ngushtimit të mjeteve financiare, më shumë se një vit nuk i vazhdova dot studimet atje. Pastaj, në vitin 1996 u regjistrova në Kolegjin Sheriat për të përfunduar Baçelorin dhe në vitin 2000 për të filluar masterin. Por nuk mora dot diplomën e masterit vetëm për shkak të temë-diplomës sime që kisha shkruar për temën “Mos lejimi i vrasjes së renegatit”. Më kishin kërkuar të shkruaja temën për ndonjë çështje tjetër. Unë këmbëngulja për temën time, por edhe udhëheqësi im ngulmonte të më ngelte në temë. Pastaj nisa studimet për letërsinë arabe dhe në vitin 2004 mbarova master në këtë drejtim.

Gjatë studimeve, nga viti 1993 kam punuar si pedagog në Kolegjin “Khuduri”, i cili më vonë u bë universitet dhe në vitin 2009 dhashë dorëheqje dhe jetën ia dedikova fesë.

Disa kujtime të fëmijërisë

Është vetëm bekimi i madh i Zotit që Ai ka lënë një ndjenjë e dashuri të veçantë  për të ndihmuar dhe shërbyer të tjerët që nga fëmijëria. Disa kujtime lidhur me këtë edhe sot më japin qetësi:

Në pjesën e fundit të lagjes sime Kefr Sur, jetonte një plakë, e cila shtëpinë e kishte vetëm një dhomë, edhe ajo ishte aq e ngushtë, saqë të linte përshtypje të ndonjë shpelle. Unë nganjëherë shkoja te ajo për ta ndihmuar, i blija gjërat e nevojshme. Gëzohesha pamasë kur ajo ngrinte duart dhe i lutej Zotit për mbrojtjen dhe jetëgjatësinë time.

Po ashtu, një tjetër plakë e quajtur Umme Ruhi që ishte e lagjes, më thërriste me nofkën “Exhrab”, domethënë ai që kruan shumë, që nuk ishte e mirë. Kur njerëzit e pyesnin se përse më thërriste me atë nofkë. Që mos ta marrë syri i keq thoshte plaka.

Ndoshta për shkak të shërbimit tim ndaj njerëzve, një tjetër plakë e quajtur “Umi Bisjam thoshte rreth meje: Nëse ne do t’i themi të shkojë te bregu i detit e të na sjellë diçka, ai kurrë nuk do të na refuzojë. Në vendin tim, të shkosh te bregu i detit nënkupton të shkosh në anën tjetër të botës.

Ndjenja fetare

Si sot më kujtohet xhamia e vjetër e lagjes, që ndodhej pranë varrezës. Në moshën adoleshente, ndër të gjithë, shkoja i pari për namazin e sabahut. “Ndër të gjithë” do të thotë tre ose katër pleq që frekuentonin xhaminë.

Që nga fëmijëria kam pasur dashuri të veçantë ndaj Kuranit Famëlartë. Në atë kohë, bashkë me shokë të tjerë i kullotja bagëtitë. Shokët e mi tërë ditën i kullosnin bagëtitë dhe luanin, por unë në vend të luaja, kohën time e shfrytëzoja për të mbajtur përmendësh Kuranin e Shenjtë.

Gjatë atyre ditëve u njoha me ca të rinj që nuk ishin të lagjes, por gjatë verës vinin te ne për të mësuar ose për të gjetur ndonjë punë. Unë u miqësova aq shumë me ta, saqë mezi e prisja ardhjen e tyre dhe kur largoheshin, qaja nga hidhërimi. Këta të rinj ishin shumë të përpiktë në namazet. Prej tyre kisha mësuar që “Vëllezëria Muslimane” (Ihuanul Muslimin) ishin ata, të cilët me të vërtetë do ta mbronin fenë Islame, sepse bindja ime ka qenë që vetëm ata e donin më së shumti fenë Islame dhe të Dërguarin e Allahuts.a.v.s. dhe pikërisht për këtë shkak, ata nuk ngurronin edhe për të dhënë jetën e tyre në këtë rrugë. Ngaqë edhe unë isha shumë i emocionuar ndaj mbrojtjes së fesë Islame, u bashkova me xhematin e tyre. Pastaj, në vitin 1987, kur shkova në Bagdad për të bërë studimet e larta të inxhinierisë, edhe atje ne që ishim disa palestinezë së bashku me disa studentë të tjerë jordanezë, kishim bërë një union studentësh, i cili gjithashtu, me kalimin e kohës mori ngjyrën e xhematit “Vëllazëria Muslimanë”. Xhemati “Vëllazëria Muslimanë” ishte ndikuar nga mendimet e Sejid Kutbiut, që ishte ndikuar nga mendimet e Meulana Meududiut. Këtë ideologji e quajnë gjithashtu “Tekfiri” që do të thotë se ata, përveç vetes së tyre, të gjithë i konsiderojnë qafirë (jobesimtarë).

Në vitin 1992, u largova nga xhemati “Vëllazëria Muslimanë” dhe u bashkova me xhematin e Tekfirit, dhe në mbështetjen e këtij të fundit, shkrova edhe një libër me titullin “Neklatun beidetun minel ihuani ilel Islami” (“Shpërngulje e largët nga Vëllazëria në Islam”), libër ky që ishte mirëpritur shumë në Gaza, nga ata që kishin mendimet e xhematit Tekfiri. Por, pas një kohe të shkurtër, zemra ime u ftoh me këtë xhemat dhe u ndava nga ai, por mendimet e tij më mbeten për një kohë, derisa u njoha me Xhematin Musliman Ahmedia.

Si u njoha me Xhematin Musliman Ahmedia?

Më 7 gusht të vitit 1995, një anëtar i nderuar i xhematit tonë Tekfiri, zotëri Ebu Mamuni erdhi te ne dhe na njoftoi që ishte bërë ahmedian. Përgjigjja jonë ishte e prerë dhe e shkurtër, sepse ne edhe muslimanët e tjerë që besonin ahmedianët si qafirë i konsideronim qafirë, atëherë për ahmedianët as nuk bëhej fjalë të bënim kompromis. Nuk mund të lindte pyetja për të biseduar apo për të argumentuar me mikun tonë. Sepse ahmedianët ishin qafirë edhe sipas atyre, të cilët ne i quanim qafirë. Ndaj, vendimi ynë i përbashkët ishte, që nga ai moment e tutje të mos kishim asnjë marrëdhënie me Ebu Mamun sahibin.

Por, pavarësisht nga ky vendim, zbatimi i tij për mua ishte i vështirë për shkak se Ebu Mamuni ishte vjehrri im dhe unë ndihesha i obliguar për ta sjellë atë përsëri në “rrugën e drejtë”. Prandaj, ne biseduam për një kohë të gjatë. Në vitin 1996, në Oman bleva librin e Meududiut “Ma hijel kadianijah?” (“Çfarë është kadijanizmi?”) disa rreshta të të cilit më bënë përshtypje dhe për herë të parë mendova që kishte nevojë të hulumtoja rreth Xhematit Ahmedia. Më përpara, mendoja që as nuk kishte nevojë të studioja për të ditur që Xhemati Ahmedia është në rrugën e drejtë apo jo.

Në librin e Meududiut, një kapitull më tërhoqi vëmendjen: “Tri arsye kryesore për betejën kundër Kadianijëve”. Njërën ndër arsyet për ta kundërshtuar Xhematin Ahmedia që përmendi dijetari Meududi në këtë kapitull ishte që ndjekësit e këtij xhemati janë shumë të angazhuar në përhapjen e ideologjisë së tyre dhe janë të zotët në bashkëbisedë e në debate. Për këtë arsye, thotë dijetari, çdo anëtar i tyre bën jehonë kudo që jeton.

(“Ma hijel kadianijah?” f. 107)

Këto fjalë të Meududiut, të paktën më bindën që ky xhemat nuk ishte ndonjë xhemat i thjeshtë dhe i rëndomtë, që çdo anëtar i të cilit të arrijë të bëjë jehonë në shoqërinë e tij. Aty kuptova që duhet ta di realitetin e këtij xhemati. Kështu që, më 7 dhjetor të vitit 1996, pikërisht me këtë qëllim, shkova në shtëpinë e Ebu Mamun sahibit. Ai më bëri të dëgjoja kasetat e të ndjerit Mustafa Thabit sahibit me titullin “Deaimul Iman”. Kisha kaq shumë kureshtje për të ditur më shumë rreth xhematit saqë, i dëgjova të gjitha kasetat dhe nxora një përmbledhje që zgjerohej në 19 faqe. Sot, pasi kanë kaluar 14 vite nga ajo ditë, e kam edhe tani atë përmbledhje me vete.

Mendimi për të shkruar përgënjeshtrim të besimeve të Xhematit Ahmedia

Pasi e përfundova përmbledhjen e kasetave, mendova të udhës, të shkruaja kundërpërgjigje të tyre pikë më pikë. Por, njeriu si unë, i cili ishte marrë vetëm me Islamin politik dhe që gjithnjë kishte qenë i angazhuar për të shpallur qafirë njerëz të ndryshëm e për të shkruar argumente kundër tyre, çfarë mund të dinte se si duhet t’u përgjigjej pyetjeve si: Çfarë është realiteti i vdekjes së Isait? Ç’domethënë shenjat e Kohës? Çfarë është çështja e ajeteve shfuqizuese e atyre të shfuqizuara (Nasih ue Mensuh)? Si mund të mohohet vazhdimi i shpalljes dhe profetizmit? Pra, si përfundim, doli që kjo punë ishte shumë e vështirë për mua, sepse unë kurrë nuk kisha menduar rreth këtyre temave. Ndërsa tani ishte gjendja, kur papritmas të gjitha këto pyetje qëndronin ngultas para syve të mi. Unë nuk kisha asnjë përgjigje të tyre. Më në fund, pas një meditimi të gjatë, vendosa të merrja ndihmë te ndonjë dijetar, i cili të mund të jepte përgjigje të hollësishme të të gjitha çështjeve të Xhematit Ahmedia. Në mendjen time erdhi emri i dijetarit tim më të dashur e më të pëlqyer Ebu Xhemil, dija e të cilit më kishte bërë shumë përshtypje. Kështu që, shumë shpejt isha te dijetari Meulvi Ebu Xhemil. I thashë që kam dëgjuar disa kaseta të sektit ahmedian dhe mendoj që është shumë e nevojshme të shkruhet ndonjë përgjigje e tyre. Ebu Xhemili u pajtua, por më tha: Më sill librat e tyre, që të shkruajmë së pari çfarë thonë ata e pastaj t’i shkruajmë edhe përgjigjet e tyre.

Për herë të parë në Kebabir

Më 7 janar të vitit 1997, për të sjellë librat për Ebu Xhemilin, bashkë me Ebu Mamunin, për herë të parë mbërrita në Kebabir, ku takova Muhamed Sherif Euda sahibin dhe misionarin e Xhematit Ahmedia Muhamed Hemid Keuther sahibin. Isha me patos të fuqishëm, ndaj, për çdo pyetje, u kërkoja përgjigje të qartë e të shkurtër. Mënyra ime e të pyeturit ka qenë shumë e zjarrtë dhe e pezmatuar. Duke më parë mua, Ebu Mamun sahibi vazhdimisht ndërhynte dhe më bënte vërejtje për mënyrën time të të pyeturit. Kjo më bëri të zemërohesha edhe më shumë. I nderuar Muhamed Sherif Euda kur më pa në këtë gjendje, më mori te shtëpia e tij, ndërkohë Ebu Mamuni qëndroi me misionarin e Xhematit.

Duke e parë sjelljen time, disa ahmedianë filluan të thoshin rreth meje që jam një djalë shumë i papërmbajtur e mendjengushtë dhe njerëzit si unë zakonisht nuk binden. Por, kjo nuk ishte e vërtetë. Qëllimi im ishte vetëm e vetëm ta zbuloja të vërtetën. Sidoqoftë, mora ca libra nga atje, edhe vetë i lexova dhe ia dhashë edhe dijetarit tim Ebu Xhemil.

Biseda pa argument e Ebu Xhemilit

Pas kësaj, shpesh shkoja te Ebu Xhemili dhe ia kujtoja premtimin që më kishte bërë për t’i shkruar përgjigjet e atyre librave. Ai, çdo herë, hapte ndonjërin nga ata libra dhe lexonte ndonjë rresht dhe thoshte: “Shikoje se sa fjalë të kota janë këto! Vetëm budallallëqe janë shkruar!” Kështu që, çdo herë kur shkoja te ai, ai kështu vepronte dhe thoshte thëniet e sipërpërmendura. Por, kurrë nuk mori hap për të shkruar përgjigjet e as mua nuk më dha gojarisht ndonjë përgjigje që të më mbushte mendjen.

Për disa muaj të ardhshëm, nuk arrita të shkoja në Kebabir për të marrë libra të tjerë, ndaj, nuk e hulumtova dot këtë çështje. Në fakt, nuk kuptoja se si duhet të filloja hulumtimin, sepse nuk ishte një çështje, por ishin shumë që duhet t’i zbuloja. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe fillova të lexoja hadithet rreth ardhjes së Imam Mehdiut. U shqetësova shumë kur mësova që të gjitha transmetimet rreth Imam Mehdiut konsiderohen të dobëta (deif). Deri në vitin 1998, isha i zhytur vetëm në këto mendime dhe nuk gjeja asnjë rrugë hulumtimi e as përgjigjet e mjaftueshme kundër besimeve të Xhematit Ahmedia. Kur nuk ia gjeta çarenë, edhe një herë u detyrova të kthehesha tek Ebu Xhemili, por kësaj radhe, arrita të organizoja një debat midis atij dhe dijetarit ahmedian Mustafa Thabit sahibit. Atë vit, i nderuar Mustafa Thabiti kishte ardhur në Kebabir për të marrë pjesë në Xhelsa Salanën (tubimin vjetor) e ahmedianëve dhe unë atë do ta takoja për herë të parë. Kështu që, një natë, pas faljes së akshamit dhe të jacisë u zhvillua debati, i cili vazhdoi deri në faljen e sabahut. Por mjerisht, për shkak të retorikës së thatë të Ebu Xhemilit biseda nuk solli ndonjë rezultat. Sepse Ebu Xhemili bënte pyetje të njëjta. Për shembull, ai e pyeste zotëri Mustafa Thabitin: Si i kuptoni porositë e sheriatit? Nëse i pyeturi përgjigjej: I kuptojmë nga Kurani i Shenjtë. Ebu Xhemili e pyeste: Po Kuranin si e kuptoni? Ai përgjigjej: Në gjuhën arabe. Pyetësi përsëri pyeste: Si e kuptoni gjuhën arabe? E kështu me radhë. Gjithë natën e kaluam duke u marrë me pyetje pa lidhje dhe Ebu Xhemili nuk na la të bisedonim për besimet e Xhematit Ahmedia. Unë që isha ndër shikuesit, po mërzitesha nga sjellja e dijetarit tonë dhe pyesja veten: Pse vallë Mustafa Thabiti nuk i bën pyetje të tilla Ebu Xhemilit! Megjithatë, nga ky debat mësova që Mustafa Thabiti ishte një njeri shumë i duruar, i cili pa u lodhur jepte përgjigjet e të gjitha pyetjeve.

Vendimi për të hulumtuar vetë

Pas atij debati, arrita në përfundimin se Ebu Xhemili nuk kishte aftësi të mjaftueshme që unë të mbështetesha tek ai për të hulumtuar Xhematin Ahmedia, ndaj vendosa që këtë punë ta bëja vetë. Deri atëherë, nuk kisha lexuar asnjë libër të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Ishte interesante që vetëm pas këtij vendimi, Zoti i Madhërishëm më udhëzoi për disa gjëra, që ishin:

Ato ditë, kisha qenë student në një universitet me korrespondencë (Open university) dhe zgjodha degën studim krahasimtar i feve dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në degën marrëdhëniet ndërkombëtare, studiova mendimet e shumë dijetarëve muslimanë rreth çështjeve kryesore, si: xhihadi, liria fetare, marrëdhëniet me jomuslimanët, etj. Kur lexova edhe mendimin e Xhematit Ahmedia, s’kisha si të mos e pranoja atë, sepse vetëm ai ishte mendim i drejtë, ndërsa mendimet e xhematit Tekfiri nuk ishin aq të pjekura, që të mund të mbanin themelet e këtij problemi.

Veç kësaj, duke studiuar krahasimin e feve, arrita në përfundimin që Hazret Isai a.s. ka ndërruar jetë dhe se ata që besojnë të kundërtën, ose janë në padijeni fare, ose e kundërshtojnë pa argument.

Në korrik të vitit 1998, bleva librin “El-Xhihad” që ka shkruar Meulvi Sa’id Ramadan El-Buti, i cili është ndër dijetarët më në zë të Sirisë, libër ky që do të luante rolin kryesor për t’i hequr mendimet e mia të ngulitura për xhihadin armiqësor. Megjithatë, El-Buti kishte një kontradiktë të hapur në librin e tij. Argumentet që sillte në pjesën e dytë për të provuar ndëshkimin me vdekje të renegatëve (murtedinëve), binin ndesh me pjesën e parë të librit. Kur lexova mendimin e Xhematit Ahmedia, edhe një herë u pajtova me idenë e tij, sepse atë e gjeta në rrugën e drejtë dhe se argumentet që jep ky Xhemat, ishin të forta dhe plotësisht bindëse për mua. Pastaj, kur studiova edhe çështje të tjera, mësova se dijetarët e mëdhenj si El-Buti, vetë nuk bien në ujdi me njëri-tjetrin në çështjet për të cilat ata e kundërshtojnë Xhematin Ahmedia.

Më 18 qershor të vitit 1998, shkova në Jordani, ku do të qëndroja deri më 14 korrik të atij viti, udhëtim ky do të bëhej shkak kryesor për t’i çrrënjosur mendimet e mia të Tekfirit. Ishte një udhëkryq, ku merrnin fund argumentet e xhematit Tekfiri, sepse që atje fillonin idetë dhe mendimet e vërteta të Xhematit Ahmedia.

Kundërshtari vetë e provoi vërtetësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Pastaj, fillova të lexoja literaturën islame. Së pari, nisa librat e komentimit të Kuranit. Ndërsa po lexoja komentimin (tefsirin) “El-Manar” të Sheh Reshid Radaut, ishte mbrëmje e bekuar e datës 22 shtator 1998, kur lexova argumentet e tij kundër ngritjes fizike të Isait a.s. në qiell. Por, pas shtrimit të këtyre argumenteve, ky dijetar i shquar përballet me problemin e jetës së Isait pas kryqëzimit. Me një fjalë, nëse Isai a.s., me ndihmën e Zotit të Madhërishëm, i shpëtoi kryqëzimit, por nuk ka shkuar as në qiell, atëherë çfarë rruge tjetër ai ndoqi? Pse nuk e ka parë asnjeri. Për t’iu përgjigjur këtij problemi, në librin e tij, ai sjell thënie të njerëzve të ndryshëm që provojnë se Isai a.s. ka qenë vetëm pandjenja në kryq, gjë që nuk quhet vdekje nga ana mjekësore. Por prapë se prapë ky fakt nuk zgjidh problemin. Pyetja aty mbetet. Ku shkoi Hazret Isai a.s. pas kryqëzimit? Për ta trajtuar këtë, dijetari Sheh Rashid Rada ngre një temë të re që thotë: “El-keulu bihixhretil Mesih ilel Hind ue meutihi fi beldati Siri Neger fi Kashmir” (“Mendimi për mërgimin e Mesihut drejt Indisë dhe për vdekjen e tij në qytetin Sri Nagar të Kashmiti”). Në këtë temë, Sheh Reshid Radau, lidhur me çështjen, citon Hazret Mirza Ghulam Ahmedin a.s. dhe gjithashtu për ajetin kuranor:

“Birni e Merjemes dhe nënën e tij, Ne e strehuam në një vend të lartë e të qetë me burime uji”

(El-Muminun 23:51)

tregon atë komentimin që ka shkruar Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.. Madje thotë se edhe ai pajtohet me këtë mendim. Veç kësaj, ai solli ajete të tjera të Kuranit në mbështetjen e kësaj ideje dhe në fund nxori përfundimin në fjalët e tij të famshme:

“Mërgimi i Isait drejt Indisë dhe vdekja e tij në atë qytet të saj nuk është larg argumenteve të logjikshme dhe të historisë”

E gjithë kjo provon që një dijetar i madh si Sheh Reshid Rada, në njërën ndër çështjet më delikate e të rëndësishme të fesë, pajtohet plotësisht me idenë e Hazret Mirza Ghulam Ahmedin a.s. të Kadijanit. Gjithashtu kuptova që, për të hedhur poshtë mendimet e gabuara të krishterëve, dijetari duhet ta ndiqte të vetmen rrugë studimi, që ka treguar Hazret Mirza Ghulam Ahmed Kadijani a.s.

Rezultati i hulumtimit

Pas këtij hulumtimi, erdha në përfundimin që nëse Hazret Isai a.s. ka ndërruar jetë dhe varri i tij gjendet në Kashmir dhe nëse Mirza Ghulam Ahmedi është ai personalitet, i cili e zbuloi këtë të vërtetë, e cila është kaq e rëndësishme që edhe një dijetar kaq i madh musliman i shekullit njëzet e ndjek rrugën e tij dhe nëse Mirza Ghulam Ahmedi është i vetmi që zgjidh problematikën e riardhjes së Mesihut, atëherë këto gjëra do të thonë se Mirza Ghulam Ahmedi është i vërtetë në mendimet dhe deklarimet e tij. Realisht, kjo ishte koha, kur nga zemra e kisha pranuar Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

Programi për përhapjen e mesazhit

Pasi iu binda Hazret Mesihut të Premtuar a.s., vendosa ta përhapja mesazhin e tij ndër të gjithë miqtë e mi që i përkisnin xhematit Tekfiri. Me bekimin e Zotit, plani im pati sukses. Pas diskutimeve të bëra vetëm brenda 12 ditësh, më 18 nëntor të vitit 1998, një miku im i nderuar Abdul Kader Mudalili më tha se iu bind vërtetësisë së Imam Mehdiut. Deri atëherë ne nuk dinim fare që kishte nevojë të bënim edhe Bejt (besëlidhje për anëtarësimin në Xhemat). Veten ne e konsideronim ahmedianë dhe e përhapnim mesazhin e Xhematit Ahmedia. Më vonë kur morëm vesh për Bejtin, atëherë në janar 1999 plotësuam formularët e Bejtit dhe kështu zyrtarisht hymë në Xhemat.

Më 26 shkurt të atij viti, u zhvillua një polemikë rreth besimeve të Ahmediatit dhe të vërtetësisë së Mesihut të Premtuar a.s., midis meje dhe dijetarit tim të mëparshëm Sheh Ebu Xhemlit. Ishte ky njeri, të cilin e kisha marrë edhe në Kebabir në një kohë për ta kundërshtuar Xhematin Ahmedia. Për të marrë parasysh suksesin apo humbjen e kësaj polemike, mjafton fakti që një miku im i nderuar Radi Telal dhe i nderuar Shadi Mudalili, vëllai i Abdul Kader Mudalilit, bënë Bejtin fill pas atij debati. Radi Telali familjarisht jeton në Suedi dhe me bekimin e Zotit, tani ka lidhje shumë të sinqertë me Ahmediatin dhe Kalifatin e tij. Ndërsa Shadi Mudalil sahibi jeton në Palestinë dhe është i angazhuar tërësisht në përhapjen e mesazhit të Xhematit.

Takimi i parë me Hazret Kalifin e Katërt (r.a.) të Mesihut të Premtuar

Në korrik të vitit 1999, bashkë me Abdul Kader Mudalilin, gjeta mundësi të merrja pjesë në Xhalsa Salanën e Xhematit të Anglisë, ku takuam edhe Hazret Kalifin e Katërt r.a., takim ky edhe pse ishe i shkurtër, por mjaft mbresëlënës. Hazuri më pyeti për reagimin e hoxhallarëve pas anëtarësimit tim në Xhemat.

Përshkrimi i disa debateve të mia

Siç tregova më lart, që debati im i parë ishte zhvilluar me Sheh Ebu Xhemilin. Ndërsa të dytin e kisha bërë me një hoxhë të fshatit tim, në korrik të 2011-it. Realizimi i tij u bë në një mënyrë shumë dramatike. Një ditë xhumaje, në xhaminë e tij, hoxha kishte sulmuar ashpër kundër besimeve të Xhematit Ahmedia dhe ishte përpjekur mjaft të përhapte urrejtje për të në muslimanët e pranishëm. Ndërsa po dëgjoja fjalimin, u çova menjëherë dhe shumë shpejt arrita të përgatisja një përgjigje edhe pse të shkurtër, por të argumentuar dhe derisa të përfundonte falja e xhumasë, i bëra 70 fotokopje, të cilat ia dhashë Shadi Mudalel sahibit, që shkoi dhe qëndroi pranë derës së asaj xhamie, për t’ua shpërndarë njerëzve kur të dilnin. Njerëzit ishin habitur për faktin që hoxha sapo ngriti akuzat kundër Xhematit Ahmedia dhe në një kohë kaq të shkurtër si po merrnin përgjigjet e tyre! Kur mori vesh hoxha për këtë punë, ai u hidhërua shumë. Ndaj, ne organizuam një debat midis atij dhe nesh. Në këtë debat shumë njerëz kishin marrë pjesë, por për nga organizimi ai nuk qe i suksesshëm. Sepse kurdoherë më vinte mua radha për të folur, disa nga njerëzit çoheshin në këmbë dhe fillonin të flisnin dhe nuk më linin ta mbaroja fjalën. Prandaj, ky debat përfundoi pa ndonjë rezultat.

Një tjetër debat që kam bërë me disa hoxhallarë, u zhvillua në një xhami, e cila ndodhet shumë afër Xhamisë Aksa të Bejtul Mekdesit. Qindra njerëz kishin marrë pjesë në të. Debati vazhdoi për shumë orë dhe shumë njerëz nxorën mllefin dhe helmin e tyre kundër Xhematit tonë. Por, rezultati i këtij debati ishin dy të rinj të sinqertë të Bethlehemit (Betul Lehm), Usama Esh-Sheih dhe Mithkal Bedui u anëtarësuan në Xhemat dhe me bekimin e Zotit i janë shumë të përkushtuar Xhematit.

Veç kësaj, një debat tjetër kam bërë në Bethlehem me disa dijetarë selefi.

Takime për tablig (për përhapjen e mesazhit)

Gjatë qëndrimit tim në Palestinë, shkoja te çdonjëri për të cilin merrja vesh se ishte i dëgjueshëm dhe bisedoja me të për Xhematin Ahmedia. Me bekimin e Zotit shumë njerëz e përqafuan rrugën e drejtë nga ato takime. Njëri ndër tyre, që dëshiroj të përmend këtu, është zotëri Muhammed Elauna, i cili pas gjashtë muajve, më 15 shtator të vitit 2003 u bë ahmedian. Këto ditë, një padi është ngritur kundër tij në gjykatën palestineze, në të cilën përpiqet të shpallet që zotëria është renegat (murted) dhe si i tillë, kurorëzimi (nikahu) i tij me bashkëshorten, do të shfuqizohet dhe gjithashtu ai nuk mund të gëzojë asnjë pasuri nga trashëgimia e familjes së tij. Përmes Muhammed Elauna sahibit, zotëri Muhammed Selahat u bë ahmedian, i cili tani shërben në MTA (kanalin televiziv të Xhematit).

Përpilimi i librave

Në mars të vitit 1999, më ra në sy një libër kundër Xhematit me titullin: “Ahmediati në peshoren islamik” (El-Ahmediatu fi mizanil Islam), përgjigjen fillestare e të cilit kisha përgatitur brenda disa orësh, e cila më vonë me shtojca të ndryshme do të botohej si një libër me titullin “Limadha Tenkimuna min-na?”.

Në fund të vitit 1999, hartova një libër për çështjen e ajeteve shfuqizuese dhe të shfuqizuara (Nasih ue Mensuh) me titullin “Pastrimi i Kuranit nga shfuqizimi dhe humbja” (Tenzihul Kuran enin nes’hi uen nuksan); në 2000-në një libër tjetër me titullin “Çështja e xhindëve nga Kurani” (El-xhinnu fil Kuran); në vitin 2001 “Liria fetare dhe xhihadi” (El-hurrijatud dinijah uel xhihadi); gjatë 2002-it shkrova librin “Argumenti kundër mendimit për të zgjedhur gjykues hadithin dhe sunetin mbi Kuranin”; në vitin 2003 u hartua libri “Qeverisja islame në ajetet e në histori”. Përveç librave, hartova disa fletëpalosje për çështje të ndryshme.

Në vitin 2004, ndjeva që një shtresë e gjerë njerëzish nuk kanë qasje të gjejnë librat e t’i lexojnë ato. Jemi në kohën e internetit dhe shumë njerëz mbështeten te ky mjet elektronik. Andaj, u mora me përpilimin e artikujve të shkurtër në tema të ndryshme. Këta artikuj, përveç se postohen në webfaqen tone, edhe u dërgohen shumë njerëzve nëpërmjet e-mailave, artikuj këto, deri më tani janë në qindra. Për këtë, lavdërimi i takon vetëm Allahut.

el-hiwar-el-mubashar

Një shenjë e madhe për mua

Vetëm një muaj pasi pranova Xhematin Ahmedia më ndodhi një ngjarje kaq interesante, e cila për mua, nuk është e vogël sesa ndonjë mrekulli. Djali im Ihsani atëherë kishte qenë një vit e dy muaj. Një ditë, e nxora atë nga shtëpia në një livadh, ku, pranë një shkëmbi e ula dhe vetë duke u shëtitur zura të lexoja një libër. Gjatë leximit, shkoja gati një qind metra larg djalit dhe kthehesha përsëri te ai. Një herë kur e pashë nga larg, e gjeta në mes të një tufe grerëzash. Ato ishin grerëza të veçanta për të cilat, në vendin tim, është e famshme që nëse vetëm njëra nga ato pickon dikë, ka rrezik vdekjeje. Por, nëse pesë ose më shumë pickojnë dikë, atëherë vdekja është e sigurt për të. Këto grerëza ndërtojnë shtëpitë në tokë dhe nëse dikush u afrohet atyre, menjëherë i vërsulen. Por Ihsani kishte arritur te një huall të grerëzave dhe po e gërmonte atë dhe për këtë arsye, ai ishte i rrethuar nga dhjetëra grerëza. U shqetësova shumë kur e pashë djalin në këtë rrethanë. Me gjithë fuqi iu sula, e mora djalin nga grerëzat dhe zura të vrapoja në një drejtim me shpejtësi të madhe. Kur kalova një distancë të mjaftueshme dhe mendova që tashmë do të isha larg tyre, u ndala dhe e kontrollova djalin. Ndoshta asnjë njeri nuk mund të imagjinojë se në çfarë gjendjeje isha kur zbulova që Ihsanin nuk e kishte pickuar asnjë grerëz. Pastaj, e kontrollova edhe veten, edhe unë isha i siguruar. Nuk po më besohej se si kishte ndodhur gjithë kjo! Sepse vërtet ishte e pamundur që ne të ishim në mes të një tufe të atyre grerëzave dhe të dilnim pa pasojë. Kur u tregova njerëzve të ndryshëm, edhe ata u habitën. Nëse ata nuk dinin se unë nuk gënjej, ata kurrë nuk do të më besonin. Madje, nëse dikush tjetër do më rrëfente një ngjarje të tillë, edhe unë nuk do ta besoja atë. Sepse ishte e pamundur të ndodhte një gjë e tillë, ndërsa e kundërta e saj kishte ndodhur mjaftë herë. Për shembull, një shoku im një herë po shkonte diku me gomarin e tij. Papritmas gomari shkeli një huall të tyre. Grerëzat iu vërsulen. Shoku im e la gomarin aty dhe ia mbathi menjëherë. Gomari ngordhi, ndërsa shoku im shpëtoi, pasi nuk e kishte pickuar ndonjë grerëz. Kështu që, ngjarja që më ndodhi mua ishte një mrekulli me vete, e cila ndodhi një muaj pasi e pranova Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe për mua kjo ishte një shenjë shumë e madhe, për të cilën sa do që të falënderoj Zotin e Madhërishëm, prapë do të jetë pak. Lavdërimi i takon vetëm Allahut.

(Përmbledhur nga gazeta javore “El-Fazl”, numrat 34, 35 dhe 36, që u botuan gjatë muajve gusht e shtator të vitit 2010, në artikullin “Mesalehul Arab”)

Për të vizituar uebfaqen e Xhematit Musliman Ahmedia në gjuhën arabe, ju lutem klikoni këtu…