Revolucion i sjellë nga Imam Mehdiu a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Abstrakt

Xhemati Musliman Ahmedia është themeluar prej Imam Mehdiuta.s., i cili me lejen e Zotit, synon ringjalljen, përhapjen dhe mbizotërimin e Islamit. Sipas parashikimeve të Kuranit dhe Profetit Muhammeds.a.s., kur Islami do të mbetej vetëm si emër dhe Kurani si tekst, kur xhamitë do të zbrazeshin nga udhëzimi, kur besimi i vërtetë do të zhdukej, kur figura e pastër e Islamit dhe të Profetit të tij do të eklipsohej nga përçarja e muslimanëve dhe lulëzimi i ideologjisë shkatërruese e cila përhapjen e Islamit dhe zbatimin e ligjit të tij me forcë e konsideron obligim fetar, pra në një periudhë të tillë ku paqja, harmonia dhe dashuria, parimet më thelbësore të Islamit, do të bëheshin antonime të tij, Zoti do të dërgojë një reformator, Imam Mehdiun, i cili si shërbëtor besnik dhe ndjekës i zellshëm i Muhammedits.a.s do t’i përvishet ringjalljes, reformës, përhapjes dhe fitores së Islamit. Pikërisht për këtë kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut s.a.s. kur ai tha:

“Edhe nëse besimi vendoset deri në Plejadë, disa njerëz do ta rikthejnë atë.”[1]

E pastaj tha: “Si do të jetë gjendja juaj, kur biri i Merjemes do të zbresë në mesin tuaj, i cili do të jetë gjithashtu imami juaj prej jush”.[2] “Mundet se ai që do të jetojë gjatë, do të gjejë kohën e Isait birit të Merjemes, i cili do të jetë Imam Mehdiu, gjykatës dhe zbatues i drejtësisë. Ai do të thyejë kryqin e do të mbysë derrin”.[3]

Revolucion në çështjet e besimit

Sipas fjalëve të Profetits.a.s. يحي الدين و يقيم الشريعة d.m.th. Mesihu i Premtuar do të ripërtërijë fenë dhe do të vendosë sheriatin. Pra, ai duke ndërmarrë një revolucion madhështor, do të mbronte Islamin në dy fronte. Së jashtmi duke u përballur me mësymjet e jomuslimanëve kundër Islamit, Kuranit dhe figurës së pastër të Profetit Muhammed s.a.s. Ndërsa së brendshmi, përmes reformimit të muslimanëve shpirtërisht e moralisht, korrigjimit të keqkuptimeve, rikthimit në Islamin e vërtetë dhe duke hedhur themele të fuqishme për triumfin e tij. Ai deklaron:

“Përmes shpalljes hyjnore më është njoftuar qartësisht, se unë jam ai Mesih, që i ishte premtuar këtij umeti që nga fillimi dhe ai Mehdi përfundimtar që ishte caktuar prej Zotit, i cili në kohën e rënies së Islamit dhe të devijimit të muslimanëve, do të udhëzohej drejtpërdrejt prej Zotit dhe do t’ua paraqiste njerëzve sofrën shpirtërore edhe një herë, ardhja e të cilit ishte parashikuar nga vetë i Dërguari i Allahuts.a.s një mijë e treqind vjet më parë”.[4]

Kontributi më i madh i Mesihut të Premtuar është rivendosja e besimit në një Zot të Gjallë, të Vetëmjaftueshëm dhe të Përjetshëm, i Cili dëgjon lutjet e robërve të Tij dhe u përgjigjet atyre, siç thotë: ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ d.m.th. “më thirrni Mua, e Unë do t’ju përgjigjem”.[5]

Muslimanët kishin filluar të besonin se Zoti tashmë nuk flet a komunikon me robërit e Tij, thanë se shpallja e Zotit tashmë është ndërprerë për gjithmonë dhe Ai nuk jep asnjë provë për ekzistencën e Tij. Mesihu i Premtuara.s. ngriti zërin e fuqishëm se Zoti është i Gjallë. Ai dëgjon edhe sot siç ka dëgjuar më parë dhe flet edhe tani siç ka folur më parë. Ai shkroi:

“Besimi i vërtetë është ai, me anë të cilit ne e gjejmë Zotin e Gjallë, dhe Zoti i Gjallë është Ai që na bën të marrim shpallje pa asnjë ndërmjetësim, ose së paku na aftëson ta shikojmë Atë drejt për drejt. Andaj unë i jap mbarë botës këtë lajm të gëzueshëm se ky Zot i Gjallë është Zoti i Islamit.” [6]

Ndjekja e fesë thjesht si rituale apo rregulla si kanun, nuk është qëllimi i besimit. Feja që nuk e lidh njeriu me Zotin është një burim i thatë, prandaj deklarata e tij tërhoqi shpirtrat fisnike për t’u bërë dëshmitarë të këtij Zoti të Gjallë. Nga qindra shembuj dua të cek vetëm rastin e Molvin Muhamed Iljas Khan sahibit të Afganistanit. Një herë kadiu kryesor i provincës së Kalatit iu drejtua në praninë e mijëra njerëzve dhe e pyeti: A nuk gjete asnjë dijetar që u nise për në Penxhab për t’i bërë bejt Mirza Ghulam Ahmedit?” Përgjigja e Molvi sahibit që ai ia ktheu hazërxhevap vlen të dëgjohet. Ai i tha:

“Nëse them drejt, unë kisha humbur Zotin tim. … Unë u interesova për çdo fe dhe e pyeta se a komunikon Zoti edhe sot? Ata u përgjigjën: Jo, Ai nuk flet më. Shkova te secili nga shtatëdhjetë e dy sektet e muslimanëve, por edhe ata më kthyen të njëjtën përgjigje se pas Muhammedit s.a.s. Zoti nuk flet më. Dera e shpalljes tashmë është e mbyllur përgjithmonë. Atëherë, mbërrita në përfundimin se Zoti nuk qenka realitet, por veçse një filozofi, që bazohet në legjenda. … Unë gati isha bërë ateist, kur një dorë e ngrohtë më kapi krahun dhe më pyeti: O Muhammed Iljas! Trego, ç’halli ke? Pse je aq i hutuar? Unë i thashë se për mua, mori fund besimi në Zot. Ky qenka vetëm filozofi e jo realitet, sepse këdo që pyes, më thotë se Zoti ka komunikuar më parë, ndërsa tashmë Ai nuk flet më. Ai që më kapi dorën ishte Mirza Ghulam Ahmedi i Kadijanit dhe më tha, eja, të të tregoj se Zoti flet edhe sot. Por, ka një kusht që të bësh bejt në dorën time, sepse jam Mesih dhe Mehdi prej Zotit, e atëherë Zoti do të të shfaqet edhe ty, e nëse do, Ai do të komunikojë edhe me ty. Unë betohem në emër të Zotit, e vetëm të mallkuarit mund të gënjejmë në emrin e Tij, se Zoti i Mirza Ghulam Ahmedit bisedon edhe me mua. Unë ju bëj vetëm një pyetje, a ka ndonjëri këtu që mund të deklarojë se Zoti bisedon me të. Një heshtje e plotë e zuri krejt turmën, dhe kur askush nuk guxoi të përgjigjej, ai tha: Çfarë të bëj me këto doktrina e këtë Islam të ritualeve dhe bidateve e pse të mos pranoj Islamin e Mirza Ghulam Ahmedit, që është Islami i vërtetë, që shpie njeriun drejt Zotit dhe ngjall vetëm dashuri dhe dhembshuri”.[7]

Islami i Mirza Ghulam Ahmedit është Islami i Muhammedit s.a.s i cili edhe sot jep prova për vërtetësinë e tij.

Për sa i përket besimit, pjesë dërrmuese e Muslimanët besojnë se Isaia.s. është i gjallë në qiell, dhe do të zbresë sërish në tokë, besim ky i cili bëri që një pjesë prej tyre të pranonin fenë e krishterë. Mesihu i Premtuara.s. nëpërmjet argumenteve të pathyeshme nga Kurani, Hadithet madje edhe nga Bibla vërtetoi se Isai a.s. ka ndërruar jetë dhe askush nuk do të zbresë nga qielli. Ai tha:

“Mbani mend! Askush nuk do të zbresë nga qielli. Të gjithë kundërshtarët tanë që sot janë të gjallë, do të vdesin, por asnjëri nga ata nuk do ta shohë Isain birin e Merjemes duke zbritur nga qielli. … Atëherë, njerëzit e mençur do ta braktisin këtë besim. As tre shekuj nga sot nuk do të kenë kaluar, kur ata që po presin Isain, qofshin muslimanë, qofshin të krishterë, duke u dëshpëruar dhe u pikëlluar, do ta lëshojnë këtë besim të rremë. Atëherë në botë do të mbetet vetëm një fe dhe vetëm një udhërrëfyes. Unë kam ardhur sa për të mbjell një farë, e cila tashmë është mbjellë nga dora ime. Tani ajo do të rritet, do të lulëzojë dhe askush nuk mund ta pengojë atë”.[8]

Sot bota Islame është mbërthyer keq nga doktrina si xhihad i përgjakshëm, dënim me vdekje për blasfemi dhe apostazi, nga thirrje për islamin politik dhe imponimin e sheriatit, nga shkelja e të drejtave njerëzore, dhe rritje e ekstremizmit etj. Konflikte të brendshme bashkë me këto çështje doktrinave, kanë kontribuar në përkeqësimin e imazhit të muslimanëve, në rritjen e islamofobisë deri në mendimin se gjoja muslimanët nuk mund të integrohen me botën moderne. Mesihu i Premtuara.s. qartësoi të gjitha këto çështje. Lidhur me xhihadin, ai thotë:

“Dëgjoni! Unë kam ardhur te ju me një urdhër dhe ai është që, tani e tutje, t’i jepet fund xhihadit me armë, kurse xhihadi kundër nefsit të vazhdojë. Këtë nuk po e them nga vetja, por kjo është dëshira e Zotit. Mendoni për hadithin e “Sahih Buhariut”, i cili, në lidhje me Mesihun e Premtuar, thotë: یضع الحرب Kur do të vijë Mesihu, do t’u japë fund luftërave fetare”.[9]

Mesihu i Premtuar a.s. solli Islamin e vërtetë, islamin e të Dërguarit të Allahuts.a.s. Ai mesazh jetëdhënës që bazohet në Kuranin Famëlartë, interpretimi më i bukur i të cilit gjendet në sunetin e Profetits.a.s. dhe shpjegimi i të cilit gjendet në hadith. Ai nuk solli asgjë të re, por hoqi çdo sajesë dhe shpikje të dëmshme prej tij. Shkrimtar dhe studiues i njohur Elama Nijaz Fatehpuri shkruan rreth Mesihut të Premtuara.s.:

“Me të vërtetë ai ringjalli vlerat e Islamit dhe krijoi një xhemat, jetën e të cilit mund të quajmë pa mëdyshje si shëmbëlltyra e Profetits.a.s”.[10]

Revolucion intelektual

Për sa i takon revolucionit intelektual, sipas profecive, Imam Mehdiu do të luante rolin kyç për t’i dhënë Islamit epërsi mbi fe të tjera. Zoti i Lartësuar jo vetëm që e begatoi me njohuri dhe dije shpirtërore, por edhe aftësinë magjepse të të shprehurit. Një shembull i tillë është edhe libri “Filozofia e mësimeve të Islamit”. Molvi Abul Kalam Azad, një prej figurave të shquara të Indisë e quajti “luftëtar triumfues” dhe shkroi:

“Shkrimet e të nderuarit Mirza, të cilat ai i realizoi në ballafaqim me të krishterët dhe arjët (hindu), kanë fituar pëlqimin e gjithanshëm. Ne kurrë nuk mund ta harrojmë atë kohë të vështirë, kur Islami ishte në shënjestër të sulmeve nga të gjitha drejtimet, ndërsa muslimanët … nuk po bënin asgjë për Islamin. Por, kjo mbrojtje (nga Mirza Ghulam Ahmedi as) jo vetëm që e shkatërroi dhe asgjësoi ndikimin e fesë së krishterë… por shpëtoi miliona muslimanë nga sulmet e saj të fuqishme dhe u prishi fitoren e sigurt derisa e gjithë magjia e krishterimit u zhduk si avull. I ndjeri i ndryshoi kryekëput metodat e mbrojtjes dhe e shndërroi të munduarin në triumfues”.[11]

Kjo thënie menjëherë na tërheq vëmendje ndaj thënies profetike se:

 عَنِ ابْنِ الْمُسَيَّبِ، أَنَّهُ سَمِعَ أَبَا هُرَيْرَةَ ـ رضى الله عنه ـ يَقُولُ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم ‏ “‏ وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَيُوشِكَنَّ أَنْ يَنْزِلَ فِيكُمُ ابْنُ مَرْيَمَ حَكَمًا مُقْسِطًا فَيَكْسِرَ الصَّلِيبَ، وَيَقْتُلَ الْخِنْزِيرَ، وَيَضَعَ الْجِزْيَةَ، وَيَفِيضَ الْمَالُ حَتَّى لاَ يَقْبَلَهُ أَحَدٌ ‏”‏‏.‏

“d.m.th. Mesihu i ardhshëm do të shpërndajë aq shumë pasuri, saqë nuk do të mbetet njeri që ta pranojë atë”.[12]

Kjo profeci është përmbushur në mënyrë madhështore, dhe Mesihu i Premtuar a.s. në më shumë se 90 vepra ka shpërndarë thesare të dijes shpirtërore, dhe xhemati i tij po vijon këtë xhihad me pendë duke krijuar literaturë të pasur. Merrni në mend se disa muslimanë po ëndërrojnë që Isai a.s. do t’u sjellë pasuritë e jomyslimanëve.

Revolucioni shpirtëror

Megjithatë dimensioni më domethënës i këtij revolucioni është ai shpirtëror e moral që solli Mesihu i Premtuara.s. te ndjekësit e tij. I Dërguari i Allahut s.a.s kishte paralajmëruar:

” إن بني إسرائيل افترقوا على إحدى وسبعين فرقة ، وتفترق أمتي على ثلاث وسبعين فرقة ، كلها في النار إلا واحدة ” فقيل له : ما الواحدة ؟ قال : ” ما أنا عليه اليوم وأصحابي ”

d.m.th. Bijtë e Izraelit ishin përçarë në 71 grupe, ndërsa umeti im do të ndahet në 73 grupe. Secili prej tyre do të përfundojë në zjarr përveç njërit. Sahabatë e pyetën: Cili është ai grupi i vetëm? Ai u përgjigj: “Është ai që ndjek rrugën time dhe të sehabëve të mi”.[13]

Ai shkruan:

“Xhemati ynë që është themeluar në këtë kohë, ka shumë ngjashmëri me xhematin e sehabëve. Ata shohin mrekulli dhe shenja ashtu siç kishin parë sehabët. Ata, njësoj si sehabët, fitojnë shkëlqim dhe besim përmes shenjave dhe mbështetjeve të vazhdueshme të Zotit. .. Ata po fitojnë një jetë të pastër përmes shenjave të qarta, e ndihmës së Zotit dhe mësimeve urtiplotë siç kishin fituar sehabët. Mjaft prej tyre qajnë me ngashëri në namaz, aq saqë sexhadet u lagen nga lotët ashtu si ngashëreheshin sehabët. Mjaft prej tyre shohin ëndrra të vërteta dhe gëzojnë komunikim me Zotin njësoj si sehabët. Mjaft prej tyre shpenzojnë paratë e tyre të fituara me djers e mund, në xhematin tonë, për të fituar pëlqimin e Zotit, ashtu siç harxhonin sehabët. … Ky është xhemati i Zotit, për të cilin Ai vetë po kujdeset..[14]

Nëse pranvera arabe dështoi duke sjellë shkatërrime të paimagjinueshme, revolucioni shpirtëror i sjellë nga Mesihu i Premtuara.s. po frymëzon miliona njerëz anë e mbanë botës, për të dëshmuar mirësinë, sakrificën dhe humanizmin. Vetëm në vitin e kaluar, më shumë se 567 mijë shpirtra fisnikë i janë bashkuar këtij karvani hyjnor. Ata po dedikojnë kohën, pasurinë deri edhe jetën në shërbim të Islamit. Duke u lidhur me Mesihun e Premtuar a.s., besimtarët kanë fituar një jetë të re. Ata pastrohen nga ndyrësia e mëkateve, dhe hedhin hapa të shpejtë në mirëbërësi.

Një dijetar i famshëm i Indisë Molvi Hasan Ali pranoi Mesihun e Premtuara.s. në 1894. Dikush e pyeti se çfarë fitoi duke bërë bejt. Ai iu përgjigj:

“Isha i vdekur, e tashmë po ringjallem. Nuk është e mirë të diskutoj lirisht gjynahet e mia … por madhështinë e Kuranit Famëlartë dhe lartësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.s. nuk i kisha arritur ashtu siç kam arritur sot. E gjithë kjo është rezultati i Hazret Mirza sahibit”. [15]

Disa ngjarje besimshtytëse nga jeta e besimtarëve

Dua të rrëfej shkurtimisht vetëm disa shembuj për të argumentuar rrezatimin e këtij revolucioni nga jeta e besimtarëve ahmedianë duke u nisur nga besnikëria.

  • Hazret Molana Nurudin sahibi r.a., i cili pas vdekjes së Mesihut të Premtuar a.s. u zgjodh Kalif I, kishte filluar ndërtimin e klinikës në vendlindjen e tij, dhe për të blerë materiale ndërtimi erdhi në Lahor, dhe prej andej shkoi në Kadijan për të takuar Mesihun e Premtuar a.s. Huzuri e porositi të qëndronte disa ditë atje, e më vonë e kërkoi që të vendosej në Kadijan. Hazret Molvi Nurudin sahibi, shembulli i besnikërisë, menjëherë ndërpreu punimet, u vendos në Kadijan dhe kurrë nuk mendoi për vendlindjen e tij. Njëherë ai ishte në Kadijan, ndërsa Mesihu i Premtuar s. në Delhi dhe e kërkon që të nisej menjëherë për në Delhi. Ai po në atë gjendje, pa asnjë para me vete, niset nga klinika e tij. Nuk e njofton as familjen, madje kur mbërrin në stacionin e trenit, Zoti mundësoi që t’i shkruante ilaçe për një pacient, dhe me ato para ble biletën e trenit. Pra, kjo është besnikëri që ai nuk deshi të vononte as edhe për një çast në zbatimin e porosisë së Mesihut të Premtuara.s.

  • Njëherë kur Mesihu i Premtuar s. qëndronte në një banesë në Xhalandar, një nga ndjekësit harroi nargjilenë e tij të ndezur, dhe doli jashtë. Ajo u rrëzua, duke vënë zjarrë, i bëri shkrumb e hi mjaft gjëra. Mesihu i Premtuar a.s. shprehu pakënaqësinë e tij. Kur ahmedianët të cilët qëndronin në katin e parë, dhe gjithashtu thithnin nargjile, mësuan këtë ndodhi, ata të gjithë prishën nargjiletë e tyre dhe hoqën dorë përgjithmonë nga ky ves, njësoj kur sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kishin thyer një nga një të gjitha shtambat e alkoolit vetëm duke dëgjuar njoftimin.

Kurani Famëlartë thotë:

لَن تَنَالُوا الْبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُوا مِمَّا تُحِبُّونَ ۚ

“d.m.th. ju nuk mund të arrini mirësinë, derisa nuk shpenzoni prej asaj që e doni”.[16]

Ky revolucion shkëlqen edhe në sakrificat financiare të besimtarëve. Në vitin që lamë pas, vetëm në dy arkat financiare Tehrik-e-Xhedid dhe Uekfi Xhedid, besimtarët ahmedianë kontribuuan afro 19 milion euro në shërbim të Islamit. Këto janë përveç atyre kontributeve që anëtarë bëjnë rregullisht nga 6.25% deri në 10% të të ardhurave të tyre. Xhemati ka më shumë 15 mijë xhami, afërsisht katërqind shkolla dhe 36 spitale në kontinente të ndryshme.

  • Mijan Shadi Khana. duke shitur të gjitha sendet e shtëpisë, dha pjesën e tij të kontributeve për hir të Zotit. Mesihu i Premtuara.s. kur e shikoi këtë, i tha se sot ju keni risjellë shembullin e Ebu Bekrit r.a. Duke dëgjuar këto fjalë, ai u kthye sërish në shtëpi, shiti edhe shtretër që kishin mbetur dhe i dorëzoi të gjitha paratë Huzurit.

  • Munshi Zafar Ali sahibi ishte një ndjekës besnik i Mesihut të Premtuar nga Kapurtala. Njëherë Mesihu i Premtuar s. kishte nevojë për 60 rupi për botimin e një fletëpalosjeje, prandaj ai i tha atij, që të shkonte në Kapurtala, dhe mblidhte aq para nga anëtarët e xhematit. Ai u nis menjëherë, por në vend që t’u thoshte anëtarëve të tjerë, shiti stolitë e gruas, dhe dorëzoi 60 rupi Huzurit. Mesihu i Premtuara.s. ishte shumë i lumtur për sakrificën e xhematit dhe u lut për ta. Pas disa ditësh, një anëtar tjetër nga Kapurtala Munshi Arora Khan sahib, vizitoi Mesihun e Premtuara.s. Ai e falënderoi gjithashtu për kontributin e xhematit të Kapurtalës. Munshi Arora Khan sahibi u habit pak dhe e pyeti: Cili kontribut o Huzur?! Unë nuk kam asnjë dijeni për këtë. Kur Mesihu i Premtuar a.s. ia tregoi detajin, ai njoftoi se Munshi Zafar Ali sahibi nuk kishte njoftuar askënd. Pastaj, kur Munshi Arora Khan sahibi takoi Munshi Zafar Ali sahibin, ai u zemërua dhe pyeti se përse ai nuk e kishte njoftuar atë, dhe kjo pakënaqësi zgjati disa muaj.

  • Beshir Orçerd ishte një i krishterë nga Anglia i cili pranoi Islamin përmes xhematit në 1944. Ai hoqi dorë nga bixhozi e alkooli, dhe duke iu përmbajtur mësimeve të Islamit, u bë një besimtar i devotshëm. Ai u anëtarësua në sistemin e vesijetit, dhe lë 1/3 të ardhurave për hir të Zotit, dhe dedikoi jetën në shërbim të Islamit dhe u bë misionari i parë anglez.

Sot ky xhemat po hedh hapa në çdo drejtim, dhe nën udhëheqjen shpirtërore të Kalifatit ata po përpiqen të shkëlqejnë në çdo mirësi dhe cilësi. Qoftë për humanizëm, qoftë për sakrifica financiare, qoftë në lidhje me Zotin apo në përpjekje për të fituar afërsinë e Tij, ata po shkruajnë historinë me veprat e tyre. Ajo ditë nuk është larg, kur ky revolucion do të prekë ndjeshëm edhe jetën e shoqërisë sonë. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Shikoni se po vjen ajo kohë, madje është shumë afër, kur Zoti do ta shquajë shumë këtë Xhemat në botë dhe ky Xhemat do të përhapet në Lindje e në Perëndim, në Veri e në Jug dhe do të jetë po ky Xhemat, që do të njihet me emrin Islam. Këto fjalë nuk janë të njeriut, por janë të Atij Zoti, për të cilin asgjë nuk është e pamundur”.[17]

Por kjo kërkon një sakrificë prej nesh. Bota gjendet në prag të vdekjes morale e shpirtërore. Sot vetëm shërbëtorët e Muhammedit s.a.s mund ta shpëtojnë atë. Prandaj o shërbëtorë besnikë të Muhammedit! Çohuni dhe derdhni të gjitha aftësinë tuaja për ta shpëtuar njerëzimin. Zbukurojeni fatin e tyre me lutjet tuaja të sinqerta dhe bëhuni shi plot bereqet për njerëzimin.

Por që t’i jepni diçka botës, së pari ju duhet të ndriçoni zemrat tuaja me këto mirësi e bekime të pashtershme. Allahu na mundësoftë ta përmbushim këtë detyrë dhe na dhuroftë kënaqësinë e Tij.


[1] Buhariu, Kitabut Tefsir, surja el-xhumua

[2] Buhariu, Kitabul Enbija, bab Nuzul Isa bin Merjem

[3] Musned Ahmed,

[4] Ruhani Khezain,Tedhkiratush-shehadatejn, vëll. 20, f. 3-4.

[5] Kurani Famëlartë 40:61

[6] Mexhmu’a Ishtiharat, vëll. II, f. 311, botuar në Londër, 1984

[7] Hajati Iljas, nga Abdys Selam Khan, f. 118

[8] Tazkiratush Shahadatain, Rruhani Khezain, vol. 20, f. 67

[9] Mirza Ghulam Ahmadas,“Mexhmua Ishtiharat”, vëll. 3, f. 233.

[10] Muhammed Exhmel Shahid, Mulahizat Nijaz Fatehpuri, f. 29 Karaçi, Revista Nigar, nëntor 1959, Leknau

[11] Gezeta “Wakil” 30 maj 1908, Amritsar

[12] Buhariu 2222

[13] Tirmidhiu,

[14] Rruhani Khezain, Ejamus Suleh, Vëll. 14, f. 306-7, botim 2008

[15] Molvi Hesen Ali, Ta’idi Hak, f. 79, Botuar në Allah Beksh Press, Kadijan

[16] Kurani Famëlartë 3:93

[17] “Tuhfa-e-Guladvija” “Ruhani Khezain”, vëll. 17, f. 182.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp