Komunikimi me Zotin është esenca e Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

(Marrë nga një fjalim i Themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia)

Dihet që derisa njeriut nuk i jepet shembulli, ai mbetet në mëdyshje. Paraqitja e shembullit është diçka që ekziston vetëm në Islam dhe kjo përbën një argument shumë të fortë të vërtetësisë së fesë, të cilin nuk e gëzojnë fetë e tjera. Islami është feja që i pëlqen Zotit të Madhërishëm dhe që është pranuar tek Ai. Për këtë arsye, nga mëshira e Tij, Zoti i Madhërishëm në këtë fe ka lënë të vijueshëm komunikimin me Të, si bekim të përsosur e të pashtershëm, në mënyrë që t’i shpëtojë muslimanët nga devijimi dhe mëdyshja.

Shpesh njerëzve u lind pyetja – Edhe unë jam njeri dhe edhe ky deklaruesi i shpalljeve është njeri, atëherë, si është e mundur që unë nuk e gëzoj komunikimin me Zotin dhe ai po? Për të larguar dyshime të tilla, Zoti i Madhërishëm çdo njeriu i ka dhënë një refleks të këtij bekimi si shembull. Ashtu siç njeriu duke parë qoftë një lekë mund të imagjinojë për një a dy milionë lekë, në të njëjtën mënyrë, një ëndërr e vërtetë bëhet argument që mund të vijë edhe shpallja (ilhami).

Ëndrrat e vërteta janë lënë në natyrën e njeriut si shembuj, në mënyrë që duke i parë ato, njeriu të konceptojë edhe kulmin e këtij bekimi. Edhe një njeri i rëndomtë nëse mund të shohë një ëndërr të vërtetë, si nuk është e mundur që ai që është i përsosur dhe i dëlirë, të mos ketë shkallën e përsosur të kësaj kategorie, që është shpallja. Realisht, edhe ëndrra e vërtetë është një pjesë shumë e vogël e përsosmërisë profetike.

Mbani mend! Esenca e Islamit është vazhdimësia e komunikimit me Zotin e Madhërishëm. Nëse nuk do ta kishte këtë bekim Islami, edhe ai do të ishte i vdekur si fetë e tjera. Kuptojeni mirë këtë pikë! Nëse Islami do të ishte i zbrazët nga kjo mirësi dhe nga ky bekim hyjnor, ai nuk do të kishte asnjë argument për të provuar epërsinë e tij. Është bekimi i veçantë i Zotit të Madhërishëm, që Ai dërgon shembuj të gjallë në krye të çdo shekulli të Islamit dhe, në këtë mënyrë, ka vijuar ta provojë faktin para botës se Islami është një fe e gjallë.

Dikur feja Islame lëkundej nga largimi i qoftë një njeriu, por sot qindra mijëra njerëz e braktisin atë. Janë bërë përpjekje edhe nga armiqtë e brendshëm, edhe nga të jashtmit, që ajo të asgjësohej. Ajo u fye, u poshtërua dhe u nëpërkëmbë. Vetë ata që pretendojnë të jenë muslimanë, shndërrohen në armiq të Islamit, duke mos e kuptuar atë. Atëherë, tregomëni! Cili është ai devijim dhe cila është ajo humbje që është akoma për t’u pritur?

Nëse Islami dhe jeta e Islamit do të varet vetëm nga historitë dhe përrallat e së kaluarës, atëherë mbajeni mend, Islami nuk mund të ekzistojë as sot e as nesër.

Mbani mend! Zoti i Madhërishëm ashtu siç e ka mbështetur Islamin në fillim dhe ashtu siç ka vijuar mbështetjen e tij për të edhe në vazhdim, edhe sot mund ta mbështesë atë me shenja të freskëta. Ai mund t’i mundësojë dalluesin (furkanin) çdo besimtari, me kusht që ai të jetë besimtar. Por, mullahët dhe të ashtuquajturit mbështetës të fesë islame, ngjiten nëpër minbere dhe shpallin me të madhe se tashmë Islami nuk ka askënd që mund të tregojë shenja.

Për shembull, në “Mbledhjen e madhe”, ku ithtarët e të gjitha feve ishin të tubuar, Z. Maulvi Muhammed Husejn ka pranuar duke thënë se Islami fatkeqësisht nuk ka më njerëz që mund të tregojnë shenja. Me fjalë të tjera, ai vetë e ka pranuar se edhe feja e tij është e vdekur sikur fetë e tjera, sepse ajo nuk ka më shenjë të jetës që ka ekzistuar më parë.

Mendoni një herë! A mund të vlerësohet Islami me deklarata të tilla?! Jo, përkundrazi, nuk ka poshtërim më të madh se sa të thuash e të besosh se Islami është i zbrazët nga njerëzit me të cilët komunikon Zoti i Madhërishëm dhe për vërtetësinë e të cilëve dërgon shenja madhështore nga e padukshmja.

Mbajeni mend! Nëse do t’i vijë Islamit, larg qoftë, një kohë e tillë, kur ai nuk do t’i ketë më këto bekime, dijeni se ai ka vdekur si fetë e tjera. Kur nuk ekziston shenja e jetës, si do të quhet i gjallë ai?

Shikoni, edhe brahmanët besojnë në “la ilahe ilallah” (nuk ka zot tjetër përveç Allahut). E nëse ata do t’ju pyesin – Çfarë force e çfarë veçantie keni fituar ju, duke pranuar Muhammedin, të dërguarin e Allahut?, si do t’u përgjigjeni atyre? Muslimanët duhet të kenë një argument dhe një parim të tillë, me të cilin, ata të mbizotërojnë të tjerët.

Pra, më tregoni se cili është ndryshimi midis jush dhe atyre që besojnë në unitetin e Zotit? Ka edhe të krishterë që besojnë në një Zot. Edhe arjët thonë se kanë një Zot. Po ashtu, edhe hebrenjtë janë monoteistë. I kisha shkruar një letër një dijetari hebre, duke pyetur se cili është besimi i tij rreth unitetit të Zotit? Ai m’u përgjigj duke shkruar se ata besojnë në njëshmërinë e Zotit dhe se Zoti i tyre është po Ai që është Zoti i Kuranit. Pra, kjo ju bën të mendoni e të reflektoni se nëse edhe këta deklarojnë besimin në një Zot, çfarë veçantie keni ju si muslimanë?

Mrekullitë që bëjnë dallimin midis së vërtetës dhe të rremës

Për sa u përket polemikave për çështje të imëta, ato i merr era. Askush nuk beson me anë të polemikave. Shikoni, Lek Rami u përball me mua. Ai bëri profeci për mua që unë do të vdisja brenda tri vitesh. Unë u njoftova nga Zoti dhe bëra profeci për të që ai do të vritej brenda gjashtë vitesh nga një sulm vrasës. Hapeni dhe shikojeni librin e Lek Ramit, të titulluar “Hebt-e-Ahmedia”, si ai u lut dhe u përgjërua me dënesa e me të qara pranë Parmeshverit (Zotit), duke i kërkuar me përulje të skajshme vendimin e Tij për mbështetjen dhe përkrahjen e të drejtit dhe për shkatërrimin dhe asgjësimin e gënjeshtarit, në mënyrë që të dallohet e vërteta nga e rrema, dhe bota të dëshmojë se midis fesë arje dhe fesë Islame, cila është rruga e pëlqyer tek Zoti dhe cila është e refuzuar.

Vendimi që erdhi përfundimisht, e njeh një botë e tërë. Cilin e ka mbështetur Zoti i Madhërishëm dhe cilin e bëri të vdiste i dështuar. Në këtë mënyrë, pra, morëm zgjidhjen e përhershme të çështjes midis të drejtit dhe gënjeshtarit, midis Islamit dhe fesë arje.

Këto quhen shenja të Zotit dhe pikërisht këto e bëjnë dallimin. Çfarë mund të bëhet me polemika të thata? A ka parë ndokush dikë që e bind tjetrin me polemikë? Lexoni librin “Hebt-e-Ahmedia” në njërën anë dhe, në anën tjetër, lexoni edhe librat e mi, ku është përmendur gjerësisht profecia që u tha më lart, pastaj, gjykoni vetë se cila është fjala e Zotit dhe cila ajo e djallit? Nëse gjuha ime nuk do të ishte prej Zotit dhe prej urdhrit të Zotit, a nuk kishte mundësi që unë të vdisja dhe ai të jetonte, sepse rrethanat ishin në favor të tij. Jam më i madh në moshë sesa ai dhe përveç kësaj, kam qenë edhe i sëmurë, kurse ai ishte i fortë dhe i shëndoshë.

Nuk ishte vetëm ai. Kushdo që bëri duel me mua, u poshtërua. Gulam Dastagir Kasuri, Muhiudin Lekukevala etj. bënë duel me mua e u shkatërruan dhe me vdekjen e tyre kanë vulosur vërtetësinë time.

Maulvi Çiragdin i Xhamusë bëri duel dhe profeci që unë do të vdisja nga murtaja. Por shikoni, ai vdiq nga murtaja. Ishte një fekir Mirza. Edhe ai deklaroi për mua duke thënë se paskësh marrë njoftimin prej Arshit, që unë do të vdisja gjatë muajit Ramazan. Më në fund, kur erdhi muaji Ramazan, ai vdiq. Z. Babu Ilahi Bakhsh shkroi në librin e tij profeci rreth meje se unë do të vdisja nga murtaja. Por ju e dini se si vdiq ai.

… (Aleksandër) Dowie që jetonte matanë oqeaneve, kur u përball me mua, mora njoftimin prej Zotit, të cilin e publikova si profeci, që ai do të shkatërrohet dëshpërimisht. Menjëherë pas publikimit të profecisë, atij i filluan shenja rënieje dhe përfundimisht u paralizua dhe vdiq duke pësuar një mori poshtërimesh të tjera.

Nëse do t’i përmbledhim këto shenja, do të bëhet një libër voluminoz gati me pesëdhjetë pjesë. Mendoni edhe për Abdullah Et’hemin. Ku është ai sot? (Edhe ai ka vdekur sipas profecisë)

Ka njerëz që thonë – Trego ndonjë mrekulli të re për ne! A janë vjetruar shenjat që u janë treguar më parë, që atyre t’u jepej një mrekulli e re? Njerëzit kërkojnë shenjat sipas qejfit të tyre, por Zoti i Madhërishëm nuk i nënshtrohet askujt. Ai ndjek vullnetin e Vet. Ai po tregon shenja, dhe po i tregon sipas dëshirës së Vet.

(“Malfuzat” (Thënie) vëll. 5, f. 556-559)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp