Shenjat kryesore e ardhjes së Imam Mehdiut në bazë të haditheve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
kohet e namazit

Në  këtë artikull, do të lexoni shenjat kryesore të ardhjes së Imam Mehdiut dhe të Mesihut të Premtuar, në bazë të haditheve, pra, thënive të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Nëse plotësohen shumica e këtyre shenjva, atëherë një musliman i sinqertë duhet të angazhohet me të gjitha aftësitë dhe mjetet e tij për të kërkuar Imam Mehdiun dhe Mesihun e Premtuar, sepse ardhja e tij është e lidhur ngushtësisht me shfaqjen e këtyre shenjave.

Ardhja e Mesihut të Premtuar dhe Imam Mehdiut

عن ابی ھریرۃ رضی اللہ عنہ عَنِ النَّبِیِّ ‏ ‏ صَلّى اللہُ عَلَیْہِ وَسَلَّمَ ‏ ‏قَالَ :‏ ‏ یوشك من عاش منكم أن یلقى ‏ ‏عیسى ابن مریم ‏ ‏إماما مھدیا وحكما عدلا فیكسر الصلیب ویقتل الخنزیر ویضع ‏ ‏الجزیۃ ‏ ‏وتضع الحرب ‏ ‏أوزارھا

Transmetohet nga Abu Hurejrah r.z. se Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Çdokush që do të jetojë prej jush, do ta gjejë Isain birin e Merjemes si Imam Mehdi, si vendimtar, gjyqtar, ai do ta thyejë kryqin, do të mbysë derrin dhe do të heqë xhizjen dhe lufta (xhihadi) do të dorëzojë armët e saj.” (Ahmed ibn Hanbel, “Musned”, botues: “Muessesetu er-Risaleh”, Bejrut, 1996, hadithi nr. 9323)

Ky hadith, në Muslim, përmendet si më poshtë:

عن ابی ھریرۃ رضی اللہ عنہ انّہ قال : قال رَسُولُ اللہ ‏ ‏صَلّى اللہُ عَلَیْہِ وَسَلَّمَ: ‏ ‏وَاللہِ لَیَنْزِلَنَّ ابنُ مَریمَ حَکمًاعادِلًا فَلَیَکْسِرَنَّ الصَّلیبَ وَلَیَقْتُلَنَّ الخِنْزِیرَ وَلَیَضَعَنَّ الْجِزْیَۃَ وَلَتُتْرَکُنَّ الْقِلَاصُ فَلا یُسْعٰی عَلَیْھَا وَلَتَذْھَبَنَّ الشَّحْنَاءُ والتَّبَاغُضُ والتَّحَاسُدُ وَلَیَدْعُوَنَّ اِلی الْمَال فَلا یَقْبَلُہ اَحَد -مسلم کتاب الایمان باب نزول عیسیٰ ابن مریم

Transmetohet nga Abu Hurejrah r.z. se Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Për Zotin, do të zbresë patjetër Biri i Merjems si vendimtar, gjyqtar, ai patjetër do ta thyejë kryqin, patjetër do të mbysë derrin dhe patjetër do të heqë xhizjen, me siguri do të dalin devetë jashtë përdorimit dhe askush nuk do t’i hipë, koprracia, lakmia,inati dhe xhelozia do të zhduken (me anë të Mesihut të Premtuar). Ai do t’i thërrasë njerëzit drejt pasurisë, por asnjeri nuk do ta pranojë.” (Muslim Kitabul Iman, Bab Nuzul Isa ibni Merjem)

Shënim:

Misionet e Mesihut të Premtuar dhe të Imam Mehdiut që janë përmendur në këto hadithe, nëse i shohim si shkak pasojë, ato vetë japin edhe shenjet e ardhjes së tij dhe përcaktojnë kohën e tij.

Rënia e myslimanëve dhe ndarja e tyre në 73 sekte

Ai është vendimtar dhe gjyqtar, sepse në kohën e tij, myslimanët do të përçaheshin dhe zgjidhja përfundimtare do të vinte prej Zotit. Kështu që, në shumë hadithe, Profeti Muhammeds.a.v.s. paralajmëron rënien e skajshme të myslimanëve. Këtu do të përmendim vetëm tri nga ato:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

–        Sigurisht, edhe popullit tim do t’i ndodhin gjërat që u kanë ndodhur më parë Izraelitëve, ashtu siç këpucët ngjajnë njëra me tjetrën. Madje, nëse dikush prej Izraelitëve ka kryer imoralitet haptas me nënën e tij, do të jetë ndonjëri edhe nga populli im që do të bëjë të njëjtën gjë. Vërtet, Izraelitët u ndanë në 72 sekte, por njerëzit e mi do të ndahen në 73; të gjithë do të jenë në zjarr përveç njërit.

–        Kush do të jetë ai? – e pyetën es-habët e tij.

–        Ata që do të jenë në rrugën time dhe të es-habëve të mi – u përgjigj i Dërguari i Allahuts.a.v.s.  (Tirmidhi, vol. 5, Kitabul ul Iman, kap. 18, hadithi 2641)

Sunen Abi Daud përmendet se I Dërguari i Allahuts.a.v.s. tha:

72 do të jenë në zjarr dhe një do të jetë në xhenet. Ai do të jetë Xhemati.

Në arabisht, xhemat do të thotë “bashkësi”. Bashkësia nuk mund të ekzistojë pa një kryetar, i cili, në terminologjinë e Islamit quhet kalif. Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, sot sistemi i kalifatit funksionon vetëm në Xhematin Mysliman Ahmedia, themeluesi i të cilit Hazret Mirza Ghulam Ahmedi ka deklaruar të jetë Imam Mehdi dhe Mesih i Premtuar. Ndërsa, të gjitha sektet e tjera, jo vetëm që nuk gëzojnë një sistem të tillë, por bashkërisht e kundërshtojnë këtë xhemat. Pikërisht për këtë kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. që 72 sekte në një drejtim dhe 1 në një drejtim tjetër, por vetëm ky i fundit do të jetë në rrugën e drejtë. I Dërguari i Allahuts.a.v.s. paralajmëroi për rënien e myslimanëve me fjalët, që nëse i lexoni ato, juve ju duket sikur i Dërguari i Allahuts.a.v.s. po tregon gjendjen e tyre të sotme. Ai thotë:

“Sigurisht do të vijë koha kur Islamit nuk do t’i mbetet asgjë përveç emrit të tij dhe Kuranit nuk do t’i mbetet përveç tekstit të tij. Xhamitë e tyre do të jenë të mbushura me njerëz, por të zbrazëta nga hidajeti (d.m.th. nga udhëzimi i vërtetë). Dijetarët e tyre do të jenë krijesat më sherrxhi nën qiell. Përçarja do të mbillet prej tyre dhe tek ata do të kthehet.” (Shuabul Iman, Imam Bejhki, vëll. II, f. 311, i botuar në Darul-kutubil-ilmija, Bejrut; Mishkat, kitabul Ilm)

Në një hadith tjetër, që rrëfehet nga Hazret Abdullah Bin Amr r.z., i Dërguari i Allahuts.a.v.s. thotë:

“Me të vërtetë Zoti nuk do ta heqë dijen nga robërit e tij përnjëherë. Por, dija do të hiqet nga zhdukja e dijetarëve, derisa nuk do të mbetet asnjë dijetar. Atëherë njerëzit do të zgjedhin injorantët si dijetarë, të cilët kur kërkohen, lëshojnë vendime pa dije dhe kështu devijohen dhe i devijojnë të tjerët”. (Buhari, Kitabul Ilm, Bab Kejfa jekbidul ilm)

Mbizotërimi i fesë së krishterë

Në hadith, Profeti Muha-mmeds.a.v.s. thotë se Mesihu i Premtuar do të vijë për të thyer kryqin, paralajmërim ky që do të japë një pamje absurde nëse do ta paramendoni të plotësohej me kuptimin e tij të drejtpërdrejtë. Çfarë dobie mund të sjellë një njeri duke zbritur nga qielli që t’i thyejë të gjitha kryqet që gjenden botë, qofshin nëpër kisha, qofshin nëpër rrugë apo varreza ose qofshin ato në qafat e miliona grave apo burrave të botës! Në të vërtetë, ky paralajmërim tregon se gjatë kohës së Mesihut të Premtuar, feja e krishterë me besimin e kryqit do të jetë e mbizotëruar në botë. Mesihu i Premtuar do të vijë pikërisht për të dhënë argumente të qarta që do të tregonin pavërtetësinë e besimit në kryq. Edhe në shpjegimin e Dexhallit, do të lexoni sesi do të mbizotërojë feja e krishterë. Sot, kjo profeci është përmbushur pikë për pikë.

Shumë nga dijetarët myslimanë apo jomyslimanë, e pranojnë faktin se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi ishte i pari që trajtoi gjerësisht problematikën e ngjarjes së kryqëzimit të Hazret Isaita.s.. Ai argumentoi nga Bibla, Kurani dhe shkenca se Hazret Isai nuk ndërroi jetë në kryq, por i shpëtoi kryqëzimit dhe pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi nëpër malet e Kashmirit.

Rënia morale

Vrasja e derrit gjithashtu ka kuptim metaforik. Dijetarët myslimanë gabimisht e kuptuan këtë profeci të madhe në sensin fizik. Do të ishte mirë që ata që e besojnë këtë gjë, duhet të fillojnë të vrasin derra që tani, në mënyrë që t’ia lehtësojnë punën atij profeti që do të vijë nga qielli! Nëse dikush e keqkupton këtë që sapo thamë, atëherë si është e mundur që të mendohet një detyrë e tillë për një profet!? Në këtë profeci, derri nuk simbolizon tjetërkënd përveç njeriut. Kjo padyshim tregon se në kohën e Mesihut të Premtuar bota do të degradohej në ekstrem. Metafora e derrit me këtë kuptim është përdorur vetë nga Kurani Famëlartë. Aty thuhet:

Thuaj: “A doni t’ju tregoj se kush do të marrë dënimin më të rëndë nga Allahu? Ata që Allahu i ka mallkuar dhe me të cilët është zemëruar, duke i shndërruar në majmunë dhe derra, si dhe ata që adhurojnë djallin. Ata janë në vendin më të mjerueshëm dhe janë më larg rrugës së vërtetë”. (El-Majdah 5:61)

Profecia e rënies morale është lidhur ngushtë me ardhjen Hazret Mesihut të Premtuar. Në një hadith tjetër, Profeti Muhammed s.a.v.s. tregon fjalë edhe më të qarta:

Hazret Enes ibn Malik r.z. tregon se Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Gjërat do të përkeqësohen shumë, bota do të degradohet në ekstrem dhe njerëzit do të përparojnë vetëm në koprraci e lakmi dhe Ora do t’u vijë vetëm njerëzve të këqij dhe nuk do të ketë asnjë Mehdi tjetër përveç Isait birit të Merjemes.” (Ibni Maxhah, Kitabul fiten, Bab shiddatuz zaman)

Edhe kjo profeci është përmbushur fjalë për fjalë dhe nuk kërkon ndonjë shpjegim të mëtejshëm.

Çështja e xhihadit gjatë kohës së Mesihut të Premtuar 

Një gjë tjetër që është përmendur në këto profeci është se Mesihu i Premtuar a.s. do t’i japë fund xhihadit me armë, d.m.th. luftës fetare, për shkak se kushtet e xhihadit me armë nuk do të ekzistojnë dhe se në çdo vend të botës do të ketë liri fetare. Kjo profeci gjithashtu tregon se pikërisht në kohën e ardhjes së tij, myslimanët do ta ngrinin çështjen e xhihadit, prandaj atij do t’i duhet t’u bëjë thirrje që të heqin dorë nga luftërat fetare. Sot, ekzistojnë pikërisht këto rrethana, kur ne shohim që një pjesë e madhe e myslimanëve është marrë vetëm me luftëra jo vetëm kundër jomyslimanëve, por edhe kundër grupeve të tjera myslimane, edhe pse, sot njerëzit mund ta praktikojnë fenë islame në çdo vend të botës. Ishte Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. i pari, që para njëqind viteve u bëri thirrje myslimanëve që të heqin dorë nga xhihadi me shpatë dhe se pena dhe argumenti duhet të jenë armët e myslimanit për të luftuar me kundërshtarët. Në një poezi të tij, ai thotë:

Le të harrohet o miq mendimi mbi xhihadin
Se luftërat e betejat tashmë kanë marrë fund për besimin.

Çdokush që do të shkojë për luftë edhe pas këtij urdhri
Le ta dijë se do të turpërohet rëndë nga mohuesit

Koha e ardhjes së Mesihut të Premtuar 

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. Mesihun e Premtuar e quan Isa biri i Merjemes. Shumë myslimanë e kanë keqkuptuar këtë dhe menduan sikur i njëjti Isa që ka jetuar para dymijë vjetve, do të rikthehet përsëri në tokë. Ndërsa, ajetet Kuranore dhe hadithet tregojnë qartazi që Hazret Isai a.s., si çdo profet tjetër, ka ndërruar jetë. (Për të lexuar argumente të pathyeshme të vdekjes së Hazret Isait a.s., jeni të lutur ta studioni temën përkatëse nga kjo faqe). Mesihu i Premtuar është quajtur si Isa, për shkak të ngjashmërisë së plotë që do të ketë ai me të. Hazret Isai nuk kishte sjellë ndonjë ligj të ri, por ai dhe gjithë hebrenjtë, për të cilët kishte ardhur ai, ndiqnin librin e Hazret Musait a.s.. Hazret Isai a.s. kishte ardhur trembëdhjetë shekuj pas Hazret Musait a.s. Në të njëjtën mënyrë edhe Mesihu i Premtuar do të vinte trembëdhjetë shekuj pas Hazret Muhammed s.a.v.s. sepse ky i fundit kishte ngjashmëri të plotë me Hazret Musain a.s. siç e thotë edhe Kurani në një vend:

“Ne kemi dërguar tek ju një të Dërguar si dëshmitar, ashtu siç patëm dërguar një të tillë te Faraoni”

Eklipsi i diellit dhe i hënës gjatë muajit të ramazanit

Kohën e ardhjes së Imam Mehdiut e përcakton edhe më qartë një tjetër paralajmërim i famshëm, ai i eklipsit të diellit dhe të hënës gjatë muajit të ramazanit:

عَنْ مُحَمَّدِ بْنِ عَلِیٍّ قَالَ: اِنَّ لِمَھْدِیِّنَا اٰیَتَیْنِ لَمْ تَکُوْنَا مُنْذُ خَلْقِ السَّمٰوَاتِ وَالْاَرْضِ تَنْکَسِفُ الْقَمَرُ  لِاَوَّلِ لَیْلَۃٍ مِنْ رَمَضَانَ وَتَنْکَسِفُ الشَّمْسُ فِی النِّصْفِ مِنْہُ وَلَمْ تَکُوْنَا مُنْذُ خَلَقَ اللہُ السَّمٰوَاتِ وَالْاَرْضَ

سنن دار قطنی، کتاب العیدین باب صفۃ صلٰوۃ الخسوف والکسوف

Hazret Imam Muhammed Bakiri, që është nipi i Hazret Imam Husenit thotë:

“Për Mehdiun tonë ka dy shenja të cilat nuk janë shfaqur kurrë më parë, që kur janë krijuar qiejt dhe toka: (1) në muajin e ramazanit, në natën e parë (gjatë netëve të eklipsit hënor) do të eklipsohet hëna (2) në të njëjtin ramazan, dielli do të eklipsohet në ditën e mesit (të ditëve të eklipsit diellor). Që kur ka krijuar Allahu qiejt dhe tokën, nuk janë shfaqur këto dy shenja për askënd”. (Sunan Darqutni, kitabul eidain, Bab salatil husufi uel kusuf)

Profecia kërkon:

  1. Të ketë një deklarues për Mehdiun para se të ndodhin këto dy shenja qiellore, në mënyrë që këto të shfaqen për vërtetësinë e tij.
  2. Më 13 të ramazanit të eklipsohet hëna, sepse ajo eklipsohet vetëm gjatë natës 13, 14 ose 15 të muajit sipas kalendarit hënor që është edhe kalandari islamik.
  3. Më 28 të të njëjtit ramazan të eklipsohet edhe dielli, sepse ai eklipsohet vetëm gjatë ditës së 27, 28 ose 29 të muajit sipas kalendarit hënor.

Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, në vitin 1882 përmes shpalljeve hyjnore u njoftua se ai ishte prej Zotit. Në vitin1894 ndodhën shenjat qiellore të lartpërmendura, duke dhënë një dëshmi hyjnore për vërtetësinë e tij. Me 13 ramazan të vitit 1311 Hixhri (21 mars 1894) u eklipsua hëna dhe eklipsi diellor ndodhi të premten më 28 ramazan 1311 Hixhri (6 prill 1894).

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu, paqja qoftë mbi të thotë:

“Gjatë këtyre 13 shekujve, shumë njerëz kanë deklaruar se janë Mehdi, por për askënd nuk janë shfaqur këto shenja qiellore… Unë betohem për Atë Zot, në dorën e të Cilit është jeta ime, se Ai i ka shfaqur këto shenja në qiell vetëm për vërtetësinë time.” (Tuhfa Gularvia, f. 33, Rruhani Khezain, vëll. 17, f. 142-143)

“Vetëm në epokën time, në muajin e Ramazanit, ndodhën eklipset e diellit dhe të hënës; në epokën time, në përputhje me thëniet autentike të Profetit Muhammed s.a.v.s., të Kuranit të Shenjtë dhe të Librave më të hershëm, ra murtaja në të gjithë vendin, dhe vetëm në epokën time filluan të ekzistonin mënyra të reja transportimi të quajtura hekurudha dhe vetëm në epokën time, sipas profecive të mia, ndodhën tërmete të tmerrshme. A nuk është e vërtetë se nëse njeriu i frikësohet Zotit dhe e do Atë, ai nuk duhet të guxojë të më mohojë mua?! Shihni! Unë betohem për Zotin e Plotfuqishëm dhe ju them se janë shfaqur, po shfaqen dhe do të shfaqen mijëra shenja për të vendosur vërtetësinë time. Nëse ky do të ishte një plan i njeriut, ai kurrë nuk do të kishte patur kaq shumë mbështetje dhe ndihmë.” (Haqiqatul Wahi)

Mesihu i Islamit dhe fitorja e tij

Nevas bin Sem’an rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke folur rreth Dexhallit tha:

“…e pashë Dexhallin, i cili m’u shfaq si një i ri me flokë kaçurrele, shtatmadh dhe i ngjante Abdul Uzza bin Ketanit (një jobesimtar). Ai që e gjen nga ju, le të recitojë ajetet e para të sures El-Kehf …” Es-habët e pyetën: – Sa do të jetë shpejtësia e tij në tokë? Ai iu përgjigj: – Me shpejtësi të resë, kur e merr era. Ndërkohë, Allahu do ta dërgojë Isain birin e Merjemes, që do të zbresë në lindje të Damaskut, në një minare të bardhë, ai do të jetë i mbështjellë me dy çarçafë të verdhë, krahët e tij të vendosur mbi krahët e engjëjve… Mesihu i Premtuar do të niset në kërkim të Dexhallit dhe do ta gjejë te Bab-lud (porta e Lud-it) dhe do ta vrasë atë. … Ndërkohë, Allahu do t’i drejtohet Isait a.s., përmes shpalljes dhe i thotë: Unë kam një popull, sot askush nuk ka fuqi të luftojë me të. Ndaj, udhëhiqi robërit e Mi drejt malit Tur. Atëherë, Zoti do të ngrejë Jexhuxhët e Mexhuxhët, të cilët do të shpejtojnë prej çdo lartësie…” (Muslim Kitabul Fiten, Bab dhukrid Dexhall)

Imam Muslimi e shënoi këtë hadith në librin e tij për shkak të autencitetit të tij. Hadithi është i gjatë, ndaj ne kemi zgjedhur vetëm disa pjesë të tij, të cilat, në të vërtetë, janë paralajmërime që Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. mori përmes revelatave, shpalljeve apo vizioneve prej Zotit, ku Ai i ka dhënë shenjat kryesore të Dexhallit, Jexhuxhëve e Mexhuxhëve. Këto shenja duhet të zbërthehen sipas dijes së tabirit.

Në lindje të Damskut

Një paralajmërim kryesor në këtë hadith është vendardhja e Mesihut të Premtuar a.s., e cila gjendet në lindje të Damaskut. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, që deklaroi se ai është Mesihu i Premtuar ka lindur dhe jetuar dhe është varrosur në një qytezë të quajtur Kadian, i cili gjendet në Panxhab, në veri të Indisë,   vend ky është pikërisht në lindje të Damaskut.
Ne lindje te damaskut

Minarja e bardhë

Me minaren e bardhë nuk duhet të kuptojmë ndonjë minare fizike, sepse në kohën e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. s’ka qenë aspak ndonjë traditë për ndërtimin e minareve, dhe as në Damask nuk gjendej atëherë ndonjë minare e tillë. Minarja e xhamisë El-umavi që është në lindje të qytetit Damask, u ndërtua në shekullin tetë pas hixhrit (mërgimit) të Profetit Muhammed s.a.v.s. Vallë, a nuk duket absurde zbritja e një njeriu prej qiellit, që nuk mund të zbresë dot në tokë, por vetëm deri në majë të një minareje, nga e cila pritësve u duhen shkallët që ta zbresin atë në tokë!  Në fatkt, vetë koha tregoi kuptimin e vërtetë të kësaj profecie. Minarja është simboli i lajmërimit ose i përcjelljes së mesazhit. Sot, falë mjeteve të reja të komunikimit, mesazhi i Islamit të vërtetë dhe drita e saj e bardhë mund të përhapen në të gjitha anët e botës.

Mesihu i Premtuar me dy çarçafë të verdhë

Dy çarçafë të verdhë kanë kuptimin metaforik. Njeriu habitet duke menduar se çfarë nevojë kishte për të treguar edhe ngjyrën e çarçafëve të tij? Nuk është e mundur që në një profeci kaq të rëndësishme të përshkruhen gjërat kaq sipërfaqësore që nuk kanë asnjë kuptim. Me të vërtetë, të gjitha këto duhen shpjeguar në bazë të shpjegimit të ëndrrave. Sipas tabirit të ëndrrave, ngjyra e verdhë simbolizon sëmundjen. Kështu që, dy çarçafë të verdhë kanë kuptimin që Mesihu i Premtuar a.s. fizikisht do të jetë i sëmurë nga dy sëmundje, të cilat i jepnin më shumë vlerë punës madhore që do të bënte ai në mbështetjen e fesë Islame. Ashtu siç rritet vlera e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. nga fakti se ai pavarësisht ka qenë i pashkolluar, por nëpërmjet Kuranit Famëlartë dhe urtësisë së tij, i dha botës thesare të pafundme dijesh. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, sipas profecisë vuante nga diabeti dhe migrena, por megjithëkëtë, ai shkroi rreth 85 libra me argumente të ndritura për fenë Islame.

Krahët e tij të vendosura mbi krahët e engjëjve

Fjalët “krahët e tij të vendosura mbi krahët e engjëjve” gjithashtu nuk duhet t’i marrim fizikisht, pasi engjëjt nuk i përkasin botës fizike dhe se asnjë i dërguar i Zotit nuk vjen në këtë mënyrë. Krahët e tij do të jenë të vendosura mbi krahët e engjëjve do të thotë, Mesihu i Premtuar a.s. do të gjejë mbështetjen dhe ndihmën e njerëzve të mirë, siç ishin es-habët e Profetit Muhammed s.a.v.s.

Kjo profeci mund të kuptohet edhe nga një aspekt tjetër. Një njeri që zbret i gjallë nga qielli me engjëjt fizikë, kush do ta kundërshtojë atë?! Ndërsa në Kuranin Famëlartë, Allahu xh.sh. thotë:

“Ah, sa mjerim për njerëzit! Kurdo që u vjen ndonjë i dërguar, ata nuk bëjnë tjetër vetëm se tallen me të” (Jasin 36:30)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Pra kjo është një shenjë prej Zotit se çdo profet është përqeshur dhe përbuzur. Por njeriun, që duke u shoqëruar me engjëjt, zbret nga qielli, në mesin e të gjithë njerëzve, kush do ta përqeshë atë? Edhe me këtë argument, një njeri i mençur mund të arrijë të kuptojë se zbritja fizike e Mesihut të Premtuar nga qielli është një besim i gabuar.” (Rruhani Khezain, vëll. 20: Tadhkiratush Shahadatain faqe. 67)

Dexhalli dhe Jaxhuxhi e Maxhuxhi:

Dexhalli

Dexhalli dhe Jaxhuxhi e Maxhuxhi janë dy emra të ndryshëm, por përfaqësojnë një shoqëri të vetme, e cila në thelbe mohon Zotin, qoftë kategorikisht qoftë nga veprimet e tij. Emri dexhall tregon gjendjen fetare të kësaj shoqërie, ndërsa Jaxhuxhi e Maxhuxhi fuqinë materiale të saj, nëpërmjet së cilës, ajo do të mbizotërojë botën. Siç tregojnë edhe ajetet e tjera të Kuranit, feja e krishterë me dogmat e saj të gabuara, do të jetë mbizotëruese në botë, kjo shoqëri do ta përdorte pikërisht krishterimin për t’u përhapur në botë.

Dexhalli fjalë për fjalë, do të thotë “mashtrues i madh, rrënacak, ai që fshen të vërtetën”. Në surenë Merjem të Kuranit thuhet se gënjeshtra më e madhe është pikërisht shpifja e atij populli, i cili thotë se Zoti ka një djalë. Në këtë kuptim, emërtimi Dexhall tregon aspektin fetar të vendeve që sot quhen “të krishtera”. Ndërsa Jaxhuxhi dhe Maxhuxhi janë fjalë të prejardhura nga rrënja  “exh-xhe” dhe “exhixhan” d.m.th. flakë dhe afshi i zjarrit, djegie e fuqishme.a Ky emërtim tregon se këto vende do të përdornin shumë zjarrin apo enërgjinë. Sot, të gjitha makineritë dhe aparaturat funksionojnë prej ndonjë enërgjie, e cila mund të quhej një lloj zjarri. Shumica e këtyre makinerive është shpikur nga vendet perëndimore. Një kuptim tjetër i këtij emërtimi është se kjo shoqëri do të ishte e zgjuar por njëkohësisht edhe arrogante, sepse sipas Kuranit Famëlartë, arroganca është vetia e zjarrit. Në një vend  thuhet se shejtani u tregua arrogant sepse është krijuar nga zjarri.

Në hadithe, shpesh është përmendur që në ditët e vona, Dexhalli do ta mbizotërojë botën,  ndërsa Kurani në një ajet me fjalët “këta do të vijnë duke vrapuar nga çdo lartësi”,b dhe shumë hadithe të tjera gjithashtu pohojnë që edhe Jexhuxhët e Maxhuxhët do ta mbizotërojnë botën. Edhe kjo tregon qartazi se bëhet fjalë për të njëjtën shoqëri, sepse dy grupe të ndryshme nuk mund të mbizotërojnë njëra-tjetrën njëkohësisht.

Shenjat e Dexhallit që dha i Dërguari i Allahut s.a.v.s., po t’i shohim me vëmendje, zemra nuk do të pushojë së lavdëruari ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s., sepse aty shohim se me çfarë simbolesh të përsosura e me çfarë fjalësh të qarta ka paralajmëruar për shoqërinë e sotme dhe fuqitë materialiste, të cilat mbizotërohen nga vendet që ndjekin dogmat e gabuara të fesë së krishterë. Mesihu i Premtuar do t’i luftonte përmes argumenteve të pathyeshme të Kuranit. Veç kësaj, nga lutja dhe fuqia e tij shpirtërore, ai do të shpëtonte njerëzit nga ndikimet e asaj shoqërie materialiste.

Tiparet kryesore të Dexhallit siç i përshkruan Profeti Muhammed s.a.v.s.

  • Do të jetë qorr nga syri i djathtë (d.m.th. i verbër shpirtërisht).
  • Syrin e majtë do ta ketë shumë të mprehtë (materialisht largpamës).
  • Në ballë do të ketë shkruar k-f-r (d.m.th. i pafe. Kjo tregon se ato vende edhe pse ndjekin fenë e krishterë, në veprimet e tyre nuk i përkasin aspak një populli fetar).
  • Me aftësi të jashtëzakonshme fizike (shumë i zhvilluar në teknologji).
  • Do të bëjë gjakderdhje të mëdha (shkakton luftëra).
  • Do të lëvizë si re shiu (do të ketë mjete të shpejta të transportit që do ta zëvendësojnë devenë. Këtë profeci e tregon edhe hadithi i Muslimit që keni lexuar më parë në këtë artikull).
  • Do ta urdhërojë qiellin të lëshojë shi dhe tokën të nxjerrë të korra.
  • Do të nxjerrë thesare edhe nga shkretëtira.
  • Sasi e madhe ushqimi dhe uji do ta shoqërojnë atë.
  • Do të paraqesë një xhenet, i cili në të vërtetë do të jetë xhehenem.
  • Xhenetin e vërtetë do ta quajë xhehenem.
  • Ai do ta pushtojë gjithë botën.
  • Për ta mposhtur Dexhallin, lexoni ajetet e para dhe të fundit të suresë El-Kehef. (Ajetet e para dhe të fundit të suresë El-Kehef flasin vetëm për dogmat e gabuara të krishtërimit dhe për shoqërinë materialiste që vjen si pasojë e tyre).

Gomari i çuditshëm i Dexhallit

Dexhalli do të vijë me gomarin e tij të çuditshëm që në fakt janë mjetet e transportit të kohës moderne. Shenjat e këtij gomari që ka dhënë Profeti Muhammed s.a. janë befasuese. Ashtu si Dexhalli, edhe  gomari i tij do të jetë kaq masiv dhe gjigant, për të cilin, as në përrallat nuk duhet të ketë dëgjuar.

Gomari nuk do jetë vetëm mjeti personal i anti-Krishtit, por ai do të jetë në shërbim të të gjithë njerëzve si një mjet i transportit. Njerëzit do të futen në barkun e tij, përmes hyrjeve të posaçme që ai do t’i ketë anash tij.

(Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi, “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.)

Barku i tij do të jetë mjaft i ndriçuar dhe i pajisur me ndenjëse të rehatshme.

(“Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.)

Gomari do të lëvizë me shpejtësi të jashtëzakonshme duke bërë edhe rrugë të gjata vetëm në disa ditë ose orë, që mjeteve kafshore do t’u duhen disa muaj për t’i bërë.

(Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.)

Gjatë rrugës, ai do të ketë ndalesa të rregullta. Në çdo ndalesë, do të ftojë njerëzit që të futen në të dhe të ulen para se ta rinisë udhëtimin e tij dhe gjithashtu, për çdo nisje do të njoftohen me zë të lartë.

(“Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.)

Shkurt, ky gomar simbolik do të udhëtojë vazhdimisht nga vendi në vend duke iu shërbyer njerëzve si një mjet i shpejtë dhe i rehatshëm i transportit.

Pasagjerët që do të ulen në barkun e tij, nuk do t’i prekë zjarri me të cilin ushqehet gomari.

(“Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.)

Kjo tregon që kabinat që do të ketë në barkun e tij, do të jenë të izoluara mirë nga zjarri.

Ky gomar do të mund të udhëtojë edhe në det dhe do të kalojë nga një kontinent në një kontinent tjetër, duke lundruar përmes valëve të detit.

(“Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.)

Gjatë lundrimit të tij në det, ai do të zmadhohet aq shumë, saqë mund të transportojë mbi shpinën e tij edhe malet me ushqim. Shpesh, ai do të jetë i përcaktuar për t’u sjellë furnizime të mëdha të ushqimit atyre kombeve të varfra që do t’i nënshtrohen vullnetit të anti-Krishtit.

(Imam Muhammad Bin Ismail El-Buhari (810-870), “El-Sahihul Buhari”, Kitabul Fitan, Bab dhikrid dexhxhal.)

Do t’ju kujtojmë se transporti i ngarkesës madhështore të ushqimeve ishte përmendur në ajetin Kuranor që flet me metaforë për një kohë kur malet do të lëvizin.

Ky gomar i çuditshëm di edhe të fluturojë, sepse për të është përmendur se mund të hedhë hap nga Lindja në Perëndim. Është përshkruar se:

një hap i këtij hajvani do të jetë në Lindje dhe hapi tjetër do gjendet në Perëndim.

(“Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.)

 Kjo distancë midis dy hapave të tij, tregon qartazi se ai do të ngrihet nga një kontinent dhe do të zbresë në kontinentin tjetër.

Gjatë fluturimit, ai do të lundrojë mbi retë.

(“Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 613, Beirut, 1979.)

Në ballin e tij, ai do të bartë hënën.

(“Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 613, Beirut, 1979.)

Hëna simbolizon qartazi fenerët që shumica e mjeteve moderne e kanë.

Pas leximit të këtij përshkrimi të gjallë të gomarit të anti-Krishtit, të cilin ai do ta përdorë për pushtimin e tij në mbarë botën, do të çuditeshim nëse lexuesi ende kërkon shpjegime për ta zbuluar se kush është ai!

Me të vërtetë, kombet e krishtera të superfuqishme që janë përmendur me titullin Dexhxhal, do të sundonin tërë botën një ditë. Gomari i lëvizshëm prej zjarri, që herë luan rolin e aeroplanit, herë të anijes dhe herë të trenit, duke lëvizur me shpejtësi të jashtëzakonshme, do të luante rolin kyç për pushtimin e superfuqive të krishtere në gjithë botën.

Dhjetë shenjat para ardhjes së Orës:

عَنْ حُذَیْفَۃَ ابْنِ اَسِیْدِ الْغِفَارِیِّ رَضِی اللہ عنہُ قَالَ اِطَّلَعَ النَّبِیُّ عَلَیْنَا وَ نَحْنُ نَتَذَاکَرُ فَقَالَ مَاتَذَاکَرُوْنَ قَالُوْا نَذْکُرُ السَّاعَۃَ قَالَ اِنَّھَا لَنْ تَقُوْمَ حَتّٰی تَرَوْنَ قَبْلَھَا عَشَرَ اٰیَات فَذَکَرَ الدُّخَانَ والدَّجَّالَ والدَّابَّۃَ وَ طُلُوْعَ الشَّمْسِ مِنْ مَغْرِبِھَا و نُزُوْلَ عِیْسَی بْنِ مَرْیَمَ صَلَّی اللہ عَلیْہ وَسَلَّمَ وَ یَاْجُوْجَ وَ ماْجُوْجَ وَ ثَلَاثَۃَ خُسُوْف  خَسْف بِالْمَشْرِقِ وَ خَسْف بِالْمَغْرِبِ وَ خَسْف بِجَزِیْرَۃِ الْعَرَبِ وَاٰخِرُ ذٰلِکَ نَار تَخْرُجُ مِنَ الْیَمَنِ تَطْرُدُ النَّاسَ اِلٰی مَحْشَرِھِمْ

مسلم کتاب الفتن باب فی الاٰیات الّتی تکن قبل الساعۃ

Hudhejfa bin Asid Ghefari r.z. tregon: “Një herë erdhi Profeti Muhammed s.a.v.s. tek ne ndërkohë ne po kuvendonim”. Ai pyeti: “Për çfarë po bisedoni?” Ata thanë: “Po bisedojmë për Orën (kiametin)”. Ai tha: “Kiameti nuk do të vijë derisa të shikoni dhjetë shenja”. Ai i përmendi: “Tymi, Dexhalli, Dab-bah (insekti), lindja e diellit nga Perëndimi, zbritja e Isait paqja e Allahut qoftë mbi të, Jaxhuxhi e Maxhuxhi, tri tërmete (hasf): një në Lindje, një në Perëndim dhe një në gadishullin arab dhe në fund do të shfaqet një zjarr nga Jemeni që do t’i përcjellë njerëzit deri në vendin ku do të grumbullohen ata.”(Muslimi, Kitabul Fiten, bab fil ajatil lati takunu kebles-sa’ah)

Shpjegim:

Sipas Imam Hakimit, ky hadith është sahih.c Në një hadith tjetër këto shenja janë renditur pak më ndryshe. Sidoqoftë, këtu do të shpjegojmë ashtu siç kanë ndodhur ato radhazi.

  1. Ardhja e Hazret Isait a.s.: është e qartë vetë nga hadithi se shenja e ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s. është në qendër dhe shenjat e tjera sillen rreth saj. Nëse plotësohen shenjat e tjera, do të nënkuptohet se edhe shenja e ardhjes së Mesihut të Premtuar është plotësuar, deklarimi për të cilin, është bërë nga Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, themeluesi i Xhematit Mysliman Ahmedia. Shumë myslimanë gabimisht janë duke pritur të vijë i njëjti Isa që ka kaluar dy mijë vjet më përpara. Asnjë profet nuk vjen nga qielli dhe ardhja e dytë e një profeti të mëparshëm do të thotë ardhja e një njeriu që do të kryejë të njëjtën punë që ka bërë i vjetri. Pra, ngjashmëria e plotë është ajo që u jep dy gjërave apo dy njerëzve një emër.

II & III. Dexhalli dhe Jaxhuxhi e Maxhuxhi: Janë sqaruar në shpjegimin e hadithit pak më lartë.

  1. Lindja e diellit nga Perëndimi: në kohën e Mesihut të Premtuar, një kuptim i kësaj profecie do të thoshte se dielli i dijës së vërtetë, pra dielli i Islamit, do të ngrihej nga Perëndimi. Kjo në njërën anë tregon se në kohën e tij, Islami do të përhapet në vendet perëndimore, ndërsa në anën tjetër paralajmëron humbjen fetare të vendeve të krishtera. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Lindja e diellit nga Perëndimi, siç Zoti më ka treguar në një ëndërr, do të thotë që vendet perëndimore do të përfitojnë nga dielli i së vërtetës dhe edhe ato do ta pranojnë fenë islame.” (Përmbledhur nga Izala auham, Rruhani Khazain, vëll. 3, f. 376-377)

Në një vend tjetër, ai tha:

“Nëpërmjet meje Allahu e ringriti diellin e Islamit nga Perëndimi, i cili po perëndonte.” (Hytbeja Ilhamiah, Rruhani Khazain, vëll. 16, f. 253)

Dikush do të mund ta mohonte këtë deklarim njëqind vjet përpara nga sot, kur Xhemati Mysliman Ahmedia sapo kishte nisur misionin e tij në Perëndim. Por, sot çdo ditë e më shumë shfaqet vërtetësia e kësaj profecie nga fakti se me çfarë shpejtësie Ahmediati po përhapet në vendet e Europës.

  1. Tymi: me tymin, në kohën e Profetit Muhammeds.a.v.s., myslimanët kishin kuptuar krizën e urisë që kishte rënë në gadishullin arab (Buhariu, Kitabut Tefsir, Sureja Ed-Duhan). Edhe në Bibël është përmendur që, në ditët e vona do të ketë krizë urie. Veç kësaj, edhe nga kuptimi i drejtpërdrejtë, kjo profeci është plotësuar në shumë mënyra: qoftë si tymi i tmerrshëm që del nga bomba atomike apo tymi stërshqetësues i kohës sonë që del nga industritë dhe makinat, që gjithnjë e më shumë bëhet kërcënues për mjedisin tonë duke shkaktuar ngrohje globale.
  2. Dab-bah: fjalë për fjalë, në arabisht, do të thotë insekt ose kafshë. Në Kuranin Famëlartë përmendet që kur të përmbushet fjala e Zotit kundër mohuesve, domethënë kur ata nuk e besojnë fjalën e Zotit edhe pse sqarohen me argumente të qarta, atëherë Zoti do të nxjerrë një krijesë e cila do t’i pickojë ata duke lënë një shenjë të qartë se ata kanë qenë mohues të së vërtetës (En-Neml 27:83). Në një hadith që transmetohet nga Neuas bin Sam’an përmendet si paralajmërim që në kohën e Mesihut të Premtuar kur ai dhe pasuesit e tij do të përndiqen nga kundërshtarët, atëherë një insekt do t’i kapë në qafat e tyre, nga i cili shumica prej tyre do të vdesin.d Dijetari i madh Tur Betshi (vdiq në vitin 630 pas hixhretit) komentoi që insekti do të thotë insekti i murtajës.e Edhe në librat e shitëve përmendet që në kohën e Imam Mehdiut do ketë edhe vdekje të kuqe (domethënë luftëra) dhe vdekje të bardhë që u komentua të ketë vdekje nga murtaja.f

Sipas paralajmërimit të Profetit Muhammeds.a.v.s., në vitin 1894 ndodhën shenjat qiellore të eklipsit diellor dhe hënor në datat e caktuara gjatë muajit të ramazanit, shenjë kjo që do të ndodhte për vërtetësinë e Imam Mehdiut vetëm një herë në gjithë historinë e njerëzimit. Mirza Ghulam Ahmedi, Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar u njoftua prej Zotit që nëse njerëzit nuk do të përfitojnë nga kjo shenjë hyjnore, atëherë ata duhet të presin një ndëshkim të llahtarshëm. Në vitin 1898, ai pa në një ëndërr që disa engjëj, në vende të ndryshme të provincës Panxhab, po mbillnin pemë të zeza. Ai gjithashtu njoftohet që ato pemë janë të murtajës, e cila së shpejti do të përhapej në rajon. Në një vizion (keshf) ai pa një insekt, për të cilin, ai u informua se ishte insekti i murtajës që u quajt “Dab-batul ard” insekti i tokës sepse murtaja vjen nga insektet tokësore. Kjo ishte edhe si metaforë që, kur myslimanët dhe dijetarët e tyre do të anojnë më shumë nga toka, atëherë ata do t’i përngjajnë këtij insekti tokësor.g

Kështu që, sipas paralajmërimit u shfaq “insekti tokësor” dhe në vitin 1896 murtaja filloi nga Mumbai dhe me egërsi të plotë erdhi gjer në provincën Panxhab ku deri në vitin 1906, shkaktoi një kërdi të paparë në historinë e rajonit. Kjo llahtari nuk do të qetësohej tërësisht edhe për tridhjetë vite të ardhshme derisa të shkaktonte 12.5 milionë njerëz në gjithë Indinë.h Në provincën e Panxhabit qindra njerëz varroseshin çdo javë. Por, e çuditshmja ishte se asnjë ahmedian nuk kishte pësuar vdekje nga ajo, e cila ishte bërë një kasaphanë për kundërshtarët e Mesihut të Premtuar a.s. Për këtë, Zoti e kishte njoftuar parakohe me fjalët “Unë do të mbroj çdokënd që jeton në shtëpinë (xhematin) tënde”.i Madje, si shenjë e vërtetësisë së tij, ai i kishte urdhëruar anëtarët e Xhematit të mos imunizoheshin nëse qeveria nuk i detyronte. Është fakti se pikërisht gjatë periudhës së murtajës, Xhemati u shtua shumë në numër. Sipas gazetës “El-Hakam”, deri në vitin 1902, ahmedianët ishin shtuar deri njëqind mijë anëtarë. Deri në vitin 1904, kjo shifër shkoi në dyqind mijë duke arritur pastaj në katërqind mijë deri në vitin 1906, kur në provincën e Panxhabit murtaja ishte dobësuar. Një gjë tjetër interesante ka qenë se murtaja nuk pushoi deri sa Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. dha paralajmërimin që ajo do të përfundonte.

VII, VIII e IX. Tri hesfë (tërmete): hadithi thotë se do ndodhin tri hesfë: një në Lindje, një në Perëndim dhe një në Gadishullin arab. Në arabisht, fjala hesf do të thotë fundosje e diçkaje në tokë, domethënë të shkaktohet tërmet. Edhe në Kuranin Famëlartë, kjo fjalë është përdorur mjaft herë me këtë kuptim.j

Kështu që, me tri hesfë, mund të konsiderohen edhe tërmetet në Lindje, në Perëndim dhe në Gadishullin arab që është në qendër të Tokës. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi u njoftua prej Zotit me këtë shpallje: “Në botë erdhi një alarmues, por bota nuk e pranoi atë. Por, Zoti do ta pranojë dhe do ta shfaqë vërtetësinë e tij me sulme shumë të ashpra”.k Madje, veçanërisht për tërmetet fragmenti i tij i mëposhtëm tërheq fuqishëm njeriun që e do të vërtetën që të mendojë edhe një herë, para se ta mohojë vërtetësinë e këtij robi të Zotit, i cili thotë:

“Mbajeni në mend se Zoti më njoftoi në mënyrë të përgjithshme për tërmete. Prandaj, kuptojeni mirë se ashtu siç ishte parashikuar nga unë, Amerika dhe Evropa pësuan tërmete. Edhe Azia nuk do të shpëtojë nga ato. Madje disa tërmete do të shfaqin pamje të Kiametit dhe do të rrjedhin lumenj me gjak nga vdekja. As edhe kafshë edhe zogj nuk mund t’i shpëtojnë dot kësaj vdekjeje. Toka do të pësojë një shkatërrim të atillë, saqë njeriu nuk do ta ketë dëshmuar që kur ka lindur ai në këtë botë. Shumë vende do të pësojnë një shkatërrim total, duke lënë pas një pamje sikur të mos kishte jetuar njeri në ato vende. Bashkë me këto, do të vijnë edhe katastrofa të tjera dhe tokën e qiellin do ta zërë një llahtari e tillë që dija njerëzore nuk do të ketë njohur më parë fenomene të tilla. Atëherë njerëzit do të frikësohen dhe thonë: çfarë po ndodhë?! Shumë prej tyre do të shpëtojnë dhe shumë prej tyre do të asgjësohen. Ato ditë janë pranë, në të vërtetë po shoh se janë te dera, kur bota do të dëshmojë një pamje kiameti. Do të ndodhin jo vetëm tërmete, por edhe katastrofa të tjera të frikshme, disa prej tyre nga qielli dhe disa nga toka. E gjithë kjo do të ndodhë sepse njeriu ka hequr dorë nga adhurimi i Zotit të Vërtetë dhe zemrat e njerëzve, synimet dhe ëndërrat, janë përqendruar të gjitha te bota. Nëse unë nuk do të kisha ardhur, këto fatkeqësi mund të ishin vonuar disi, por me ardhjen time janë shfaqur gjithashtu planet e tërbuara sekrete, që ishin në heshtje nga një periudhë e gjatë, siç ka thënë Zoti në Kuran:

“Ne kurrë nuk dënojmë ndonjë popull derisa të mos dërgojmë ndonjë Profet tek ai.” (El-Isra 17:16)

Ata që do të pendohen do të jenë të sigurt dhe ata që i frikësohen Zotit përpara sesa ndonjë fatkeqësi t’i përfshijë ata, ndaj atyre do të tregohet mëshirë. A mendoni se ju mund të rrini në paqe nga këto tërmete, ose se ju mund të ruani veten nëpërmjet mjeteve tuaja? Kurrsesi jo! Sepse atë ditë, mjetet e njeriut do të marrin fund. Mos mendoni se Amerika dhe rajonet e tjerë kanë përjetuar tërmete të forta dhe se vendi juaj është i sigurt. Unë druaj se ju mund të vuani ndoshta tortura edhe më të mëdha. Nuk je e sigurt, oj Europë, as ti, oj Azi. O banorët e ishujve, asnjë perëndi e krijuar nga ju nuk do të jetë e aftë t’ju ndihmojë. Unë shikoj qytete që shemben dhe banime në rrënoja. Ai Zot i Vetëm heshti për një periudhë të gjatë. Vepra të këqija u bënë përpara syve të Tij dhe Ai u tregua i duruar. Por tani Ai do të shfaqet në një formë të tmerrshme. Ai që ka veshë le të dëgjojë se koha nuk është e largët. Unë jam përpjekur t’i mbledh të gjithë nën sigurinë e Zotit, por edhe dekretet hyjnore duhet të plotësoheshin. Sinqerisht ju them të vërtetën, që po i afrohet radha edhe këtij kombi. Ju do të jeni dëshmitarë të kohës së Nuhit (Noas) dhe sytë tuaj do të shikojnë atë që ndodhi në tokën e Lutit (Lotit). Por Zoti është i ngadaltë në zemërimin e Tij. Pendohuni që t’u tregohet mëshirë. Ai që braktis Zotin është një insekt dhe jo njeri, dhe ai që nuk i frikësohet Atij është i vdekur dhe jo i gjallë.” (Rruhani Khazain, vol. 22, Hakikatul Vahi, f. 267-269; botimi i parë: 15 maj, 1907)

Çfarë shenjash ka dhënë vetë Hazret Isai a.s. për ardhjen e tij?

Në Dhiatën e Re shkruhet:

Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju fusin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim, por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni. Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur, sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë. Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin. Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë. Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj”.  (Luka 21:10-19)

Para se të vazhdojmë, është me rëndësi të përmendet edhe fakti se sot ahmadianët po përndiqen dhe persekutohen në vendet islamike si Pakistani, Afganistani, Indonezia, vendet arabe etj, vetëm për shkak se ata e pranuan Mesihun e Premtuar dhe Imamin e Kohës. Janë lëshuar vendime që ahmadianët nuk janë myslimanë, dhe si të tillë duhet të vriten. Në Pakistan, gati çdo muaj vritet ndonjë ahmadian. Madje, më 28 maj të vitit të kaluar (2010), 92 ahmadianë të pafajshëm janë vrarë barbarisht me sulme terroriste, kur ata po falnin namazin e së premtes në dy xhami të qytetit Lahor. Pra, parashikimi i Hazret Isait po vërtetohet gjithnjë e më shumë, sepse vetëm për shkak të emrit të Mesihut të Premtuar po bëhen gjitha këto persekutime.

Duke iu rikthyer temës së tërmeteve, në vijim do t’ju tregojmë disa fakte tronditëse, që ndodhën mu ashtu siç ishin parashikuar nga të dy Mesihët.

Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Mesihu i Premtuar a.s. ka lindur më 13 janar, të vitit 1835 dhe ka ndërruar jetë më 26 maj, të vitit 1908. Në qoftë se do të numërojmë vetëm tërmetet e fuqishme të botës që shkaktuan të paktën 50 mijë viktima, na del që nga shekulli i nëntë deri në vitin 1835, e cila është një periudhë njëmbëdhjetë shekullore, bota pësoi 11 tërmete aq të forta. Gjatë jetës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. nuk shënohet ndonjë tërmet i tillë. Ndërsa nga viti 1908, kur ka ndërruar jetë ai, e gjer më sot, domethën vetëm në një shekull, bota pësoi përsëri 11 tërmete të tilla. Kjo ishte sipas kronikës së tërmeteve që jep Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) në webfaqen e saj.l

Tërmetet më të mëdha para vitit 1835

Nr.DataVendiVdekjeBallë
1.1783-02-04Kalabri, ITALI50,000
2.1755-11-01Lisbon, PURTUGALI70,0008.7
3.1727-11-18Tabriz, IRAN77,000
4.1693-01-11Sicily, ITALI60,0007.5
5.1667-11Shemakha, KAUKAZIA80,000
6.1556-01-23Shaanxi (Shensi), KINË830,000~8
7.1290-09-27Chihli , KINË100,000
8.1268AZI E VOGËL60,000
9.1138-08-09Aleppo, SIRI230,000
10.893-03-23Ardabil, IRAN150,000
11.856-12-22Damghan, IRAN200,000

Tërmetet më të mëdha pas vitit 1835

Nr.DataVendiVdekjeBallë
1.1908-12-28Messina, ITALI(Ishte ndierë edhe në Shqipëri)72,0007.2
2.1920-12-16Haiyuan, Ningxia (Ning-hsia), KINË200,0007.8
3.1923-09-01Kanto (Kwanto), JAPONI142,8007.9
4.1948-10-05Ashgabat (Ashkhabad), Turkmanistan (Turkmenija, BRSS)110,0007.3
5.1970-05-31Chimbote, PERU (Amerika Jugore)70,0007.9
6.1976- 07- 27Tangshan, KINË255,0007.5
7.1990-06-20IRAN PERËNDIMOR50,0007.4
8.2004-12-26SUMATRA227,8989.1
9.2005-10-08PAKISTAN86,0007.6
10.2008-05-12Eastern Sichuan, KINË87,5877.9
11.2010-01-12HAITI222,5217.0

Ai që ka pak frikë ndaj Zotit, shpresojmë që do të mendojë seriozisht rreth këtij paralajmërimi të llahtarshëm. Këtu kemi folur vetëm për murtajën dhe tërmetet. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë “do të vijnë edhe katastrofa të tjera dhe tokën edhe qiellin do të zërë një llahtari e tillë që dija njerëzore nuk do të ketë njohur më parë fenomene të tilla”. Tsunamitë, dy Luftëra Botërore, SIDA dhe shumë katastrofa të tjera natyrore e bëjnë të mendojë njeriun që pse vallë Zoti i kishte kursyer të gjitha për këtë shekull! Por, Mesihu i Kohës paraprakisht e kishte lajmëruar këtë në: “E gjithë kjo do të ndodhë, sepse njeriu ka hequr dorë nga adhurimi i Zotit të Vërtetë dhe zemrat e njerëzve, synimet dhe ëndërrat janë përqendruar të gjitha te bota”.

  1. Zjarri nga Jemeni që do t’i përcjellë njerëzit deri në vendin ku do të grumbullohen ata: Në një transmetim tjetër thuhet që ky zjarr do të bjerë nga toka e Adnit (një qytet i Jemenit), i cili më në fund do të grumbullojë gjithë njerëzit, e madje edhe insektet. Kjo shenjë nga përshkrimi i saj duket të jetë shenja e fundit, që mbase do të shfaqë para ditës së fundit (Allahu e di më së miri). Edhe dijetari i famshëm Hafiz Mulla Ali shkruan se ky grumbullim do ta shkaktojë edhe grumbullimin e fundit të mosbesimtarëve.m Zoti i Madhërishëm e di më mirë se në ç’formë dhe në ç’përmasa do të jetë ai. Ndaj, është detyrë e çdokujt që ta kërkojë Imam Mehdiun dhe Mesihun e Premtuar a.s., sepse shumica e paralajmërimeve që tregojnë shenjat e ardhjes tij, tashmë janë plotësuar fjalë për fjalë. Zoti i udhëzoftë gjithë njerëzit në rrugën e drejtë! Amin

Bibliografi

a Fjalori “Lisanul Arab” nën fjalën “axh-xha” dhe “maxhuxh”
b El-Enbija 21:97
c “Mustadrik Hakim”, vëll. 4, f. 428, shtypshkronjë “En-nesr El-hadithijah”, Rijad
d “Sahih Muslim”, Kitabul Fiten, Bab Dhikrid Dexhall
e  “Akaid Muxhadidijah Es-Siratus Savijji”, Kutub Menzil Nekshbendjiah, Kashmiri Pazar, Lahor
f “Ikmalud Din”, f. 981, shtypshkronjë “Hejderiah” Nexhef
g  Mirza Ghulam Ahmedi, “Nuzul-ul-Mesih”, f. 39, Rruhani Khezain, vëll. 18, f. 416, 421
h    Wikipedia nën fjalën “Third Pandemic”
i “Kishtie Nuh” (Varka e Nuhut) f. 10, Rruhani Khezain, vëll 19, f. 12
j  P.sh. En-Nahl 16:46; El-Isra (Beni Israil) 17:69; El-Keses 28:82; El-Ankabut 29:41; El-Mulk 67:17; etj
k “El-Vesijat” f. 5, Rruhani Khezain, vëll. 20, f. 303
l Burimi i kronikës: http://earthquake.usgs.gov/earthquakes/world/most_destructive.php
m   “Mirkatul Mafatih Sherrh Mishkatil Masabih”, vëll. 5, f. 188, shtypshkronjë “Mejmanah”, Egjipts

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp