Katër atribute themelore të Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

(Komentimi i Kuranit)

Komentimi i sures El-Fatiha nga Mesihu i Premtuar a.s.

Çdo lavdërim i takon Zotit (Rrab) të botëve; të Gjithëmëshirshmit (Rrahman); dhe Mëshirëplotit (Rrahim); Sunduesit (Malik) të Ditës së Gjykimit.

Duhet ta dini se kjo sure është kapitulli i parë i Kuranit të Shenjtë dhe quhet El-Fatiha, (“Hapja”) ngaqë me këtë fillon ai. Kjo sure gjithashtu quhet “Ummul Kitab” (“Nëna e Librit”), ngase ajo është përmbledhja dhe esenca e gjithë Kuranit. Në këtë sure, Zoti na mëson që lutja është e domosdoshme për t’i gjetur bekimet e Tij. Ajo fillon me fjalët “Elhamdulilah”, që do të thotë se çdo lavdërim i takon asaj Qenieje që quhet “Allah”. Duke e nisur këtë sure me këto fjalë, duhet të dimë se adhurimi i Zotit të Madhërishëm, që është plot me dashuri e me sinqeritet, duhet bërë me gjithë zemër e shpirt, gjë që nuk mund të bëhet derisa mos të provohet se Ajo Qenie është përmbledhje e të gjitha atyre vetive të përsosura, të cilat zemra jonë, duke i parë ato, t’i lavdërojë vetvetiu.

Lavdërimi i plotë bëhet për dy lloje vetish; njëri për bukurinë e përsosur dhe tjetri për mirësinë apo favorin e përsosur. Nëse dikush i ka të dyja këto atribute, atëherë zemra e njeriut dashurohet në të dhe humbet pas tij. Njëri ndër qëllimet më të mëdha të Kuranit të Shenjtë është pikërisht shfaqja e këtyre veçorive për kërkuesit e së vërtetës, në mënyrë që ata pastaj të jepen pas Atij që është i Pashembullt dhe i Pashoq dhe me gjithë shpirt të bëhen robërit e Tij. Andaj, Kurani i Shenjtë, që në suren e parë, jep një skicë të bukur dhe na tregon se çfarë atributesh ka Ai Zot që përmendet në Kuran. Për këtë arsye kjo sure fillon me fjalët “Elhemdulilah”, që do të thotë, të gjitha lavdërimet i përkasin vetëm Atij që quhet “Allah”. Sipas terminologjisë së Kuranit, Allah quhet ajo Qenie, vetitë e të cilit, për sa i takon bukurisë dhe mirësisë së tyre, ndodhen në pikën më të lartë të përsosmërisë dhe nuk gjendet asnjë lloj mangësie në Të. Prandaj, sipas Kuranit të Shenjtë, vetëm emri “Allah” është përmbledhësi i të gjitha atributeve të Tij. Kjo tregon se emri “Allah” mund të ekzistojë vetëm atëherë kur ai i mbledh të gjitha vetitë e përsosura, kështu që, Ai është më i Bukuri, pasi cilësohet si përmbledhja e të gjitha bukurive. Pikërisht për shkak të kësaj bukurie të Tij, Allahu gjithashtu quhet “Nur” (Dritë), siç është përmendur në Kuranin e Shenjtë: Allahu është drita e tokës dhe e qiellit dhe çdo dritë tjetër është pasqyrimi i saj.

Gjithashtu, ka shumë veti të mirësisë së Allahut të Madhërishëm, ndër të cilat katër janë më kryesoret. Sipas renditjes së natyrshme të tyre, atributi i parë është ai që përmendet në suren El-Fatiha me fjalët Rrab-bul Alemin”(Rrab-i i botëve). Atributi Rrab* i Zotit të Madhërishëm gjithnjë është në veprim në të gjitha botët, ndërkohë Rrab do të thotë se Ai krijon diçka dhe e çon për të arritur qëllimin më të lartë të krijimit. Kjo do të thotë se bota qiellore, bota tokësore, bota fizike, bota shpirtërore, bota shtazore, bota kimike, bota botanike, bota e sendeve dhe të gjitha llojet e botëve janë nën kujdesin e Tij. Edhe vetë njeriu që kur ndodhet në gjendjen fillestare – në atë të spermës, madje edhe më përpara e më tej, deri në vdekje dhe më pas në botën tjetër, është gjithnjë nën kujdesin e kësaj vetie të Tij. Prandaj kjo veti e Rrab-it mund të quhet bekimi më i përgjithshëm, përderisa çdo gjë që ekziston në këtë gjithësi, qofshin shpirtrat, qofshin trupat, qofshin kafshët apo bimët ose sendet, jo vetëm që morën jetë nga atributi i Rrab-it, por vazhdimisht përfitojnë nga ai. Megjithatë, njeriu është krijesa që përfiton më së shumti nga atributi Rrab, pasi ai shfrytëzon çdo krijesë tjetër për veten. Andaj, Kurani i Shenjtë e kujton njeriun se Zoti i tij është Rrab i të gjitha botëve, në mënyrë që ai të ketë shpresë dhe besim që Zoti ka fuqi të mëdha dhe mund të krijojë një botë tjetër mjetesh për t’i ardhur në ndihmë atij.

Atributi i dytë i Zotit është “i Gjithëmëshirshëm”. Ky atribut është mirësia apo favori i shkallës së dytë, që mund të quhet bekim i përgjithshëm. Kurani i Madhërishëm e quan këtë veti “Rrahman” dhe sipas terminologjisë së tij, Zoti quhet Rrahman, pasi Ai i dha çdo gjallese një trup dhe karakter të përshtatshëm, duke e përfshirë këtu edhe njeriun. Me një fjalë, Ai krijoi gjithçka në atë mënyrë, saqë çdo gjallesë, qoftë ajo zog, kafshë apo njeri, ka ato aftësi, fuqi dhe organe të tjera që i nevojiten dhe gjithashtu i përshtaten trupit të secilit. Madje, për mbijetesën e tyre u mundësoi çdo gjë që u duhet. Për më tepër, mijëra e mijëra vite para krijimit të këtyre gjallesave, për shkak të atributit të Tij Rrahman, Ai krijoi të tillë trupa qiellorë dhe tokësorë, që do t’u shërbenin si mbrojtës të jetës së tyre. Nga ky hetim nxirret në pah që atributi Rrahman (i Gjithëmëshirshëm) i Zotit të Madhërishëm nuk vepron për shkak të veprës së mirë të dikujt, pasi Ai është vetëm Mëshirë, që është aktiv edhe para krijimit të gjallesave. Megjithatë, vetëm njeriu është ajo gjallesë që mori më shumë pjesë nga mëshira e këtij atributi të Zotit, sepse çdo gjë në këtë botë po sakrifikohet për suksesin e tij. Prandaj, Kurani i Shenjtë e kujton njeriun se Zoti yt është Rrahman.

Atributi i tretë i Zotit është “Rrahim” (Mëshirëplotë), që është mirësia apo favori i shkallës së tretë, dhe që është përmendur në suren El-Fatiha me fjalën “Er-Rrahim”. Sipas terminologjisë së Kuranit të Shenjtë, Allahu i Madhërishëm quhet Rrahim, atëherë kur Ai ua pranon lutjet, përgjërimet dhe veprat robërve të Tij dhe gjithashtu i shpëton nga fatkeqësitë, problemet dhe nga humbja e frytit të veprave të tyre. Ky favor, me fjalë të tjera, mund të quhet bekim i veçantë dhe është vetëm për njeriun. Gjallesave apo sendeve të tjera Zoti nuk u dha aftësinë e lutjes, të përgjërimit apo të kryerjes me ndërgjegje të veprave të mira. Vetëm njeriut i është dhënë ky privilegj. Vetëm ai është një gjallesë që flet dhe mund të përfitojë nga bekimi i Allahut të Madhërishëm edhe me gjuhën e tij. Kjo tregon që lutja (duaja) është një aftësi e veçantë e njeriut, e cila gjendet vetë në instinktin e tij. Siç e pamë më lart, nga atributet Rrab dhe Rrahman kemi bekime të posaçme, gjithashtu edhe nga atributi i Tij Rrahim kemi një bekim të veçantë. Ndryshimi i vetëm është ky: dy të parat nuk kërkojnë lutje, pasi ato janë të përgjithshme dhe nuk janë vetëm për njeriun, madje vetia e parë që është Rrab është aq e gjerë saqë asnjë gjë në univers nuk gjendet jashtë funksionimit të saj. Ndërsa ai i fundit (d.m.th. atributi Rrahim) është një dhuratë e veçantë vetëm për njeriun. Dhe në qoftë se një njeri, duke pasur një favor kaq të madh, nuk përfiton nga ky atribut i Zotit, atëherë ai është i barabartë me kafshët, madje edhe me sendet. Pra, Zoti i Madhërishëm ka katër atribute kryesore për të dhënë katër lloj bekimesh, dhe me atributin e tretë që është Rrahim, Allahu kërkon që njeriu t’i lutet Atij. Kjo tregon se Allahu i Madhërishëm ka një bekim të veçantë, nga i cili mund të përfitosh vetëm nëse i lutesh Atij. Kështu ka qenë ligji e praktika e Tij dhe që nuk mund të ndryshojnë. Për këtë arsye profetët e mëparshëm, paqja qoftë mbi ta, vazhdimisht janë lutur për popujt e tyre. Shikoni në Bibël, sa herë bijtë e Izraelit gjendeshin afër ndëshkimit, duke merituar mospëlqimin e Zotit, nuk faleshin, veçse çdoherë kur Hazret Musai, paqja qoftë mbi të, iu lut Zotit dhe i përvuajtur  bëri sexhde para Tij, megjithëse shpesh Zoti i premtonte që do t’i shkatërronte ata.

E gjitha kjo tregon se lutja nuk është diçka e kotë dhe ajo nuk është një adhurim i thjeshtë, që nuk mund të përfitojë nga bekimi i Zotit. Ky është mendimi i atyre njerëzve që nuk e vlerësojnë Zotin ashtu siç duhet vlerësuar, dhe që nuk mendojnë thellë për fjalët e Tij e nuk e marrin parasysh as ligjin e natyrës. Realisht, me anë të lutjes patjetër zbret një bekim për të na shpëtuar dhe ai quhet bekim i Rrahimit, me të cilin njeriu përparon vazhdimisht. Vetëm me anë të këtij bekimi, ai arrin në statusin e eulijave (miqve të Zotit), dhe fiton aq shumë besim në Të saqë sikur e shikon vetë me sytë e tij. Çështja e shifa’atit (ndërmjetësimit në oborrin e Zotit) gjithashtu është rrjedhojë nga ky atribut.

Favori i katërt i Allahut të Madhërishëm është Atributi i Tij “Maliki Jeumiddin” (d.m.th. “Sunduesi i ditës së gjykimit”), i cili mund të quhet favori më i veçantë dhe që është përmendur gjithashtu në suren El-Fatiha, në vendin e katërt sipas renditjes së atributeve të Zotit. Ndryshimi midis këtij atributi dhe atributit  Rrahim është se me anë të këtij të fundit shkaktohet suksesi i lutjes dhe ai i adhurimit të një robi, ndërsa me anë të Maliki Jeumiddin-it jepet fryti i tyre. Shembulli i kësaj ideje është si i atij studenti që mëson shumë dhe hyn në një provim të shtetit dhe pastaj e kalon. Kështu që, vendosja e një suksesi me anë të atributit Rrahim është sikurse kalimi i studentit në provim.

Ndërsa gjetja e gjithë atyre gjërave apo statuseve, për të cilat ai kishte dhënë provimin, është sikur marrja e bekimeve nga atributi Maliki Jeumiddin. Këto dy atribute të Zotit tregojnë se Rrahimi vjen nga mëshira e Zotit, ndërsa favori që vjen nga Maliki Jeumiddin-i është një bekim i veçantë prej Zotit. Megjithatë, atributi i fundit, në mënyrë të përsosur do të manifestohet vetëm në botën tjetër.”

(Ruhani Khazain vol. 14, Ejjamus Suleh, f. 20-25, Londër, 1984)


* Rrab është atribut i Zotit që do të thotë Ai që krijon diçka, pastaj e zhvillon dhe e shpien shkallë-shkallë drejtë përsosmërisë. (Mufradati i Imam Ragibit dhe Lane)

Image: Courtesy of  فراس الكحيل ; Under the Creative Commons.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp