Besimi i patundur në Zotin e Madhërishëm
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
darul masih

Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Unë edhe pse e falënderoj me shumë përulësi Allahun për miqtë e sinqertë që kam, por, veç kësaj jam edhe i bindur se nëse asnjëri nuk do të më mbetet, dhe të gjithë, duke më braktisur, do të largohen nga unë dhe do të ikin në drejtime të tyre, edhe atëherë unë nuk do të kem fare frikë. Unë e di se Allahu i Lartësuar është me mua. Nëse dërrmohem dhe shtypem, aq sa të bëhem më i pavlefshëm sesa një grimcë dhe shikoj mundimet, përbuzjet dhe mallkimet nga çdo anë, edhe atëherë përfundimisht unë do të dal ngadhënjimtar. Askush nuk më njeh, përveç Atij që është me mua. Unë kurrsesi nuk mund të shkatërrohem. Përpjekjet e armiqve janë të kota dhe planet e lakmitarëve s’vlejnë për asgjë.

O të pamend e të verbër! Cili i vërtet u shkatërrua përpara meje që të shkatërrohem unë? Cilin besnik e kishte asgjësuar Allahu me poshtërim, që do të më asgjësojë mua? Mbani mend dhe dëgjoni mirë! Shpirti im nuk është i tillë që shkatërrohet. Nuk ka brumë humbjeje në natyrën time. Mua më është dhënë kurajë dhe vërtetësi e tillë, që edhe malet janë hiç përballë tyre. Unë nuk mbështetem prej askujt. Isha i vetëm dhe s’jam i pakënaqur që të ngelem i vetëm. A do të më braktisë Zoti? Kurrë nuk do të më braktisë Ai. A do të më shkatërrojë Ai? Kurrë nuk do të më shkatërrojë Ai. Armiqtë do të poshtërohen dhe lakmitarët do të pendohen. Por Zoti, në çdo fushë robit të Tij do t’i japë fitoren. Unë jam me Të dhe Ai është me mua dhe asgjë nuk mund ta këpusë lidhjen tonë.

Unë betohem për nderin dhe madhështinë e Tij që në këtë botë dhe në ahiret, nuk dua asgjë më shumë sesa të shfaqet lartësia e fesë së Tij, të shkëlqejë madhështia e Tij dhe të shquhet Ai gjithkund. Me bekimin e Tij, nuk frikësohem nga asnjë sprovë, edhe nëse do të më vijë jo një, por mijëra sprova. Në fushën e sprovave dhe në pyllnajën e brengave mua më është dhënë fuqi.

Pra, nëse dikush nuk do të më ndjekë, lë të ndahet prej meje. Si e di unë se sa pyje dhe shkurre me gjemba janë akoma që t’i kaloj ato? Pse vuajnë me mua ata që i kanë këmbët të brishta? Ata që janë të mitë nuk do të shkëputen nga unë, as për shkak të vuajtjeve ose të përbuzjeve e as për shkak të sprovave qiellore. Dhe ata që nuk janë të mitë, kot po tregojnë miqësi me mua, sepse shpejt do të ndahen prej meje. Gjendja e tyre e pastajme do të jetë më e keqe se ajo e përparme. A mund të frikësohemi nga tërmetet? Në rrugën e Allahut të Lartësuar, a mund të shqetësohemi nga sprovat? A mund të ndahemi për shkak të ndonjë sprove të Zotit tonë të Dashur? Falë bekimit dhe mëshirës së Tij, jo.

Pra le të ndahen ata që janë për t’u ndarë. Për ta është selami i lamtumirës.  Por mbani mend! Nëse dikur prapë do të pendoheni, pasi u keqkuptuat dhe u ndatë, para Zotit nuk mund të fitoni nderimin që do ta fitojnë njerëzit besnikë. Sepse njolla e keqkuptimit dhe e tradhtisë është shumë e madhe.

(“Ruhani Khezain” vëll. 9, “Envarul-Islam” f. 23, 24)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp