13 metoda për t'u zgjuar për namazin e tehexhudit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kurani dhe thëniet e të Dërguarit të Allahut sas hedhin mjaft dritë mbi vlerën dhe rëndësinë e namazit të tehexhudit. Ky namaz është një mjet mjaft i dobishëm për të krijuar lidhje me Zotin e Lartësuar, për t’iu afruar Atij si dhe për t’u zhvilluar shpirtërisht. I Dërguari i Allahut sas gjithmonë e kryente këtë falje. Sigurisht, nuk është e lehtë që njeriu, duke lënë gjumin e ëmbël, të zgjohet për falje, sidomos në kohën tonë, kur angazhimet dhe punët janë shtuar shumë, ndërsa zgjimi deri në orë të vona është bërë zakoni i përgjithshëm. Hazret Kalifi II ra ka përmendur 13 metoda që e ndihmojnë besimtarin për t’u zgjuar për faljen e tehexhudit. Këtu më poshtë po paraqesim këtë shkrim për dobinë e lexuesve:

“Së pari do t’ju tregoj mënyrën më të ulët. Ndonëse ajo përmban edhe dëm, por mund të jetë edhe e dobishme. Pra, kjo mënyrë lidhet me orët me zile, që gjenden lehtësisht sot, dhe e ndihmojnë njeriun për t’u zgjuar nga gjumi. Megjithatë, unë kam përvojë se kjo nuk është mënyra e dobishme, sepse njeriu krijon njëfarë varësi duke kujtuar se zilja do ta zgjojë atë në orën e caktuar, dhe kështu ai privohet nga vëmendje dhe kujdesi që duhet të kishte ndryshe për t’u zgjuar. Po të jetë i vëmendshëm për t’u zgjuar herët, dhe të bjerë në gjumë po me këto mendime, atëherë ai sikur ka kaluar gjithë natën në adhurimin e Zotit. Nganjëherë, nëse nuk ka dëshirë për t’u zgjuar, njeriu e mbyll zilen, por nëse ai të ketë bërë nijet dhe të jetë i vendosur, ai do të zgjohej patjetër në atë orar. Ata që zgjohen me anë të ziles, shpesh ankohen se u vjen gjumi gjatë faljes. Arsyeja është fare e thjeshtë se ata zgjohen me zile e jo vetvetiu, e andaj kjo mënyrë nuk është aspak e dobishme. Megjithatë, ajo mund të jetë e dobishme në gjendjen fillestare ose për ndonjë nevoja specifike.

Sipas meje, metodat që me të vërtetë mund të na ndihmojnë për t’u zgjuar gjatë natës janë 13. Jam i bindur se nëse dikush i praktikon ato, me mëshirën e Zotit, ai do të përfitojë prej tyre. Në çdo çështje, hasim vështirësi në fillim, por përfundimisht do të arrijmë suksesin. Të gjitha këto metoda, kam nxënë nga Kurani dhe Hadithi, e jo se kam sajuar vetë. Por, është mëshira e Zotit që Ai i ka zbuluar vetëm mua, kurse të tjerët ishin të panjohur prej tyre. Po të mos më shtrëngonte koha, do të kisha cituar edhe ajete e hadithe, ku bazohen këto mënyra, megjithatë hëpërhë përmbahem vetëm me përfundimet e mia.

Metoda e parë

është se Allahu i Lartësuar ka bërë një rregull në natyrë, se koha në cilën ka ardhur diçka në jetë, sa herë që i përsëritet, i ngjall një entuziazëm. Për këtë ka mjaft shembuj. Fjala bie nëse dikush ka vuajtur nga ndonjë sëmundje gjatë fëmijërisë, ajo sëmundje i rishfaqet në pleqëri. I njëjti rregull vlen edhe për botanikë dhe ornitologji. Po ky rregull mund t’i shërbejë edhe njeriut për t’u zgjuar për faljen e natës, me kusht që ai pas namazit të jacisë, të angazhohet në kujtimin e Zotit. Sa më shumë kohë, njeriu i kushton përkujtimit të Zotit, aq më herët atij do t’i dalë gjumi nga koha e sabahut.

Metoda e dytë

është që njeriu pas kryerjes së jacisë, të mos bisedojë me askënd. I Dërguari i Allahut sas gjithashtu ka ndaluar nga bisedat pas jacisë. Ndonëse ka raste kur ai vetë ka bërë biseda, por në përgjithësi Profeti sas ka shprehur mospëlqimin për të. Arsyeja pse e ndaloi, është që nëse njeriu bën muhabete pas jacisë, ai do të rrijë i zgjuar deri vonë, dhe rrjedhimisht do të zgjohet vonë në mëngjes. Përveç kësaj, nëse këto muhabete zgjaten rreth çështjeve joshpirtërore dhe jofetare, do të rezultojnë me shpërqendrimin e vëmendjes nga besimi. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut sas ka thënë se besimtari pas faljes së jacisë, duhet të bjerë në gjumë, pa bërë muhabete me të tjerët, me qëllim që nëse fle herët duke pasur reflektime fetare, ai do të zgjohet herët. Nuk është e ndaluar të bëhen punë të rëndësishme pas faljes së jacisë, por e rëndësishme është që para se flejë, njeriu duhet të kujtojë Zotin.

Metoda e tretë

është që kur kthehet nga falja e jacisë për t’u rënë në gjumë, njeriu le të marrë abdest, edhe njëherë. Ky veprim ndikon në zemër, dhe i jep një gjallëri e freski. Nëse dikush bie në gjumë me këtë gjallëri nga abdesti, ai do të zgjohet në të njëjtën gjendje. Shpesh kemi parë se nëse dikush fle i përlotur dhe i hidhëruar, ai zgjohet duke gulçuar. Nëse ka rënë në gjumë në gjendje të gëzueshme, ai çohet duke vënë buzën në gaz. Kjo mënyrë i shërben gjithashtu për t’u zgjuar herët.

Metoda e katërt

është që njeriu para se të flejë, le të bëjë disa lutje. Kjo do ta ndihmojë për t’u zgjuar herët. Edhe i Dërguari i Allahut sas para se të flinte, bënte dhikr. Ai recitonte ajetin e Kursisë e ndjekur nga tri sure të fundit, e pastaj frynte mbi duart e tij dhe me to fërkonte gjithë trupin. Ai përsëriste këtë veprim tri herë dhe në fund kthehej nga ana e djathtë dhe bënte këtë dua:

اَلّلھُمَّ اَسلَمتُ نَفسِی اِلَیکَ، وَوَجَّھتُ وَجْھِیْ  اِلَیکَ ،وَفَوَّضتُ اَمرِی اِلَیکَ ،واَلجَا تُ ظَھرِی اِلَیکَ ،رَغبَۃَ وَرَھبَۃ اِلَیکَ لَا مَلجَاَ  وَلَا مَنجَاَ اِلَّا اِلَیکَ ،اٰمَنتُ بِکِتَابِکَ الَّذِی اَنزَلتَ وَنَبِیِّکَ الَّذِی اَرسَلتَ۔

O Allah! Shpirtin tim Ty të dorëzova, çështjen time Të nënshtrova, vëmendjen Ty të drejtova dhe Ty t’u mbështeta, duke shpresuar dhe duke u druajtur prej Teje. Nuk ka strehim e as rrugëdalje përveç drejt Teje. Besova Librin që ke shpallur dhe Profetin që ke dërguar. (Buhariu 6313, Muslimi 27010)

Çdo besimtar duhet ta ndjekë këtë shembull. Po kështu, besimtari gjithashtu duhet të kujtojë Zotin në zemër duke recituar سُبْحَانَ اللہ وَ بِحَمْدِهٖ سُبْحَانَ اللہ الْعَظِيمِ ose ndonjë lutje tjetër, derisa nuk e zë gjumi. Meqë njeriu kalon gjithë natën në atë gjendje, në të cilën e kishte zënë gjumi, andaj nëse fle duke kujtuar dhe madhëruar Zotin, ai sikur ka bërë dhikr gjatë gjithë natës. Nuk keni parë se gratë apo fëmijët nëse flenë në pikëllim ose në dhimbje, ato kur ndërrojnë anën gjatë gjumit, nxjerrin zë të mekur. Kjo ndodh sepse ato mbeten në ndikimin e asaj gjendje pikëlluese. Ndërsa nëse dikush fle duke kujtuar dhe madhëruar Zotin, ai edhe duke ndërruar anën do të shqiptojë fjalë lavdëruese. Prandaj, Kurani Famëlartë duke përshkruar tiparet e besimtarit thotë:  تَتَجَافَىٰ جُنُوبُهُمْ عَنِ الْمَضَاجِعِ يَدْعُونَ رَبَّهُمْ خَوْفًا وَطَمَعًا وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ   d.m.th. trupat e tyre ndahen nga shtrati, ndërsa ata i luten Zotit me druajtje dhe dashuri, dhe shpenzojnë prej asaj që ne u kemi dhënë atyre. (Kuran 32:17)

Ndonëse kjo shprehje duket paksa e pabesueshme, sepse i Dërguari i Allahut sas flinte njësoj sikur besimtarë të tjerë, por në të vërtetë, gjumi i tyre ishte lavdërimi i Zotit, sepse ata flinin duke madhëruar Zotin. Pra, ndonëse ata ishin duke fjetur, por me të vërtetë ishin të zgjuar. Qeniet e tyre ishin të ndara nga shtretërit dhe ishin të angazhuar në kujtimin e Zotit.

Metoda e pestë

është që njeriu të vendosë bindshëm se do të zgjohet medoemos për faljen e tehexhudit. Zoti ia ka dhënë njeriut aftësinë që kur ai i jep nefsit një urdhër të prerë, nefsi i nënshtrohet menjëherë. Ky është një fakt shkencërisht i konfirmuar. Andaj, kur bini në gjumë, duhet të vendosni fuqimisht se do të zgjoheni patjetër për namazin e tehexhudit. Duke bërë kështu, trupi juaj mund të bjerë në gjumë, por shpirti do të mbetet i zgjuar, sepse ai ka marrë urdhër për t’ju zgjuar në orën specifike. Andaj, kur vjen ora e caktuar, ju zgjoheni vetvetiu.

Metoda e gjashtë

është e tillë, që ia lejoj vetëm atij, i cili është i bindur për besimin e tij. Sipas kësaj metode, njeriu nuk duhet të falë vitrat pas namazit të jacisë, por t’i lërë ato për t’i falur në kohën e tehexhudit. Në përgjithësi vërehet se besimtarët u kushtojnë shumë vëmendje namazeve të obliguara, ndërsa sillen me njëlloj përtese lidhur me namazet nafile. Nëse, ai i bashkon nafilet me vaxhibin (të detyrueshëm), shpirti i tij nuk do të plogështohet dhe do të mbetet vigjilent derisa nuk e kryen atë. Pra si rrjedhojë, ai do të bëhet i vëmendshëm. Nëse dikush ka falur namazin e vitrit, atij edhe pse i del gjumi në kohën e tehexhudit, mendja i thotë: Ti e ke falur vitrin, nuk ka asgjë nëse nuk i fal nafilet. Ndërsa, kur ai është në dijeni se ka akoma për ta falur vitrin, do të zgjohet patjetër, dhe atëherë do të falë edhe nafilet. Megjithatë, për ta provuar këtë metodë, nevojitet shkalla e lartë e besimit. Nëse ka bindje të fortë, do të zgjohet edhe për nafilet, ndryshe do të privohet edhe nga vitri.

Metoda e shtatë

gjithashtu vlen për ata që gjenden në shkallën më të lartë shpirtërore. Sipas kësaj metode, besimtari duhet të falë nafilet pas jacisë. Ai duhet të vazhdojë nafile derisa bëhet i përgjumshëm, dhe gjumi është aq i rëndë saqë nuk e duron dot. Kur ai fle në këtë gjendje, me doemos do të zgjohet herët për tehexhudin. Pra, ky është njëlloj ushtrim shpirtëror.

Metoda e tetë

është ajo që praktikohej nga sufijtë. Unë nuk kam ndier nevojë për të, megjithatë ajo është e dobishme. Pra, kur besimtari ka gjumë shumë të rëndë dhe ai nuk zgjohet dot në kohë, i duhet të largojë shtratin e butë.

Metoda e nëntë

është që vakti i darkës të caktohet disa orë para gjumit, d.m.th. para ose menjëherë pas akshamit. Nganjëherë shpirti i njeriut është mjaft i zhdërvjellët dhe i zellshëm, por trupi e bën të ngathët. Trupi është njëlloj barrë, që i ngarkohet shpirtit. Nëse kjo barrë bëhet e rëndë, e mbyt edhe shpirtin. Andaj, në kohën e gjumit, stomaku nuk duhet të jetë shumë i mbushur, sepse kjo ndikon keqas mbi shpirtin e tij dhe i shkakton gjendje plogështie e amullie.

Metoda e dhjetë

është që njeriu kur fle, nuk duhet të jetë xhunub apo i papastër. Engjëjt puthiten me vetinë e pastërtisë dhe nuk u afrohen njerëzve të papastër, madje distancohen prej tyre. Prandaj, në kohën e të Dërguarit të Allahut sas kur atij iu soll diçka me erë të rëndë për të ngrënë, ai iu drejtua sehabëve duke thënë: Ju hani! Por unë nuk mund ta ha këtë. Ata i thanë: Atëherë edhe ne nuk do ta hamë. Pejgamberi sas u përgjigj: Ju mund ta hani. Unë nuk mund ta ha sepse, engjëjt flasin me mua, dhe ata i urrejnë gjërat erërëndë.

Kalifi I ra na kishte treguar se njëherë ai hëngri darkë, dhe ra në gjumë pa i larë duart. Gjatë gjumit, kishte parë një ëndërr, se i erdhi vëllai dhe donte t’i jepte Kuran. Por, kur ai deshi ta kapte atë, ai e ndaloi duke thënë se duart e tij nuk ishin të pastra. Pra, pastërtia e trupit ndikon shumë mbi shpirtin e njeriut. Ai që fle duke qenë i pastër fizikisht, atij i vijnë engjëjt dhe e zgjojnë nga gjumi. Ndërsa nëse është i papastër, engjëjt nuk i afrohen. Pra, kjo metodë i përket pastërtisë trupore.

Metoda e njëmbëdhjetë

është e tillë që shtrati duhet të jetë i pastër. Shumëkush neglizhojnë në këtë aspekt, pa e ditur se pastërtia dhe higjiena e shtratit lidhen ngushtë me gjendjen shpirtërore. Prandaj, duhen marrë masat e nevojshme në këtë aspekt.

Metoda e dymbëdhjetë

është e tillë, që nëse zbatohet nga njerëz të përgjithshëm, mund të sjellë rezultate të papëlqyeshme. Por, nëse ndiqet nga njerëz të veçantë, ajo nuk u sjell asnjë dëm. Sipas kësaj metode, burri dhe grua nuk duhet të flenë në të njëjtin shtrat. Ndonëse i Dërguari i Allahut sas flinte me bashkëshortet e tij, por ai gjendej në shkallën shumë të lartë shpirtërore. Kjo gjë nuk e ndikonte aspak, ndërsa të tjerët duhet të t’i shmangen kësaj gjëje. Sado të fuqishme të jenë epshet trupore, aq më shumë ato pengojnë shqisat shpirtërore. Kjo është arsyeja pse Islami na mëson që të hamë e të pimë, por të mos teprojmë. Për se të mos teprojmë? Sepse teprimi i dëshirave epshore do të dëmtojë anën shpirtërore të njeriut. Ata që kanë nënshtruar mirë veten e tyre, nuk kanë nevojë për të fjetur veçmas, por njerëz të zakonshëm duhet t’i shmangen kësaj gjëje. Ata që nuk kanë mposhtur ende dëshirat dhe ndjenjat e tyre, nuk duhet të flenë bashkë.

Metoda e trembëdhjetë

është aq e shkëlqyer saqë ndihmon jo vetëm për t’u zgjuar për tehexhudin, por duke iu përmbajtur, njeriu mund të ruhet nga veset dhe veprat e tjera të liga. Kjo metodë kërkon që para se të flemë, duhet të kontrollojmë se a mos vallë kemi urrejtje apo armiqësi ndaj dikujt, dhe nëse po, atëherë duhet t’i flakim menjëherë kësisoj ndjenjash nga mendja. Si rrjedhojë, shpirti do të dëlirësohet dhe kështu njeriu mund të çohet për të falur namazin e tehexhudit.”

(Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, Envarul Ulûm, vëll. 3, f. 513)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp