Islami dhe shkenca – përputhshmëria apo konflikti?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Shënim: Ky fjalim u mbajt nga prof. dr. Abdus Salami, fituesi i çmimit nobel në fizikë (1979) në UNESCO House të Parisit, më 27 prill të vitit 1984, pas ftesës nga organizata “Islam and the West” (Islami dhe Perëndimi). Takimin e inauguroi dr. Habib Chatti, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Konferencës Islame. Sipas programit, në këtë takim ishin ftuar dy përfaqësues nga feja Islame, ndërsa dy të tjerë për të paraqitur pikëpamjen perëndimore. Nga pala islame ishte dr. Abdus Salami dhe dr. Hussein AlJazaeri, ish-ministrër i shëndetësisë së Arabisë Saudite dhe tashmë drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga ana perëndimore ishte prof. Louis Leprince-Ringuet, profesor në politeknikë Ecole dhe prof. Jean Bernard, president i Akademisë Franceze për Shkencën dhe drejtor i Institutit për kërkime ‘Leukemia’.

Kurani Famëlartë dhe shkenca 

Le të nisem me pohimin se unë jam mysliman dhe njëkohësisht një besimtar praktikues i fesë islame. Jam mysliman sepse i besoj mesazhit shpirtëror të Kuranit Famëlartë, i cili duke më dhënë shembuj nga kozmologjia, fizika, biologjia dhe mjekësia, më këshillon si shkencëtar t’i kushtoj rëndësi studimit të ligjeve të natyrës

Kurani thotë:

Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundura?!

[El-Gashije 88:18-20]

dhe thekson:

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto. I lartësuar qofsh (nga çdo e metë)!”   [Ale-Imran 3:189-190]

Kurani tregon epërsinë e ālimit, pra atij që zotëron diturinë dhe mendjehollësinë, duke parashtruar pyetjen: Si mund të qëndrojnë këta, të cilëve u mungojnë këto atribute, përballë atyre që i zotërojnë ato? Shtatëqind e pesëdhjetë ajete kuranore (pothuaj një e teta e librit) nxit besimtarët që të studiojnë natyrën, të përsiatin e të shfrytëzojnë arsyetimin në kërkimin e të përsosurit e për të kthyer kërkimin e diturisë dhe të kuptuarit shkencor në pjesën thelbësore të shoqërisë.

I Dërguari i Allahut savs ka theksuar se kërkimi i dijes dhe shkencës është detyrim i çdo myslimani dhe i çdo myslimanje. Ai urdhëroi ndjekësit e tij ta fitojnë dijen edhe nëse do t’u duhej të merrnin udhën për në Kinë në këtë kërkim. Këtu, pa dyshim, ai më shumë synonte dijen shkencore sesa atë shpirtërore, si dhe nënvizonte natyrën mbarënjerëzore në kërkimet shkencore.

Ky duhet të jetë kushti paraprak, nga i cili duhet të niset çfarëdolloj mendimi fundamental i Islamit. Krahas këtij kushti, do ta shtojmë atë që Maurice Bucaille ka pranuar shprehimisht në veprën e tij madhështore “The Bible, the Quran and Science” (Bibla, Kurani dhe shkenca):

‘Nuk ka asnjë ajet në Kuran, ku përmenden fenomenat natyrore dhe që bien në kundërshtim me atë që ne dimë me siguri nga zbulimet shkencore.’

Përpos këtyre vihet kushti i tretë; gjatë gjithë historisë islame, nuk ka ngjarë asnjëherë ajo që i ndodhi Galileut apo Gjordano Brunos. Persekutimet kanë qenë, dënimet publike madje përjashtime dhe bojkote kanë ndodhur, por gjithmonë për mospajtime doktrinare e jo për idetë shkencore. Aq më tepër, inkuizicioni i parë, i cili u shfaq në Islam, nuk drejtohej nga teologët ortodoks, por nga të ashtuquajturit racionalistët, Mu’tazala. Këta ishin teologët që krenoheshin për përdorimin e arsyetimit. I famshmi Ahmad bin Hanbali ishte një ndër ata që iu nënshtrua tiranisë së tyre.

Zanafilla e Islamit dhe shkenca

A në të vërtetë myslimanët e parë i kishin marrë seriozisht këto udhëzime të Kuranit të Shenjtë dhe të Dërguarit të Allahut savs?

Vetëm njëqind vjet pas vdekjes së Profetit të shenjtë savs, myslimanët i caktuan vetes zotërimin e shkencave të asokohshme si detyrë kryesore. Në një mënyrë sistematike, ata përkthyen gjithë korpusin e diturisë së deriatëhershme në gjuhën fetare, pra arabisht. Duke themeluar qendrat e studimit shkencor (Bejtul Hikmah), ata fituan epërsinë e padiskutueshme në fushën e shkencën që do të vazhdonte për treqind e pesëdhjetë vitet e ardhshme.

George Sartoni në veprën e tij monumentale, History of Science (Historinë e Shkencës) përshkruan përmasën madhështore të kësaj arritjeje. Sartoni ka ndarë historinë e tij të arritjeve të mëdha në fushën e shkencës në Epokë, ku secila Epokë shtrihet për një periudhë kohore prej pesëdhjetë vjetësh. Në krye të çdo epoke qëndron një figurë kryesore: bie fjala, 500-450 p.e.s. ishte epoka e Platos, e ndjekur nga epoka e Aristotelit, Euclidit, Arkimedesit dhe me radhë. Por nga 750 deri në 1100 është një seri e vazhdueshme epokash me emrat si Xhabiri, Kuarizmi, Razi, Masudi, Abul Uafa, Biruni dhe Umer Hajjam. Në këto 350 vjet kimistët, algjebristët, mjekët, gjeografët, matematikanët, fizikanët dhe astronomët arab,turk, afgan dhe persian nga federata të ndryshme myslimane pushtuan skenën botërore të shkencave. Vetëm pas viteve 1100, nisen të shfaqen emra të parë perëndimorë në skemën e Sartonit, megjithatë akoma për 250 vjet të tjera, ata do të ndanin këtë nder me burrat e shquar myslimanë si Ibni Rushd, Nasiruddin Tusi dhe Ibni Nafis.

Një ndër arsyet kryesore pas arritjes së studimeve shkencore të Islamit ishte karakteri i tij mbarëbotëror. Perandoria myslimane tejkalonte kufijtë gjeografik e kombëtar dhe shoqëria e saj hershme ishte tolerante ndaj popujve të tjerë dhe ideve të tyre.

Një ndër aspektet e nderimit të shkencës në Islam ishte patronazhi që ajo gëzonte në perandorinë Islame. Mund të parafrazohet mendimi i H.A.R. Gibbit në lidhje me letërsinë arabe si një situatë paralele për shkencë “Në një shkallë më të gjerë, lulëzimi i shkencave në Islam ishte i kushtëzuar… me gjerësinë e botëkuptimit dhe nën patronazhin e gradave të larta. Ndërkaq shoqëria Islame ishte në rënie, shkenca humbi gjallërinë e forcën e saj. Por derisa, në një kryeqytet apo tjetrin, princat dhe ministrat gjenin kënaqësi, përfitim apo famë duke mbrojtur shkencën, pishtari vazhdoi të ndriçohej.”

Epoka e artë e shkencës në Islam

Epoka e artë e shkencave në Islam padyshim ishte periudha e viteve 1000, pra epoka e Ibn-e-Sinasë (Avecenna), i fundit nga mesjeta dhe nga bashkëkohësit e tij, e i pari nga modernistët, të Ibn-al-Haithamit dhe Al-Birunit. Ibn-al-Haithami (Alhazen, 965-1039) konsiderohet një ndër fizikanët më të shquar e të gjitha kohërave. Ai parashtroi tezën se një rreze drite, duke përshkuar përmes një ambienti, ndjek rrugën më të lehtë dhe “më të shpejt”. Në këtë mënyrë ai parashikonte parimin e Fermatit për ‘kohën minimale’ që ai do të paraqiste pas disa shekujsh.a Ai gjithashtu parashtroi tezën e inercisë (plogëtisë), e cila më vonë do të bëhej ligji i parë i lëvizjes te Njutoni. Ai shpjegoi procesin e thyerjes për nga marrëdhëniet materiale, duke studiuar lëvizjen e ‘grimcave të dritës’ kur ato përshkonin nëpër sipërfaqen e dy mjeteve, në përputhje me ligjin drejtkëndësh të forcës. Kjo arritje u ri-zbulua e u përpunua më vonë nga Njutoni. Pjesa V e ‘Opus Majus’-it të Roger Bacon-it është pothuajse kopje e Optikës të Ibn-al-Haithamit.b S’është për t’u çuditur se Bacon-i gjithmonë thoshte se njohja e gjuhës arabe dhe të shkencave arabe ishte e vetmja rrugë drejt dijes së vërtetë.

Al-Biruni (973-1048), bashkëkohësi i dytë e i shquar i Ibn-i-Sinasë punoi në Afganistan. Ai ishte shkencëtar që ndiqte metodën empirike ashtu si Ibn-i-Haithami. Ai ishte modern dhe jo-mesjetar në pikëpamjet e tij si Galileo, bashkë me të cilin ai do të ndante zbulimin e pavarur (paraprak) të ashtuquajturit ‘invariant Galilian të ligjeve natyrore’- një formulim emancipues sipas të cilit ato Ligje Fizike që veprojnë në tokë, janë në fuqi edhe mbi trupat qiellor në këtë gjithësi.

Nuk ka asnjë pikë dyshimi se shkenca perëndimore është trashëgim greko-islam. Megjithatë, në përgjithësi mendohet se shkenca islame është një dukuri e përftuar. Sipas këtij mendimi, shkencëtarët mysliman ndoqën traditat teorike greke në mënyrë të verbër dhe nuk kontribuuan aspak në metodat shkencore.

Ky pretendim është i gabuar. Si në të gjitha periudhat e studimeve intensive shkencore, në fazën e parë njeriu bazohet në atë që ka trashëguar; ndërsa në fazën tjetër të formimit, ngrihen dyshimet mbi mësimet e mjeshtërve të parë. Kjo fazë ndiqet nga një ndërprerje. Një ndërprerje e tillë u shoqërua me lindjen e vrojtimit dhe eksperimenteve pikërisht në shkencat Islamike. Përfaqësuesit e shquar të kësaj kthese ishin Ibn-al-Haitham dhe El-Biruni. Dëgjoni këtë vlerësim të Aristotelit nga el-Biruni. Dëgjoni vlerësimin që El-Biruni i bën Aristotelit:

“Problemi që kanë një shumicë njerëzish është tejkalimi në respektin e pikëpamjeve të Aristotelit. Ata janë të mendimit se pikëpamjet e tij nuk mund të kenë asnjë lajthitje, edhe pse ata dinë se Aristoteli thjesht merrej me përfundimet teorike në kapacitet të plotë, dhe asnjëherë nuk pohoi se pikëpamjet e tij ishin të mbrojtura nga Zoti dhe ai vetë kishte imunitet ndaj gabimeve.”

Ose ja shikoni përfundimin e ngulmët të tij për gjeologji:

“… por nëse ju të shikoni tokën Indiane me sytë tuaj dhe të përsiatni mirë natyrën e saj, nëse të studioni gurë të rrumbullakët që gjenden në thellësinë e saj, sado të gërmoni, që mund të jenë në përmasa të mëdha afër vendeve malore ku lumenjtë rrjedhin me rrymë të fortë, në përmasa të vogla larg vendeve malore ku lumenjtë rrjedhin të qetë e ngadaltë dhe të copëtuar (të pluhurzuar) në formën e rërës aty ku uji është i amullt (i ndenjur) sidomos afër burimit të tyre ose afër grykës së derdhjes së lumenjve në det – po të shqyrtoni të gjitha këto fakte, me siguri do të arrish përfundimin se India dikur ishte një det dhe gjatë një periudhe të gjatë u mbush nga aluvioni i lumenjve.”

Më në fund, el-Biruni shkruan për besëtytnitë mesjetare:

Sipas popullit më datën 6 (të janarit) vjen një çast kur i gjithë uji i kripur shndërrohet në ujë të ëmbël. Meqenëse të gjitha veçoritë e ujit varen krejtësisht nga natyra e tokës… andaj këto cilësi e vlera kanë një farë qëndrueshmërie… prandaj ky mendim është plotësisht i pabazuar. Vëzhgimet dhe eksperimentimet e vazhdueshme do t’i tregojnë çdokujt kotësinë e këtij pohimi.”

Sipas Briffaultit

“Ndonëse grekët ishin të parët që sistemuan, përgjithësuan dhe teorizuan (gjërat), por mënyra të ngadalta të hulumtimit, grumbullim i diturisë pozitive, metoda të hollësishme shkencore, shqyrtime të detajuara e të zgjatura dhe kërkime eksperimentale të gjitha ishin të papajtueshme në temperamentin grek. Atë që ne e quajmë shkencë, lindi në Evropë si rezultat i një frymëzimi të ri të shqyrtimit, të metodave të reja të kërkimit, të metodave të eksperimentit, të studimit, të përcaktimit dhe të zhvillimit të matematikës në një formë të panjohur te Grekët. Këtë frymë dhe këto metoda ia paraqitën Arabët botës evropiane. Shkenca moderne është kontributi më i rëndësishëm i qytetërimit Islam.”

Këto vlerësime të Briffaultit përforcohen nga Sartoni:

“Një ndër tragjeditë e historisë është se agimi i frymës moderne në shkencë udhëhequr nga el-Biruni dhe Ibn al-Haithami u ndërpre; ajo nuk arriti të sillte një ndryshim të përhershëm në metodologjinë shkencore. Vetëm pas njëqind vjetësh gjatë të cilëve punuan El-Biruni dhe Ibn al-Haithami, krijimi shkencor në Islam mori fund. Bota duhet të priste pesëqind vjet të tjera derisa të arrinte të njëjtin nivel pjekurie dhe këmbënguljeje në kërkim e eksperimentim me Tycho Brahen, Galileon dhe bashkëkohësit e tyre.”

Rënia e shkencës në Islam

Sipas mendimit tim, fundi i shkencës organike ndër federata  islame rrjedh kryesisht nga shkaqet e brendshme. Së i pari nga izolimi i iniciativës sonë shkencore dhe së dyti nga dekurajimi e mospërfillja ndaj ndryshimit dhe risisë (teklid).

Pse krijimtaria shkencore u zhduk në Islam? Duke filluar nga vitet 1100 e.r., kjo tatëpjetë u përfundua rreth 1350 e.r. Pse ne nga toka Islame mbetëm mprapa?

Askush nuk e di këtë me siguri. Vërtet kanë qenë edhe arsyet e jashtme, si shkatërrimi i shkaktuar nga mësymja e Mongolit, ndonëse e rëndë, por kjo mësymje shkaktoi një ndërprerje. Sepse gjashtëdhjetë vjet pas Xhengizit, nipi i tij Halagu do të themelonte një observator në Maraga, ku më vonë do të punonte Nasiruddin Tusi.

Sipas vështrimit tim, fundi i shkencave organike brenda federatave islame vjen më shumë nga shkaqet e brendshme – së pari nga izolimi i ndërmarrjes sonë shkencore dhe së dyti nga dekurajimi për ndryshim dhe risi. Fundi i shek. XI dhe fillimi i shek. XII ishte periudha me konflikte të mëdha fetare dhe sektare të motivuara nga interesa të ulëta politike. Madje dikush si Imam Gazali, shkroi në veprën e tij me famë Ihjai ulumuddin(Rilindje e Diturisë Fetare) rreth 1100 e.r.:

“Një krim i rënd po bëhet kundër besimit nga njeriu që përfytyron se Islami mbrohet nga mohimi i shkencave matematike. Sigurisht e vërteta e shpallur nuk mban asnjë gjë që t’u kundërvihet këtyre shkencave përmes mohimit apo pohimit, ndërsa edhe këto shkenca nuk kanë qëllim t’i kundërvihen vërtetësisë së besimit.”

Edhe pse Imam Gazali shkroi këto fjalë, prirja e asaj kohe u kthye nga krijimtaria shkencore te sofizmi me shpirtëroren e tij dhe te mungesa e tolerancës për ndryshim (teklid) dhe risi në të gjitha fushat e diturisë përfshirë këtu edhe shkencat.

Për të ilustruar këtë plogështi e apati ndaj veprimtarisë shkencore që kaploi gjithë Islamin, më lejoni të citoj Ibne Haldumin (1332-1406), një ndër historianët më të mëdhenjtë dhe nga intelektualet më të shquar të të gjitha kohërave. Ibne Haldumi shkruan në veprën e tij Mukedima:c

“Ne kemi dëgjuar në kohë të fundit se në vendin e Frankut dhe në brigjet veriore të Mesdheut, gjendet një kulturë e pasur e shkencës filozofike. Thuhet se këto studiohen atje dhe mësohen në nivele të ndryshme. Shpjegimet sistematike ekzistuese që parashtrohen prej tyre, thuhet se janë gjithëpërmbledhëse, njerëzit që kanë dijeni për këtë janë të shumtë, ndërsa studentët e tyre janë akoma më shumë. Allahu e di më së miri se çfarë ndodhet atje. … por një gjë është e qartë se problemet e fizikës nuk mbajnë ndonjë rëndësi tek ne në çështjet tona fetare. Prandaj ne duhet t’i lëmë mënjanë.”

Ibne Halduni tregon shumë pak kureshtje, por dëshirë aspak. Plogështinë që fjalët e tij duken se përcjellin na çon drejt një tërheqje nga brenda dhe një izolimi të ndërmarrjes sonë shkencore. Kush nuk e di se izolimi në fushën shkencore dhe respekti ndaj autoriteteve që e shkaktojnë atë, nënkupton vdekjen intelektuale. Gjatë ditëve tona më të bukura, në shek. IX dhe X, ne kishim gjetur në Bagdad dhe Kajro institute ndërkombëtare për studime të larta (Bejtul Hikmah) ku zhvilloheshin konkurse me famë botërore për shkencëtarët e studiuesit. Por që nga 1300 e.r., nuk ka më. Çfarëdo shkence që u kultivua, ishte e përqendruar në shkollat fetare, ku traditat vlerësoheshin më shumë se sa përtëritja e risia. Të diturit e Transoxianas, pasi që mësuan për hapjen e medresesë së parë, caktuan një shkencë serioze si menesonial në përkujtimin e shkencës së vdekur. Ata u treguan më korrekt në vlerësimin e tyre. E gjithë natyra enciklopedike e dijes dhe shkencës në Islam ishte pengesë në një periudhë specializimi. I tërë fakulteti i kritikës, përmes të cilit, një studiues i ri mund të dyshonte çka i mësohej, e rishqyrtonte dhe mund të parashtronte koncepte të reja, tashmë nuk as nuk lejoheshin e as inkurajoheshin.

Për të përfunduar historinë, nga koha e Ibne Haldumit, ky izolim intelektual e shkencor vazhdoi – madje edhe gjatë perandorive të mëdha Islame, gjatë perandorisë Osmane, perandorisë persiane Safvi dhe asaj indiane Mugal. Nuk mund të mendohet se këta sulltanë dhe shehensha s’kishin asnjë dijeni për avancime teknologjike të evropianëve. Është shumë e vështirë që ata të kishin mbetur të paditur nga epërsia e rrëmbyeshme e venedikasve apo gjenovezëve në prodhimin e armëve apo mjeshtërinë e portugezëve në lundrim dhe ndërtim anijesh, sidomos kur ata sundonin oqeanet e botës, përfshirë të gjitha ato që preknin kufijtë e vendeve myslimane si dhe rrugën detare të haxhit. Por një gjë është e sigurtë se myslimanët kurrë nuk arritën të kuptonin se mjeshtëria lundruese e portugezëve nuk ishte e rastësishme, por ajo ishte formuar në mënyrë shkencore dhe ishte kultivuar pas shumë përpjekjeve, duke filluar nga themelimi i institucionit kërkimor në Sagres, ngritur nga princ Henri Navigator në 1419.

A kjo dobësi buroi nga arroganca e keqpërdorur? William Eton, konsulli anglez në perandorinë Osmane, shkruan në një letër në vitin 1800:

“Askush nuk ka idenë për navigacionin dhe përdorimin e magnetit. Udhëtimi, si burim kryesor i shtrirjes dhe ngritjes kulturore është plotësisht i ndaluar nga shpirti arrogant i besimit të tyre dhe … smira me të cilën vështrohen marrëdhëniet me të huaj – është i natyrës që nuk reflektohet në karakterin zyrtar – pra njeriu i shkencës së përgjithshme – nuk njihet veçse si një mjeshtër që duhet të merrej me prodhimin e topave, ndërtimin anijesh dhe etj., ai vlerësohet pak më mirë se një çmendur.”

Ai përfundon me një vërejtje, në një zë ogurzi modern:

“Ata pëlqejnë të bëjnë tregti me ata që u sjellin artikuj të dobishëm dhe të vlefshëm, pa menduar fare për të prodhuar ata.”

Shkenca moderne dhe besimi

Çfarë është situata sot? Ndër të gjitha qytetërimet e mëdha botërore gjendja më e katandisur e shkencës është në vendet islame. Unë ndonjëherë dyshoj se disa prej myslimanëve besojnë se nëse teknologjia në themel është neutrale dhe skajshmëria e saj mund të zbutet përmes ndjekjes së etikës Islame, shkenca në anën tjetër vjen me një mendim të paracaktuar, që shkenca moderne me doemos duhet të na çojë drejt “arsyetimit” “racionalizmit” dhe përfundimit drejt braktisjes; domethënë ata që ndjekin shkencën ‘do të mohojnë përcaktimet e kulturës sonë’. Pikërisht në këtë mendim fshihet një fyerje ndaj vlerave tona kulturore për shkak të brishtësisë së tyre mendore. Por, duke e lënë mënjanë këtë vështrim, më lejoni të them: Mos luftoni betejat e së shkuarës kur të ashtuquajturit ‘filozofë racional’ me pikëpamjet e tyre dogmatike e të paarsyeshme, në doktrinat kozmologjike, që ata trashëguan nga Aristoteli, hasën vështirësi për t’i pajtuar këto koncepte me fetë e tyre.

Më duhet të rikujtoj që këto ndeshje ishin më të përgjakshme midis studiuesve që u përkisnin shkollave krishtere të mesjetës. Problemet kryesore që i merakosnin këta studiues lidheshin me kozmologjinë e metafizikën: ‘A toka gjendet në një vend të paluajtshëm, a ekziston diçka përtej saj? Zoti a drejton gjjithësinë lëvizës drejtëpërdrejt për një synim efikas ose Atij i intereson vetëm synimi përfundimtar? A të gjithë trupat qiellor vihen në lëvizje nga një forcë lëvizëse apo disa të tillë? A forcat lëvizëse qiellore kanë dobësi e lodhje? Çfarë është karakteri i lëndës qiellore? Ajo a i ngjan lëndës tokësore, për sa i përket cilësive të qenësishme si nxehtësi, ftohje, lagështi dhe thatësi? S’kemi pse të çuditemi kur Galileo u mundua për herë të parë të klasifikonte këto probleme, që i përkisnin domosdoshmërish sferës së fizikës, për të gjetur përgjigjet e tyre përmes eksperimentimit fizik, ai u persekutua. Kthimi nga vendimi që u mor atëherë kundër tij po bëhet tani pas 350 vjetësh.

Më 9 maj 1983, në një ceremoni të posaçme në Vatikan, Shenjtëria e tij Papa Xhon Paul II në praninë e 33 nobelistëve dhe 300 shkencëtarëve të tjerë, deklaroi:

“Përvoja e Kishës, gjatë dhe pas çështjes së Galileos, e ka përcjellë te një qëndrim më të pjekur. … Kisha nga ana e saj mëson vetë nga përvoja e shqyrtimi dhe ajo tashmë dallon më mirë kuptimin që i duhet dhënë lirisë shkencore … një ndër cilësitë më të shquara të njeriut. Është kërkim përmes të cilit njeriu e arrin të vërtetën. … prandaj Kisha është e bindur që nuk mund të ketë asnjë mospajtim midis shkencës dhe besimit… (megjithatë) përmes një studimi modest dhe ngulmues (Kisha) ka mësuar të ndajë vetitë themelore të besimit nga sistemi shkencor i një periudhe të dhënë, veçanërisht kur duket se studimi i Biblës, i ndikuar nga kultura, detyrimisht lidhet me kozmogoni.

Kufijtë e shkencës

Në fjalët e tij, nëse Papa nënvizoi pjekurinë që Kisha kishte arritur në marrëdhënie me shkencën; ai gjithashtu duhet të kishte theksuar të kundërtën – pranimin e kufizimeve të disiplinave të tyre nga shkencëtarët që nga koha e Galileos – identifikimin e faktit se janë akoma shumë çështje që qëndrojnë përtej territorit të shkencës së sotme, madje edhe asaj të së ardhshmes. Edhe pse ne mund të hamendësojmë për disa probleme, por kurrsesi nuk mund të vërtetojmë spekulimet tona në mënyrë empirike. Ama është boshti empirik që qëndron në thelb të shkencës moderne. Ne jemi më modest se sa do të kishte qenë Ibne Rushdi (Averroesi). Ibne Rushdi ishte fizikan me njohuri të jashtëzakonshme, me kontribute të mëdha në studimin e ethes dhe të retinës. Ky është një ndër deklarimet e tij për përjetësinë shkencore. Megjithatë, në një disiplinë tjetër si ajo e kozmologjisë, ai pranoi spekulime e Aristotelit, pa i njohur se ato ishin vetëm spekulimet që mund të dilnin të gabuara në eksperimentimet e së ardhmes. Shkencëtari i sotëm di më mirë se kur e ku ai bën spekulime, ai nuk hedh deklarata për mbylljen e çdo lloj mendimi rreth tyre. Madje edhe për fakte tashmë të pranuara gjerësisht, ne bindemi që mund të zbulohen fakte të reja, të cilat pa i shtrembëruar zbulimet e mëparshme, mund të na shpien drejt përgjithësimit; pra duke sjellë ndryshime të mëdha në konceptet e botëkuptimit tonë.

Në fushën e fizikës, kjo ndodhi në krye të këtij shekulli me zbulimin e teorisë së relativitetit dhe kuanteve. Kjo mund të ndodhë sërish, sepse nëse po kufizohen rastet e koncepteve të reja, botëkuptimi ynë i deritanishëm po bëhet gjithnjë më i pranueshëm dhe më gjithpërfshirës.

Mua më është thënë të shtjelloj këtë pikë:

Unë kam përmendur për kthesën rrënjësore në konceptet e fizikanëve në lidhje me relativitetin e kohës. Na duket e pabesueshme se gjatësia e kohës së intervalit varet nga shpejtësia, pra sa më shpejtë do të lëvizim, aq më gjatë do t’i dukemi në të jetuarit atij që nuk lëviz me ne. Kjo nuk është pjellë e fantazisë sonë. Ejani në laboratorit e grimcës elementare të CERN-it në Gjenevë, ku prodhohen grimca jetëshkurtëra siç është mouni,ose në laborator këtu në Orsaj dhe shënoni kohën intervale që kalohet derisa muaonët e shpejtësive të ndryshme prishen në elektron e neutron. Muonët me shpejtësi më të lartë pushojnë më vonë se sa ata që kanë shpejtësi të ngadaltë, pikërisht në përputhje me ligjin sasior (kuantitativ) të relativitetit, parashtruar për herë të parë nga Ajnshtajni në 1905. Fizikës iu desh shumë kohë për të vërtetuar apo kuptuar Ajnshtajnin. Fatmirësisht, me sa duket, filozofët akoma s’kanë kuptuar Ajnshtajnin. Me sa di unë, nuk ekziston asnjë sistem filozofik, që ngrihet mbi idenë e hapësirës dhe të kohës.

E dyta dhe mundësisht kthesa vendimtare në mendim erdhi në 1926 me parmin e Paqartësisë të Heisenbergut. Ky parim i përket ekzistencës së kufizimit konceptual në njohjen tonë. Ky konfirmon p.sh. se asnjë matje fizike nuk mund të tregojë se në këtë tryezë qëndron një elektron dhe që ai është në gjendje të palëvizshme. Mund të bëhen disa prova për të treguar se saktësisht ku ndodhet elektroni; por këto eksperimente do të asgjësojnë mundësinë e gjetjes së njëhershme të pyetjes se a elektroni është në lëvizje dhe nëse po, atëherë në çfarë shpejtësie? Njohja jonë ka një kufizim të qenësishëm që me sa duket është i dekretuar. Unë rrëqethem nga tmerri duke përfytyruar se çfarë do t’i ndodhte Heisenbergut, nëse ai do të ishte lindur në mesjetë – kur betejat teologjike mund ta kishin ndërkryer atë se vallë a mos ekziston kufizimi i ngjashëm për dijen që zotëron Zoti.

Pra siç ndodhu, u plasën betejat, por në fushën e fizikës së shek. XX. Opinioni revolucionar i Heisenbergut, i përkrahur nga të gjitha prova të njohura, asnjëherë nuk është pranohet nga shumica e fizikanëve. Fizikani më i shquar i të gjitha kohërave, Ajnshtajni harxhoi një pjesë të bukur nga jeta e tij, duke kërkuar mangësitë në argumentet e Heisenburgut. Ai nuk arriti të mohonte provat eksperimentale, por shpresoi se prova të tilla mbase mund të shpjegoheshin brenda një sistemi tjetër teorik. Pavarësisht nga përpjekjet e përsëritura të Ajnshtajnit, një sistem i tillë akoma nuk është gjetur. Edhe pse vështirë të shfaqet, por kush nga ne mund të shpallë se ai nuk do të gjendet kurrë.

A shkenca moderne i bie ndesh pasqyrimit metafizik? Le të shqyrtojmë disa shembuj rreth këtij konteksti nga mendimi modern shkencor:

Shembulli im i parë i takon doktrinës metafizike të krijimit nga asgjëja. Sot ne besojmë në kozmologji.


(Endnotes)

a  A.J. Arberry, Revelation and Reason in Islam, George Allen and Unwin, Londër, 1957, f. 19
b  Briffault, Making of Humanity, f. 190-202, i cituar nga Muhammad Iqbal, The Reconstruction of Religious Thought in Islam’ i ribotuar nga M. Ashraf, Lahore, 1971, f. 129-130
c  Ibn Khaldun, The Muqqamidah i përkthyer nga  f. Rosenthal, Routledge dhe Kegan Paul, Londër 1958, ribotuar në The Muslim World on the Eve of Europe’s Expansion redaktuar nga J. Saunders, f. 131-134 botuar nga Prentice Hall, Englewood Clif N. J. 1966

Përkthyes: Çapajev Zera, Shahid Ahmad Butt

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp