Si e kuptojnë muslimanët ahmedianë "Vulën e profetëve"?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

(Përgjigje nga Hazret Mirza Tahir Ahmed r.a., Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar)

Versioni Audio:

Transliterimi:

Pyetësi:

Si e kuptoni “Vulën e profetëve”? Ku qëndron dallimi në botëkuptimin tuaj dhe të muslimanëve të tjerë për këtë çështje?

Kalifi:

Për sa i përket pyetjes suaj të parë, dua t’ju them se kur ne japim përgjigje me argumente, disa njerëz thonë se nuk dinë shumë. Ne këtu hasim vështirësi. Një njeri që nuk di fare për fenë e vet dhe ka besuar vetëm gjërat që i kanë thënë të tjerët dhe ato i quan fe, është shumë e vështirë ta bindësh atë, sepse ai do të fillojë të akuzojë se nuk po i përkthen saktë shkrimet hyjnore. Për t’i ikur kësaj vështirësie, do të përpiqem t’ju shpjegoj në një mënyrë tjetër, e cila do t’ju lirojë nga vështirësia e përkthimit. Do t’ju jap një përgjigje, që do të jetë shkurt e shqip.

Për mendimin tim, nëse do të bëni një analizë të sinqertë, do të kuptoni se parimisht nuk ka aspak dallim midis pikëpamjes sonë për të kuptuar termin Khatamun-Nebijin (Vulën e Profetëve) dhe të pikëpamjes së dijetarëve të tjerë jo-ahmedianë. Kemi besim 100% të përbashkët. I vetmi dallim që ekziston është në përcaktimin se a do të vijë ky apo dikush tjetër.

Përse them kështu? Sepse, të gjithë dijetarët që na akuzojnë ne, thonë se Xhemati Ahmedia ka sjellë konceptin e ardhjes së një profeti të ri, edhe pse brenda umetit, pas Profetit Muhammed s.a, dhe kështu, e ka prishur umetin dhe, kurorën e profetizmit të Profetit Muhammed s.a. ia ka vënë dikujt që ishte gënjeshtar dhe trillues, neudhubil-lah. Thonë se ata dhe i gjithë umeti musliman kurrsesi nuk do ta durojnë dot këtë “shkelje”dhe nuk mund ta pranojnë me asnjë çmim. Pra, kjo është akuza ose padia e hoxhallarëve kundër nesh.

Pak më parë keni thënë se pjesa dërrmuese e umetit është bërë hipokrite. Natyrisht, kjo i përfshin edhe akuzuesit në fjalë. Sepse, tani do të provoj përpara jush se ata vetë besojnë se pavarësisht se Profeti Muhammed s.a. është Khatamun Nebijin (Vula e profetëve), do të vijë një Mesih që do të jetë profet i Zotit dhe kushdo që do ta refuzojë atë, do të përjashtohet nga rrethi i Islamit dhe ai Mesih quhet Isai i biri i Merjemes. A është e saktë apo jo? Njëqind për qind është e saktë. Të gjithë hoxhallarët apo dijetarët që thonë se nuk mund të vijë asnjë profet pas Profetit Muhammed s.a. dhe ne na akuzojnë për shkelje, janë në një mendje për ri-ardhjen e Isait a.s.. Pra, në njërën anë thonë se nuk do të vijë asnjë profet pas Profetit Muhammed s.a. dhe, sipas tyre, ky është kuptimi i vërtetë i “Vulës së profetëve”, dhe në anën tjetër e përjashtojnë Isain a.s. nga ky parim. Sipas tyre, ai patjetër do të vijë edhe një herë dhe do të vijë me kurorën e Profetit Muhammed s.a.. Kështu rezulton sepse kur vjen Isai i vjetër, atij do t’i duhet t’i kundërvihet ajetit të Kuranit i cili ka thënë për të:

“Është i dërguar për bijtë e Izraelit”.[1]

Pra, kush do ta ngarkojë atë me përgjegjësinë e re që të ketë të drejtën për të sunduar popullin e Muhammedit s.a.? Derisa ai nuk do të vijë me kurorën profetike të Muhammedit Mustafa s.a., ai nuk ka të drejtë të drejtojë umetin e tij. Kështu që, dijetarët praktikisht pranojnë dy gjëra: (1) Profetllëku nuk është i mbyllur në mënyrën siç e tregojnë ata vetë. Ata ndryshe thonë, ndryshe besojnë. Sepse thonë se nuk do të vijë asnjë profet pas Profetit Muhammed s.a., por e pranojnë se muslimanët do të kenë nevojë për një profet. Po të mos ekzistojë nevoja, përse do të vijë Isai si profet? Kur një njeri thotë ndonjë gjë pa lidhje, thoni se është i pamend, por, vallë, a guxoni t’i etiketoni diçka të ngjashme edhe Zotit të Madhërishëm?! Si ka mundësi që Ai ka pohuar, në njërën anë, se nuk do ketë më nevojë për ndonjë profet dhe, në anën tjetër, të sjellë një profet, që kishte mbajtur rezervë prej dy mijë vitesh. Përse e ka mbajtur, nëse nuk do të lindte nevoja? Kështu që, dijetarët muslimanë, e pranojnë edhe nevojën e ardhjes së një profeti, dhe gjithashtu, e pranojnë edhe ardhjen e tij. Por këtu ata paraqesin një dhe të vetmin justifikim. Sipas tyre, nëse vjen ndonjë profet i ri (qoftë brenda umetit) do të thyhet “Vula e profetëve” të Muhammedit s.a. dhe nëse vjen një i vjetër, nuk do të thyhet ajo. Kjo është zgjidhja që sipas tyre e ka zgjedhur Zoti, i cili, kur e mbylli rrugën e profetëve për të ardhmen, pavarësisht se do të ekzistonte nevoja, ka bërë strategji që paska ruajtur një profet të vjetër, të cilin do ta dërgojë edhe një herë dhe do të provojë: Ja, nuk u thye aspak “Vula e profetëve” e Muhammedit! Ky është tamam koncepti i hoxhallarëve, të cilët, në emër të Islamit, jua predikojnë juve që jeni muslimanë të pafajshëm. Kurse ne themi se kjo nuk është e drejtë. E vërteta është që ashtu siç e interpretojnë jo-ahmedianët “Vulën e profetëve”, do të quhej e drejtë, nëse nuk do të kishte më nevojë për ndonjë profet në të ardhmen. Po të marrë fund nevoja e ardhjes së ndonjë profeti, atëherë, pa dyshim, nuk do të ketë nevojë të vijë as i vjetri, as i ri. Por nëse nuk ka marrë fund nevoja, kushdo që tenton ta mbyllë rrugën e saj, është mizor dhe i padrejtë. Sepse, i bie që bota ka nevojë për të, dhe dikush e ka ndalur atë. A nuk është mizori e madhe t’u ndalësh ujë të eturve?! Po, nëse do të provohet që etja është shuar tërësisht nga bota, atëherë ndaleni ujin, askush nuk do t’ju pengojë. Kështu që, të dyja palët, si ahmedianët, si jo-ahmedianët, besojnë njësoj për ardhjen e profetit. Në këtë pikë nuk ka asnjë dallim. I vetmi dallim është në përcaktimin se kush do të vijë? Sipas jo-ahmedianëve, Zoti nuk do të bëjë profet askënd prej umetit të Muhammedit s.a., sepse dhuntia e profetizmit është e ndalur, por nuk është e ndalur ardhja e profetit. Sepse, po të ndalej edhe ardhja e tij, nuk mund të vijë as Isai i vjetër. A është e qartë, apo jo? Po të ishte ndalur edhe ardhja e profetit, si do të vijë Isai a.s.?! Këtu ata thonë se është e ndalur dhuntia e profetllëkut, pra, askush nuk do të caktohet si profet. Kurse ardhja e një të vjetri me pak ndryshime, sipas tyre, është e lejuar. Ky është dallimi i botëkuptimit tonë dhe të atyre për “Vulën e profetëve”.  Sipas nesh, mënyra siç e interpretojnë ata “Vulën e profetëve” është fyerje ndaj Islamit, ndaj Resulullahut, Profetit Muhammed sela-llahu alejhi ue selam dhe ndaj Kuranit. Kurani e ka cilësuar Isain a.s. si “profet për bijtë e Izraelit”. Pra, Isai a.s., sipas Kuranit, ishte vetëm për bijtë e Izraelit. I njëjti kur do të vijë në të ardhmen dhe ju thotë:

– “O umeti i Muhammedit! Unë jam profet për të gjithë ju”,

a do ta kundërshtoni Kuranin për ta pranuar atë?! Si mundet që të dy të jenë të saktë njëkohësisht? Nëse e pranoni Isain, do t’ju duhet ta mohoni ajetin e Kuranit. Nëse e pranoni Kuranin, do t’ju duhet ta mohoni Isain. Pra, Kurani nuk e lejon Isain e vjetër të marrë përgjegjësinë e profetit për umetin e Muhammedit s.a..

Së dyti, që është akoma më e rëndësishme, duhet të dini se kush ka qenë profeti i parë i dërguar për të gjithë botën? Pa dyshim, ishte Hazret Profeti Muhammed sela-llahu alejhi ue selam. Kush e kishte sjellë mësimin për të gjithë botën? Sërish, Hazret Profeti Muhammed sela-llahu alejhi ue selam, sepse Zoti i Madhërishëm e urdhëroi të thoshte:

O njerëz! Unë pa dyshim jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju.[2]

A kishte bërë Hazret Musai a.s. apo dikush tjetër një deklaratë të tillë?  Jo. Kështu që, sipas jo-ahmedianëve, Zoti do ta zgjedhë për muslimanët atë profet, të cilin Zoti Vetë e ka bërë të kufizuar vetëm për bijtë e Izraelit. Tani, kur do të vijë ai përsëri, Zotit patjetër do t’i duhet t’i japë një profetllëk të ri, i cili të jetë mbarëkombëtar.  A nuk do ta thyejë kjo “Vulën e profetëve”, siç e paraqesin ata?! Derisa Zoti nuk do ta bëjë Isain profet mbarëkombëtar, ai nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në çështjet e umetit të Muhammedit s.a.s.. Dhe po e bëri ndërkombëtar, u provua që profetllëku i tij i vjetër nuk ishte i mjaftueshëm dhe Zoti ia zgjeroi atë, duke e bërë një profet ndërkombëtar, duke e lartësuar atë edhe më shumë. A i mbetet ndonjë gjë më besimit të tyre se nuk do të vijë ndonjë profet pas Profetit Muhammed s.a.s.?! Kurse besimi ynë është që Zoti i Madhërishëm i ka dhënë të gjitha potencialet umetit të Muhammedit s.a.s., që, shërbëtorët e sinqertë të Profetit Muhammed s.a.s. kanë aftësi për ta përmirësuar umetin në rast nevojash. Dhe për këtë arsye, prej shërbëtorëve të tij, Zoti zgjodhi atë që deshi. Por jo-ahmedianët e refuzojnë këtë duke thënë: Jo, nuk është e saktë, sepse Zoti do të sjellë një profet të umetit të Musait a.s. për ta përmirësuar umetin e Muhammedit s.a.s. dhe ky është lartësimi i Muhammedit. Ç’lartësim qenka ky?! Vjedhësit hyjnë në një shtëpi dhe banorët e saj janë të dobët dhe nuk i largojnë dot. Komshiu vjen duke kapërcyer murin dhe i shpëton banorët nga vjedhësit, dhe banorët i thonë komshiut: Të kemi bërë nder që erdhe e na shpëtove! A është e arsyeshme kjo?! Shpëtimtari mbetet mirëbërës. Kështu që, jo-ahmedianët, siç e kanë konceptin e “Vulës së profetëve”, e kanë cenuar edhe pozitën e Profetit Muhammed s.a.s. si shpëtimtar të fundit. Burimi i fundit i bekimit është Hazret Resulullahu, Profeti Muhammed s.a.s. dhe Kurani Famëlartë, dhe nuk është e mundur që një profet i vjetër të vijë pas Profetit Muhammed s.a.s. për të dhënë bekime. Kurse një që përfitoi prej burimit të tij, daç si profet, daç si jo-profet, ai mbetet shërbëtor i tij. Hoxhallarët, duke përhapur mësimet e Kuranit, a sjellin gjëra të reja. Përkundrazi, sjellin bekimet vetë nga Kurani, prandaj, kjo nuk është ndonjë shkelje. Edhe eulijatë të njëjtën gjë bëjnë. Edhe dijetarët e mëdhenj të njëjtën gjë bëjnë. Edhe sidikët këtë gjë e bënë. Kur të njëjtën gjë do ta bëjë edhe profeti i ardhur prej gjirit të umetit, si mund të quhet shkelje? Kështu që, ai që vjen brenda umetit, nuk do t’i rrëmbejë kurorën e Profetit Muhammed s.a.s., kurse ai që vjen nga jashtë do t’i duhet të bëjë një gjë të tillë, (sepse ai nuk e ka ndjekur Profetin Muhammed s.a.s.)

Së treti, jo-ahmedianët pranojnë edhe ardhjen e Imam Mehdiut. Pra, thonë se dikush mund të vijë si Imam Mehdi, por thonë se ai nuk mund të vijë si profet i Zotit. Kështu që, një grup që është shkëputur nga gjiri i ahmedianëve, që quhet “Xhemati i lahorive”, e pranojnë Imam Mehdiun, por pa e quajtur atë profet, e pranojnë Mesihun e Premtuar, por pa e cilësuar atë si profet. Sa për lahoritë, pikë së pari, kur e pranuan Mesihun e Premtuar dhe nuk e pranuan atë si profet, e kanë mohuar profecinë e Profetit Muhammed s.a.s. që Mesihu i Premtuar do të vijë si profet i Zotit. Së dyti, që është për të gjithë, duhet të dini se Mehdiu nuk mund të vijë pa qenë i dërguar. Është kundër logjikës. Pyetini pak dijetarët jo-ahmedianë, do t’ju japin përgjigjen që unë jua them tani:

Ju i pyesni: Të nderuar dijetarë, e kuptuam që Mirza Ahmed Kadijani është gënjeshtar. A do të vijë ndonjë Imam Mehdi apo jo? U lodhëm duke e pritur. Do të vijë apo s’do të vijë?

A do t’ju thonë dijetarët se nuk do të vijë?

Pyetësi:

Jo nuk do të thonë kështu, sepse edhe unë besoj se do të vijë Imami, derisa i përkas sektit që ka një besim të tillë.

Kalifi:

Çfarëdo përkatësie të keni, të gjithë janë në një mendje që Imam Mehdiu do të vijë patjetër. Madje edhe shitë besojnë se së pari do të shfaqet Imam Mehdiu dhe pastaj do të zbresë Mesihu prej qiellit. Kështu që, kur t’i pyesni dijetarët, daç shitë, daç sunitë, a do të vijë Imam Mehdiu, të gjithë do t’ju përgjigjen – po do të vijë.

Pyetja tjetër drejtuar dijetarëve: A do të caktoni ju se kush do të jetë Imam Mehdi? A do ta caktojë shteti iranian apo Arabia Saudite?

Pyetësi:

Jo, jo. Këto pozita jepen prej Zotit.

Kalifi:

E pra, pikërisht Zoti do ta zgjedhë Imam Mehdiun dhe do ta caktojë atë si Imam për të gjithë muslimanët. Po pasi ta bëjë atë Imam, a nuk do t’ju obligojë ta besoni atë? Apo do t’ju lër të lirë? Pra, Zoti Vetë kur e bën Imam dikë, a mundet që t’u thotë njerëzve: “Ju jap të drejtën për ta mallkuar, për ta sharë e për ta persekutuar atë dhe nuk do t’ju kërkoj llogari për këtë”? A mund të ndodhë diçka e tillë?

Pyetësi:

Jo.

Kalifi:

Kurrsesi jo! Ai që mohon Imamin e caktuar prej Zotit, e shkëput lidhjen edhe me Profetin Muhammed s.a. A është e saktë kjo apo jo? E pra, pikërisht këtij i thonë profet. Më jepni ndonjë përkufizim tjetër të profetit, nëse keni! Pra, profeti është ai që caktohet prej Zotit. Profeti është ai që je i obliguar ta pranosh.

“Çdokush (prej besimtarëve) besoi në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij dhe në të dërguarit e Tij”.[3]

Pra, umeti i Muhemmedit është i obliguar të pranojë çdo profet, kurse dikë që nuk është profet, nuk është i obliguar ta pranojë. A është e shkruar diku: Duhet të pranosh filan imam apo filan hoxhë?! Po Imam Mehdiu, nëse do të jesh i obliguar ta pranosh, çfarë statusi do të ketë ai?! Kështu pra, gjendja e këtyre dijetarëve është që thonë edhe po, edhe jo. Ne u themi: Po dhënkeni përkufizimin e profetit, pa e quajtur profet. Pra, kur i jepni Imam Mehdiut të gjitha atributet e profetit, çfarë ju pengon ta quani si të tillë?!  Ata na thonë: “Ju po e quani profet, ne nuk e quajmë”. E kuptoni tani se si sillen me ne këta dijetarë?! Për këtë vjen shembulli i atij mbreti që kishte një kalë, të cilin e donte jashtë mase shumë. Mbreti ka qenë fuqiplotë, dhe mizor, njëherësh. Ai mësoi se kali iu sëmur me një sëmundje të pashërueshme. U zëmërua shumë dhe tha: –

Kush guxon të ma vrasë kalin?! Ai që më thotë se kali më ka ngordhur, do t’ia pres qafën.

Pastaj i urdhëroi mjekët: – Duhet ta shëroni patjetër! E dua kalin të gjallë.

Të gjithë i zuri frika. U mblodh edhe paria e mbretit, por mjekët u thanë: S’kemi asgjë në dorë, sepse jeta dhe vdekja është në dorën e Zotit.

Veziri u tha: – E di që jeta dhe vdekja është në dorën e Zotit, por kush prej jush dëshiron të vritet?

Ra belaja! Pasi diskutuan gjerë e gjatë dhe menduan, gjetën një zgjidhje. Thanë se do të kapim fshatarin e parë që do të hyjë në qytet dhe atij do t’i themi që ta njoftojë mbretin se kali i ka ngordhur. Por e gjithë kjo nuk kishte mbetur më e fshehtë. Lajmi ishte përhapur gjithkund. E dinte edhe fshatari që hyri i pari në qytet, ndaj, u tha: Pse po më vrisni mua të gjorë, kur nuk kam asnjë lidhje me çështjen?!

– Jo, jo – ia kthyen mjekët – nuk është kjo pyetje. Ne po të japim të zgjedhësh njërën prej dy alternativave. Do që të vritesh nga mbreti apo të vrasim ne?

Fshatari u tha: – O ju të ligj! Kurrë nuk dëshiroj të vritem nga ju. Më mirë të më vrasë mbreti.

Në fakt, fshatari ka qenë një plak i mençur. Ai shkoi te mbreti dhe i tha:

– Madhëri! Urime! Urime! Kali juaj është në gjendje shumë të mirë!

Mbreti u gëzua pa masë. – Ashtu?! U bëri mirë kali im?! – e pyeti për të rikonfirmuar.

– Pa dyshim që po, Madhëri, unë sapo e kam parë atë, iu përgjigj fshatari.

Mbreti tha: Më trego pak se si ndihet dhe çfarë shenjash përmirësimi ka?

Fshatari tha: – Kur po shkoja drejt kalit, ai përpëlitej aq fort saqë edhe toka dridhej nga përplasjet e tij. Por kur iu afrova, ishte kaq i qetë, saqë nuk lëvizte më fare.

Mbreti u shqetësua paksa dhe tha – Po, më trego edhe ndonjë shenjë tjetër.

Fshatari tha: – Kur po i afrohesha kalit, ai merrte frymë kaq fort, sikur pret diçka me sharrë. Por kur iu afrova krejt, nuk bënte asnjë lloj zhurme. Po kështu, kur po i afrohesha, zemra i rrihte kaq fort sikur gjëmonte, por kur shkova pranë, nuk ndihej fare. Ai është shumë i qetë, Madhëri!

Mbreti nuk duroi më dhe i bërtiti: – O i poshtër! pse nuk thua se ka ngordhur?!

– E thoni ju o Madhëri, s’e them unë – i tha fshatari.

Pikërisht kështu sillen hoxhallarët me ne. Siç e përkufizojnë Imam Mehdiun dhe Mesihun ata, tamam flasin për një profet. Kur ne u themi se pse nuk e quani profet, ata thonë: Ju e thoni, ne nuk e themi. Kjo nuk është drejtësi. Pse frikësoheni t’ia përmendni emrin, kur në realitet ju vetë e prisni? Pse interpretoni Kuranin në një mënyrë, e cila bie ndesh me zgjidhjen që ju vetë e pranoni? Prandaj, duhet ta pranoni vendimin e Kuranit që ju kam përmendur edhe më parë, i cili thotë:

Kushdo që do ta ndjekë Allahun dhe të Dërguarin, do të jetë prej atyre të cilët i ka bekuar Allahu: prej profetëve, të vërtetëve, dëshmorëve dhe të sinqertëve. Sa shoqëri e mbarë është kjo![4]

Kjo është karakteristika e umetit të Muhammedit s.a.s.. Krenar do të jetë ai që gjen shoqërinë e këtij umeti. Pra, nderi për umetin e Muhammedit u cilësua në këtë mënyrë, dhe jo në atë mënyrë siç thonë jo-ahmedianët se do të vijë profet i një umeti tjetër dhe do ta bekojë umetin e Muhammedit s.a.s.. Ky është realiteti i “Vulës së profetëve” dhe kështu besojmë ne. Faleminderit.


 

[1] Kurani Famëlartë 3:50.

[2] Kurani Famëlartë 7:159.

[3] Kurani Famëlartë 2:286.

[4] Kurani Famëlartë 4:70.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp